Friday, November 30, 2012

Shqipëria në Integrimin Europian

Eshtë kaq tragji-komike të dëgjojmë e lexojmë çdo ditë sesi politikanët shqiptarë zotohen e akuzojnë, denoncojnë e premtojnë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, se duhet ndaluar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar si dhe duhen forcuar Institucionet e Pavarura, pasi pikërisht këto, janë 3 kërkesat bazë të Bashkimit Europian për Integrimin e Shqipërisë
.

Vras mendjen, vallë çdo ndryshonte nga gjendja e sotme nëse BE-ja nuk do të na i kërkonte këto kushte?

Kaq shumë po na e shesin këtë Integrimin Europian si një arritje, si fundin e kalvarit të padrejtësive, si fundin e mjerimit ekonomik, duke harruar se në parim Shqipëria fillimisht duhet të bëhet një shtet i zot, për veten e saj.

Kush tjetër veç politikanëve shqiptarë e mbjell më së shumti korrupsionin?
Kush tjetër veç politikanëve shqiptarë e ushqen dhe përkrah krimin e organizuar?
Kush tjetër veç politikanëve shqiptarë sulmon
(madje edhe publikisht) Institucionet e Pavarura ?

Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë; politikanët shqiptarë nuk kanë patur ndonjëherë viza për të lëvizur jashtë shtetit. Madje aq para sa harxhohen për udhëtimet e dietat e tyre jashtë Shqipërie do të mjaftonin që të gjithë qytetarëve shqiptarë pasaportat e reja biometrike t'iu jepeshin falas. Në fakt pasaportat tona biometrike jo vetëm që u shitën më shtrenjtë se kudo, por madje shteti shqiptar nuk rimbursoi asnjë qytetar që pasaportën e vjetër e kishte brenda afatit të saj 10-vjeçar.
E megjithatë, ti rikthehemi edhe njëherë temës, politikanëve tanë. Politikanët tanë kanë hyrë prej dekadash në Europë, ndryshe nga ne qytetarët shqiptarë. Ata fëmijët e tyre i dërgojnë për studime jashtë shtetit, të njohurit e tyre i kurojnë jashtë shtetit. Ajo që i lidh me Shqipërinë është vetëm mundësia për ta rrjepur sa më shumë atë.
Nëse politikanët shqiptarë do ta donin realisht integrimin e Shqipërisë dhe fundin e diskriminimit të qytetarëve shqiptarë, nuk do të zhvillonin vetëm zgjedhje të kontestueshme.
Dhe mqs jemi këtu tek zgjedhjet, a e dini që ka mbi 2 dekada që në Shqipëri pakica, pra më pak se 50% e qytetarëve shqiptarë të cilët marrin pjesë në votime, zgjedhin Qeverinë e 3 milion shqiptarëve në Shqipëri dhe politikat e afro 5 milion shqiptarëve të tjerë mbetur jashtë kufinjve të cunguar shqiptarë.

Ka ardhur koha për ndëshkim qytetar. Indiferenca ndaj kësaj klase politike është pikërisht oksigjeni i saj.
Qytetarët shqiptarë e meritojnë të jenë pjesë e Europës, pasi qytetarë të saj kanë qenë gjithmonë, njëkohësisht duke shërbyer me nder në rangjet më të larta të qytetërimeve të njëpasnjëshme.

Veçse sot ia kemi lënë në dorë fshesën, llumit, armikut të saj.

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: