Friday, November 30, 2012

Një kokërr vezë për prapësi


Gjatë ditëve në vigjilje të festës së 100-vjetorit të pavarësisë si dhe ditën e festës, të gjitha mediat e Shqipërisë, pa përjashtim, ato të shkruarat dhe ato elektronike, e vunë në dukje dhe e përsëritën faktin se Presidenti i Maqedonisë, Shkëlqesia e tij Gjorge Ivanov, kishte anuluar vizitën e tij në Tiranë për të marrë pjesë në kremtimet e shekullit të parë të pavarësisë së shtetit tonë. Arsyet e këtij anulimi në çastin e fundit, gjithnjë sipas mediave shqiptare, të cilat u referoheshin mediave maqedonase, lidhen me një apo dy vezë, që një grup të rinjsh, pjesëtarë të shoqërisë civile, kanë hedhur mbi veturën e Kryeministrit të Maqedonisë Gruevski gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë para pak ditësh.
Goditja me vezë e veturës së një vizitori të një niveli të tillë nga një apo disa qytetarë shqiptarë, ndërkohë që ai është bujtës i Kryeministrit tonë, është pa dyshim një gjest i pahijshëm, me të cilin unë vetë nuk pajtohem. Por ky është një incident krejtësisht i papërfillshëm për t’u marrë në konsideratë nga një kryetar shteti, aq sa ai të gjejë aty një arsye të mjaftueshme për të anuluar një vizitë protokollare për një rast të papërsëritshëm gëzimi te një vend fqinj dhe mik, siç ishte festa jonë e kësaj here. Në qoftë se do të nisej nga kritere të tilla vlerësimi, Presidenti i SHBA nuk do të dilte kurrë jashtë Uashingtonit. E vërteta është se çdo President amerikan, qoftë edhe gjatë një mandati të vetëm, ka parë të hidhen mbi veturën e tij aq shumë vezë, domate të kalbura e sende të këtij lloji, të cilat nuk shkaktojnë lëndime fizike, sa po të mblidheshin e të ruheshin diku, në krye të katër vjetëve do të nevojiteshin kamionë të tërë për t’i transportuar. Kjo i ndodh atij deri në qytetet e Europës Perëndimore dhe kryhet përtej masave të jashtëzakonshme të sigurisë, që shoqërojnë, siç dihet botërisht, lëvizjet e njeriut më të pushtetshëm të botës.
Përmenda përvojën e Presidentit amerikan thjesht sepse është më e dukshme, domethënë më e lehtë për t’u kuptuar se si ky burrë, i cili drejton shtetin më të fuqishëm të botës, nuk ndikohet aspak nga ca vezë apo ca kokrra domate që hidhen mbi veturën e tij kur është fjala për të përgjithësuar ndjenjat që ushqejnë popujt e tjerë ndaj popullit të tij. Sepse veprimi i Presidentit të Maqedonisë kësaj here, ngado që ta shohësh, nuk mban erë miqësie ndaj Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, përfshirë këtu edhe një të tretën e qytetarëve të Republikës që ai udhëheq e që janë etnikisht shqiptarë. Nga ana tjetër, na mbetet të besojmë se ai është ndjerë sinqerisht i fyer nga kokrra e vezës së hedhur mbi veturën e kryetarit të qeverisë së vendit te tij. Kaq është në të drejtën e tij njerëzore, politike dhe diplomatike. Më tej, përgjithësimi nga ana e tij, aq sa të shtyhet të anulojë pjesëmarrjen në festimet e shqiptarëve në Tiranë, tregon, gjithsesi, një cektësi gjykimi që nuk i bën nder personalitetit të tij dhe as institucionit të tij presidencial.
E përsëris: veza e hedhur mbi veturën e një bujtësi të tillë, siç është kryetari i qeverisë së një vendi fqinj dhe mik, është një gjest i pahijshëm. Por nuk do harruar se një gjest i tillë – i pahijshëm – ndodh vetëm në një vend të lirë dhe mund të kryhet vetëm nga njerëz që ndjehen të lirë për ta shprehur pakënaqësinë apo edhe zemërimin. Shqipëria është një vend i tillë, ashtu siç është edhe Maqedonia e lirë. Reagimi nervoz e radikal i Presidentit Ivanov në këtë rast nxjerr në pah një deficit të pakëndshëm në konceptet e tij për demokracinë. Kryeministri Gruevski, me aq sa u pa në media, pati një vizitë të suksesshme në Shqipëri. Do të thosha madje se në një rast, gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me Kryeministrin Berisha, ai dëshmoi një vetëpërmbajtje prej burri shteti. Kryeministri Berisha tha përpara gazetarëve se integrimin europian të Maqedonisë e pengon Greqia, kurse integrimin europian të Shqipërisë e pengon Edi Rama, domethënë opozita. E përkthyer qartë e thjeshtë, kjo ishte: Maqedonisë po ia prish të ardhmen europiane armiku i jashtëm e Shqipërisë armiku i brendshëm, një mënyrë arsyetimi kjo thelbësisht e vjetër, e kapërcyer me kohë në realitetet socio-politike si të Shqipërisë edhe të Maqedonisë. Rrjedhimisht, është një e folur krejt pa kuptim për gjuhën me të cilën shprehet Brukseli. Kryeministri Gruevski nuk e ndoqi mikpritësin e tij në këtë retorikë të pavend dhe vazhdoi të përqendrohet te problematika e denjë për një dalje të tillë në publik dhe që përputhej me çfarë pritej nga të dy kryetarët e qeverive.
Më e pakta: Presidenti maqedonas duhej ta shpërfillte atë vezë, që la gjurmë me të bardhën e të kuqen e vet mbi xhamin e veturës së Kryeministrit Gruevski. Sepse është një gjurmë që pastrohet me ujë. Më e mira: Presidentit maqedonas i takonte t’u kushtonte një moment reflektim arsyeve që e shtynë një të ri shqiptar të gjuante me vezë Kryeministrin Gruevski gjatë vizitës së tij në Tiranë. Dhe do t’i jepte kështu rast vetes të kuptonte më mirë se çfarë ndodh brenda kufijve të Republikës që ai vetë udhëheq. Sepse zemërimi i vezëhedhësit nuk ka të bëjë aspak me ndonjë përgjegjësi të Kryeministrit Gruevski brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Dhe, duke kuptuar më mirë çfarë ndodh brenda Republikës që ai udhëheq, Presidenti Ivanov, me pak më shumë vullnet të mirë, do të mund të bëhej edhe më i dobishëm për kohezionin e shoqërisë multietnike maqedonase, që do të thotë se do të mund ta kryente më mirë misionin për të cilin është zgjedhur demokratikisht.
Nuk e bëri. Sa keq për të në radhë të parë! Ne e kryem festën tonë.
Besnik Mustafaj - Panorama
Këtu mund të shikoni çastet kur është goditur automjeti i kryeministrit maqedon:http://youtu.be/nFZVyrVoz5QTaulant Capa rrëfen arsyet e këtij veprimi. Ai thotë se qëlluan me vezë makinën e kryeministrit maqedonas për "hir të diskriminim të shqiptarëve në Maqedoni". Sipas tij, edhe pse është vitit 2012 ende nuk zbatohet “marrëveshja e Ohrit” e vitit 2001.

No comments: