Wednesday, November 7, 2012

Ndryshimi fillon nga ti


Leonard Dedej është 36 vjeç. Është me origjinë nga Kavaja. Që në fëmijëri ka emigruar drejt Amerikës. Kujton se atë kohë ishte 13 vjeç. Vitet kaluan, ai u arsimua dhe edukua në Londër. Studioi Menaxhim Biznesi dhe dalëngadalë ndjeu nevojën të kthehej në vendlindje. Kur u rikthye pas shumë vitesh e pati shumë të vështirë të ambientohej. Ishin dy realitete të ndryshme dhe Leonardi e kishte të vështirë të gjente veten në këtë mes. Por ajo që i bëri shumë përshtypje ishte varfëria e shumë familjeve, të cilat mundi t’i vizitonte. Kuptoi që ndryshimin duhej ta fillonte ai.E fillova nga vetja, unë mund të bëj diçka për këto familje të cilat nuk kanë mundësi të ushqehen”. Në Londër kishte takuar njerëz të varfër, por këtu janë ekstremisht të varfër. “Njerëz që nuk kanë ç’të hanë, nuk i dërgojnë dot fëmijët në shkollë, flenë në të njëjtën çati me bagëtinë... Këtu është një jetë shumë e vështirë”, - shprehet ai. Kjo e nxiti Leonardin të merrte një mision në vetvete, vetë ai do të ndryshojë diçka, për këtë qëllim punon prej tre vjetësh. Ndihmon njerëzit që kanë nevojë, njerëzit, të cilët kanë humbur shpresat për një jetë më të mirë. Aktualisht kujdeset për 15 raste të ndryshme me të cilët është takuar rastësisht apo thjesht është njohur me problemin e tyre nëpërmjet medieve vizive apo të shkruara. “Rasti i parë të cilin e kam ndihmuar e kam parë në një kronikë në televizor. Ishte një vajzë 17 vjeçe, e cila i kishte veshkat e bllokuara. Familja e saj ishte në gjendje shumë të vështirë ekonomike. Ajo ishte nga malësia e Gramshit dhe tre herë në javë i duhej të vinte në Tiranë për të bërë hemodializën. E vetmja gjë që më vajti në mendje ishte t’i dhuroja makinën time dhe ashtu bëra. Nga ana ime ishte një akt human, por që asaj i shërbeu për të kryer transportin”,- kujton rastin e parë që ka ndihmuar, i cili ka lënë gjurmë tek ai. Është ndjerë i lumtur që ka mundur të tregojë se di dhe mundte të jetë human. Leonardi udhëton vazhdimisht në qytete të ndryshme të Shqipërisë për të takuar personazhet e tij. “Kam parë raste nga më të ndryshmet. Njerëzit vërtetë vuajnë shumë, për gjërat më elementare. Ajo që bëj unë është diçka që më jep forcë dhe më bën të ndihem mirë, e bëj në kuadrin humanitar dhe njerëzor. E dyta ne kemi nevojë të shikojmë akte humanitare dhe pozitive në shoqërinë tonë që fatkeqësisht për shkak të politikave anti-sociale jemi kthyer në një shoqëri ku dominon anti-vlera. Shqiptarët mbartin shumë vlera në vetvete dhe ka ardhur koha t’i tregojmë këto vlera, sepse jetesa është bërë shumë e vështirë dhe është e domosdoshme t’i zgjasim dorën njëri-tjetrit”,- shprehet personazhi ynë. Në fakt Leonardi nuk është pjesë e asnjë shoqate humanitare. Çdo gjë e bën me iniciativën e tij dhe duke shfrytëzuar të ardhurat personale. Ato që ai ka mundur të fitojë ndër vite i shpenzon duke ndihmuar ata që kanë nevojë. Aktualisht kujdeset për 15 raste në tërësi, të cilat kanë probleme të ndryshme. Një ndër rastet e tij është edhe një vajzë vetëm 7 vjeçe e cila vuan nga leucemia. “Ndoshta unë nuk mund të bëj shumë, por bëj aq sa mundem. U blej ilaçe atyre që janë të sëmurë, dhuroj ushqime dhe aty ku është e domosdoshme edhe një sasi parash. Nuk e bëj se jam i pasur, por sepse e ndjej se kjo është gjëja e duhur”. Projektet e Leonardit janë të shumta dhe janë kryesisht në fushën e sensibilizimit dhe humanizmit. Ndërsa kur e pyesim për projektin më të madh të tij ai përgjigjet: “Të ndryshojmë Shqipërinë për më mirë”. Kërkon që njerëzit të jenë më të kujdesshëm ndaj atyre që kanë nevojë por edhe të ngrënë zërin kur të drejtat e tyre shkelen. Të jenë aktiv, në mënyrë të veçantë të rinjtë pasi ata janë e ardhmja e vendit
Çast i vështirë
Një nga rastet që Leonardit i ka ngelur në mendje është një familje në Mat. Familja përbëhej nga katër pjesëtarë, fëmijët ishin të vegjël, 8 dhe 10 vjeç. “Do më mbetet gjatë në mendje kjo familje për kushtet katastrofike në të cilat jetonte. Me shumë vështirësi hanin një vakt bukë në ditë dhe shtëpia e tyre ishte gati për t’u rrëzuar për shkak të amortizimit. Por më e keqja ishte se këta fëmijë jetonin dhe flinin bashkë me bagëtitë, në të njëjtën dhomë... Çfarë të të them , nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë”. Pikërisht momente të tilla e bëjnë Leonardin të ndihet i pafuqishëm, sepse kjo familje ka nevojë për shpi, për punë... dhe ai nuk mund t’ia plotësoj. “Mund ta ndihmoj me një shumë para, por kjo nuk e zgjidh gjendje e tyre përfundimisht”.  Shekulli Leonard Dedej është momentalisht Drejtori ekzekutiv i forumit “Rinia Aktive”http://www.riniaaktive.org/

No comments: