Wednesday, November 7, 2012

Përse i duhet filozofia shoqërisë?

Përse i duhet filozofia shoqërisë?

nga Stop Injorancës më 2012-11-04 në orën 5:06.MD ·

Ta lexosh dhe ta kuptosh filozofinë
Filozofia është dashuria për dijen! Kush nuk e kupton dhe nuk e lexon dot filozofinë, padijen dhe injorancën e vet shpesh ia ngarkon filozofisë, duke e etiketuar artificialisht si një disiplinë abstrakte, që nuk ka se ç’i duhet shoqërisë, apo si një teori pa vlerë etj. Prandaj dhe ironia sokratike zë vend me thënien “Unë di një gjë, që nuk di asgjë” dhe se e keqja vjen nga padija dhe injoranca. Në fakt, këtë konstatim të keq për filozofinë e bën ajo kategori e njerëzve që as provojnë të lexojnë një vepër filozofike, aq më tepër të mund ta shijojnë atë, sepse kush lexon filozofi dhe e kupton atë që filozofia të “hap” mendjen dhe nuk mund ta lexosh pa u menduar, pa reflektuar duke t’u përpunuar dhe “sofistikuar” më tepër kështu mendimi.
Kush lexon filozofi, e shijon atë, sepse shijon atë “stërvitje” që i bën kjo disiplinë trurit dhe mendimeve të njeriut në mjaft aspekte, si p.sh. njeriu kupton si të jetojë mirë dhe duke lexuar Aristotelin me etikën e tij e gjen rrugën e të jetuarit mirë, sipas virtytit si një veti e çmuar e karakterit të mirë. Nëse zgjedh të jetosh sipas vesit, thjesht jeton si kafsha për të mbajtur frymën gjallë, por nuk jeton mirë.
Filozofia formon qytetarin, njeriun, me vullnetin e lirë
Filozofia prodhon qytetari, edukon njeriun qytetar dhe sidomos shoqërisë shqiptare me këtë përplasje sistem vlerash dhe antivlerash që përjeton sot, i duhet më tepër se kurrë përgatitja e njeriut qytetar me virtyte dhe e njeriut antikonformist. Kush lexon filozofi, mëson se rruga e suksesit nuk është konformizmi ndaj çdo pushteti por vlerat individuale që ka njeriu, energjitë e tij të pashtershme që e bëjnë atë të dobishëm për shoqërinë dhe që të kapërcejë vështirësitë.
Filozofia formon qytetarin, njeriun me mendim qytetar, antikonformist, skeptik, vetëkritikun që nuk lejon ta “tërheqin prej hundësh” as ndonjë epror me urdhra të jashtëligjshëm, as politikani “sharlatan”. Pse? Sepse sa më shumë të lexosh filozofi, aq më tepër filozofia formon dhe aftëson njeriun për të bërë një gjykim kritik, një gjykim moral, dhe duke qenë kështu i aftë të gjykosh në këto forma, sigurisht që këtë njeri me formim filozofik vështirë ta manipulosh. Me filozofi kulturojmë shoqërinë dhe me kulturë filozofike zor se manipulohet qytetari, sepse me kulturë filozofike individi gëzon autonomi mendimi.
Kush lexon filozofi, e kupton rolin e tij si individ dhe në raportin e tij me shtetin, duke kuptuar dhe krahasuar se si ai ka qenë në gjendjen e tij natyrore dhe se si u organizua me të drejtat e tij kundrejt kontratës sociale, dhe duke lexuar filozofi ai nuk bën sjellje si në gjendjen e tij natyrore duke fituar përmes seleksionimit natyror, përmes grabitjes, plaçkitjes; “rrëmbe, gllabëro, vrit dhe ik”, por bën sjellje racionale, sepse gjykon racionalisht.
Përmes leximit filozofik njeriu kupton se gjërat duhet të arrihen mbi bazë merite në marrëdhënien e tij me shtetin, dhe se gjërat duhen fituar sipas të drejtave.
Filozofia prodhon ide
Filozofia prodhon ide dhe mbi bazën e ideve, institucionet ndërtojnë filozofinë e tyre të institucioneve, kompanitë ndërtojnë strategjitë e tyre, organizatat po ashtu, dhe sigurisht, pa ide nuk mund të ketë strategji dhe zhvillim.
Filozofia dhe aktualiteti i sigurt
Aktualiteti i filozofisë është i sigurt jo vetëm se kontribuon me meritë në konstituimin e vlerave dhe kulturës së shoqërive europiane, si racionalizmi, individualizmi, liria, e drejta, të drejtat e njeriut etj., por edhe se e edukon njeriun të reflektojë me një mendim autonom përmes lirisë së mendimit dhe shprehjes. Koncepti i lirisë është aktual, pasi ka të bëjë me dinjitetin njerëzor, dhe në këtë aspekt është i lidhur ngushtë me përgjegjësinë dhe drejtësinë sot.
Filozofia si reflektim mendimi
Kush lexon filozofi, e kupton që mendimi im është mendimi im, dhe i tjetrit është i tjetrit. Se nuk ka një kriter absolut të së vërtetës që të bëjë ta gjykosh mendimin tënd të drejtë se është mendimi yt dhe të tjetrit të gabuar vetëm se mendon ndryshe nga ty. Pasi filozofia vetë është liri mendimi dhe e pranon mendimin e lirë ndryshe nga ideologjitë që janë imponim mendimi, prandaj dhe kush lexon filozofi, pranon mendimin e “tjetrit ndryshe”, atij “tjetri ndryshe” që ndan kultura, zakone, vlera, opinione, besime të ndryshme nga ty, dhe që përballon sfidën aktuale sot duke komunikuar me  “tjetrin ndryshe” edhe në kushte diversitetesh mendimi. Kjo është një sfidë, pasi përgjithësisht njerëzve u pëlqen të shoqërohemi me “të ngjashmin tonë”, dhe jo aq me të “ndryshmin tonë” apo me “të kundërtin”.
Kush lexon filozofi, kupton mendimin filozofik të Sartrit, se pse “njeriu është i dënuar të jetë i lirë”, duke kuptuar kështu që duke e “hedhur” njeriun e lirë në këtë përplasje kulturash dhe qytetërimesh, i duhet të zgjedhë rrugën e tij. Por cilën rrugë? Sipas imperativit moral të filozofit Kant, që “kryej detyrën tënde sipas moralit dhe ky është një ligj moral”, apo sipas konceptit të mbinjeriut të Niçes, që njeriu duhet t’u besojë energjive të tij të pashtershme pozitive që posedon, duke luftuar për ta rinovuar vetveten pa reshtur dhe që në sajë të vetive të tij të mund të përballojë sfidat e jetës, apo të jetë pragmatist, apo të synojë që të jetë racionalist, apo t’u besojë vetëm instinkteve të tij dhe ndjesive emocionale, apo çfarë? Filozofia të ndihmon të gjesh rrugën e duhur duke ndërtuar një filozofi tënden, së cilës do t’i besosh, dhe jo të përvetësosh atë që duan të tjerët. Filozofia ndihmon jo vetëm individin, por i shërben edhe institucionit për të ndërtuar një filozofi institucionale që i shërben kontekstit aktual.
Kush lexon filozofi, aftësohet që të “përqafojë një filozofi të tijën”, të besojë një filozofi të tijën që i shërben më së miri në të jetuarin sipas së mirës, dhe jo sipas së keqes, duke qenë konsekuent në atë filozofi që beson pa pasur frikë nga paragjykimet apo gjykimet e të tjerëve. Kështu, filozofia formon njeriun qytetar antikonformist dhe jo atë që konformohet gjithë kohën ndaj pushtetit, (sidomos atij politik).
Shumë njerëz bëjnë asocimin e filozofisë me atë filozofi që është servirur në kohën e diktaturës, por të mos ngatërrojmë filozofinë me ideologjitë, por filozofia është liri mendimi, ndërsa ideologjitë janë imponim mendimi dhe filozofia që në antikitet i ka dhënë mesazhe të vyera shoqërisë si në konceptin e të jetuarit sipas virtytit, vlerave morale, lirisë, ndërtimit të shtetit, ekzistencës, artit të të jetuarit, raportin e tij me Zotin, me botën përreth, të reflektuarit etj.
Filozofia në kurrikulat universitare
Filozofia sot në kurrikulat e degës së Filozofisë u jep njohuri studentëve në shumë dimensione, si në lëndë të tilla që shërbejnë me njohuri edhe për formimin qytetar, por janë edhe atraktive për tregun e punës, si p.sh. Filozofi politike, Etikë, Filozofi e shkencës, Filozofi e gjuhës dhe e komunikimit, Filozofi e së drejtës, Filozofi e artit, Filozofi e historisë, Filozofi e fesë, Filozofi e zgjidhjes së konflikteve, Filozofia e integrimit etj., pra një kurrikul universitare, e cila e pajis individin me kulturë të pasur filozofike, dhe sa më shumë njerëz të kenë kulturë filozofike, aq më shumë kulturohet shoqëria në tërësi, dhe aq më tepër njerëzit ngrenë nivelin e arsyes që do të thotë më tepër dashuri për dijen, më tepër dashuri për njeriun, më tepër dashuri për vlerat morale, më tepër respekt ndaj parimeve morale, më pak krime dhe sjellje devijante.
Është e pamundur që me një shkrim të shpjegohet roli i filozofisë, por të paktën t’u shërbejmë lexuesve me disa njohuri mbi filozofinë, duke shërbyer njëkohësisht edhe si një apel që sa më shumë të lexojmë filozofi, aq më tepër kulturohemi, dhe se vetë njeriu, duke lexuar filozofi, rrit nivelin e tij të të arsyetuarit dhe të menduarit në mënyrë reflektive, gjë që ndihmon në vetëkontrollin ndaj shpërthimit të ndjenjave emocionale, në menaxhimin e vetvetes, duke u sjellë kështu si një qenie racionale, dhe jo thjesht emocionale apo irracionale.
Filozofia në integrimin në BE
Po ashtu, edhe si një apel ndaj ministrit të Arsimit, që Filozofinë ta vendosë si lëndë të detyrueshme në kurrikulat e arsimit parauniversitar, ashtu siç e kanë vende të BE-së, sepse kompetencat e BE-së për edukimin plotësohen duke i dhënë vendin e duhur filozofisë, e cila formon mendimin kritik dhe reflektiv, prandaj kjo kompetencë e edukimit nuk mundet pa filozofinë.

MANDETA MINXHOZI
Shefe e Departamentit të Filozofisë, Universiteti i Tiranës Burimi:http://www.panorama.com.al/2012/11/01/perse-i-duhet-filozofia-shoqerise/


No comments: