Friday, November 30, 2012

Berisha ‘çmend’ shtypin e politikën greke

Kryeministri: Mungesa e Avramopulos? Miqtë shkëlqejnë me mungesën e tyre


Kryeministri Berisha ka reaguar në lidhje me refuzimin e pjesëmarrjes në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë të ministrit të jashtëm grek Dimitris Avramopulos.


I pyetur nga mediat në lidhje edhe këtë çështje, Berisha u përgjigj shkurt se miqtë shkëlqejnë gjithmonë me mungesën e tyre

Gjithashtu kryeministri ka sqaruar edhe deklaratat e djeshme të tij për bashkimin kombëtar duke theksuar se motoja e shqiptarëve është “Të bashkohemi me njëri- tjetrin, të bashkohemi me Europën”.

Por shtypi dhe politika ekstreme në Greqi është tërbuar nga deklarata e kryeministrit.

Gazeta “Protothema” e quan atë që ndodhi një “incident diplomatik greko-shqiptar dhe përkeqësim të papritur të marrëdhënieve greko-shqiptare, të cilat janë si zhiva, ftohen lehtë dhe nxehen po aq lehtë”.

“Berisha: Nga Preveza, në Podgoricë, Shqipëri e Madhe”, me këtë titull vjen gazeta “To Vima”, e cila shkruan se deklarata në fjalë, bëri që të anulohet vizita e ministrit Avramopulos, si shprehje e pakënaqësisë.

“Ta Nea” shkruan: “Berisha provokon – Shqipëria e Madhe fillon nga Preveza”. Më pas botohet edhe sqarimi i zyrës së shtypit të kryeministrisë shqiptare.

Gazeta “Efimerida” shkruan se fjalimi i Sali Berishës në përvjetorin e pavarësisë së vendit solli një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve greko-shqiptare. Sipas kësaj gazete “në thelb, deklaratat e Berishës krijojnë pretendime territoriale të Shqipërisë ndaj Greqisë”.

Reagime ka pasur edhe nga disa parti politike greke.

E Majta Demokratike, DIMAR, pjesë e koalicionit qeverisës shprehet se “Deklaratat zjarrvënëse të Sali Berishës janë përtej çdo koncepti të bashkëpunimit në Ballkan, minojnë bashkëjetesën paqësore të shqiptarëve me popullin grek dhe nxitin nacionalizmin ekstrem. Ato janë të rrezikshme dhe tërësisht të dënueshme”.

SYRIZA, partia opozitare e Aleksis Tsipras shprehet se “Zërat nacionaliste, histerike, që nuk kanë ide nga historia, nuk i shërbejnë paqes dhe bashkëpunimit midis popujve dhe qeverive në rajonin tonë. Janë deklarata të rrezikshme të papërgjegjshme nga politikanët e krahut të djathtë, që i hedhin benzinë zjarrit. Deklarata korrigjuese nuk i zbut shprehje të tilla, të cilat ushqejnë besimet obskurantiste dhe mesjetare”.

“Agimi i Artë” deklaron: “Berisha del nga binarët, duke deklaruar se Preveza është shqiptare”. (G. Tema)

Në Francë do hapet xhamia e parë për … homoseksualët

Një homoseksual franko- algjerian ka në plan që të hapë në Francë xhaminë e parë për homoseksualë. Madje ai pretendon se aty mund të realizojë edhe martesa myslimane mes çifteve të të njëjtit seks.

Mohammed Ludovic Lutfi Zahed, një algjerian që jeton në Paris, i martuar me partnerin e tij gej, shpreson që brenda muajit të hapë dyert e xhamisë.



Po ashtu ai thotë se xhamia do të thyejë edhe një tabu tjetër myslimane, atë të ndarjes mes burrave e grave në xhami.

“Është një xhami normale, gratë nuk kanë pse mbulohen dhe pse të ulen në fund. Meshkujt homoseksualë po ashtu nuk kanë pse të kenë frikë nga dhuna verbale dhe fizike. Pasi isha në haxhillëk, e kuptova se ishte e nevojshme një xhami për homoseksualët,” thotë ai.

Zahed është i martuar me Qiyam al- Din, një person nga Afrika e Jugut. Ata janë martuar në Afrikën e Jugut ku lejohen martesat e të njëjtit seks. Martesa e tyre ka marrë miratimin e një imami, por qeveria franceze e ka kundërshtuar.

Çështja e martesave të homoseksualëve ka ndarë thellësisht Francën.

Zahid është diagnostikuar me AIDS, që solli edhe zgjimin e tij shpirtëror. Ai thotë se merr rregullisht e-maile urrejtje nga myslimanët kudo në botë, por nuk shqetësohet. (G.Tema)

Në luftë na ranë 28 mijë dëshmorë, ja dokumentet


Janë apo nuk janë 28 mijë dëshmorë, aq sa udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha deklaroi në Konferencën e Paqes në Paris, në gushtin e vitit 1946? Debati i hapur vite më parë, nuk ka pasur asnjëherë një përgjigje të saktë dhe shifra është lëkundur midis 6, 8 e 12 mijë të rënëve. Por, Dalan Buxheli, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve, gjatë një interviste për “Shekullin” thotë se gjatë viteve të luftës në Shqipëri janë vrarë, pushkatuar e zhdukur, jo pak por 28,110 persona. Dhe gjithçka, sipas tij, është e mbështetur në fakte e dokumente të shumë arkivore.
Në bazë të dokumenteve, sa të rënë ka Lufta Nacionalçlirimtare?
Sipas të gjitha dokumenteve të bazuara në arkivat shqiptare dhe ato të vendeve të tjera, gjatë luftës Antifashiste, janë vrarë, pushkatuar e zhdukur 28, 110 persona. Kjo shifër u bë publike nga Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946.
Si u mundësua një shifër kaq e saktë brenda një kohe të shkurtër nga mbarimi i luftës?
Në fakt për t’u përgatitur për në konferencën e Paqes në Paris u ngrit një grup pune me specialistë, të cilët për muaj të tërë u morën me verifikimin e gjithçkaje. Ata morën të dhëna nga formacionet partizane, qarqet, komandat e vendit dhe Pushteti Vendor. Shifra që dha Enver Hoxha në këtë Konferencë, nuk ishte kot, ajo ishte e mbështetur në shumë fakte e burime arkivore që e vërtetonin një gjë të tillë.
Përveç jetëve njerëzore, çfarë dëmesh të tjera solli Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri?
Pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre i shkaktuan këtij vendi dëme shumë të mëdha që u pasqyruan për një kohë të gjatë në jetën e qyteteve e fshatrave të Shqipërisë. Trupat pushtuese gjatë operacioneve ushtarake që ndërmorën kundër forcave partizane, dogjën e shkatërruan fshatra e qytete të tëra. Nga 2500 fshatra e qytete që kishte Shqipëria u dogjën e u shkatërruan 1850 prej tyre. U dogjën gjithashtu sasi të mëdha drithi e prodhimi bujqësor, u grabitën dhe u therën bagëti të imta e të trasha që për zona të ndryshme arrinin gati 50-70 për qind e tyre. Me qindra qenë burrat e gratë në lulëzim të moshës për punë që u arrestuan u burgosën dhe u dërguan në kampet e përqendrimit brenda ose jashtë vendit. Të gjitha këto ndikuan në pakësimin në një masë shumë të madhe të veprimtarisë ekonomike në mbarë vendin.
A ka një vlerë të përafërt të këtyre dëmeve?
Sipas llogaritjeve të specialistëve, pushtimi ushtarak i shkaktoi Shqipërisë një dëm të përgjithshëm me vlerë mbi 3 miliardë dollarë amerikanë me vlerën e vitit 1938. Shqipëria ishte një ndër vendet e para në botë për humbjet e dëmet, për frymë dhe të mirave materiale gjatë Luftës së Dytë Botërore
Çfarë u fitua nga Lufta?
Në fillim u fitua liria. Në saj të luftës së vendosuri e pa kompromis, heroizmit e vetëmohimit, guximi i popullit, Shqipëria u rreshtua në koalicionin e madh antifashist. Pra me fituesit. Marrja e armëve ishte një akt plotësisht i ndërgjegjshëm. Si asnjëherë tjetër ai i kishte të qarta dhe të përcaktuara qëllimet ndaj u tregua i gatshëm për çdo heroizëm e sakrificë për të arritur fitoren. Në zjarrin e luftës çlirimtare masat treguan iniciativa. U shfaqën me tërë thellësinë zgjuarsinë në të gjitha fushat e u organizuan me armë në dorë. Heroizmi i luftëtarëve i veprimtarëve të frontit çlirimtar të reparteve e njësive partizane u ngjasin legjendave. Nga radhët e masave dolën dhe drejtuesit e kuadrot udhëheqëse, komandantët e komisarët e njësive. Ndërsa në nderim të Dëshmorëve të Atdheut dhe Çlirimit, 5 maji dhe 29 nëntori i ccdo viti festohen me solemnitet në mbarë vendin nga Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut. Vetë organizata ka orientuar të gjitha strukturat e saj në rrethe që këtë ditë ta përkujtojnë me krenari të ligjshme sepse kjo ditë përfaqëson njerëzit e mëdhenj që me gjakun e tyre çliruan atdheun dhe e radhitën vendin tonë me vendet fituese të Luftës së Dytë Botërore, si anëtare aktive e koalicionit të madh antifashist e që sot vendi ynë u pranua në NATO.
Kriminelët e Luftës në Nuremberg
Në Shqipëri u varën katër femra, e paprecedent
Dëshmorët nga njëra anë, po me tradhëtarët si u veprua pas lufte? Dalan Buxheli, thotë: “Lista me emrat e kriminelëve të LANÇ-it i është dërguar Gjyqit të Nurembergut që në atë kohë. Siç dihet ndër katër anëtarë të regjencës kuislinge dy prej tyre Lef Nosi dhe Fiqëri Dibra, ishin nga radhët e Ballit Kombëtar. Përfaqësues të kësaj organizate morën pjesë si ministra dhe në Qeverinë “Mitrovica”, siç ishin: Bahri Omari, Kol Tromara dhe Koço Muka, të cilët ishin pjesëmarrës në operacionet ushtarake kundër forcave partizane në ballë të të cilave ishin Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Abaz Ermenji, Kadri Cakrani, Safet Butka, e shumë të tjerë. Në kontinentin tonë, gjatë Luftës së Dytë janë varur në litar 5 femra, një në Rusi dhe katër të tjera në Shqipëri, siç janë Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Ganimet Trebeshi dhe Liri Gero. Dhe këto janë bërë nga  pushtuesit në bashkëpunim me tradhtarët shqiptarë. Falsifikatorët e historisë sipas tyre, ballistë, zogistë vlerësohen si çlirimtarë. Këta zotërinj harrojnë se në kohën e pushtimit fashist, Shqipëria ishte vetëm një milion banorë dhe 70 mijë partizanë përbënin afro 20% të pjesës së aftë për luftë. Ata shkuan në luftë pa dallim feje, krahine e ideje. Harrojnë se 28 mijë partizanë dhanë jetën në çdo kilometër katror ka rënë 1 partizan që i bie afërsisht 10% e njerëzve të aftë për luftë, harrojnë vështirësitë e mëdha që hasi Shqipëria për t’i dalë në të vërtetë zot vatanit dhe jo për të bashkëpunuar me pushtuesit, sipas mendimit kapitullues se Italinë nuk e përballojmë dot. Prandaj të presim kur t’i vijë koha e përshtatshme. U harrua se në ç’kushte të varfërisë së tejskajshme u zhvillua kjo luftë dhe se çfarë sakrificash të jashtëzakonshme kaluan bijtë e bijat e këtij populli për çlirimin e vendit”.
DËSHMIA
28.110 dëshmorët e Shqipërisë
Dalan Buxheli thotë: “Në përgjigje të atyre që e mohojnë 28 mijë dëshmorët e luftës NAÇl, dëshmojnë të dhënat që janë marrë nga arkivat e ndryshme dhe që vijonë si më poshtë”:
Dëshmorë të shpallur sipas dokumenteve ligjore janë.…….........................................9470
Shtetas antifashistë shqiptarë të pushkatuar nga nazifashistët e bashkëpunëtorët janë 6436
Të asgjësuar në 23 kampet gjermane (pa varre) për të cilët paguan shpërblim shteti gjerman janë................................................................................................................11.200
Të asgjësuar në kampet në Greqi (pa varre) janë...............................................................50
Të asgjësuar në kampet në Itali (pa varre) janë.................................................................70
Të asgjësuar në kampin e Mathauzenit (pa varre) janë....................................................351
Të asgjësuar në kampin e Aushvicit në Poloni (pa varre) janë .........................................32
Të asgjësuar në kampin e Prishtinës (pa varre) janë........................................................168
Të asgjësuar në kampin e Zemunit në Jugosllavi (pa varre) janë.............................. .....162
Të asgjësuar në kampin e Bitolës në Maqedoni (pa varre) janë......................................144
Të asgjësuar në kampin e Strugës në Maqedoni (pa varre) janë.......................................27
Shuma e përgjithshme është.......................................................................................28.110 Flet Dalan Buxheli, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare të Familjeve të DëshmorëveLeonard Veizi - Shekulli

Një kokërr vezë për prapësi


Gjatë ditëve në vigjilje të festës së 100-vjetorit të pavarësisë si dhe ditën e festës, të gjitha mediat e Shqipërisë, pa përjashtim, ato të shkruarat dhe ato elektronike, e vunë në dukje dhe e përsëritën faktin se Presidenti i Maqedonisë, Shkëlqesia e tij Gjorge Ivanov, kishte anuluar vizitën e tij në Tiranë për të marrë pjesë në kremtimet e shekullit të parë të pavarësisë së shtetit tonë. Arsyet e këtij anulimi në çastin e fundit, gjithnjë sipas mediave shqiptare, të cilat u referoheshin mediave maqedonase, lidhen me një apo dy vezë, që një grup të rinjsh, pjesëtarë të shoqërisë civile, kanë hedhur mbi veturën e Kryeministrit të Maqedonisë Gruevski gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë para pak ditësh.
Goditja me vezë e veturës së një vizitori të një niveli të tillë nga një apo disa qytetarë shqiptarë, ndërkohë që ai është bujtës i Kryeministrit tonë, është pa dyshim një gjest i pahijshëm, me të cilin unë vetë nuk pajtohem. Por ky është një incident krejtësisht i papërfillshëm për t’u marrë në konsideratë nga një kryetar shteti, aq sa ai të gjejë aty një arsye të mjaftueshme për të anuluar një vizitë protokollare për një rast të papërsëritshëm gëzimi te një vend fqinj dhe mik, siç ishte festa jonë e kësaj here. Në qoftë se do të nisej nga kritere të tilla vlerësimi, Presidenti i SHBA nuk do të dilte kurrë jashtë Uashingtonit. E vërteta është se çdo President amerikan, qoftë edhe gjatë një mandati të vetëm, ka parë të hidhen mbi veturën e tij aq shumë vezë, domate të kalbura e sende të këtij lloji, të cilat nuk shkaktojnë lëndime fizike, sa po të mblidheshin e të ruheshin diku, në krye të katër vjetëve do të nevojiteshin kamionë të tërë për t’i transportuar. Kjo i ndodh atij deri në qytetet e Europës Perëndimore dhe kryhet përtej masave të jashtëzakonshme të sigurisë, që shoqërojnë, siç dihet botërisht, lëvizjet e njeriut më të pushtetshëm të botës.
Përmenda përvojën e Presidentit amerikan thjesht sepse është më e dukshme, domethënë më e lehtë për t’u kuptuar se si ky burrë, i cili drejton shtetin më të fuqishëm të botës, nuk ndikohet aspak nga ca vezë apo ca kokrra domate që hidhen mbi veturën e tij kur është fjala për të përgjithësuar ndjenjat që ushqejnë popujt e tjerë ndaj popullit të tij. Sepse veprimi i Presidentit të Maqedonisë kësaj here, ngado që ta shohësh, nuk mban erë miqësie ndaj Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, përfshirë këtu edhe një të tretën e qytetarëve të Republikës që ai udhëheq e që janë etnikisht shqiptarë. Nga ana tjetër, na mbetet të besojmë se ai është ndjerë sinqerisht i fyer nga kokrra e vezës së hedhur mbi veturën e kryetarit të qeverisë së vendit te tij. Kaq është në të drejtën e tij njerëzore, politike dhe diplomatike. Më tej, përgjithësimi nga ana e tij, aq sa të shtyhet të anulojë pjesëmarrjen në festimet e shqiptarëve në Tiranë, tregon, gjithsesi, një cektësi gjykimi që nuk i bën nder personalitetit të tij dhe as institucionit të tij presidencial.
E përsëris: veza e hedhur mbi veturën e një bujtësi të tillë, siç është kryetari i qeverisë së një vendi fqinj dhe mik, është një gjest i pahijshëm. Por nuk do harruar se një gjest i tillë – i pahijshëm – ndodh vetëm në një vend të lirë dhe mund të kryhet vetëm nga njerëz që ndjehen të lirë për ta shprehur pakënaqësinë apo edhe zemërimin. Shqipëria është një vend i tillë, ashtu siç është edhe Maqedonia e lirë. Reagimi nervoz e radikal i Presidentit Ivanov në këtë rast nxjerr në pah një deficit të pakëndshëm në konceptet e tij për demokracinë. Kryeministri Gruevski, me aq sa u pa në media, pati një vizitë të suksesshme në Shqipëri. Do të thosha madje se në një rast, gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me Kryeministrin Berisha, ai dëshmoi një vetëpërmbajtje prej burri shteti. Kryeministri Berisha tha përpara gazetarëve se integrimin europian të Maqedonisë e pengon Greqia, kurse integrimin europian të Shqipërisë e pengon Edi Rama, domethënë opozita. E përkthyer qartë e thjeshtë, kjo ishte: Maqedonisë po ia prish të ardhmen europiane armiku i jashtëm e Shqipërisë armiku i brendshëm, një mënyrë arsyetimi kjo thelbësisht e vjetër, e kapërcyer me kohë në realitetet socio-politike si të Shqipërisë edhe të Maqedonisë. Rrjedhimisht, është një e folur krejt pa kuptim për gjuhën me të cilën shprehet Brukseli. Kryeministri Gruevski nuk e ndoqi mikpritësin e tij në këtë retorikë të pavend dhe vazhdoi të përqendrohet te problematika e denjë për një dalje të tillë në publik dhe që përputhej me çfarë pritej nga të dy kryetarët e qeverive.
Më e pakta: Presidenti maqedonas duhej ta shpërfillte atë vezë, që la gjurmë me të bardhën e të kuqen e vet mbi xhamin e veturës së Kryeministrit Gruevski. Sepse është një gjurmë që pastrohet me ujë. Më e mira: Presidentit maqedonas i takonte t’u kushtonte një moment reflektim arsyeve që e shtynë një të ri shqiptar të gjuante me vezë Kryeministrin Gruevski gjatë vizitës së tij në Tiranë. Dhe do t’i jepte kështu rast vetes të kuptonte më mirë se çfarë ndodh brenda kufijve të Republikës që ai vetë udhëheq. Sepse zemërimi i vezëhedhësit nuk ka të bëjë aspak me ndonjë përgjegjësi të Kryeministrit Gruevski brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Dhe, duke kuptuar më mirë çfarë ndodh brenda Republikës që ai udhëheq, Presidenti Ivanov, me pak më shumë vullnet të mirë, do të mund të bëhej edhe më i dobishëm për kohezionin e shoqërisë multietnike maqedonase, që do të thotë se do të mund ta kryente më mirë misionin për të cilin është zgjedhur demokratikisht.
Nuk e bëri. Sa keq për të në radhë të parë! Ne e kryem festën tonë.
Besnik Mustafaj - Panorama
Këtu mund të shikoni çastet kur është goditur automjeti i kryeministrit maqedon:http://youtu.be/nFZVyrVoz5QTaulant Capa rrëfen arsyet e këtij veprimi. Ai thotë se qëlluan me vezë makinën e kryeministrit maqedonas për "hir të diskriminim të shqiptarëve në Maqedoni". Sipas tij, edhe pse është vitit 2012 ende nuk zbatohet “marrëveshja e Ohrit” e vitit 2001.

Kush janë muslimanët e vërtetë?

Si e festojnë Hashuren muslimanët indianë, irakenë, sirianë, afganë, turqë, libianë etj dhe si e festojnë Hashuren muslimanët shqiptarë?
http://www.jafariyanews.com/2k5_news/feb/20ashur.htm

Dyshemeja e xhamisë është e mbushur me gjak, ndërkohë që myslimanët shitë në Indi godasin veten e tyre gjatë një procesioni të shenjtë.

Myslimanët në mbarë botën kujtuan Ditën e Hashures. Disa prej tyre madje zgjedhin që të derdhin gjakun e tyre për të kujtuar martirizimin e Imam Hyseinit, nipit të profetit Muhamed.

Ai u vra nga rivalët politikë së bashku me 72 shokë të tij në betejën e Qerbelasë, ndërkohë që trupat e të vdekurve u gjymtuan.

Hashurja kremtohet në ditën e dhjetë të muajit Muharrem.

Burimi: http://www.gazetatema.net/web/2012/11/26/rite-gjakatare-ne-nje-ceremoni-fetare-foto/

Aqif Pashë Elbasani, i pari që ngriti flamurin e Pavarësisë


Në vitin jubile kujtohet patrioti i shquar shqiptar.
Ishte një nga patriotët më të njohur elbasanas, njeri i besuar i Ismail Qemalit.

“Emëri juaj i shkëlqyer si patriot…”
Me këto fjalë Ismail Qemali, në vitin 1912, i drejtohej Aqif Pashë Elbasanit, pasi mësoi se ai bashkë me patriotë të tjerë elbasanas ngriti flamurin e Shpalljes së Pavarësisë në Elbasan. Flamuri u ngrit në Elbasan më 25 nëntor 1912. Ai u pasua me ngritjen e flamujve të tjerë në Korçë, Durrës, Tiranë… dhe 28 më Nëntor në Vlorë.
Ismail Qemali vazhdon: “Në këtë kohë transformimi, historia do të dijë të dallojë patriotin nga tradhtari dhe do t’i caktojë secilit vendin e tij… Se ç’vend do të kem unë në histori, këtë nuk e di… sa për ju, emri juaj i shkëlqyer si patriot do të mbetet i shkruar në faqet e ndritura të historisë sonë…”
A thua këto fjalë të Ismail Qemalit nxitën vetëdijen patriotike të familjeve elbasanase të përjetësojnë figurën e Aqif Pashë Elbasanit, në një shtatore në qendër të Elbasanit, në vitet e demokracisë dhe nipin e Pashës, Serxhio Vili Mazreku, avokat, të shkojë më tej. I preokupuar, bashkë me  shkrimtarin Bahri Myftari, duke vlerësuar kontributin e Aqif Pashë Elbasanit në shpalljen e pavarësisë kombëtare, hartuan një plan konkret veprimtarie, të cilin ia paraqitën kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, z. Qazim Sejdini. Reagimi i tij ishte pozitiv… Sejdini në zyrën e tij mban dhe ruan flamurin e ngritur në Elbasan më 25 nëntor 1912, e qëndisur nga gruaja e lagjes Kala, Marije Buda. Avokati Serxhio Mazreku, në emër të familjes së tij premtoi dhe për një sponsorizim financiar të konsiderueshëm.
Një iniciativë e shkëlqyer që duhet ndjekur edhe nga familje të tjera të mëdha shqiptare.
Kush ishte Aqif Pashë Elbasani
Aqif Pashë Elbasani lindi në Elbasan më 20 mars të vitit 1860 në familjen e Biçakçinjve. Biçakçinjtë takohen për herë të parë në dokumentet arkivore në fillimet e shek XV. Ishte një nga familjet më të mëdha çifligare në trevën e Elbasanit dhe të tërë Shqipërisë. Shumë pinjollë të derës së Biçakçinjve gjatë zotërimit të Perandorisë Osmane kanë mbajtur tituj dhe ofiqe të larta si: Sinan Pashë Biçaku, gjeneral i perandorisë, Sinan bej Biçaku, kryekomandant, Seit Pasha, mësues i oborrit, Selim Beu, guvernator në Egjipt, Ibrahim Biçaku, vezir, Dervish bej Biçaku, sundimtar i Elbasanit, Mahmut Pasha, prefekt i Elbasanit, babai i Aqif Pashës, e shumë të tjerë…
Dera e Biçakçinjve mbahej për fëmijë të ditur dhe të shkolluar. Aqif Pasha, pasi mbaroi arsimin fillor dhe të mesëm në vendlindje, studimet e larta i kreu në Stamboll. Atje ai u lidh që në fillim me qarqet patriotike shqiptare.
Pas fitores së Revolucionit Xhonturk u bë kryetar i klubit atdhetar të shqiptarëve “Bashkimi”. Merr pjesë në Kongresin e Dibrës, në korrik 1909 dhe më vonë në Kongresin Arsimor të Elbasanit, shtator 1909. Së bashku me bashkëpatriotë të tjerë elbasanas kontribuuan në hapjen e Shkollës Normale, në dhjetor të vitit 1909. Aqif Pashë Elbasani u bë kontribuuesi kryesor në organizimin e kryengritjes së përgjithshme për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke u vënë pa asnjë hezitim në krah të Ismail Qemalit. Ai miratoi që në fillim, pa asnjë mëdyshje, në unitet të plotë, planin për organizmin e Shpalljes së Pavarësisë dhe atë të organizimit të shtetit të ri shqiptar.
Më 25 nëntor, Aqif Pashë Elbasani, bashkë me patriotët Lef Nosi, Qemal Karaosmani, E. Jorgaqi, F. Papajani e të tjerë, ngriti flamurin në qytetin e Elbasanit, duke shpallur pavarësinë dhe duke i treguar pushtuesve serbë “se kishin shkelur në viset e Shqipërisë së pavarur”.
Aqif Pashë Elbasani është bërë i njohur si besnik i qeverisë së Vlorës dhe i Ismail Qemalit veçanërisht. Ai kreu shumë detyra në këtë qeveri, duke dëshmuar përkushtim atdhetar, por më së shumti kontribuoi në ngritjen e institucioneve të Drejtësisë në Shqipëri, të cilat nuk mbështeteshin në kurrfarë baze shkencore. Ai e përjetoi me dhimbje ndarjen e trojeve shqiptare dhe nuk u kursye për t’iu kundërvënë armiqve të kohës. Veçanërisht në Elbasan, në vitin 1913, udhëhoqi protestat kundër copëtimit të trojeve etnike. Mbështeti Princ Vidin dhe së bashku me Luigj Gurakuqin, Pecin, Hil Mosin… krijuan Komitetin Kombëtar për t’i shërbyer çështjes kombëtare, me platformë të qartë dhe të mirorganizuar.
Nuk pranoi të merrte pjesë në Kongresin e Durrësit.
Aqif Pashë Elbasani mori pjesë dhe ishte organizator i Kongresit të Lushnjës më 1920 dhe për merita të padiskutueshme, u zgjodh njëzëri kryetar i tij.
Është autor i telegramit të famshëm dërguar Fan Nolit, në 1920, ku e ftonte atë dhe të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë në Amerikë, të mendonin, bashkëpunonin dhe të vepronin për një Shqipëri të bashkuar.
Në vitin 1922, Aqif Pasha largohet nga Shqipëria për në Austri për shkaqe aspak personale, por si emigrant politik, duke krijuar partinë kombëtare me program kryekëput liberalo-demokrat. Në vitin 1923, grupi i Fan Nolit e propozoi deputet në Asamblenë Kombëtare për Korçën, ku edhe fitoi. Ai kthehet në atdhe në vitin 1924, merr pjesë në disa mbledhje të Asamblesë Kombëtare, punon për bashkimin e elementëve liberalë-demokratë dhe më vonë, për arsye shëndetësore, tërhiqet nga jeta politike.
Aqif Pashë Elbasani vdes në Elbasanin e tij që e deshi aq shumë, më 20 shkurt të vitit 1926 dhe përcillet në banesën e fundit me shumë nderime. Ai kujtohet si një atdhetar i madh, politikan i ndershëm dhe me vizion krejtësisht evropian. Burrë shteti, i cili u vlerësua sa qe gjallë, por edhe më pas.
Relike të atij 25 nëntori 1912
Është karakteristikë e qytetarëve elbasanas ruajtja e shumë objekteve, sendeve e orendive të vjetra, relikeve historike, këngëve të vjetra patriotike, si dhe kostumeve popullore shqiptarçe, armëve prej sermi etj.
Një prej gjurmuesve dhe mbledhësve të këtyre relikeve është edhe eruditi Vangjel Kapedani. Në shtëpinë e tij, por veçanërisht në dyqanin e tij, gjen relike me vlerë historike. Ai është gjurmuesi dhe zbuluesi i flamurit kuq e zi, me fije ari, i qëndisur nga gruaja e lagjes “Kala”, nga fisi Buda, Marije Buda. Ky flamur, që ruhet në zyrën e kryetarit të Bashkisë, është ngritur më 25 nëntor 1912 nga Aqif Pashë Elbasani në sheshin midis Bashkisë dhe Prefekturës së Elbasanit. Gjithashtu Vangjel Kapedani ruan borinë që ka shoqëruar ngritjen e flamurit në Elbasan, tingujt e së cilës kanë thirrur në shesh qindra e mijëra qytetarë elbasanas. Boria është e vitit 1884 dhe është prodhuar në Mantova të Italisë. Këtyre relikeve u shtohet edhe një pentagram muzikor i vitit 1916, titulluar “Marsh muzikor për Aqif Pashën” i shkruar nga dirigjenti i Bandës Muzikore Perandorake të Austrisë, Anton Cimfl. Këtë marsh, dirigjenti austriak e ka luajtur edhe në shtëpinë e Aqif Pashës, duke treguar, veç vlerave muzikore, edhe respektin për këtë njeri të shquar të kombit shqiptar.
Me këtë marsh muzikor, banda muzikore e Elbasanit “Afërdita”, do të hapë festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, drejtuar nga dirigjenti pasionant Emin Palluqi.
Me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, familja Mazreku propozon një dhomë muzeale për Aqif Pashën, në shtëpinë e tij të lindjes, një dokumentar artistik me metrazh të shkurtër, një ekspozitë fotografike, biseda dhe një sesion shkencor në Universitetin e Elbasanit etj. Një vend të veçantë do të zërë edhe konkursi letrar i shoqatës “K. Kristoforidhi”. Mjafton vetëm pak vullnet i mirë për t’i realizuar të gjitha. Elbasani e ndien si obligim të nderojë një nga njerëzit e tij më të çmuar, atdhetarin Aqif Pashë Elbasani.
Thanas Meksi - Panorama

Shqipëria në Integrimin Europian

Eshtë kaq tragji-komike të dëgjojmë e lexojmë çdo ditë sesi politikanët shqiptarë zotohen e akuzojnë, denoncojnë e premtojnë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, se duhet ndaluar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar si dhe duhen forcuar Institucionet e Pavarura, pasi pikërisht këto, janë 3 kërkesat bazë të Bashkimit Europian për Integrimin e Shqipërisë
.

Vras mendjen, vallë çdo ndryshonte nga gjendja e sotme nëse BE-ja nuk do të na i kërkonte këto kushte?

Kaq shumë po na e shesin këtë Integrimin Europian si një arritje, si fundin e kalvarit të padrejtësive, si fundin e mjerimit ekonomik, duke harruar se në parim Shqipëria fillimisht duhet të bëhet një shtet i zot, për veten e saj.

Kush tjetër veç politikanëve shqiptarë e mbjell më së shumti korrupsionin?
Kush tjetër veç politikanëve shqiptarë e ushqen dhe përkrah krimin e organizuar?
Kush tjetër veç politikanëve shqiptarë sulmon
(madje edhe publikisht) Institucionet e Pavarura ?

Të dashur bashkëqytetarë shqiptarë; politikanët shqiptarë nuk kanë patur ndonjëherë viza për të lëvizur jashtë shtetit. Madje aq para sa harxhohen për udhëtimet e dietat e tyre jashtë Shqipërie do të mjaftonin që të gjithë qytetarëve shqiptarë pasaportat e reja biometrike t'iu jepeshin falas. Në fakt pasaportat tona biometrike jo vetëm që u shitën më shtrenjtë se kudo, por madje shteti shqiptar nuk rimbursoi asnjë qytetar që pasaportën e vjetër e kishte brenda afatit të saj 10-vjeçar.
E megjithatë, ti rikthehemi edhe njëherë temës, politikanëve tanë. Politikanët tanë kanë hyrë prej dekadash në Europë, ndryshe nga ne qytetarët shqiptarë. Ata fëmijët e tyre i dërgojnë për studime jashtë shtetit, të njohurit e tyre i kurojnë jashtë shtetit. Ajo që i lidh me Shqipërinë është vetëm mundësia për ta rrjepur sa më shumë atë.
Nëse politikanët shqiptarë do ta donin realisht integrimin e Shqipërisë dhe fundin e diskriminimit të qytetarëve shqiptarë, nuk do të zhvillonin vetëm zgjedhje të kontestueshme.
Dhe mqs jemi këtu tek zgjedhjet, a e dini që ka mbi 2 dekada që në Shqipëri pakica, pra më pak se 50% e qytetarëve shqiptarë të cilët marrin pjesë në votime, zgjedhin Qeverinë e 3 milion shqiptarëve në Shqipëri dhe politikat e afro 5 milion shqiptarëve të tjerë mbetur jashtë kufinjve të cunguar shqiptarë.

Ka ardhur koha për ndëshkim qytetar. Indiferenca ndaj kësaj klase politike është pikërisht oksigjeni i saj.
Qytetarët shqiptarë e meritojnë të jenë pjesë e Europës, pasi qytetarë të saj kanë qenë gjithmonë, njëkohësisht duke shërbyer me nder në rangjet më të larta të qytetërimeve të njëpasnjëshme.

Veçse sot ia kemi lënë në dorë fshesën, llumit, armikut të saj.

Shkroi: Stop Injorancës !

Mos kini frikë, zotëri…


Pas shpalljes së Pavarsisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali:

- Si do t'i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut?


Dhe Ismail Qemali ia priti:

- Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t'i sillnin të huajt këto besime!


Materiale nga arkiva në prag të 100 vjetorit të pavarësisë
Burimi i informacionit

Gjeni nuse shqiptare, dasmën e keni të paguar


Kryetari i Komunës së Novacit të Manastirit, Lazar Kotevski është i vetmi që po zbaton apelin e kryeministrit Nikolla Gruveski që gratë maqedonase të lindin më shumë fëmijë me qëllim të rritjes së natalitetit. Me para nga buxheti i Komunës, kryetari Kotevski inkurajon beqarët e kësaj komune të martohet sa ma shpejtë.

Megjithatë, apeli i tij siç kanë raportuar mediat lokale në Manastir, ka një porosi më të thellë: vajzat të jenë nga Shqipëria dhe jo nga Maqedonia! Me qëllim që ta rrisë numrin e fëmijëve, Kotevski madje me financa të komunës i dërgon beqarët drejt Shqipërisë që të gjejnë nuse.

Përveç që komuna u mbulon të gjitha shpenzimet e martesës, gjithashtu në grupe organizon takimin e nuseve të reja të sapo martuara nga Shqipëria në Maqedoni, duke u shtruar drekë solemne dhe vizita falas të muzeve dhe lokacionin arkeologjik Heraklea në afërsi të Manastirit, njofton Koha.

"Nëse arrijnë të gjejnë nuse në Shqipëri, atëherë komuna jo vetëm që harxhimet e rrugës, por do t’i mbulojë edhe harxhimet e kurorëzimit, harxhimet e priftit për ceremoninë kishtare dhe në fund - harxhimet e dasmës", thotë kreu i Komunës së Novacit, Lazar Kotevski.

Ai ka treguar se martesa e beqarëve maqedonase me vajza nga Shqipëria është edhe Strategjia e Komunës së Novacit, e cila siç ka thënë Kotevski, dukshëm do të ndikojë në rritjen e natalitetit në këtë komunë, e cila ka 44 vendbanime me 3500 banore, ndërsa brenda një viti lindin jo më shumë se 30 fëmijë.

"Kemi të përgatitur një listë me 100 beqarë. Vajza kemi shumë pak për shkak se një numër i madh familjeve, në mënyrë masovike po shpërngulen dhe vendosen nëpër qytete. Numri i beqarëve do të ishte shumë më i madh, por falë Shqipërisë, vetëm këtë vit kemi 30 martesa të beqarëve tanë me nuse shqiptare", thotë krenar Kotevski.

"Ashtu siç këtu ka beqarë, tek ne ka shumë vajza të pamartuara, sepse meshkujt tanë nga fshatrat ikin për punë në Itali. Në vendbanimet e varfra rurale nuk është i vogël numri i femrave të pamartuara që kanë kaluar moshën 35-vjeç. Me të vërtetë jemi larg nga vendlindja, megjithatë kemi familje dhe fëmijë tanë", thotë Shpresa Mitrevska nga fshati Aglarcë, e cila vendlindje ka një fshat malor të Shkodrës.

Nga këto martesa të përziera, në Komunën e Novacit është rritur edhe numri i fëmijëve të lindur, prandaj siç ka informuar Kotevski, Novaci me ndihmën e Ministrisë së Arsimit ka filluar me vendosjen e shkollave montazh nëpër shumë fshatra të kësaj komune.

Adelina Ismaili këndon për LSI-në

Zbulohet kënga E Adelina Ismailit që do të përfaqësojë LSI-në gjatë fushatës për Zgjedhjet Parlamentare të 2013-ës

Duke u nisur prej incidentit të paprecedent të Zgjedhjeve të shkuara, kur LSI-ja bëri gjithë fushatën e saj duke kritikuar e hedhur vrer ndaj Kryeministrit e Qeverisë Berisha dhe në fund u kthye vetë në Patericën e saj, kësaj here për të shmangur keqkuptimet dhe për të zgjedhur në çastin e fundit kualicionin fitues, do të përfaqësohen me këngën e Adelina Ismailit.

http://www.lsi.al/index.php?lang=AL
Bashkohuni me ne: "Kemi mbrojtur qindra mijëra vende pune," (Për militantët tanë)

 Dëgjoni këtu këngën e fushatës së LSI-së