Në vitin jubile kujtohet patrioti i shquar shqiptar.
Ishte një nga patriotët më të njohur elbasanas, njeri i besuar i Ismail Qemalit.
“Emëri juaj i shkëlqyer si patriot…”
Me këto fjalë Ismail Qemali, në vitin 1912, i drejtohej Aqif Pashë
Elbasanit, pasi mësoi se ai bashkë me patriotë të tjerë elbasanas ngriti
flamurin e Shpalljes së Pavarësisë në Elbasan. Flamuri u ngrit në
Elbasan më 25 nëntor 1912. Ai u pasua me ngritjen e flamujve të tjerë në
Korçë, Durrës, Tiranë… dhe 28 më Nëntor në Vlorë.
Ismail Qemali vazhdon:
“Në këtë kohë transformimi, historia
do të dijë të dallojë patriotin nga tradhtari dhe do t’i caktojë
secilit vendin e tij… Se ç’vend do të kem unë në histori, këtë nuk e
di… sa për ju, emri juaj i shkëlqyer si patriot do të mbetet i shkruar
në faqet e ndritura të historisë sonë…”
A thua këto fjalë të Ismail Qemalit nxitën vetëdijen patriotike të
familjeve elbasanase të përjetësojnë figurën e Aqif Pashë Elbasanit, në
një shtatore në qendër të Elbasanit, në vitet e demokracisë dhe nipin e
Pashës, Serxhio Vili Mazreku, avokat, të shkojë më tej. I preokupuar,
bashkë me shkrimtarin Bahri Myftari, duke vlerësuar kontributin e Aqif
Pashë Elbasanit në shpalljen e pavarësisë kombëtare, hartuan një plan
konkret veprimtarie, të cilin ia paraqitën kryetarit të Bashkisë së
Elbasanit, z. Qazim Sejdini. Reagimi i tij ishte pozitiv… Sejdini në
zyrën e tij mban dhe ruan flamurin e ngritur në Elbasan më 25 nëntor
1912, e qëndisur nga gruaja e lagjes Kala, Marije Buda. Avokati Serxhio
Mazreku, në emër të familjes së tij premtoi dhe për një sponsorizim
financiar të konsiderueshëm.
Një iniciativë e shkëlqyer që duhet ndjekur edhe nga familje të tjera të mëdha shqiptare.
Kush ishte Aqif Pashë Elbasani
Aqif Pashë Elbasani lindi në Elbasan më 20 mars të vitit 1860 në
familjen e Biçakçinjve. Biçakçinjtë takohen për herë të parë në
dokumentet arkivore në fillimet e shek XV. Ishte një nga familjet më të
mëdha çifligare në trevën e Elbasanit dhe të tërë Shqipërisë. Shumë
pinjollë të derës së Biçakçinjve gjatë zotërimit të Perandorisë Osmane
kanë mbajtur tituj dhe ofiqe të larta si: Sinan Pashë Biçaku, gjeneral i
perandorisë, Sinan bej Biçaku, kryekomandant, Seit Pasha, mësues i
oborrit, Selim Beu, guvernator në Egjipt, Ibrahim Biçaku, vezir, Dervish
bej Biçaku, sundimtar i Elbasanit, Mahmut Pasha, prefekt i Elbasanit,
babai i Aqif Pashës, e shumë të tjerë…
Dera e Biçakçinjve mbahej për fëmijë të ditur dhe të shkolluar. Aqif
Pasha, pasi mbaroi arsimin fillor dhe të mesëm në vendlindje, studimet e
larta i kreu në Stamboll. Atje ai u lidh që në fillim me qarqet
patriotike shqiptare.
Pas fitores së Revolucionit Xhonturk u bë kryetar i klubit atdhetar
të shqiptarëve “Bashkimi”. Merr pjesë në Kongresin e Dibrës, në korrik
1909 dhe më vonë në Kongresin Arsimor të Elbasanit, shtator 1909. Së
bashku me bashkëpatriotë të tjerë elbasanas kontribuuan në hapjen e
Shkollës Normale, në dhjetor të vitit 1909. Aqif Pashë Elbasani u bë
kontribuuesi kryesor në organizimin e kryengritjes së përgjithshme për
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke u vënë pa asnjë hezitim në
krah të Ismail Qemalit. Ai miratoi që në fillim, pa asnjë mëdyshje, në
unitet të plotë, planin për organizmin e Shpalljes së Pavarësisë dhe
atë të organizimit të shtetit të ri shqiptar.
Më 25 nëntor, Aqif Pashë Elbasani, bashkë me patriotët Lef
Nosi, Qemal Karaosmani, E. Jorgaqi, F. Papajani e të tjerë, ngriti
flamurin në qytetin e Elbasanit, duke shpallur pavarësinë dhe duke i
treguar pushtuesve serbë “se kishin shkelur në viset e Shqipërisë së
pavarur”.
Aqif Pashë Elbasani është bërë i njohur si besnik i qeverisë së
Vlorës dhe i Ismail Qemalit veçanërisht. Ai kreu shumë detyra në këtë
qeveri, duke dëshmuar përkushtim atdhetar, por më së shumti kontribuoi
në ngritjen e institucioneve të Drejtësisë në Shqipëri, të cilat nuk
mbështeteshin në kurrfarë baze shkencore. Ai e përjetoi me dhimbje
ndarjen e trojeve shqiptare dhe nuk u kursye për t’iu kundërvënë armiqve
të kohës.
Veçanërisht në Elbasan, në vitin 1913, udhëhoqi protestat kundër copëtimit të trojeve etnike.
Mbështeti Princ Vidin dhe së bashku me Luigj Gurakuqin, Pecin, Hil
Mosin… krijuan Komitetin Kombëtar për t’i shërbyer çështjes kombëtare,
me platformë të qartë dhe të mirorganizuar.
Nuk pranoi të merrte pjesë në Kongresin e Durrësit.
Aqif Pashë Elbasani mori pjesë dhe ishte organizator i Kongresit të
Lushnjës më 1920 dhe për merita të padiskutueshme, u zgjodh njëzëri
kryetar i tij.
Është autor i telegramit të famshëm dërguar Fan Nolit, në 1920, ku e
ftonte atë dhe të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë në Amerikë, të
mendonin, bashkëpunonin dhe të vepronin për një Shqipëri të bashkuar.
Në vitin 1922, Aqif Pasha largohet nga Shqipëria për në Austri për
shkaqe aspak personale, por si emigrant politik, duke krijuar partinë
kombëtare me program kryekëput liberalo-demokrat. Në vitin 1923, grupi i
Fan Nolit e propozoi deputet në Asamblenë Kombëtare për Korçën, ku
edhe fitoi. Ai kthehet në atdhe në vitin 1924, merr pjesë në disa
mbledhje të Asamblesë Kombëtare, punon për bashkimin e elementëve
liberalë-demokratë dhe më vonë, për arsye shëndetësore, tërhiqet nga
jeta politike.
Aqif Pashë Elbasani vdes në Elbasanin e tij që e deshi aq shumë, më
20 shkurt të vitit 1926 dhe përcillet në banesën e fundit me shumë
nderime. Ai kujtohet si një atdhetar i madh, politikan i ndershëm dhe
me vizion krejtësisht evropian. Burrë shteti, i cili u vlerësua sa qe
gjallë, por edhe më pas.
Relike të atij 25 nëntori 1912
Është karakteristikë e qytetarëve elbasanas ruajtja e shumë
objekteve, sendeve e orendive të vjetra, relikeve historike, këngëve të
vjetra patriotike, si dhe kostumeve popullore shqiptarçe, armëve prej
sermi etj.
Një prej gjurmuesve dhe mbledhësve të këtyre relikeve është edhe
eruditi Vangjel Kapedani. Në shtëpinë e tij, por veçanërisht në dyqanin
e tij, gjen relike me vlerë historike. Ai është gjurmuesi dhe zbuluesi
i flamurit kuq e zi, me fije ari, i qëndisur nga gruaja e lagjes
“Kala”, nga fisi Buda, Marije Buda. Ky flamur, që ruhet në zyrën e
kryetarit të Bashkisë, është ngritur më 25 nëntor 1912 nga Aqif Pashë
Elbasani në sheshin midis Bashkisë dhe Prefekturës së Elbasanit.
Gjithashtu Vangjel Kapedani ruan borinë që ka shoqëruar ngritjen e
flamurit në Elbasan, tingujt e së cilës kanë thirrur në shesh qindra e
mijëra qytetarë elbasanas. Boria është e vitit 1884 dhe është prodhuar
në Mantova të Italisë. Këtyre relikeve u shtohet edhe një pentagram
muzikor i vitit 1916, titulluar “Marsh muzikor për Aqif Pashën” i
shkruar nga dirigjenti i Bandës Muzikore Perandorake të Austrisë, Anton
Cimfl. Këtë marsh, dirigjenti austriak e ka luajtur edhe në shtëpinë e
Aqif Pashës, duke treguar, veç vlerave muzikore, edhe respektin për
këtë njeri të shquar të kombit shqiptar.
Me këtë marsh muzikor, banda muzikore e Elbasanit “Afërdita”, do të
hapë festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, drejtuar nga dirigjenti
pasionant Emin Palluqi.
Me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, familja Mazreku
propozon një dhomë muzeale për Aqif Pashën, në shtëpinë e tij të
lindjes, një dokumentar artistik me metrazh të shkurtër, një ekspozitë
fotografike, biseda dhe një sesion shkencor në Universitetin e Elbasanit
etj. Një vend të veçantë do të zërë edhe konkursi letrar i shoqatës
“K. Kristoforidhi”.
Mjafton vetëm pak vullnet i mirë për t’i realizuar të gjitha. Elbasani e ndien si obligim të nderojë një nga njerëzit e tij më të çmuar, atdhetarin Aqif Pashë Elbasani.
Thanas Meksi - Panorama