Wednesday, March 13, 2013

Pakti i fshehtë PS-PD për kthimin emrave sllavë

Sllavizohet emri i komunës Liqenas në Pustec

Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Edmond Spaho ka paraqitur në komision e ligjeve në Kuvendin Shqiptar kërkesën e banorëve të komunës Liqenas, me komunitet maqedonas për t`i rikthyer emrin komunës nga Liqenas në Pustec.

Emri Pustec i takon terminologjisë sllave, që në shqip do të ‘shkretë/ tirë”.

Deputetët e Partisë Socialiste e kundërshtuan propozimin me arsyetimin se ndryshimi i emrit të komunës vetëm pak kohë para zgjedhjeve do të krijonte precedent.

Ndërkohë edhe pas kundërshtimeve të opozitës, komisioni i ligjeve kaloi vetëm me votat e mazhorancës propozimin e komunës Liqenas në Korçë për ti ndryshuar emrin në komuna Pustec. Ky vendim në opinionin publik shqiptar në Maqedoni është vlerësuar skandaloz nga partia shqiptare në qeverinë e Tiranës.

-Ndonëse deputetët socialistë votuan kundër sllavizimit të emërtimeve të komunave në juglindje, burime nga selia rozë bëjnë të ditur se grupi i PS-së do të votojnë PRO në seancë plenare.
Ndryshimi i qëndrimit ka gjetur të papërgatitur anëtarët e Komisionit të Ligjeve në mbledhje e grupit parlamentar socialist, të cilët ishin të përgatitur që në seancë e së hënës të votonin kundër. Të mbledhur për të diskutuar rreth qëndrimit që do të mbajnë ndaj ligjeve në seancën plenare të së hënës, pas diskutimeve me kryetarin Rama, u vendos që të pranohet ndryshimi nga Komuna Liqenas në emrin sllav Pustec.

Nëse ju kujtohet, pothuajse para 1 viti, Aleanca Kuq e Zi shpalli aksionin e saj për shqiptarizimin e emrave të qyteteve shqiptare.
http://www.dailymotion.com/video/xom3ke_aleanca-kuq-e-zi-shqiptarizim-emrave-te-qyteteve-top-channel-albania-news-lajme_news#.UUBOzzcZSMY

Një nisëm kjo që prej shoqërisë civile dhe intelektualëve u quajt një kakofoni lehjesh populiste, nacionaliste dhe e panevojshme.

Ja pra që ndërrimi i emrave qenka i mundur dhe po ndodh, veçse nga shqiptarë po kthehen në emra sllavë.
Mos t'iu bëjë përshtypje që po e njëjta pjesë e popullsisë shqiptare e cila u hodh kundra këtij aksioni të Alencës Kuq e Zi, tani që Liqenas do të kthehet në Pustec, do të heshtin ose do të shprehen se kjo është e drejta e tyre.


Nuk ka më lapangjozë se ata shqiptarë që e kanë gojën vetëm për të përbaltur nismat me frymë pastërtisht atdhetare, pavarësisht se si shiten e kollarisen në opinion publik.

Shkroi: Stop Injorancës !

Roland Trebicka


“Mbase do të kthehem në teatër, në oborr a në holl, por e di se në skenë nuk do ngjitem më kurrë. Më ndero".

Këto ishin fjalët e fundit që i ka thënë bashkëshortes, ditët e fundit ashtu si nën zë Roland Trebicka. Ai është kthyer sot edhe një herë në Teatër, në holl e në oborr, por nuk do të ngjitet më në skenën e tij.

Kolegë, miq, artdashës e qytetarë të shumtë janë mbledhur në hollin e Teatrit Kombëtar, për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit unik, Roland Trebicka. Homazhet do të vijojnë deri në orën 13:00.

Gonxhet e ftohta të marsit


Më shumë se vdekja e artistit simpatik dhe të paharrueshëm Roland Trebicka, mua më tronditi vdekja e 11 vjeçarit Anxhelo Halili në fshatin Zenelaj të Tiranës. Ashtu i brishtë, emotiv dhe delikat vendosi plot vullnet të varë veten bashkë me jetën e tij të shkurtër në litarin e lidhur në degën e një kumbulle ende të sapopaçelur marsi. Sherret mes prindërve dhe divorci i tyre ia gjymtuan jetën.
Ndryshe nga artisti i famshëm Trebicka, Anxhelo ishte një vocërrak anonim dhe i varfër, lindur e rritur dekadën e fundit në një vend ku përditë luhen tragjedi, komedi dhe tragjedi sërish.
Rolandi ishte dhe mbeti aktor, artistikisht aktor, pra imitues rolesh, ndërsa Anxhelo ishte vetë roli, jo aktori.
Sa herë kthehej nga shkolla në shtëpi e mundohej të shihte televizor, Anxhelo lebetitej nga teta Jozefina dhe dialektologjia e saj patetike e oratorisë. Sa herë kthente kanal i shfaqej xhaxhi Sala duke mallkuar e kërcënuar si gore e keqe. Ndërkohë që mundohej të gjente kanalin e filmave vizatimorë pa dashje shihte xhaxhi policat që vriteshin në mes të rrugës nga kriminelët. Pastaj në një tjetër kanal shihte xhaxha të tjerë polica me kokë e me bark të deformuar me turshi, me raki, me çifteli. I lebetitur shkonte të shtrihej në krevatin e tij të vogël dhe mbulonte kokën me kuvertë për të harruar imazhin e pamjeve tragjike por…
Sherret mes mamit dhe babit të tij, sharjet, dhuna e pastaj divorci i tyre e lebetisnin më keq e mundohej të qante nën zë i tmerruar. Nuk flinte dot as gjatë natës e teksa i gëzohej vajtjes në shkollë mëngjesin tjetër, shqetësohej përsëri kur si turmë bagëtie i merrnin edhe atë edhe gjithë fëmijët e tjerë të shkollës e forcërisht i nxirrnin te rruga e fshatit ku bëhej mitingu i partisë.
Anxhelo Halilit po i pështirosej koncepti prej fëmije i bashkëjetesës. Në shtëpi mami dhe babi që thereshin e vriteshin, në televizor qeveria dhe opozita që thereshin e vriteshin. Nuk e imagjinonte dot më gjatë se dy të kundërta mund të bashkëjetojnë në paqe dhe në harmoni. Dy të kundërta ndryshe nga ligjet e natyrës e shkencës, në këtë vend nuk aplikohen dot.
-Do të të vras! i thoshte babi, mamit.
-Do t’ua bëj sërish si më 21 janar! i thoshte xhaxhi Sala teta opozitës.
Anxhelo dhe të tjerë moshatarë u ritën me pezm dhe herë-herë pezmatimi i një fëmije është i keq, i keq sa edhe tragjik.
Pjesë e kësaj klime të ndotur, dikush nga ata rritet dhe nesër bëhet vrasës, dikush tjetër i brishtë por më trim mbyll hesapet me veten dhe të vetët qysh tani.
Ndaj të martën e parë të muajit të tretë të motit 2013, Anxhelo lidhi litarin te dega e kumbullës në oborrin e shtëpisë së tij. Më pas litarin e kapërdiu si shall rreth qafës së hollë, të bardhë, i shkeli syrin një gonxheje të bardhë çelur te dega dhe u lëshua i tëri. Anxhelo nuk iku i vetëm. Gonxhja e llahtarisur shqeu petalet e njoma e iu derdh mbi flokë.

*facebook.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE

Paradokse shqiptare

Rezarta Shkurtaj është e gjatë,
Elvana Gjata është e shkurtër,
Era Rusi është shqiptare,
Llazi Serbo ishte shqiptar
llaka-llakat e Agron Llakës nuk grishin më,
Arjan Çani s'ndjehet arjan por grek,
Rudina Xhunga ka një kokë shumë të rregullt,
Artan Fuga është pena e vetme që nuk arratiset prej realitetit shqiptar,
Fshati Zejmen përmbytet çdo dimër,
Aleks Buda ishte ateist,
Halit Shamata ishte Ministër i Brendshëm 96-97,
Fatos Nano humbi fatosat e tij,
Mark Marku ka humbur markën e tij,
Partia Demokratike ka afro 2 dekada me të njëjtin kryetar,
Jozefina Topalli kërcen më bukur se vajzat e reja,
Bamir Topi PD-së nuk po i bën mirë,
Bujar Nishani mund të ketë nishan, por s'mban dot më asgjë në dorë,
Fatmir Mediut i plasi Gërdeci, për fat të keq,
Lulzim Basha i ka shpallur luftë lulzimit të Bashkisë Tiranë,
Dritan Prifti u rrëfye para kameras së fshehtë
dhe Ilir Meta është akoma i lirë...

Shkroi: Stop Injorancës !

Të rinjtë djegin foton e Gruevskit në Tiranë


“I bëjmë thirrje qeverisë maqedonase të marrë masat përkatëse ligjore të atyre që shprehin dhunë ndaj shqiptarëve të pafajshëm, i bëjmë thirrje partisë shqiptare, që është pjesë e pushtetit të bëjë detyrat e saj si përfaqësuese e politikës zyrtare për shqiptarët, si dhe i bëjmë thirrjë opozitës shqiptare që të mos qëndrojë e të bëjë sehir për ngjarjet, por t’i paraprijë ato dhe të reagojë me protesta të mëdha qytetare. I bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të ndërhyjë urgjentisht dhe energjikisht në Maqedoni se të nesërmen do të jetë shumë vonë…”

Nën këto thirrje aktivistët e Partisë Civile, një organizatë rinore, demonstruan duke djegur fotot e kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski në Tiranë. Drejtuesi i tyre, Taulant Capa, është personi që qëlloi me vezë makinën e kryeministrit Gruevski gjatë vizitës në Tiranë muaj më parë.

Fitorja e parë e Shoqërisë Civile në Shqipëri


Gjykata Kushtetuese me 7 vota PRO dhe 1 Kundër ka vendosur pro mbajtjes së referendumit për importin e plehrave.

Ajo që prej kryeministrit shqiptar quhej si ALEANCA E PLEHUT, sapo fitoi të drejtën e referendumit.

Tani topi mbetet në fushën e qytetarëve, të vendosinnë duan apo jo ta shndërrojnë Shqipërinë në kosh riciklimi plehrash të Europës!

Shkroi: Stop Injorancës !

E pazakontë, jeton në të njëjtën shtëpi me burrin e të dashurin


Njerëzit mendojnë se është diçka e pazakontë, por unë i dua të dy meshkujt dhe nuk mund të zgjedh dot mes tyre”. Kështu shprehet 33-vjeçarja Maria Butzki, nëna e dy fëmijëve, e cila bashkëjeton në të njëjtën shtëpi me burrin dhe të dashurin e saj.

Kur Maria braktisi bashkëshortin e saj, Paul, për një tjetër mashkull, ajo ndjeu shumë mungesën e tij dhe në të njëjtën kohë nuk mund të jetonte dot pa të dashurin e ri, Peter Gruman.

Kështu, mendoi një zgjidhje dhe Peter u transferua për të jetuar në shtëpinë e saj në Barking, Londër.

Tani 33-vjeçarja jeton me bashkëshortin, dy fëmijët si dhe të dashurin e ri, Peter.

“Kur u ndava me Paul, ndjeva një boshllëk në jetën time. Por edhe ideja se nuk do të shihesha kurrë më me Peter më thyente zemrën. Kështu që jetesa me të dy meshkujt në të njëjtën shtëpi ishte e vetmja zgjidhje”, shprehet gruaja.

Ndërkohë që Paul shprehet për të dashurin e ri të gruas: “Peter është njeri i mirë. Kur Maria u takua me të për herë të parë, unë u ndjeva shumë keq. Por, pasi e njoha nga afër, kam kuptuar se kemi shumë gjjëra të përbashkëta. Të dy adhurojmë peshkimin dhe gjithashtu ai është si një baba zëvëndësues për fëmijët e mi”.

Ndërsa Peter shprehet se në këtë familje ndjehet mirë: “Shkojmë mirë. Nuk jemi xhelozë për njëri-tjetërin për Marian”.

Peter fle në divan, Paul në një dhomë tjetër, ndërsa Maria e ndan dhomën e gjumit me dy vajzat e saj.

“Asnjëherë nuk kemi fjetur të tre në të njëjtin shtrat. Nëse Paul nuk është në shtëpi, Peter dhe unë kemi kryer marrëdhënie intime dhe e kundërta,” shprehet gruaja. (Tema)

Pas Papës, dorëhiqet edhe kardinali britanik: Kam bërë gabime seksuale

Kardinali, i cili ka shërbyer deri më tani si udhëheqësi më i lartë i Kishës Katolike Romane në Britani, ka pranuar se ka bërë gabime seksuale dhe ka premtuar se nuk do të jetë më pjesë e jetës publike të kishës.

Kardinali Keith O’Brien dha dorëheqje më 25 shkurt nga pozita e kardinalit të St. Andrews dhe Edinburgh-ut, pasi që një gazetë kishte publikuar akuzat e një prifti ndaj O’Brien për sjellje të pahijshme. O’Brein fillimisht kishte kundërshtuar këto pretendime, duke thënë se ai po e bën këtë dorëheqje vetëm për disa arsye të tjera.

Por të dielën, Kisha Katolike e Skocisë, ka lëshuar një komunikatë ku citohet O’Brien të ketë thënë se ka kohë që “sjellja ime seksuale ka rënë nën standardet e pritshme për mua si prift, kryepeshkop dhe kardinal”.
(e.m/rel/BalkanWeb)

Më rrahën, sepse jam shqiptar


Në foto Ramazan Iseni, 13 vjeçar, i rrahur brutalisht prej huliganëve maqedonas pranë një stacioni autobusi në Shkup.

Në këtë incident të dhunshëm kanë pësuar dëmtime nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, të cilët janë goditur me sende të forta dhe grushta, pa kursyer as fëmijë e gra që ishin duke pritur aty autobusin. INA

50% e të rinjve shqiptarë duan të emigrojnë


Fondacioni Fridrih Ebert publikoi një studim mbi mendimet e rinisë shqiptare për të sotmen dhe të ardhmen e afërt, bazuar tek një sondazh i gjerë në të gjithë territorin e vendit. Sipas këtij studimi, të rinjtë nuk duket se kanë ndonjë ndikim në rrjedhën e ngjarjeve, derisa shprehen skeptikë për shumicën e pyetësorit.
Studimi ka nxjerrë që më shumë se 50 përqind e të rinjve janë të gatshëm të emigrojnë jashtë vendit dhe afërsisht po aq mendojnë se përmirësimi ekonomik i Shqipërisë në 10 vitet e ardhshme do të jetë modest, por gjithsesi, sipas tyre, ajo mund të jetë anëtare e BE-së brenda dekadës së ardhshme.
“Më shumë se gjysma e rinisë është gati të lërë vendin. Nuk mund të përfytyrohet. Në një vend të mbështetur tek brezat e rinj, gjysma e rinisë dëshiron të ikë nga këtu. Më mirë një kamarier në Itali se sa pastrues makinash në Shqipëri, mendojnë ata,” thotë Frank Hantke, drejtues i fondacionit Fridrih Ebert.
“Kjo është e jashtëzakonshme. Ata mendojnë se vendi i tyre nuk i ofron shanse brezit të ri, edhe pse ata janë shumica në Shqipëri”.
Midis shumë pyetjeve të tjera mbi familjen, fenë, shoqërinë dhe arsimin, të rinjtë zbulojnë një mosbesim të madh ndaj politikës. Vetëm 10 për qind e tyre janë të interesuar për politikën, dhe po aq besojnë se vota e tyre ka rëndësi për mënyrën se si drejtohet qeverisja qendrore. Të rinjtë shqiptarë janë mjaft aktivë në procese zgjedhore; ata marrin pjesë nëpër fushata dhe 93 për qind e tyre votojnë rregullisht, por vetëm 3 për qind e tyre ndjehen të përfaqësuar në politikë prej të rinjve.
“Të rinjtë nuk i besojnë politikanët, të rinjtë nuk besojnë në asnjë organizatë politike, ata nuk besojnë askënd,” thotë Frank Hantke, përfaqësues i fondacionit.
“Rinia nuk beson partitë politike, por ata anëtarësohen në to vetëm për të gjetur një punë, dhe ky është pragmatizëm i pastër. Ky është problemi kryesor që shihet në Shqipëri. Ata nuk kanë besim tek aftësitë e veta, por ata kanë nevojë që të kapin një punë që të kenë një të ardhme. Të rinjtë e dinë se gjërat nuk janë në rregull, megjithatë e vetmja mënyrë që të kenë një punë është që të përzihen në këtë realitet, sepse përndryshe ngelin të përjashtuar. Në vendet perëndimore është krejt e kundërta. Të rinjtë e kanë vetë në dorë të shtojnë shanset e veta”, thotë ai.
Dëshira për pjesëmarrje vullnetare në komunitet është vetëm 16 përqind, dhe shumica e të rinjve e mendojnë përfshirjen në organizata joqeveritare thjesht si një burim të ardhurash dhe si mënyrë punësimi.
Për sociologët në takim është paradoksal fakti që ndërsa rinia shqiptare shprehet pro një emigrimi masiv jashtë vendit, dhe se nuk kanë besim tek politika dhe administrata, nga ana tjetër, rreth 50 për qind e tyre pohojnë se do ta pëlqenin një vend pune në administratën publike, madje kjo ka tendencë rritje sa më shumë rritet mosha dhe niveli i studimeve të larta.
Të rinjtë shqiptarë nga ana tjetër dalin nga ky studim se janë shumë të lidhur me familjen. Rreth 80 për qind e tyre, të varfër apo të pasur, jetojnë pranë prindërve dhe po aq e mendojnë veten pas disa vitesh të lidhur në martesë me moshatarë të tyre. Një tjetër zbulim tregon se mbi 60 për qind e të rinjve shqiptarë kanë të njëjtat bindje politike me ato të prindërve.
Burimi kryesor i informacionit për rininë është televizioni, ndërsa interneti përdoret thjesht për argëtim nga 80 për qind e tyre, ndërsa vetëm 20 për qind e tyre e përdorin atë për punë. Ky studim i Fondacionit Fridrih Ebert është i pari që shqyrton në detaje aq të hollësishme psikologjinë dhe mendimet e të rinjve shqiptare, duke i intervistuar për pothuaj çdo dilemë të tyre./VOAAdresa e fondacionit: http://www.fes.org.al/