Azem Hajdari nderohet në 50-vjetorin e lindjes së tij me titullin më të lartë, 'Urdhrin e Flamurit Kombëtar'.
Në 2002 i është dhënë titulli Urdhri "Nderi i Kombit"
Në 2008 i është dhënë titulli Urdhri "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"
Ndërkohë
që sot nderohet e i thuren lavde, le të rikthehemi pas në kohë për të
kuptuar se si trajtohet ky njeri me kaq tituj të lartë dhënë pas
vdekjes, ndërsa ishte gjallë.
Materiali i mëposhtëm është marrë me shkurtime prej emisionit investigativ Fiks Fare.
Shkroi: Stop Injorancës !
Që
në fillim të vitit 1993, PD filloi sulmin ndaj Azem Hajdarit. Kjo
situatë vazhdoi deri në vitin 1997, kur u përjashtua edhe nga Këshilli
Kombëtar i kësaj partie. Për katër vjet, PD ka sulmuar Azem Hajdarin dhe
kjo vërtetohet nga gazetat RD të asaj kohe. Është e shkruar e zeza mbi
të bardhë. Nuk është sulm brenda një dite apo një nate, por sulm që ka
zgjatur vite të tëra, që nga viti 1993 e deri pak muaj para se të
vritej.
Për periudhën që ishte gjallë, PD e vrau moralisht dhe politikisht
Azem Hajdarin me shpifje. Në atë periudhë, Hajdari ishte anëtar i
Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Nëse shfleton gazetën
“Rilindja Demokratike”, organ i PD-së, gjen fakte nga lufta që i është
bërë nga PD liderit të saj. Kreu i PD-së, zoti Sali Berisha, përmes
gazetës së tij, Azem Hajdarin, e quante ushtar të turpit, njeri të
keqpërdorur politikisht. Në faqet e gazetës RD, organ i PD-së, të
ndjerit Azem Hajdari i bëheshin një sërë pyetjesh publike. PD, përmes
RD-së e ka pyetur Azem Hajdarin se kush e kishte rekrutuar nga Sigurimi i
Shtetit dhe sa padronë kishte ndërruar deri në momentin që PD i
drejtonte këto pyetje.
Në numrin 728 të gazetës RD, datë 13 gusht
1994, Azem Hajdari, i cili ishte në grevë urie, cilësohet si ushtar i
Kurt Kolës dhe ushtar i turpit.
“Në procesin e depersonalizimit
progresiv, të ndërrimit të ustallarëve, i gjori deputet Hajdari
përfundoi në shegert të Kurt Kolës apo në ushtar të fundit të tij. Zoti
Hajdari, thonë zërat e këqij, po vazhdon grevën e urisë me raki e meze
në shtëpi. Studentët e ‘90-ës nuk po i përgjigjen, ata që e shtrydhën e
flakën tej”, shkruante atëkohë gazeta e PD-së.
“Hajdari dështon. Vetëm 20 vetë në mitingun e organizuar prej tij në Tiranë”, është një tjetër titull i gazetës RD të asaj periudhe.
Disa
vite më pas, kur Azem Hajdari iu bashkua BSPSH-së (Bashkimi i
Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë), gazeta RD i komenton kështu
veprimet e tij: “Hajdari duket se ka vendosur të sakrifikojë shumë. Deri
tani është larguar nga posti i kryetarit të komisionit parlamentar për
rendin dhe SHIK-un e, më pas është dëbuar dhe nga Këshilli Kombëtar i
PD-së”. Lufta kundër tij ndihet qartë që te termat e përdorur në faqen e
RD-së. Nuk thonë se është përjashtuar nga Këshilli Kombëtar i PD-së,
por është dëbuar.
Sulmi ndaj Hajdarit nuk mbetet vetëm në nivelin e komenteve të veprimeve të tij, por shkohet më tej, deri në akuza për vrasje. Në një rubrikë “Thuhet kafeneve”, të organit të PD-së, në mes të rreshtave lexon:
“Në
kafenenë e Xhelës thuhet se deputeti Hajdari, i përfolur nga shtypi
dhe nga zëra të tjerë për problemin e vrasjeve, para dhe në prag të
zgjedhjeve të 22 marsit, i futur në grevën e urisë i armatosur, i
braktisur nga të gjithë, i rrethuar nga 80-lekëshat”.
Sipas
PD-së, në kohën kur ishte gjallë Azem Hajdari, askush në vitin 1990
nuk ka shkuar pas tij. Ky koment bëhet në periudhën kur Hajdari
organizonte protesta kundër qeverisë dhe RTVSH-së.
“Kanë
dështuar bashkë me Azem Hajdarin dhe ëndrrat e përkrahësve të tij, që
vendosin një paralelizëm mes dhjetorit të viteve ‘90 dhe këtyre ditëve.
Askush në dhjetorin e ‘90-ës nuk ka shkuar pas Azem Hajdarit,
studentët dhe gjithë rinia iu bashkuan PD-së me të vetmin qëllim
madhor, shkatërrimin e totalitarizmit”. Duke e cilësuar si
“një kloun mjeran të politikës shqiptare, njëkohësisht PD deklaroi, në
periudhën kur filloi sulmin ndaj tij, se ai (Hajdari) kishte qenë i
dështuar që në fillim të karrierës së tij. Madje, PD e cilëson si
njeriun më shterpë të politikës shqiptare, si një njeri të verifikuar
negativisht në politikën shqiptare. Një ditë pas grevës së tij të
urisë, gazeta RD shpalli publikisht ndarjen e PD-së nga Azem Hajdari,
duke shkruar:
“Ndarja përfundimtare e Hajdarit me njerëzit
ndodhi dje. Ishte e domosdoshme një ndarje e tillë. Ishte në të mirë të
njerëzve e po ashtu, edhe të Hajdarit”. Faqet e para të
organit të PD-së në muajin janar 1997 ishin të mbushura me tituj që
shpallnin përjashtimin e Hajdarit nga grupi parlamentar i PD-së.
Vendimin e kryesisë për përjashtimin e tij RD e cilëson si divorcin
përfundimtar mes tij e PD-së.
Pas
vrasjes së Azem Hajdarit, më 12 shtator 1998, qëndrimi i PD-së dhe
kryetarit të saj, z. Sali Berisha ndaj Hajdarit, ndryshoi kryekëput.
Hipokrizia
shkoi deri atje sa nga një njeri i cilësuar prej PD-së si i dështuar,
spiun, i keqpërdorur politikisht, Azem Hajdari shndërrohet në hero të
demokracisë. Vetë Berisha nuk e pranoi asnjëherë vendimin e
gjykatës, dhënë në prill 2002, që e cilësonte vrasjen e Azem Hajdarit
për motivin e dobët të hakmarrjes. Me hipokrizi, kur Hajdari u vra, e
cilësuan krimin ndaj tij si një vrasje politike dhe e ngritën në
piedestal. Ndërkohë që për vite me radhë e kishin sulmuar, akuzuar dhe
përjashtuar nga radhët e tyre dhe ia kishin mohuar rolin në Lëvizjen
Studentore të Dhjetorit.
Të njëjtët njerëz që hodhën vrer kundër
Azem Hajdarit, dhe shpifën sa mundën, me hipokrizi, shkojnë sot e
vendosin lule në vendin ku u ekzekutua dhe ku prehet.
Burimi Marre nga “Gazeta Shqip”