Thursday, April 18, 2013

4 prilli - Dita Ndërkombëtare e Qenve të rrugës!


Të paktën deri në fund të 2011-së pjesa më e madhe e bashkive nëpër Shqipëri, ekzekutimin e qenve me çifte natën e kishte praktikë tejet normale.

Nuk dihet cilat janë arsyet pse respekti ndaj jetës dhe qenieve të gjalla këto vitet e tranzicionit shkoi përtokë, kur në kushtetutën e shqiptare të kohës së Zogut ekzistonte edhe një ligj që dënonte këdo ushtronte dhunë ndaj një qenie të gjallë me ndërgjegje të ulët.

Mjafton një udhëtim nga Tirana drejt Durrësit për të parë se si qentë rrugaçë shtypen me makina e lihen të dekompozohen në asfalt, pa i bërë askujt përshtypje.

Realisht, trajtimi i dhunshëm që i bëjmë këtyre qenve rrugaçë shpreh qartësisht botën tonë shpirtërore, respektin që kemi ndaj jetës dhe qenieve të gjalla.

Shkroi: Stop Injorancës !

Austrian Lotteries: Ne do i bëjmë shqiptarët të lumtur !


Loja më e re që do prezantojë Lotaria Austriake është e ashtëquajtura 6 nga 39. Pra, të gjejmë 6 numra nga 39 të mundshmit me një fitore të garantuar prej 10 milion lekësh.

Sa është probabiliteti matematikor që një qytetar të gjejë 6 numra nga 39 të tillë?

Kujtojmë se kjo lojë ka hyrë para 1 dekade më parë me emrin "6 nga 45" dhe më vonë shkoi në "6 nga 42".

Si thoshte një matematicient :
"Duke llogaritur propabilitetin për të fituar një lotari, mundësitë janë pothuajse të barabarta si në rastin kur luan dhe në rastin kur nuk luan..."

Shkroi: Stop Injorancës !

Thursday, April 11, 2013

Letra e Xhorxh Karlin pas vdekjes së gruas së tij

Kemi ndërtesa më të larta, por kemi durim më të shkurtër.
Kemi rrugë më të gjëra, por kemi këndvështrim më të ngushtë.
Bëjmë shpenzime më shumë, por pak gjëra na përkasin.
Blejmë më shumë por ngelim më pak të kenaqur.
Kemi shtëpia më të mëdha, por familje më të vogla.
Kemi më shumë paisje shtëpiake, por kemi më pak kohë.
Kemi më shumë arsim, por më pak arsyetim.
Kemi më shumë dije, por më pak sjellje prej të mençuri.
Kemi më shumë specialiste, por kemi gjithnjë e më shumë probleme.
Kemi shumë ilaçe, por më pak shëndet.
Konsumojmë më shumë alkool dhe cigare; shpenzojmë para pa kriter; qeshim më pak; i japim me shpejtësi makinës; zemërohemi më shpejt; qëndrojmë zgjuar deri në orë të vona, zgjohemi te lodhur; lexojmë pak, shikojme shume TV dhe falenderojmë shumë më pak.
Kemi shtuar pasuritë materiale, por kemi pakesuar vlerat morale.
Flasim shumë, dashurojmë pak; urrejmë shumë dhe shpesh.
Mësuam si të përballojmë jetesën, por nuk mësuam ta formojme atë.
I kemi shtuar vite jetës tonë, por viteve nuk u shtuam jetë.
Mësuam të shkojmë e të vijmë në Hënë, por kemi probleme për të kaluar në anën tjetër të rrugës për t'u përshëndetur me komshinjtë e rinj.
Eksploruam Universin, por nuk arritëm të hyjmë në botën tonë të brendshme.
Kemi bërë punë më të mëdha, por jo punë më të mira.
Pastruam ajrin, por ndotëm shpirtin.
Sunduam atomin, por nuk sunduam dot paragjykimet tona.
Shkruajmë më shumë, por mësojmë më pak.
Bëjmë më shumë planifikime, por arrijmë më pak në përfundime.
Mësuam të vrapojmë, por nuk mësuam të presim.
Prodhojmë gjithnjë e më shumë kompjutera për të mbledhur e shumëfishuar në kopje të pa numërta dijen, por krijojmë me pak komunikim.
Eshtë koha e ushqimeve që përgatiten me shpejt, por që treten më ngadalë.
Eshtë koha e burrave të mëdhenj e burrave të vegjël.
Eshtë koha e fitimeve të mëdha dhe mardhënieve të ngushta.
Ditët tona janë ditët ku hyjnë dy rroga në shtëpi dhe numri i divorceve është i lartë.
Ditët tona janë ditët ku kemi shtëpi shumë të zbukuruara dhe familje të shkatërruara.
Këto ditët tona janë ditë të shpejta, udhëtime të shpejta, pelena fëmijësh një përdorimshëm, vlera morale të shkatërruara, janë ditët ku dashuria ekziston vetëm për një natë, trupat janë obezitë, janë ditët ku tabletat janë magjike bëjnë gjithçka, mund të na sjellin në qejf, mund të na qetësojnë biles dhe mund të na vdesin .
Jemi në një kohë ku në vitrina ka gjithçka, por në magazina asgjë.
Jetojmë në një kohë ku këtë letër teknologjia mund ta sjelli tek ju dhe Ju brendësinë e kësaj letre mund ta shpërndani ose mund ta zhdukni me anë të butonit "Fshij".

Jeta nuk matet me numrin e frymëmarrjeve tona, por me anë të momenteve që na lënë pa frym
ë!

Migjeni - Një natë pa gjumë

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s'di ç'të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç'urren, don e s'din se ç'don.

Pak dritë! 0 burrë! 0 hero' ngado që të jesh. ....
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin... Ehu Burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.
Porpishë nuk karn e vetëmjanë burrat, shokët...
Dergjem n'errsin pa gjumë dhe pa dritë...
Askush s'më ndigjon, çirren kot më kot...
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt.
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
- Gjel, rren a s'rren? cila asht fjala ejote?
Kur ti këndon thonë se asht afer drita...
Por un s'besoj sonte në Çalët e ksaj bote.
Hiqmuni qafe, mendimet
Ojastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andm'min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin.

"Veten e vrasim përditë"


Veten e vrasim përditë.
Në tavolina
të pista kafenesh.
Në rrjeshta
të ndytë gazetash.
Në qarqe
prapësish, intrigash.
Vritemi
në një vdekje të ngadaltë.
Dhe, oh, Zot,
s'arrimë ta kuptojme vetëvrasjen tonë.
Vjen pastaj një çast.
Merr revolverin.
Këmbëza
nuk hiqet.
Ke vdekur prej kohësh.
I vdekuri nuk vetëvritet.

Bardhyl Londo

Thursday, April 4, 2013

Shqiptarët dhe gënjeshtra

Moralistët: Gënjeshtra është e keqe.
Pseudoanalistët: Fajin nuk e ka ai që gënjen, por ne që gënjehemi.
Fetarët: Të vërtetën e di vetëm Perëndia.
Humoristët: Gënjen bukur kush gënjen i fundit.
Përgjithsuesit: Të gjithë gënjejnë.
Inferiorët: Ne shqiptarët gënjejmë më shumë nga gjithë të tjerët.
Politikanët: As sot nuk mund ta bëjmë një ditë pushim.
Intelektualët: Të firmosim një peticion kundra gënjeshtrës.
Shoqëria civile: Gënjeshtra ka dalë prej xheneti.
Media: Lufta ndaj gënjeshtrave është sulm ndaj fjalës së lirë.
Edmond Tupe: Kush gënjen e ka të madh...
ABC News: Edi Rama i ka këmbët e shkurtra.
J. Topalli: Kamunistët s'mun ta rrejn ma ket popëll.
Vangjel Dule: Në Shqipëri minoritarët gënjehen sistematikisht.
Henri Çili: Kujt i plasi trapi pse gënjejmë?
Argita: Nuk është e vërtetë që hundën e bëra operacion dhe e shkurtova. Thjesht, mbylla gojën për një javë rrjesht.
Arvizu: SHBA-të i ftojnë gënjeshtrat dhe të vërtetat të ulen dhe të arrijnë një konsensus mes tyre.
BE: Themeli bazë i demokracisë është e drejta për të gënjyer dhe për t'u gënjyer.

Stop Injorancës: Ç'faj ka gënjeshtra pse e vërteta është e shëmtuar?

Si gjithnjë i juaji, Edi Rama


Të dashur miq,

I mirëkuptoj të gjithë ata që ndjejnë një shije balte në gojë teksa mesa duket, po mësoheshin me shijen e mjaltit të Rilindjes. Reagimet frenetike mbas shfaqjes së mundësisë së afrimit me LSI-në, të sharat e qesënditë e pafundme, nuk më erdhën të papritura. Mu sikur hovën të tërë në një zhgjëndërr të zhurmshme pas një ëndërrimi që për shumëkënd kishte filluar të njehsohej me realitetin. A thua se gjithë këto kohë s’ishim më në një luftë të mundimshme me të Keqen e Njohur, po në një film romantik ku papritur ikën dritat duke ngjallur revoltën e tërë spektatorëve për filmin e këputur në mes.
Kur shoh tërë ç’vlon në rrjetet sociale sikur unë, zëdhënësi i përditshëm i ëndrrës së Rilindjes, u ktheva befas në vrasësin e pamëshirshëm të saj, dy gjëra më rrotullohen nëpër mend.
E para, që ëndrra e Rilindjes funksionon. Sepse nevoja për të marrë frymë lirisht në këtë vend që po mbytet në llumokracinë e Saliut, është bërë jetike.
Dhe e dyta, që për shkak se ëndrra e Rilindjes funksionon pozitivisht në imagjinatën e shumëkujt, duket sikur plot njerëz e kanë harruar që Rilindjen reale, atë të prekshmen përmes zbatimit të programit, PS mund ta bëjë realitet vetëm përmes pushtetit jo përmes prezantimeve të fushatës.
Jam i bindur se askush, asnjë njeri normal që do ndryshimin në 23 qershor, nuk do ta ndërronte ikjen e Saliut me një ëndërr ende të parealizuar si kjo. E cila rrezikohet seriozisht të avullojë nëse zgjedhjet grabiten përsëri dhe të lerë pas, tek të gjithë pa përjashtim, një zhgënjim shumë më të hidhur sesa qershori 2009 apo 8 maji 2011 në Tiranë.
Por shumëkush duket sikur nuk do fare ta mendojë këtë. Shumëkujt i duket gabimisht se Saliu është i ikur dhe 23 qershori është vetëm një formalitet. E prandaj edhe u duket krejt gabimisht se ftesa e PS për LSI, është baltë e hedhur në panoramën e shndritshme të ëndrrës.
E përsëris që i mirëkuptoj. Por u them këtu, jo moralistëve bajatë, po të gjithë mbështetësve të sinqertë e të emocionuar negativisht nga ftesa për LSI, se unë e kam për detyrë ndaj tyre, ndaj Partisë Socialiste dhe këtij vendi. të cilit i shërbej me pasion, që ta shoh ndryshe 23 qershorin.
Dhe dua ta dini sa më qartë se si e shoh. Unë 23 qershorin e shoh si ditën kur Saliu do të tentojë në gjithë Shqipërinë 8 majin e Tiranës 2011. S’ka qenë shumicë asnjëherë qysh pas vitit 1992. Është vjedhës zgjedhjesh me damkë ndërkombëtare. Ka përgatitur planin që të vjedhë përsëri. Ka shtetin më të politizuar të kontinentit. Paranë e pistë për korrupsion masiv zgjedhor. Policinë më krahinariste që mund të imagjinohet. Shërbimin sekret të kthyer rishtas në polici politike. Ka repartet e manipulatorëve të importuar që lëvizin qendër më qendër me karta identiteti fallco. Ka të gjitha vrimat e botës së errët të krimit, prej ku dalin urithët elektoralë që trembin njerëz. Ka për më tepër edhe fukarallëkun e periferive e të fshatit në favor. Po po, fukarallëkun (!) – aty ku komisioneri dorëzohet përpara parash që s’i ka parë kurrë. Aty ku familja e varfër dorëzohet përballë shantazhit të heqjes së ndihmës ekonomike. Aty ku fukarai i pashpresë dorëzohet përpara thesit me miell a një kartëmonedhe se nuk beson më dot në asgjë.
Një plan i tërë për ta përmbysur si kala rëre me vota të vjedhura frymën, moralin, rilindjen që sot po përdoren si fjalë të tradhtuara prej meje, sepse Shqipëria reale e zgjedhjeve nuk ngjan kurrkund me atë që merret me mend edhe prej komentatorëve më të përfshirë në këtë historinë dramatike të zgjedhjeve shqiptare.
Doni më për të kuptuar se pse ky kryeministër në ikje duhet rrethuar politikisht nga një koalicion ku çdokush sot në politikë përveç atij vetë ka jo vetëm të drejtën, po edhe detyrën patriotike të jetë pjesë? Sepse vetëm duke e lënë pa krahë politikë dhe duke e zhveshur nga çdo lëkurë tjetër përveç asaj të PD, fuqia manipuluese e tij bëhet e pamjaftueshme për ta mbytur opozitën me aritmetikën brutale të votave të vjedhura. E kështu edhe ikja e tij bëhet fakt. Përndryshe në 24 qershor programi i Rilindjes kthehet nga instrument politik ndryshimi, në letër që s’ka asnjë vlerë. Ndërsa karta “morale” digjet si zakonisht nga zjarri i fitores së vjedhur të radhës, duke nxjerrë një tym të zi pakënaqësie dhe dëshpërimi me opozitën e humbur nën gërmadhat e zhgënjimit popullor.
Ja pse unë besoj me gjithë zemër se ardhja sot e LSI-së në koalicion nuk është fundi, po vazhdimi i natyrshëm i një historie të re që ka nisur me projektin e një Rilindjeje Shqiptare. I një historie që kalon nga FITORJA dhe VETEM FITORJA e 23 qershorit si parakusht për të shkuar më tutje me Rilindjen. Unë vetë besoj po ashtu që LSI nuk do ta pengojë këtë projekt, ashtu siç besoj se nga ky bashkim nuk do të lindë një pjellë e re e të shkuarës, po një qeverisje e mirë për të ardhmen. Por sidoqoftë këtë do ta tregojë koha dhe për këtë çdo dyshim i sotëm është i shëndetshëm e mbajeni në xhep.
Por ju lutem mos harroni se duhet të mundim Saliun dhe ky sot, bashkimi me LSI, është për ne vetëm fillimi i duhur jo fundi i një beteje finale që do të luhet për çdo votë, deri në dekikën e fundit të procesit elektoral. Për të tjerat lidhur me këtë do të kemi kohë të flasim, po edhe të shohim gjithë këto ditë teksa do të rreshtohen forcat.
Lejomëni ta mbyll me një pyetje që për mua është retorike, por për secilin që ende ndjen shijen e baltës në gojë mund të vlejë që të kuptojë psenë e madhe të ftesës sime për LSI-në. Është pyetja që i kam bërë vetes kohë më parë dhe që më shtyu vendosmërisht drejt këtij bashkimi:E çfarë do të thoshte pastaj cilido që sot çfarë nuk thotë për këtë “tradhti” timen, nëse në 24 qershor do të gdhihej me të Keqen e Njohur mbi kokë edhe për katër vjet të tjera? Ah, se harrova, analistët A, B, C, që nuk lanë gjë pa thënë në emër të moralit nëpër banaqe e uebfaqe më kanë thënë plot gjëra interesante që në TV nuk i thonë, por po ju them vetëm njërën:

“Po nuk u bashkove me Ilir Metën, ky vend mori fund, sepse do na lini me Saliun edhe katër vjet!”.

Kur vajza të turpëron, nuk nxirret kafe e as hapen dyert e mortit


Valbona Begu, vajza e ekzekutuar nga babai i saj, ndoshta do të ishte gjallë nëse policia nuk do e kishte kthyer në shtëpinë ku edhe gjeti vdekjen.
19-vjeçaria mëngjesin e së martës është paraqitur në komisiariatin e Policisë së Lezhës ku dhe ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj nga njerëzit e shtëpisë.
Në denoncimin e bërë në Policinë e Lezhës, Valbona ka kërkuar mbrojtjen e strukturave të policisë pasi dhunohej nga babai i saj. Sipas denoncimit të bërë, mësohet se Valbona ka kërkuar një mbrojtje dhe një strehë për të qëndruar.
“Nuk mund të kthehem në shtëpi pasi im atë më rreh dhe më keqtrajton. Vetëm pse nuk i bindesha, më ka thyer dhe televizorin kokës”, mësohet të ketë rrëfyer Valbona Begun në komisariatin e policisë së qytetit të Lezhës.
Fakti që vajza 19-të vjeçaria ka denoncuar babin e saj për ushtrim dhune pohohet dhe në familjen Begu. Vëllai i saj, Pashk Begu, thotë për TemA-n se Valbona ka shkuar në polici për të denoncuar të atin dhe pse ai nuk ndodhej aty.
Sipas tij, Valbona ka ikur nga shtëpia mbrëmjen e së hënës dhe askush  nuk e di se ku ka ndenjur dhe si ka përfunduar në komisariatin e policisë, ku dhe ka bërë denoncim  për ushtrim dhune nga anëtarët e familjes së saj.
“Ne nuk dimë se kush e ka marrë Valbonën nga shtëpia apo se kush ishin dy personat që e kanë çuar në polici ku dhe ka bërë denoncimin. Kanë qenë atë të policisë që kanë telefonuar babain ku i kanë treguar sa kishte ndodhur. Ne jemi kthyer menjehë atë ditë dhe Valbona erdhi në shtëpi. Babai pranoi që ajo të vinte në shtëpi”, rrëfen Pashk Begu.
E ndërsa askush në shtëpinë Begu nuk di arsyen se përse Valbona ka denoncuar të atin dhe me kë ka kaluar mbrëmjen e së hënës, duket se policia e qytetit të Lezhës nuk ka barë qoftë dhe hetimin me të vogël për të vërtetuar akuzat e Valbona Begut, çka mund të kishte parandaluar vrasjen e saj.
Brenda ditës vajza është dërguar nga policia në shtëpinë e saj ku është përballur me babain e saj vrasës. Me t’u kthyer në shtëpi, Nikolla ka insistuar të dijë se me kë e ka kaluar natën e së hënës 19-vjeçaria. Sipas dëshmive në familjen Begu, vajza nuk ka pranuar në asnjë moment të tregojë miqtë e saj. Madje dhe pasditen e së shtunës, ditë në të cilën ka gjetur vdekjen, kjo ka qenë arsyeja që atë e bijë kanë debatuar sërish, ku në gjaknxehtësi e sipër Nikollë Begu ka marrë pistoletën e ka qëllur mbi të bijën në oborrin e shtëpisë.
Pashkë Begu thotë se në momentin e krimit askush nuk ndodhej në shtëpi. Sipas tij, askush nuk e di se si i ati është konfrontuar sërisht me Valbonën, por 59-vjecari ka insistuar tërë kokën për të ditur se më kë kishte ikur nga shtëpia e vajza e tij.
“Unë nuk di si ka ndodhur ngjarja pasi në atë moment në shtëpi nuk ka qenë askush, por di nëse policia do të kishte treguar me kujdes dhe do kishte hetuar ngjarjen babai im nuk do ishte në burg dhe Valbona do ishte gjallë”, thotë Pashkë Begu.
Nga ajo që thuhet në familjen Begu duket se turpi për nderin e humbur, që e bija ka bërë duke kaluar natën jashtë shtëpisë, duket se ka detyruar Nikollë Begun të marrë armën për të vrarë vajzën e pabindur.

Tale, aty ku të vrasësh për nder është burrëri
Dyert e mortit nuk janë hapur në shtëpinë e Nikollë Begut. Një grusht njerëzish vetëm sa kanë shti në dhe trupin e 19-vjeçares. Në asnjë derë, si e do zakoni, nuk kanë çuar lajm për vdekjen e Valbonës. Kanuni thotë se kur vajza të turpëron, nuk nxirret kafe e as hapen dyert e mortit. Trupi varroset, por askush nuk mban zi. Kështu ka ndodhur në shtëpinë e Nikollë Begut, i cili mbasditen e së shtunës vrau të bijën në oborrin e shtëpisë. Valbona kishte turpëruar derën e shtëpisë e askush nuk ka derdhur qoftë dhe një pikë lot për vajzën e re. Valbona kishte ikur dy herë nga shtëpia e kjo ka mjaftuar për të merituar vdekjen. Ndaj në shtëpinë e Nikollë Begës nuk gjen grua a burrë që të jetë në zi për jetën e tretur nën dhe të Valbonës.
Në shtëpi, një ndertesë njëkatëshe, ku syri nuk të sheh asnjë orendi komode, jana mbledhur vetëm të afërmit e Nikollë Begut. Dhe pse kanë pak orë që e kanë mbuluar me dhe 19- vjeçaren, askush nuk i përmend qoftë dhe emrin. Halli i vetëm i njerëzve të shtëpisë është Nikolla, i cili tashmë ndodhet i arrestuar. Me punën e tij, emigrant në Itali, familja mban frymën gjallë, ndaj dhe Liza, nëna e Valbonës nuk guxon të derdhë qoftë dhe një pikë lot për vajzën që sapo kishte varrosur. Burrat e shtëpisë kanë vendosur të mos mbahet zi e kafe nxirret veç për ato që vijnë për të qarë hallin e burgosjes se Nikollës, burrit që nxorri pushkë për të vënë nderin në vend.

Në fshat
Asnjë prej banorëve të Bregut të Lumit, në fshatin Tale të qytetit të Lezhës nuk ka shkuar për mort në shtëpinë e Nikollë Begut. Banorët e zonës, kryesisht të ardhur nga Mirdita, ashtu si dhe familja Begu, e dinë fort mirë se Nikolla ka vepruar si e do zakoni. E kur burri vret për nder, i urohet pushka e nuk i shkohet për mort. Dile Prenga, një prej banorëve të zonës, thotë se turpin e Vlobonës vetëm plumbi e lante. Megjithëse Valbonën askush nuk e kishte parë dy herë në rrugët e fshatit, fakti që ajo kishte guxuar të ikte dy herë nga shtëpia ka bërë që askush mos të ndjejë qoftë dhe keqardhje për vjajzën e re. “Valbona iku një herë nga shtëpia dhe i ati e fali, por të hënën kishte ikur prapë. Nuk mund të hash bukën e babës e të ikësh e të flesh ku të duash dhe të vish prapë në shtëpi. E sipas Kanunit vetëm me plumb mund të vësh nderin në vend e nuk mund as të hapsh mort”, të thotë Dilja.
Sipas gruas 60-vjeçare, Valbona kishte merituar vdekjen duke turpëruar derën. Në Bregun e Lumit nuk gjen njeri që të dënojë krimin e kryer nga Nikollë Bega, ndërkohë që arrestimi i tij konsiderohet një hall për shtëpinë.
“I shkreti, nuk e meriton të rrijë në burg, vuri nderin në vend, pse duhet të arrestohet. Me punën e tij mbahet familja me bukë. Në fund të fundit ajo vajzë ia plasi buzën”, thotë Preng Voci, fqinji i familjes Begu.
Dhe pse askush në fshat s’i ka dëgjuar zërin Valbonës, fakti që ajo iku nga shtëpia dy vjet më parë, pa vendosur kurorë, ka mjaftuar që ajo të quhet e përdalë, e askush mos ta dëshirojë për nuse.
Prenga thotë se dera e Nikollës u turpërua një herë, por vajza nuk zyri mend.
Ndërsa kur guxoi të ikte për të dytën herë, veç plumbi vinte nderin në vend.
Tema

Siri, edhe shqiptarë xhihadistë në luftën civile në Siri


Qindra individë nga Europa mes të cilëve edhe nga Shqipëria luftojnë në Siri kundër presidentit Bashar Al Assad.

Në një studim të bërë nga universiteti King’s College dhe që publikohet në numrin e sotëm të gazetës britanike ‘The Guardian’, me titull “Konflikti në Siri tërheq qindra xhihadistë nga Europa”, thuhet se më shumë se 600 individë nga 14 vende europiane si Britania e Madhe, Austria, Spanja, Suedia dhe Gjermania kanë marrë pjesë në konfliktin që ka nisur në vitin 2011.

Kontigjenti më i madh është nga Britania e Madhe me rreth 134 luftëtarë.

92 luftetarë janë nga Franca, 85 nga Belgjika dhe rreth 107 nga Holanda. Individë të tjerë janë nga Shqipëria, Finlanda dhe Kosova.
Luftëtarët nga Europa përbëjnë nga 7 deri në 11 për qind të kontigjentit të huaj në Siri, të cilët luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar Al Assad.
Drejtuesit e studimit kanë shfrytëzuar qindra uebsajte të ndryshme xhihadiste dhe gazetat e shumta Arabe dhe ndërkombetare.

(d.b/e.kacorri/BalkanWeb)

Leksione pornografie në kolegj, detyrë shtëpie: Shikoni porno

SHBA – Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë plasur polemikat pas vendimit të një kolegji në Kaliforni, për të hapur kurse pornografie.

Iniciativa e kolegjit “Pasadena City College” parashikon zhvillimin e leksioneve të mirëfillta që lidhen me pornografinë. Në programin mësimor përfshihen leksione me pornostaret më të njohura, për të interpretuar aspektet historike dhe sociologjike të këtij fenomeni. Detyrat e shtëpisë për studentët? “Shikoni porno”.

Profesori përgjegjës për kursin e leksioneve, Hugo Schwyzer shpjegon se kjo është një mundësi e mirë për studentët, që të kuptojnë diçka më shumë në mënyrë intelektuale në lidhje me pornografinë, që siç shprehet ai, ka një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën e tyre. Sipas profesorit, në leksione nuk shfaqen video pornografike, pasi kjo është një detyrë shtëpie.

Ndërkohë në SHBA, prindërit e studentëve dhe profesorët e tjerë shprehen kundër zhvillimit të këtyre leksioneve.

(er.nu/BalkanWeb)