Një varg misteresh e kanë shoqëruar historinë e ardhjes së armëve kimike
në Shqipëri. Është një histori e sunduar nga prapaskenat. Për 45 ditë
kjo çështje përfshiu vendin e vogël në Mesdhe në qendër të opinionit
kombëtar e ndërkombëtar.
Ndëkohë që jehona nuk është shuar ende, në duart e lexuesve vjen një libër me titullin intrigues "
Heshtja e dyfishtë - E vërteta për armët kimike në Shqipëri".
Në këtë libër, gazetari italian
Carlo Bollino
me kurajë intelektuale dhe me përgjegjësinë e një gazetari karriere bën
analizën e ngjarjeve të skenës dhe prapaskenës që paraprinë dhe
shoqëruan debatin e madh për demontimin e mundshëm të armëve kimike të
Sirisë në territorin shqiptar.
Çështjet ngacmuese të këtij libri janë shumë.
Cilat
ishin kushtet që çuan në dështimin e një marrëveshje të mundshme me
amerikanët për armët kimike? Çfarë propozimi bëri pala shqiptare dhe
cilat janë arsyet që amerikanët do t’ia besonin Shqipërisë sekretin e
impiantit të asgjësimit? A kishin një çmim negociatat mes Amerikës dhe
Shqipërisë? Pse heshti kryeministri Rama, pse heshti opozita dhe
presidenti, pse heshti pala ndërkombëtare? Në ç’kushte u artikulua
Jo-ja sfiduese e Edi Ramës? Çfarë i shkroi kryeministrit shqiptar në
letrën e tij për armët kimike presidenti i SHBA-së dhe pse u mbajt e
fshehtë përmbajtja e asaj letre?Ndërsa ju japim përgjigje
këtyre pyetjeve përmes kësaj interviste me gazetarin Carlo Bollino,
bëjmë njëkohësisht edhe një rrugëtim në faqet e këtij libri intrigues,
që s’duhen lënë kurrësesi pa lexuar.
Pjesa e parë e
librit tuaj i kushtohet sfondit ndërkombëtar të kësaj çështjeje dhe ju i
keni kushtuar një kapitull të tërë. Pse është kaq i rëndësishëm ky
prezantim? -E gjithë pjesa shqiptare e kësaj historie ka
nisur në fund të tetorit, kur për herë të parë doli në skenë emri i
Shqipërisë si vendi i përfshirë në operacionin e asgjësimit të armëve
kimike siriane. Por realisht publiku shqiptar nuk dinte pothuajse asgjë
për historinë e Sirisë dhe akoma më pak të dinte sesi diplomacia
ndërkombëtare kishte arritur deri tek çarmatimi i Bashar al-Assad.
Unë
mendoj se rrethanat ndërkombëtare, të cilat i kam përfshirë në fazën e
negociatave mes Amerikës që kërcënonte me sulm dhe Rusisë që kërkonte ta
shmangte këtë sulm, deri në arritjen e kësaj marrëveshje, unë i kam
përqendruar në disa momente që janë interesante, duke përfshirë edhe
prapaskenat e një “gafe” të John Kerry-t gjatë një vizite në Londër, që
shkaktoi një reagim nga ana e Rusisë deri në arritjen e marrëveshjes
kundër sulmit të armatosur në Siri. Kjo është një prapaskenë, jo shumë e
njohur e që shërben për ta plotësuar historinë e armëve kimike në
Shqipëri.
Fill pas kësaj nisin bisedimet dhe
negociatat për çarmatimin, dhe vjen momenti që në skenë shfaqet emri i
Shqipërisë. Ju thoni në librin tuaj se ajo që amerikanët nënkuptuan me
rënien dakord në parim nga Shqipëria, nuk ishte e njëjta gjë me atë që
nënkuptonte Shqipëria. Pra, kishte një keqkuptim gjuhësor...Çfarë është
një Po në parim? Ku qëndron keqkuptimi? -Nga informacioni
që kam unë, reagimi i parë i kryeministrit ishte një Po në parim. Dhe
një Po në parim ne e dimë mirë që në shqip nuk është një Po
përfundimtare. Është një Po pikërisht në parim, pra diskutojmë, është
fillimi i diskutimeve. Ndërsa për realitetin amerikan një Po në parim
është një Po e mbyllur. Sepse amerikanët janë më pragmatistë si natyrë,
ndryshe nga shqiptarët apo italianët të cilët, si mesdhetarë që janë,
një Po në parim e kanë të barabartë me një Ndoshta.
Unë mendoj se
kjo ka ndikuar përgjatë gjithë negociatave. Amerikanët kishin
nënkuptuar se kjo Po në parim e kishte mbyllur marrëveshjen dhe kishin
mbetur për t’u diskutuar detajet. Ndërsa ndryshe ishte kuptuar nga pala
shqiptare. Ata caktuan një sërë kushtesh, nga të cilat një prej kushteve
kryesore nuk është pranuar asnjëherë. Pra një kusht, të cilin unë e kam
përmendur disa herë në libër çoi deri në dështimin e një marrëveshjeje
të mundshme me amerikanët.
Në çfarë pozicioni ishte Edi Rama për t’i vendosur këto kushte Amerikës? -Ai
e kishte kuptuar shumë mirë që amerikanët kishin nevojë për një
marrëveshje me Shqipërinë, sepse interesat e amerikanëve ishin të
drejtpërdrejta, jo kundër Shqipërisë, por si çdo propozim diplomatik ka
edhe interesa të brendshme për SHBA. Nga ana tjetër Edi Rama e kishte
kuptuar se kjo kishte një kosto politike. Nisur nga kjo, sigurisht para
se të pranonte një kosto politike duhet të synonte edhe përfitime
ekonomike dhe politike për Shqipërinë për qeverinë që ai drejton, për
opinionin publik.
Kështu, ai parashtroi disa kërkesa, të cilat më
vonë u kthyen në kushte. Kërkesat ishin shumë të sakta. Madje ai ia
dërgoi departamentit të shtetit të shkruara këto kërkesa për të shmangur
çdo keqkuptim të mëvonshëm. Më pas të gjithë negociatat janë kushtëzuar
nga këto kërkesa dhe nga mungesa e një përgjigjeje për këto kërkesa.
Pse nuk mori përgjigje kryeministri Rama?-Ky
është një mister për mua. Ky është misteri i vërtetë. Pasi disa nga
kërkesat ishin lehtësisht të zbatueshme. Një nga zyrtarët shqiptarë që
kam intervistuar më ka thënë se: nëse amerikanët do të ishin përgjigjur
disa prej atyre kërkesave marrëveshja do të ishte mbyllur shumë kohë më
parë. Rama do të kishte mundësi për të hedhur në diskutim këtë çështje
në parlament në qeveri e për ta bindur opinionin publik që kjo nuk ishte
një marrëveshje që do të cenonte ndotjen e ambientit apo sigurinë
kombëtare. Por këto kushte nuk u realizuan asnjëherë.
Negociatorët
amerikanë janë vonuar jashtë mase, pavarësisht nga fakti se në anën
tjetër ONAK kishte përcaktuar një limit kohor brenda të cilit duhej të
përfundonte negociata. Pra, nga një anë ishte ky limit kohor e nga ana
tjetër ishte vonesa e gjatë e një përgjigjeje nga ana e negociatorëve
amerikanë. Kjo e ka shtrënguar shumë hapësirën për të arritur në një
marrëveshje. Arsyeja pse ka ndodhur kjo është ende një mister. Por mbase
e gjithë kjo ka ndodhur për të ulur çmimin e negociatave, pasi duke
filluar nga ajo Po në parim mund të jetë menduar se qeveria shqiptare
mund të bjerë dakord me fare pak kushte. Ndoshta, mund të jetë kjo tezë.
Në
libër ju flisni për Impiantin FHDS dhe një varg sekretesh rreth tij.
Çfarë është ky impiant dhe pse duhej instaluar pikërisht në Shqipëri?-Ky
është një impiant që Pentagoni e kishte porositur tek industria
ushtarake amerikane dhe i ishte dorëzuar Pentagonit vetëm në muajin
korrik. Ndërkohë, ne flasim për një histori që ka nisur në muajin
shtator. Pra në korrik, dy muaj përpara, Pentagoni kishte marrë në dorë
impiantin për asgjësimin e armëve kimike. Ishte një impiant i lëvizshëm
me një vlerë të jashtëzakonshme në treg, pasi problemi më i madh në
asgjësimin e armëve kimike është pamundësia e lëvizjes së tyre.
Është
më mirë të lëvizet impianti sesa armët kimike. Pentagoni e kishte
testuar, por nuk e kishte eksperimentuar asnjëherë dhe në asnjë vend, në
asnjë operacion real. E kishte testuar në laborator por jo në terren
dhe këtu kemi të bëjmë jo vetëm me sekret ushtarak, por edhe një sekret
industrial, sepse është një teknologji krejt e re. Unë mendoj se
amerikanët në këtë rast kishin nevojë për një vend të sigurt nga
pikëpamja e sekretit ushtarak, gjë që Shqipëria e përmbushte. Por,
gjithashtu ishte e nevojshme të gjendej një vend i vogël, i cili s’do të
mund ta përdorte dot vetë këtë impiant, por të linte në dorën e
ekspertëve amerikanë përdorimin e impiantit.
Dhe këtë vetëm
Shqipëria mund ta lejonte. Fjala vjen Turqia, një superfuqi ushtarake
do të kërkonte ta shtinte vetë në dorë impiantin. Ndërsa Shqipëria i
kishte ofruar të gjithë garancitë për të ruajtur sekretin, pasi të
gjithë operacionin ta përfundonin vetë ekspertët amerikanë.
Ndërkohë,
pas refuzimit të Shqipërisë, amerikanët e kanë instaluar këtë pajisje
në një anije amerikane ekskluzivisht nën kontrollit e tyre në mes të
detit. Pra, nuk do të ketë asnjë vend tjetër që do të ketë gisht në
përdorimin e këtij impianti tepër sekret.
Në librin
tuaj ju botoni për herë të parë tekstin e letrës që Barack Obama i
shkruan Edi Ramës për çështjen e armëve kimike. Pse u mbajt sekret kjo
letër?-Kjo letër është shkruar nga Barack Obama, menjëherë
pas një bisede të gjatë midis John Kerry-t dhe Edi Ramës. Biseda mes
tyre ka ndodhur më 7 nëntor, ndërsa letra është nisur më 9 nëntor.
Fillimisht është nisur në formë elektronike e pastaj ka mbërritur edhe
letra në dorë më 11 nëntor. Edhe kjo datë është interesante.
Nëse
ne mendojmë se negociatat kanë nisur më 27 shtator dhe John Kerry ka
bërë bisedën e parë me Edi Ramën vetëm më 7 nëntor kjo tregon se deri në
këtë kohë Departamenti i Shtetit kishte deleguar vetëm zyrtarë
amerikanë, por jo kupolën e administratës amerikane. Ky mbase ka qenë
një gabim. Nëse John Kerry do të ishte përfshirë që në fillim në
bisedime ato garanci që Edi Rama ka kërkuar, mbase do të ishin plotësuar
e problemi do të ishte zgjidhur shumë kohë më parë.
Gjatë
bisedës me John Kerry-n, Edi Rama kishte kërkuar disa garanci, mes të
cilave dhe një ombrellë politike. Dhe reagimi pas kësaj bisede ka qenë
letra që Obama i ka dërguar Edi Ramës, një letër ku nuk përmendet në të
vërtetë asgjë më shumë sesa një përshëndetje dhe disa vlerësime, por që
nuk plotësonin asnjë nga ato kushte që kishte vendosur kryeministri
Rama. Ndoshta për palën amerikane kjo letër mjaftonte, por për
administratën shqiptare kjo nuk mjaftonte. E mbase për këtë arsye edhe
nuk është publikuar.
Një nga të intervistuarit tuaj
pohon se amerikanët kishin të dhëna të detajuara për të gjithë bazat
ushtarake në Shqipëri, dhe se në seleksionimin e tyre final vetëm dy
baza ishin të përshtatshme Bishtpalla dhe ishulli i Sazanit. Pse këto dy
zona? -Pala amerikane, ajo ushtarake, kishte disa kushte
për zgjedhjen e zonës ku do të instalohej impianti i asgjësimit të
armëve kimike. Duhej të ishte afër detit, të ishte një bazë ushtarake,
të ishte të paktën 15 kilometra larg zonave të banuara, duhej të ishte
pranë rrugës dhe të kishte mundësi për sigurinë maksimale. Duke u bazuar
në këto kushte, ato përzgjodhën dy baza ushtarake më të sigurtat ajo e
ishullit të Sazanit dhe bazën ushtarake të Bishtpallës.
Baza e
Sazanit ishte brenda rrezes 15 kilometra, dhe në fund mbeti Bishtpalla e
konsideruar edhe më parë nga NATO si një bazë shumë e mirë dhe
strategjike, edhe pse porti ishte në kushte mizerabël dhe ishte
parashikuar thellimi i tij për të lehtësuar ankorimin. Po ashtu, kjo
bazë kishte edhe një histori tjetër të lidhur me qeverinë e mëparshme të
Sali Berishës, saktësisht me një vendim të ish-ministrit të mbrojtjes
Arben Imami për ta kthyer këtë zonë në një port turistik, duke iu shitur
kështu toka në këtë zonë njerëzve të afërt në oborrin e
ish-kryeministrit Berisha. Mbase edhe ky fakt mund të ketë prishur punë,
megjithëse nuk mendoj se ky është një element që do të ketë ndikuar
vërtet në vendimmarrjen nga ana e amerikanëve.
Mjaft
ngacmuese janë edhe ato faqe të librit ku ju trajtoni anën ligjore të
këtij procesi. Pra, a ishte e ligjshme sjellja e këtij arsenali në
Shqipëri? -I jam referuar një analize të botuar në
“Shqiptarja.com” nga juristi Agron Alibali. Realisht konventa kundër
armëve kimike ndalon transferimin e tyre në një vend tjetër, dhe ndalon
po ashtu çdo vend të pranojë armë kimike në çdo rrethanë qoftë.
Pra,
nga pikëpamja ligjore konventa e Kombeve të Bashkuara, e cila synon të
transferojë në Shqipëri apo në një vend tjetër armët kimike siriane
është kundër një konvente tjetër të Kombeve të Bashkuara, e cila e
ndalon transferimin e armëve kimike. Ky është një element ligjor. Po
ashtu, një element tjetër që nuk është marrë kurrë parasysh është
përgjegjësia në rast të një aksidenti. Kush e merr përsipër në rast se
në ujërat shqiptare anija që transporton kontenierë me saharin,
fundoset.
Kush e merr këtë përgjegjësi, amerikanët? Jo. Kush e
siguron Shqipërinë kundër një katastrofe teorikisht të mundshme. Pra,
kjo anë ligjore nuk është marrë fare parasysh gjatë gjithë negociatave
dhe është anashkaluar. Tani është zgjidhur kjo gjë, sepse procesi i
asgjësimit do të ndodhë në mes të detit, në ujëra ndërkombëtare.
Ju
keni pasqyruar gjerësisht në libër edhe atë çfarë ndodhi në parlamentin
shqiptar përpara se të vinte Jo-ja nga kryeministri Rama. Pse e botuat
gjithë atë procesverbal?-Mendoj se ai është një dokument
shumë i rëndësishëm, pasi ai pasqyron linjën politike që ka mbajtur
opozita, e cila është totalisht e ndryshme 24 orët e fundit me atë çka
kishte mbajtur edhe zoti Berisha, por edhe zoti Lulëzim Basha deri në 12
nëntor.
Pra deri me 12 nëntor qëndrimi i opozitës nuk ishte kundër
armëve kimike, ishte thjesht kundër mungesës së transparencës së këtij
procesi. Ata duhet të ishin prezentë në tryezën e negociatave së bashku
me amerikanët. Ky ishte qëndrimi i opozitës.
Pastaj më 12 nëntor,
Sokol Olldashi ka hedhur një postim në facebook, kundër armëve kimike,
me sa duket një qëndrim krejt personal. Pastaj vetëm më 13 nëntor
opozita e ka mbështetur qëndrimin e Olldashit duke dalë kundër. Ndërsa
data 14 nëntor është një ditë shumë e veçantë, pasi në kuvend shpërthyen
debatet, Sali Berisha doli hapur kundër importimit të armëve kimike në
Shqipëri. E mandej nga kuvendi ka kaluar në shesh. Ishte një skenar që
më ka kujtuar shtatorin e 1998-s, kur në momentet kulmimante të një
proteste u sulmua kryeministria dhe u tentua të rrëzohej qeveria. Dua të
besoj se ky skenar nuk ka qenë i përgatitur të ndodhte kështu, por
ishte shumë i afërt me skenarin e 14 shtatorit të një tjetër viti shumë
të trishtuar për historinë e Shqipërisë. Për fat të mirë, demonstruesit
e kanë dëbuar Sali Berishën nga sheshi, nuk e kanë pranuar
provokacionin e tij.
Pra,
edhe opozita kishte heshtur, sikurse ju e thoni që në titull. Po ashtu
heshti edhe pala e huaj. Ky është thelbi i librit tuaj, apo jo, kjo
është fjala kyçe...?-Po sepse opinioni publik e ka
kritikuar, ndoshta edhe me të drejtë, pasi heshtja e kryeministrit Rama
ishte e pakuptueshme për ta. Ai duhet të kishte ofruar më tepër
informacion mbi këtë çështje dhe për ta informuar opinionin publik. Por
nuk ishte vetëm ai protagonisti që heshti. Po ashtu kanë heshtur
negociatorët amerikanë. Heshtja e tyre është demonstruar nga mungesa e
një përgjigjeje.
Sepse kryeministri kishte bërë disa pyetje dhe
po priste disa përgjigje duke filluar nga një marrëveshje e shkruar me
palën amerikane për të gjithë procesin me detyrat dhe të drejtat e
Shqipërisë ndaj këtij procesi. Ky dokument ka munguar gjithmonë.
Amerikanët kanë heshtur pse nuk kanë bërë asnjë deklaratë për armët
kimike dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare. Por ka heshtur edhe
opozita. Sipas informacioneve dhe elementëve që unë kam botuar në libër,
ka mundësi që Berisha të ketë pasur dijeni për armët kimike që nga
shtatori 2013.
Pra, më shumë se 40 ditë përpara daljes publike të
lajmit në mediat shqiptare. Po ashtu unë e kam argumentuar në libër që
edhe presidenti Nishani mund të ketë pasur dijeni për këtë çështje që në
fund të shtatorit. Natyrisht nuk kam në dorë prova që vërtetojnë 100%
se këta të dy kanë qenë në dijeni, por ka elementë për të ngritur këtë
hipotezë. Dhe e vërteta është se ata nuk reaguan dhe nuk folën kurrë për
këtë çështje.
Dhe vijnë në fund tek Jo-ja sfiduese e Edi Ramës. Sipas jush në çfarë rrethanash e dha ai këtë përgjigje?-Nga
informacionet që kam e që i kam përfshirë në libër Jo-ja ka ardhur si
rezultat i një sërë elementesh. Patjetër protesta ishte një nga
elementët.
Mungesa e përgjigjes apo mungesa e një marrëveshjeje të shkruar me
negociatorët amerikanë, ka qenë elementi kyç sigurisht. Po ashtu një
element i rëndësishëm ishte mungesa e një vendi të dytë që do të
përfshihej në këtë proces, emër që amerikanët nuk e dhanë kurrë.
Por mbi të gjitha ka qenë një fakt që ka ndodhur me 13 nëntor që për mendimin tim ka qenë kthesa vendimtare.
Më
rezulton se më 13 nëntor Edi Rama kishte hequr dorë përfundimisht dhe
kishte vendosur ta refuzojë propozimin amerikan. Në fillim të ditës më
14 nëntor para përshkallëzimit të protestave ai iu ka komunikuar disa
ministrave vendimin për ta refuzuar këtë propozim. Po ashtu ia kishte
komunikuar edhe zotit Meta. E fill pas kësaj është nisur për në Mal të
Zi. Në kuvend ndodhi ajo që ndodhi, një lumë i tërë polemikash dhe vetëm
të nesërmen me 15 nëntor Edi Rama doli para opinionit publik dhe
komunikoi vendimin e tij.
Po më 14, menjëherë pas kthimit nga
Mali i Zi ai komunikoi sërish me Departamentin e Shtetit Amerikan, me
John Kerry-n, të cilit i bëri të ditur vendimin përfundimtar. Dhe
pastaj, gjatë gjithë natës në vijim, ai shkroi fjalimin e famshëm që e
lexoi para kamerave më 15 nëntor.
Këtu
mbyllet kjo histori, por jo libri, pasi kam shkruar edhe një kapitull
shtesë për të treguar se çfarë ka ndodhur pas datës 15 nëntor dhe si ka
përfunduar historia e armëve kimike.
Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com