Tuesday, June 17, 2014

“Hakmarrja", tani janë italianët ata që kërkojnë punë në Shqipëri

Kanë kaluar më shumë se 20 vite nga zbarkimi i emigrantëve prej Shqipërisë. Kriza ka shkaktuar ndërrimin e brigjeve, në një atmosferë si në Italinë e viteve gjashtëdhjetë.

Kanë kaluar pak më shumë se 20 vite, por duken si ngjarje të një shekulli më parë. Ishte vera e vitit 1991 kur anija “Vlora”, e mbushur me shqiptarë të dëshpëruar, u ankorua në Portin e Barit. Sot nuk vijnë më ngarkesa të tilla nga bregu tjetër i Adriatikut, emigrantët shqiptarë ndjekin rrugë të rregullta. Dhe janë pothuajse gjysmë milionë në Itali. Megjithatë, si kompensim, tani ndodh gjithnjë e më shpesh që edhe italianët kalojnë Adriatikun në drejtimin e kundërt, në kërkim të një pune dhe një jete të re. Nuk e bëjnë me anije të dëmtuara, por me avion, një orë fluturim. Italianët tani shkojnë në Shqipëri në kërkim të fatit.
Të dhënat zyrtare të qeverisë shqiptare thonë se janë 19 mijë italianë që kanë një lejë qëndrimi për të punuar apo për studime. Një shifër domethënëse në një vend më pak më shumë se 3 milionë banorë.
Nga universitetet tek call center-at, restoranet, sipërmarrjet e vogla, italianët janë shumëfishuar. “Eshtë një bum i vërtetë”, komenton Rando Devole, sociolog shqiptar dhe bashkëpunëtor i Observatori i Ballkanit, “që flet shumë për krizën italiane, por edhe për rritjen e Shqipërisë përmes imigrantëve të saj. Kushedi se sa shqiptarë që punojnë në Itali, ndoshta në një piceri, kanë bërë ndërmjetësin dhe kanë bindur sipërmarrësin e vogël italian që të hapë një biznes edhe në anën tjetër të Adriatikut”. Në Tiranë pothuajse të gjithë flasin italisht, dhe në televizion mund të gjesh edhe një ish fytyrë shumë të njohur të Mediasetit, Alessio Vincin, që sot është yll i talk show-ve në Shqipëri.
Pensionistë dhe studentë
Janë afro 500-600 kompani italiane që janë krijuar përtej Adriatikut. “Ka një lëvizje të madhe mes dy vendeve”, thotë Luigi Nidito, zëvendës president i Dhomës Italiane të Tregtisë në Shqipëri, “restorantet janë gjithmonë të mbushur me italianë. Shumë prej tyre vijnë të shohin për kuriozitet, por janë edhe të mbushur me paragjykime. Por, me të mbërritur këtu, mbeten të befasuar pozitivisht. Dhe po fillojnë të vijnë edhe pensionistë, sepse kostoja e jetesës është e ulët”.
Pastaj janë studentët e Mjekësisë, ata që nuk kanë arritur të marrin provimin e vitit të parë dhe që nuk duan të humbasin kohë: rregjistrohen në Universitetin Zonja e Këshillit të Mirë në Tiranë, i lidhur me universitete italianë (mes të cilëve Tor Vergata në Romë) dhe ku shumica e profesorëve janë italianë.
Vite ‘60
Por ka edhe shumë punëtorë italianë, që ndodhen në Shqipëri për arsye nga më të ndryshmet: për faj të krizës, prej dashurisë (shumë prej tyre kanë një bashkëshorte apo bashkëshort shqiptar), për shkak të simpatisë ndaj një vendi që, sipas shumëkujt i ngjan Italisë së viteve gjashtëdhjetë. “Shqiptarët në këtë moment janë më optimistë se sa italianët – thotë ambasadori shqiptar në Romë, Neritan Ceka – pikërisht ashtu si ishit ju në vitet gjashtëdhjetë. Sigurisht, ka probleme, por nuk ka krizë psikologjike. Dhe GDP është me rritje”.
Për vitin 2014, Fondi Monetar Ndërkombëtar sheh vështirësi në tregun e brendshëm, por vlerëson që rritja ekonomike do të jetë më shumë se 2%. “Dhe nuk ka burokraci”, shton ambasadori, “mund të hapësh një biznes brenda një dite pa kufizime”. Veç kësaj, Shqipëria dëshiron të hyjë në BE, dhe pikërisht dje ka festuar PO-në e parë nga Brukseli. Një klimë shumë e ndryshme nga ajo e kryeqyteteve të Bashkimit Europian. (Bota.al)
Lidhja e artikullit: http://www.ilmessaggero.it/primopiano/cronaca/albania_italiani_lavoro_rivincita/notizie/728230.shtml

Çfarë i eksiton vërtetë gratë?

1. LIBIDO FEMËRORE
Libido femërore shqetëson. Ende më keq: ia kanë frikën.
Përse? 
Një burrë përgjigjet: «Përse e mbajmë të shtypur në heshtje dëshirën e grave ? Burrat kanë frikë: nëse hapet kjo kuti Pandore, nëse e humbasim kontrollin, të gjithëve do të na tradhëtojnë. Na frikëson ajo çka brenda në kuti.»
Megjithatë, James Pfaus është mjaft i informuar, një kërkues i shquar në neurobiologjinë e sjelljes seksuale në Universitetin Concordia, në Montreal, kjo sa për të thënë deri ku ka shkuar angështia…
Në këtë terren zhvillohen e begatojnë sipas dëshirës mitet dështake dhe diktatet shoqërore të patundshme prej shekujsh, duke bërë të besojmë se libido femërore do të ishte një curril uji i vakët, më tepër i butë se vullkanik, që ngrohet me thjesht zjarret e dashurisë. Në pavetëdijen kolektive, lidhja është e bërë shpejt : seksualitet femëror i lirë dhe i çliruar = grishje, madje rrëmujë sociale.
Në fakt, janë gratë që i mbartin fëmijët dhe pra « sjellin rrezikun » e një biri kopil.
Po, më 2014, jemi ende këtu, ndonëse shumë vetë e mohojnë. Stop ! Ka ardhur koha që t’ua përdredhim qafën këtyre ideve klishe të gabuara. Gazetari amerikan Daniel Bergner është marrë me këtë problem, në «Çfarë duan gratë? » (botimet Hugo Doc), duke përmbledhur tetë vjet kërkime mbi seksualitetin femëror. Ja e vërteta.

2. EKSITIMET E SHUMËFISHTA
 Po sikur të hidheshim në një eksperiencë lëshimi të plotë seksual, pa tabu e pa turp, me qëllim që të heqim vellon e filluesit të vërtetë të eksitimit femëror? Në timon, Meredith Chivers, profesore psikologjie në Queen’s University të Kingstonit (Kanada). Ajo ka ftuar ca gra që të shohin shtatë filma erotikë në 90 sekonda. Ndërsa rrinë ashtu të ulura në një kolltuk, në vaginën e tyre është vendosur një sondë e vogël 5 cm e gjatë. Misioni : të masë vërshimin e gjakut në vaginë, i cili përshpejtohet në përpjesëtim me eksitimin seksual. Gjë që shkakton lubrifikimin e mukozave. « Në këtë mënyrë, kapim nga më afër atë që, fillimisht, i eksiton gratë, sepse barrierat mendore janë të shmangura këtu », thotë specialistja.
Le t’i shohim filmat në fjalë. I pari tregon një grua lakuriq të shtrirë në një pyll. Dashnori i saj, me muskuj të fryrë dhe flokë të qethur shkurt, e penetron me forcë. Është ushtarak. Për ta përshpejtuar vajtjen-ardhjen brenda saj, ai mbështetet mbi krahët e vet, dhe kamera vonohet mbi vithet e tij të tendosura nga veprimi. Gruaja i lidh këmbët rreth belit të tij dhe i kacaviret pas krahëve në kënaqësi. Fund i sekuencës. Për ta rivënë në zero shigjetën e eksitimit të mundshëm para projeksionit të radhës, në ekran shfaqen imazhe asnjanëse malesh. Filmi i dytë : një burrë lakuriq me plastikë skulturale – le të themi Bradley Cooper ose Teddy Riner – ecën në një plazh. Seksi i tij, në prehje, luhatet nga një kofshë në tjetrën. Gjesti i flakjes së guriçkave ia nxjerr në pah muskujt. Zmadhim imazhi mbi fundbarkun e tij kur, duke e sfiduar rrezikun, ai ecën me hap të shpejtë në kreshtën e një humnere. Filmi i tretë : një grua është ulur e zhveshur në buzë të një vaske.
Plane të ngushta mbi gjinj, të bukur e të rëndë, me aureola të errëta. Nga vaska del një grua e dytë, me flokë e trup që kullojnë. Menjëherë, ajo e fut fytyrën mes kofshëve të së parës dhe lëshohet në një kunilingus epshor. Kështu vijnë njëri-pas tjetrit një felacion mes burrash, ca skena masturbimi femërore dhe mashkullore, një sodomi gay, një penetrim lezbik… Piperi i shfaqjes, filmi i shtatë : një çift majmunësh bonobo luan në një lëndinë. Befas, femra shtrihet në shpinë dhe ngre këmbët, mashkulli e penetron me një ritëm të shfrenuar. Femra ia hedh krahët në qafë.
Përfundimet e eksperiencës ? Të gjitha gratë ishin lagur në çast nga secili prej skenarëve, përfshirë bonobotë… Me një përjashtim : burri lakuriq në plazh ka ngjallur një eksitim më të paktë se majmunët në fazë. Tek lezbiket, vërshimi i tyre i gjakut në vaginë ka njohur një inflacion të madh përpara skenave të felacionit dhe sodomive mashkullore. Përkthim : «Eksitimi seksual femëror është tërësisht anarkik dhe paraqet prirje gjithëngrënëse. Gjë që tregon kafshërinë e një pulsioni primitiv në dëshirën femërore. »
Aty ku gjërat ndërlikohen, është se të gjitha « kaviet » kanë deklaruar në një tabletë numerike që iu ishte dhënë më përpara, se nuk ishin eksituar fare. Një përjetim intim krejt i kundërt me të dhënat fiziologjike të treguara nga aparati. Psikologia Terri Fischer, nga Ohio State University, në Mansfield, sheh këtu provën e një censure të brendshme nga gratë, pas shekujsh të tërë ndrydhjeje të kënaqësisë së tyre : « Të jesh një njeri seksual, të cilit i lejohet të jetë seksualisht aktiv, është një liri që shoqëria ia jep më lehtë burrave se grave. Shtypja që iu është imponuar grave ka lënë gjurmë. »

3. S’KA NEVOJË PËR DASHURI
Janë ca klishe që ngjiten e s’shkulen si një gaforre pas shkëmbit: osmoza emocionale, vetësiguria, besimi dhe ndjenjat si afrodiziakë të domosdoshëm, bëjnë pjesë në këto klishe. Po, këto kanë rëndësi. Nganjëherë. Por jo gjithmonë… Kësaj here, eksperienca kalon në porno me zë. Mes skenarëve për të fantazmuar: Ryan Gosling apo Idris Elba, në rolin e një agjenti imobiliar me një fuqi të gjallë mashkullore, ju bën të vizitoni një apartament; ju nuk rezistoni dhe parketi bëhet terren përpëlitjesh kërleshëse. Një e panjohur, e mbështjellë në një fustan epshor, ju ndjek në shtëpi dhe e mbyll derën me çelës. Një tjetër, në dhomat e zhveshjes të sallës suaj të sportit, fshin trupin duke dalë nga dushi me sytë të ngulur mbi ju. Një shok, që ka kaluar aty për fundjavë, shfaqet lakuriq në shtëpi. Dashnori(ja) juaj zyrtar(e) kthehet me një buqetë lulesh. Shoqja juaj më e mirë provon ca të brendshme që ia theksojnë kurbat.
Përfundimi: ideja e një kapërthimi të përflakur me një burrë apo grua krejt të panjohur, në një situatë të paparashikuar, vjen në krye të dëshirës së ngutshme dhe e shfrenon keq libidon femërore. Duke pasur këtu parasysh se mashkulli i panjohur del tetë herë më eksitues se të tjerët. Në vend të tretë vijnë lojërat seksuale me një mikeshë të panjohur. Dashnori zyrtar është shumë prapa ; sa për shokun e vjetër, ai nuk ngjall asnjë tërheqje seksuale. « Erotizmi funksionon më mirë në befasi dhe me të panjohur », përmbledh prof. Chivers.

4. T’IU GËZOHESH SYVE
Jo, gratë nuk janë thjesht emocionale që shkojnë vetëm me ndjenja, e që do t’ua linin vetëm burrave kënaqësinë e të shijuarit të asaj që e shohin në kapërthimet e tyre seksuale, siç e thotë këtë Nathalie, 47 vjeçe : «Kur ia zbërthej rripin, më pëlqen ta përfytyroj seksin e tij të ngrehur poshtë mbathjeve, dhe përgjoj atë çastin kur ai do të dalë për mua, me damarin kryesor që rreh fort nga dëshira. Ai s’është asnjëherë i njëjti, e prek, e puth, më pëlqen të mendoj se ky bronz i fuqishëm i mbështjellë me mëndafsh të brishtë, që e kam aty para syve, do të m’i përmbysë shqisat. »
Një oreks pamor të cilin e ripohon dhe Kim Wallen, kërkues në neuropsikologji në Emory University, në Atlanta, i pajisur me softe neuromatematike, ka matur kohën dhe shkallën e vëzhgimit të burrave dhe grave që shohin foto erotike, me qëllim që të përcaktojë interesin që këto të fundit ngjallin tek ta. Përfundimi : gratë i kanë vëzhguar me më shumë guxim dhe afsh se burrat.
Nga ana tjetër, Prof. Chivers ka paraqitur ca imazhe të mëdha penisi në prehje dhe në ereksion, si dhe vagina pjesërisht të fshehura nga kofshët, pastaj të hapura gjerësisht për femra heteroseksuale. Efekti i menjëhershëm i vënë re : vërshimi rekord i gjakut në mukozat vaginale, dhe pra eksitimi optimal, është përpara seksit të ngrehur. Një ultra-reagim pamor që sjell « edhe njëherë provën se, në thelb, dëshira femërore është nga më kafshëroret »…

5. TË JESH OBJEKT DËSHIRE
« Në zemër të libidos femërore, gjejmë nevojën për të qenë objekt i të gjitha dëshirave, për të dëshiruar pastaj vetë. Narcisizmi është shkëndija e dëshirës femërore. Orgazma e vërtetë, është të jesh e dëshiruar», thotë Marta Meana, ish-presidente e Shoqërisë për kërkime dhe terapi seksuale, doktore në psikologji në Universitetin e Nevadas, në Las Vegas. Për të arritur në këto përfundime, ajo ka bërë ca eksperimente me një aparat thuajse oftalmologjik. Gratë prehin aty mjekrën, dhe aparati regjistron me një saktësi milisekonde çdo luhatje të syrit, domethënë mënyrën me të cilën ky sy shikon imazhet e një filmi X apo ca foto ku tregohen disa nxehje seksuale paraprake. Përfundimi : gratë ndalen më shumë mbi fytyrën dhe trupin e grave, por shumë më me ngulm tek shprehjet e dukshme dhe domethënëse të dëshirës së burrit për partneren e vet.
« Narcisizmi ndez libidon, pa këtë ajo shuhet. Kjo është ç’i ka ndodhur Eileenit, njërës prej pacienteve të mia… I dashuri i tij fliste gjatë seksit duke e pyetur : «Je mirë ? Gjithçka mirë ?» Sigurisht, ai ishte i vëmendshëm, por nuk ishte më ai vrulli që të pret frymën, s’kishte më vrap të pakontrolluar, s’kishte më sulm shtazor… shkurt, asnjë shenjë që dëshira e tij për të dashurën ta rrëmbente si një dallgë e papërmbajtshme. Ëndrra për një harmoni dhe shkrirje totale me partneren, është një ide e rreme, si për gratë dhe për burrat. »
Paulina, 41 vjeçe, ka bërë lojën e kundërt : «Kam pasur dëshirë t’i jap gjithçka kur kam parë se ai më donte aq shumë sa mezi e përmbante dëshirën. E kishte frymën të prerë, një padurim thuajse shtazor. S’jam menduar fare, ka qenë si një pulsim-reagim, një lloj pilotimi automatik primitiv, jam ndjerë femër si asnjëherë më parë, i mbërthyer pas seksit të tij. »
Në fakt, fakti që narcisizmi e prek kaq fuqishëm dëshirën femërore, vjen dhe ngaqë « ai futet në një formë rikthimi tek lidhja primitive dhe arkaike të grave me nënën e tyre. Gratë e mbartin pa vetëdije dëshirën e pamundur që ato e kanë ndjerë një ditë për trupin e nënës së tyre. Duke qenë objekt i të gjitha dëshirave, ato fitojnë plotfuqinë erotike të nënës së tyre », zbërthen Dr. Meana.

6. SHKRIRJA, ANTILIBIDO
«Libido zihet fryme nën një intimitet tepër të plotë, si zjarri nën hi. Për të ekzistuar, dëshira ka nevojë për njëfarë largësie me tjetrin, ngulmon Dr. Meana. Ëndrra për një harmoni dhe shkrirje të plotë me partnerin, është një ide e rreme. Të shkrihesh në tjetrin do të thotë se nuk ka më terren për të pushtuar, as mister të mjaftueshëm për të ndezur flakën pulsionale të dëshirës. Kjo vlen si për gratë dhe për burrat : gratë nuk janë më të “lidhura” se burrat për intimitetin. »
Siç dëshmon dhe Rania : « E dua Eruanin, jam e lidhur me të, jemi një, por kjo është si të ma kishin vjedhur libidon. Ish-i dashuri im, Kaderi, nuk ishte kurrë aty ku e prisja, në kuptimin e mirëfilltë dhe atë figurativ të fjalës, dhe fundbarku im i është përgjigjur gjithmonë flakë për flakë. Vinte pa më njoftuar, në mes të natës, më ngjiste pas murit, m’a kafshonte gjoksin duke m’i hequr mbathjet brutalisht e duke më penetruar. Kishte diçka instinktive që më lidhte me të. Me Eruanin, jemi shumë të afërt. » Gjë që Dr. Meana e përfundon me një : «Që të ketë erotizim, duhet të ketë një “tjetër”.»

7. SHIJA E TRADHTISË
 
«Monogamia e grave është një nga idealet më të rrënjosura në kulturën tonë, rikujton Daniel Bergner. Kjo ka bërë që breza të tërë burrash ta qetësojnë angështinë e tyre se mos janë të tradhtuar.» Dhe të gjithë kërkuesit janë në një mendje të thonë se libido femërore nuk është më e «programuar» se ajo e burrit për besnikërinë.
Në mbështetje të këtij mendimi të përbashkët, në mungesë të studimeve shkencore, vijnë vëzhgimet e tyre klinike. Prirja për lule-më-lule është e vërtetuar tek femra e shimpanzesë dhe tek miu femër, por t’i përcjellësh menjëherë këto rezultate tek gratë, i bën tejet ngurues edhe kërkuesit më të guximshëm. Dr. Meana përmend sidoqoftë një studim gjerman që thotë se dëshira femërore shuhet më shumë se ajo e burrave dhe se mjaft gra mërziten në shtrat pas disa vitesh bashkë : « Brenda gardheve të besnikërisë, nevoja xixëlluese për të qenë e dëshiruar e humbet vazhdimisht forcën e vet. Sepse gruaja e kupton që partneri i saj është i kapur në kurth dhe se dëshira e tij mashkullore nuk ka zgjedhje për të zgjedhur, porse atij i “duhet” ta zgjedhë. » Shkrimtarja Françoise Simpère, autore e « Udhërrëfyese dashurish në shumës » (bot. Pocket), thotë : « Të duash, nuk do të thotë të zotërosh, nëse burri është fluturak dhe gruaja besnike, apo e kundërta, herët a vonë do të shpërthejë.
Lorraine Dennerstein, psikiatre në Universitetin e Melburnit (Australi), shkon ende më tej : a ka monogamia një efekt të dëmshëm mbi libidon femërore ? Për t’iu përgjigjur kësaj, ajo ka marrë në shqyrtim historitë e qindra grave të moshuara ndërmjet 40 dhe 55 vjeçe, dhe përfundimi i saj është i prerë : « Në kohën kur tangoja hormonale femërore fillon të lodhet, gjë që tek disa mund të sjellë një ulje të libidos, del e qartë se emocionet seksuale të ndjera nga ato gra që jetojnë një marrëdhënie të re, i fshijnë plotësisht faktorët hormonalë që mendoheshin si frenues për libidon. »
Përfundimi : teoritë evolucioniste mund të shkojnë nëpër shtëpia të veta ! Këto teori që mbajnë gjallë idenë se burri – mashkulli – për shkak të shtazërisë zanafillore, do të kishte nevojë për një numër të madh partneresh që të përhapë farën e tij dhe të përjetësojë genet, ndërkohë që gruaja – femra – do të kishte nevojë vetëm për një mashkull mbrojtës që ta shoqërojë në edukimin e pjellës së vet. E dinim se kjo ishte e rreme, por tani kemi dhe provën. Kur eksitohet trupi femëror, e bën këtë me tërë shtazërinë e vet.

G. Mapo
Përshtati : Silvi Bakiri/ Urim Nerguti

Shenjtërimi i Kishës “Ngjallja e Krishtit”

Nesër bëhet Shenjtërimi i Kishës “Ngjallja e Krishtit” ngjitur Ministrisë së Mbrojtjes dhe për këtë mision të vështirë është kërkuar ndihma hyjnore e Patriarkut të Jerusalemit, Theofilit; i Serbisë, Irineu; i Rumanisë, Danieli; Kryepiskopit i Qipros, Krisostomi; i Athinës, Jeronimi; i Varshavës, Sava, si Kryepiskopit të Tiranës, Janullatos si dhe përfaqësuesit e Patriarkëve, të Aleksandrisë, të Antiokisë, të Moskës, të Bullgarisë dhe të Gjeorgjisë që me cilësitë e tyre magjike si dhe ndikimin që kanë direkt tek Perëndia, kjo punë të kryhet me sukses.

Kisha bën gjithashtu me dije se lutjet që janë bërë deri sot nuk janë marrë në konsideratë, pasi mungonte lidhja direkte me Perëndinë.

As ai Uji i Shenjtë që pitë para ca kohësh me gjasa nuk ka patur efekt, megjithatë, s'ka asgjë për t'u shqetësuar. Lutjet që keni dërguar janë ruajtur në draft dhe nga nesër do të jepet komanda "Forward to All" për ti dërguar në destinacion si dhe Uji i Shenjtë do të vërshojë për të tërë.

Dëshmitarë okularë të kësaj vepre të mbinatyrshme do të jenë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani; Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta; Kryeministri, Edi Rama dhe kryetari i opozitës, njëkohësisht dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Urojmë që Perëndia të qëllojë në shenjë kësaj rradhe me komandën "All in One"!

Shkroi: Stop Injorancës !

Ja kush janë 10 njerëzit më të pasur në Shqipëri!

Fondacioni për Liri Ekonomike ka publikuar sot listën me 10 njerëzit më të pasur të vitit në Shqipëri. Kjo iniciativë gjerësisht i përdorur në vendet perëndimore dhe SHBA është një nga format e promovimit të lirisë ekonomike në vendin tonë, duke evidentuar bizneset dhe individët më të suksesshëm në sipërmarrjen e lire.

Metoda e përdorur është një përafërsim i asaj të përdorur nga Forbes Magazin ku merret parasysh xhiro vjetore e kompanisë, fitimi vjetor, kapitali i investuar, një vlerësim i përafërt i vlerës së tregut të biznesit. Në këtë vlerësim nuk janë konsideruar faktorë të tjerë si prona personale, detyrimet ndaj shtetit apo detyrimet ndaj sistemit bankar.

1- Samir Mane 
Është biznesmeni që kryeson listën e 10 personave më të pasur në Shqipëri. Zyrtarisht njihet si pronar 100 për qind i grupit Balfin, investime në pjesëmarrje dhe shërbim konsulence.

Gjithashtu ai është pronar 100 për qind i Mane TCI që merret me ndërtim dhe shitblerje pasurish të patundshme e qeradhënie, Albchrome Albania, me 90 për qind të aksioneve të Neptun, tregtim mallrash elektroshtëpiake, si dhe 88 për qind të aksioneve të Tiraa East Gate, një qendër tregtare, më e madhja në Shqipëri.

2- Vasil Naçi
I dyti në listën e dhjetë më të pasurve, Naçi zotëron 34 për qind të aksioneve të Agna, një kompani që merret me import-eksport te mallrave industriale e ushqimore, materiale ndërtimi, prodhime bujqësore dhe blegtorale, prodhim e shitje pije alkoolike, pjesë këmbimi, tregtimin e tyre me shumice e pakice si dhe transport mallrash dhe udhëtarësh. Gjithashtu Naçi zotëron 27 për qind të aksioneve të Alfa, import-eksport mallrash të ndryshme, 34 për qind të Albartex, tregti me shumicë dhe pakicë produktesh të ndryshme, si dhe 17 për qind të Platea, ndërtim dhe menaxhim-shpërndarje mediash të shkruara dhe marketingu. Po ashtu, Naçi zotëron edhe 4 për qind të aksioneve të bankës Societe Generale Albania.

3- Bashkim Ulaj
Është pronar me 100 për qind të aksioneve të kompanive Gener 2 dhe Platinium Investment. E para merret me ndërtime dhe ka në zotërim disa nga pallatet më luksoze në qendër të Tiranës. E dyta është aktivitet kreditimi financiar. Ulaj është pronar edhe i 70 për qind të aksioneve të DataCom, kompani të dhënash telekomunikative.


4- Artan Dulaku
Njihet si pronar i disa kompanive. Mes tyre, Concord Investment (ish Edil-al), me 34 për qind të aksioneve, INER, 34 për qind, kompani tregtimi mallrash të ndryshme, Inter Gaz, 50 për qind, tregtim gazi, nafte dhe nënprodukte të tyre. Dulaku është 100 për qind pronar i Alissa Albania, kompani ndërtimi dhe prodhim-tregtimi materialesh ndërtimi. Ai rezulton pronar edhe medias, si ASC (Tring), ku zotëron zyrtarisht 26 për qind në këtë kompani që ofron transmetime televizive, si dhe Media Vizion ku zotëron 33.33 për qind të Vizion Plus, television kombëtar satelitor. Dulaku është pronar edhe i Albeton 5 (100 për qind), Iliria Development (Shitblerje pasurish të patundshme), me 49 për qind; Alba-Beton, 34 për qind në këtë kompani që merret me aktivitet ndërtimi, shitberleje pasuri te patundshme. Dulaku është pronar edhe i 20 për qind të aksioneve të Euro Aditiv, kompani që merret me prodhim, blerje, tregti materialesh kimike për ndërtim.

5- Vjollca Hoxha 
Gruaja e të ndjerit Dritan Hoxha, themelus i Top CHannel, Top Media dhe Digitalb, Vjollca Hoxha, zyrtarisht rezulton pronare me 8 për qind të televizionit kombëtar Top Channel. Ajo është pronare edhe me 10 për qind në Digitalb, 6 për qind të aksioneve të kompanisë celulare Plus; 20 për qind të aksioneve të Valtellina, kompania e shitjes së Lori Caffe, si dhe një të pestën e Video Grafic Agency (VGA), që merret me prodhim e publikim reklamash.

6- Shefqet Kastrati 
Rezulton zyrtarisht pronar me 100 për qind të aksioneve të Kastrati Sh.a (Shoqëri Aksionere), kompani që merret me prodhim biokarburesh nga burime te rinovueshme si vajra vegjetale etj., si dhe të Kastrati Shpk që merret me import, eksport, tregti me pakicë të karburanteve, lëndëve djegëse, transport karburanti e mallrash, veprimtari në fushën e ndërtimit. Bar - Restorant, Hoteleri dhe Tregti me pakicë. Kastrati është pronar edhe i kompanisë së sigurimeve Albsig (Alb-Siguracion) me 73 për qind të aksioneve; Continental Group Sha me 50 për qind, kompani që merret me import, tregti produktesh hidrokarbure, traport hidrokarburesh dhe te tjera; 17 për qind të aksioneve të Kastpetrol, ndertim impiantesh per tregtim dhe përpunim hidrokarburesh; 49 për qind të Greeen Fuel, prodhim biokarburesh nga burime te rinovueshme si vajra vegjetale etj.; 50 për qind të Murataj, tregtim te mjeteve te transportit, prodhim te produkteve bujqësore, te qumështit dhe te nënprodukteve te tyre, mishit dhe te nënprodukteve te tyre, etj.;

7- Grigor Joti
Është pronar me 100 për qind të aksioneve të InveG që merret me ndërtim dhe rikonstruksion, si dhe 80 për qind të aksioneve të Infosoft Group. Kjo është kompania më e madhe e menaxhimit dhe shitjes së produkteve kompjuterike në Shqipëri.

8- Edmond Leka 
Është pronar me 35 për qind të aksioneve të të Unionit Financiar Tiranë që kontrollon të gjitha pikat e Ëestern Union në vend. Gjithashtu është pronar edhe i 2 për qind të aksioneve të bankës Union Bank.


9- Vilma Nushi

Është një ndër të paktat femra që rezultojnë në më të pasurit e vendit dhe e dyta zonjë në “Top 10”. Është pronare e 100 për qind të aksioneve të Marketing Distribution. Kontrollon Duty Free Shop dhe ka aktivitet të gjerë të tregtimit të mallrave të ndryshme. Është pronare edhe e gjysmës së aksioneve të kompanisë farmaceutike, TRIMED.

10- Ramë Geci 
I dhjeti në listë është Ramë Geci. Ai rezulton pronar me 100 për qind të aksioneve të Geci shpk, kompania që kontrollon hotelin Tirana International në kryeqytet, hoteli më i madh në Shqipëri, me katër yje.

Fondacioni që kreu hulumtimin e detajuar nuk ka publikuar shifrat e pasurisë së milionerëve shqiptarë, mes tyre edhe dy femra. Besart Kadia, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike, i pyetur nga IBNA pse nuk u bënë publike shifrat, pohon se ato janë të disponueshme, por është marrë vendim që sivjet të mos publikohen pasi vlerësohet si e nevojshme që siguria e shifrave të jetë 100 për qind

BALKANWEB

Të varfrit, të cilët shtohen në përpjestim të drejtë me rritjen e pasurisë së këtyre individëve, nxjerrin shumë justifikime të gjetura për të ngushëlluar vetveten, si në rastet e fotos së mëposhtme. (S.I)

Ja kush janë 10 njerëzit më të pasur në Shqipëri!

What's that ?

Na ishte se ç'na ishte

Na ishte njëherë e një kohë kur nuk e njihnim dhe nuk na interesonte politika. Nuk na interesonte pamja e ngjyra e tjetrit. Përkatësia fetare dhe asgjë tjetër që na ndante s'përbënte temë diskutimi.
Ishim bashkë, vajza e djem, gjithë kohës, qëndronim përkrahu dhe ndjeheshim motra e vëllezër. Ziheshim dhe me një të lidhur gishtash pajtoheshim sikur të mos ishim zënë asnjëherë.
Rrinim gjithë kohës jashtë dhe nuk kishim nevojë për lekë e madje as për lodra. Ato do ti krijonim vetë.
Gjëja më e mërzitshme në televizor ishin lajmet apo parashikimi i motit, sepse nuk na interesonte në ishte diell apo shi, ftohtë apo vapë.
Ishte kjo kohë kur gjumi na zinte duke u hedhur mbi krevat dopio e duke qeshur. Koha kur zgjimi vinte prej puthjesh.



Lojërat, ishin ngjarjet tona më serioze.

Ishte një kohë kur hidhje dhëmbin e vjetër e sorra nuk harronte të të sillte të riun.
Ishte koha kur gjumi i pasdites ishte një humbje kohe sa ishe i gatshëm edhe të shtireshe sikur po flije. Ishte koha kur dikush ishte më i madh, vetëm pse me të kishe një vit diferencë dhe ata që banonin në pallatin përbri, i përksinin një lagjeje tjetër.

Ishte koha kur në ditaret njëri-tjetrit shkruan fjalët më të bukura e premtimet për shoqërinë e përjetshme. Ishte koha kur kishe shokë shumë të ngushtë, madje disa në klasë e disa në lagje. Ishte koha kur koncerti organizohej në pak orë, të gjithë ishin artistë dhe të gjithë duartrokitës. Ishte koha kur ngopeshe, ndërsa bukën e ndaje me të tjerët.
Ishte koha kur pushimet verore ishin vertetë pushime dhe ti i lumturoheshe veshjes për herë të parë të rrobave të verës.

Ishte koha kur kërkoje probleme, për ti zgjidhur.

Ishte koha kur jeta ishte e bukur dhe ti kërkoje të rriteshe sa më shpejt. Ishte koha kur "Na ishte se ç'na ishte", ishte një përrallë e vërtetë.

Shkroi: Stop Injorancës !

E kish' gabim...

Punët nuk bëhen me b*thë! - thosh' populli.
E kish' gabim... (S.I) Shkendije Mujaj

Wednesday, June 4, 2014

Bashkë

Ai çift që kishin shkëmbyer bashkë qindra mijëra mesazhe, orëve të vona.
Ai çift që puthej pa u shkëputur për orë të tëra dhe që nuk linte rast ti shpëtonte pa i bërë çmendurirat edhe mes natyrës, në banjo shkollash e tavolina lokalesh. Ai çift që nuk humbiste rastin të shfrytëzonte një shtëpi bosh, apo që edhe 2 herë në javë shtrëngonte shpenzimet për të zbardhur netët hoteleve, ku zente gjithmonë dhomën me vaskë.
Ai çift që ecnin gjithmonë përdore dhe dushin e bënin përherë bashkë.
Po, po.
Ky është çifti që nëse nesër do nisin të jetojnë në të njëjtën çati duke ndarë të njëjtin shtrat, s'do të ndajnë më të njëjtat ëndrra.
S'do të zgjohen më duke u puthur dhe puthjet gjithmonë e më shumë do t'ua lënë vendin fjalëve. Do të zihen, shahen e do të mbajnë edhe mëri gjatë.
Mbi dashurinë, që i solli në ngritjen e folesë së përbashkët, do ti kushtohet rëndësi gjendjes së tyre financiare. Se e tillë është jeta me vështirësitë e saj.
Dhe ky është një cikël, që sido dhe sado herë që ta nisësh, do arrish përsëri në të njëjtin rezultat. Se emocionet kanë grafikët e tyre, me një pikënisje, një pikë kulminante dhe duke vazhduar me luhatje në një rënie konstante. Ashtu si edhe ne, kemi grafikët tanë të predispozitës për të provuar këtë lloj emocioni.
Me këdo të jeni në krahë e sado të dashuruar marrëzisht pas njëri-tjetrit të jeni, do të kaloni në të njëjtën rrugë dhe nuk është mjaftueshmërisht e arsyeshme të ndaheni, në çastin kur duhet të ndani përgjegjësitë.
Nëse do jeni me fat, dalëngadalë do të ndjeheni si vëlla e motër. E nëse nuk do arrini ta krijojni atë fat, si dy shokë trazovaçë..
Po ç'rëndësi ka?!
Natyra e ka bërë gjithçka të konsumueshme dhe ne na mbetet të kryejmë një përjashtim; respektin ndaj njëri-tjetrin.
Për respekt të asaj dashurisë së zjarrtë, për respekt të folesë së ngritur dhe sfidave të përballuara. Për respekt të ngritjes së një familjeje si qelizë e shoqërisë dhe edukimin e pjestarëve, si një pjesë integrale e saj.
Njeriu nga natyra është një poligam i lindur dhe implementimi me sukses i një monogamie, me të gjitha kundërshtitë e saj, është patjetër një sukses.
Jeto, rritu e plaku, bashkë!
Shkroi: Stop Injorancës !

Friday, March 28, 2014

Sipas teje, deri kur?!

Sipas moshës, ata ishin të dy shumë të rinj.
Sipas të dhënave djali ishte 24 vjeç dhe vajza diçka më pak.
Sipas vajzës, ai ishte çun mamaje që dëgjonte prindërit.
Sipas djalit, ajo nuk i donte prindërit e tij.
Sipas prindërve të djalit, ajo duhet të zgjidhte të jetonte me prindërit e djalit, ose të rikthehej të jetonte me prindërit e saj.
Sipas babait të vajzës, krushqit për prishjen e martesës meritonin të rriheshin.
Sipas nënës së vajzës, ata meritonin edhe plumbat e kallashit.


Dhe sipas gjasave kështu ndodhi.
Sipas hetimeve të Policisë, një divorc 2 javë para dasmës, përfundoi me vrasjen e krushkut si dhe plagosjen e dhëndrit dhe të një kalimtareje të rastit.

Sipas qytetarëve, kjo është kafshëri.
Sipas kafshëve, këto janë punë njerëzish.


Sipas shqiptaro-fobëve, këto janë vepra shqiptarësh.
Sipas gazetave, këto janë ngjarje interesante.
Sipas politikanëve, këto janë fajet e kundërshtarit.
Sipas ushtarakëve, këto janë pasojat e pajisjes së qytetarëve me armë, pas rënies së shtetit në vitin 1997.
Sipas sociologëve këto tregojnë dramën e familjes shqiptare.
Sipas ekonomistëve, këto janë efektet e krizës ekonomike.
Sipas arsimtarëve, këto janë efektet e mungesës së dijes e kulturës.
Sipas kohës, dramat e tragjeditë shqiptare përbëjnë ngjarje të rëndomta.

Sipas teje, deri kur?!

Shkroi: Stop Injorancës !

Filloi?

Pas shumë e shumë diskutimeve të gjata, të flakta, të ashpra, me tone banale apo kërcënuese nëpër të gjitha arenat virtuale, fatkeqësisht konflikti duket se po rrëshket atje në terren, në realitetin tonë të përditshëm.

Eshtë një konflikt që nuk ka qenë kurrë traditë e shqiptarit, të cilit nuk i është dashur feja për ta dalluar prej të tjerëve.
Nuk është traditë e shqiptarit që gjithmonë e ka përdorur fenë si gunë për t'u mbrojtur, apo siç thotë në kujtim e saj Edit Durham pasi viziton Ballkanin e mbërrin në Shqipëri: "Më në fund shpëtova nga njerëzit Zotkrijues".

Kështu ia arriti shqiptari, i cili për hir të së vërtetës nuk shquhet për tolerancë, të jetë shembulli botëror i tolerancës fetare, pikërisht duke mos qenë fetar, duke mos e trajtuar fenë më seriozisht sesa një festë më tepër.
Dhe kjo është arsyeja pse aq lehtë shqiptari hiqte dorë nga feja e tij, sepse pragmatizmit të shqiptarit, ajo nuk i vlente asgjë.
Kështu hoqi dorë nga Krishtërimi, kështu hoqi dorë edhe nga islami.
Sepse kurrë feja nuk ka arritur të depërtojë në botëkuptimin e pasur e të lashtë të shqiptarit.
Kështu madje shqiptari nuk e kishte fare problem që të ndalonte edhe vetë fenë, siç nuk na ndodhur në asnjë vend në botë. Shqiptari ka besuar në Zot, apo në shumë Zota, por jo në përfaqësuesit e tij të vetëshpallur këtu në tokë.
Kjo ndikuar edhe prej faktit se dogmat fetare kanë ardhur tek shqiptari për ti tjetërsuar gjuhën, traditat, ritet, zakonet, emrat, folklorin.
Pasuri të cilat shqiptari i ka trashëguar shumë më të pasura e të vyera nga e kaluara e tij.

Por fill pas viteve 90' në Shqipëri vërshuan qindra e qindra misione të ndryshme fetare, që shqiptari i varfër e mikpritës, ua hapi krahët dhe i pranoi me bujari.
E kështu dalëngadalë, shtyrë nga urrejta për sistemin e kaluar, ndihmuar nga mungesa e shtetit, nxitur nga varfëria, nga indiferenca apo në disa raste edhe padija, shqiptari i pas viteve 90' filloi një indoktrinim masiv.

Shqipëria Ateiste e pas viteve 90' ishte një tokë e virgjër, për plot 245 grupe organizatash dhe fondacionesh fetare (34 organizata islamike dhe 189 organizata protestante) të cilët të etur e vaditën tej për tej.

Dhe sot pas 2 dekadash kanë nisur të lulëzojnë frutat e para, për të sjellë atë që kemi parë se ekziston në të gjithë botën, urrejtjen fetare, ndarjen, përçarjen, sulmet e dhunshme, terrorizmin.

Dhe fajtorë për këtë situatë janë fillimisht politikanët, që duke ngritur plot hipokrizi Kupën e Tolerancës, lejuan një indoktrinim të dhunshëm të shoqërisë shqiptare.
Janë mediat që kurrë nuk guxuan ta ngrenë si shqetësim që po preken figurat kombëtare, që po përbalten rilindasit, që po indoktrinohen fëmijët, që po abuzohet në emër të ndihmës edhe pse plot dëshirë televizionet e radoit jepnin papushim dokumentarë propogandues, që binin plotësisht ndesh me dijen që marrin fëmijët në shkolla.
Fajtorë janë gjithashtu ata besimtarë tradicionalë (nuk ekziston si term, por nënkupton besimtarin shqiptar për sy e faqe), të cilët kanë justifikuar në emrin e besimit në Zot, çdo ekstremizëm e devijim të shfaqur, apo edhe më keq, zgjidhnin të heshtnin.

Nesër, ditën e premte të 14 Marsit, të një feste pagane tashme të ringjallur si traditë e zyrtarizuar në të gjithë Shqipërinë, në Ditën E Verës (Rilindjes së Natyrës) disa qindra apo dhe mijëra qytetarë shqiptarë që mallkojnë Qeverinë shqiptare dhe nuk ua bën syri tërr as për Policinë, janë të gatshëm e të motivuar për të dalë në Protestë kundra arrestimit të një imami, i cili akuzohet që ka dërguar mbi 50 shqiptarë të luftojnë në Siri dhe ka bërë thirrje për një Shtet Islamik dhe Ligjin e Sharias.

Urojmë që edhe kësaj here pragmatizmi shqiptar të fitojë, por mjaft me indiferencë. Një ditë mund të jetë vërtetë vonë.

Shkroi: Stop Injorancës !