Në vitin e gjashtë janë të gjithë të lirë. Ata
që gabuan për arsye teknike, i ka nxjerr gjykata, ata që firmosën për
arsye politike, nuk u dënuan kurrë, ndërsa ata që e nisën biznesin në
emër të pushtetit të Familjes, ende nuk janë pyetur.
Historia e
tragjedisë së Gërdecit është nga ato ngjarje që ndajnë në dy pjesë
historinë e një shoqërie dhe një pushteti. Ngjarje të tilla fiksojnë
kufirin mes pushtetit të krimit në politikë dhe shoqërive të lira, por
ndajnë dhe kufirin mes lirisë dhe dinjitetit brenda një grupi politik
dhe nënshtrimit para autoritarizimit dhe duarve të përgjakuara të një
familje në pushtet.
1. Sali BerishaHistoria
e fshehjes së këtij krimi ka nisur pak minuta pas tragjedisë në zyrën e
kryeministrit Sali Berisha. I njoftuar për tragjedinë, ai ka nisur me
kujdes fshehjen e provës së parë dhe më të rëndë kundër tij, praninë e
baxhanakut të vet, tashmë si viktimë në këtë tragjedi. Komunikata e parë
për shtyp e tij përmendte emrin e baxhanakut, por të ndryshuar, nga
Muhamet Hoxha në Mehmet Hoxha. Në pamjen filmike të transmetuar
publikisht dhe të lexuar me zërin e tij, vërehet një pauzë para se të
përmendë emrin dhe me qetësi e lexon Mehmet në vend të emrit Muhamet.
“Deri
tani janë identifikuar emrat e 3 viktimave: Rajmonda Tudi, 40 vjeç,
Mehmet Hoxha, 59 vjeç, Jetmir Kolloshi, 19 vjeç, ndërsa dy nga viktimat
janë ende të paidentifikuara. 4 prej tyre janë gjendur në vendin e
shpërthimit dhe një tjetër më tutje”.
Përpjekja e tij që në
momentet e para të tragjedisë për ta devijuar të vërtetën larg tij dhe
familjes se tij, ishte dhe mbeti linja politike qe po varros ketë të
vërtetë.
Këtë “ngatërresë të qëllimshme emri”, Berisha e përdori
dhe dy ditë më pas në sallën e parlamentit të Shqipërisë. Edhe pse
familja e tij ishte familjarizuar me tragjedinë, edhe pse gruaja e tij
Liri Berisha dhe dy fëmijët e tij ishin në ceremoninë e varrimit të
baxhanakut të tij, ai vazhdonte të sillej sikur nuk e njihte Muhametin.
Berisha,
një bashkëshort shembullor dhe i dhënë pas lidhjeve familjare të gruas
së tij deri në detaje, po përpiqej të paraqitej para shqiptarëve ashtu
siç nuk është, si një njeri që nuk njeh baxhanakun e vet.
2. Liri BerishaPërpjekjet
për ta mbajtur larg familjes së tij këtë histori, i zbulon pa dashje
gruaja e tij në intervistat e saj publike. Liri Berisha bëri tentativën e
parë për ta rrëfyer gabim këtë histori.
Në një intervistë dhënë
gazetës “Panorama”, në datën 15.04.2008, zonja Berisha thotë se ajo dhe i
biri i saj nuk ia kishin treguar Sali Berishës faktin që ai kishte një
baxhanak, që punonte në Gërdec dhe që ishte nga të vrarët mes viktimave.
Ja
si e përshkruan ajo momentin kur është ndjerë keq që Berisha nuk dinte
gjë për baxhanakun. “Problemi ishte se ai nuk pati rast ta takonte
asnjëherë. Ata (motra me të shoqin), kishin vetëm tre muaj që kishin
ardhur. Saliu lexonte emrin aty dhe unë thosha: “E zeza, si nuk ia kemi
thënë!” Ato kohë kishim trevjetorin e vdekjes së mamasë dhe kishim
menduar që ta linim për më vonë prezantimin familjar me njerëzit e
familjes. Isha unë ajo që ia caktova si detyrë tim biri t’ia shpjegonte
situatën” (“Panorama”, 15 prill 2008).
Shpjegimi i zonjës Berisha
ka disa mangësi thelbësore. Mangësia e pare ka të bëjë me vetë imazhin e
familjes Berisha dhe marrëdhëniet perfekte që ata kanë si çift. Çifti
Berisha shquhet për raporte shumë të sinqerta me njëri-tjetrin dhe
marrëdhënie shumë të mira. Në një raport të tillë familjar, që kurrsesi
s’mund të besojmë se është hipokrit, nuk mund të ndodhë që zonja Berisha
të mos i ketë folur asnjëherë burrit të saj për baxhanakun, i cili po
punonte në një punë që e kishte rekomanduar djali i tyre. Por hijet e
dyshimit rriten më poshtë, kur zonja Liri Berisha tregon se si ka mësuar
që kunati i saj po punonte në Gërdec. “Kur një ditë shkojmë në varreza
te prindërit, e pyes motrën nëse i shoqi kishte filluar punë dhe ajo më
tregoi se po punonte diku afër Marikajt. Kur e pyes se çfarë bën, ajo mu
përgjigj: “Mban ca arka municionesh”. Është i kënaqur me punën? – e
pyeta. “Jo dhe aq, mban ca arka, por do të rrijë veç pak, sa të gjejë
një punë tjetër më të mirë”. Në kohën që vdiq, kishte marrë vetëm dy
rroga”. (“Panorama”, 15 prill 2008).
Kjo deklaratë e zonjës Liri
Berisha bie ndesh me deklaratat e motrës së saj, Vjollca Hoxha, (Rama) e
veja e Muhamet Hoxhës vrarë në Gërdec. Zonja Hoxha, e cila duket se ka
qenë në periferi të përfitimeve nga pushteti i kunatit të saj, e tregon
ndryshe historinë. Në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” më 15 qershor
2008 ajo thotë se burri i saj ishte kthyer në Shqipëri që në muajin
nëntor, kurse ajo vetë që në fillim të vitit 2007, dhe jo siç thotë Liri
Berisha, “ata (motra me të shoqin) kishin vetëm tre muaj që kishin
ardhur”. Vjollca Hoxha (Rama), motra e Liri Berishës, në një intervistë
ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, rrëfen se ishte kthyer në Shqipëri në
qershor të 2007 për të vizituar familjarët, dhe se në Shqipëri e mbante
një operacion që duhej të kryente, pasi kishte këputur meniskun. Më pas
kishte ftuar dhe Muhametin të kthehej në Shqipëri, derisa të
përfundonte operacioni.
Nga ana tjetër, të dy motrat nuk bien
dakord për faktin se a kishin dijeni ato për punën që bënte i ndjeri
Muhamet Hoxha. Vjollca tregon se nuk e dinte që bashkëshorti i saj
punonte në një fabrikë demontimi të armëve: “Po si mendoni ju, që po ta
kisha ditur, do lejoja që im shoq të punonte aty? Unë me të vërtetë
s’jam e pasur, kam punuar si gjithë shqiptarët e tjerë nëpër Evropë, tri
punë në ditë, nga kuzhiniere te pastruese, por nuk isha duke vdekur nga
uria që të lejoja që im shoq të punonte aty, në mes të rrezikut”, thotë
gjatë intervistës së saj Vjollca Hoxha (Rama). (“Gazeta Shqiptare”, 15
qershor 2008).
Ndryshe nga kjo, zonja Liri Berisha në intervistën
e saj thotë: “Kur e pyes (motrën) se çfarë bën (burri), ajo m’u
përgjigj: “Mban ca arka municionesh””. (Gazeta “Panorama”, 15 prill
208). Këto lajthitje të zonjës Berisha në intervistën e saj publike për
Gërdecin dëshmojnë se ajo, ose nuk është e sinqertë me opinionin publik,
ose nuk ka qenë e sinqertë me motrën e saj dhe bashkëshortin e saj,
Sali Berisha.
Motra e saj provon se ka qenë me burrin në Shqipëri
prej vitit 2007 dhe se nuk e ka ditur se burri i saj punonte mbajtës
arkash municionesh. Dëshmitë rreth Gërdecit dhe hetimet e bëra nga
prokuroria provojnë në të vërtetë që Muhamet Hoxha nuk mbante arka, por
numëronte arka dhe ishte një lloj përgjegjësi në këtë punë.
3. Shkëlzen BerishaNdërkohë
që Berisha gënjente publikisht për emrin e baxhanakut të tij, duke
shpresuar se shqiptarët nuk do ta mësonin këtë të vërtetë, i biri i tij,
Shkëlzen Berisha, fliste në telefon me Mihal Delijorgjin. Tabulati i
zbardhur prej Prokurorisë provon se Shkëlzen Berisha ka folur në orën
12:48 minuta në telefon me Mihal Delijorgjin. Biles nëse i hedh një sy
tabulateve të Mihal Delijorgjit, shikon se njerëzit më të afërt me të
cilët ai ka ndarë shqetësimin për tragjedinë që ndodhi në 30 minutat e
para, janë gruaja e tij, kunati dhe Shkëlzen Berisha
Pra.
siç shihet, që në orët e para të tragjedisë kemi patur një përfshirje
direkt të familjes së kryeministrit për të fshehur rrethanat që kjo
histori i lidh me ta.
4. Fatmir Mediu
Po
si është përfshirë djali i kryeministrit në këtë histori? Është e
vështirë ta ndash ku mbaron të qenit e tij si pronar real i këtij
biznesi dhe ku ka qenë thjesht ndërmjetës. Ata që e njohin nga afër para
shpërthimit, dëshmojnë se ai fliste hapur për këtë biznes, biles shpesh
i shqetësuar që administrata e babait të tij nuk e ndihmonte sa duhet
të bënte dokumentacionin gati.Shoqëria e tij me Fatmir Mediun në ato
muaj ka qenë publike. Ata ishin bashkë në zyrë, në Sheraton, në makinë,
në restorant. Sipas dëshmive që dalin nga blloku i sekretares së
Ministrit, rezulton që Shkëlzen Berisha për një periudhë të shkurtër të
ketë qenë aty mbi 50 herë.
Këto blloqe autentike argumentojnë çdo
kundërshtim që mund të vije në vazhdim në lidhje me përfshirjen tashmë
të provuar të zotit Berisha në aferën e Gërdecit. Këto dy blloqe kanë
të dokumentuara dhe të faktuara të gjitha vizitat “për kafe” që ka bërë
në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, të Shkëlzen Berishës.
Të gjitha takimet kanë të shënuara datat përkatëse dhe personat
përkatës.
Nga
marsi 2007 deri në mars 2008 zoti Shkëlzen Berisha de facto ka pasur
një zyrë të tijën në institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Pesë nga
shume bisedat që janë bërë mes zotit Shkëlzen Berisha dhe drejtuesve te
tjerë të Ministrisë duke përfshirë dhe Ministrin e Mbrojtjes janë
incizuar me gadget regjistrues nga dy prej të pandehurve, njeri prej të
cilëve ndodhet në gjendje arresti, por këto materiale janë zhdukur dhe
nuk i janë dorëzuar prokurorisë.
5. Aldo Bumçi Lobimi
i tij në këtë heshtje shihet qartë edhe tek mënyra se si ka raportuar
Ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, në adresë të tij për komentet e
vendimit të qeverisë që do t’i hapte rrugë demontimit. Ky është dhe
fakti më komprometues që lidh direkt djalin e Kryeministrit me këtë
biznes, ku ministrat janë thjesht ushtarë raportues të tij.
Nga
faksi i Ministrisë së Drejtësisë në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes,
Bumçi ka nisur komentet e vendimit në një kopje për Shkëlzen Berishën.
Edhe pse tri dite më parë e kishte nisur shkresën zyrtarisht, një
fotokopje të saj ka bërë kujdes t’ia nis në një zyre të asaj ministrie
ku Shkëlzen Berisha ishte bërë familjar, me faks. Edhe pse Bumçi e
Berisha u përpoqën ta përgënjeshtrojnë faktin, sekretarja e Bumçit e
konfirmoi atë në prokurori.
6. Rrahman Selmanllari
Një
tjetër dëshmi e fortë që Shkëlzen Berisha ishte pronari real këtij
biznesi, ishte Rrahman Selmanllari, një mik i vjetër i tij, i cili e
përdorte shpesh si mbulesë e veprimeve të tij si sekser.
I thirrur nga prokuroria, Rrahman Selmanllari pranon se ka miqësi me Shkëlzen Berishën, por mohon të ketë lidhje me Gërdecin.
Dëshmia
e tij është e rreme, por ai nuk është marrë i pandehur për këtë. Së
pari kemi dëshminë e kunatit të tij që punonte në atë që quhej “Grupi
hije” në Gërdec dhe që ishte një grup special që nuk i jepte llogari
askujt.
Pra dëshmia e Selmanllarit që nuk ka lidhje me Gërdecin,
dhe që nuk njeh askënd që punon aty, hidhet poshtë nga dëshmitë e
njerëzve të tij që e pranojnë se janë punësuar aty për shkak të tij.
Ekziston një dokument që provon se Rrahman Selmanllari ishte i
autorizuar i kompanisë amerikane SAC që po instalonte fabrikën e
demontimit.
Njeriu i Shkëlzen Berishës ishte personi kyç që
drejtonte gjithë punën në Gërdec dhe ende sot nuk është thirrur nga
gjykata për dëshmi të rreme. Po ashtu nuk është thirrur as nga
prokuroria, as nga gjykata Shkëlzen Berisha.
Nuk janë thirrur në
prokurori as pronaret e firmës Trans Digging Construction, që është
firma e cila ka kryer punimet për ndërtimin e fabrikës së Gërdecit.
Pronarë të kësaj firme janë Delijorgji, vajza e Fahri Balliut dhe dy vëllezër me mbiemër Mata.
Kjo
kompani ka vepruar veç të tjerash pa leje ndërtimi dhe me arrogancë në
prishjen e ndërtesave ushtarake çfarë tregon se ka pas mbrapa mbështetje
të fortë politike. Aksionerët e saj nuk u thirrën asnjëherë nën hetim,
duke u injoruar kështu zanafilla e këtij projekti politik.
Mero Baze - Gazeta Tema