Tuesday, January 12, 2010

Të qënit tiranas !

Të rrimë shtrembër e të flasim drejt: të qenët tiranas do të thotë që jo vetëm të sheshës pordhë, por edhe të t'i blejnë me qejf ato. Të buzëqeshin gocat konviktore nëpër party dhe të gjujnë çunat e gjatë, me fakultete dhe me komplekse nga rrethet. Të qenët tiranas të vesh me një shtëllungë "coolness"-i kudo që shkon, që ndryshe do të të duhej punë ta kishe fituar. Të qenët tiranas, (ose të prezantuarit si tironc, se ndryshe s'quhet) të lejon që të flasësh me njerëz që ndryshe do të të klasifikonin një klasë më poshtë në shoqëri dhe që do të të flisnin me pikatore.




Të qenët tiranas të jep një status të cilin e duan shumë veta me ose pa pahir, prandaj pas çdo prezantimi me shqiptarë, linja e prejardhjes tënde do të ndahet më katërsh e pastaj më tetsh derisa bashkëfolësi të gjejë ose një cen në biografi ose të bindet se "pedigria" jote është më e pastër se e tija.

Të qenët tiranas do të thotë të mos jesh nga Kamza, Vora, Bathorja, Alliasi, Qyteti studenti, Kombinati dhe disa herë edhe Ali Demi. Duhet të kesh lindur në Tiranë, mundësisht nga prindër që edhe ata kanë lindur në Tiranë. Duhet të mos flasësh për kushërinjtë nga Petrela, Peza, Fieri, Bilishti, Tropoja, Puka, Fushë-Kruja, Lushnja, ose Peqini. Lejohet përmendja e farefisit nga Elbasani, Dibra, Korça, Shkodra, Vlora, (hajt mo) edhe Durrësi. Përmendja e Beratit, Përmetit, Sarandës, Lezhës, Çamërisë dhe Krujës kanë efekt neutral. Nëse nuk kam përmendur krahina të tjera këtu, do të thotë se ato nuk egzistojnë në hartën gjeografike të prejardhjes së tiranasve.


Të qenët tiranas do të thotë të dish të orientohesh qoftë me Vorrin e Bomit, qoftë me vilën e Havarrve, qoftë me Kristalin. Të qenët tiranas do të thotë që e di që Sqepi ka qenë aty ku u bë Rogneri më pas dhe pastaj lëvizi mbrapa Arteve. Të qenët tiranas do të thotë ta kesh njohur Parkun Rinia para se të ndërtohej e të shkatërrohej Santa Luçia për t'i lenë vendin Tajvanit. Të qenët tiranas do të thotë të dish të gjitha rrugicat në pëllëmbë të dorës dhe të mos humbësh kur dikush të thotë "Shifna ke Hoxha Tahsini ose ke Shkolla Kuqe".

Të qenët tiranas do të thotë të dish kur ta shkëmbesh"a"-në me "o" (i.e. "Asmon"), të hash "ë"-të atje ku duhet, si edhe të kuptosh ndryshimin ndërmjet "ç'kemi" dhe "ç'kina". Të qenët tiranas do të thotë që fjalët "lal" "rrusho" "çun flori" "llakum" "katnar" të të rrëshqasin nga goja pa u përtypur. Të qenët tiranas do të thotë që gjyshen ta kesh thirrur "ije" e gjyshin "tate".




Të qenët tiranas do të thotë ta dish pse Blloku e ka atë emër, dhe faktin që xhiroja ka dalë nga moda andej nga 1990. Të qenët tiranas do të thotë ta kërcesh Napolonin duke i ardhur rrotull partnerit, dhe jo dorë për dore me të dhe valltarët e tjerë. Të qenët tiranas do të thotë t'i dish komplet fjalët e "lake bubulakes" dhe jo t'ia bësh "nër, nër nër" nëpër dhëmbë kur këngëtari shqyen bulçitë. Të qenit tiranas do të thotë të hedhësh lekë me shumicë, vetëm atëhere kur kërcen nusja me dhëndrrin, jo kur kërcejnë plakat e lagjes.

Mund të kesh lindur tiranas, mund të bëhesh tiranas, mund të jesh tiranas aktualisht, mund të jesh tiranas me korrespondence. Nuk mund të jesh tiranas kur përpiqesh më shumë se ç'duhet, kur mohon rrënjët e tua ose kur mërzitesh me të tjerët. Tiransit e vërtetë janë të njohur për mosqejfprishje, pilaf, raki, valle e këngë. Ata ofrojnë miqësi shpejt dhe e respektojnë mikun, ata shtrojnë "bukë e kryp e zemër" dhe i duan fëmijët e tyre në çdo aspekt, pa i rënduar me ambicje elbasanllie, fiksime korçare, xhentil-llëk shkodran, ndërgjegjësim lab, zjarr tropojan ose mprehtësi dibrane. Ata i mësojnë djemtë të kenë zanat e të bëhen burra të mirë, të dashur me fëmijët e gratë e tyre, ata i mësojnë vajzat të jenë të urta e t'ia dinë shtëpisë pa u bërë rrogoza për burrat e tyre, gjithashtu t'i duan fëmijët, vjehrrit e vjehrrat kunetërit, kushërinjtë e komshinjtë që u hyjnë e dalin.




Të qenët tiranas do të thotë të jesh qytetar i ndërgjegjshëm e i respektueshëm i këtij qyteti, që i do rrugicat e veta dhe pastërtinë e qytetit të tij, që nuk e vret trunin për gjë n'bot përveç mbarëvajtjes së familjes së vet dhe qejfit pas punës së lodhshme por të ndershme që kryen. Të tjerat ua le politikanëve dhe njerëzve që dinë të bëjnë para me "tiransllëkun" e tyre.


Bletë, peshkupauje

Monday, January 11, 2010

Çiftet pas 6-vjetësh...

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që njerëzit pasi kalojnë shumë kohë bashkë, miqësohen e njihen me të metat e virtytet e tyre dhe njëkohësisht shkelin mbi atë respektin, përkujdesjen dhe etikën ndaj njëri-tjetrit. Bazuar në këtë logjikë kaq natyrale, që ndodh me të gjithë, më poshtë janë improvizuar disa situata në periudha të ndryshme kohore, mes partnerëve. Thjesht pak humor.


1. TE DUA


Javën e 6-të: Të dua më shumë se jetën time.

Muajin i 6-të: Nuk ka asnjë tjetër veç teje.

Vitin i 6-të: Nëse nuk do të doja, nuk do duroja xhelozinë tënde.



2. TE ARDHURIT NE SHTEPI

Javën e 6-të: E dashur erdha unë.

Muajin e 6-të: Hë, ça bëre ?

Vitin e 6-të: Akoma s'qenka bërë dreka gati ?



3. TROKET DERA

Javën e 6-të: Mos u mundo, e hap unë derën.

Muajin e 6-të: Ta hap unë derën?

Vitin e 6-të: Do e hapësh apo jo atë dreq dere


4. TELEFONI

Javën e 6-të: Zemër po të bie telefoni.

Muajin e 6-të: E çdo që të merr në këtë orë ?

Vitin e 6-të: Vëre me "vivavoçe" ta dëgjoj edhe unë.


5. FEMIJET

Javën e 6-të: Dua 5 fëmijë ?

Muajin e 6-të: Mos nuk bën fëmijë ti ?

Vitin e 6-të: I paske ngjarë komplet rracës së mamit tat.


6. PLANE PER PUSHIMET

Javën e 6-të: Këtë verë do të të çoj në Venecia.

Muajin e 6-të: Ishte bërë një hotel i paparë në Golem.

Vitin e 6-të: Eshtë shumë vapë, rrimë në shtëpi rehat fare.



7. DHURATAT

Javën e 6-të: Shpresoj të të pëlqejë kjo unazë.

Muajin e 6-të: Mora nje kornizë, a kemi ndonjë fotografi që ta varim në mur ?

Vitin e 6-të: Blej ndonjë gjë për vete me këto lekët...



8. SHKOJME NE KINEMA

Javën e 6-të: Cili film të pëlqen?

Muajin e 6-të: A shkojmë në kinema ?

Vitin e 6-të: Shko në kinema, mua më pëlqeu shumë !



9. PAKUJDESITE

Javën e 6-të: Mos u merzit shpirt se nuk ngel njollë.

Muajin e 6-të: Kujdes pra!

Vitin e 6-të: Sa e pakujdesshme qe je s'e kuptoj.



10. MENDIME TE NDRYSHME

Javën e 6-të: Ke një farë të drejte, pavarësisht se unë nuk mendoj kështu.

Muajin e 6-të: E ke gabim.

Vitin e 6-të: Ç'ia ke fut kot!



11. GATIMI

Javën e 6-të: Më pëlqen shumë të më gatuash.

Muajin e 6-të: S'paskam oreks, dalim hamë jashtë më mirë.

Vitin e 6-të: Prapë makarona paske bërë...na plase mo!



12. PIJET

Javën e 6-të: Çfarë dëshiron të pish shpirt ?

Muajin e 6-të: Sot nuk ke pirë kafe besoj.

Vitin e 6-te: Ka më bombla e gazit ? Bëje pra atë turken.



13. RROBAT DHE PAZARI

Javën e 6-të: Të shkoka shumë ky fustan.

Muajin e 6-të: A bleve fustan tjetër?

Vitin e 6-të: Sa lekë bëri ky fustan? Plot e ke dollapin, ku do i çosh më ?



14. ME FAL !

Javën e 6-të: S'ke pse kërkon të falur.

Muajin e 6-të: Të paktë kërko falje.

Vitin e 6-të: I ke apo jo sytë në ballë...



Forumivirtual, redaktoi Stop Injorancës

Mirdita, një shtegtim speleologjik

Për ata të cilët vlerësojnë natyrën, rrethi i Mirditës përbën një nga tërheqjet më të mëdha. Kohët e fundit ajo u vu në fokus të një shtegtimi turistik nga Forumi i Zhvillimit të Zonave Malore në Mirditë me mbështetjen e MADA-s, duke shërbyer si një lëndë edhe për studiuesit për të eksploruar më tej rreth kësaj pasurie historike që Shqipëria e ka tejet të veçantë dhe intriguese.

"Disa vite më pare, nëse e artikuloje turizmin speleologjik, do të të merrej si një kumt utopik, por që tash pas disa eksperiencash dhe guidash me shtegtarë vendas apo të huaj, po tregon se Mirdita është një vend ndjellës për resursin e vet turistik". Këtë e pohon studiuesi vendas, Ndue Dedaj.

Parandjenja e studiuesve prej herët në kohë dhe këtyre të kohëve tona, ka dalë më së miri pikërisht kur vizitorë të huaj apo vendas kanë parë me sytë e tyre këtë aspekt interesant të kësaj treve të veçantë në Veriun e Shqipërisë.

Shpella e Valit


Shqipëria është një vend unikal përsa i përket pasurisë speleologjike, kësaj jete të pasur "të nëndheshme", që e çojnë hipotezën deri në deduktimin e guximshëm shkencor se në viset shqiptare mund të jetë ndezur zjarri i parë në Evropë; ose që Shqipëria të ketë qenë ndër vendet e para në kontinent ku është ndezur zjarr.

Sa të rëndësishme janë shpellat në lëmin e studimeve historike?

Më tepër në lëmin e antropologjisë. Studiuesit thonë se shpellat dhe speleologjia janë burimi kryesor për zbulimet antropologjike. Njeriu jetonte në shpella dhe aty e ngjizi jetën, ndaj dhe studimet antropologjike nuk mund të nisen tjetër veçse nga studimi i qytetërimit të shpellave, thonë studiuesit, dhe në Mirditë gjendet burim i pashtershëm.

Mirdita, mal e shpellë !...

Por si asnjë krahinë tjetër në Shqipëri, Mirdita përmendet për shpellat e shumta unikale, si në Orosh (Shpella e Akullit me mbi 10 metra dëborë e brezuar), Shpella e Frashnit, Shpella e Stërçokëve - nga 15 deri në 150 metra thellësi), në Fan (Shpella e Batos ilir në Batra (Xhuxhë), me shkallë zbritëse, që thuhet se del në breg të Drinit, Shpella e Cicokëve nën Gurin e Nuses, që thuhet se del në Arrën të Kukësit, 4-5 km e gjatë, ku sipas një dëshmie gojore njerëzit kanë ecur me ditë për të dalë në anën tjetër, Shpella e Hoxhollit në Shëngjin, si dhe Shpella e Konajt, Shpella në Blinishtit etj., Guri i Kishës në Malaj në krye të fshatit, që kishte një si zgavër-shpellë ku mund të shtroheshin dy sofra burrash, dmth 24 vetë, nga ku kundrohej gjithë fshati), Shpella e Bozhiqit, Shpella e Fatmirave ose e Borës në Kurbnesh, për të ardhë tek ajo që e quajmë kurora speleologjike e rajonit të Mirditës; kompleksi i Shpellave të Valit në zonën e Kthellës. Përkufi me Shpellat e Valit është dhe Shpella e Nezirit që i përket Matit.

Studiuesi Ndue Dedaj thotë se interesant është dhe emri i kësaj shpelle "shtëpi", fjala vali (luginë) në trup të emërtimit, që e kemi në formë të përngjitur në emërtime të tjera si Valmir, Valmor, Valbonë etj. Studiuesit e përshkruajnë kështu këtë kompleks speleologjik: Në anën lindore të Mirditës, në një nga lartësitë e Perlatit/Bruçit gjendën tri shpella të njohura si Shpellat e Valit: Shpella e Këputës ose Valit (153 metra e gjatë), Shpella e Pëllumbave dhe Shpella e Blazit (me gjatësi 54 metra). Në shpellat e mësipërme janë gjetur gjurmë banimi që nga epoka e neolitit e deri në Mesjetë. Në gojëdhëna qyteza e Bruçit, ku përfshihen këto shpella, njihet me emrin "Qyteza e Skënderbeut". Mbase tri shpellat, për vetë pozitën e tyre të favorshme u përdorën dhe si vende për strehim (vendbanim i fortifikuar i përkohshëm) në kohë sulmesh armike.

Por Mirdita ka ruajtur dhe një nga kryemrekullitë arkitektonike në fshatin Domgjon rrëzë malit të Munellës të njohur si Gurra e Domgjonit, që përfshihet në një ansambël historiko-turistik me qytezën mesjetare. Uji që vjen nga thellësitë e nëntokës poshtë malit të Munellës ka qenë një begati që hershëm për banorët e këtyre anëve dhe sot e asaj dite përdoret për të pirë, për ujitje, por dhe për një minihidrocentral privat! Nuk është e vështirë të kuptohet se ndërtime të tilla lidhen me aftësitë e banorëve të lashtë (pirustët) në punimet me miniera. Ujësjellësi dhe kështjella janë përshkruar fillimisht nga arkeologu Bep Jubani, më pas skicuar dhe studiuar nga Apollon Baçe e Lazër Papajani dhe një studim i kohëve të fundit të studiuesit vendas Nikoll Loka.

Studime të hershme dhe të mëvona.

Sipas studiuesit Gjon Marku, studimet për shpellat nisin që prej mesit të shekullit XIX, me Hahn, Hekuard, Galandi, Durham, Nopça, Baldaçi, De Grand, Margraf, Kasanin, Ivanovna, Desniskaja etj., por që më pas vijojnë e marrin një vrull të fuqishëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar kur gjeologu i shquar profesor Anatoli Agustjeviç Zvjeruga, me origjinë izraelite i njohur si njëri ndër inxhinierët më të njohur të Uraleve e një nga më të njohurit në Bashkimin Sovjetik dhe inxhinierja e re Sonja Nikollajevna bëjnë objekt të studimit të tyre "Shpellën e Merkurthit", dhe atë të Valit. Nuk mund të lëmë pa përmendur atë të 11 qershorit të vitit 1963 kur në Mërkurth mbërrin një grup speleologësh bullgarë të cilët zbresin në thellësitë e shpellës së Mërkurthit dhe atë të Valit.

Zbulime tepër të rëndësishme të futura dhe në enciklopeditë evropiane bëri prof. dr. Peter Beroni - Sofie Bullgari, në fushën e biospeleologjisë, ai në këtë shpellë zbulon specien Albanotrechus Beroni. Ky zbulim shumë i rrallë është publikuar në buletinet më prestigjioze të Evropës. Ky dokument përbën një trashëgimi kulturore me vlerë dhe veçanërisht të çmueshme për Mirditën dhe Shqipërinë. Incizimet rupestre dëshmojnë për fillesat e artit të trashëguara nga një kulture primitive në këto treva në Blinisht të Mirditës. Ato janë dokumente të lidhura me zhvillimin e praktikave religjioze të njerëzve parahistorikë, të cilat përbëjnë një trashëgimi kulturore të prekshme. Natyrisht, këtu nuk mund të lëmë pa përmendur speleologun dhe paleontologun e njohur prof. dr. Anton Fistani, rektorin e Universitetit të Gjuhëve të Huaja në Nju Jork, i cili tronditi rrethet shkencore shqiptare me studimet e tij në shpellën e Gajtanit. Ky personalitet i shkencës shqiptare sjell dëshmitë e munguara edhe për shpellën e Blinishtit. Përsa i përket Blinishtit, ai dëshmon se në një shkëmb në Blinisht të Mirditës ka disa "vizatime" dhe ku rezulton se shkëmbi në fjalë i mbuluar me lëmyshk e likene kishte disa incizime të moçme rupestre. Tema e incizimeve mbizotëron me tri figurat antropomorfe dhe të atyre gjeometrike me shenjën e kryqit dhe trekëndëshit apo majës së heshtës. Tipologjikisht forma e vizatimeve në Blinisht ngjason mjaft me incizimet paleolitike të Aurignacenit të hershëm francez, të zbuluara në L'ile-de-France, J.L.Baudet (1950). Sipas një vlerësimi krejt paraprak, incizimet e Blinishtit i përkasin fazës fundore të paleolitit të sipërm dhe fillesave të mezolitit të hershëm.

E gjitha kjo është një pjesëz e vogël e shkëputur nga "ajsbergu speleologjik" që disponon Mirdita dhe që kohët e fundit u vu në fokus të një shtegtimi turistik nga Forumi i Zhvillimit të Zonave Malore në Mirditë me mbështetjen e MADA-s, duke shërbyer si një lëndë edhe për studiuesit për të eksploruar më tej rreth kësaj pasurie historike që Shqipëria e ka tejet të veçantë dhe intriguese.

Shekulli

GOBI ! Mistere lashtësie në shkretëtirë

Shkretëtira e Gobit është hapësira e dytë më e thatë e planetit, pas Saharasë. Shkretëtira më e madhe aziatike shtrihet mes territoreve të Kinës dhe Mongolisë, duke zënë një hapësirë të madhe sa Evropa Perëndimore.



Një det i vërtetë rëre... Mëkat që legjendat shumë të lashta dhe zbulimet e fosileve na rrëfejnë një histori të ndryshme nga ajo që shfaqet në udhëzuesit e arkeologjisë. Po, sepse në të vërtetë, mijëra e mijëra vjet më parë, Gobi ishte një det, madje një oqean i brendshëm më i madh se Mesdheu. Mes viteve 1920 dhe 1930, dolën në dritë, prej paleontologëve amerikanë disa eshtra të kafshëve mastodontike si dhe disa vezë fosile, por zbulimi më sensacional ishte me siguri ai i arkeologut rus, Pyotr Kuzmich Koslov. Gjatë disa gërmimeve arkeologjikë në qytetin Khara Khoto, profesori gjeti një varr shumë të lashtë ndoshta 18 mijë vjeçar. Mbi mure ishin të skalitur çifti i sovranëve të varrosur si dhe një simbol shumë interesant i formuar nga një rreth i ndarë në katër pjesë dhe me germën greke M, ose Mu. Ky qytet, sipas kolonelit britanik James Churchward, ishte në realitet mitiku Uighur, një koloni shumë e rëndësishme e kontinentit të zhdukur të Mu-ve.

Ky kontinent shumë i madh përfshinte shumë prej ishujve të sotëm të Oqeanit Paqësor, mes të cilëve ishujt Fixhi, Marianë, Ponape, Tonga, Karolinë deri tek ishulli i Pashkëve, siç dëshmojnë rrënojat e ndryshme megalitike që janë gjendur në thuajse të gjithë ishujt e Paqësorit. Këto rrënoja kanë mes tyre ngjashmëri mbresëlënëse; kjo të bën të mendosh se një herë e një kohë ato ishin pjesë e një toka të madhe unike, tashmë të zhdukur, dhe se ato që mbeten sot nuk janë gjë tjetër veçse majat më të larta të maleve që u përmbytën nga uji. Përveç legjendave, edhe rrëfimet e kinezëve tregojnë për një epokë shumë të largët në të cilën në këtë zonë, aty ku sot është shkretëtira, shtrihej Deti i Gobit në të cilin ndodhej një ishull i banuar “nga njerëz të bardhë, me flokë të verdhë dhe sy të kaltër”.

http://stopinjorances.blogspot.com/2009/10/aleksandri-i-madh-gjuha-burashaski-dhe.html



Edhe më i habitshëm është fakti që sipas këtyre rrëfenjave, ky popull antik erdhi nga qielli, zbriti nga i madhi “Yll i Bardhë”, emri që indianët dhe tibetianët e lashtë i vinin planetit Venus, dhe u kishin sjellë banorëve të vendit dije shumë të mëdha, dhe përpara këtyre banorëve të Mu. Në këtë ishull që ndodhej në Detin e Gobit, populli i lashtë i yjeve u vendos dhe ngriti një fortesë si dhe një qytet që lidheshin me tokën kontinentale përmes galerive nënujore. Mund të tingëllojë si fantashkencë, po të mos ishte për disa harta qiellore që janë gjetur në shpellat e Bohistanit, në të cilat shfaqet qielli i afro 13 mijë viteve më parë, bashkë me disa linja misterioze që lidhnin Tokën me planetin Venus. Në të vërtetë, koloneli anglez kish të drejtë, poshtë shtresës së qytetit ë zbuluar nga eksploruesi rus, ekzistonte një tjetër edhe më antik: bëhej fjalë për qytetin e Uighur, që sipas Churchward ishte i lashtë të paktën 15-19 mijë vjet! Dhe këtu gjendej ndoshta kryeqyteti i mbretërisë fantastike të priftit Gianni në vitin 200.


Nga galeritë që dilnin prej ishullit dhe shkonin në tokën kontinentale janë gjetur hyrje të ndryshme, ashtu si ka ndodhur në të gjithë botën, të zbuluara nga speleologë; megjithatë, ato janë eksploruar vetëm pjesërisht për shkak të shembjeve që kanë penguar kërkimet. Në disa prej këtyre galerive janë zbuluar objekte qeramike dhe qelqi, ku secila përmbanin nga një pikë mërkur. Disa objekte të ngjashme janë gjetur edhe në varret e zbuluar në Uzbekistan. Sipas shkrimeve të lashtë indianë, ky metal i lëngët shërbente si ndezës për mitiket Vimana, makinat e lashta fluturuese që përshkruhen në tekstet e Ramayanas së Mahabharatas dhe që mendohet se edhe sot e kësaj dite ndodhen në shpellat e mbretërisë së nëndheshme të Aghartit. Në fakt këtu, po ky tekst i lashtë indian thotë:
“... me zhurmën e madhe të zbritjes nga lartësi shumë të mëdha... u shfaq karroca e Bijve të Zjarrit... të Zotërinjve që erdhën nga Ylli i Shndritshëm. Ajo u ndal mbi Ishullin e bardhë të Detit të Gobit...”
Në vitin 1978, gjatë gërmimeve arkeologjikë në zonën e shkretëtirës kineze të Takla Makan, pikërisht në zonën e Uighurit, u nxorën në dritë mijëra mumie të ruajtura në mënyrë të përsosur falë klimës së thatë të shkretëtirës që u ka lejuar kufomave një mumifikim natyror. Ato janë afro 4 mijë vjeçare, por ajo që e bën trazues gjetjen e këtyre trupave, janë tiparet fizike. Në fakt, të gjithë mumiet kishin tipare perëndimore: lëkurë e bardhë dhe flokë biondë, ose të kuq! Gjatësia e tyre varion nga 1.70 në 1.80 metra dhe disa kanë mjekër.

Në momentin kur u gjetën, mumiet ishin të veshura me veshje të mëndafshta, çizme ose këpucë në këmbë dhe me gërsheta të ngjashëm me ato që mbanin dikur popujt keltë. Sipas arkeologëve, këto popullsi kishin emigruar nga Evropa apo nga zonat e Kaukazit, kishin udhëtuar përmes Azisë drejt Lindjes dhe ishin vendosur në shkretëtirën e Gobit. Mëkat që shkrimet e lashtë tibetianë dhe indianë rrëfejnë të kundërtën; rrëfejnë për popuj të zhvilluar që kishin ardhur, sipas rrëfenjave, nga yjet dhe u vendosën në këtë ishull që ndodhej aty ku në kohëra të largëta kish pasur një det të madh.



Një zbulim tjetër i jashtëzakonshëm mumiesh që ndodhi në vitin 2005 në Xiaohe, në pjesën perëndimore të liqenit Lop Nor, zbuloi ekzistencën e një kodrine me kolona të çuditshme sipër varreve. Nga 300 të varrosurit, kufomat e më shumë se 100 prej tyre ishin në kushte të përsosura: hapja e arkivoleve që kishin formën shumë të çuditshme të varkës nga ana e shkencëtarëve të Akademisë Kineze të Shkencave Sociale, zbuloi trupa burrash, fëmijësh dhe grash të ruajtura përsosmërish, madje edhe më mirë se sa mumiet egjiptiane: tiparet perëndimorë dhe mollëzat tipike të racës kaukaziane, bashkë me flokët e verdhë nuk ishin më trazues se sa fakti që lëkura e të gjithë mumieve ishte e mbuluar me një cipë ngjyrë e çelët e ngjashme me lëngun qumështor, ndoshta me qëllimin për ta ruajtur nga kalbëzimi (por pema e gomës, prej nga merret lëngu qumështor e ka origjinën në Amerikën e Jugut dhe nuk kuptohet se si mund të jetë përdorur nga popujt e Gobit, veç nëse klima ka qenë e njëjtë ose nëse ka pasur shkëmbime tregtare).

Analiza me karbon 14 tregoi se mumiet i përkasin vitit 1800 para Krishtit. Në fakt, deri disa shekuj më parë, siç tregojnë edhe fotografitë e satelitit Landsat, ekzistonin xhepa uji dhe lumenj, një ekosistem i lagësht i pasur me faunë edhe gjigande, që rritej falë rezervave të bollshme hidrike e që sot janë të nëndheshme apo që janë tharë.

E gjithë kjo tokë magjike, por edhe mistike është e mbushur me rrëfenja e legjenda, si ajo e gjeneralit legjendar Ban Chao që “mund të ecte në qiell dhe të lëshonte rrufe të gjelbra” dhe që është varrosur “pranë Njeriut të Nefritit” në shkretëtirën Takla Makan, një prej shkretëtirave më misterioze dhe të mbushura me legjenda, ku banorët thoshin se aty zbrisnin “demonët e qiejve”. Ky popull antik mendohet të ketë udhëtuar më pas dhe të ketë udhëzuar pjesën tjetër të botës, duke ngritur fshatra e qytete në Evropë dhe në të gjithë botën. Pra, nuk kishte arsye të vendoseshin mu në mes të një shkretëtire ndër më jomikpritëset e planetit; gjetja e galerive dhe rrënojave të qyteteve shumë të lashtë i jep të drejtë hipotezës që këtu, në një kohë të largët, klima dhe territori ishin tërësisht të ndryshme nga sa duken sot.

Për të mos folur pastaj, siç konfirmojnë dokumentet antikë, por edhe dëshmia e rrëfenjave tibetiane, të dijeve të lartësuara të sjella me vete tek popujt e kontinenteve sot të zhdukur të Mu dhe Atlantidës, që më pas këta të fundit ua kanë përcjellë etnive të tjera të botës. Mendoni për zbulimin e përpunimit të metaleve, apo dijet për teknologji të panjohura si rrota dhe karroja. Vetëm kjo mund të shpjegojë ngjashmërinë e monumenteve, të gjuhëve dhe të vendeve mes popujve të ndryshëm të Tokës. Prejardhja e kësaj race misterioze, që sipas shkrimeve të lashtë vinte nga planeti Venus, na kujtojnë dijet e Majave që sollën dije dhe njohuri të përfaqësuara në Kafkën e Kristaltë që u gjet në Belizë në vitin 1927 nga Anne Mitchell-Hedges.

Apo mbretin legjendar Inkas Viracoccha, i cili edhe ai kujtohej prej Inkasve si Perëndia me lëkurë të bardhë dhe me mjekër të kuqe, i skalitur në mitiken Portë e Diellit në brigjet e liqenit Titikaka në Bolivi. Imazhe të perëndive të bardhë me mjekër dhe flokë ngjyrë të hapur mund të gjenden edhe në Ishullin e Pashkëve. Pikërisht këtu, në vitin 1774, një natyralist me emrin Georg Foister e përshkroi si një tokë djerrë, pa vegjetim dhe e shkatërruar prej shpërthimeve vullkanikë. Në këtë ishull, studiuesi bëri takimin me popullsinë indigjene dhe u habit kur gjeti se disa prej tyre ishin me lëkurë të bardhë dhe flokë të kuq. Natyrisht që këta ishin pasardhës të atij populli antik të evoluar, imazhet e të cilit gjenden në shkëmbinjtë e ishullit dhe që mijëra vite më parë solli dije dhe njohuri në popujt e tokave polineziane.

Edhe këtu gjenden galeri misterioze gjigande nëntokësore që përfundojnë në det; ndoshta në lashtësi këta tunele përdoreshin për të shkuar nga njëra anë e ishullit në tjetrën, apo ndoshta për të udhëtuar nga një anë e planetit në tjetrën. Në fakt është i habitshëm fakti që janë gjetur pllaka druri me hieroglifë të ngjashëm me atë të Amerikës parakolombiane, apo shkrime të ngjashëm me ata të Luginës së Indos apo ato kelte.

Galeri të ngjashme gjenden edhe në Amerikën e Jugut, dhe që në fakt lidhen pikërisht me Ishullin e Pashkëve, por jo vetëm: ekzistojnë rrjete galerish në Peru që mendohet se lidhin Limën me Cuzcon deri sa mbërrijnë në Bolivi dhe ndoshta deri në Titicaca. Mendohet që këtu janë të fshehur thesaret e Inkasve, të cilët u masakruan nga konkuistadorët spanjollë. Galeri të tilla ka gjithashtu edhe në Hauai dhe në të gjithë Oqeaninë dhe këtu ato vazhdojnë deri në thellësi të Oqeanit. Të tjera gjenden në Kaliforni, në Kentaki (shpellat e famshme të mamuthëve që thuhet se janë një prej hyrjeve për në Agharti). Për këto flasin edhe Apashët: sipas legjendave, këto galeri shkojnë deri në Tiahuanaco dhe gjithmonë sipas rrëfimeve, thuhet se janë gërmuar nga qenie të ardhura prej qiellit, përmes dritave që thyenin shkëmbinjtë. Edhe në Evropë ekzistojnë rrjete tunelesh nëntokësore, disa prej të cilëve janë zbuluar dhe eksploruar vetëm për disa kilometra, si ai që lidh gadishullin Iberik me Marokun në Afrikë.

Kur u dëgjua të flitet për herë të shpella dhe galeri nëntokësore, mendohej se gjithçka ishte punë legjendash; më pas u mësua për zbulimet e kryer nga eksploratorët e parë, mes të cilëve Osendovski, i cili pasi kish pasur një takim me një Lamë në Tibet, pohoi se kishte parë një prej hyrjeve të këtyre galerive kolosale, ndërkohë që të tjera zbuloheshin pak nga pak kudo në botë nga eksploratorë të ndryshëm. Vetëm në vitet shtatëdhjetë, me eksploratorin e madh italian Peter Kolosimo u fillua të hyhej më në thellësi; dhe pas shumë zbulimeve nga ana e speleologëve dhe arkeologëve u mor konfirmimi se tashmë nuk bëhej më fjalë vetëm për legjenda. Pas nxjerrjes së mumieve të bardha nga Takla Makan, edhe legjenda e perëndive të bardha mori konfirmim, aq më tepër që, sipas shkrimeve antikë, ishin pikërisht këta që kishin mundur të gërmonin galeri të tilla kaq të mëdha.

Bëhej fjalë për eksplorues, më saktë rusë, të cilët arritën të pikasin të ashtuquajturin “pusin e fundit”, që ishte pjesë e një rrjeti shpellash të ndodhura në Azerbajxhan që tërhoqi vëmendjen e tyre. Prej kohësh, nga këto shpella dilnin ulërima, zhurma të mbytura e zëra të çuditshme. Pasi hynë në brendësi të tyre, eksploratorët vërejtën një dritë të çuditshme ngjyrë të gjelbër si dhe që këto tunele të çonin në drejtim të Kaukazit. Nga pikturat dhe skalitjet e gjetura aty poshtë menduan se bëhej fjalë për shpella prehistorike, por pasi i analizuan, befasia ishte më e madhe: bëhej fjalë për të tilla, edhe më antike. Rrëfimet e eksploratorëve të vjetër aventurierë pohojnë që disa prej njerëzve që kishin hyrë në galeritë e Mbretërisë së Aghartit kishin parë këtë dritë të gjelbër dhe nuk ishin kthyer kurrë më.

Kohë më pas u zbulua se ky rrjet tunelesh mbërrinte në sheshe të vegjël prej ku niseshin deri kur lidheshin me galeri nëntokësorë të shkretëtirës së Gobit; të njëjtat që një kohë lidhnin tokën me ishullin e Detit të Gobit! Dhe ndoshta këtu lidheshin me ishujt e paqësorit. Kur vëren gjithë këtë, nuk mund të mos mendosh se duhet të ketë qenë një punë ciklopike, e kryer nga një popull shumë i zhvilluar. Sipas shkencëtarëve, ky sistem galerish duhej të mbërrinte pikërisht në Kinë dhe në Tibet, tamam ashtu si pohonte edhe osendovski: në fakt, nga ajo që thonë murgjit tibetianë pikërisht këtu duhet të gjendet kryeqyteti i Aghartit, dhe që të gjithë tunelet të lidhin me pallatin e Dalai Lamës në Lhasa.

Fatkeqësisht, pavarësisht gjetjes së këtyre shpellave dhe galerive në të gjithë botën asnjëherë askush nuk ka arritur të vazhdojë për shkak të shembjeve të mëdha që kanë penguar hyrjen në to, dhe e gjitha për shkak të dimensioneve të tyre gjigande; herë të tjera janë penguar qëllimisht hyrjet nga njerëz që njohin vendndodhjen, apo thuhet se në raste të tjerë vetë banorët e nëndheshëm mund të kenë maskuar hyrjet. Dhe fatkeqësisht, deri sot askush nuk ka mundur ti shohë.

E gjithë kjo na bën të kuptojmë se sot njohim shumë pak territoret e Azisë dhe legjendat që flasin për popullsi të zhvilluara me lëkurë të bardhë si dhe galeri shumë të mëdha, të gjata me mijëra kilometra. Një lloj metropolitani botëror që përfaqëson ndoshta vetë ekzistencën e Mbretërisë së Aghartit dhe në sipërfaqe atë të legjendares Mu.

Metropol

Sunday, January 10, 2010

Feja dhe Kastioti. Sa fetar ishte Skënderbeu?

Mendoj se abuzohet sot me shpalljen e Gjergj Kastriotit si "kristian". Tre pikat që përdoren janë:
1) tendencioziteti kristianizues i Barletit,
2) titulli "Atlet i Krishtit" me të cilin e kanë quajtur dy papë të asaj kohe, Piu II dhe Nikolla V,
3) "realiteti i Arbërisë mesjetare", pra ideja pseudoromantike se detyrimisht arbërit ishin kristianë se s'ka mundësi të ishin pa fe apo paganë... (se si krijohet ky pohimi i fundit është metërmend interesante dhe nga ana psikologjike).




1.Për sa i përket pikës së parë, dëshira e madhe e Barletit dhe e priftërinjve venedikas e evropianë që të justifikonin luftën tonë kombëtare kundër turqve si një luftë fetare midis "kristianësh" e "myslimanësh", nuk ka asnjë bazë reale, përveç trimave me rasa që iu pëlqente t'i bënin qejfin vetes se "kristianizmi" po mundte "myslimanizmin". Por lufta ishte fundekrye luftë racore/kombëtare. Çdo gjë tjetër është ëndërr me sy hapur dhe shtrembërim e falsifikim o nga dëshira e mirë, o nga bindje të gabuara, o nga direktivat e regjimit, o nga ndonjë problem tjetër identiteti që i shtynte të interpretonin gjithçka me anë të fesë, qoftë kjo kristiane, a myslimane. Dukuria nuk është aspak e panjohur në histori (aq më tepër në mesjetë kur shënohet kulmi i fanatizmit), sepse historikisht psh arabët dhe Aleksandrin e kanë kaluar si mysliman(!), dhe një sërë figurash evropiane si Beethoveni, Shtrausi, etj. janë konsideruar për kohë të gjatë si fetarë(!) nga pedantët ndërkohë që nuk kanë qenë të tillë... por kjo nuk shihej si problematike, sepse s'prishte punë se përkulej pak e vërteta, vetë Bibla e lejon këtë në gojën e Palit apo jo...

Nëse Gjergji do të ish kristian atëherë lindin natyrshëm këto pyetje që për nga natyra sheh se janë retorike:
- Sa kisha e manastire ndërtoi “Skënderbe kristiani”?
- Në sa kisha tregohet "të shkojë të falet" “Skënderbe kristiani”, qoftë të jenë përmendur këto dhe nga Barleti...
- Çfarë ndihme i dha fesë kristiane në Arbëri “Skënderbe kristiani”, dhe cilat ishin veprimet që ndërmori për aspekte të ndryshme të fesë së kistiane?


2.Për sa i përket pikës së dytë, titullit "Atlet i Krishtit"; Ky është një keqinterpretim i rëndomtë. Ky titull ishte titull politik dhe jo fetar.
Ky titull nuk tregon asgjë për përkatësinë fetare të mbajtësit, por thjesht i jepej atij që në një mënyrë apo në një tjetër po shërbente si pengesë ndaj hordhive osmano-myslimane që kërkonin rrugën drejt Evropës. Që titulli është politik është e ditur, apo dhe e argumentueshme, pasi papati në atë kohë ishte vetë zot e vetë shkop në Evropë, vendimet e papatit nuk kishin dhe aq të bënin me fenë e subjekteve sesa me politikën e teokracive katolike të Evropës, dhe si një nga pengesat ndaj sistemit politiko-shoqëroro-ekonomik të myslimanizmit që kërcënonte me dinamikën e vet tash në dyert e kontinentit, Gjergji me luftën e tij, ndonëse për arsye krejt të tjera, kontribuon fuqishëm në mosprekjen e Evropës nga këto hordhi, ndaj dhe e meriton fare bukur një mirënjohje nga pushtetarët kontinentalë, por çështja është se këto tituj janë retorikë teokratike, dhe asnjëherë s'kanë të bëjnë me fenë e atij që i jepej, nuk na thonë asgjë për fenë e tij... Nuk mund të pritej nga teokracitë mesjetare të jepnin tituj profanë, tituj jofetarë... sepse nuk kishin tituj jofetarë, kur vetë regjimi i tyre ishte teokraci...

"Konjukturat" e kohës ishin që pavarësisht arsyes se për çfarë luftonte Skënderbeu, që nga momenti që ai përbënte amortizim të nevojshëm që një nga pasojat e tij ishte dhe favorizim për qeveritë e fortndritura teokratike dhe status kuonë e tyre në Evropë, atëherë mirë do të ishte që oborret e të dhjamosurve ta nderonin atë si kristian, duke u përkëdhelur ndoshta dhe me idenë sesa burra ishin kristianët... Aq më tepër Barleti (një prift që duhej ta lartësonte figurën e Skënderbeut në sytë e murgjve që do lexonin librin e tij, sepse vetëm murgjit dinin shkrim e këndim atëbotë) i cili dihej se ç'do shkruante, duke pasqyruar gjithë idetë e veta dhe frymëzimin e lashtësisë klasike në gojët e personazheve.


3.Ndërsa për sa i përket pikës së tretë, "realiteti mesjetar" i Arbërit keqinterpretohet duke marrë për bazë numrin e kishave apo shpërndarjen e këtyre, diçka që është kthyer në dogmë dhe deklarohet Arbëria si vend 100% kristian.
Por në atë "realitetin e mesjetës" për të cilin flitet, gjysma e Arbërisë referohet si mospjesëmarrëse në judeokristianizëm. Judeoislamizmi nuk kish ardhur ende. Atëherë përfundimi i vetëm logjik mbetet praktikimi i paganizmit, vegime të të cilit shohim të shpërndara hollësisht në veprën e Barletit, i cili duke qenë se nuk ka ndonjë detyrim ideologjik për përmendjen e këtyre hollësive të përshkruara gjallërisht, mbetet t'i ketë shtuar këto si dëshmi aktuale që i ka vënë re vetë i parë në betejat e mëvonshme të tij në Arbëri ku ka marrë pjesë, si psh. ajo e Shkodrës. Pra pa vetëdije është duke shënuar praktika të gjalla pagane të asaj kohe.

Është një nga pikat kyçe të të mosqenit kristian të Gjergjit dhe madje dhe të ushtrive tona shtetërore fakti se nuk do të gjejmë asnjë simbol fetar në luftën e arbërve për mbrojtje kundër Turqisë. Ushtritë e tjera si ajo hungare, rumune apo turke përkundrazi e përdornin kudo haptas simbolin e fesë së tyre. Atëherë si është e mundur që lufta jonë të paskësh qenë fetare e ndërkaq ne të mos kishim asnjë simbol identifikimi si "kristianë", madje përkundrazi kishim një mori simbolesh pagane në gjithë armatimet dhe heraldikën, duke nisur me prijësit e duke mbaruar me këmbësorët e thjeshtë?

~
Pra, vlen të theksohet se kur je kalorës, feudal, princ, apo mbret kristian, gjëja e parë që ndodh është reformimi i tërë heraldikës së fisnikut në mënyrë që të paraqesë doemos ideologjinë të cilën ky fisnik e ka fort për zemër. Që nga momenti që Gjergji (e cilido arbër tjetër) tregon një farë antipatie të çuditshme kundrejt "simbolit kristian" përderisa nuk e përdor ASKUND... ne mund të rrimë e të bëjmë petulla tërë ditën me dëshira... dhe hamendje për kristianizmin e tij, por këto mbeten haptas në fushën e spekulimeve të cilat për fatin e keq të mbështetësve të tyre nuk kanë as ndonjë argument largësisht të qëndrueshëm veç dëshirës së këtyre dhe pseudoromantizmit.

Dimë se Gjergji në të ri, për pragmatizëm, i ka ndërruar fetë sipas klimës, po ashtu si dhe i ati i vet, Gjoni.

Nqs. Gjergji do të ish vërtet "ushtar i kryqit" atëherë ku janë këto kryqe nëpër flamujt dhe stemat e tij apo qoftë dhe të familjes nëse kalojmë dhe tek Gjoni?! Si ka mundësi që kjo familje me një "ushtar të Krishtit" në gji të mos kishte ASNJË stemë fetare a kishtare, në kontrast të plotë me ata që metërmend ishin fetarë si puna e Huniadit apo e Vladit që ojniseshin kudo nga kryqi?!

Pra këtu kemi një kristian që nuk bën asgjë në lidhje me kristianizmin, por madje dhe i hakërrehet priftërinjve në korrespondencat e tij, një kristian që lufton Venedikun, mashën e Vatikanit, dhe që luftohet nga Venediku... Një kristian që as sipas vetë Barletit nuk bind, sepse në çdo fjalim të tij nuk thotë as "zoti", por "perënditë"... Një kristian që përdor simbole pagane si koka e dhisë me brirë në përkrenare, Ledën në vula, shqiponjën dykrenare në flamur, yllin e stërlashtë gjashtëcepësh të diellit si emblemë, etj., etj., dhe askund asnjë shenjë kryqi apo gjysmëhëne... Një kristian që mburret me Aleksandrin dhe Pirron nëpër korrespondencë, ndërkohë që ka plot shembuj të tjerë të ndritur për të adhuruar e marrë si model por që çuditërisht i shpërfill krejt, si p.sh. rëndom Konstandinin me të cilin për kontrast rropateshin të identifikoheshin tërë fisnikët e Evropës së asaj kohe...



Në krahasim, është shumë e lehtë të provohet kristianizmi i Huniadit, madje dhe i Vladit, megjithëse ky ka marrë dhe mallkim nga kisha, e Kastriotit nuk i provohet dot, madje mund të hidhet krejt pa frikë tashmë teza se trimi ka qenë pagan, ultranacionalist, pragmatist dhe moskokëçarës ndaj fesë.


mesdimri