Friday, January 22, 2010

Ismet Kryeziu: Si e përgjoi Remzi Hoxha takimin Berisha-Millosheviç

Ish-furnitori i UÇK-së, Ismet Kryeziu, pak kohë se të denoncohej si i zhdukur në polici nga bashkëshortja Anila Leli, ka dhënë një intervistë ekskluzive .

Ai rrëfen për lidhjet me Remzi Hoxhën dhe aktivitetin si drejtues i Frontit të Rezistencës Shqiptare. Kryeziu, i njohur në Kosovë edhe si një nga mbështetësit e Rramush Haradinajt, është konsideruar nga miqtë si një arkivë e gjallë për ngjarjet pas vitit 1991. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet, sidomos ato që kanë të bëjnë me çështjet e Kosovës, periudhën e rezistencës, të luftës e pas saj, si edhe për përgatitjet për organizimin e AKSH-së. Ismet Kryeziu njihet edhe si mik i ngushtë i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha i zhdukur nga SHIK-u në Shqipëri në vitin 1995.


Ç’ju shtyu të organizoheshit?
Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, nuk kishim pse të mos organizoheshim edhe ne shqiptarët në ish-Jugosllavi, por filloi me thënien e ish-Presidentit të ndjerë kroat, Franjo Tuxhman i cili në një takim me kolegët e tij gjeneralë, iu drejtua atyre me këtë thënie: Gjeneralët e shkatërrimit të Jugosllavisë janë studentët shqiptarë, ata që na mësuan sesi duhej luftuar e shkatërruar Jugosllavia. Që nga viti 1981 ishim ata që i vumë kazmat për shkatërrimin e Jugosllavisë. Në vitin 1990 duhej krijuar një lëvizje apo mekanizma për të përgatitur popullin për një kundërvënie ndaj okupatorit serb. Në fillim u bë pajtimi i gjaqeve, i cili pati jehonë të madhe në unifikimin e popullit shqiptar. U krijua në fillim LDK-ja, e cila ishte shpresa e vetme për ta çuar realizimin e aspiratave shekullore të popullit shqiptar dhe LDK-ja me zgjuarsi e përdori këtë lëvizje duke u futur në organizmat drejtuese për të realizuar programin e saj. Ne, duke e njohur mirë okupatorin serbo-sllav ishim të bindur se çlirimi dhe bashkimi i shqiptarëve jashtë trojeve të Shqipërisë amë, vetëm me luftë mund të arrihej. Atëherë e krijuam frontin e rezistencës shqiptare. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se edhe ish- presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova e përfaqësoi në fillim FRSH-në.

Cili ishte misioni i FRSH-së?
Misioni i FRSH-së ishte që të krijohet një organizim politiko-ushtarak i cili do të koordinonte interesat dhe aktivitetin e të gjitha partive dhe lëvizjeve në trojet shqiptare në ish- Jugosllavi. Krahas këtij organizimi, u krijuan shtabet rajonale, komunale dhe lokale, të cilat merreshin me organizimin tipik ushtarak. Themeluesit e frontit të rezistencës janë:
Mentor Kaçi, Sokol Dobruna, Halil Alidemi, Ukshin Hoti, Sejdir Veseli, Naim Krasniqi, Avdyl Krasniqi, Fatlik Lilaj, Bardhyl Caushi, i ndjerë, Afrim Morina, etj, etj.
Pra, përfshihen të gjithë ata që ishin dëshmuar në dekada dhe ishin të gatshëm dhe të pathyeshëm në luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Duhet përmendur këtu se në organet drejtuese politike e ato ushtarake ishin të përfshirë edhe shokët nga Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi. Por tani është akoma herët për të përmendur emra. Shokët dhe bashkëluftëtarët e mi më kuptojnë drejt, se ende është herët për emra e rrahagjoksa. Unë gjykoj se akoma jemi në gjysmë të rrugës. Unë nuk jam dhe nuk kam guxim të them; “Bacë u kry”, duke pasur parasysh atë për të cilën u krijua Fronti i Rezistencës.
Pasi kishim krijuar strukturat drejtuese të FRSH-së dhe ajo kishte marrë një formë organizimi të mirëfilltë ushtarak, ne që merreshim me drejtimin e tij ishim të vetëdijshëm se përveç faktorit njeri, duheshin me bollëk dhe të predispozuar edhe shumë faktorë për luftë. U caktuan dy shokë për të ardhur në Shqipëri për të informuar dhe për të koordinuar punët në shtetin amë. Erdhën Mentor Kaçi dhe Fatos Aliu, i cili ishte nga Presheva, por fatkeqësisht nuk arritën shumë sukses. Herën e dytë me Mentorin, i cili ishte kryetar, u përcaktova të vija unë. Në fillim bëmë një turne në Evropë ku njoftuam bashkatdhetarët e diasporës për misionin tonë. Por askush nuk guxonte të dinte se ne do të vinim në Tiranë. Kur arritëm, jo vetëm që na u hapën dyert, por as vetë nuk e besoj edhe sot sesi shteti shqiptar u tregua aq i gatshëm për të na ndihmuar në misionin tonë. Takimin e parë e bëmë me ministrin Shëndetësisë, Alia Alushani, drejtorin e Akademisë Ushtarake, me ministrin e Mbrojtjes, Perikli Teta, zv/ministrin e Mbrojtjes, Halil Hyseni, e deri tek ish-presidenti Ramiz Alia.

Kush ishin emrat e djemve të parë dhe si erdhën ata në Shqipëri për t’u stërvitur?

Përfaqësuesi legjitim dhe kryetar ishte Mentor Kaçi, ndërsa unë isha sekretari i përgjithshëm i FRSH-së. Marrëveshjen me shtetin shqiptar e bëri Mentor Kaçi, me bekimin e Ramiz Alisë, natyrisht dhe me ish-kryeministrin Fatos Nano. Por Ramiz Alia do të mbetet komandanti i parë i luftës së Kosovës. Për stërvitjen dhe organizimin u mor ish- ministri i ndjerë, zoti Perikli Teta dhe zv/ministri Hyseni, si dhe shumë oficerë madhorë të tjerë të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për luftën në Kosovë. Të më falin oficerët dhe profesorët e mi që akoma gjykoj se është herët për t’i përmendur.

Cila ishte përfshirja?
FRSH-ja, veç strukturave ushtarake merrej edhe me koordinimin e organizatave të tjera, mes të cilave edhe lëvizjen sindikaliste që e drejtonte profesori i nderuar Hajrulla Gorani, i cili ka dhënë kontribut të veçantë në organizimin e rezistencës. Në këtë lëvizje bënte pjesë edhe Remzi Hoxha, i cili njëkohësisht ishte angazhuar në frontin e rezistencës. Për herë të parë jam takuar me të në mbledhjen e shtabit operativ të karadakut në Ferizaj. Pas dy netësh, Remziu me Basri Zukën kishin ardhur në Suharekë tek Afrim Morina, i cili ishte edhe anëtar i shtabit të përgjithshëm. Aty isha i ftuar zyrtarisht për organizim. Pas mbledhjes, Basriu dhe Remziu më ftuan që të shkoja në Ferizaj. Mbaj mend se gjatë rrugës Remziu fliste shumë pak, por ishte shumë i prerë. Kur hymë në Ferizaj, ata devijuan rrugën dhe shkuan në një shtëpi në Grykë të Kaçanikut. Aty ishte një shok i ngushtë i Remziut, i cili ishte i përfshirë në strukturat e FRSH-së dhe lëvizjen sindikaliste. Ai është Sefedin Mjaha. Mesa di unë, Sefa punonte ngushtë edhe me biznes me Remziun. Në këtë takim, përveç punëve operative u bisedua edhe për udhëtimin e tretë në Shqipëri dhe për grumbullimin e mjeteve financiare. Mbaj mend se këta të dy dolën në korridor dhe kur u kthyen, më pyetën se sa mjete duheshin. Unë iu thashë se duhej biseduar me Kryesinë e FRSH-së. Pas këtij takimi shumë të suksesshëm sipas meje, Remziu dhe Sefa sollën 50 mijë marka gjermane dhe iu lutën kryetarit që unë të shkoja në Shkup në një mbledhje që ishte organizuar në Gazi BABA. Aty pashë një organizim të mirëfilltë lufte. Takimi u bë në një fabrikë. Dy ditë e dy net qëndrova në shtëpinë e Remzi Hoxhës, kuptohet ilegalisht. As familja e tij nuk e dinte pse ndodhesha aty dhe cili isha. Pasi mora miratimin e kryesisë me iniciativën e Remziut, u nisëm për në Bullgari. Remziu deri në fund të kufirit të shtetit bullgar erdhi me mua. Aty ndërruam makinat për shkaqe sigurie. Remziu e kaloi kufirin në këmbë pasi kishte një shumë të madhe parash. Pasi arritëm në Sofje, e kuptova se përveç parave kishte edhe një shumë të madhe floriri. Kur e pashë e pyeta: Po këto përse na duhen? Ai u përgjigj: Edhe këto janë hiç për kontratën që do të realizojmë nesër.

A ekziston ndonjë gjë e regjistruar për këto lëvizje ilegale me Kosovën?
Natyrisht që gjithçka është mbajtur shënim dhe janë mbajtur dokumente. Ishim të vetëdijshëm se më vonë do të shkruhej edhe historia e Luftës së Kosovës. Këtë dokument e ka nënshkruar Remziu dhe Sefa. Natyrisht edhe unë si përfaqësues i frontit. Për çdo cent që kemi në dispozicion brenda dhe jashtë Kosovës, shpeshherë është bërë transparenca dhe me hollësi janë dhënë llogari. Për këtë kishim një komision të veçantë mbikëqyrës. E them me krenari, se jemi e vetmja organizatë politiko-ushtarake në Kosovë e cila ka justifikuar të gjitha mjetet materiale dhe financiare që ka pasur në dispozicion.

A keni pasur lidhje të vazhdueshme?
Me Remziun kemi punuar së bashku deri në ditën e rrëmbimit të tij. Që nga viti 1991, ku u njoha me Remziun kemi pasur lidhje të vazhdueshme pune. Ai kishte dhe funksione të rëndësishme në FRSH. Pas arrestimit të shokëve në Kosovë, Remzi Hoxha si dhe shumë të tjerë u detyruan të kalonin nga Kosova në Maqedoni. Remziu në atë kohë qëndroi në Shkup, meqë kishte shtëpi dhe familje. Vlen të përmendet se Maqedonia atëherë ishte bërë strehë për ne, sepse marrëdhëniet Maqedoni-Serbi ishin tejet të acaruara. Pas krijimit të aferës së armëve dhe rënies në burg të disa drejtuesve të FRSH-së në Maqedoni, Remziu u vendos në Tiranë së bashku me familjen. Por punën dhe aktivitetin e kishte në territorin e Maqedonisë.
S’do mend që kjo është ditur, se të krijosh një organizatë politiko- ushtarake në kohën e okupimit, je i detyruar domosdoshmërish të krijosh një organizatë të tillë. Me keqardhje them se sot në Kosovë nuk ka nivel të këtij organizimi, siç e kishte FRSH-ja. Përveç djemve më të mirë që punonin në këtë sektor dhe specialistëve të cilët punonin me shpirt dhe u bënë idealistë të vërtetë, vlen të përmendet se ata punonin vullnetarisht dhe pa para. Natyrisht, literaturën dhe kurset private i bëmë jashtë Kosovës. Falenderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë punë të rëndësishme kombëtare. Askush deri tani nuk foli dhe ende është herët të flitet për këtë. Vlen të përmendet thënia e vyer, patrioti dhe oficeri i vërtetë, shpeshherë sekretin kombëtar dhe shtetëror e marrin me vete në varr. Edhe Remziu, shumë gjëra i mori me vete atje ku është.

Çfarë bëri fronti i rezistencës pas rrëmbimit të Remzi Hoxhës?
Për rrëmbimin e R. H. janë ngritur shumë versioni dhe të gjitha këto i kemi studiuar me shumë kujdes për gjurmët dhe punën e tij. Kujdes të veçantë i kemi kushtuar rrëmbimit të tij, por për ne më e mundshmja është se UDB-ja duke e ditur dhe duke pasur parasysh mundësinë financiare të Remziut, ka përdorur alibi nga më të ndryshme për ta likuiduar. Ne kemi pasur dijeni dhe janë të njohura të gjitha ato që janë dhe janë shkruar deri tani, por asnjë nuk është e vërtetë. E vetmja e vërtetë është se Remzi Hoxha ka punuar e ka kontribuar jashtëzakonisht për çështjen kombëtare dhe me aktivitetin e tij ka mundur shumë lehtë të binte në sy për okupatorin dhe armikun. Detyra e Remzi Hoxhës nuk ishte të filmonte takimin e Gazidedes me Arkanin, as të merrej me takimin Millosheviç-Gligorov-Berisha. dhe nëse ka konstatuar një gjë e tillë, do të ketë qenë e rastësishme. E them me bindje se Remziu dhe askush nga FRSH-ja, nuk kishte nevojë të financonte atentatin ndaj Kiro Gligorov, pasi vetë programi i FRSH-së e përjashtonte terrorizmin dhe teorikisht në programet tona nuk ka ekzistuar një gjë e tillë. Ne po të kishim dashur terrorizëm, kishim mundur ta shkatërronim në Kosovë ndaj okupatorit, por këtë nuk e kemi bërë kurrë dhe nuk kishim nevojë të merreshim. Këto i ngarkohen Remziut për të justifikuar zhdukjen e tij. Unë si ish-shef i tij, ju them me bindje dhe me shumë përgjegjësi, se ai nuk i meriton këto epitete. Ai që ka pak ndërgjegje e gjak shqiptari, të tregojë të paktën se ku ndodhen eshtrat e këtij dëshmori të lirisë.
FRSH-ja ka pasur bashkëpunim dhe marrëdhënie shtetërore institucionale me shtetin shqiptar. Furnizimin me armë e kemi bërë në rrugë shtetërore. Unë ju shpjegova dhe më lartë për këto marrëveshje dhe kush i ka nënshkruar. Është e vërtetë që nga 1990 janë futur dhe ftuar jashtë për të ardhur në stërvitje dhe për t’u marrë me këtë punë. Të gjitha janë bërë në rrugë shtetërore dhe me marrëveshje. Këto janë të deklaruara dhe pranuar edhe në parlamentin shqiptar nga ish-ministri i Mbrojtjes, zoti Teta i akuzuar nga opozita e atëhershme për dhënie të armëve kosovarëve. Atëherë Zoti Teta qe përgjigjur: Kam dhënë dhe do jap prapë kur të vij. Fati e deshi që Teta në kohën e luftës së Kosovës e realizoi këtë dëshirë së bashku me shumë ministra të tjerë të shtetit shqiptar.

Çfarë të dhënash ka Fronti i Rezistencës për likuidimin fizik të disa anëtarëve të tij, përfshi edhe Remziun?
FRSH-ja e kishte të pamundur të zbardhte të vërtetën e vrasjeve tragjike të disa prej veprimtarëve më të mirë. Rasti i Remziut nuk është i vetmi, por po përmend në ’92, kur u vra me pistoletë në gojë një nga veprimtarët e diasporës në “Mine Peza”, pranë Rajonit 3 të Policisë. Ai është Shaip Gashi, vrasësi u lirua me urdhër politik dhe sot bredh në disa institucione të Kosovës. U dogj i gjallë në lokalin e tij në Tiranë të Re, dhëndri i Bredri Dedës, të më fal nuk më kujtohet emri. U masakrua gazetari i “Gazetës Shqiptare”, njëkohësisht edhe zëdhënës i parë i luftës së Kosovës, Ali Uka. Në masa presioni e kërcënime u dënuan shumë veprimtarë të largoheshin në diasporë dhe nuk janë kthyer ende në Kosovë dhe kjo është fatkeqësi.

A keni konstatuar ndërhyrje të shërbimit sekret serb apo SHIK-ut për të goditur aktivitetin ilegal të lëvizjes tuaj?
Këto janë çështje të niveleve të larta shtetërore që bëhen me përgatitje, kushte dhe persona të caktuar. Neve nuk na interesonte të merreshim me këtë punë dhe aq më tepër kur ne shpresonin që shteti dhe strukturat e tij të na ndihmonin në misionin tonë të shenjtë. Ka pasur qytetarë nga Kosova në shërbim të SHIK-ut që na survejonin. Për këtë kemi fakte dhe dokumente, ashtu siç kemi dhe posedojmë dokumente për disa njerëz të Kosovës që punonin në shërbim të UDB-së. Dua të theksoj se FRSH-ja ishte me dijeninë dhe kishte bekimin e strukturave më të larta shtetërore shqiptare. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo ndërmerrnim asnjë veprim pa dijeni e shtetit amë. Po e theksoj dhe një herë, se udhëheqja e lartë e FRSH-së ka pasur takime me udhëheqjen e lartë shtetërore shqiptare. Edhe para vitit ‘90 dhe pas ’92, ne vazhduam me këto marrëdhënie dhe struktura të larta. Por fatkeqësia filloi në vitet ‘92-’93, me arrestimin e Mentor Kaçit me shokë. Për të gjitha këto ishin në dijeni drejtuesit më të lartë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Çfarë ndodhi në mars ‘93?
Isha në manifestimin ku ishte presidenti Rrugova, presidenti Berisha dhe kryeministri Bukoshi dhe shumë personalitete e intelektualë nga Kosova e diaspora. Pas një orë, pasi mbërrita në shtëpi jam arrestuar në banesën time nga SHIK-u. Akuza dihet tashmë, ka shkruar shtypi atëherë. Atë natë dhe më pas janë arrestuar shumë të tjerë, mes tyre Adem Jashari, Islam Caka, Ahmet Bytyçi e disa oficerë madhorë të shtetit shqiptar. Atëherë është sulmuar që në akuzën time të më bashkojnë ish- presidentit Alia, Deputetin Gramoz Ruçi, ish-ministrin Teta, zv/min. e Mbrojtjes, Halil Hyseni e shumë të tjerë. Arrestimi im nuk ishte akuzë e thjeshtë, shkelje ligji, por pasojë e një politike të caktuar. U bë sepse ne iu kundërvumë politikës dhe strategjisë për Kosovën. Para meje ishte arrestuar Kaçi, dhe kisha mbetur unë që merresha me stërvitjen e shokëve në Shqipëri dhe diasporë. Arrestimi im u bë për të eliminuar krejt udhëheqjen. Çanta ime ishte thjesht çështje teknike ku pritej të merrnin ato dokumente dhe mjete që u interesonin.

A keni pasur informacion se ka pasur dyshime për një takim me Millosheviçin, presidentin e Maqedonisë, Gligorov dhe Berishën në tetor të vitin ’95, dhe nga informacionet, cila do të ishte tema e takimit?
Ishim të njoftuar për të gjitha lëvizjet që bëheshin në dëm të Kosovës. Normalisht atëherë ishim më aktivë. Unë kisha dalë nga burgu dhe FRSH-ja merrej me drejtimin e luftës. Por misioni i Remziut nuk ishte të vëzhgonte takimin e treshes në Shën Naum, por ka mundur të ndodhë edhe gjatë kësaj, që rastësia është mbreti i botës. Dhe Remziu është ndodhur në këtë rastësi. Por ne nuk kishim detyrë, pasi misioni ynë ishte tjetër dhe jo të përgjonte ish- presidentin Berisha, pasi ishte shteti shqiptar dhe strukturat e shtetit shqiptar që do të vendosnin.


Natyrisht që Millosheviçi dhe Gligorov po aq ishin për ne armiq, që çdo lëvizje e atakim të tyre e gjykonim në dëm të Kosovës dhe çështjes shqiptare në ish- Jugosllavi.
Unë di vetëm një gjë t’u them dhe është shumë e vërtetë që marrëdhëniet mes Rugovës e Berishës ishin tejet të ftohta dhe Berisha kërkonte aleat të tjerë, siç e përdori për fat të keq simbolin e rezistencës shqiptare, Adem Demaçin, Hidajet Hysenin dhe shumë të tjerë, përfshi dhe ish-kryeministrin e qeverisë, Bujar Bukoshin për t’ju kundërvënë politikës së Rugovës, i cili i kishte marrëdhëniet tejet të ftohta. Këto janë gjëra të vërtetë dhe na kanë kushtuar shumë rëndë.
Një ditë, të gjitha këto dokumente që ekzistojnë do të hapen. Ne jemi duke e shkruar historikun e rezistencës dhe luftës së Kosovës dhe të gjitha do t’i dokumentojmë me fakte e dokumente të padiskutueshme. Por tani mendoj se është herët të flitet për këtë takim. Por ne kemi qenë në dijeni.
Remziu ka njoftuar shokun tonë të veprimtarisë, Basri Zukën i cili ka njoftuar me shkrim atëherë ish- presidentin Rugova, por më tutje ne nuk e dimë se çfarë ka ndërmarrë Rugova për një takim të tillë.

Pse u takove me ministrin e Shëndetësisë, Ali Alushani?

Ju gazetarët e keni princip të gërriceni shumë, por unë jam i detyruar të përgjigjem. Ne kishim në program të përgatisnim terrenin për luftë. Dhe për këtë duhej të përgatiteshin spitalet në Kukës, Tropojë dhe Burrel. Ndaj u takuam me të, na ndihmoi në pajisjen e spitalit të parë të Tropojës, synuam të përgatisnim spitalin e Kukësit dhe filluam atë në Burrel. Por derisa na ranë shokët në burg, nuk mundëm. Por e di që në spitalin e Tropojës, dhe drejtori Din Selimi na ndihmoi shumë dhe përgatiti spitalin si për luftë. Për këtë, veç ministrit të Shëndetësisë pati dijeni dhe presidenti R.Alia dhe kryeministri Nano.


G.Shqiptare

Wednesday, January 20, 2010

Finlanda përgatitet të ndalojë plotësisht duhanin

Në projektligjin e përgatitur parashikohet heqja nga shitja e produkteve të duhanit.


Finlanda po bëhet gati të jetë vendi i parë që do ta ndalojë plotësisht pirjen e duhanit. Në projektligjin e përgatitur parashikohet heqja nga shitja e produkteve të duhanit.

Planifikohet që ligjet në lidhje me duhanin në këtë vend të bëhen edhe më të rrepta.

Me projektligjin e ri që pritet të hyjë në fuqi në pranverë parashikohet që edhe në makinat private të ndalohet pirja e duhanit nëse brenda ka fëmijë të moshës nën 18 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë në Finlandë deklaroi se projektligji i ri parashikon shpëtimin e plotë nga duhani por kjo nuk është një luftë kundër prodhuesve të duhanit, është thjesht një situatë në lidhje me shëndetin e popullsisë.

Prodhuesit e duhanit po përgatiten të ankohen zyrtarisht kundër vendimit të qeverisë.

Ndërkohë shumica e popullsisë, 20% e të cilës është pirëse duhani, e mbështet projektligjin në fjalë.

Trt

...është natë !!!

Natë është natë…
Natë dimri e gjatë
Veshur në të zeza
Heshtja pllakos ngadalë.


I vetem ne ballkon
Me erresiren perballe
Ne mesnaten romantike
Me nje cigare qe me behet mike.

Kjo nate e "paqte" na fton
Ne gjarperinjte vertikale
Te rrime perseri shtrire
Te zhveshur nen lekuren tone
Per tu ndjere me te lire
Ne naten e lengates
Per gjymtyret e mpire
Ne genjeshtren obelike
Per moralin tone te nxire

Nate dhunimesh c'njerezore
Nate epshesh mbinjerezore
Renkime perpelitjesh femerore
Ku ngjizen pasardhesa
Eros, pasion lakuriqesi
Ne mbulesat e mendafsha
Qe mbulon turpin e botes
Ankth, frike e mistere
Qe vertiten rreth kokes


Dritat shuhen
Ringjallen nentokes… minjte
Ne tavolinen e qiellit
Yjet ndezin qirinjte
Per terrin me origjine djallezore
Ku dhe djalli thur endrra feminore
Ne kete vater te pabesive
Te tradhetive shekullore
Shtrat i ngrohte i ogurezive
Miter e qellimit mizor
Qe dites i behet banor

Qepallat e tua dorezohen
Duke ftuar qerpiket te perqafohen
Per te mbrojtur shkelqimin
E te tuve sy
Per te fshehur endrrat
Qe thur per ne te dy
Endrra netesh pa gjume
Gjume endrrash pa nete
Nete gjumi pa endrra
Endrra…
Gjume…
Nete…!
.. dhe koha harron veten e vet
Me ty nje cast, nje pafundesi
Ti je nena e te keqijave
Por e keqja nuk je Ti


Unë isha me ty sonte
O natë që lind mëngjese
Do ta përshëndes diellin
Ti them sa shumë e deshe…!



Stop Injorancës
http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Personazhë dhe karaktere

Nëse dëshiron t'ia thuash të vërtetat njerëzve pa i ligështuar, thuaja ato nëpërmjet humorit. G. B. Show.

Në artikullin e sotëm kemi trajtuar karaktere dhe personazhë të ndryshme, midis një dialogu të shkurtër. Çdokush nga ju mund ta pasurojë artikullin, duke shtuar tipare të tjera njerëzish, bashkangjitur edhe me një situatë të shkurtër përshkruese.


ZILIQARI
- Kush ka qenë miku juaj më i ngushtë, apo krahu juaj i djathtë ?
- Eshtë pronari i Fabrikës së tullave në autostradë, por që për hir të së vërtetës e ka një biznes të ngritur me para të pista dhe një ditë me siguri do falimentojë.

GAZETARI
- Kemi ndonjë të re sot ?
- Kam një lajm të mrekullueshëm. Kam arritur të intervistoj, atë vrasësin e 3 fëmijëve të tij.

PATRIOTI
- Me kë skuadër jeni në kampionatin Botëror të futbollit ?
- Me Shqipërinë.

OPTIMISTI
- Jeni i dëshpëruar, që dolët i fundit në garë ?
- E rëndësishme për mua është vetëm pjesmarrja.

ALTRUISTI
- Po e vuani ende tradhëtinë e partneres tuaj ?
- Jo absolutisht, e rëndësishme për mua është lumturia e saj, që besoj tashmë e ka gjetur.

KOKEFORTI
- Keni të drejtën e dëshirës tuaj të fundit, përpara ekzekutimit, keni diçka për të thënë ?
- Dua të flas me avokatin tim.

NOSTALGJIKU
- Ke ndonjë plan për nesër pasdite ?
- Ah, jam i zënë. Për nesër, kam planifikuar që gjatë pasdites të shoh fotot e verës.

DEMBELI
- Nesër nga ora 8:00 jeni të lutur të paraqiteni pranë kompanisë tonë, për të dhënë intervistën e punës.
- A ka mundësi ta shtynim takimin 2-3 orë më vonë, se kam disa punë në atë orë...

INJORANTI
- I dashur, mqs nesër do të udhëtosh, shiko parashikimin sinoptik të motit për nesër.
- Ik mi gru, mos u përzi kot me ato punë, ato punë i di Zoti...

PESIMISTI
- Si e kaluat natën e ndërrimit të viteve ? Ishit tek prindërit ?
- Po ç'rëndësi ka kjo, viti 2009 shkoi dhe nuk kthehet më...

MILITANTI
- Punonjësi i "Internet kafe"-së: Zotëri, nuk e kuptoj pse i ndërroni kompjuterat çdo 2 minuta? Nuk punojnë?!
- Militanti: Tek sondazhi i sitit të top channel ka më shumë vota tek alternativa: "Përmbytjet erdhën prej përgjegjësive njerëzore"...thashë t'i barazoja... (Shtuar nga Genc Tato)

EKSTREMISTI FETAR!
- Çfarë mendimi keni për dashurinë ?
- Dashuria për Zotin është e plotfuqishme është e pafund...Vetëm ai mund ta shpëtoj tokën. Kthehuni dhe besoni sa jeni ne kohë... sepse do digjeni në ferr përjetë, do torturoheni, do të ulërisni nga dhimbjet. Zoti na do. (Shtuar nga Ana Anushi)

POLITIKANI
- Keni dhënë deri më sot ndonjë premtim që nuk e keni mbajtur ?
- Shiko, dëgjo. Pyetja juaj është shumë me vend. Që nga dita kur kemi ardhur në pushtet, kemi ndërtuar shkolla, spitale dhe kemi shtruar rrugë. Në bazë të statistikave tona, jemi qeveria më e sukseshme e këtyre 20 viteve të fundit. Ju premtojmë shqiptarëve që sa më shpejt do të udhëtojnë të lirë, sepse ne jemi qeveria që i mban premtimet.
( Sa përgjigje korrekte duket, rilexoni edhe njëherë pyetjen )

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Njerëzit mësojnë në gjumë

Dihet që gjumi është i nevojshëm për të mbijetuar. Mendohej se ai ishte vetëm një periudhë pushimi por kohët e fundit dijetarët kanë parë një lidhje midis kujtesës dhe gjumit.

Freud (Frojdi) që në 1897-tën shkruante se nuk mendonte që ëndrrat ishin të pakuptimta por ishin një mënyrë për të lëvruar përvojat e fituara.
Në eksperimentet e fundit të bëra me njerëz është vërejtur se ato pjesë të trurit që kanë qenë në veprim gjatë ditës janë në veprim edhe gjatë natës.
Edhe kur trupi pushon pjesa qëndrore e trurit vazhdon të punojë pa ndërprerje ndonëse edhe pjesa ballore e trurit, ajo që ka të bëjë me vetëdijen, shkëputet.

Gjithashtu pas një gjumi të rregullt, të nesërmen njerëzit ishin më të përgatitur për të kryer zanatin e ri që kishin nisur të bënin një ditë më parë.
Është vërejtur edhe se ata që nuk flënë sa duhet e kanë të vështirë të mësojnë gjëra të reja.

Tërë këto vrojtime tregojnë se diçka ndodh me trurin kur flemë.
Kështu është arritur në përfundimin se ndonëse ne nuk e kuptojmë, truri ynë gjatë natës vazhdon të punojë për sqarimin e çështjeve që na dalin gjatë ditës. Pra gjumi është i rëndësishëm për të mësuar gjëra të reja. Kjo vlen jo vetëm për njerëzit por edhe për kafshët, zogjtë e insektet.

Gjatë një nate fjetjeje të zakonshme kryhen 4 deri 5 qarqe gjumi secila me nga 5 gjendje të ndryshme. Në gjendjen e parë të një qarku gjumi është kaq i lehtë sa një individ që zgjohet gjatë kësaj gjendje thotë se nuk është e vërtetë që ka qenë duke fjetur. Në gjendjen që vjen pas kësaj flihet pak më thellë, dhe quhet gjum themeltar. Në gjendjen e tretë dhe të katërt flihet thellë dhe gjatë këtyre gjendjeve trupi trupi merr vehten.

Pas tyre vjen i ashtuquajturi gjum me ëndrra që ka si tipar dallues lëvizjen e shpejtë të syve (rapid eye movements - REM).Muskujt e trupit lëshohen krejt. Dijetarët mendojnë se kjo është një masë sigurie që të mos ecim në gjumë apo të përjetojmë ëndrrat me veprime. Përveç kësaj, truri e lëshon kontrollin mbi temperaturën e trupit. Gjaku ynë ftohet dhe i përshtatet temperaturës së mjedisit.

Gjumi REM zgjat vetëm disa minuta gjatë qarkut të parë të gjumit. Pas tij nis qarku i dytë ku shkohet përsëri përgjatë të 5 gjendjeve të përmendura më sipër. Në qarqet që pasojnë REM është pak më i gjatë.

Është pikërisht gjendja REM ajo në të cilën ne mësojmë pasi rritet shumë e ashtuquajtura kujtesë implicite (e ndërlikuar). Është ajo lloj kujtese gjatë së cilës njeriu nuk mendon në mënyrë aktive, por që në mënyrë automatike gjendet aty dhe na mëson më tepër duke na shtuar aftësitë si fizike ashtu edhe mendore.

Kështu pra gjendja REM që arrihet vetëm kur flihet gjum i thellë, është shumë i rëndësishëm, sidomos për ata studentë që duan të përmirësojnë kujtesën e tyre.

Gjatë gjumit të thellë bëhet shartimi i fragmenteve të kujtesës së ditës dhe mendohet se ajo pjesë e trurit që quhet Hippocampus vendos se çfarë duhet ruajtur në kujtesë.

Mendohet se kujtesa e një çasti ruhet e ndarë në pjesë në disa vende të trurit. Një vend ruan ngjyrën, një tjetër formën, dhe një tjetër figurën.

Në vendin ku është ruajtur ngjyra e një sendi, ruhen edhe ato fragmente të kujtesës që kanë të njëjtën ngjyrë dhe është më e lehtë ti sjellësh ndërmend kur kujton ngjyrën në fjalë.


Përgatiti Alvin Ekmekçiu - Bazuar në materialet e gazetës suedeze Dagens Nyheter