Nga vizita e Barrosos deri tek “black out”-i i “Qemal Stafës”
Atë çka është një shtet në arenën ndërkombëtare, mbi të gjitha e përcakton imazhi që ai përcjell. Vetëm dy ditë më parë Shqipëria bëri xhiron e botës, pas një incidenti të pafalshëm që ndodhi në ndeshjen e futbollit mes Gramozit dhe Real Madridit, kur për më tepër se 90 minuta stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” qëndroi në terr të plotë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Media botërore dhe kryesisht ajo spanjolle e cilësuan “black out”-in “si shprehje e asaj që Shqipëria përfaqëson”.
Rasti i fundit ishte tipik për shprehjen shqiptare “shkon të vendosësh vetulla dhe nxjerr sytë”.
Atë çka është një shtet në arenën ndërkombëtare, mbi të gjitha e përcakton imazhi që ai përcjell. Vetëm dy ditë më parë Shqipëria bëri xhiron e botës, pas një incidenti të pafalshëm që ndodhi në ndeshjen e futbollit mes Gramozit dhe Real Madridit, kur për më tepër se 90 minuta stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” qëndroi në terr të plotë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Media botërore dhe kryesisht ajo spanjolle e cilësuan “black out”-in “si shprehje e asaj që Shqipëria përfaqëson”.
Rasti i fundit ishte tipik për shprehjen shqiptare “shkon të vendosësh vetulla dhe nxjerr sytë”.
Mirëpo kjo nuk është hera e parë që vendi ynë del zbuluar në sy të botës. Vitet e tranzicionit janë shoqëruar dhe me incidente të shumta që e kanë ulur ndjeshëm imazhin e Shqipërisë. Tre vjet më parë, vizita për herë të parë në histori e një Presidenti amerikan në Shqipëri nuk pati jehonën aq sa versioni i humbjes së orës së Presidentit Bush. Në çdo cep të globit doli lajmi që Presidentit të SHBA-së i vodhën orën në Fushë-Krujë. Lajmi edhe pse rezultoi i rremë, pati një ndikim negativ në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. Po ashtu, pak para kësaj vizite, një tjetër personalitet që viziton Shqipërinë, pikërisht Hoze Manuel Barroso, i cili gjatë fjalës në Kuvend iu desh të ndërpriste fjalën për shkak të ikjes së energjisë. Barroso u shoqërua për nga dalja sallës së Kuvendit me dritën e sajuar të celularëve. Po ashtu kemi pasur dhe incidente të tjera që kanë ndikuar në uljen e reputacionit në opinion të Shqipërisë.
Londër viti 1997, Diplomatët me pantallona të shkurtra
Në aeroportin e Londrës, në vitin 1997, grupi i diplomatëve Shqiptare do të binte në sy jo për nga numri i madh, por për nga veshja e tyre. Rreth 20 shqiptarë të pajisur me pasaporta diplomatike do të shëtisin në një ambiente e terminalit me pantallona të shkurtra. Veshja aspak serioze duket se nuk i bindi policët anglezë për misionin diplomatik të Shqiptarëve me gjithë pasaporta e tyre të rëndësishme. Më pas, skandali rezultoi se nuk ishte vetëm në paraqitjen e tyre, por edhe në mënyrës sesi një pjesë e shqiptarëve kishin siguruar dokumentet diplomatike, duke mos qenë diplomat karriere, por emigrantë të zakonshëm.
Londër 1997, ambasadori kërkon azil politik
Deri më sot mbahet si një nga skandalet më të mëdha të trupit tonë diplomatik. Në shtator të vitit 1997 ambasadorit tonë në Angli, Pavli Qesku, i mbaron mandati dhe i vjen urdhri i largimit nga detyra. Por Qesku nuk e cilëson një vendim politik dhe duke akuzuar persona të veçantë me pushtet kërkon azil politik në Angli. Një rast i paprecedent për një diplomat karriere. Sipas shkrimeve të gazetave të kohës, në 27 shtator 1997, Ambasada Shqiptare në Londër është kyçur duke mos pasur asnjë personel në të. Ndërkohë, Qesku, pak vite më vonë ka sqaruar se, për shkak të kërcënimeve ka kërkuar azil, por nuk e ka kyçur ambasadën.
Londër 1997, sekretari i Ambasadës kërkon azil
Nën shembullin e ambasadorit edhe Sekretari i Parë i Ambasadës Shqiptare në Londër, Rudolf Marku, ka kërkuar azil politik. Pas komunikimit të largimit nga ish-ministri i Jashtëm në shtator të 1997-s, Paskal Milo, Marku nuk pranon kthimin e tij në Shqipëri, por bën kërkesë për azil në shtetin ku shërbente. Argumentet e Markut ishin se në Shqipëri jeta e tij ishte e kërcënuar dhe nuk mund të kthehej në Tiranë. Që nga 1997 Marku jeton në Londër së bashku me familjen. Me sekretarin Marku për të njëjta arsye, kërkon azil dhe shoferi i Ambasadës. Kërkesa e tyre e vuri në pozitë të vështirë shtetin shqiptar përballë palës angleze.
23 janar 2002, rrihet ministri i Integrimit
Ministri shqiptar për Integrimin Evropian, Paskal Milo, dhe anëtarë të lartë të delegacionit të tij, u rrahën nga një grup njerëzish në hotelin e tyre në Bruksel, natën e së mërkurës (23 janar). Zyrtarët thonë se 20 sulmues, të udhëhequr nga Sali Lusha, një ish-truprojë e udhëheqësit të Partisë Demokratike Sali Berisha, kishin filluar grindjen në hotel. Zyra e Havier Solanës e dënoi sulmin dhe kështu bëri edhe Berisha dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste në pushtet në Shqipëri. Ajo tha, "Elementë të tillë ... dëshirojnë të pengojnë bashkëpunimin ndërmjet shumicës dhe opozitës dhe nuk janë të interesuar për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane".
5 dhjetor 2003, Konsulli i Romës Drini Bello, trafik droge dhe armësh
Një diplomat shqiptar në Itali është përfshirë në trafikun e drogës dhe armëve. Konsulli Drini Bello u akuzua nga shteti italian, se kish shndërruar ambasadën shqiptare në Itali, në një bazë të strehimit të drogës dhe armëve, që më pas trafikoheshin në vendin fqinj. Sipas prokurorisë italiane, Ambasada nisur nga roli që ka luajtur Drini Bello, është shndërruar në një bazë për të fshehur drogën dhe armët, ashtu si është zbuluar nga telefonatat e përgjuara. Ndërkohë, në Itali është arrestuar dhe Erion Bello, vëllai i Drini Bellos. Banda sipas hetuesve italianë, ka lidhje me organizatën mafioze “Sacra Corona Unita”, dhe merrej me trafikun e klandestinëve dhe të lëndëve narkotike.
1 nëntor 2005, Presidenti grek largohet nga Saranda
Presidenti grek, Karolos Papulias, anuloi një takim me homologun e tij shqiptar Alfred Moisiu dhe u kthye në atdhe mes protestave anti-greke të një grupi pakice. Të dy krerët do të takoheshin në Sarandë, përballë ishullit grek të Korfuzit. Megjithatë, rreth 200 pjesëtarë të klanit mysliman shqiptar çam, bënë një demonstratë në vendin e takimit, duke shtyrë ikjen e Papuliasit. Duke i quajtur protestuesit "elementë të njohur ekstremistë" që agjitojnë për "çështje që nuk ekzistojnë," qeveria greke akuzoi autoritetet shqiptare për mos marrjen e masave të duhura për të ndaluar demonstrimet. Pala shqiptare e quajti "vendimin e nxituar dhe të pashpjegueshëm të Greqisë" përballë një proteste paqësore.
18 shkurt 2006, ikin dritat në Kuvend gjatë fjalës së Barrosos
Incidenti me dritat nuk ishte vetëm ai që ndodhi në stadiumin “Qemla Stafa” para dy ditësh. Dhe përpara katër vitesh në Kuvendin e Shqipërisë ndodhi i njëjti incident. Kur po fliste presidenti i Komisionit Evropian, Manuel Barroso, salla e Kuvendit u errësua nga ndërprerja e energjisë elektrike. Incidenti pati jehonë në media duke qenë se në seanca normale asnjëherë nuk kishin ikur dritat dhe ndodh në një moment kulminant kur shefi i BE-së vjen në Tiranë. Ikja për një moment e dritave në këtë sallë u ka kushtuar vendin punës personave që menaxhonin rrjetin e transmetimit në fiderin rezervë që mbulon Parlamentin, si dhe personat në dispeçerinë qendrore, pasi u konsideruan përgjegjës nga KESH-i. Media vendase dhe ajo e huaj sërish i kushtuan vëmendje ikjes së dritave dhe jo fjalës së Barrosos.
Dhjetor 2007, Ambasadori në Washington dështon në prezantimin e vendit
Ky “skandal” s’ka të bëjë me korrupsion dhe me trafiqe, por me imazhin e diplomatëve tanë jashtë vendit. Ambasadori ynë në SHBA, Aleksandër Sallabanda në një prezantim që duhet të bënte për Shqipërinë në Universitetin “Brigham Young University, Provo, Juta”, duket se ka bërë më të keqen e mundshme. Në videon që qarkullon në internet ambasadori ynë shpjegon me një anglishte shumë larg perfektes dhe me pasaktësia historike mbi vendin e tij, duket se jep imazhin më të keq të vendit. Gafat e ambasadori në shtetin më të rëndësishëm janë bërë shpesh objekt i debateve në Parlament mbi nivelin e diplomatëve tanë.
10 qershor 2007, “vidhet” ora e Presidentit Bush
Vizita historike e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush në Shqipëri, nuk kaloi pa incidente. Media ndërkombëtare në vend që të merrej me vizitën u fokusua në një lajm i cili kishte të bënte me humbjen e orës së Presidentit. Lajmi edhe pse rezultoi i rremë, pati jehonë të madhe duke nxjerrë për vendin një imazh negativ. Edhe pse u përgënjeshtrua zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë, sërish lajmi i orës ishte më i rëndësishëm për mediat se ardhja e një Presidenti për herë të parë në vendin tonë. Presidenti amerikan, Xhorxh W. Bush, doli përpara gazetarëve, ku tregoi edhe orën, e cila u tentua të përdorej për të denigruar shqiptarët gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Bush është shprehur se ky është lajmi më qesharak që ka dëgjuar ndonjëherë.
20 janar 2010, Gramozi-Real stadiumi 90 minuta pa drita
Në herën e parë që Real Madridi erdhi në Shqipëri u gjet para një të papriture të madhe. Gjatë zhvillimit të ndeshjes stadiumi u errësua nga ikja e dritave për 90 minuta. E gjithë media botërore u mor më shumë me faktin që ikën dritat, se me ndeshjen. Gjithë shtypi spanjoll ironizoi faktin që u ndërpre ndeshja për shkak të dritave. Pati media të cilat u shprehën se errësira e stadiumit përfaqëson atë që është Shqipëria. E mirëpritur nga mijëra tifozë që donin të shikon në stadiumin e Tiranës disa prej yjeve të futbollit botëror, kjo ndeshje do të ishte edhe një reklamë e mirë për kryeqytetin shqiptar. Por ja që nuk qe e thënë. Fati i kësaj ndeshjeje dhe imazhit të Tiranës kishte mbetur tek dhëmbët e një brejtësi, i cili përmbysi gjithçka dhe mediat e huaja shkruan sërish për terrin në kryeqytetin shqiptar.
T. Observer