Ndotja ambientale është tashmë një problem global. Vështirë që të gjesh një vend të botës, i cili të mos jetë prekur nga kjo dukuri. Sigurisht, më të prekura janë vendet që kanë një ekonomi industriale të zhvilluar apo ekspansion të dukshëm, por njëkohësisht dhe ato që kanë një mungesë të theksuar të politikave serioze në fushën e mbrojtjes ambientale.
India dhe Kina janë dy nga shtetet kryesore me qendrat më të ndotura urbane në botë. Gjithashtu, Pekini dhe Nju Delhi kanë qenë për shumë kohë dy nga qytetet më të ndotura në botë. Por është fakt se ato kanë marra masa drastike për uljen e ndotjes, që vazhdon të jetë e madhe. Nju Delhi ka të paktën 10 vjet që lufton në këtë drejtim, kurse Pekini i detyruar dhe nga zhvillimi i olimpiadës filloi të merrte masa serioze këto dy vitet e fundit dhe duket se ka gjasa për ta vazhduar këtë nismë dhe në të ardhmen. Po në të njëjtën rrugë kanë ecur dikur dhe qytete si Tokio e Los Anxhelosi, të cilat në atë kohë ishin ndër më të ndoturat dhe që tani, falë politikave të drejta, janë kthyer në qytete me standarde të larta për sa u përket masave ndaj ndotjes.
Solla si shembull qytete që janë apo ishin vërtetë të ndotura, por që njëkohësisht si alibi të tyre mund të paraqisnin faktin se ishin dhe ndër më të industrializuarat.
Kurse në Shqipëri kjo alibi nuk mund të mbajë, të paktën në rastet e gjykimit me standardet morale e profesionale të një gjykate evropiane, sepse ne sado që po përpiqemi, ende nuk mund të themi se jemi një vend i industrializuar në kuptimin klasik të fjalës (dhe kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe).
Kjo do të thotë se nuk mund të shfajësohemi dot, pasi është shumë e vështirë që një vend jo i industrializuar të ketë ndotje të madhe ambientale. Shqipëria duket se përbën një përjashtim, me një “Guiness” të saj të ri për një çështje jo të re. Nëse do të ekzistonte një libër “Guiness” për rekorde shtetesh, me siguri që “Shqipja” do të mbante vendin e parë me një distancë shumë të madhe nga shteti i dytë.
Në rastet e problemit të ndotjes përgjegjësia është jo vetëm e njerëzve, qytetarë apo fshatarë të një vendi, por kryesisht faji bie te organet e pushtetit qendror, por dhe të atij lokal (komunat, bashkitë).
Duke folur për këtë të fundit, ndoshta dikujt mund t’i duket e çuditshme lidhja që ekziston mes drejtimit të një bashkie dhe nivelit të ndotjes në një qytet.
Kjo, meqë sipas shumë njerëzve, ndotja shkaktohet kryesisht nga makinat.
Por ky fakt nuk ka pse të duket krejtësisht i saktë, sepse i tillë nuk është.
Për të ulur nivelin e ndotjes në një qytet nuk duhen marrë masa vetëm në fushën e mjeteve motorike dhe në fushën e industrisë, por dhe në të tjera që prekin pushtetin vendor si p.sh. ndërtimi i objekteve të banimit.
Ndotja nga automjetet
Është folur gjatë për masat që duhen marrë në fushën e mjeteve motorike, për të bërë të mundur uljen e ndotjes. Ka pasur nisma si: ndalimi i importit të makinave të amortizuara, rritja e doganës për makinat e vjetra etj. Edhe në këtë fushë mbetet ende shumë për t’u bërë. Për të sjellë një shembull konkret mund të përmendim të famshmit “Dum-Dum” kinezë, të cilët nuk plotësojnë normat më minimale të standardeve ekologjike evropiane dhe që “kanë për borxh” ta obskurojnë të gjithë zonën ku kalojnë me tymin e zi që del nga marmitat e tyre kineze. Ato “monstra me rrota” nuk krijojnë më pak ndotje vizive, akustike dhe ambientale se oxhaqet e fabrikave me qymyr të shekullit të 19-të. Këto “gargalloma” veç Shqipërisë mund t’i gjesh vetëm në disa vende të Afrikës dhe Azisë.
Të tilla “makineri vrasëse” nuk lejohet të qarkullojnë në asnjë shtet të Evropës.
E njëjta masë duhet marrë dhe nga shteti ynë, për të mos u etiketuar gjithmonë ne si “delja e zezë” që qëndron në çdo rast e situatë jashtë vathës. Po të njëjtat “cene” kanë dhe shumë autobusë e kamionë në vendin tonë. Të gjitha këto mjete duhet të vendosin filtra të posaçëm, të certifikuar nga BE-ja. Kjo duhet të bëhet vetëm në rastet kur gjykohet se vendosja e filtrave në këto mjete do ta eliminonte problemin, në të kundërt duhen marrë masa të tjera. Edhe pse dikush mund të dëmtohet ekonomikisht nga këto nisma, në dukje të rënda, përfitimi që do të arrihej do të ishte shumë më i madh sesa humbja.
Do të përfitonin shumica e njerëzve, të cilët aktualisht janë vuajtës pasivë për shkak të gjendjes së degraduar në të cilën ndodhen këto lloj mjetesh të lëvizshme.
Do të uleshin dukshëm sëmundjet e zemrës, tumoret, ato të rrugëve të frymëmarrjes, shpenzimet nëpër spitale e klinika shtetërore apo private.
Njerëzit do të gëzonin shëndet më të mirë, do të ishin më aktivë, do të ulej stresi (sepse ndotja ndikon drejtpërdrejt në krijimin e tij) dhe ata do të ishin më të lumtur e më optimistë për jetën. Do të kishim qytete më të jetueshme nga ana ambientale, gjë që do të çonte në rritjen e standardeve të jetesës. Qytetet tona do të ishin më të frekuentuara nga turistët, sepse dihet që sa më i ndotur të jetë një qytet, aq më e vogël është dëshira për ta vizituar.
Ndotja industriale
Gjithashtu, në fushën industriale, problemet që mund të sjellë ndotja janë të mëdha.
Në Shqipëri janë ndërtuar e po ndërtohen objekte industriale më vlerë të konsiderueshme dhe me një fuqi prodhimi relativisht të madhe.
Por vallë a janë marrë masat e duhura nga këto kompani për të pasur parametra evropianë në fushën e sigurisë ambientale, gjë që do t’i bënte këto biznese të mos konsideroheshin si “armike” të ambientit dhe njerëzve.
Në të vërtetë, është fakt se shumë kompani, si në fushën e prodhimit të tullës, gëlqeres, çimentos, çelikut, nxjerrjes së gurëve, kromit, bakrit etj. nuk i respektojnë si duhet normat e sigurisë ambientale dhe, mbi të gjitha, as nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për ta bërë këtë gjë.
Gjithashtu, ndotja industriale ka ndikuar dhe në ndotjen e tokës bujqësore, pasi mbetjet që depozitohen në tokë si mungesë e atyre “Landfill” të posaçëm për këto lloj mbetjesh kanë sjellë dhe dëmtimin e madh të tokave, dhe jo vetëm tokat kanë pësuar dëmtim por edhe ujërat.
Sikur këto kompani të ushtronin veprimtarinë e tyre në një shtet çfarëdo të Bashkimit Evropian, duke parë gjendjen në të cilën ato ndodhen, do të ishin mbyllur e gjobitur menjëherë, si moszbatuese të ligjeve për mbrojtjen e ambientit dhe si rrezikuese të jetës së njerëzve, kafshëve e bimëve.
Kam dëgjuar për raste të largimit të punonjësve nga këto lloj fabrikash për shkak të komplikacioneve shëndetësore që po hasnin. Këta njerëz që kishin moshë relativisht të re, para këtyre komplikacioneve gëzonin një shëndet shumë të mirë, gjë që na lë të kuptojmë se situata në këto zona industriale është me të vërtetë e rëndë.
Dhe pse nuk ka lidhje me këtë pikë, gjejmë rastin t’u bëjmë thirrje shtetasve që të mos presin pemët pa leje, pasi ato janë një pasuri e madhe që nuk kthehet lehtë prapa nëse e ke humbur një herë. Edhe përmbytjet e ndodhura këto kohë kanë në njëfarë mënyre lidhje me prerjen e pemëve, pasi ato thithin ujëra nën dhe mbitokësore, duke ulur rrezikun e përmbytjeve. Ato gjithashtu parandalojnë erozionin dhe më kryesorja, ato kontribuojnë ndjeshëm në uljen e ndotjes. U bëjmë thirrje strukturave shtetërore që të rrisin ritmet e zbatimit të planit për mbjelljen e pemëve të reja dhe për rritjen e kontrolleve për ruajtjen e pyjeve dhe realizimin e masave shtrënguese ndaj shkelësve.
Ndotja akustike
Një nga llojet e ndotjeve më shqetësuese, por dhe më të pavlerësuara deri tani është ndotja akustike. Në vendin tonë ndotja akustike është në nivele të mëdha. Ajo, përveç kësaj, paraqitet në forma të ndryshme, jo vetëm si pasojë e zhurmave që vijnë nga lokalet, si pub-e e disko, por dhe si pasojë e veprimit të papërgjegjshëm të individëve të caktuar.
Nuk është e rrallë të dëgjosh një “buçimë borie makine” në pikun e drekës ose në mesin e natës poshtë pallateve dhe kjo “muzikë e ëmbël” mund të zgjasë me orë të tëra.
Më kanë treguar për një rast në Athinë, ku një individ ishte ndaluar dhe shoqëruar në një komisariat policie, sepse i binte borisë së makinës në mënyrë të pandërprerë për faktin se i kishin zënë rrugën. Edhe pse në parim ai kishte të drejtë, kjo e drejtë e tij mbaroi që nga momenti kur shkeli atë të një shumice.
Ndotja e zonave turistike dhe bregdetit
Që nga Velipoja deri në Sarandë edhe ndotja e ndotja e zonave bregdetare, ashtu si në çdo zonë të vendit, është një problem kronik këto 20 vitet e fundit. Për hir të së vërtetës, kontrolli para viteve ‘90 ka qenë shumë më i madh nga ana e strukturave dhe ndoshta dhe ndërgjegjësimi i shtetasve po i tillë.
Çudi, sa shpejt kemi ndryshuar ne, duke qenë se po ata shtetas që në ato vite kishin kujdes ku të hidhnin mbeturinat, janë sot shkelësit më të flaktë të normave të pastërtisë ambientale. Rëndom shikon njerëz duke hedhur nga makina qese, letra, mbetje ushqimore etj. Kjo nuk ndodh vetëm në zonat bregdetare ose në udhëtim e sipër, por dhe brenda qyteteve.
Ne jemi, sipas statistikave, ndër vendet me ndotjen më të madhe bregdetare në Evropë.
Ende nuk kemi kolektorë të ujërave të zeza dhe në qytete bregdetare ato hidhen në det. Shenjë e mirë ishte ndërtimi i një kolektori në një zonë turistike dhe pse jo bregdetare, bëhet fjalë për Pogradecin. Urojmë që sa më shpejt qeveria dhe pushteti vendor në bashkëpunim të realizojnë ndërtimin e tyre në gjithë zonat bregdetare dhe turistike në përgjithësi.
Problem i madh është dhe mungesa e kazanëve të plehrave në disa zona turistike si dhe strukturave që do rë merreshin me pastrimin e tyre. Konkretisht, nga Orikumi deri në Llogora e poshtë në Palasë nuk ka kosha plehrash dhe njerëzit i hedhin plehrat nëpër gryka malesh, humnera, nëpër hone, gropa etj. Duket shaka, por është e vërtetë. Unë këtë e kam konstatuar personalisht pasi i frekuentoj ato zona gjatë të gjitha stinëve të vitit. Deri këtë verë, anës rrugës që të çon te plazhi i “Rrugëve të Bardha” afër Palasës kishte një “kodër” me plehra, të cilat lëshonin një kundërmim të tmerrshëm nën efektin e vapës së gushtit. Dhe meqenëse ai plazh është shumë i frekuentuar dhe nga turistë të huaj, merreni me mend çfarë kartoline mirëseardhjeje u rezervohet.
Më e keqja është se në shumë raste, në pamundësi për të gjetur gropa a humnera, banorët e zonave përreth i djegin, duke krijuar re tymi të zeza që pushtojnë horizontin.
U lutem strukturave përkatëse që të marrin masa urgjente për ndryshimin e gjendjes në këto zona që kanë një bukuri aq të veçantë sa me të do të krenohej çdo shtet i botës.
Duket se ne nuk dimë ta vlerësojmë të bukurën ose thjesht nuk e kuptojmë si koncept.
Ndotja ndërtimore
Jo më pak problematike është dhe situata në fushën e ndërtesave të banimit dhe ndërtimit në përgjithësi. Kjo, sepse për të ndërtuar një objekt (në Tiranë p.sh. ka një boom të jashtëzakonshëm ndërtimesh) nevojiten materiale ndërtimi, të cilat transportohen nëpër qytet dhe që mund të shkaktojnë ndotje të rrugëve e ajrit, nëse nuk merren masat e duhura. Po të dalësh në këmbë nëpër Tiranë, do të konstatosh se rrugët janë të mbushura me pluhur dheu. Kjo do të thotë se shkaku i ndotjes së këtyre rrugëve është derdhja e mbetjeve inerte dhe materialeve të ndërtimit, ose maksimumi transportimi i pluhurit dhe baltës nga rrugët që kanë ngelë ende të pashtruara në Tiranë.
Në një intervistë para disa kohësh, një nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës pati deklaruar se do të merreshin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar ndotjen e ambientit nga mjetet që përdoreshin për transportin e materialeve ndërtimore. Sipas tij, mjetet do të kontrolloheshin nëse i kishin pastruar gomat kur kishin dalë nga objekti ose kishin marrë masat për mosrrjedhjen e materialeve të ndërtimit dhe mbetjeve inerte jashtë kamionit në kohën që i transportonin nëpër rrugët e kryeqytetit. Gjithashtu, do të kontrollohej dhe zbatimi i parametrave ambientalë nga ana e ndërtuesve.
Sipas Bashkisë së Tiranës, këto masa dhe shumë të tjera që do të ndërmerreshin, do të çonin në uljen e nivelit të ndotjes për shkak të veprimtarisë ndërtimore në qytet.
Ka kaluar më se një vit nga këto deklarata dhe asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.
Është fakt se nuk ka një kontroll të transportimit të materialeve të ndërtimit ose mbetjeve inerte dhe e zbatimit të kushteve në objektet e ndërtimit për të parandaluar ndotjen ambjentale. Kjo është një kompetencë direkte e strukturave të Bashkisë së Tiranës, e cila nuk po e ushtron. Dihet mirë rëndësia që ka kontrolli që duhet të ushtrojë bashkia në fushën e ndërtimeve, e cila është më e zhvilluara nga gjitha bizneset në kryeqytet.
Duke qenë, pra, dega më e zhvilluar, probabiliteti që ky lloj biznesi të sjellë pasoja për ambientin dhe si rrjedhojë dhe për njerëzit, është real dhe i madh, nëse nuk merren masat e nevojshme për t’i shmangur. Kjo kërkon një seriozitet dhe kompetencë maksimale nga ana e strukturave të Bashkisë së Tiranës, për të parandaluar dëmtimin e shëndetit të banorëve. Për sa kohë këto ide do të ngelin vetëm në letër ose në eter dhe nuk do të përkthehen në veprime e masa konkrete, ato do të kenë vetëm emrat që meritojnë:
Demagogji! Papërgjegjshmëri! Inkopetencë!
NGA ENEA SHERIFI, G. Standart