Monday, February 22, 2010

Fjalët e pastra të njerëzve të pistë

Dëgjojmë çdo ditë në ambjente publike e private nga ai që rëndomtë quhet fjalor banal, fjalor rruge me fjalë të ndyra e të pista.

I dëgjojmë që në mëngjes, para dhe pas buke, për të mos thënë edhe duke ngrënë. Fjalë të pista mes miqsh, fjalë të ndyra mes të panjohurish, pa dallim gjinie apo moshe. I lexojmë dhe i shohim të shkruara (apo më saktë të keqshkruara) nëpër faqe virtuale shqipfolësish, nëpër mure... të zhgarravitura.

I përdorim edhe vetë, nën dhëmbë, pas krahëve, duke u çjerrë përballë mikrofonit e fshehur pas telefonit. I themi mesh shokësh e shoqesh, na shpëtojnë nga shprehia e përditshme edhe në familje, mes nervave ... në rrëzim e sipër, nga hareja... në ngjitje e lart.
Shprehim mllef, vrer, shfryrje, urrejtje, energji negative, ofendojmë, sulmojmë të tjerët, por jo më pak imazhin tonë.
Ky fjalor është i ndaluar kryesisht tek fëmijët, ndonëse ka prindër "të emancipuar" kokëboshë, që gajasen kur fëmijët e tyre fjalët e para i kanë të shara, që ia drejtojnë anëtarëve të familjes.
Ky fjalor është i çensuruar në Shqipëri nga mediat vizive dhe të shkruara në emër të asaj që quhet etikë, pavarësisht se etika nuk është fjalori ynë i përditshëm dhe prirja është drejt liberalizimit të këtyre shprehive.

Më kujtohet fëmijëria e hershme, kur fjalët ofenduese drejtuar dikujt tjetër, kufizoheshin me: debil/e, budall/aqe, gomar apo shtrigë. Këto fjalë ofendonin atëherë ashtu siç ofendojnë edhe sot, ndonëse graviteti i tyre ka humbur peshë, në lumin e marrë të fjalëve të pista, që qarkullojnë sot rrëmbyeshëm.
Më kujtohet Beni, rreth 6 vjet më i madh në moshë. Një djalosh që kishte lënë shkollën në klasë të VII-të dhe sillej rrotul me një makinë Fiat Mirafiori. Ndërkohë që vrisja mendjen se çfarë kuptimi kishte fjala patriot, Beni dinte rreth 25 sinonime të ndryshme për vaginën. Veç kësaj, fjalori i tij dhe i shoqërisë së tij, kishte jashtëzakonisht shumë shprehje të pakuptimta, por që ata i përdornin me breshëri si ofendime. Ky fjalor sa vinte e pasurohej çdo ditë me fjalë si :shkrepsja, gërmat e alfabetit, fjalori i Enverit, buc, belbuc, belobeluc etj etj etj etj...
Me kalimin e kohës këtë fjalor e mësuam edhe ne të brezit më të vogël, madje e pasuruam më tej me sharje nga më të ndryshmet dhe më të çuditshmet, aq sa edhe prindërit nuk mundeshin më të na kuptonin se ç'thoshim. Këto shprehje e të tjera pafund, fituan territor tek të gjithë njerëzit, të gjitha niveleve apo moshave, saqë hynë dashje padashje u bënë pjesë e fjalorit të përditshëm.

Nëse sot do ti shikojmë me vëmendje këto fjalë, ato tregojnë shumë edhe për nivelin e "krijuesve" të tyre. Zakonisht të sharat e ofendimet, tashmë të rregjistruara në koshiencën tonë, nuk kanë asnjë kuptim të mirëfilltë, e megjithatë janë ligjëruar dhe shkaktojnë ofendim, thuajse tek të gjithë njësoj.
Nëse merrni në konsideratë të kuptoni cilindo nga këto fjalë apo shprehi, do të kuptoni që natyrshëm ato nuk duhet të ofendojnë askënd prej nesh, më shumë sesa individin që i përdor.
Psh për të treguar një djalë të fortë e guximtar, në zhargonin e rrugës përdoret k**derr. (?)
Për të sharë dikë nga familja përdoret motër***. Po kush pretendon që motra e tij të mbesë e virgjër ?
E njëjta logjikë edhe për të sharat nga njerëzit e shtëpisë. Një fis nuk mund të shumohet nëse individët e tij nuk kryejnë marrëdhënie seksuale.
Të gjitha këto shprehje banale, vijnë dukshëm nga një shoqëri ku seksi ishte tabu dhe vetë seksi ishte ofendim për shoqërinë. E megjithatë sot, njerëz vriten edhe për ndonjë nga këto fjalë.

Fjalët janë të pafajshme në vetvehte, jemi ne njerëzit që u japim atyre kuptim. Të flasësh i pastruar nga ky fjalor, nuk është sforcim, por çlirim.

Në atë që ne e quajmë botë të qytetëruar, fenomeni ka qenë edhe më i pakontrrolluar dhe i madh, saqë nga përdorimi i tepërt këto fjalë kanë humbur efektin e tyre ofendues dhe kanë derivuar në të tjera kuptime si psh: Fuck off - shporru dhe këtë fjalë edhe një fëmijë ia lëshon prindit të tij. Sono i cazi miei - janë punët e mia edhe këtë fjalë një fëmijë ia lëshon prindit të tij.
Ne shqiptarët, jemi më të ngurtë me këto fjalë dhe familjen tonë e quajmë të shenjtë, mirëpo duke përdorur dy fjalorë, një në rrugë e tjetrin në familje, kemi ligjëruar hipokrizinë tonë, dyfytyrësinë tonë. Ose të pranojmë që ky fjalor është i papërshtatshëm dhe i ulët, duke e evituar qoftë edhe kur ndodhemi të vetëm në dhomë e godasim padashje tavolinën me këmbë, ose nëse ky fjalor për ne nënkupton atë që jemi realisht, të jemi realë edhe në familje edhe në rrugë.

Kur ndahesh në dy karaktere, rrezikon të mos kuptosh kush është i vërteti.

Shkroi dhe përgatiti : Stop Injorancës
http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Homoseksualët lindin apo bëhen?

Gjithkush ka opinionin e tij për homoseksualitetin dhe shpesh, ky opinion është shumë i fortë e i palëkundur. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, e pranojnë se homoseksualiteti ekziston. Ai është i pranishëm në çdo shoqëri, kudo në botë. Homoseksualizmi ka ekzistuar edhe në shumë shoqëri antike, gjatë gjithë historisë së njerëzimit.


Madje, Richard C. Pillard M.D., psikiatër në "Boston University School of Medicine" dhe një ekspert i shquar për homoseksualitetin, shkon edhe më tej, kur thotë: "Homoseksualiteti, virtualisht, ekziston në çdo specie kafshësh, që është studiuar në mënyrë shteruese"


Nga rezultatet e kërkimeve të Dr. Alfred Kinsey, mësojmë:

* Rreth 4 për qind e burrave (në Amerikë), janë homoseksualë ekskluzivë gjatë gjithë jetës së tyre.
* Rreth 10% e meshkujve amerikanë mendohet të jenë homoseksualë për tre vjet të jetës së tyre si të rritur (homoseksualë jo ekskluzivë).


* Rreth 37% e 5000 burrave amerikanë, që studioi Dr. Kinsey, kanë pasur, më së paku, një marrëdhënie seksuale deri në orgazëm, me një mashkull tjetër.(?)
* Tek gratë këto shifra janë më të vogla. Rreth 2% deri 3% e grave të rritura, mendohet të jenë ekskluzivisht homoseksuale (lesbike), gjatë gjithë jetës së tyre.


Studimet e kryera për këtë qëllim edhe në kultura të tjera moderne, tregojnë se përqindja homoseksualëve në këto vende është në shifrat e më sipërme.

Sa herë flitet për homoseksualizmin, njerëzit, bëjnë këto tre pyetje:
1. Çfarë e shkakton homoseksualizmin?
2. Është apo nuk është, homoseksualizmi, një fenomen "natyral"?
3. Çfarë është në vetvete homoseksualiteti?


Këto janë edhe pyetjet, që studiuesit e homoseksualizmit, e kanë më të vështirë për t'iu përgjigjur. Ata, kur përpiqen t'u përgjigjen këtyre pyetjeve, ndjejmë se këtu fillon pjesa më e vështirë e gjithë asaj që ka të bëjë me homoseksualitetit.

Por, për çudi, këto pyetje, marrin përgjigje të menjëhershme dhe "definitive", në disa emisione televizive të Tiranës. Në këto emisione, përgjigjet e gabuara shiten si të vërteta të padiskutueshme.

Definicioni më i mirë për homoseksualitetin është ky: "Orientim seksual për partnerë me gjini të njëjtë". Vini re! Unë thashë "orientim seksual" dhe jo "preferencë seksuale". Këto dy terma nuk duhet të ngatërrohen. Ne orientohemi seksualisht për një partner të gjinisë tonë, ose të gjinisë tjetër.

Por, pavarësisht, orientimit seksual, ne kemi preferenca për partnerin. Dikush preferon një bionde, më shumë se një brune. Dikush preferon një grua me gjinj të mëdhenj, dikush me gjinj të vegjël.

Dikush preferon një partner ose partnere me ngjyrë, dikush tjetër një të bardhë. E kështu preferencat janë pa fund. Siç e shikoni, preferencë seksuale kanë heteroseksualet edhe homoseksualët.

Por, si për çdo gjë tjetër lidhur me seksualitetin human, orientimi seksual nuk është një gjë e prerë me thikë. Ka shumë heteroseksualë (njerëzit seksualisht të drejtë), që janë të tillë gjatë gjithë jetës së tyre, por ndonjëherë, fantazojnë për marrëdhënie seksuale me seksin e njëjtë.

Kjo, nuk i bën ata, domosdoshmërisht, "homoseksualë latentë", siç është bërë zakon t'i quajnë.
Në një anketim me 171 burra heteroseksualë, një e treta e tyre, thanë se kanë pasur fantazi të rastësishme për seks me djem dhe burra. Po ashtu, shumica e homoseksualëve, që kanë qenë të tillë gjatë gjithë jetës, kanë bërë seks rastësor, me partnere seksuale femër. Në një rishikim që i bëra literaturës gjeta:

* 60% deri 70% për qind e burrave homoseksualë, kanë bërë seks me një grua ose vajzë, më së paku, një herë.

* Mbi 80% e grave lesbike kanë bërë seks me një burrë, ose një djalë.


Ashtu siç e përshkroi situatën, kohë më parë, doktor Kinsey: "Njerëzit nuk prezantohen në dy popullata të ndara me thikë - heteroseksualë dhe homoseksualë. Bota nuk mund të ndahet në dele dhe në dhi...

Kjo botë e gjallë është një kontinuum në të gjitha aspektet, si dhe në çdo aspekt të veçantë të saj. Sa më shpejt të mësojmë për sjelljen seksuale humane, aq më shpejt do të arrijmë mirëkuptimin për realitetin e seksit"

Për një përcaktim më të mirë të "realitetit të seksit", Dr.Kinsey, krijoi një grafik me shtatë shkallë, që njihet si "shkalla e Kinsey".

Kjo shkallë tregon gjithë diapazonin e orientimeve seksuale humane. Në njërën anë të shkallës (zero), janë ata që janë ekskluzivisht heteroseksualë gjatë gjithë jetës së tyre dhe në anën tjetër (gjashta) ata që janë ekskluzivisht homoseksualë.

Në mes të këtyre dy ekstremeve është një zonë e gjerë me shumë nuanca gri, ku hyjnë të gjithë ata që nuk përputhen dot në mënyrë precize në asnjërën kategori. Një nga gjetjet më të mëdha të Dr. Kinsey është që ky grup i mesit, në mënyrë të çuditshme, është shumë i madh.

Ai shkon nga njerëz që kanë pasur vetëm një marrëdhënie seksuale të shkurtër jashtë karakterit, deri tek ata që kënaqen në mënyrë të barabartë si me partnerët meshkuj dhe me partneret femra (biseksualët)

D.r Adem Harxhi, Shekulli

Skandali i radhës, Kosova nuk figuron në tekstet shkollore

"Maqedonia në pjesën veriore të saj kufizohet vetëm me Serbinë", kështu shkruan në tekstin e lëndës së Shoqërisë për klasën e katërt të shkollës fillore.

Në këtë tekst shkollor të botuar në vitin 2009, Kosova nuk figuron si fqinj i Maqedonisë, edhe pse ajo është pranuar nga Maqedonia si shtet në vitin 2008. Nga Byroja për zhvillim të arsimit, e pranojnë gabimin e bërë, por thonë se faji për këtë është i shërbimit pedagogjik të Ministrisë.

"Nuk jam kompetente për botimin e librave, pasi ato bëhen në shërbimin pedagogjik, që është pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pra është institucion tjetër që merret me botimin e librave".

"Unë nuk mund ta di nëse është harruar me qëllim ose jo, megjithatë mendoj se duhet të kihet kujdes i veçantë, pasi ne nuk mund ta anashkalojmë Kosovën si shtet fqinj të Maqedonisë", thotë Ajshe Selmani, zëvendësdrejtore e Byrosë për zhvillimin e arsimit.

Por, e pyetur se cilat janë kompetencat e Byrosë në këtë sferë, Selmani pranon se programet e teksteve shkollore përgatiten nga Byroja për zhvillimin e arsimit.

"Byroja për zhvillimin e arsimit përgatit programet dhe në bazë të atyre programeve, botohen librat. Por, sipas të gjitha gjasave, ai libër ka mbetur i pandryshuar, ka mbetur me po atë program para se Kosova të pranohet shtet, pra mund të jetë një lëshim", shprehet zonja Selmani dhe shton se në programet e reja do të evitohen të gjitha lëshimet që janë bërë në tekstet shkollore.

Mirëpo, ky lëshim ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë thotë se bëhet fjalë për një gabim të madh, që duhet të përmirësohet patjetër.

"Patjetër duhet të përmirësohen gabimet, apo lëshimet në tekstet shkollore. Dikush do të thotë se ndoshta një lëshim në një faqe, apo dy, është një lëshim i vogël, por ne vlerësojmë se janë lëshime shumë të mëdha dhe patjetër se duhet të përmirësohen".

"Ne, edhe në tribuna kemi kërkuar që të gjitha tekstet shkollore që janë në gjuhën shqipe, të kenë autorë recensentë shqiptarë. T'i kontrollojnë ata dhe pastaj të lejohen për shtyp", vlerëson Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.

Profesoresha në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, Gjylymsere Kasapi, njëherësh drejtuese e Komisionit për arsim të partisë Demokracia e Re, vlerëson se gabimi është katastrofal.

Sipas saj, ky gabim, jo vetëm që tenton ta fshehë të vërtetën, por edhe krijon huti të panevojshme në mesin e nxënësve. Zonja Kasapi thotë se ky tekst, urgjentisht duhet të tërhiqet nga përdorimi.

"Këtu është bërë një gabim katastrofal. Ai tekst, urgjentisht duhet të tërhiqet, për arsye se është botuar në vitin 2009, kurse Kosova është pranuar nga Maqedonia në vitin 2008".

"Është keq, nuk është e natyrshme, nuk është e arsyeshme që fëmijët, qofshin ata maqedonas, apo shqiptarë, të mos e dinë se një nga shtetet fqinje më të afërta është edhe Republika e Kosovës. Mendoj se kjo është bërë me qëllim, por nëse është bërë ndonjë gabim, libri duhet të tërhiqet menjëherë", thotë Kasapi.

Lëshime në tekstet shkollore nuk janë bërë vetëm në raport me Kosovën, por ka edhe shumë gabime tjera, përfshirë ato me toponimet shqiptare brenda Maqedonisë.
Shekulli

Shesin ar e kafshë për t’u shpërngulur në Evropë!

Fshatarët shesin kafshët shtëpiake, ndërsa nuset floririn, për të grumbulluar paratë e udhës së gjatë e pa kthim.


Në Kumanovë kurrë nuk ka pasur kaq shumë ofrues të arit sa këto ditë, ndërsa pazari i gjësë së gjallë është mbushur përplot me kafshë shtëpiake.
Të gjithë kërkojnë të shesin dhe vetëm shesin, ndërsa me paratë e fituara blejnë bileta për në një drejtim. Shqiptarët po shpërngulen në mënyrë të heshtur, shkollat po boshatisen.

Pronari i argjendarisë “Rexho”, Rexhep Hasani thotë se ka shumë njerëz që ofrojnë ar për të shitur. “Kjo nuk është për mirë, pasi ari blihet për qejf dhe shitet për hall. E shesin se po ikin në kurbet. Në të dy dyqanet e mia vijnë plot njerëz për të shitur ar. Në 90 për qind të rasteve nuk ia marrim, se ato i shesin për zor, gjë që nuk është mirë”, deklaron për gazetën “Lajm” pronari i kësaj argjendarie.
Rexhep Hasani ka 23 vjet që merret me këtë punë dhe nuk mban mend asnjëherë një numër kaq të madh njerëzish të interesuar për të shitur arin. “Kështu s’ka bo vaki asnjëherë, as në luftën e Kosovës, as në luftën e Maqedonisë. Kjo nuk është shenjë e mirë për ne”, thotë ai, duke sqaruar se vetë personat që ofrojnë arin për të shitur ia tregojnë arsyet pse e bëjnë atë.

Ndërsa numri i nxënësve që largohen nga shkollat sa vjen e rritet. Vetëm në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, 12 nxënës kanë marrë fletëshpërnguljet, ndërsa disa të tjerë presin që t’i marrin së shpejti.

“Për momentin kemi 12 nxënës të larguar, ndërsa ditëve të ardhshme pritet që të rritet numri i nxënësve që kërkojnë të marrin fletëshpërnguljet”, tha Ylber Limani, drejtor i kësaj shkolle.
Ai sqaron se ata nuk mund t’i vlerësojnë si të larguar nxënësit që nuk kanë marrë fletëshpërngulje. “Veç nxënësve që janë larguar ka dhe plot prindër që interesohen për procedurat”, thotë ai.
Edhe në 11 shkollat e tjera fillore të komunës së Kumanovës dhe Likovës, situata është e ngjashme me atë të shkollës “Bajram Shabani”, ku dhjetëra nxënës kanë marrë fletëshpërnguljet.
Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) në Kumanovë e Likovë është e brengosur për situatën. “Numri i nxënësve në këto dy komuna për çdo ditë e më shumë po zvogëlohet, sepse nxënësit me prindërit e tyre po shpërngulen masivisht për në Belgjikë, Francë, etj. për shkak të kushteve të rënda ekonomike, papunësisë, paperspektivës dhe jostabilitetit të vendit tonë, e atje po kërkojnë azil”.

Psikologu Lulëzim Murtezani thotë se kjo është një mënyrë moderne, bashkëkohore e asimilimit të njerëzve. “Tash nuk kemi asimilim me dhunë, asimilim institucional, por kemi një mënyrë tjetër, kemi pasaporta dhe kemi liri për të ikur. Edhe kjo mënyrë e asimilimit është shumë e rrezikshme. Nëse nuk kemi strategji për të bërë punësimin, sidomos të të rinjve, nuk do të mund t’i themi stop kësaj dukurie”, thotë ky psikolog.
Ai sqaron se viktima të këtij asimilimi janë kryesisht familjet që nuk kanë kushte të mira ekonomike. Sipas Murtezanit, problemi do të vazhdojë deri në momentin kur institucionet të marrin masa për ta penguar atë. Kushtet ekzistenciale, të cilat gjenden në majën e piramidës, janë faktori kryesor që i detyron këto familje për të marrë rrugën e shpërnguljes.
“Meqë këto nevoja ekzistenciale nuk plotësohen, ata gjejnë rrugë të ndryshme. Në rastin konkret, qytetarët duke mos pasur perspektivë, marrin rrugën e largët.

Shumë njerëz janë të rrezikuar, janë në gjendje jo të mirë ekonomike dhe vizioni i tyre është që me çdo kusht të shkëpusin rrënjët nga ky ambient dhe normalisht shpëtimin e gjejnë në një ambient tjetër”, thotë ai.


Javëve të fundit dhjetëra autobusë të mbushur kryesisht me shqiptarë nisen drejt Belgjikës, Francës, Austrisë, Gjermanisë e Zvicrës.

Gazeta Koha Ditore

Durimi, shkathtësia e të shpresuarit.

...një mjet që të siguron një të ardhme të lumtur!


Në të vërtet durimi është një mjet mjaft i rëndësishëm dhe mjaft dobiprurës për njeriun. Por thelbi kryesor apo gjëja kryesore që në duhet të kuptojmë, është se çka kuptojmë me durimin.

Ne dimë nga jeta e përditshme se si të vegjël qe kemi kuptuar se çka është zjarri, përkatësisht kemi kuptuar se zjarri është një krijesë e cili ka cilësi djegie dhe në kontakt me të ne do të pësojmë, po ashtu shumë të vegjël kemi kuptuar se po sa që të bëhemi nervoz dikush do te na vijë në ndihmë dhe kështu do te ja arrimë qëllimin. Pra jeta ka qenë ajo që na ka bërë të mësojmë se edhe një element i keq mund të sjell dobi.

Pasi që jemi rritur kemi kuptuar se të bëhesh nervoz nuk është një gjë edhe e mirë, por megjithatë ka situata qe ne patjetër duhet të bëhemi nervoz, madje ka raste që ne duet ndoshta edhe të bërtasim e mos te themi rastet qe bëhemi aq nervoz saqë na u duhet te i sjellim dikujt apo dikush të na sjell ne.Prandaj këtu duhet kuptuar se po qe se ne dimë se çka është durimi dhe po qe se ne duam ta dimë se si mundemi, mese lehti te bëhemi të durueshëm atëherë do te pshtojmë nga situatat qe na sjellin probleme edhe me te mëdha qe nga një problem shumë i vogël ne kokat tona ai problem do te behet aq i madhe qe edhe po deshëm ne me nuk do te mundemi te bëhemi te qetë nga situata qe na ka ndodhur.

Ajo që më së shumti ia vlen të diskutohet është vet nocioni i durimit, edhe pse kemi nocione të shumta nga dijetar dhe shkencëtar të ndryshëm. Në ketë rast kemi zgjedhur një nga shumë ato qe menduam se është me i kuptueshëm dhe me i përafërt më atë që ne në jetën e përditshme kuptojmë me fjalën “DURIM”.

Sipas mendimit që cekëm më lartë durimi është:

“Ta ndalojmë veten tonë nga dëshpërimi dhe paniku, ta ndalojmë gjuhën tonë nga ankimet dhe ti ndalojmë duart tona nga goditja e fytyrës dhe grisja e rrobave në kohë fatkeqësie dhe stresi”.


Llojet e durimit

Durimi mundet me qenë dy llojesh dhe atë mund të jetë me zgjedhje apo pa zgjedhje :

a) durimi fizik

b) psikologjik

Durimi me zgjedhje ka kuptimin e atyre situatave që individi ka mundësi të zgjedh, te bëj durim apo jo. Ndërsa në ato raste kur individi duhet të duroj patjetër së nuk ka zgjedhje tjetër do të thotë durim pa zgjedhje.

a) Sa i përket durimit fizik:

1. më zgjedhje, kuptojmë bërjen e punëve të rënda me dëshirë
2. pa zgjedhje, kuptojmë durimin e sëmundjeve, e rrahjeve, e të ftohtit ose të nxehtit

b) Sa i përket durimit psikologjik:

1. më zgjedhje, kuptojmë frenimin nga ato gjera që logjika e njeriut i përcakton si të gabuara
2. pa zgjedhje, kuptojmë ndarje të ndryshme nga dikush që e donë shumë

Siç e përmendëm edhe me lart se durimi është dy lloje, me zgjedhje dhe pa zgjedhje. Durimi me zgjedhje është i një shkalle më të lartë se sa durimi pa zgjedhje. Por megjithatë qetësja e trupit dhe shpirtit është e njëjtë të te dyja.

Forca e Durimit

Disa njerëz nuk mundën të bëjnë durim pa u përpjekur dhe pa bërë shumë vështirësi që ta arrësin këtë. Të tjerët janë të aftë të bëjnë sabër lehtësisht. Lloj i parë është si ai që ndeshet me një burrë të fortë dhe s’mund ta mundë atë pa përpjekjen më të tejskajshme. Lloji i dytë është si ai person që ndeshet me një njëri të dobët dhe e mund atë më lehtësi. E tillë është lufta ndaj të mirës dhe të keqes. Por siç e dimë se ata te cilët janë ushtar të së mirës gjithherë do te dalin fitimtar.


I duruari, i fituari - Populli. A është virtyt durimi apo dobësi?
Bledikorcari, forumivirtual.com

Njerëzit që nuk kanë durim, jane të padurueshëm... (Stop. Injorancës)