Monday, February 22, 2010

Homoseksualët lindin apo bëhen?

Gjithkush ka opinionin e tij për homoseksualitetin dhe shpesh, ky opinion është shumë i fortë e i palëkundur. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, e pranojnë se homoseksualiteti ekziston. Ai është i pranishëm në çdo shoqëri, kudo në botë. Homoseksualizmi ka ekzistuar edhe në shumë shoqëri antike, gjatë gjithë historisë së njerëzimit.


Madje, Richard C. Pillard M.D., psikiatër në "Boston University School of Medicine" dhe një ekspert i shquar për homoseksualitetin, shkon edhe më tej, kur thotë: "Homoseksualiteti, virtualisht, ekziston në çdo specie kafshësh, që është studiuar në mënyrë shteruese"


Nga rezultatet e kërkimeve të Dr. Alfred Kinsey, mësojmë:

* Rreth 4 për qind e burrave (në Amerikë), janë homoseksualë ekskluzivë gjatë gjithë jetës së tyre.
* Rreth 10% e meshkujve amerikanë mendohet të jenë homoseksualë për tre vjet të jetës së tyre si të rritur (homoseksualë jo ekskluzivë).


* Rreth 37% e 5000 burrave amerikanë, që studioi Dr. Kinsey, kanë pasur, më së paku, një marrëdhënie seksuale deri në orgazëm, me një mashkull tjetër.(?)
* Tek gratë këto shifra janë më të vogla. Rreth 2% deri 3% e grave të rritura, mendohet të jenë ekskluzivisht homoseksuale (lesbike), gjatë gjithë jetës së tyre.


Studimet e kryera për këtë qëllim edhe në kultura të tjera moderne, tregojnë se përqindja homoseksualëve në këto vende është në shifrat e më sipërme.

Sa herë flitet për homoseksualizmin, njerëzit, bëjnë këto tre pyetje:
1. Çfarë e shkakton homoseksualizmin?
2. Është apo nuk është, homoseksualizmi, një fenomen "natyral"?
3. Çfarë është në vetvete homoseksualiteti?


Këto janë edhe pyetjet, që studiuesit e homoseksualizmit, e kanë më të vështirë për t'iu përgjigjur. Ata, kur përpiqen t'u përgjigjen këtyre pyetjeve, ndjejmë se këtu fillon pjesa më e vështirë e gjithë asaj që ka të bëjë me homoseksualitetit.

Por, për çudi, këto pyetje, marrin përgjigje të menjëhershme dhe "definitive", në disa emisione televizive të Tiranës. Në këto emisione, përgjigjet e gabuara shiten si të vërteta të padiskutueshme.

Definicioni më i mirë për homoseksualitetin është ky: "Orientim seksual për partnerë me gjini të njëjtë". Vini re! Unë thashë "orientim seksual" dhe jo "preferencë seksuale". Këto dy terma nuk duhet të ngatërrohen. Ne orientohemi seksualisht për një partner të gjinisë tonë, ose të gjinisë tjetër.

Por, pavarësisht, orientimit seksual, ne kemi preferenca për partnerin. Dikush preferon një bionde, më shumë se një brune. Dikush preferon një grua me gjinj të mëdhenj, dikush me gjinj të vegjël.

Dikush preferon një partner ose partnere me ngjyrë, dikush tjetër një të bardhë. E kështu preferencat janë pa fund. Siç e shikoni, preferencë seksuale kanë heteroseksualet edhe homoseksualët.

Por, si për çdo gjë tjetër lidhur me seksualitetin human, orientimi seksual nuk është një gjë e prerë me thikë. Ka shumë heteroseksualë (njerëzit seksualisht të drejtë), që janë të tillë gjatë gjithë jetës së tyre, por ndonjëherë, fantazojnë për marrëdhënie seksuale me seksin e njëjtë.

Kjo, nuk i bën ata, domosdoshmërisht, "homoseksualë latentë", siç është bërë zakon t'i quajnë.
Në një anketim me 171 burra heteroseksualë, një e treta e tyre, thanë se kanë pasur fantazi të rastësishme për seks me djem dhe burra. Po ashtu, shumica e homoseksualëve, që kanë qenë të tillë gjatë gjithë jetës, kanë bërë seks rastësor, me partnere seksuale femër. Në një rishikim që i bëra literaturës gjeta:

* 60% deri 70% për qind e burrave homoseksualë, kanë bërë seks me një grua ose vajzë, më së paku, një herë.

* Mbi 80% e grave lesbike kanë bërë seks me një burrë, ose një djalë.


Ashtu siç e përshkroi situatën, kohë më parë, doktor Kinsey: "Njerëzit nuk prezantohen në dy popullata të ndara me thikë - heteroseksualë dhe homoseksualë. Bota nuk mund të ndahet në dele dhe në dhi...

Kjo botë e gjallë është një kontinuum në të gjitha aspektet, si dhe në çdo aspekt të veçantë të saj. Sa më shpejt të mësojmë për sjelljen seksuale humane, aq më shpejt do të arrijmë mirëkuptimin për realitetin e seksit"

Për një përcaktim më të mirë të "realitetit të seksit", Dr.Kinsey, krijoi një grafik me shtatë shkallë, që njihet si "shkalla e Kinsey".

Kjo shkallë tregon gjithë diapazonin e orientimeve seksuale humane. Në njërën anë të shkallës (zero), janë ata që janë ekskluzivisht heteroseksualë gjatë gjithë jetës së tyre dhe në anën tjetër (gjashta) ata që janë ekskluzivisht homoseksualë.

Në mes të këtyre dy ekstremeve është një zonë e gjerë me shumë nuanca gri, ku hyjnë të gjithë ata që nuk përputhen dot në mënyrë precize në asnjërën kategori. Një nga gjetjet më të mëdha të Dr. Kinsey është që ky grup i mesit, në mënyrë të çuditshme, është shumë i madh.

Ai shkon nga njerëz që kanë pasur vetëm një marrëdhënie seksuale të shkurtër jashtë karakterit, deri tek ata që kënaqen në mënyrë të barabartë si me partnerët meshkuj dhe me partneret femra (biseksualët)

D.r Adem Harxhi, Shekulli

No comments: