Thursday, February 11, 2010

Kush e kërkon regjistrimin fetar?

Debati më i fundit në shoqërinë shqiptare për regjistrimin e popullsisë në bazë të deklarimit të kombësisë dhe fesë i përngjet një problemi të krijuar sesa një problemi ekzistues.

Nikolla Gejxh

Përgjigjen dhe zgjidhjen e ka marrë, që në vitin 1919 në bisedimet e Konferencës së Paqes në Paris, kur aleatët e Antantës i deklaruan Venizellosit kryeministrit grek të kohës, i cili dëshironte pikërisht një numërim të tillë të popullsisë të ashtuquajturit Vorio Epir, në fakt Shqipërisë së Jugut se besimi fetar nuk mund të merrej parasysh përpara gjuhës së folur si kriter për të përcaktuar kombësinë e popullatës.


Dhe ky vendim nuk u mor vetëm për të kënaqur Italinë, fuqinë e interesuar për Shqipërinë siç shprehet aty këtu historiografia greke, por u bazua në një vëzhgim të thellë, që komisioni i caktimit të kufijve ndërmori në terren. Kështu që pas këtij kapitulli të mbyllur historie tingëllojnë absurde përpjekjet e sotme, për të risjellë në skenë një praktikë të tillë.


Aq më tepër kur vende përreth nesh jo vetëm, që nuk e praktikojnë por në bazë të politikave të tyre asimiluese kanë bërë të mundur të asimilojnë grupe të tjera etnike për të çimentosur formulën e shtetit-komb.

A është ky regjistrim një kërkesë e Bashkimit Evropian apo kërkesë nga vendi fqinj Greqia e cila rezulton të jetë më e interesuara për tu zhvilluar një regjistrim të tillë të popullsisë? Duhet ta bëjmë këtë pyetje pasi shteti grek në mënyrë të një pas njëshme në të gjitha kohët dhe rrethanat historike ka vazhduar të pretendojë se qytetarët shqiptarë të besimit ortodoks i përkasin kombësisë greke. Sinqeriteti i administratës shqiptare për t'iu përgjigjur kësaj pyetje në fakt rrëzon dhe të gjitha alibitë dhe keqkuptimet e mundshme.


S'ka dyshim, që pas disa dekadave, që nuk kemi pasur një regjistrim të mirëfilltë fetar, ai është i domosdoshëm jo vetëm për të përcaktuar qartë raportin e komuniteteve fetare në vend, por dhe për të dëshmuar realitetin larg formulave të vjetra, që i përkasin gjysmës së shekullit të kaluar.


Ndërsa regjistrimi i popullsisë duke vetë deklaruar kombësinë tingëllon absurd pasi kombësia e një individi nuk mund të përcaktohet nga çfarë ai deklaron por nga origjina etnike e trashëguar nga prindërit. Arsyetimi i servirur nga disa përfaqësues të minoriteteve, se regjistrimet e popullsisë të ndërmarra gjatë regjimit komunist nuk i përgjigjen realitetit mund të jenë pjesërisht të sakta.


Nuk përjashtohet mundësia, që të jetë ushtruar presion mbi individë të veçantë për të mos deklaruar kombësinë e vet, por në përgjithësi shteti shqiptar i pas luftës së dytë botërore i respektoi të gjitha marrëveshjet për minoritetet, veçanërisht marrëveshjen për të drejtat e minoritetit grek, të nënshkruar më 1921, me rastin e pranimit të Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Debatet dhe përpjekjet e fundit për ta zgjeruar këtë zonë minoritare duke përfshirë Himarën, Korçën e Përmetin rikthen në skenë problemin, që Fuqitë e Mëdha në Paris i kanë dhënë përgjigje kështu, që rrjedhimisht pala shqiptare as që duhet të merret më me të për ta shqyrtuar. Shteti shqiptar duhet të tregojë më shumë kulturë shtetformuese duke respektuar shtetarët e vet të mëparshëm si dhe punën administrative të tyre.


S'duhet të lejojmë të kthehemi në kaviet eksperimentale të rajonit. Kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend të rajonit, madje dhe në ato që pretendojnë se e kanë kryer këtë regjistrim prej shumë vitesh më parë.


Ç'mund të themi për regjistrimet e popullsisë në Greqi, ku sipas studiuesve të ndryshëm kur u kuptuan në shtetin grek territoret e Maqedonisë së sotme greke, një e treta e popullsisë ishte e kombësisë sllave, kurse në regjistrimet e sotme nuk gjen pothuajse asnjë individ të kësaj kombësie?!

Ky amatorizëm qeverisës i demonstruar për gjithë këto vite me radhë në marrëdhëniet tona me fqinjët , ka dhënë goditje të fuqishme ndaj individit shqiptar i cili nën peshën e halleve të jetesës së përditshme është tkurrur moralisht sa të pranojë dhe të vetë deklarohet i njërës apo tjetrës kombësi për të përfituar sadopak mirëqenie.


Afro 90 vjet më parë oficerët e Komisionit Ndërkombëtar të caktimit të kufijve midis Shqipërisë dhe Greqisë, pas dëgjimit të korit të banorëve, të instruktuar me anë të dhunës nga ushtritë greke të okupacionit, që të deklaronin se ishin grekë, hidhnin mes fëmijëve monedha dhe dëgjonin gjuhën që flisnin dhe pastaj vendosnin se kujt kombi i përkiste popullata duke marrë si kriter dallues gjuhën e folur.


Në këtë mënyrë shumë fshatra shqiptarë me popullsi ortodokse qëndruan brenda kufijve të Shqipërisë. 90 vjet më pas a do të lejojnë shqiptarët që faktori "monedhë" kësaj radhe të veprojë në të kundërt të tyre?

Dorian Koçi *Autori është pedagog i Historisë. Shekulli

No comments: