Tuesday, February 2, 2010

Vdes pacientja, pezullohen mjekët

Vdekja e një pacienteje 58-vjeçare në QSUT dhe akuzat e familjarëve për neglizhencë nga bluzat e bardha, u bënë dje shkak për pezullimin nga detyra të dy mjekëve. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme.

Pas vdekjes se Drita Gixharit, 58 vjeçe, familjarët e saj denoncuar në komisariatin numër 4 mjekët e spitalit për neglizhencë dhe mosdhënien e mjekimit të duhur. Ndërkohë, pritet që autopsia mjeko-ligjore të përcaktojë shkakun e vërtetë të vdekjes së 58-vjeçares Drita Gixhari. Djali i saj, Bashkim Gixhari fajësoi mjekët në një prononcim që dha dje për mediat. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka reaguar menjëherë duke pohuar se ministri Petrit Vasili ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të mjekëve që kanë vizituar pacienten. Ministri gjithashtu kërkoi hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe zbardhjen e çdo detaji deri në fund.

Denoncimi
Duke akuzuar mjekët rojë si shkaktarët e vdekjes së nënës së tij Bashkim Gixhari tregoi dje ngjarjen duke sqaruar për mediat mënyrën si është ndarë nga jeta nëna e tij. "Në orën 10 të darkës, (e premte) mami kishte shqetësime me barkun dhe me mesin. Rreth orës 11:00 e sollëm në spital, te urgjenca. Mjeku roje na tha që për momentin ta shohim çfarë ka, pastaj pas një çerek ore i bëri dy qetësues. Dhimbjet vazhduan duke u shtuar që nga momenti kur i bënë dy qetësuesit. Unë kërkova që të ishte edhe një mjek më specialist dhe i thashë: "Thirr ndonjë që është më specialist këtu". Ai shkoi t'i thërriste. Ishin dy specialistë të tjerë aty, por nuk erdhi asnjë. Njëri nga ata e kishte emrin Gjergji. Nga revolta dhe dhimbja e nënës shkova unë te zyra e këtyre dhe hapa derën. Mjeku më tha: "Ku e hap derën t'i ashtu? Pse nuk troket?". Dola jashtë dhe trokita, pastaj tha: "E di ç'të bëj? Të thërras atë policin te dera!". Pastaj i dha urdhër një tjetri që ishte aty me të duke i thënë: "Shko shihe, çfarë ka?". Erdhi ky, e pa, dhe tha se nuk kishte gjë për t'u shqetësuar. "Ne do t'i bëjmë edhe një qetësues tjetër përveç atyre që i kishte bërë ai më parë", tha djali i 58-vjeçares. Sipas tij, nga ai moment pacientja u la pa asnjë lloj shërbimi, pasi doktori donte të flinte gjumë. "Pastaj shkuam lart në katin e dytë të Urgjencës dhe kontaktuam me një mjek roje që tha: "Duhet ta shohim dhe t'i bëjmë EKO patjetër. Shkuam i bëmë edhe EKO-n, pas urdhrit të tij, pasi atyre të katit të parë, nuk u ra fare në mend. Bëmë EKO-n dhe na rezultoi që kishte një gur të vogël në veshka por nuk ishte ky problemi. Na thanë që do të japim një recetë. "Merrni ilaçet dhe ikni në shtëpi, pasi nuk ka ndonjë problem!", na thanë mjekët-vazhdon rrëfimin e tij djali i pacientes. Ai thotë se në këtë kohë nëna e tij nuk ngrihej dot nga krevati. Ajo e ndiente që kishte shumë dhimbje. "Do të rri këtu, -tha, do të rri". Djali pohon se kanë qëndruar në spital deri në orën 04:00 të mëngjesit, pa asnjë lloj shërbimi. "Në orën 04:00 u detyruam ta çojmë në shtëpi. Pas 20 minutash i filluan dhimbjet akoma edhe më të mëdha dhe e sollëm te spitali 6-katesh. Aty e panë, i matën tensionin i bënë edhe analiza për zemrën dhe thanë që ne mund të bëjmë një qetësues, për t'i lehtësuar dhimbjet për momentin, por jo kryesoren. Në ato momente asaj filloi t'i fryhej barku. Mjekët e 6-katëshit na thënë që kryesoren e ka atje ku ishit. Ata duhet t'i bëjnë EKO për zorrët dhe për barkun. Kur na pa ai mjeku roje i fillimit na tha: "Prapë ju!?". Kur ia shpjeguam që ishim te 6-katëshi dha "ok", na pranoi. Nuk ka gjë tha. Vazhdonte të pohonte se nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. Në ato momente shkuam dhe i bëmë EKO-n për zorrët ndërkohë që barku fillonte duke u fryrë akoma dhe më shumë. Panë që mund të kishte diçka, por akoma nuk e cilësonin nëse kishte një bllokim apo një shtrembërim të zorrëve. Nga ora 07:30-08:00 deri në 10:30 nuk e ka parë njeri fare dhe nuk e ka kapur njeri me dorë. Ne na thoshin që kanë shkuar lart për mbledhje. Ne shkonim që të thërrisnim mjekët, por nuk na linin rojet të hynim", vazhdon djali i pacientes. Sipas tij, në orën 10:30 njëri nga mjekët i cili ka thënë se mund të bëjmë një kartelë tani dhe ta shtrojmë. Nuk ka asgjë për shqetësim të madh. Në momentin që ishim duke plotësuar kartelën unë dhe ai sapo mbaruam kartelën deshëm ta ngrinim për ta çuar te shtrati na thanë: "Shpejt, shpejt në sallë të reanimacionit".
Nga aty shkuam te salla dhe nuk kaluan 3 apo 5 minuta dhe na thanë që nëna ka mbaruar", përfundon rrëfimin Bashkim Gixhari.

FATOS MAHMUTAJ, G. Panorama (Materiali i sugjeruar nga Elton Zaçaj)


A mund të tallesh kështu me jetën e një njeriu dhe të shpëtosh me pezullim të përkohshëm nga puna ? Që kur vrasësit me përparëse të bardhë nuk quhen më vrasës ? (Ndal Paditurisë)

http://stopinjorances.blogspot.com/2009/10/sherbimi-shendetesor-ne-shqiperi.html

No comments: