Saturday, February 6, 2010

Vajza e Çipsave!

Mania e pokerit online, joshja nga misteri dhe fitimi. Loja që mbledh në një tavolinë njerëz nga vende dhe kombësi të ndryshme. "Fiksimi" i Manjola Sopikut.

Nëse bashkëmoshatarët e saj do të jenë duke qëndisur pajën për martesë, ajo është duke "luftuar" për të fituar çipsat e radhës në lojën e pokerit. Është dashuria më e fundit e Manjolës, vajzës së diplomuar për Histori në vitin 2007. Bionde, sytë ngjyrë ulliri, e shpenguar në veprime e në të folur. Aktualisht punon në një kompani private që nuk ka lidhje me studimet që ka përfunduar. Ndërsa jeta e rrëmben në përditshmërinë e saj, diçka tjetër ka filluar t'i "hajë" shumë kohë, pasioni për të marrë sa më shumë çipsa pas vetes. E ka filluar si lojë, por ja që tashmë është kthyer në mani që zor të shkëputet më nga ajo. Madje, i është bërë si vakt buke, pa "dozën" e së cilës nuk bën dot asgjë. Pasioni për pokerin ka filluar me shoqërinë, ka vazhduar duke luajtur në internet dhe tani tundimi shkon më tej. Ku? Aty ku janë kazinotë dhe hidhet milionat! Ajo që e tundon Manjolën të "hapë" derën e fatit është një karakteristikë që ajo i ka vënë re vetes, por që një gjë të tillë ia kanë venë në dukje edhe të tjerët. 23-vjeçar-ia ka shumë fat në lojë! "Jam njeri me fat, këtë e kam kuptuar por edhe jam habitur me veten herë pas here".
Ajo na tregon fillimet e saj në lojën e pokerit: "Para dy vitesh në fundin e studimeve ishte koha e ekspeditave që zhvillonte departamenti i Historisë në Universitetin e Tiranës. Nisi si shaka, por që ambicia që kam unë për të fituar vetë më bëri të rrija më orë të tëra me miqtë e mi me dëshirën për t'i mposhtur ata në lojë". Dhe jo vetëm poker... tavull, xhol, 31-ish, murlan. Duke folur me pasion për lojërat e saj të preferuara, Manjola na rrëfen edhe faktin se është tip bixhozxhie. E kam të trashëguar nga familja shprehet ajo, im atë luan shumë dhe është i zoti në lojërat e bixhozit. Ndërsa tani gjërat kanë evoluuar.
Atë mund ta gjesh në pesë të mëngjesit para kompjuterit duke luftuar me një afganistanas apo bullgar e me çfarë do lloj kombësie, për çipsat e radhës.
Dhe të gjithë këto bëhen në internet. Manjola është lojtare e rregullt në këto faqe dhe nuk bënë mungesa. Kombësitë e miqve të saj lojtar janë nga më të ndryshmet dhe nga e gjithë botë. Për sa i përket preferencave. Më me qejf ka të luaj me Italianët, pasi janë më të qetë. Fakti që je femër ta vështirëson pak punën, por po dite t'ia tregosh vendin nuk e ke aspak të vështirë thotë ajo. E veçantë e kësaj lojë është se ti mund të luash me persona të kombësive të ndryshme që në të njëjtën kohë kanë të njëjtin mendim si ti. Ndërsa i kërkojmë personazhit tonë një foto të sajën, kundërshton, duke pranuar të jetë vetëm në profil. Eh, ja dhe një kompleks.

"Së fundmi janë të shumtë miqtë e mi që më nxisin të futem në kazino, pasi më thonë që kam shans. Unë shkoj shumë rrallë dhe kur shkoj nuk luaj më shumë të mëdha lekësh. Por, të them të drejtën me tundon ai ambient misterioz në dhomat e pokerit ku luhet për miliona. Nga ana tjetër është i vërtetë fakti që kam fat, pasi shpesh kam fituar. Nuk dua të abuzoj më këtë pjesë, më duket e rrezikshme", pohon Manjola. Kur e pyesim, nëse e ka parë ndonjëherë këtë si humbje kohe? Nuk e prish shumë terezinë. Me pëlqen dhe kaq thotë ajo. Është diçka që më ngre adrenalinën dhe argëtohem pa masë. E di që mund të jem ndryshe nga të tjerat, po kjo nuk do të thotë asgjë. Atë e kap ora 5 e mëngjesit duke luajtur para kompjuterit. Në fjalorin e saj fjalët më të reja janë çipsa, të gjithë numrat na 2-shi e deri tek As-i.


Poker Online
Pokeri online është bërë një nga lojërat më të popullarizuara vitet e fundit. Pjesë e mirë e poker-it në internet është se lojtarët që duan të luajnë atë vetëm për argëtim mund ta bëjnë këtë pa investuar para të vërteta. Kjo lojë tani është një nga industritë më fitimprurëse online. Operatorët kanë investuar miliona dollarë për zhvillimin e softwerave e me këto ritme dhe etje që kanë njerëzit, duket se ia kanë arritur qëllimit.


Rregullat
Loja poker luhet në shumë forma, por ajo më e luajtura në botë është "Texas Holdem". Synimi i lojës është të fitosh ato para që investohen në një pot të përbashkët. Loja luhet me dy letra përmbys dhe me pesë letra të përbashkëta. Gjithsej ka katër raunde të bastit. Lojtari me pesë letra më të mira e fiton potin. Të gjitha aksionet zhvillohen në drejtim të akrepave të orës.
Shekulli

No comments: