Thursday, February 18, 2010

"Ata, kundra të cilëve protestuam, u bënë ministra të qeverisë së Republikës"

Më dt 16 shkurt të një viti më parë, Gjykata e Gjirokastrës pas 6 seancash vendosi të më japë pafajësinë mua dhe shokut tim. Ne akuzoheshim për një "krim të rëndë". Më datë 02.06.2008 kishim organizuar një protestë në fshatin tonë, Toç i Tepelenës, ku kundërshtonim veprimtaritë antishqiptare të prefektit të Gjirokastrës (në atë kohë Spiro Ksera) dhe të Vasil Bollanos.


Pasi kishim dërguar njoftim me shkrim në polici, ne dolëm në rrugë rreth 200 veta me të vetmin qëndrim "Të mbrojmë dinjitetin kombëtar e territorial" të cenuar shumë herë nga këta dy pushtetarë lokalë me qëndrime antishqiptarë.


Çudia erdhi me vonë, pasi komisariati i policisë Tepelene nën ndikimin e ish-prefektit Ksera na padit për "Organizim të tubimeve të paligjshme"?! Falë përkrahjes së mediave vizive e të shkruara dhe shumë shoqata atdhetare, gjykata u DETYRUA të na japë pafajësinë.
Edhe Spirua u "ndëshkua" nga qeveria Berisha e vjetshme dhe e tanishme, duke e bërë ministër. Bollanua vazhdon kryetar bashkie.


Është kjo qeveri që ishte gati t'i falte kufijtë detarë Greqisë, por dështoi falë luftës që bënë media juaj dhe të tjerat. Është po kjo qeveri që kërkon të bëjë regjistrimin e popullsisë në bazë feje e etnie për të përmbushur ëndrrën e Spiros, Bollanos dhe përkrahësve të tyre në Tiranë e Athinë.


Pikërisht, këtë përmendi ish-prefekti ynë Spiro Ksera në një takim në Konicë: "Unë jam këtu si prefekt i Vorio-Epirit". Për këtë protestuam ne.
Ndaj habitemi sesi njerëz të tillë ndihmohen nga PD dhe Berisha të rimarrin status politik, e jo vetëm kaq: të bëhen edhe ministra të qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Orgen Hasanbeg, Shekulli. Red. Stop Injorancës

No comments: