Varfëria po rritet çdo ditë e më shumë jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin. Kjo gjë duket shumë qartë që nga fakti se njerëzit duhet të konsumojnë më pak ushqime. Tavolinat e shqiptarëve çdo ditë e më tepër po varfërohen.
Rritja e varfërisë në kryeqytet tregohet më së miri me shtimin e emrave të familjarëve që blejnë me lista nëpër dyqanet e lagjeve. Sipas pronarit të një dyqani pranë rrugës "Jordan Misja", varfëria po rritet çdo ditë e më shumë, gjë që duket dhe te numri i madh i njerëzve që marrin me listë. Jo vetëm se jemi në sezonin e dimrit, por për shkak të varfërisë fasulet janë ende produkti ushqimor më i kërkuar i familjeve shqiptare. Varfëria që ka ngërthyer gjithë vendin, ka bërë që fasulet të jenë ende një ndër pjatat më të shpeshta që konsumohet. Sipas shitësve, në listat e familjeve që marrin me listë, veç fasuleve shumicën e vlerës e zënë buka, djathi dhe vezët.
Listat
Në çdo pikë shitjesh në kryeqytet janë shtuar emrat e familjeve që blejnë me listë. Kjo gjë konfirmohet nga vetë shitësit, të cilët thonë se dy muajit e fundit janë shtuar shumë emrat e personave që marrin ushqime dhe lekët i paguajnë më vonë. "Ka shumë familje në këtë lagje që bëjnë blerje pa paguar lekët; lënë emrat shënim dhe i paguajnë më vonë paratë që na detyrohen. Normalisht që ne u japim atyre familjeve që i njohim, se kemi disa vite që e kemi hapur dyqanin. Por nuk ndodh vetëm në këtë lagje, pothuajse çdo dyqan jep ushqime me listë", - tregon Sazani, pronar i një dyqani ushqimor në Kombinat. Ndërkohë nga ana e tyre familjarët tregojnë se të ardhurat mujore nuk u mjaftojnë për të blerë ushqimet që mund t'i duhen një familjeje për një muaj.
"Çmimet e ushqimeve po rriten përditë, ndërsa rrogat tona në vendnumëro.
Marrim, si unë dhe burri së bashku 50 mijë lekë sepse punojmë në shtet. Nuk kemi çfarë të bëjmë më parë me këto lekë. Kemi fëmijët në shkollë, duhet të paguajmë taksat, ujin e dritat çdo muaj dhe normalisht detyrohemi që të blejmë ushqime duke iu thënë shitësve se do t'ua japim lekët pesëmbëdhjetëditëshin tjetër ose muajin pasardhës. Na vjen dhe turp kur e bëjmë këtë gjë, por nuk kemi çfarë të bëjmë, vetëm të vdesim", - tregon Jetmira, nëna e tre fëmijëve. Çdo ditë e më shumë po shtrenjtohen çmimet e produkteve ushqimore. Një kilogram oriz ka shkuar 170 lekë, fasulet 200 lekë, vaj 180 lekë, miell 100 lekë.
Gjithashtu, çmime të larta kanë edhe frutat e perimet, të cilat janë edhe produktet më të kërkuara. Shitësit tregojnë se nuk është faji i tyre për këto çmime, pasi dhe ata vetë po i marrin artikujt gjithmonë e më shtrenjtë nga pikat e shumicës.
G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment