Thursday, February 25, 2010

"Politikani shqiptar, ky kriminel i paprekshëm"

Vështrojeni pak tablonë e politikes; është e pështirë. Kundërmon. Të ushtruarit e pushtetit është shpërfytyruar. Shantazhi, fudullëku politik është mbytës. Përveç pamjes amorfe të pushtetit, amorfe ka marrë pamjen edhe shteti. Brutaliteti është bërë normë komunikimi.

Problemet zgjidhen vetëm me metoda marciale! Kryeministri sulmon jetën private të një gruaje, vetëm se ajo mbrojti në shtyp nderin dhe dinjitetin e femrës shqiptare në shtypin italian, nga provokimi bajat i një kryeministri "Guinplen" si Silvio Berluskoni!

Identitete politike të papërcaktuara gjen me shumicë. Në fjalimet pa fund shprehin pa pikë turpi ide primitive me përmbajtje të njëjtë. Si papagaj të hutuar përsërisin çfarë u kaene thënë liderët.

Rivaliteti politik zhvillohet në trajtën e një lufte të zhveshur nga çdo lloj ligji e rregulli! Nuk është luftë për nocione. Është kacafytje për ekzistencë, për zona fitimesh. Si ajo e gangsterëve, fiseve, bandave.

Vështroni! Ekonomia është në përpëlitje! Një pjesë e madhe e shqiptarëve gjenden para portës së mjerimit. Receta që ofron shteti është varfëria e detyruar.

Por harron se ajo është një vullkan i ndezur. Kjo sepse është pasojë e gabimeve dhe fajeve, neglizhencës dhe indiferencës së hershme të politikës, korrupsionit dhe krimit që nuk rresht së marri përditë në forma të ndryshme jetë të shtrenjta njerëzish.

Nuk ka popull në Europë besoj, që të vuajë e ta pësojë kaq shumë nga politikanët e vetë.

Kuptohet është e rrallë të gjesh një shtet që nuk ka probleme të brendshme. Por, nga ana tjetër është e rrallë të gjesh një popull ku politikani realizon ambiciet e veta ekonomike fare hapur në mënyrë kaq të pashembullt e të paskrupullt ditën me diell. Drejtësia nuk ekziston, ndëshkimi ligjor nuk vjen kurrë.

Ironia është se ndërsa pelegrinazhi i të varfërve, nga vuajtja në vuajtje po bëhet mitik, pozita e politikanëve është e çuditshme... Ata janë zotër biznesesh dhe favorizimesh. Ata e shtypin me këmbë çdo rival të aftë që nuk ka pushtet politik.

Fuqinë ekonomike dhe politike e kanë kthyer në fuqi ligjore mbrojtëse. Kur vjen puna për paranë, një politikan nuk ndryshon shumë nga një rrugaç, nga një mafioz, nga një kriminel!

Ligji shkelet, por politikani nuk dënohet. Ndryshe ndodh me një varfanjak. Ai nga halli vjedh një tullë, ose një thes çimento, duke dhënë edhe jetën (kujtoni atë 14-vjeçarin ne Mamurras). Por, ai dënohet me gjithë forcën e ligjit.

Ligji vepron kur mungon paraja për prokurorin, gjykatësin, policin. Por le të vriten 26 njerëz në Gërdec, të plagosen aty 250 të tjerë; le të shpërdorohen miliona euro në Kalimash; le të përmbytet Shkodra me gjithë rrethina (gjasat tregojnë se mund të mbytet prapë).

Megjithatë politikanët zgërdhihen, se ligji nuk vepron, se aty mbrapa është politikani - kriminel i paprekshëm.


Pëllumb Meçani, Shekulli

No comments: