Një ndër arsyet e ndotjes në qytetin e Tiranës janë edhe plehrat që hidhen pa kriter.
Sa raste ka të banorëve që hedhin qese me plehra nga dritaret. Disa i shikon duke u përpjekur të bëjnë 3-pikësh, jo nga 7 ose 9 metra, por duke dashur të imitojnë basketbollistët më “të çmendur”, hapin krahun dhe e lëshojnë qesen me plehra nga dritarja e katit të 6-të për te kazani nga një distancë që e kalon dhe gjatësinë e fushës së basketbollit.
Sa raste ka të banorëve që hedhin qese me plehra nga dritaret. Disa i shikon duke u përpjekur të bëjnë 3-pikësh, jo nga 7 ose 9 metra, por duke dashur të imitojnë basketbollistët më “të çmendur”, hapin krahun dhe e lëshojnë qesen me plehra nga dritarja e katit të 6-të për te kazani nga një distancë që e kalon dhe gjatësinë e fushës së basketbollit.
Më fantastiket janë ato gra e plaka që shkundin mbulesën e tavolinës nga thërrimet mbas drekës. Natën e kanë dhe më të lehtë të kamuflohen dhe të kryejnë misionin duke u avantazhuar nga errësira, edhe pse tani ndriçimi edhe natën është i bollshëm. Kohët e arta për to, kur nuk kishte drita gjithë lagjja, kanë kaluar.
Sigurisht që në këtë rast faji nuk është vetëm i strukturave të Bashkisë së Tiranës (po marrim si shembull Tiranën si qyteti më i rëndësishëm në vend, por dhe më problematiku), por edhe i mungesës së ndërgjegjësimit nga ana e qytetarëve. Ata duhet ta kuptojnë se ajo që hedhin jashtë dritares, nuk do të ngelet thjesht jashtë, por në një mënyrë a një tjetër do t’u kthehet përsëri, “në mos brenda shtëpisë, brenda mushkërisë”.
Kjo është e vërtetë si drita e diellit dhe kjo duhet t’i bëjë ata më të kujdesshëm dhe më të thellë në gjykim, për të analizuar pasojat e çdo veprimi që ata kryejnë.
Por, për të qenë realist këtë formë ndërgjegjësimi social e qytetar mund ta gjesh vetëm në disa nga vendet më të zhvilluara, si disa nga vendet e Evropës Qendrore, vendet nordike dhe vendet e ulëta. Në këto vende mund të gjesh vërtet qytetarë të përgjegjshëm, që me veprime individuale, kontribuojnë përditë në pastrimin e ambientit dhe mosndotjen e tij. Aty gjen mbledhjen e diferencuar të mbeturinave, në depozita letre, xhami, plastike etj. Ky realitet duhet të jetë synimi ynë si qytetarë të Tiranës, por dhe i gjithë atyre të Shqipërisë. A do të kishte sukses kjo nismë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë sot?
Kjo ngelet për t’u parë. Një përgjigje do të na vijë së shpejti nga Lezha, ku po zbatohet projekti i diferencimit të mbeturinave nga ana e qytetarëve.
Dikush nga “shoqnia civile” pati deklaruar në një emision se edhe në Tiranë para disa vitesh u bënë përpjekje në këtë fushë dhe u vendosën depozita të tilla për të diferencuar mbeturinat në disa pika të kryeqytetit, por sipas deklaruesit, kjo nuk rezultoi një nismë e suksesshme, pasi nuk u mbështet nga qytetarët, të cilët nuk e ndiqnin këtë lloj procedure, pra nuk i ndanin mbeturinat që në shtëpi në plastike, xhami dhe letre.
Sipas mendimit tim, gabimi i deklaruesit qëndron në këtë fakt:
Deklaruesi në këtë rast ka harruar të përmendë një element, i cili do të luante një rol shumë të rëndësishëm në suksesin e kësaj nisme. Ky element është Promovimi
Nëse një kompani dëshiron të shtojë mundësitë e suksesit të saj, ajo duhet të promovojë produktet e saj, filozofinë e saj të punës dhe rezultatin që mund të arrihet falë këtyre elementëve. E njëjta logjikë vlen dhe për këtë rast.
Bashkia është një ndërmarrje e madhe, e cila duhet që të adoptojë të njëjtat ligje ekonomike që përdor çdo ndërmarrje biznesi private apo publike për të pasur sukses në nismat dhe projektet e saj.
Nëse Bashkia e Tiranës do të kishte zhvilluar një fushatë të gjerë informimi e ndërgjegjësimi të qytetarëve për këtë problem, shanset për sukses do të ishin më të mëdha. Fushata nuk realizohet vetëm me disa minitabela plastike që ka vendosur Bashkia e Tiranës afër disa kazanëve të mbeturinave, por me anë një nisme të gjerë mediatike në radio, TV, gazeta, projekte me shoqatat e mjedisit, takime sensibilizimi e ndërgjegjësimi me qytetarët nëpër lagje etj.
Kjo e fundit mund të duket e çuditshme, por është fakt se në vendet si Shqipëria, të cilat nuk kanë një demokraci të zhvilluar dhe një kulturë qytetare të lartë këto lloj promovimesh janë rezultative.
Është për të ardhur keq kur shikon se jemi katandisur deri në atë pikë sa shoqatat e huaja vijnë e na tregojnë se si duhet të mbajmë pastër mjedisin e të mos e dëmtojmë.
Kjo gjë u vu re në rastin e një shoqate angleze, e cila para disa kohësh mblodhi disa të rinj kryeqytetas, u dha nga një shkop me një gozhdë në majë të tij dhe i vuri të mblidhnin letrat e fushës që ndodhet para teleferikut në Dajt.
Gjatë kohës që të rinjtë tanë punonin duke ndier në të njëjtën kohë gëzim dhe habi për këtë eksperiencë të re për ta, “Anglezi” jepte një intervistë për një media audivizuale ku shpjegonte rëndësinë e kësaj nisme dhe shpresën që kishte se kjo do të shërbente për të ndërgjegjësuar qytetarët të mbanin pastër ambientin.
Sigurisht që “Anglezi” (i cili duhet përgëzuar për dashamirësinë e tij) nuk mund të dinte se këto aksione kanë qenë të zakonshme shumë kohë para tij, që në kohën e Xhaxhit Enver.
Imagjino sa mbrapa jemi kthyer sot, kur si shembull pozitiv duhet të marrim të shkuarën e dhimbshme. Edhe Bashkia e Tiranës, në mos gaboj, ka bërë një apo disa “aksione” të tilla nëpër lagje, para disa vitesh me fëmijët e shkollave.
Kjo ndoshta ka ndodhur gjatë periudhës së fushatës për kryetar bashkie, për t’u lënë mënjanë më pas.
Suksesi i një nisme nuk qëndron vetëm tek idetë, por dhe tek vazhdueshmëria konstante e aplikimit të tyre.
Është pikërisht kjo një nga ato vlera pozitive, të cilat mungojnë në drejtimin aktual të bashkisë. Këtu qëndron dhe faji i “The City Hall - Bashkisë” për dështimin e nismës për diferencimin e plehrave të “Bllokut”, plan ky i ngelur në mes apo i braktisur pa filluar ende mirë. Dhe kryetari i bashkisë është si trajneri i skuadrës së futbollit. Po dështoi me strategjitë e tij, zakonisht largohet ai dhe jo futbollistët e skuadrës apo tifozët e saj. Këtë duhet ta kuptojë dhe deklaruesi mediatik.
Bashkia e Tiranës duhet të punojë që të marrë fund gjithashtu dhe ndotja e turpshme që i krijojnë njerëzit qytetit me derdhjen e papastërtive të trupit të tyre nëpër rrugë, pemë e mure. Një shënjestër e preferuar e tyre duket se janë këmbët e urave të Lanës. Nuk është e rrallë të shikosh “punëtorë të matrapikut”, pensionistë, jabanxhinj t’i turren me vrap ndonjë ligustre, cepi muri, shkalle pallati ose këmbe ure “për të gjetur shpëtim”. Sikur këmbët e urave të Lanës të kishin zë, do të kishin kënduar me nota vaji vuajtjet e tyre.
Të tjerë i vërsulen dishezës së Lanës dhe bëjnë “detyrat”, duke i kthyer shpinën rrugës, pa menduar ose pa u interesuar se Lana ka dy brigje dhe ajo që është shpinë për një breg, për tjetrin është pamje ballore. Një ushtri e përditshme, e cila në mënyrë të palodhur dhe konstante si të ishte një “perpetum mobile” përsërit këtë ritual kafshëror.
Dhe e gjithë kjo ndodh në sytë e nënave dhe motrave tona. Vetëm kjo do t’u mjaftonte qytetarëve ose mediave në një çfarëdo qytet të Evropës për të hedhur nga karrigia cilindo që do të ishte përgjegjës për menaxhimin e qytetit.
Nënat dhe motrat tona. Pse nuk keni respekt për to?!
Bashkia prishi para disa kohësh edhe të vetmen banjë publike që e kishim trashëguar nga koha e Xhaxhit Enver. Është përsëri e dhimbshme që si shembull pozitiv marrim një të kaluar jo të tillë, por ja që kjo është e vërteta.
Është e domosdoshme që bashkia të vendosë pika të këtij lloj shërbimi e me ujë të rrjedhshëm, në gjithë Tiranën dhe të detyrojë qytetarët që t’i përdorin, në vend që të dalin e të plehërojnë parqet e lulishtet. U desh preteksti i një proteste të Partisë Socialiste para Kryeministrisë që në Tiranë të shikonim banja të lëvizshme, që u shërbyen protestuesve të PS-së ato dy net qëndrimi para Kryeministrisë. Kjo u bë sepse logjikisht ata nuk duhej dhe nuk mund të “ujisnin ose plehëronin” pemët apo të “vizatonin” muret aty përreth, pasi kjo do të konsiderohej kafshërore nga pala tjetër dhe nga gjithë opinioni publik dhe për rrjedhojë edhe gjithë nisma e liderëve të tyre do të dëmtohej rëndë.
Po nëse kjo gjë do të konsiderohej e rëndë dhe pse vetëm në dy ditë, çfarë duhet thënë për atë që ndodh përditë prej vitesh afër dhe poshtë urave të “Lanës Bionde” apo në çdo cep të Tiranës, haptazi dhe fshehtazi.
Kjo është ajo çfarë realisht duhet të bëjë bashkia, të jetë në shërbim të qytetarëve, duke kuruar çdo aspekt të jetës së përditshme komunitare. Për këtë janë votuar drejtuesit e saj dhe për këtë paguhen, kanë apo jo nevojë.
Bashkia e Tiranës nuk është krijuar vetëm për të vendosur “kllapa të kuqe” në rrotat e makinave, ndërkohë që qytetarët nuk kanë vend ku t’i parkojnë makinat, pasi bashkia nuk ka punuar fare për krijimin e vendeve të reja të parkimit, ndërkohë që trafiku automobilistik rritet natyrshëm. Kjo është arsyeja kryesore që makinat vijnë vërdallë, duke ndotur dhe më shumë ambientin. Nëse Bashkia e Tiranës nuk ka ndërmend të krijojë vende të reja parkimi për automjetet e reja që matrikullohen përditë e më shumë, pse nuk po punon për krijimin e transportit alternativ, d.m.th. tramvaj, autobus, trolly apo fundja dhe karroca me kuaj.
Trojka matrioshkash dhe slita me qen Husky në rast se bie bore siberike ose Antarktide.
Kështu si ka nisur kjo punë, nuk është ndonjë çudi e madhe që të zgjohemi një ditë të bukur, po të bukur shumë, dhe të ndodhemi para ndonjë spektakli apokaliptik.
Do t’i bjerë të shikojmë makina të parkuara mbi makina alla “Shaolin Soccer” ose makina duke ecur mbi makina, si të ishim pjesë e një kantoni nga Kina.
Policia Bashkiake e një qyteti evropian nuk shërben vetëm për të kontrolluar tregjet e ligjshme apo të paligjshme të shitësve ambulantë (nuk e di sa i vërtetë është një rast që më kanë treguar, në të cilin një polic bashkie trim, pa asnjë arsye, paska shkelur me këmbë një kokërr shege nga ato që shiste një “none” e vjetër nga katundi i Tiranës.)
Policia Bashkiake duhet që të kontrollojë dhe sigurojë mosdëmtimin e parqeve, pemëve, luleve, mosndotjen e mjedisit në çdo lloj forme nga njerëzit etj.
Këtu duket e çuditshme po të përmendësh se në Londër “kalbesh në gjoba” nga ndonjë “Bobbie” - polic londinez - po të pa duke hedhur një “Chewing gum” në tokë, sepse u dashkan 300 vjet që ajo të dekompozohet.
Të gjitha këto e bëjnë të dhimbshme gjendjen në të cilën ndodhen banorët e Kryeqytetit të Shqipërisë, i cili duhet të ishte motori i ndryshimit dhe i vendosjes së standardeve të larta të jetesës në të gjitha fushat e saj, jo vetëm atë ekonomik.
Këtë e them pasi kam konstatuar se në Shqipëri, çuditërisht, po instalohet një mentalitet i mbrapshtë, sipas të cilit, i vetmi standard që duhet arritur në jetë, është ai ekonomik.
Por për çfarë duhet monedha, nëse nuk ekziston mentaliteti dhe infrastruktura që do të bënin të mundur gëzimin e këtyre të mirave materiale.
Për çfarë i duhet “Ticianit” makina e shtrenjtë në Tiranë, kur ajo i vishet gjithë ditën me pluhur e baltë dhe detyrohet t’i bëjë për çdo ditë nga një “dush 500-leksh ke lavazhi i lagjes” .
Për çfarë i duhet leku “Kaios” kur nuk del dot në rrugë me një palë këpucë të reja (e mjerë nëse janë të zeza) sepse në kthim do të duken si “galloshe llaçi” nga pluhuri dhe zhuli që i ka mbuluar.
Me çfarë arsyesh duhen shpenzuar “xhixhat” për blerjen e një shampoje të shtrenjtë, kur në krye të një ore flokët janë bërë gati për një seancë tjetër.
Mund të vazhdonim gjithë natën e ditën me shembuj të këtij lloji, aq sa do lodheshim.
Shembujt janë të shumtë, kurse shkaku kryesor është vetëm një.
Ndotja e rrugëve me pluhur dhe baltë vjen nga mungesa e kontrollit të Bashkisë së Tiranës ndaj firmave të ndërtimit apo atyre subjekteve që i furnizojnë me materiale ndërtimi si dhe nga cilësia e dobët e shtrimit të rrugëve në Tiranë.
Tirana e fshehur mbas vellos së pallateve të larta pa arkitekturë moderne dhe planifikim urban është për momentin një nga shpresat tona të venitura.
Shpresë e venitur, pasi mbas viteve ’90, ajo duke qenë pa masterplan urban të zbatuar dhe pa ndonjë trashëgimi kulturore të veçantë, kishte mundësi të ndërtohej nga fillimi, duke krijuar projekte moderne dhe origjinale mbi gjelbërimin e saj, banesat funksionale, objekte shërbimesh moderne, qendra për parkimin e automjeteve, duke ulur në këtë mënyrë trafikun dhe ndotjen.
Tirana me rrugët që prishen çdo 6 muaj, për arsye të cilësisë së dobët të punimeve dhe mosndërtimit të një sistemi modern dhe eficient kanalizimesh, gjë që sjell në përmbytje të shpeshta, është për momentin një bast i humbur. Tirana me lagjet e mbushura me kafshë ferme të çdo lloji, si: qenë, kuaj, lopë, dele, gomerë, është shumë larg të qenit një qytet me frymë dhe erë evropiane.
Shumë e zgjidhin duke thënë: “Po pse o budallë, këtu e ke mendjen me jetu ti, po lekët duhen me bo qejf në Francë a në Spanjë, pse pak vila ka Nizza dhe Mallorca. Këtu bojm lekët, atje bojm jetën”. Kurse unë personalisht, edhe pse kam jetuar plot 6 vjet në “Roma - Caput Mundi” ushqej një ndjenjë të madhe dhembshurie dhe dashurie për Tiranën. Ndihem keq që gjendja është e tillë dhe do të bëja çmos, po ta kisha mundësinë për ta ndryshuar. Jam gjithashtu i sigurt se nuk jam i vetmi që e kam për zemër qytetin e Tiranës dhe gjithë Shqipërinë. Ky nuk është një problem që shqetëson vetëm Tiranën, por të gjitha qytetet e Shqipërisë. Ato vuajnë nga të njëjtat probleme, por që për arsye të mungesës së informacioneve të sakta nuk mundemi sot t’i analizojmë.
Janë të shumtë ata që do të donin standarde të larta të jetueshmërisë, jo vetëm të jetesës.
Por vetëm dëshira nuk mjafton, nevojitet ndërgjegjësimi qytetar dhe impenjimi real i institucioneve të pushtetit qendror e lokal për të ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhemi.
Miq të dashur, nëse ne nuk do të arrijmë që të ndryshojmë situatën ambientale të vendit tonë, e cila aktualisht është në kufijtë minimalë të jetueshmërisë (kjo, nëse u referohemi standardeve të vendeve të zhvilluara evropiane), atëherë pasojat negative do të jenë edhe më të mëdha sesa dështimi ynë moral.
NGA ENEA SHERIFI, G. Standart
No comments:
Post a Comment