Monday, February 15, 2010

A e duan të rinjtë Shqipërinë Natyrale?!

E para një herë, të rinjtë jo vetëm këtej nga Tirana, nuk e dinë mirë se çfarë është Shqipëria Natyrale.

Po t’u thuash Shqipëria e Madhe, më pas e kuptojnë. Kam vënë re se edhe të rinjtë e trojeve shqiptare nuk e dinë mirë këtë term: pra, Shqipëria Natyrale. Duket si një gjë e kotë në ditët tona, por faktikisht është mënyra më e mirë për të menduar se jo vetëm ka apo jo të rinj Shqipëria, por edhe faktin dhe çudinë se sa e duan të rinjtë e këtij vendi bashkimin e trojeve shqiptare?! Kjo është pyetja që duhet bërë sot nga ata që mendojnë dhe shkruajnë për Shqipërinë e Madhe. Dihet tashmë se të rinjtë që janë në trojet shqiptare, e kanë një ëndërr për Shqipërinë e Madhe. Dhe në fakt kjo i mban gjallë. Por deri më sot nuk është se kemi parë ndonjë përpjekje të tyren për të shtyrë këta që janë në Nënën Shqipëri, e për të bërë disa bashkime disi më shumë.
Se, bashkim nuk quhen ekskursionet, apo vajzat dhe djemtë e bukur të njërit apo të tjetrit vend. Sepse fundja, çdo gjë që shkruhet sot për të bashkuar shqiptarët, bëhet që të mendojnë më shumë të rinjtë e këtij vendi.
Ajo që më ka shqetësuar gjithmonë, është fakti se, të rinjtë e Shqipërisë së poshtme, pra të asaj ku unë po shkruaj tani, ndahen në dy anë mendimesh :
në ata që nuk duan t’ia dinë fare për të,
dhe në ata të një anë periferie që kanë një ndjenjë shumë të lartë krenarie për Shqipërinë Natyrale.

Unë nuk po luhatem të bëj ndonjë përkufizim të prerë, por po them atë çka kam mundur të nuhas. Ana e parë, janë ata të rinj të cilët, çështjen e Shqipërisë Natyrale nuk e shohin të ditëve tona por diçka shumë të vjetër; apo edhe të tjerë që e shohin si utopi. Këtu duhet ndarë po ajo mendësi rinore, që Shqipërinë Natyrale e shohin më mirë në punët e kësaj Shqipërie që është kështu siç është tani. Por ka edhe një mendim tjetër, që nuk e duan Shqipërinë aktuale të mbushur me kosovarë, apo edhe me “shqiptaro maqedonas”. Janë të kënaqur me kaq, dhe nuk duan bashkim. Por kemi edhe anën tjetër të të rinjve, prej të cilëve ka një lloji periferie, në mos qoftë mendore, apo vendore, është më tepër kohore për të menduar për një Shqipëri të Bashkuar. Brenda gjithë komplekseve të shoqërisë sonë, një gjë që më bën më shumë përshtypje; fakti se këtu tek ne, nuk ka të rinj që janë të një lloji nacionalizmi bizantin. Nuk ka një organizim rinor që të merret me çështjet kombëtare dhe të zgjojë ndjenjën kombëtare tek qytetarët e tjerë; gjëra të cilat dalin sa herë që u thërret nevoja. Si për të thënë ja, jemi edhe ne!

Në pamje të parë, ata të rinj që duan të merren apo që shfaqin më shumë ndjenjën e Bashkimit Kombëtar, duken sikur janë të vjetruar, apo që thurin lavde për një kohë tashmë tepër të kotë për disa të tjerë. Por, indiferenca vjen sepse kanë gjëra të tjera për të bërë, se nuk e njohin ndjenjën kombëtare, se janë të rinj pa interesa për vendin e tyre, apo ndjenja për një Shqipëri Natyrale kalon nga dera e pub-it! Apo, pëlqehet një afrim për më shumë ndjenjë kombëtare kur shkohet në pub-in, e ish-trojeve shqiptare!
Sëkëndejmi, meqë e ardhmja jonë shihet sipas z.Koço Danaj në gjithë bashkimin e trojeve tona, atëherë çfarë presim ne të rinjtë, pse nuk merremi për të zgjuar më shumë ndjenjën dhe krenarinë kombëtare duke filluar më parë nga vetë ne?
Nuk duam apo nuk dimë?


Sigurisht që nuk duam, e më pas edhe nuk dimë. Se fundja, për çfarë shkruan Koço Danaj, dhe kujt duhet t’i lërë tërë ato amanete fjalësh?
Të rinjtë nuk e duan edhe aq Shqipërinë Natyrale, sepse e gjitha kjo për ta duket jo përtypëse, dhe për më shumë nuk kanë mendime pse duhet një bashkim kombëtar. Sepse nuk janë gjendur në probleme si shqiptarët e Shqipërisë së sipërme (kosovarët) apo edhe si vëllezërit tanë shqiptarë që jetojnë në Maqedoni. Madje, një pjesë të rinjsh, duket sikur ruan me fanatizëm atë që ata shqiptarët andej, të mos jenë fare këtu, sepse u duket shumë e çuditshme krijimi i një qeverie të madhe.
A e dini pse nuk kanë dhe aq interes të rinjtë shqiptarë?
Në fjalët e para kur flet për gjëra të tilla ndjesish kombëtare, ata e kanë ndjenjën për Shqipërinë sa herë që preket diçka më shumë, siç mund të jenë gjërat e kufirit. Ata të gjithë e shfaqin nacionalizmin e flamurit kombëtar, kudo ku shkojnë, por nuk është se mendojnë dhe kanë shpresa në brezin e tyre për të bërë një Shqipëri Natyrale.
A duhet të themi se këta janë të rinjtë shqiptarë nacionalistë?
Jo, sepse nuk janë vetëm aty. Po mirë, po të rinjtë e bllokut, a mendojnë ndopak për nacionalizmin?! Apo mos ndoshta, të mendosh për një lloj nacionalizmi quhesh më shumë se i vjetruar? Çështja është, se këta gjoja të qendrës, mos janë më të emancipuar sa nuk interesohen për çështjet e ndjenjës kombëtare? Nuk është se këta të rinj nuk e duan vendin e tyre, por thjesht qasen me faktin se a pe këtë, a e pe atë?! Atëherë, ç’do të bëhet me çështje të rëndësishme për t’i bashkuar trojet shqiptare? Do merren të rinjtë e forumeve partiake, të cilët nuk është se i pëlqejnë shumë këto gjëra, nga ku do bëjnë shumë pak nga ato që mundin për hatër të votave! Duket ndonjëherë sikur ëndrra për tu bashkuar me Evropën, e zbeh më shumë dëshirën e bashkimit kombëtar. Sakaq, është llumi politik i cili nuk të bën të mendosh ndryshe.

Por të rinjtë, të zënë keq nga globalizmi dhe teknologjia, nuk është se mendojnë shumë për çështjet e një Shqipërie Natyrale. Dhe më shumë kjo gjë duket tek të rinjtë e trojeve shqiptare, të cilët mbeten ende me sytë nga Shqipëria dhe Tirana e të marrë të gjithë së bashku, nuk të lejnë as ndonjë guxim për të vepruar, por, as edhe guxim për të shpresuar. Prandaj ka shume mundësi që Koço Danaj, të jetë ose rilindësi i fundit, ose idealisti i parë dhe jo i vetëm.
Por, e duan të rinjtë Shqipërinë Natyrale?!

Eljan Tanini, T.Observer

No comments: