Njëlloj si në diktaturë edhe sot, po dole kundër me siguri nesër do të gdhihesh armik i përbetuar i demokracisë ...
E pra, sot “grup armiqësor” mund të shpallet jo vetëm një njeri, po edhe një institucion i një rëndësie themelore si Gjykata Kushtetuese. Sot nuk habitet kush kur sheh se si mallkohesh, ndyhesh e poshtërohesh me rrënjë e me degë, qoftë edhe po të jesh Prokuror i Përgjithshëm, anëtar i Kushtetueses, pronar i një medie “kundër”, le më pastaj të jesh i pambrojtur nga asnjë parti...
E pra, sot “grup armiqësor” mund të shpallet jo vetëm një njeri, po edhe një institucion i një rëndësie themelore si Gjykata Kushtetuese. Sot nuk habitet kush kur sheh se si mallkohesh, ndyhesh e poshtërohesh me rrënjë e me degë, qoftë edhe po të jesh Prokuror i Përgjithshëm, anëtar i Kushtetueses, pronar i një medie “kundër”, le më pastaj të jesh i pambrojtur nga asnjë parti...
Përbaltja vjen nga brenda e jashtë Shqipërie dhe bëhet aq e mënxyrtë, sa e vetmja zgjidhje që mbetet është: të mbulosh kokën me jorgan e të mos pipëtish d.m.th, të futesh si kërmilli në guaskë, ose të ikësh sa më parë e sa më larg nga Shqipëria për shkak të nëmosjes që të bën ish-”partia e dashtun”, e cila deri dje të pat dhënë ndere e “favore” e sot të quan “tradhtar” meqë na dole kundër.
Thelbi i sistemit të sotëm “demokratik” është ky: “Ku ishe ti dje e ku je sot, e kush të dha mundësi të jesh ky që je?”... Ose: “Kush të bëri deputet, ministër, anëtar të GJK-së, të Gjykatës së Lartë, të KLD-së, akademik, etj?...Ndaj ul kokën, shkel ligjet e dinjitetin, firmos tenderat, mashtro e gënje, brohorit nëpër mitingje edhe kur përmbytet vendi apo hidhet në erë”!
Kështu pra, nëse dje të rrasnin në burg ose të degdisnin në internim, sot llapaqenët e paskrupullt të politikës “demokratike” (ndoshta më saktë duhet thënë: të kryetarit të partisë), janë të vetëyshtur të dalin sakaq nëpër ekrane e podiume, si pilotë të vdekjes së moralit që t’ia bëjnë jetën sa më sterrtë kujtdo që del kundër. Sot nuk ka gjë më të rrënuar, më të pabesueshme e njëkohësisht edhe më të papërgjegjshme se Fjala publike që i serviret popullit si tagji, sidomos ajo Fjalë që del nga foltoret (nga bunkerët) e zëdhënësve të partive. Ja pra, përse në këtë gjasme-demokraci të gjithë ndihen të hasmosur e të kundërvënë. Kjo dukuri “arnaute” e vetëkarfosjes, e vetëshpalljes VIP i plotfuqishëm e person “historik” e ka të ndyrë gjuhën, ndaj e përkeq shoqërinë tonë “tranzicionale” moralisht, materialisht, mendërisht, fizikisht, strukturalisht...Kjo llapaqenëri nuk ka asnjë lidhje me hallet e popullit; kulmi arrin kur nga gjirizet e pushtetit ekzekutiv derdhet vrer e helm e zift edhe mbi organet “e pavarura” të Drejtësisë, gjë që nuk përmbyt vetëm shpresën tonë për një shtet të së drejtës, po vagëllon edhe mundësinë që nesër të kemi një shoqëri demokratike, ku të gjithë të ndihen të barabartë e të sigurt para Ligjit! Nëpërkëmbja e kësollojshme dhe e qëllimshme e Drejtësisë është vetëvrasje e demokracisë!
Sulmet më të fundit ndaj Gj. Kushtetuese dhe “pleqve” të saj janë shëmbëlltyra e një shteti tragjikomik që nuk funksionon normalisht e ligjërisht për shkak të kapjes, të ngutit për kapje sa më të shpejtë e totale të tij (d.m.th, të shtetit), po edhe të frikës për moskapje; andaj këto “fletërrufe” në qiell të hapët janë atentate që nuk na vijnë nga kriminelët e ikur “në drejtim të paditur”, po nga udhëheqësit e lartë të vendit, gjë që e bën situatën edhe më absurde, edhe më të pashpresë, edhe më dëshpëruese. Sepse, aty ku nuk jepet drejtësi, nuk ka e nuk mund të ketë as demokraci, dhe as liri!
***
Për të kuptuar se ndër ne Drejtësia dhe gjykatat po veprojnë a mosveprojnë drejt, nëse ato japin drejtësi në varësi të interesit publik apo vetjak, në favor të qytetarit apo nëse janë të prirura që vendimet t’i pëlqejë kryetari i partisë në pushtet, mjafton të shihet se si po sillet këto ditë partia në pushtet ndaj Gj. Kushtetuese. Morali është fare i thjeshtë: vendimi i gjykatave quhet i drejtë e pranohet si i tillë vetëm po t’i pëlqejë kryetarit të partisë, përkatësisht Berishës!...Në këto njëzet vjet, janë të panumërt shembujt që dëshmojnë se drejtësi quhet vetëm ajo që “më pëlqen mua”! Në të kundërt, gjykatat, përfshi edhe Gj. Kushtetuese bashkë me anëtarët e saj, do të shpallen armiq, njerëz të lidhur me krimin, mafien, korrupsionin, madje edhe me krimet e komunizmit...E kjo klimë mbytëse e bën cilindo horr mediatik të hedhë çfarëdo lloj akuze, shpifje e ndyrësi mbi ta, sigurisht nëse dëshiron të bëjë karrierë e të përfitojë merita e pasuri që nuk i takojnë, si shpërblim për këtë shërbim amoral.
Është pikërisht kjo sjellje bashibozukësh partiakë, ky terror i papërballueshëm që ka shkatërruar në themel Drejtësinë. Kjo trysni e ka detyruar shumicën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shfaqen herë pas here si shërbëtorë të emëruar, pa dinjitet profesional e integritet moral. Me dhunën psikologjike e të frikësimit “me ligj”, pra me mjetin çudibërës të një “pushteti të pavarur”, gjykatësit janë detyruar (shtrënguar) të japin më shumë padrejtësi se drejtësi. Çështja “Gërdec” është padyshim më e shëmtuara, që do të mbetet e paharruar në analet e Drejtësisë së përçudnuar. Gjykatësit e kësaj çështjeje, përfshi sidomos ata të Gjykatës së Lartë, i lanë vetes një njollë që nuk do ta shuajë dot harresa kolektive, as justifikimi se “ne nuk kishim si t’ia bënim, pasi ashtu na detyronte Sali-politika”... Për një përfaqësues të lartë të Drejtësisë turpi dhe nderi janë cilësi vetjake, por ato nuk shpëlahen dot nga fytyra as me para, e as me fuqinë e pushtetit!
Por, si shpjegohet atëherë që ndryshe nga gjykatat e tjera, si ajo e Lartë, si Kolegji Zgjedhor e nivelet më të ulëta të gjykatave, anëtarët e Gj. Kushtetuese u treguan me integritet, meqë me një “guxim historik” shpallën si antikushtetues dy ligje tepër të rëndësishme e jetike të qeverisë Berisha, atë për kufirin detar e atë për spiunët?
Kjo ngjarje të mbresëshënjon, po të mendosh se vitet e fundit gjen pak raste, në mos aspak, që drejtues të lartë të organeve të “pavarura” të kenë guxuar t’i dalin përballë makinës mediatike të Berishës, si i doli së fundi Gj. Kushtetuese! Ndaj këto vendime, sa të gëzojnë, aq edhe të dëshpërojnë! Sepse, të gjithë anëtarët e GJK-se e dinin (edhe më parë kishin provuar në kurrizin e tyre dajakun gjithëpërfshirës ndaj “Mark-Avdisë”), se me vendimin që dhanë do të sulmoheshin në grup si “armiq të demokracisë” e “kriminelë të diktaturës”.
Ndaj, pas kësaj lind pyetja: si shpjegohet atëherë që ata nuk u tutën e nuk u frikën të jepnin ato vendime “historike” që dhanë? Mos vallë më në fund erdhën edhe në Shqipëri burrat e vërtetë të Drejtësisë, “Di Pietrot”? Mos vallë të nëntë anëtarët e GJK-se më në fund e kuptuan misionin e tyre, e papritur e pakujtuar u bënë të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm ndaj shoqërisë shqiptare, e cila siç dihet, po vuan e po heq të zitë e ullirit nga mungesa e frikshme e Drejtësisë, e cila përditë e më tepër po përfundon në vetëgjyqësi?! A thua atyre u ka dalë frika nga lukunia e propagandës së sotme?
Këto pyetje meritojnë një analizë, në mos shteruese, sadopak shpjeguese. Përgjigja e tyre ka lidhje jo vetëm me kuadrin ligjor e me cilësinë profesionale të drejtuesve të organeve të Drejtësisë (tashmë shumica e institucioneve “të pavarura” janë rrëmbushur me shërbëtorë lapërdharë të emëruar nga partia në pushtet, të cilët edhe kur zgjidhen nga Kuvendi janë të detyruar të mbeten në borxh ndaj kryetarit të partisë), e veçanërisht me domosdonë për një reformë rrënjësore (e lënë qëllimisht e pakryer), por e detyrueshme për t’u realizuar sa më shpejt...Ky është kushti parësor i Brukselit, që kërkon të nxjerrë nga theqafja e tranzicionit shoqërinë tonë për ta futur në rrugë të mbarë. Ndaj, shembujt e Gj. Kushtetuese vlejnë për të parë se si duhet të funksionojnë organet e tjera të Drejtësisë sonë të cunguar.
Dihet që një pjese të anëtarëve, pas disa muajsh do t’u mbarojë mandati. Veç kësaj ata janë në një moshë që nuk i lejon të kërkojnë një tjetër karrierë, pra nuk do të presin “në oborrin e partisë” me shpresën që kryetari i partisë t’i thërresë e t’i emërojë në një post tjetër...Për më tepër, ata kanë krijuar tashmë një emër vetjak, të cilin nuk duan ta lënë për kapar e si një njollë turpi për shitjen për herë të dytë të “Shën Naumit”...Për më tepër, edhe ekonomikisht, pas largimit e pas zëvendësimit të tyre, në gjallje, me ligj, statusi i tyre është i garantuar; pra ata do të jenë të pavarur nga dita e pensionit, gjë që do të thotë se ata do të kenë të ardhura të mjaftueshme për një pleqëri me dinjitet...Të gjitha këto janë argumente në favor të integritetit të tyre. Pra, nëse do të duhet të kryhet një reformë qëllimmirë, kushti duhet të jetë: garanci e plotë që organet e Drejtësisë të jenë vërtet të pavarura nga politika; të hiqet pra njëherë e përgjithmonë mundësia e pakufizuar dhe e pakontrolluar që i kanë dhënë vetes kryetarët e partive për të emëruar/shkarkuar/nëpërkëm
Se mos është më i fuqishëm Berisha se Berluskoni? Jo, por në Itali njerëzit e Drejtësisë janë më të mbrojtur nga Ligji se sa këta tanët, që detyrohen të përthyhen e të vetëleqendisen për hiçmosgjë!
KICO BLUSHI, Ballkanweb
No comments:
Post a Comment