Monday, February 15, 2010

"S'kishte asnjë kacidhe, por dha kontributin më të madh proshqiptar"

Më gjeni një shqiptar si Nëna e Përbotshme Tereza, para të cilës u përkulen jo vetëm mbretërit e liderët e Botës, Regani, Bushi, Klintoni, Theceri, Miterani, Blejeri, Koli, Berluskoni... e deri edhe Papa, por edhe maja e mendjes dhe biznesit boteror nga Bill Gejtsi e ... Sa miliarda kishte kjo shenjtore e ardhshme shqiptare!?


Çfarë shpikje apo zbulimi shkencor beri ajo!? Asnjë kacidhe! Asnjë shpikje shkencore as teknike! Bile as fëmijë nuk ka lindur kurrë...


Beri shpikjen më të madhe të njerëzimit: humanizmin deri në vetëflijim, njerzillëkun e shkallës sipërore për të ndihmuar njeriun e pashpresë, për të shëruar të sëmurin pa shërim, të vobektin pa një çati mbi krye, të braktisurin dhe nëpërkëmburin e Kalkutës apo Xhibutit...


Bëri një revolucion në mendësinë njerëzore duke krijuar kultin e njeriut ndaj njeriut, ndaj vetvetes! Njeriu për njeriun është njeri e jo ujk, ishte mesazhi hyjnor i kësaj hyjneshe shqiptare! A ka kontribut më të madh për popullin e kombin shqiptar se sa kaq!?


Nga një murgeshë e harruar ajo u bë një Perëndeshë e Përbotshme! Kush në Botën e djeshme apo të sotme, në botën e hershme apo bashkëkohore e lartoi veten derisa të quhet "Nëna e Përbotshme Tereza" përveç shqiptares Gonxhe Bojaxhiu!?

A mund të ketë monument më të madh të qytetërimit e njerzillëkut shqiptar!? Jo!



verarta@aol.com, Shekulli

No comments: