Sunday, March 21, 2010

Si kolapsoi gjuha shqipe

Shkëputur nga ” Gjuha albaneze”, 23 janar 2023!

Ndodhi aty, nga vitet 90 e vazhdoi edhe në New Century. Në shqip filluan të inseroheshin fjalë të reja. Në fillim i pamë me difidencë e me shaka, i mbanim larg por ato maledetë ishin virus terribel. Na invazuan sa hap e mbyll sytë. Patëm besim te xhornalistët tanë shumë bravi por nuk qënë të aftë të përballnin luftën civile, e që në oret e para u bë clear që ishin me armikun.

U gjendëm vetëm, komplet të braktisur. Patritmas bambinët tanë flisnin si anglez e italian. Menduam se fonemoni ishte i limituar, se do aplikohej vetëm te emigrantët dhe se virusi nuk do rezisonte dot. Kishim mundur sa e sa ushtri te fuqishme, me shpata e me topa, do mundnim edhe këtë pushtim soft, kështu thamë. Sa gabuam! Ngadalë ngadalë u përhap në gjithë Albaninë dhe pati një evolvim që ne kuptuam tëpër vonë. Bashkë me kolegun tim famoz Aqif Aqifi dilnim gati çdo natë në skuthat e rinisë dhe si ata marinarët që matin thellësinë e detit, masnim thellësinë e degjenerimit të gjuhës albaneze. Në zyra të larta mendonim plane afatgjatë për të ndalur hemoragjinë. E kuptuam vonë që tashmë ishte late.

Maj mend akoma se si Aqifi shtangej kur shikonte të rinjtë që i ngrinin gishtin njëri tjetrit e ja bënin Ciao.

<< More po ujku i çaftë, se marr vesh. >> më pëshpëriste. << Tani do ketë sherr. >>

Prisnim sherrin po nuk ndodhte, dhe nuk arrija ti shpjegoja që “Ciao” do të thoshte “Tungjatjeta” e që ai gishti do të thonte ”Dakord”. Aqifi shikonte vetëm njerëz që thoshin ” Çahu” e ndërkohe i bënin shenjë “Hip këtu shih Stambollin” dhe nuk kuptonte se si ky ofendim nuk sillte asnjë reaksion. Shpresonte çdo mbrëmje por nuk ndodhte asgje. “S’marrin vesh putanat që po i shajnë”, i thoja. “Por do ja dalim mbarë, lufta sapo ka filluar.”

Sa wrong isha edhe unë.
Tepër tardi e kuptova që lufta tashmë kishte mbaruar, dhe unë e ai nuk ishim pararoja por grupi që ngel mbrapa ndërkohë që ushtria është shpartalluar. Direktorët tanë në Ministrinë e Arsimit nuk arrinin më t’na koordinonin dhe, ajo që është më e rëndë, sa herë që shkonim për të marrë udhëzime të reja gjuha e liderave tonë bëhej gjithmonë e më pak aksesibile për ne. Progresi është inevitabël, na thoshte drejtori. Kur prezenca jonë u bë fastidiosa na hoqën qafe. Aqifi as që nuk e kuptonte, u desh t’ja thoshin nja njëzet-tridhjet herë që s’punonte më aty. Ditë për ditë paraqitej në ministri dhe nuk arrinin ti shpjegonin që e kishin liçencuar dhe qe liçencuar do te thoshte pushuar. Unë shpëtova sepse kisha një amico lart në ministri. Shpëtova, i thënçin. S’isha më operativ, gjithe ditën bëja fjalëkryqe që bëheshin ditë për ditë më të vështirë, jo se ai që i bëntë bëhej më i zgjuar po përkundrazi, sepse bëhej gjithmonë e më budalla. Po jam kokëfortë, e kështu mësova fjalë si ” aksesibel,” “bionatyrë”, “amore”, “soft-disc”, ” famoz”. Në një farë mënyre shpëtova, shpëtim i thënçin. Bashkë me Aqifin vazhdonim croçatën tonë personale, mbrëmjeve vonë. Ishim bërë si ata stupidët e fshatit që flasin e asnjeri si merr vesh. Populli nuk e kuptonte se çfarë rapresentonim ne, le që as ne nuk e dinim më se çfarë ishim e çfarë dreqin donim. Dy zombi që flisnin një gjuhë të vdekur. Kishim humbur luftën dhe, ajo që ishte më e keqe, armiku as na burgosi në ndonjë prison e as na torturoi, na linte në indiferencë e kjo na vriste akoma më shumë.

Pastaj Aqifi vdiq, e doktori tha që ishte faji i moshës po unë e dija që kishte një brengë tepër të madhe e që vetëm kjo e vrau, asgjë tjetër. Herë pas herë, gati çdo uikend, shkoja edhe te çimitero e flisja me të sikur të ishte akoma i gjallë. Nuk e kuptoja që edhe gjuha ime po bastardohej, derisa më doli në ëndërr. Ishte potent si gjithmonë e mu bë sikur më tha ” Po edhe ti more kopuk po më flet në gjuhën e dreqit? “. U zgjova gjithe djersë, Damn, thashë me vete, ta kem humbur edhe unë vallë?

Po, e kisha humbur edhe unë. Kur takoja nipërit na translonte djali se unë si merrja vesh. Po atë ditë, mbas endrrës u mundova të luaja me ta por vetëm kur fituan e morra vesh që unë po lauja shah e ata damë. Kisha vibrime negative e po atë ditë vajta të takoja Aqifin. U ndala para gurit, lexova :

Acif Acifon

Lindur the 1955 – Mort 2018

Me love : familja & company


tiranacalling.wordpress.com

Darien Levani

"Mjerim që s'i ve dot emër ..."

Rrallë mund të gjesh në botë stinën e pranverës si në Shqipëri. Dikur në të, lulëzonin drurët frutore. Lozet e rrusheve vareshin të tilla sa edhe ujëvara do t'i kishte zili. Kodrat e gjelbra fillonin të njomësoheshin.


Në rrafshnalta arat e mbjella me grurë, zarzavate, misër, jonxhe, këmbenin njëra-tjetrën për kilometra të tëra me jeshillëk.


E gjitha, bëhej më e bukur kur petalet binin dhe vendin e tyre e zinin fletët. Brenda tyre zemra e frutit rritej e rritej derisa pemët kërruseshin. Me një fjalë, pulsi i pranverës rrihte në të gjithë vendin.

Pavarësisht sistemit të dështuar komunist, agronomë të ditur, shkencëtarë, u përpoqën ditë e natë për ta begatuar tokën. Sprovuan farërat, përmirësuan, eksperimentuan pareshtur. Insektet e tokës, epidemitë e pemëve në sipërfaqe, mizat e fryteve dhe buburrecët nuk figuronin fale spërkatjeve me kimikate.

Të tjerë shartonin për lloje të reja pemësh. Ndërsa kultivatorët bënin qilizmën. Plisi të përmbysej që bari ta bënte tokën të majme. Më tutje ishin kanalet kulluese që ndanin parcelat. Por, që edhe erozioni të disiplinohej.

Pastaj vinte vera me të nxehtit. Njerëzit e thjeshtë, ata që punuan në fermat e prodhimit dhe ato eksperimentale, që krijuan tërë kohës, që seleksionuan, hibridizuan e shartuan, shikonin frytet e reja: qershitë e kuqe dhe të zeza, gjithë tul, aq të lakmuara për t'i çukitur zogjtë. i mblidhnin dhe transportuesit i çonin në depot e shtetit.

Ky i fundit në arka te ambalazhuara bukur i çonte direkt në portin e Durrësit, tek vapori. Po kështu kumbullat, dardhat e verdha dhe të ëmbla. Të gjitha shkonin tek vapori. Të gjitha. Se një kile qershi bën një dollar e gjysmë jashtë shtetit... Ia vlen barra qiranë. A ia vlen t'i shesësh për tetë lekë në markato?

Kështu fermeri, fshatari shihte frutin që i kishte bërë hyzmet me duar dhe me thonj dhe nuk arrinte të provonte pak nga ai tuli i ëmbël i dardhës, mollës, qershisë. As ai as fëmijët e tij. Se jashtë duhej blerë... hekur, çimento për bunkerë! Sistemi politik i falimentuar komunist i la pa i provuar frutat e punës së tyre.

Por zoti në qiell shikon. Erdhi 1990-ta. Arat e mëdha u zëvendësuan nga parcelat e vogla, pronë e fshatarit tashmë. Por fshatari në sistemin e ri politik e pa veten tij shpejt të mbuluar në borxhe. Ata i punuan tokat, e krasiten pemët, e mblodhën prodhimin. I spërkaten me kimikate edhe pemët edhe grurin. Se paratë për të blerë farën, plehun, naftën i siguruan me kredi nga banka. Por nuk e shiten dot.

Se si domatja i tyre ishte importuar me çmim më të lirë nga Greqia e Maqedonia. Po të njëjtin fat kishin edhe frutat, edhe gruri. Kështu fryti u kalb përdhe. Nuk arriti ta bënte as raki. Kështu edhe kazanët zunë myshk e ndryshk.

Ndërsa tokat po fillonin të përmbyteshin nga lumenjtë e fryre nga që makineria e ndërtimit ia ka prishur shtratin tashmë në përpjekjen makute për pasuri, jashtë çdo ligji shtetëror dhe natyror. Dhe tani vonë kanë filluar të rrëshqasin edhe shtëpitë. Ky produkt padyshim përfaqëson një variant të barbarizmit të njeriut në kacafytje me natyrën.

Kështu vit pas viti, kundërmimi magjik i frutit u zëvendësua nga grahma e kalbjes. Por mbrapa kësaj kalbjeje fshihet një e keqe e madhe. Njerëzit, të cilët kishin shpresuar shumë në ndërrimin e sistemit, nuk mund të rrojnë, nuk mund ta hanë sërish prodhimin e tyre.

Sepse, tregu është bërë pronë e atyre që importojnë prodhimet e kualitetit të dytë e të tretë me çmim më të lirë (ato janë për groposje në vendet e BE-së). Në Shqipëri i kanë të sigurtë konsumuesit e tyre. Nuk kontrollohen nga shteti. Se shtetin e mundin me para.

Që në momentin e kalbjes se prodhimit vendas, edhe pranvera ka ndryshuar. Drurët nuk lulëzojnë më. Se janë tharë ngaqë nuk janë krasitur, nuk janë spërkatur me kimikate.

Dhe krimbi e ka bërë të veten, e ka gërryer, e ka tharë trungun. Arat janë djerrë, të papunuara për kilometra të tëra. Ndërsa kodrat nuk janë më të gjelbra, se drurët janë prerë.

Kjo është një disfatë e madhe e shtetit. Sepse fermeri shton radhët e ushtrisë së të papunëve nëpër qytete. Ata qëndrojnë të shtangur tek ndjekin me sy patatet, zarzavatet, frutat në tezgat e tregjeve.

Në sytë e tyre pasqyrohet trishtimi i hidhur. Megjithatë kruajnë xhepat dhe afrohen për të blerë ndonjë kokërr. Por çmimi i largon. Rastet e sëmundjes që shkaktohet nga mungesa e të ushqyerit të fëmijëve, kanë filluar të shfaqen.
Shkatërrimi i florës

Kësaj radhe politika e falimentuar nga korrupsioni e sistemit të ri shoqëror, serish i la pa ngrënë frutat e punës së tyre. Ky është një mjerim që nuk i vë dot emër. Përhapja progresive e këtij fenomeni, i hedh në erë të gjitha "rritjet ekonomike" .

Pellumbi Cani , Shekulli

Alergjia nga lulet, si të mbrohesh në pranverë

Ardhja e pranverës paralajmëron rishfaqjen e alergjive të shkaktuara nga polenet e luleve, pacientët ankohen për teshtima të shpeshta, të herëpashershme, rrjedhje të ujshme të shumta, kruajtje dhe skuqje të hundës, bllokim të tyre që kalon nga njëra anë në tjetrën.

Ndonëse për mjekët ende nuk flitet për një “bum” rastesh, klima e ngrohtë favorizon shfaqjen e simptomave më shpejt se vitet e tjera. Me ardhjen e pranverës, që përkon me atë të lulëzimit të luleve, kemi shtim të rasteve të alergjive që shkaktohen nga polenet. Gjithsesi ende nuk është arritur “piku”, që është disa javë më vonë, klima e ngrohtë, temperaturat e larta të këtyre ditëve, favorizon shfaqjen më shpejt të simptomave. Veçse ende nuk mund të parashikohet se sa do zgjasë, apo sa problematike do jetë, pasi kjo do të varet nga kushtet klimaterike të mëvonshme.

Ka faktorë që favorizojnë shfaqjen e këtyre formave alergjike?

Po. Ka disa faktorë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes. Ndër faktorët më kryesorë janë ekspozimi ndaj polenit, vetia alergjizuese e tij, përqendrimi i tij në ajër dhe madhësia e grimcës së polenit. Po ashtu ndikojnë dhe faktorët klimaterike: ndryshimi i temperaturave të ajrit, lagështia dhe shirat.

Si shfaqet kjo alergji?

Pacienti ankon për teshtima të shpeshta, të herëpashershme, rrjedhje të ujshme të shumta, kruajtje dhe skuqje të hundës, bllokim të tyre që kalon nga njëra anë në tjetrën. Por dhe skuqje, kruajtje, lotim sysh dhe mosdurim drite (fotofobi). Po ashtu mund të ketë kollë, gërhitje në gjoks, marrje fryme, sekrecione të pastra dhe që mezi nxirren, gjë që tregon se në sëmundje kompromentohen dhe mushkëritë. Po ashtu shenjat e mësipërme mund të shoqërohen me: dobësi trupore, dhimbje koke, ankth etj.

Si mund të parandalohet acarimi i gjendjes te pacientët, që janë alergjikë nga polenet?

Mënyra më e mirë për të shmangur acarimin e gjendjes së pacientëve është shmangia në maksimum e kontaktit me shkaktarin shpërthyes: polenet e luleve. Duke qenë se një gjë e tillë nuk është e mundur plotësisht, atëherë rekomandohet shmangia në maksimum e ekspozimit ndaj tyre, sidomos në orët e pikut: mëngjes deri në drekë, dhe ditët me erë, kur prania e poleneve në ajër është më e lartë. Rekomandohet që këta persona të lajnë shpesh: duart, fytyrën dhe sidomos flokët, për të larguar polenet që mbeten në trup. Duhet të shmangen shëtitjet dhe qëndrimet në mjedise me lule, bar dhe pemë.

Një kujdes i veçantë duhet treguar dhe ndaj ushqimeve që japin alergji të kryqëzuar me polenet që janë alergjike. Po ashtu duhen shmangur aktivitete fizike: vrapimet, shëtitjet me biçikletë ose çdo lloj aktiviteti tjetër sportiv në mjedise të hapura dhe me gjelbërim.

Publiku.com

Friday, March 19, 2010

Dielli - Zeus

Dielli (Zeusi apo Dhias). Më i larti i zotave, perëndi dhe baba si i perëndive të tjera ashtu dhe i njerëzve.

Përpara se të na bëhej i njohur si zot i Olimpit (Zeus), dhe përpara se të krijohen mitet mbi lindjen e tij në Kretë, ekzistonte si hyjnizim i Diellit. Përderisa është zoti i parë dhe më i madh i botës pellazge, llogjikisht duhet ta hasim në të gjitha territoret ku banuan këta pellazgë, nga Italia Qëndrore e deri në Azi të Vogël, Qipro, Kretë etj. Dhe me të vërtetë atje e takojmë.
Zeusi - Dielli

Shumë dimë për Diellin dhe peripecitë e tij, por thelbësisht e injorojmë historinë e tij, prejardhjen e tij, etimologjinë e tij.

Çdo të thotë Dhias, Zeus, Zin etj?

Ç’kuptim kanë rrënjët Dhi dhe Zi të perëndisë më të madhe pellazge?


Thonë që dielli ishte hyjnizim i “shkëlqimit dhe ndriçimit” të Qiellit (Uranit). Qielli (Urani) në gjuhën sanskritishte quhet Diau-h. Kështu gjuhëtarët dhe mitologët menduan se gjetën zanafillën e çështjes së Diellit, meqënëse e cilësonin gjuhën sanskritishte më të lashtë se ajo greke.

Rrënjët Dhi dhe Zi në shqip kanë kuptimin e ndriçimit, shkëlqimit dhe zjarrit d.m.th. i përshtaten vetive të Diellit dhe i gjejmë në fjalët:

Diell apo dialektore Dill, Div, etj.

Ditë pra dita, pjesa e kohës që ndriçohet.

Dihet, dialektore, që do të thotë bëhet ditë.

Dieg, Djeg.

Di, njoh, ndriçohem, (ndriçoj trurin).

PerënDia, Perëndia, Zoti.

Diel, E diel d.m.th. ditë e diellë, dita e Diellit, që të krishterët e kthyen në ditën e Zotit.

Dialë, djalë, djali.


Rrënja Zi përfaqësohet me fjalët Zien tek fjala Zjarr dhe gjithashtu në fjalën e mëpasme Zot.

Diah-u sanskritisht do të thotë Qiell (Uran), i cili, siç e kuptoni nuk është gjithmonë i ndriçuar, por edhe i errët dhe në asnjë rast nuk është i zjarrtë. Këstu që nuk është e mundur të jetë e shpikur nga sanskritët, të cilët do të gjenin një emër tjetër për të shpjeguar veçorinë e tij (qiellit). Si rrjedhim është fjalë e prejardhur nga Dielli (Diau në pellazgjisht) dhe ka të bëjë vetëm me shkëlqimin e qiellit, pra është një prejardhje mbiemërore e Diau.

Prejardhje të Diau (Dielli) janë edhe fjalët latine DIOVIS dhe DEUS = Zot, Perëndi.
Kjo ka ndodhur në kohën pas krijimit të panteut të Olimpit dhe njësimit të Diellit me kryezotin Zeus. Pra në kohëra kur dielli tashmë është “kryezot”. Dhe ja që Heredoti quan Dhia çdo zot të madh të popujve që ai përshkruan në historinë e tij.

Fjalë të prejardhura janë :
Dies – dita në spanjisht,
Day – dita në anglisht,
Dieu – Zoti në frëngjisht.
Dielli tek mburojat ilire.

Por në asnjë gjuhë të botës nuk ka një sistem kaq të plotë të fjalëve me rrënjët Di dhe Zi si ai që ekziston në gjuhën shqipe, dhe ku të gjitha fjalët kanë kuptimin e të ndriçuarës, të shkëlqimit, të zjarrit, të jetëdhënësit, d.m.th. të veçorive të Diellit.

Marrë nga libri Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve i autorit Aristidh Kola.

Burimi : http://eltonvarfishqip.blogspot.com/2010/03/dielli-zeus.html

Kërcimtaret e natës dëbohen nga Kosova

Policia e Kosovës ka deportuar në pikë-kalimin kufitar të Morinit 11 vajza nga Shqipëria të cilat punonin si kërcimtare apo këngëtare në lokalet e Prishtinës. Dëbimi i tyre për në Shqipëri ka ardhur pas një vendimi të gjykatës Komunale të Prishtinës, e cila ka vendosur riatdhesimin e vajzave, pasi ato nuk dispononin leje pune.

Sipas specialistëve të Zyrës së Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit, është hera e parë që policia e Kosovës riatdheson në mënyrë të organizuar një numër kaq të madh vajzash, të cilat dyshohen se krahas profesonit të kërcimtares apo këngëtares ushtrojnë edhe prostitucion. Dëbimi i vajzave nga Shqipëria nga ana e policisë së Kosovës ka vënë në alarm strukturat e policisë së shtetit në Shqipëri. Në Kukës ka mbërritur vetë shefi i Zyrës së Luftës kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore në policinë e shtetit, Ardian Çipa, dhe dy specialistë të kësaj zyre. Në zyrat e IOM-it në Kukës është kryer intervistimi i të gjitha vajzave të riatdhesuara, ndërkohë që asnjëra prej tyre nuk ka pranuar që të jetë shfrytëzuar për qëllime prostitucioni. "Të gjitha vajzat deklaruan se kishin shkuar me dëshirë për të punuar në Kosovë si kërcimtare apo këngëtare dhe sipas deklarimeve asnjëra prej tyre nuk ishte shfrytëzuar për qëllime të tjera", deklaroi Dritan Musa, shef i Zyrës së Antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Kukësit.

Sipas Musës, i cili ishte i pranishëm gjatë intervistimit, 11 vajzat e dëbuara nga Kosova dispononin dokumente të sakta identiteti, ku tetë prej tyre ishin të pajisura me pasaporta, tre kishin karta identiteti, ndërkohë që njëra prej tyre kishte edhe një vizë Shengen pasi të njëjtën punë si në Kosovë, e kishte bërë edhe në Zvicër. Vajzat e riatdhesuara kanë deponuar gjatë intervistimit se kanë qenë të kënaqura me punën dhe me pagesën dhe shumica prej tyre kanë deklaruar se do të kthehen sërish në Kosovë për të bërë të njëjten punë. "Gjykata dhe policia e Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me ligjet që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ne kemi rënë viktimë e konkurrencës mes lokaleve të Prishtinës", janë shprehur vajzat e dëbuara. Megjithatë policia dyshon se vajzat kanë ushtruar edhe aktivitet prostitucioni në Kosovë. "Vajzat e riatdhesuara janë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Korça e Gjirokastra.

Në përgjithësi ato kanë rezultuar me probleme sociale, me njërin prej prindërve të vdekur apo me prindër të divorcuar", thotë Musa.
Shumica prej vajzave kanë deklaruar se kanë pasur edhe mirëkuptimin e prindërve për të punuar në lokalet e Kosovës, ndërkohë që njëra ka pohuar se ka gjetur mirëkuptim tek prindërit edhe për të ushtruar prostitucion. "Mua babi nuk ma prish për asgjë, as për të kryer marrëdhënie seksuale me personat që dua. Nëse bëj seks, e bëj me dëshirë", ka pohuar para specialistëve të policisë shqiptare njëra prej vajzave të intervistuara. Ndërkohë që ato i kanë deklaruar specialistëve të antitrafikut se nuk ishin kategoria e atyre vajzave që kishin punuar ndonjëherë nëpër semaforë apo rrugë. 11 vajzat e dëbuara nga Kosova kanë qëndruar një natë në hotelet e Kukësit dhe më pas janë transportuar për në shtëpitë e tyre, ku të gjitha shpenzimet do të përballohen nga IOM-i (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin).
Ndërkohë që sipas Dritan Musës, numri i vajzave të punësuara në baret, hotelet dhe motelet e Kosovës është shumë i madh, ku mund të arrijë deri në 1 mijë.


Bashkim Shala, Shekulli