Wednesday, March 24, 2010

Shkollat më të ndotura në Europë, efekte negative në shëndet

Sipas monitorimit të 10 shkollave 9-vjeçare nga projekti SEARCH, financuar nga REC, nxënësit kanë hapësirën më të vogël për m2 dhe mjedisin më të ndotur.

Alarmi


Alergji, kollë ditën dhe natën, fishkëllima në kraharor dhe bronke. Këto janë disa nga pasojat që vuajnë fëmijët e shkollave 9-vjeçare për shkak të ajrit të ndotur brenda në ambientet e shkollave.

Monitorimi i 10 shkollave 9-të vjeçare, ku u përfshinë 1023 nxënës nga projekti SEARCH, financuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), tregon shifra alarmante sa i takon ndotjes në ambientet e brendshme të shkollave, ndotës këto duke filluar që nga pluhurat deri tek gazrat e rëndë.

Ekspertja pranë REC në Shqipëri, Rahmije Mehmeti, theksoi se rezultatet e monitorimit tregojnë se duhen marrë masa për minimizimin e ndotjes. Ndërsa specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Elida Mata, theksoi se ndotja në mjediset e brendshme të shkollave sjell disa pasoja mbi shëndetin.

Monitorimi

Nxënësit në vendin tonë kanë hapësirën më të kufizuar ndër vendet e Europës në shkollë. Kështu, specialistja e REC, Rahmije Mehmeti, shpjegoi se nëse një fëmijë në vendin tonë ka hapësirë 1.26 m2, në Serbi kjo hapësirë është 2.5 m2 për fëmijë, në Itali është 2.08 m2 për fëmijë, në Hungari është 2.06 dhe akoma më e madhe në vende të tjera. Por, si të mos mjaftonte hapësira e pamjaftueshme për fëmijët, ambientet e brendshme janë shumë të ndotura.

"Zakonisht përmbajtja e lartë e CO2 bëhet shkak i anoksemisë (pakësimi i oksigjenit në gjak, d.m.th., nën nivelin fiziologjik) dhe paralizon frymëmarrjen, sistemin muskulor dhe ndryshon ekuilibrin acido-bazik (acidoza).

Ajri i kufizuar i klasave të mbyllura është i dëmshëm kur përqendrimi arrin 3000-5000 ppm", shpjegon specialistja, duke shtuar se NO2 (Dioksidi i Azotit) është problematik për ambientet e brendshme, pasi është element toksik që merret nga frymëmarrja. "Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj NO2 në përqendrimet mbi 40-100 µg/m³ shkakton sëmundje me efekte të pashërueshme.

NO2 formohet kryesisht nga proceset e djegies së brendshme, të cilat përdorin ajrin si oksidues. Këtu përmendim, mostrat me djegie të brendshme, stacionet me djegie termike", shpjegon specialistja Mehmeti, duke shtuar se në klasa ka edhe ndotës të tjerë të ambientit që janë shumë të rrezikshëm për shëndetin.

Ndotësit

Nga pluhurat deri tek ajri i frymëmarrjes, të gjitha këto mundojnë fëmijët e shkollave 9-vjeçare. Sipas specialistes, Rahmije Mehmeti, vërehet që niveli i PM10 mbetet i lartë, pasi fëmijët lëvizin në ambientin e klasës, për nevoja personale, ndërrojnë librat, ngrihen në tabelë për të zgjidhur detyra klase, bile në kohë me shi, në mungesë të palestrës, bëjnë edhe mësim kulture fizikë në klase.

Në fund të orëve të mësimit, sipas specialistes, krijohet një re pluhuri që me ventilim natyral thyhet me vështirësi.

"Temperaturat gjatë kësaj periudhe janë luhatur nga 10-20°C, kështu që nuk është ndjerë shumë të ftohtit, por në disa klasa ku dritaret kishin ngecur të mbyllura (të prishura), ose hapjet ishin të llogaritura vetëm në ndarjet e sipërme, gjë që e vështirësonte manovrimin e tyre, niveli i CO2 ka kaluar 5000ppm, madje ka në disa raste edhe 7000 ppm", pohon specialistja Mehmeti, duke shtuar se gjendja e mikroklimës (temperaturë, lagështi relative, lëvizje e ajrit) luhatet në vlera jo të qëndrueshme. Kjo, sipas saj, për faktin se nuk ka sisteme ngrohje, ventilimi artificial, kondicionimi që vlerat e mikroklimës të jetë në nivele optimale.

Monitorimi i shkollave tregon se ngrohja bëhej me soba gazi, përveç ndotjes së ajrit bombolat përbënin një rrezik për shpërthim zjarri

Problem mbipopullimi i nxënësve, dritaret nuk funksionojnë.

Në të gjitha shkollat 9-vjeçare, ku u krye monitorim, orari i mësimeve ishte i ngjeshur në kuptimin që nxënësit gjithë kohën qëndronin në klasë. Por, si të mos mjaftonte kjo, vihet re se vlerat e temperaturave gjatë gjithë periudhës së monitorimit, janë 10-20 oc, kështu që kur vlerat e CO2 rriteshin ndjeshëm.

Kështu shprehet specialistja e REC, Rahmije Mehmeti, e cila thekson se disa mësues kanë shkruar në ditar se këtë e bëjnë për arsye të sigurimit të fëmijëve, disa për arsye të errësimit të shpejtë të ditës në sezonin e dimrit.

Sipas saj, në një pauzë prej 10 minutash, brenda në klasë fëmijët ushqeheshin, ndërronin librat, lëviznin në klasë, duke ngritur pluhur apo shkonin për të kryer nevoja personale duke rënduar ajrin. Specialistja thekson se një problem në të gjitha shkollat paraqet pastrimi i klasave.

"Meqenëse koha ndërmjet mbarimit të mësimit të klasave të mëngjesit dhe fillimit të mësimit në klasat e pasdites është 30-40 minuta, pastrimi i klasave shpesh bëhet nga nxënësit, dritaret pothuajse nuk hapen dhe për një farë kohe pluhuri qëndron pezull, punonjëset e pastrimit lajnë me detergjent në fund të ditës ose gjatë kohës që nxënësit janë në mësim, korridoret, shkallët etj.", shpjegon specialistja Hehmeti, duke shtuar se në të gjitha shkollat e Shkodrës dhe në një të Durrësit, ngrohja bëhej me soba gazi, përveç ndotjes së ajrit brenda, bombolat përbënin një rrezik për shpërthim zjarri në një rast banal të paparashikuar.

Gjithashtu, vihet re se në të gjitha shkollat punohet në tabela të zeza me shkumës dhe fshirja bëhet me sfungjer të thatë dhe jo me markera në tabela të bardha, çka sjell evitimin e pluhurit të shkumësit. E. Bardhi

MASAT

• Shkollat duhet të ndërtohen në vende ku të mos ketë trafik të rëndë, stabilimente që ndotin, afër.

• Numri i lartë i nxënësve në klasë duhet të zvogëlohet.

• Një regjim i përshtatshëm ventilimi natyral duhet rregullohet në klasë gjatë gjithë orëve të mësimit në shkollë.

• Mbulimi i dyshemesë së klasave duhet të jetë prej materiali të zgjedhur me kujdes, që të mos ndikojë në shëndetin e aparatit të frymëmarrjes së fëmijëve.

• Lyerja me boje zmalti e mureve, nuk duhet të bëhet për asnjë arsye.

• Në lidhje me pastrimin e klasave dhe ambienteve të brendshme të shkollës duhet të bëhet një instruktim mbi praktikat e pastrimit punonjësve që merren me këtë punë


Disa konsiderata mbi problematikën e vërejtur

1. Numri i madh i nxënësve për një klasë
2. Mësim me 2 turne (shfrytëzim i klasës 200%)
3. Mungon sistemi qendror i ngrohjes
4. Mungon sistemi i ventilimit
5. Shkolla me rikonstruksion jo të plotë
6. Oborret e shkollave të pashtruara
7. Mungesa e mjaftueshme e luleve

Eglantina Bardhi, Shekulli

Tuesday, March 23, 2010

Ç'je ti ?

Të kam ideal,
më ndjell frikë, pasiguri,
të kam dritë, ngohtësi,
ndrit e verbon ti.

Të kam arsye,
shpeshherë më mungon,
të kam mike të jetës,
e miqësitë e mia nuk i duron.

Të kam qëllim,
që jo rrallë më humbet,
të kam të vetmen shpresë,
që shëron e vret.

Të kam dobësi,
por dhe forcë e besim,
metamorfozë befasuese
sakrificë në vetmohim.

Të kam ajër
e gjithçka tjetër je TI
më therr në zemër,
të kam DASHURI.


Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Monday, March 22, 2010

Sa kollaj u vidhka banka..

Është banka e dytë, e tretë, e katërt, e pestë, e me radhë, që po vidhet dhe asnjë lëvizje konkrete për sigurinë e bankave.

Asnjë bankë në Shqipëri nuk është e pavjedhshme, ndërsa duhej të ishin si Fort Nox, banka federale amerikane. Ideja se nuk mund të bëjmë asgjë, është një ide jo fort e ndershme, jo fort e drejtë. Diçka mund të bëjmë. Në vend që të merremi me pasojat, mund dhe duhet të merremi me shkaqet.

Po pse gjithçka që nisim e lëmë në mes?

-Përse rruga më e kushtueshme e kombit shqiptar mbeti në gjysmë, edhe pse prej saj u fituan -zgjedhjet?
-Përse u desh vdekja e 45, që dikush të vinte disa goma në kthesën e Lushnjës?
-A nuk mund të bëhej kjo që në vdekjen e 40, apo ca më mirë në të parën?
-Përse pas Gërdecit, pati një shpërthim tjetër në Poliçan, në fabrikën e demontimit?
-Përse ishte vetëm Avokati i Popullit që kërkoi me një shkresë të veçantë të gjitha burimet e rrezikut të shtuar?
-Çfarë ndodhi me atë letrën që u përpilua?
-Përse pasi u mbyt barka në Tiranë, u mbyt dhe një tjetër në Sarandë?
-Përse para pak javësh nisi kërkesa për siguri e bankave, dhe ajo mbeti në mes, edhe pse është kërkesë ligjore për licencimin?

Ka një shprehje popullore që thotë se i mençur pas davaje mund të bëhet kushdo. Po përse na ndodh që nuk bëhemi të mençur edhe pas davaje, dhe jeta e njerëzve na rrëshqet prej shalëve?

Cili është ai popull aq i pasur sa mund të lejojë luksin e të hedhurit nga dritarja të një pasurie prej 1 % të PBB (kjo është zyrtare, por mund të jetë shumë më tepër) vetëm për shkak se nuk jemi në gjendje të ndalojmë aksidentet rrugore?
Po ai popull që i lejon vetes luksin që vetëm në vitin 2009 të ketë mbi 9000 aborte?

-Përse mungesa totale e vullnetit, e dëshirës për të bërë mirë, e imponimit të vlerës na ka sjellë në këtë ditë të zezë, ku pjesa më e madhe e institucioneve parandaluese të shtetit është kthyer në institucione që punojnë në kushte emergjence?
-Si duhet të reagojmë ne, kur e dimë paraprakisht se mijëra shtëpi në Shqipëri janë ndërtuar në faqe kodrash që kanë filluar të rrëshqasin?
-Përse duhet të paguajmë çmim për marrëzinë tonë?
-Si duhet të veprojmë kur për një të keqe do të paguajmë tre herë: një herë që të mbjellat e tokës së përmbytur u dëmtuan; herën e dytë kur vitin tjetër nuk mund të mbillet se toka është dëmtuar në thellësi; herën e tretë kur duhet të paguajmë dëmshpërblime? Pra, me pak fjalë: marrëzi në fuqi të tretë. Po kjo lloj marrëzie që është një sëmundje ngjitëse, mund të dallohet në të gjitha fushat e jetës sonë. Dhe ajo që të bën përshtypje është se çdo përpjekje për të ndryshuar këtë shëmtim, quhet si e destinuar të dështojë për shkak se nuk njihen aksione të mëdha parandaluese.

Po fusha e zgjidhjeve është një fushë jo fort e vështirë dhe aspak e minuar. Përkundrazi, shumë zgjidhje ndonjëherë janë shpëtimtare dhe më të thjeshta se sa veza e Kolombit. Le të kujtojmë një rast nga më të spikaturit, kur askush nuk mori mundimin më të vogël të hidhte një karrocë me dhé, e cila vetëm kjo do të kishte shpëtuar të paktën 100 milion dollarë. Kur u ndërtua rruga e re dalëse nga Tirana për në Durrës, pra ai segmenti si kurriz peshku plot dallgëzime, që mori gjithë ato para dhe kohë nga koha e shqiptarëve, makinat i binin anash një ndërtese biznesi të famshme në Tiranë. Shpejtësia e qarkullimit ishte shumë e vogël dhe koha e rrotullimit rreth një ndërtese të vetme ishte shumë e madhe. Shkaku ishte kaq i thjeshtë dhe banal, sa as ja vlen ta përmendësh. Ishin dy gropa të thella në fund të rrethrrotullimit të detyruar përqark ndërtesës. Ato dy gropa e ulnin shumë shpejtësinë e lëvizjes së makinave dhe bënin që të duhej nga 30-60 minuta për t’i ardhur vërdallë botës në kërkim të Arkës së Humbur. Llogarisni muaj të tërë, mijërat e makinave, milionat e karburantit, makinat e rraskapitura nga futja dhe nxjerrja e marshave, nervat e acaruara, stresin e akumuluar, shputat e këmbëve të dërrmuara, kohën shoqërore të humbur, tymin e karburantit të thithur, e shumë të tjera.
Dhe pse?
Për një karro me dhé. E njëjta situatë u përsërit në ndërtimin e rrugës së Plepave, kur arriti kulmi që në një drejtim u krijuan gjashtë radhë me makina, ose thënë ndryshe pilaf me makina. Ja pra, se si hodhëm në det miliona euro.

Ku shkuan dhjetë milionë dollarë të caktuar nga qeveria për riparimin e dëmeve të tërmetit në Dibër?
Ajo çka dimë është se nuk shkuan në Teatrin Kombëtar që ka nisur të ndërtohet prej vitesh dhe nuk po e shohim. As për Teatrin e Operas me kolltukët e diktaturës. As për tabelat e rrugëve, mungesa e të cilave ka marrë shumë jetë njerëzish.
-Kush e pagoi borxhin prej qindra milionë eurosh që kishte Albtelekom?
-Kush po e paguan të njëjtin lloj borxhi që kishte OSSH?
-A kanë mbaruar efektet e duhanit radioaktiv që është djegur tek ne?
-Po e hekurit radioaktiv që erdhi nga Ukraina?
-Mos është gjë i ndotur ajri në Elbasan? Pse ka aty aq shumë vetëvrasje?


Pafuqia e një kombi për të shpëtuar jetë njerëzish, për të jetuar një jetë më estetike, dhe jo thjesht për të mbijetuar, për të mos e kanalizuar rrugën e saposhtruar me asfalt, për të mos ju kthyer punëve publike me garanci 50 vjeçare pas tre vjetësh, për të mos lejuar 400 mijë shtrime në vit në spitale, ndërkohë që buxheti për shëndetësinë shtohet, ndërsa mund të shtohej buxheti për sportin, tregon mangësi të mëdha në mënyrën e të menduarit. Po jo se nuk i kemi menduar mijëra herë gjërat që themi e shohim. Nuk ka skutë të ferrit tonë që nuk është përshkruar më mirë se sa përshkroi Dante Ferrin e vet.

Ajo që na mungon është vlerësimi për intelektin, vlerësimi për atë tjetrin që çoç di, mungesa e çdyllosjes së veshëve përgjegjës të dinshumëve qeverisës. E mbi të gjitha përdorimi i kësaj depoje të madhe baruti që janë njerëzit e dijes dhe të shkencës, në të gjitha fushat e jetës. Për t’i përdorur paraprakisht, jo për të komentuar ngjarjet që ndodhin tek ne. E nëse mungon energjia, le të kërkohet sinergjia.

Erion Kristo, T. Observer

Hyllvegu - kalendari i sotëm pagan

Kalendari i sotëm pagan, është kalendari kombëtar që praktikohet nga pothuaj të gjithë shqiptarët, por shumë prej nesh, pa e ditur ende arsyen e vërtetë pas festimeve, që përfshihen në të.

Çfarë kuptimi kanë veroret, plugimi, festivalet e luleve, rrëshajat, zjarret malore, buzmi, kërshëndellat, ujqit, viti i ri e shumë të tjera, që janë festa mbarëkombëtare?


Fshehur nën veshje të huaja me disa emra të ndryshuara me dhunë, festat që mbahen me kryeneçësi prej të gjithë nesh, pa dallim krahine apo ideje, janë festat e lashta ilire, të cilat aspak rastësisht vazhdojnë të ndjekin këmba-këmbës ciklin e diellit dhe luhatjet e tij.

Hyllvegu është emri i ri vargmalas i këtij kalendari të lashtë e të pavdekshëm e do të thotë veg i Hyllit, punishte e Yllit, punishte e Diellit.

Duke u nisur nga të dhënat e mjafta rreth veprimtarive festive (shiko rrethin e blertë), drejtimet kryesore të tij në ciklin diellor janë si vijon:

Hyllvegu

Viti: 12 muaj / 365 ditë (366 një herë në katër vjet)
Muaji: 30-31 ditë (shkurt 28-29)
Java: 7 ditë (e hëna e para)
Dita: 24 herë (12 herë ditë, 12 herë natë)



Hyllvegu është standardizim i kalendarit festiv shqiptar sipas cikleve diellore.

Duke vrojtuar modelin e festave shqiptare të shpërndara gjatë vitit, vihet re se ato kryhen sipas një rregullsie që ndjek ciklin diellor. Kjo rregullsi pas ciklit diellor tregon dhe zbatimin e pavetëdijshëm mbarëpopullor të një kalendari të vjetër, në rite pagane, i cili pavarësisht përpjekjeve për dobësim, apo zhdukje prej institucioneve fetare apo administrative pushtuese, nëse hetohet me kujdes, ndonëse ende i pazyrtarizuar, ruan me ngulm thelbin e vet të pandryshuar që prej lashtësisë.

Festat mbi të cilat ngrihet Hyllvegu janë në dimër:
-fundshtatori me barasnatën e vjeshtës kur mbahet Plugimi dhe Dita e Bletëve;
-funddhjetori, që vjen me 2 javët e Mesdimrit, Buzmit dhe festës së ujqve.

Ato nisin nga data 25 dhjetor e ndjekin solsticin dimëror deri në 6 janar. Festa e njeriut-ujk, Ulknirit, paraqet egërsinë e natyrës në dimër dhe njësohet me djem veshur në lëkurë ujqish që shkaktojnë trazira përgjatë 2 javëve të Mesdimrit - me rrënjë thellë në lashtësinë ilire.

Në verë: fundmarsi me Ditën e Verës dhe veroret e vajzave ndjek barasnatën pranverore në datën 21 të muajit.
Në fund të qershorit vijojnë dy javët e Mesverës për solsticin veror me të Korrunat, të Qethat, therjen e bagëtisë, Natën e Verës, Rrëshajën e gjarpërinjve dhe në të parat e korrikut buçasin festimet e kultit të Diellit me zjarrndezje në majat e larta malore gjatë natës dhe zjarret e tymit në fusha.

Viti në Hyllveg ndjek kalendarin e sotëm e nis më 1 janar dhe mbaron në 31 dhjetor, por ka vetëm dy stinë, verën dhe dimrin. Vera nis me barasnatën e 21 marsit dhe mbaron në barasnatën e 23 shtatorit. Që prej aty e në mars gjysma tjetër e vitit është dimër. Në dy solsticet Hyllvegu shënon dy festat e mëdha të Mesverës dhe Mesdimrit. Renditja e muajve ecën gjithashtu sipas kalendarit të sotëm duke ruajtur dhe të gjithë rregullat e tjera të tij.


Festimet kryesore

2 javë të Mesdimrit dhe Ulknirit

25 dhjetor – Kërshëndellat (22), Buzmi I
1 janar - Kryeviti, Motmoti, Viti i Ri, Buzmi II
6 janar – Beniku, Buzmi III

21 mars - Dita e Verës, Veroret, Dita e Luleve

(Plakat)

2 javë të Mesverës, të Korrunat, Dielli

24 qershor – Nata e Verës, Të Korrunat, Të qethat
1 korrik – Rrëshajat, Dielli
6 korrik - Dielli

(Djegaguri)

23 shtator - Dita e Dimrit, Dita e Bletëve, Plugimi


Sipas këtij caktimi të praktikës kombëtare gjatë shekujve, duke ndjekur ciklin diellor, edhe shpërndarja festive bëhet e vetëkuptueshme. Me ndarjen dystinëshe, Mesdimri dhe Mesvera bien në mes të stinëve të Hyllvegut, dhe dallojnë nga përkatëset e Bujkut me rreth 45 ditë, për shkak se i fundit feston në ciklin e tokës.

Shkëputmas pjesërisht nga karakteri bujqësor, në Hyllveg merret parasysh ana tradicionale dhe funksioni i festave në ditët e sotme. Në vijim të kësaj renditjeje çdo krahinë shqiptare ka dhe festa të tjera lokale që ndjekin veçoritë dhe doket e krahinës.

Kemi pas për një kohë në përdorim brenda Vargmalit, këto emërtime:

Kallnor
Fror
Mars
Prill
Maj
Qershor
Korrik
Djegagur
Britm
Vjeshtë
Brymës
Dimëror

Në rastin e frorit, psh. shkurti duket më i përshtatshëm dhe i veçantë, shënon zhvillim të rregullt, i përshtatet kalendarit të tashëm dhe më shqip s'bëhet, kështu që është më i pëlqyeshëm se frori.

Djegaguri është më specifik se sa duket, (ngjan me Plakat për nga funksioni) dhe do kishte zgjerim kuptimi nqs i jepej emri gjithë muajit gusht. Gjithashtu i mëshohet prirjes të mospërdorimit të të njëjtëve emra dhe për muajt e Bujkut dhe për të Hyllvegut, që të ketë një dallim të menjëhershëm, që në emrin e muajit, se për cilin kalendar flitet. Prandaj për momentin na u dukën më praktike ato të tashmet derisa të ketë një standardizim të duhur për burimoret sipër.

Mesdimr, Vargmal.org

Sunday, March 21, 2010

Ballshi del në rrugë, jo për politikë

Banorët e lagjes “Bylis” kërkojnë investime dhe transparencë për përdorimin e parave publike.
Pamje nga fushata elekorale - Ballsh

Banorët e lagjes “Bylis”, një nga lagjet e vjetra të qytetit të Ballshit, janë ngritur paraditen e së shtunës në protestë. Shkak i protestës së banorëve ka qenë mungesa e investimeve në zonën ku ata jetojnë. Rreth orës 10.30 të paradites së djeshme, dhjetëra banorë të kësaj lagjeje, që nga vendasit njihet si Ballshi Fshat, janë mbledhur në qendër të qytetit dhe kanë marshuar me pankarta në duar drejt bashkisë së qytetit.

Në lagjen “Bylis” jetojnë më tepër se 400 familje. Një përfaqësi e tyre, burra, gra, fëmijë dhe të moshuar, pjesëmarrës në protestë, ankohen se kanë mbi 15 vjet që ndihen të braktisur. Më emergjente për ta duket se është infrastruktura. Protestuesit tregojnë se në rrugët e lagjes nuk është ndërhyrë prej vitesh. Lagjja nuk e ka sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha. Gjithashtu, edhe dy rrugët kryesore që lidhin lagjen në fjalë me qendrën e Ballshit janë totalisht të amortizuara.

Nga banorët mësohet se kërkesën për investime ata e kanë përsëritur me dhjetëra herë. Ajo është bërë edhe te bashkia, që ka ndërruar disa kryetarë në këto vite, edhe te deputetët, që në kohë fushate kanë premtuar ndërhyrje. “Në shumë legjislatura deputetët që kanë kandiduar dhe kanë fituar, premtimin e parë e kanë bërë për përmirësimin e situatës. Por premtimet e tyre kanë qenë vetëm elektorale”, tha një nga organizatorët e protestës së djeshme. Si pasojë e kushteve të krijuara, ku askush nuk po interesohet për ta dhe kur Bashkia e Ballshit asnjëherë më parë, por edhe për vitin 2010 nuk ka asnjë projekt për lagjen në fjalë, banorët kanë gjetur si zgjidhje rrugën e protestës.

Një grup prej afro 200 vetash kanë marrë pjesë në protestën e së shtunës.
Gjatë përshkimit të rrugës kryesore të qytetit, protestuesit bënë thirrje që me ta të bashkohet i gjithë komuniteti i Ballshit, pasi të gjithë ndihen të braktisur nga investimet. Në duart e protestuesve, parullat që janë mbajtur kishin tekst të tillë “Stop ndotjes”, “Stop keqmenaxhimit të taksave tona”, “Stop persekutimit të ‘Bylis’” etj.
Në krye të rreshtit të parë të protestës mes pankartave ka qenë edhe flamuri kombëtar. Protesta është shoqëruar nga uniformat blu të Ballshit, pasi organizatorët kishin marrë edhe lejen e policisë lokale. Albert Aliaj, organizator i protestës, tha se “sot kemi dalë në protestë jo politikisht. Nuk përfaqësojmë asnjë forcë politike, por kushtet e këqija të jetesës për mungesën e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha. Kemi dalë në protestë për rrugën tërë gropa që nuk duket më si e tillë”. Protestuesit kanë kërcënuar me përshkallëzim të reagimit të tyre. Ata thonë se do të shkojnë deri në bllokimin e rrugës nacionale Ballsh-Tepelenë, si dhe në grevë urie. Festim Selimaj, një nga protestuesit, tha për gazetën se “ka tre vjet që jepen fonde dhe nuk dihet se ku shkojnë ato. Ne duhet të dimë se ku shkojnë paratë e taksave tona. Para fushatave se ku i gjejnë ca lopata bitum që i hedhin, por më tej nuk bëjnë asgjë”.

Pas afro dy orësh protestë, banorët e lagjes “Bylis” janë shpërndarë duke e mbyllur protestën e tyre pa asnjë incident. Ata kërcënuan se javën e ardhshme do të dalin sërish në protestë. Nga ana tjetër, drejtues të Bashkisë së Ballshit pohojnë për gazetën se investimet për këtë lagje mungojnë. Po ashtu, Bashkia e Ballshit ka dalë me një deklaratë për shtyp, ku është shprehur se është parashikuar që për vitin 2010 të ndërhyhet në këtë lagje. “Për shkak të fondeve të mëdha që duhen për ndërhyrje, investimi kërkon mbështetjen e qeverisë.
Kjo e fundit duhet të kthejë sytë nga Ballshi”, thuhet në deklaratën e bashkisë.


Matilda Troka, Shqip