Sunday, April 25, 2010

Mbi origjinën e shqiptarëve

Nuk do të merrja guximin ti shkruaja këto radhë në rast se libri i të nderuarit, historianit Kristo Frashëri “Historia e Qytetërimit Shqiptar”, nuk do të mbante siglën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kuvendit të shkencëtarëve shqip folës.

Shqetësimi im qytetar është vetëm për paragrafët e parë të librit (2,4,5) ku flitet mbi origjinën e shqiptarëve dhe ilirëve, për pellazgët; dhe për këto dua të shpreh disa mendime.


Për të qenë në akord me tekstin po ndjek renditjen e tij. Nuk më duket fort i qëlluar mendimi i shprehur në tekst,se Akejtë, Trakët, Dorët dhe Ilirët kanë ardhur duar duar, njëri pas tjetrit në gadishullin Ballkanik, dhe për më tepër me këtë renditje. Më duket pasaktësi shkencore që Akejtë identifikohen me të ashtuquajturit grekë, dhe që këta të fundit formuan etnosin Helen.

Nëqoftëse me grekë do të kuptojmë ata që në “Iliadë” konsiderohen si dhunuesit e Trojës, atëherë atje Omeri përmend disa fise,Argejtë, Akejtë dhe Danajtë; ndërkohë që nga pikëpamja historike edhe këta nuk janë grekët e vërtetë. Ata janë GRAITË, të cilët romakët i quajtën GRAECI, dhe që në fakt janë një fis pellazg që banonte në Thesali.
Në vija të trasha, krijuesit e të vetëquajturit etnos helen, janë popullatat e mëdha të Jonianëve, Eolianëve, Danajve dhe Dorianëve; dhe nëqoftëse për dy të parët mendohet se janë autoktonë, për dy të fundit thuhet se janë ardhës; dhe për më tepër nga deti dhe jo nga toka, nga Jugu dhe jo nga Veriu.

Gjithashtu, për hir të saktësisë shkencore, helenët asnjëherë dhe në të gjithë historinë e tyre, nuk kanë përbërë një etnos, ose kombësi.

Helenët historikisht, që nga lashtësia e këndej, kanë qenë një bashkësi kulturore dhe kaq; dhe pas shekullit të XI, edhe një bashkësi fetare e krishterë. KISHA lindore arriti ta sendërtojë helenizmin në popullata dhe territore shtetformuese në shekullin e XIX me ndihmën e shteteve europiane, të cilat krijuan një shtet të krishterë.
Megjithëse (i detyruar nga renditja e librit) shprehjen e këtyre shqetësimeve e nisa nga një problem anësor (për të ashtuquajturit grekë dhe për të vetëquajturit helenë); pasi dua të flas për pellazgët, ose me saktë për të parët e racës tonë.
Por më lë një shije jo të mirë aludimi (siç thuhet në libër), se këta greko-helenë, akejtë dhe dorët qenkërkan ardhësit e parë në Ballkan dhe gjyshërit tanë Ilirët kanë ardhur pas tyre, aty nga fundi dhe zunë trojet që mbetën pa u zënë nga të parët. Për mendimin tim popujt e lashtë të Ballkanit si Trakët, Getët, Dardanët, Dakët, Grekët,Tesprotët,Argasit,Tesalasit,Briget,Mizet,Enetet, Minoanet, Mikenasit etj ishin autoktonë; flisnin një gjuhë, por me dialekte të ndryshme. Ardhacakët e lashtë të Ballkanit, nga Kaukazi, Skthithia (Albanët), Karpatët dhe veriu i Europës kanë qenë të një race dhe të një gjuhe me vendasit. Mendoj se shkencërisht, ndryshimi i emrave të popullatave në lashtësi, nuk do të thotë automatikisht edhe ndryshimi i etnisë dhe racës së tyre; dhe për më tepër nuk do të thotë që një emërtim i ri, automatikisht e bën ardhëse këtë popullatë duke e mbivendosur mbi tjetrën (që është po ajo, por me emrin e vjetër).
Kjo ka ndodhur edhe me Ilirët. Ata ishin vendas dhe duke krijuar etnotipin e tyre, morën këtë emër për tu dalluar nga sivëllezërit e tyre të një race dhe të një gjuhe, por me dialekte të ndryshme. Ilirët u shtrinë deri në Europën Qendrore, jashtë territoreve të Ballkanit të sotëm, dhe nëqoftëse ata bënë lëvizje nga malet Karpate në malet Ballkan (nënkupto nga Europa Qendrore në gadishullin Ballkanik) dhe anasjelltas; kjo nuk do të thotë aspak se ata ishin ardhës në territoret ku vendoseshin rishtas. Kudo që të lëviznin, ata lëviznin si në shtëpinë e tyre. Nëqoftëse ne shqiptarët rrjedhim nga Ilirët e Jugut (ashtu si popujt gjermanikë nga nga Ilirët e Europës Qëndrore dhe Sakset Skithiane), kjo vjen për arsyen e thjeshtë se Ilirët e tjerë u sllavizuan (minimalisht në gjuhë). Në këtë kontekst, mendimi se Ilirët asimiluan popullatat ekzistuese në Ballkanin e Lashtë është i pasaktë, për arsyen e thjeshtë se ata nuk mund të asimilonin vetveten; ose për të qenë më të saktë, një popullsi që kishte të njëjtën gjuhë, të njëjtën kulturë, të njëjtat tradita dhe zakone.

Ilirët janë gjyshërit e shqiptarëve, po kush janë stërgjyshërit tanë?
Mund të themi se janë Pellazgët. Por teksti na kufizon. Ai thotë se në veri Ilirët gjetën popullata të lashta të grupit Ballkano-Danubian, të cilat nuk identifikohen me pellazgët. Në jug (thotë teksti) ata u përzien me Pellazgët. Pra sipas tekstit Ilirët dhe Pellazgët ishin popuj të ndryshëm, të cilët dalloheshin nga njëri tjetri. Kjo del nga fjala “përzierje”, e cila nënkupton bashkimin dhe shkrirjen e dy gjërave të ndryshme nga njëra tjetra. Për analogji, kjo është njësoj si të thuash se ne shqiptarët jemi të ndryshëm nga ilirët, dhe ne jemi “përzier” me ilirët.

Shtrohet pyetja, kush janë pellazgët, ku shtriheshin ata, çfarë gjuhe flisnin?! A është emërtimi “Pellazg” i një natyre me emërtimin “Ilir”? Pra a është ai një mbiemër përcaktor i popullatave që ishin të një race, e të një gjuhe por me emra dhe dialekte të ndryshme? Pellazgët kanë banuar vetëm në gadishullin Ballkanik, apo janë shtrirë edhe në Azi të Vogël, Kaukaz, gadishulli Apenin, gadishulli Iberik, Azinë Qendrore dhe Jugperëndimore, Afrikën Veriore dhe në të gjithë Europën?! Apo “Pellazgët” ishin popujt në jug të gadishullit Ballkanik, të cilët e morën këtë emër nga ata që u vetëquajtën helenë, për tu dalluar nga vendësit; apo (pellazgët) kështu e quanin veten e tyre edhe më parë?!

Mbase prurjet e popullatave me prejardhje semito-egjyptiane (Të cilat prunë me vete në gadishullin Ballkanik dhe ishujt e Egjeut kulturën, zakonet, traditat dhe gjuhën e tyre sëbashku me erën e ngrohtë të shkretëtirës), quajtën pellazgë popullatat që gjetën në territoret ku u vendosën vetë, dhe ato që ishin kufitarë me ta, pa u shtrirë më tej. Kjo është krejt pa rëndësi. Raca prej nga vijmë ne, gjithmonë ka qenë tolerante ndaj emrave që i kanë vendosur të tjerët, apo i ka vendosur vetë vetes. Ashtu si ka qenë tolerante ndaj mbulesave fetare. Ky indiferentizëm shpërfillës lidhet me atë që kjo racë ka qenë e vetëdijshme, se atë asnjëherë nuk mund ta zhbënin emrat e ndryshëm; apo petkat fetare, të cilat i ka veshur dhe i ka çveshur sipas motit, acareve dhe zhegut të historisë në shekuj. Fakti që të ashtuquajturit “Pellazgë” kanë banuar vetëm në jug të gadishullit Ballkanik dhe ishujt e Egjeut e të Mesdheut; apo janë shtrirë në të gjithë Europën, në Afrikën e Veriut dhe Azinë Qëndrore, Jugore, JP e Perëndimore, nuk ndryshon asgjë.
Ndoshta edhe këto popuj janë quajtur Pellazgë, por ky mbiemër ka humbur, ose është lënë në haresë; dhe nëqoftëse ka mbetur vetëm për ata që banonin në jug të Ballkanit, kjo mund të jetë edhe për faktin se ndoshta vetëm për ata mund të jetë shkruar nga të lashtët (historianët helenë të antikitetit), dhe e shkruara mbetet.
Popullatat të cilat kanë banuar në të gjitha këto territore (që u përmendën më sipër), të cilat disa studiues i emërtojnë “Proto Indo-Europiane”, kanë folur të njëjtën gjuhë, dhe duke rrjedhur nga e njëjta racë, kanë pasur edhe zakone, tradita dhe kulturë të përbashkët; dhe ajo që është më e rëndësishmja është se edhe i kanë këmbyer këto me njëra-tjetrën pa asnjë lloj kompleksi.
Kështu nëqoftëse Iberëve do tu vendosnim mbiemrin ose cilësorin “Pellazg”, apo do ti quanim thjesht Iberë, nuk ndryshon asgjë. Kjo është njësoj si Dardanëve tu vendosnim mbiemrin Ilirë, apo ti quanim thjesht me emrin Dardanë.
Një gjë është e rëndësishme dhe që duhet nënvizuar se Atlantidët, Albanët (bëhet fjalë për ata Kaukazianë dhe ishullorë britanikë), Keltët, Iberët, Ligurët, Sardët, Sikanët, Kalabrët,Umbrët, Tirrenët, Oskët, Latinët, Enetët, Venetët, Etruskët, Mesapët, Japigët, Dakët, Getët, Skithët, Baltët, Mizët, Paionët, Dardanët, Tesprotët, Argasit, Tesalasit, Jonianët, Arkadianët, Qipriotët, Minoianët, Mikenasit, Liqjanët, Frigjianët, Lelegët, Karianët, Hititët, Sumerianët, Asirianët, Kananitët (Fenikasit) dhe Hiksosit etj. Të gjithë këta kanë qenë popuj,të cilët deri më sot historia i mban për popuj të ndryshëm; në të vërtetë kanë rrjedhur nga e njëjta racë, kanë folur të njëjtën gjuhë por me dialekte të ndryshme, të cilët ndonjëherë janë dalluar dhe veçuar aq shumë, sa që janë dukur edhe si gjuhë të ndryshme. Për rrjedhojë kjo ka krijuar përshtypjen se kemi të bëjmë me popuj të ndryshëm.
Ashtu siç gjejmë sot mbetjet e kulturës materiale të këtyre popujve në territoret ku ata kanë banuar; po ashtu gjenden sot mbetjet e gjuhës së tyre në të folmen e popujve (të cilët me të drejtë sot identifikohen si kombe të ndryshëm) që i banojnë sot këto territore.

Një çështje tjetër e rëndësishme, ku teksti përhap mjegull, mendoj se është edhe trajtimi që i bëhet kolonive helene në Iliri. Që në fillim, nuk do të isha i mendimit që kolonitë helene janë krijuar në brigjet e Ilirisë (dhe jo të Shqipërisë,siç thuhet në tekst) nëpërmjet pushtimit. Lufta edhe mund të jetë përdorur në ndonjë rast, por e përgjithshmja është; se këta të ashtuquajtur kolonistë helenë duhet të kenë ardhur pa lufte, ata janë pranuar miqësisht nga vendasit si “jabanxhinj”. Këta kolonistë kanë qenë kryesisht tregtarë dhe zejtarë. Edhe nëqoftëse do të pranonim se një grusht kolonistësh i kanë pushtuar këto qytete ose territore; ata nuk do të mund ti mbanin dot ato për një kohë të gjatë, sepse vendësit me ndihmën e vëllezërve të tyre të prapatokës, do ti kishin hedhur në det miqtë e paftuar. Si një argument në këtë drejtim, mund të sillet edhe fakti, se sunduesit e këtyre qyteteve ishin me prirje monarkike; ndërkohë që kolonët duke qenë se bënin pjesë në shtresat e ulëta të shoqërisë (demosi,tregtarë dhe zejtarë), si dhe fakti që vinin nga qytete ku sundonte demokracia; automatikisht do të ishin me prirje demokratike. Mbi bazën e kësaj logjike mbetet që sunduesit e këtyre qyteteve të ishin vendës dhe për Epidamnin kjo është e dokumentuar nga lufta që u zhvillua aty. Në këtë luftë Ilirët autoktonë aristokratë të qytetit, me ndihmën e vëllezërve të tyre Taulantë të prapatokës, rivendosën me dhunë të drejtat e tyre duke shtypur revoltën e kolonëve helenë dhe bashkëpunëtorëve të tyre nga shtresat popullore qytetare autoktone ilire (banuese në këtë qytet). Kjo vërteton më së mirë atë që këto qytete janë drejtuar dhe sunduar dhe banuar nga vendësit Ilirë, ku kolonistët helenë kanë qenë minoritet dhe bënin pjesë në shtresat e dorës së dytë të shoqërisë së tyre. Edhe nëqoftëse do të flitet për shkrime të gjetura në greqisht, apo në latinisht në këto qytete; këto nuk përcaktojnë etninë e këtyre qyteteve; pasi këto ishin gjuhë ndërkombëtare (dhe për më tepër shkruheshin), dhe një qytet metropol dhe kozmopolit në atë kohë do të ishte i vdekur pa këto gjuhë. Kjo nuk ka përjashtuar faktin që në këto qytete ka pasur shkrime në Ilirisht, por me alfabet grek ose latin.
Nuk jam i mendimit se emrin EPIDAMN të qytetit e kanë vendosur kolonët helenë (siç thuhet në tekst). Ai është emri që i kanë vendosur vendësit qytetit të tyre. Ndoshta ky qytet ishte sipër në kodër. Ndoshta nga zhvillimi që mori,tregtia,porti, ai polli nden vetë edhe birin e vet DYRRAHUN. Ndoshta,kjo pjesë e poshtme u quajt nga vendësit DY-RRAH, sepse për çudi ai ndodhet midis dy rraheve (rrëzë kodrat, ku është edhe qyteti i sotëm Durrësi). “Rrah” në shqip quhet një vend në faqe, ose rrëzë kodrave a malit i shpyllëzuar, ose faqe diellit. Meqënëse Dyrrahu ishte qytet-port (kundrejt Epidamnit që ishte qytet-kala), gjetja e gjurmëve të portit nga arkeologët në kohën e sotme do të sqarojë shumë gjëra. Ndërsa, po të bënim një përpjekje për të shpjeguar edhe emrin EPIDAMN me anë të shqipes, trashëgimtarë e drejtpërdrejtë e ilirishtes; atëherë do të zgjidhej edhe enigma e emrit të dyfishtë, që mbart ky qytet.
“Ep” në shqip do të thotë jep, por përdoret edhe në kuptimin epme (më jep mua). “Dhashë” ose “Dhashtë”në shqip përdoret në shumës të kohës së shkuar “Dhamë”, në toskërisht përdoret edhe “Dhamnë”; njësoj si fjalët “bëhet” dhe “bënet” që kanë të njëjtin kuptim. Atëherë një qytet në një pikë strategjike në detin Jon, siç ishte Epidamni në lashtësi; ku lidhej Lindja me Perëndimin (gjë që më vonë e vërtetoi edhe ndërtimi i rrugës Egnatia) detyrimisht do të ishte edhe një qendër tregtie, ku merrej dhe jipej. EP(më) dhe I D(H)AMNË, ku gërma “H” gjatë kohës mund të ketë humbur dhe rezultati del EP-I-DAMNË. Analog mund të jetë arsyetimi si për qytetin tjetër bregdetar dhe tregtar të Mesdheut, koloninë fenikase, Marsile (MARR + SILLE). Por për këto shpjegime fjalën e fundit duhet ta thonë gjuhëtarët. Për mendimin tim, kemi të bëjmë me një qytet por me emërtim të dyfishtë, dhe kjo lidhet me fazat e ndryshme të zhvillimit të tij; ku më i vjetër në moshë është Epidamni pasi lidhet me fazën e parë të tij, kur qyteti ishte në kodër; dhe më pas me shtimin e tij ai doli jashtë mureve dhe u zhvillua poshtë, rrëzë kodrave e pranë portit, dhe kjo pjesë e qytetit mori një emërtim të ri Dyrrah; duke zbehur dhe errësuar shkëlqimin e të parit. Pasojë e kësaj është edhe fakti, që emri i dytë Dyrrah mbeti më vonë edhe si emër qytetit. Ndoshta kjo mund të lidhet edhe me pushtuesit romakë.

Gjithashtu në tekst thuhet që Bylysi dhe Amantia qenkërkan koloni greke bija! Kjo më duket një çudi e madhe. Të paktën deri më sot këtë gjë e dëgjojmë për herë të parë. Historikisht këto dy qytete kanë qenë edhe jashtë Lidhjes Molose, pra nuk kanë bërë pjesë në atë që në lashtësi quhej Epir, dhe jo më të ishin koloni helene bija.
Me që po flitet për kolonitë, me këtë rast mund të bëhet edhe një paralele midis qyteteve ilire të ashtuquajtur koloni helene (vendndodhja e të cilave është në bregdet) dhe vetë qyteteve-shtete helene si Athina, Korinti, Sparta etj, të cilat çuditërisht janë të ngritura në buzë të detit, me përjashtim të Tebës. Këtu, me këtë rast, na lind një e drejtë që të shtrojmë pyetjen:
A mos vallë edhe vetë qytetet-shtete të Greqisë së lashtë kanë qenë koloni të popujve të tjerë? Si shembull po ja fusim kot, të popujve të detit. Apo mos vallë kanë qenë koloni të Egjyptianëve dhe Semito-Fenikasve? Dhe të mos futemi më thellë, pasi të gjitha të ashtuquajturat koloni helene në Italinë e Jugut (Siçili,Sardenja etj) dhe në të gjithë bregun verior të detit Mesdhe; para se të emërtoheshin koloni helene kanë qenë më parë koloni të popujve të detit, Hiksosve dhe Kananiteve (të ashtuquajtur fenikas nga helenet).

Të tilla kanë qenë Marsilja dhe Kartagjena. Dhe dëshiroj t,ju bëj me dije se Hiksosit dhe Kananitet e famshëm janë sivëllezër të Pellazgëve.

Besnik Imeri, G. Ballkan

Sot propaganda antishqiptare ka evoluar dhe flet shqip. (S.I)

Kristo Frashëri

Gjinekologët: Partnerët, jo marrëdhënie me nënat lehona

Gjinekologët pohojnë se shpesh partnerët nuk i respektojnë lehonat, pasi kërkojnë marrëdhënie seksuale. Raste edhe me lehona pas 4 ditë lindje.


Partneri duhet të respektojë nënën lehonë dhe të mos e detyrojë të kryejë marrëdhënie, nëse ajo nuk është e gatshme për këtë.

Mjekët e shërbimit të Nefrologjisë në QSUT janë ndodhur para disa ditësh përballë një ndodhie të pazakontë, pasi një nënë lehonë nga Kukësi me foshnjën 4-ditësh është paraqitur në këtë shërbim. Nëna kishte problem jo vetëm me veshkat, por edhe për faktin se bashkëshorti i saj ka kryer marrëdhënie seksuale vetëm pas katër ditësh që kishte lindur.

Në fakt, nuk është rasti i vetëm, pasi shpesh nënat lehona nuk respektohen nga partneri. Mjekët gjinekologë shpjegojnë për gazetën se nëna lehonë është shumë e brishtë, ndaj dhe kërkon kujdes nga partneri.

Lehonat

Marrëdhëniet seksuale në situate të veçanta, siç është lehonia, duhet të kryhen në radhë të parë duke respektuar njëri-tjetrin, pasi nuk duhen imponuar, por duhet dëshira e përbashkët dhe ky është rregull që duhet respektuar.

Kështu u shpreh mjeku gjinekolog pranë maternitetit "Mbretëresha Geraldinë", Maksim Gjoni, i cili shpjegoi se në përgjithësi meshkujt tentojnë ta shkelin këtë rregull dhe kryejnë marrëdhënie seksuale kur një femër ka dhimbje dhe më pak ndihet e kundërta që një femër të imponojë një mashkull kur ai ka dhimbje apo lodhje.

"Mendoj se lehoni është mirë të lihet pa marrëdhënien seksuale për një periudhë që nuk është e ndarë në kufij, por zgjatja e abstinencës seksuale në lehoni duhet të respektohet nga dëshira e femrës.

Popullsia duhet të dijë që shtatzënia është më shumë e mundur në lehoninë e hershme, pasi fekondimi është shënuar të lindë edhe 33 ditët e pas lindjes, kohë kjo që është e dokumentuar", shpjegon mjeku gjinekolog.

Ndërkohë, ai shpjegon se nëse një nënë ushqen fëmijën me gji, në 80% të rasteve janë të mbrojtura nga shtatzënitë, kur fillon ushqyerja me produkte të tjera bie mundësia për të mos mbetur shtatzënë.

Kohëzgjatja

Nënat lehona duhen të respektohen dhe të mbështeten nga partneri i tyre, sidomos gjatë kohës së lehonisë. Kështu u shpreh drejtoresha e maternitetit "Koço Gliozheni", Rubena Moisiu, e cila shpjegoi se koha e lehonisë është 5 javë pas lindjes dhe gruaja gjatë kësaj kohe është shumë e brishtë dhe çdo veprim që mund të bëhet pa dëshirën e saj mund ta dëmtojë atë, jo vetëm nga ana shëndetësore, por edhe nga ana psikologjike.

"Dua të shpjegoj se nuk ka një kohë të përcaktuar fikse se kur duhet të fillojnë partnerët marrëdhënien seksuale pas lindjes së një fëmije, por mendoj se koha e lehonisë duhet të respektohet.

Duhet të shpjegoj se nëna lehonë pas lindjes së foshnjës ka sekrecione të vazhdueshme, të cilat fillojnë t'i reduktohen me kalimin e javëve", pohon Moisiu, duke shtuar se partnerët janë më të rrezikuar ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, nëse ata kryejnë marrëdhënie gjatë kohës së lehonisë së nënës.

Planifikimi familjar, program për ndryshimin e sjelljeve

Studentë, farmacistë dhe qytetarë, të gjithë duhet të informohen mbi metodat e planifikimit familjarë dhe të ndryshojnë sjellje ndaj metodave kontraceptive tradicionale.

Ky është misioni i "USAID" në Shqipëri, i cili ka angazhuar program Komunikimi për Ndryshim e Sjelljes në Planifikimin Familjar ose i njohur ndryshe si C-Change FP in Albania, për të ndryshuar sjelljet që pengojnë përdorimin e kontraceptivëve.

"Edukatorët bashkëmoshatarë marrin një paketë me materiale edukative për planifikimin familjar dhe ua shpërndajnë ato bashkëmoshatarëve të tyre, ndërsa ndërveprojnë me ta.

Shekulli

Saturday, April 24, 2010

Si po prishet gjuha shqype ?

Gjyshat tonë, eh paçin dritë!
Njerz koktrashë, kurgja s'kanë dijtë:
Jan kenë t'hutuemun!
Ata t'mjerët s'kan dijtë athera,
as buon giorno, as kali spera,
as sabah sherif teheir-ollsun!


Na sot jem për t'u lavdue,
dijmë me folë, me bisedue
nga mendja jem holluemun!
Çojmë n'dhe t'huej djalin m'u msue,
kombin tonë m'e përparue,
dhen tonë m'e nderuemun;
rri n'shkollë djali pesë - gjashtë vjet,
kur vjen n'Shkodër, shqyp nuk flet,
Shqypen ka harruemun!!!!

Kur flet shqyp, asht çud m'e ndi
Gjys-për-gjys tue e përzi
me fjalt t'gjuhve t'hueja!

Thotë: me thanë la verita
ktu në Shkodër sot diçka
j an civilizuemun

La gioventu ka studiue
di me folë, me ragionue
po m'vjen mirë: bravissimo!
Veramente, n'shkolla t'hueja
me kenë me studiue dhe grueja,
kish me u ndritë il popolo,
Se n'dhe t'huej asht rispettata,
grueja asht emancipata,
nuk asht schiava e burrave!

Dhe kah ana e Toskenis
ku janë shkollat e Greqis,
çud asht me i ndigjuemun;
atje Toskat t'thotë gjithehera:
mirëmbrëma, kali mera
si ta kam, kalla mu ise?!

Thuej: ç'po bahet nga Greqija?
T'thotë: atje është elefterija,
bota është e gëzuarë!!!
Nga Jakova e nga Pesrendi,
n'Stara Serbia(?!) ku i kishteni
msohet n'shkolla t'serbëve,
tue folë shqyp t'thotë me pahir:
si ja brate, nadja e mirë,
dobro itro, kakoti?

E kshtu gjuha po shëmtohet,
dhe kshtu kombi po mjerohet
.......... nga shkollat e hueja!

Filip Shiroka ne vitin 1889.

Marrë nga Aulona Çapaj

Përse sot, 121 vjet më pas, thirrjet e rilindasve shqiptarë, janë ende kaq aktuale...? (S.I)

Gjuha shqipe

Gjuha shqipe është gjuha më e vjetër e Europës. Ajo rrjedh nga gjuha ilire dhe ajo thrako-frigjiane (të një trungu me gjuhën etruske) gjuhë trashgimtare e pellazgjishtes së lashtë, nga e cila grekët huazuan një pjesë të gjuhës së tyre, greqishten e lashtë.

Nga ajo rrjedhin drejtpërdrejtë gjuha joniane dhe ajo arkado-qipriote. Gjithsesi gjenden një numër i madh fjalësh të ndryshme si dhe oronime, toponime, antroponime ose teonime pellazge dhe thrako-ilire në gjuhë të ndryshme të vdekura apo të gjalla: hitite, etruske, latine, kelte, baske, armene, gjuhë të Kaukazit, gjuhë balltike, irlandishte e vjetër, anglishte, gjermanishte e hershme etj.

Shqipja përbën një degë krejtësisht më vete të gjuhëve të quajtura indoeuropiane dhe nuk rrjedh nga asnjë gjuhë tjetër e njohur.

Ne nuk zotërojmë gjurmë të ilirishtes së lashtë, përveç disa epigrafeve të rrallë (transkiptime fonetike të gjuhës së tyre me anë të gërmave greke dhe më pas latine) të përbëra nga emrat të përveçëm dhe toponime tipike ilire.
Në të vërtetë prijësit ilirë përdornin greqishten dhe më pas latinishten (gjuhë ndihmëse) në marrëdhëniet e tyre me botën e jashtme, ndërkohë që populli fliste gjuhën e tij. Ky është një monument i madh apo gjurmë e prekshme që pellazgo-ilirët u lanë trazhëgim brezave të ardhshëm: vërtet një fosile e gjallë. Z. Majani në lidhje me këtë pohon:

“Gjithsesi shqipja është një gjuhë mahnitëse ku nganjëherë mjafton të përkulesh përdhe për të kapur një purtekëz ari… filologjike. Është kjo gjuhë ku pa mundin më të vogël, nganjëherë ju bien në dorë zbulime: fjalë arkaike që janë bashkëkohëse me Iliadën dhe Numa Pompilius”.

Siç e pamë në paragrafin e mëparshëm, ilirët ishin një popull autokton, të cilët kanë vazhduar në përjetësi kulturën, gjuhën dhe traditat e trazhëguara nga pellazgët e lashtë. Ata ua përcollën këtë trazhgimi kulturore pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë: shqiptarëve.

Megjithëse nuk gjenden aspak gjurmë të shkruara të gjuhës shqipe përpara shekullit XIV, është i pakundërshtueshëm mendimi që shqiptarët e sotëm flasin të njëjtën gjuhë me stërgjyshërit e tyre, pamvarsisht disa përpunumeve dytësore të pashmangshme që pësoi nga stuhitë e kohëve.

Në të vërtetë gjuhëtarët e parë të shekullit të XIX, ndër të cilët Ksilander, Ramus, Shlaiçer, dhe mbi të gjithë Franc Bop, kanë treguar se gjuha shqipe është dukshëm një gjuhë indoeuropiane, por që nuk ka asnjë degëzim me këdo gjuhë tjetër të njohur.

Gjuhëtarë të shumtë e bashkangjisin gjuhën shqipe me grupin indoeuropian të veriut të Europës për shkak të zhvillimit strukturor. Por këta të fundit janë të prerë: t’i bashkëngjitësh një gjuhë një familjeje ose një grupi gjuhësh nuk do të thotë se bëhet fjalë për një degëzim, por për një zhvillim strukturor.

Kështu në gjuhët indoeuropiane të Veriut, gërma "o" e shkurtër është shndërruar në "a", ndërsa në gjuhët e Jugut është ruajtur gërma "o".
Ja pra për këtë arsye ata e bashëngjitin gjuhën shqipe te gjuhët e Veriut.
Ja një shembull i qartë, fjala natë ; është natë (shqip) nacht (gjermanisht), naktus (lituanisht) për gjuhët e grupit të Veriut si dhe nox, noctis (latinisht), nuktos (greqisht) për gjuhët e grupit të Jugut.

Raportet e gjuhës shqipe me gjuhët e Veriut të Europës kanë qënë studiuar nga gjuhëtarë të shumtë, ndër të cilët Pedersen, Hoger dhe albanologu i shquar Norbert Jokl. A nuk duket e gjithë kjo normale, kur dihet që rajonet e sipërme dhe të mesme të Danubit kanë qënë djepi apo vatra zanafillore e pellazgo-ilirëve, ose të paktën një nga etapat e shtegëtimeve të tyre prej Atlantikut (viset baske) deri në Detin e Zi (Kaukazi)?

Xhon Geipel, midis autorëve të tjetë modernë, ka nxjerrë disa të vërteta të pakundërshtueshme në librin e tij “Antropologjia e Europës” :

“Pamvarësisht sulmeve, shqiptarët…në të vërtetë mbetën të izoluar në malësitë e thella të tyre dhe e ndjenë shumë pak ndikimin e pushtuesve, megjithëse një farë numri fjalësh greqisht, latinisht, sllavisht dhe turqisht kanë kaluar në gjuhën e tyre. Pushtimi sllav në Ballkan gjatë shekujve VI pas Krishtit solli zhdukjen e dialekteve shqip në rajonet e Bosnjës dhe Malit të Zi, por e thënë saktë gjuha sllave nuk arriti kurrë të zinte rrënjë në Shqipëri. Gjuha shqipe trajtohet se ka një strukturë gramatikore dhe një farë fjalori të gjuhës thrako-frigjiane e cila është zhdukur kudo në Ballkan”.

Dhe për të përfunduar ja çfarë thotë Norbert Jokl:

“në çdo aspekt vëmë re se trashëgimia gjuhësore e përcjellë nga gjuhët e lashta të Ballkanit si gjuha ilire dhe ajo thrake, është e lidhur ngushtë me gjuhën shqipe”.

Gjuhëtari Meje në librin e tij “Gjuhët idoeuropiane” duke mos mundur të vendosë zanafillën e vërtetë të pellazgëve dhe as karakterin pararendës të gjuhës së tyre, nuk ka mundur të vendosë lidhjen me gjuhën ilire dhe aq më pak me shqipen, por megjithatë edhe ai ka nxjerrë disa të vërteta befasuese:

“Ilirët kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm, por ende të përcaktuar keq, në qendër të Europës dhe kanë vepruar në tri drejtime:
-drejt botës gjermanike,me të cilën lidhjet dhe shkëmbimet kanë qenë të pareshtura,
-drejt Italisë, ku popuj të shumtë ilirë ishin vendosur ( madje është hamendësuar që populli i Umbria ska qënë një degë ilire)
ata gjithashtu duhet të kenë lumzuar në një periudhë të hershme ne jug të Ballkanit, ku emra të shumtë vendesh shënojnë një kolonizim të lashtë ilir të mbuluar nga pushtimi helen. Duhen trajtuar gjithashtu filistinët me origjinë ilire, të cilët emërtuan Palestinën. Rrënja dhe fjalëformimi janë emra të mirëfilltë ilir.

Gjithsesi mbetet e trubullt çështja e pellazgjishtes së lashtë:

“krahinat që pushtuan grekët, kishin qënë të banuara përpara mbërritjes së tyre nga popullsi të një rrace të panjohur si edhe me një gjuhë të panjohur, për të cilët ne dimë vetëm emrat Pellazgë, Lelegë, Karianë, etj. Sipas mbetjeve toponimie të ngulimeve të tyre, këta popuj flisnin gjuhë jo indoeuropiane. Në bazë të dëshmive të të lashtëve gjuha pellazge (emër i paqartë që duket të ketë qenë përdorur për gjuhë të ndryshme para-helene) ishte ende në përdorim në shekullin e V para Krishtit në bregdetin e Thrakës, në jug të Propontidës dhe në disa ishuj të Imbros, Lemnos, Samothrakë dhe deri në Kretë”.

Për të përfunduar ja dhe ky paragraf, ajo çfarë mendon Z.Majani në studim të tij mbi Etruskët dhe fiset nga i njëjti trung Thrako-Ilirët:

“Heredoti sipas një tradite e trajtonte Anatolinë si pikënisjen e etruskëve për në Itali. Rreth vitit 1300 para Krishtit, këto vende të Anatolisë ishin të populluara pjesërishtë nga ilirët dhe thrakët të ardhur nga Ballkani. Kështu brigët maqedonë u bënë frigjianë në Anatoli. Dardanët ballkanas u vendosën në Troadë. Ata flisnin dialekte ilire : një gjuhë indoeuropiane më vete, as greke, as latine. Nga kjo shpjegohet se përse latinistët dhe helenistët nuk kanë mundur të shpjegojnë etruskishten. Ata kërkojnë çelësin në këto gjuhë klasike. Mirëpo ai gjendet diku tjetër. Vetëm gjuha ilire na lejon të qarkullojmë mjaftueshëm hapësirën e këtij humultimi, në mënyrë që të kapen afritë me gjuhën etruske. Së fundi burimi ynë kryesor, natyrshëm mbetet gjuha shqipe, e vetmja gjuhë ballkanike e gjallë, baza e së cilës ka mbetur gjuha ilire”

Në të vërtetë duhet shënuar që gjuhëtarët e parë të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, i kanë bazuar humultimet e tyre paraprake në veçanti në afrinë sanskritisht – greqisht – latinisht. Ja përse edhe ky problem etno-gjuhësor ka mbetur në udhë pa krye, d.m.th. nuk ka mbajtur parasysh të qënit më e hershme e pellazgjishtes së lashtë kundrejt gjuhës greke, madje edhe asaj sanskrite dhe ndikimi i saj i sigurt mbi disa gjuhë të mëvonëshme. Përveç të tjerave, në këtë pikën e fundit duhet shënuar roli që gjuha ilire ka ushtruar mbi gjuhët ballkanike.


Marrë nga libri i autorit Mathew Aref, Shqipëria, odisea e pabesueshme e një populli parahelen

Burimi: http://eltonvarfishqip.blogspot.com/

Friday, April 23, 2010

"Big Brother Administrata"

Padyshim të gjithë shqiptarët kemi dëgjuar për emisionin televiziv të titulluar "Big Brother", i cili këtë vit ka sezonin e tretë në Shqipëri. Askush nuk mund të shpëtojë pa e parë, pasi marketingu rreth këtij aktiviteti është vërtetë i madh dhe i dhunshëm. E gjen edhe mes lajmeve, nëpër gazeta, biseda të përditshme njerëzish të rastësishëm, fëmijë apo pleq, të gjithë bisedojnë rreth tyre.

E kështu të gjithë pak a shumë e kemi idenë thelbësore sesi funksionon ky spektakël, ku disa banorë përzgjidhen për të hyrë në shtëpinë e përbashkët , të cilët presupozohen se përmes votimeve elektronike (me anën e kompanive telefonike), zgjidhen për të qëndruar apo për të dalë nga shtëpia. Çdo të shtunë vjen zarfi, i cili përjashton një apo dy nga banorët e emëruar (nominuar) për largim, një javë përpara. Ata më pas zëvendësohen me banorë të rinj, derisa i afrohen finales.


Ajo që të bën vërtetë përshtypje, është paralelizmi i logjikës së këtij spektakli me punësimin ose me largimin nga puna, të punonjësve të administratës e zyrave shtetërore shqiptare. Pra këtë format spektali, nuk e kemi të panjohur. Përkundrazi, është një format i vjetër, i cili përsëritet kryesisht çdo katër vjet në këtë periudhën tonë ndërmjetëse, të ndërrimit të sistemit (tranzicioni) që deri sot na ka marrë 20 vjet dhe nuk dihet se kur do të përfundojë.

Vetë përzgjedhja e anëtarëve të spektaklit real "Big Brother Administrata" bëhet me njohje, miqësira, ndere, interesa, blihet anëtarësimi, me premtime votash, me këmbim seksin etj, etj...

Dhe anëtarët e këtij spektakli po ashtu si tek Big Brother merren gjithë ditën me thashetheme, me prapaskena, me lojëra të pista, me shtirje, mashtrime, me kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Kohën më të madhe e shtyjnë në kafe, ku alkooli është refreni. Realizojnë provën e javës, por me një afat një mujor, që quhet plani i punës. Aty shkruhen e rishkruhen të njëjtat gjëra ku ndryshon vetëm data. Në Big Brotherin e Administratës nuk punohet, por mashtrohet. Kush mashtron më shumë e luan më bukur shpërblehet më mirë në fund të muajit. Dhe nuk është aspak faji i banorëve. Pesha kryesore e fajit bie mbi vëllain e madh (ministrin përkatës), i cili jo vetëm nuk është i kësaj fushe spektakli, por është edhe më i papërgjeshëm për detyrën e tij. Kështu vertikalisht, heiarkia ia pason papërgjeshmërinë atij të katit të mëposhtëm, duke arritur në fund të ndëshkojë edhe pastrueset e institucioneve.

Gjithashtu tek ky emision real, zarfi i të prejashtuarëve vjen, por jo të shtunën. Kanë menduar ditën e hënë si më të volitshme. Në momentin që vjen zarfi, të gjithë anëtarët i zë mankthi e nuk i mban vendi. Cigaret shkojnë njëra pas tjetrës, lot e qarje me dënesë, telefoni gjatë gjithë kohës në vesh duke kërkuar nga njerëzit e tyre me përgjërim që ti votojnë, ti votojnë papushim.

Arsyet e përjashtimit janë nga më të ndryshmet. Mungesë aktivizimi në fushatë, mungesë servilizmi ndaj vëllait të madh, mungesë hipokrizie ndaj anëtarëve me imunitet, mungesë "votash" telefonike...
Kur ky spektakël i afrohet finales, qeveria këtë periudhë e quan reformë.

Dhe në çastin kur hapen zarfat e fatkeqëve që nuk mblodhën mjaftueshëm vota, një familje ka një rrogë më pak, një fëmijë më pak ushqim, veshmbathje, libra...

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës
http://www.facebook.com/NdalPaditurise2