Friday, May 7, 2010

Topalli mbledh gratë kundër Ramës: Mos përdor deputetet

Disa shoqata grash kanë protestuar sot para bashkisë së Tiranës dhe kanë lëshuar thirrje kundër liderit të PS-së Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor gratë në grevën e urisë.


Pjesëmarrëset në këtë tubim kanë apeluar kundër grevës së urisë, duke deklaruar se në këtë mënyrë në mes të Tiranës po ngrihet Muri i Berlinit. Ato janë shprehur të shqetësuara për pengesën që SIPAS TYRE po krijohet për liberalizmin e vizave dhe proceset integruese të vendit.


Deputetet socialistë reaguan menjëherë, duke e cilësuar këtë një protestë të organizuar nga kryetarja e Kuvendit, Topalli. "Është një turp për vendin dhe për Parlamentit që drejtohet nga një zonjë e tillë"- kanë thënë deputetet e PS-së.



________________

Replika, deputetet e PS-Bulkut: Greva jonë, për të ardhmen e fëmijëve

TIRANË - Deputetet socialiste që janë në grevë urie prej 5 ditësh i kanë kërkuar koleges së tyre të djathtë Rajmonda Bulku të mos mbjellë gjuhën e urrejtjes sepse është e pavend në situatën ku ato ndodhen. Deklarata vjen si përgjigje e thirrjes së Bulkut ndaj Ramës e cila akuzonte se kryetari i PS-së po mbante jashtë vullnetit të tyre gratë socialiste në grevë urie.

"Jemi të tronditura nga gjuha jote e urrejtjes", shkruajnë ata në letrën publike për deputeten demokrate Bulku. "Ne s'na ka detyruar kryetari por e ardhmja e fëmijëve tanë për të qenë në këtë grevë". Sipas tyre politika nuk është arena ku ata që hyjnë duhet të shpërfytyrohen për pushtet por skena ku të shpërfytyruarit duhet të largohen. Ata i kërkuan Bulkut të mos luajë rolin e zëdhënëses së Berishës apo Topallit sepse ata janë shkaku i kësaj greve dhe i krizës së vendit.

Më parë, Rajmonda Bulku në një konferencë shtypi iu drejtua liderit socialist me fjalët: "Zoti Rama të ndrysh në grevë urie nëna me foshnje, gra me përgjegjësi familjare do thotë se në qënien tënde nuk ekziston asnjë ndjesi njerëzore. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e familjes e fëmijëve. Po të mendosh se çfarë terrori psikologjik krijon tek fëmijët duke i mbyllur nënat në vetëflijim, kjo krijon një dramë, që nuk shërohet". Ndërsa i kërkoi atij ti nxjerrë sa më parë ato nga greva e urisë.


Shekulli

Sot është 5 Maj, Dita e Dëshmorëve

Një fotografi për të rikujtuar ngjarjen simbol të vitit 2009 përsa i përket nderimit tonë ndaj të rënëve gjatë Luftës Nacional Clirimtare.


TE NGRATET DESHMORET TANE!

Mjafton të mos ketë varreza dëshmorësh të të huajve!
Ishte pikërisht ky mendimi që formulova në krye, duke kapërcyer me shpejtësi buletinin ditor të lajmeve. Një mitropolit malazez, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Shkodër, ndër të tjera ka kërkuar që të gjenden varret e të rënëve të bashkëkombësve të tij dhe autoritetet të caktojnë një vend për rivarrimin e tyre.

Analistët atdhetarë i kërkojnë përgjegjësi edhe kryepeshkopit Anastas pse e ka lejuar këtë vizitë të mitropolitit malazez, dyfish të zemëruar: jo vetëm në ndjenjat e tyre kombëtare, por edhe në ato të autoqefalisë fetare. Të jetë e vërtetë?! Domethënë, të jenë të vërteta këto ndjenjat e forta të protestës së analistëve? Pak e dyshimtë.

Gjetjen e eshtrave të ushtarëve të rënë në luftë dhe rivarrimin e tyre në brendësi të territorit shqiptar e kanë kërkuar edhe fqinjët jugorë. Madje, këta e kanë kërkuar qysh në periudhën komuniste. Sherr atdhetar, gjithaq i sertë, prej shtypit vendës për "grekët tinëzarë", për të bijtë e akejve, që "edhe dhurata kur japin nuk u duhet zënë besë".

Por edhe fqinjët tejadriatikas nuk janë krejt të shkyqur nga çështja e të rënëve ("gli cadutti"). Ndonëse pa bujë, prej vitesh ata janë në kërkim të varreve të mbetur të ish-ushtarëve italianë, të civilëve dhe misionarëve, për të mbërritur tek ngritja e një basorelievi, ku do të shenjoheshin gjithë emrat e tyre.

Britanikët qenë më të shpejtë dhe më veprues. Në parkun pranë liqenit, prej shumë vitesh, gjendet një memorial ku vit për vit bëhen nderime për "ushtarakët e mbretërisë së detrave", që u vranë në Shqipëri gjatë luftës antifashiste. Pllaka prej mermeri të zgjedhur, që deri atëherë kishte shërbyer si pjesë e varrit të E. Hoxhës, brenda disa ditësh u kthye në lapidar për misionarët britanikë.

Sa për ushtarët francezë, të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, ata u prehën të qetë në një kopsht në Korçë prej dekadash: komunistët nuk i cenuan kurrë ato, ndoshta edhe për shkak të frankofonisë gjuhësore të liderit të tyre. Deri më tani vetëm Turqia kemaliste, dhe dy shtetet e dalë prej ish-perandorisë austro-hungareze, nuk kanë kërkuar gjetje eshtrash të dëshmorëve të tyre dhe ndërtim varrezash për ta.

Pak e çuditshme dhe e pabesueshme gjithë kjo sedra e lënduar kombëtare e analistëve protestues dhe gjithfarë shoqatash, që kundërshtojnë së bashku. Do të kishin qenë të besueshëm, nëse të njëjtët do të kishin shprehur së paku po aq shqetësim edhe për strehën e fundme të dëshmorëve të vetë Shqipërisë.

Ku janë varrezat e tyre, si janë, sa dhe si nderohen, ç‘po ndodh me shenjat me të cilat ata kanë pasë identifikuar veten? A janë ata, ashtu si e thotë kuptimi i fjalës, të cilin shumëkush as që e di, me të vërtetë dëshmuesit e atdheut, ata që e dëshmojnë lirinë e tij? A ka dëshmorë ky vend dhe cilët janë nderimet protokollare kushtuar atyre?
Tek e fundit, kujt i duhet gjithë ky "patriotizëm negativ", ky zell shfryrës për të mos lejuar të huajt të nderojnë të vetët atje ku kanë rënë, nëse askush nuk kujtohet të shqetësohet për fatin e varrezave të dëshmorëve të vetë Shqipërisë? Pak hipokrite e gjithë kjo stuhi!

Nëse çështja do të shtrohej në këtë formë, atëherë e para gjë që do të na vinte në mendje do të ishte shprehja e vjetër e shqipes: "Të pafatët, dëshmorë të shqipes!" dhe ndërmend pas më rrodhi, vargu i njohur i Lordit britanik:

‘Të rreptë bijtë e shqipes/ po vetitë nuk u mungojnë/ armiku ua pa kurrizin ndonjëherë?‘

Se ngatërrohemi ndonjëherë ne dhe harrojmë se ka pasë heronj herët e më herët, qëkurse dolën luftërat për liri e mëvetësi në gadishullin ilirik. E megjithatë ne i kemi zhvendosur kohët dhe i kemi "shujt eshtnat e ma t‘parvet, nj‘ashtu paskemi kan‘, krejt t‘pafat për kët tok e për kët kull", më pat rrëfyer një malësor prej Shale. Krejt të pafat, sepse në emër të gjakut të tyre u ndërtua një pushtet totalitar që zgjati një gjysmë shekulli. Të pafat, sepse menjëherë pas ndryshimit të sistemit politik sunduesit e rinj edhe dëshmorët i ndanë në "tanët" dhe "tuajët", në dëshmorë të demokracisë dhe dëshmorë të një lufte, që cilido sot e cilëson ashtu si ia thotë mendja. Të pafat, sepse si çdo gjë publike, si shkollat, spitalet, kinematë, serrat, industria, edhe varrezat e dëshmorëve iu nënshtruan një shkatërrimi të padhimbje.

Të pafat, sepse ka dy dekada që pretendohet që nuk kanë qenë 28 mijë dëshmorë, dhe askush nuk merr përgjegjësinë fillestare të verifikojë një për një emrat e atyre, që s‘ka dyshim se janë të tillë e përgojimi të merrte fund.
Të pafat, sepse këngët e tyre janë ndaluar e vetëm mund të pëshpëriten, nga frika se identifikohen me bolshevizmin. Të pafat sepse nuk i quajnë madje as dëshmorë, por viktima, për të mos shkuar më tej (tradhtarë); se janë dëbuar nga tekstet shkollore dhe ndoshta së afërmi fjalët "partizan" e "veteran" nuk do të jenë më as në fjalorin e gjuhës shqipe, dhe në do të jenë, do të shënjohet anash tyre shpjegimi "arkaizëm". Të pafat, sepse, të paktën, për një pjesë, ata janë prurësit e fatkeqësisë, misionarët e bolshevizmit, themeli i diktaturës. Të pafat deri në ironi, sepse pikërisht trashëgimtarët e ushtrive të atyre vendeve kundër të cilëve ata patën luftuar, duke pasur një kod nderi protokollar siç u ka hije shteteve që nuk e ngatërrojnë veten me pushtetin, vijnë sot dhe rindërtojnë memorialet e tyre të rrënuar, sikurse veproi qeveria gjermane me memorialin e Borovës disa vjet më parë. Të pafat, sepse bustet e tyre, kudo që qenë dhe të kujtdo që qenë, duke përfshirë dhe ato të studios së kryemjeshtrit Odise Paskali, u sharruan ose u copëtuan me teknikë automatike.

Ndërsa shqiptarët i zë zjarrmia sapo ndonjëri prej fqinjëve kujtohet për të vetët të rënë në luftë në Shqipëri, në një luftë të drejtë apo të padrejtë qoftë; ndërsa analistët mezi presin t‘u dalë përballë ndonjë fakt i tillë për të dëshmuar veten sa shqiptarë të ndershëm janë; ndërsa palët politike grinden e nuk pushojnë së mburruri se luftën nuk e bëtë ju, po e bëmë ne; të ngratët dëshmorë, ashtu si pati shkruar poeti, provojnë rivrasjen e tyre morale nën varrezat me pllaka të çara, nën braktisjen e përgjithshme. Dhe ndërsa lexoj fjalën e ish-presidentit francez J. Chirac, në gusht të vitit 2004, gjatë ceremonisë madhështore në 60-vjetorin e çlirimit të Parisit: "Unë, Presidenti i Republikës Franceze, në emër të shtetit, po vendos në shtatin tuaj këtë dekoratë të lartë, në shenjë nderimi që populli francez u kushton luftëtarëve të vet antifashistë".

Atdhetarëve të shtirur shqiptarë, këto vlera dhe referenca, nuk u shkojnë ndërmend.
Mjafton që greku dinak dhe serbo-malazezi katil të mos kenë leje për të ndërtuar varre të rënësh këtu. Dhe e gjitha kjo e ka një shpjegim. Sepse ata, ashtu si shumica e shqiptarëve, mendojnë gabimisht se koha e antifashizmit ka vdekur. Ata harrojnë se antifashizmin nuk e themeloi Rusia bolshevike, por e themeluan demokracitë perëndimore. Harrojnë se kur qeveria e Madhërisë së Saj dhe Presidenti Roosewelt nënshkruan Atlantic Charter, ish-Bashkimi Sovjetik ende nuk e besonte se do të bëhej luftë e vërtetë me Reich-un nazist. Ata nuk e dinë se, me përmbysjen e bolshevizmit, ranë ato ideale që kishte frymëzuar krahu lindor i aleancës antifashiste, por jo antifashizmi vetë, që mbetet vlera më e madhe morale e njerëzimit në shekullin e 20-të. E ata bëjnë sikur e harrojnë që të gjithë ish-presidentët amerikanë dhe kryetarët e shteteve të mëdha, megjithatë, në çdo jubile të 9 majit kremtojnë së bashku pranë pishtarit të "Ushtarit të Panjohur" në Moskë (pishtari i të cilit nuk shuhet kurrë, qoftë dhe për disa sekonda qysh prej ndërtimit të tij). Ata bëjnë sikur nuk e dinë se qortimi i historisë nuk mund të bëhet duke përçmuar ata dëshmorë që janë, por duke shtuar në varrezat e tyre edhe të rënët që ishin rreshtuar në formacione të tjera politike; ballistë, legalistë, nacionalistë tradicionalë që luftuan kryemëvete, sigurisht aq sa ka dhe nëse ka.

Shtetet nuk rithemelohen. Shtetet dëshmohen.
Por si do të dëshmohen shqiptarët si shtet, pasi të kenë kaluar edhe disa vite e dekada indiferencë, nëse puna do të mbetet që të vijë një mision italian e të ndërtojë, bie fjala, një basoreliev për luftën e Pezës apo një tjetër mision gjerman për luftën e Musqetasë? Ronald Reagan pati thënë, në fundin e viteve 1980, kur kërkoi të vinte një tufë me lule në varrezat e të rënëve si nazistë: "Koha ata i zuri në këtë llogore. Ata ranë në barrikadën ku u gjendën dhe ne respektojmë barazinë para vdekjes".

Monika Shoshori Stafa, Gazeta Shqip

Fëmijët nëpër kopshte diskutojnë për telenovelat

Edukimi i fëmijëve të vegjël është një mision tepër i vështirë.

Në një kohë që e dinë se mësimi i të vegjëlve është shumë i vështirë, lejojnë që nëpër kopshte fëmijët të diskutojnë edhe për telenovela. Dikush i diskuton bashkë me ta, pasi e ndjek edhe vetë atë serial, ndërkohë që një pjesë i lë të lirë që ata të flasin për ato që shikojnë në televizor.


"Ne në kopsht diskutojmë përherë për Mariçuin. Edhe edukatoret flasin për telenovelën. Unë me mamin nuk humbasim asnjë pjesë", -tregon Ami, një vogëlushe 4-5 vjeçare.
Sipas edukatoreve, fakti se fëmijët diskutojnë për telenovela apo për emisione të tjera që realizohen në vend, nuk është faji i tyre, por i prindërve që i lënë të shikojnë emisione dhe telefilma të tilla.
"Prindërit duhet të bëjnë më kujdes, nuk duhet t'i mbajnë fëmijët përpara ekraneve kur shikojnë telenovela apo emisione që janë për të rritur. Sepse, shpesh herë nga fëmijët dëgjojmë edhe fjalë që kanë lidhje me politikën", - tregon një edukatore.
Por, ndërkohë në çerdhe, jo se situata është më ndryshe, pasi edhe fëmijët 3-vjeçarë shikojnë televizor së bashku me prindërit dhe mësojnë emrat e personazheve të telefilmave të ndryshëm.

Çerdhet e fëmijëve në kryeqytet janë shndërruar në mjedise jo vetëm komode për mirërritjen e tyre, por edhe shumë të rëndësishme, ku të vegjlit mund të zhvillojnë aftësitë e tyre të të kuptuarit dhe të shprehurit. Në Qendrën Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve na thonë se në çerdhet e kryeqytetit, prej kohësh aplikohen shërbime edukative dhe psiko-sociale. Stafi edukator që gjendet çdo ditë pranë fëmijëve, është i përkushtuar dhe i kualifikuar për të ofruar kujdes, mirëqenie fizike dhe emocionale për fëmijët. Çdo edukator ka përkatësisht 6-7 fëmijë në përkujdesjen e tij, ndërsa çdo edukator që punon pranë grupit latant ka nën përkujdesje 5 fëmijë. Ky raport siguron përkujdesje të mirë individuale dhe garanton mbështetje të mirë zhvillimore, veçanërisht te fëmijët latantë.

Stafi edukator, kryesisht me arsim për infermieri, ndjek në mënyrë të vazhdueshme kualifikimet dhe trajnimet e nevojshme lidhur me zhvillimin e fëmijës 0-3 vjeç, formimin e personalitetit, format pozitive të komunikimit dhe disiplinimit, vështirësitë zhvillimore psikologjike, me qëllim rritjen cilësore të bashkëveprimit edukator-fëmijë.

Ermenlinda Hoxhaj, G. Shqiptare

"Nata e nxehtë e Obamës"

Thashethemi i National Enquirer - Pas skupit për Tuger Woods, revista sulmon presidentin.


Çfarë ka ndodhur mes Vera Beikër dhe Barak Obamës?

E djathta republikane dhe shtypi i thashethemeve kanë gjetur më në fund një ish të dashur të bukur të presidentit? Është tentativa e njëmbëdhjetë për ta shtënë në dorë (kur ishte kandidat e kanë akuzuar se kishte bërë seks gay në një limuzinë, por i ashtuquajturi shok i limuzinës ishte një hamendësim)?


Për momentin mediat serioze dhe me reputacion heshtin; saitet e lajmeve nuk shkruajnë asgjë, por lexuesit që komentojnë në internet kanë filluar të flasin, duke nisur nga "Nju Jork Times" onlain e deri tek gazetat e revistat më pak të shitura.

Komentuesit konservatorë shajnë dhe ripublikojnë artikullin e National Enquirer që tregon për një ndalim në hotel të Barak Obamës me Vera Baker, e cila, në 2004 mblidhte fonde për fushatën e tij të senatorit.

Por, në saitin e Enquirer, dhe në Drudge Report, që njihen si media antiliberale, po të njëjtat që bënë publik dhe rastin Klinton-Monica Lewinsky 1998, artikulli tashmë është zhdukur:

"Faqja nuk është e disponueshme, ose është në përpunim", kjo lexohet tek saitet onlain të të dyja mediave. Ndërsa pjesa tjetër e popullit amerikan, e cila nuk pëlqen të komentojë nëpër saite gazetash, më shumë se sa është e skandalizuar, bën batuta.

Komentet janë nga më të ndryshmet të tilla si: "Tani shpresoj që republikanët të fitojnë zgjedhjet dhe të harxhojnë 100 milion dollarë për një komision hetimor", si ajo e bërë për Levinskin, i cili ishte një komision i sikletshëm dhe shumë i kushtueshëm. Ka komente të tjera pastaj të tipit: "Urrà për Obamën! Vera Baker është shumë më e mirë se Monika". Dhe të tjerë "Obama me një grua? Duket shumë gay - por ndoshta është një metroseksual".

Edhe emri "Vera Baker" në Wikipedia shfaqet me një shenjë (është i bllokuar editimi) dhe një vijë e kuqe në bri të lajmërimit "po vendosim nëse duhet ta fshijmë, apo jo këtë artikull"). Shumë blogje janë zhdukur nga kërkimi i Google. Por, nuk mund të bëhet më asgjë, është viti 2010 dhe historia është vetëm një klikim larg.

Baker është sot 35 vjeç është nga San Françisko, kishte krijuar një grup që mblidhte fonde për kandidatët me ngjyrë, ka qenë drejtoreshë financiare e fushatës së Obamës për kandidimin e tij në senat. Për të përflitet prej vitesh. Kanë shkruar blogje republikane dhe britaniku Daily Mail. Thuhet madje që Mishel Obama kishte zbuluar gjithçka dhe ishte tërbuar. Baker nga ana e saj ka mohuar gjithçka, këtë e ka bërë dhe nëpërmjet një avokati.

Në një farë pike u zhduk dhe u transferua për të punuar në Martinica. Ka dhe më keq. Më e keqja ndoshta po vjen. Sipas lajmit të parë që publokoi Enquirer, shoferi që shoqëronte Obamën gjatë fushatës (por nuk bëhet e ditur se kur), kishte treguar që e kishte lënë Obamën dhe Verën në një hotel në Washington.

Ku, sipas shoferit, Bekër nuk rrinte në hotel pasi ajo jetonte po në Washington. Gjithnjë sipas revistës Enquirer thuhet se për të gjithë këtë ekziston një video si provë, kjo falë telekamerave të brendshme të hotelit.

Por dje u bë një përgënjeshtrim: e përjavshmja nuk e kishte videon, por dinte vetëm që një video e tillë ekzistonte. Dhe se disa agjenci të klasifikuara si në krye të listës për urrejtjen ndaj Obamës ofrojnë një milion dollarë për videon komprometuese.

Ndërsa, të shtunën mbrëma çifti Obama dukeshin shumë në humor, siç bën të ditur korrespondenti i dërguar në shtëpinë e bardhë për darkën. Presidenti ka bërë një fjalim plot me humor (çdo vit një skuadër komikësh bashkohen për t'i shkruar batutat, kjo gjë bëhet që nga koha e Reganit).

Por, sipas referimeve të Huffington Post, «dukeshin retë" e një skandali seksual të mundshëm. Do të plasë më të vërtetë? Ndoshta, por këtë herë në formë tjetër dhe me pasoja të tjera Obama i ka kaluar të gjitha kategoritë e vjetra dhe është quajtur si një lider - rockstar, dhe mbi yjet e rokut flitet shumë.

Ose ndoshta rasti Obama- Beker do të bëhet një furtunë në Web (dhe në mediat e tjera, nëse do të dali ndonjë provë në dritë) duke iu dhënë material të ri atyre që u zhgënjyen dhe sidomos ata që e urrejnë presidentin me ngjyrë.
Po ndodhin gjëra serioze në Amerikë kohët e fundit!

Shekulli

Flora, gruaja që "braktis" familjen në emër të transparencës

Ekonomistja tregon se zhgënjimi i 20 viteve e ka detyruar të ndërmarrë masën më ekstreme, atë të përfshirjes në grevën e urisë, bashke me deputetet dhe mbeshtetesit e socialisteve.


Qëndron në cepin e çadrës së madhe, atu ku prej katër ditësh ndodhen 200 burra e gra. Që kur opozita vendosi të ndërmarrë hapin ekstrem të betejës politike, Flora ka zënë qoshëzën e çadrës, paçka se vetëm katër metra rrugë e ndajnë nga kryeministria. Pikërisht në këtë qoshëz, janë mbledhur të gjitha gratë që marrin pjesë në grevën e urisë. Në fillim ishin dhjetë, e tash e tutje do të jenë 9 për shkak të përkeqësimit të shëndetit të Klodiana Spahiut. Por, duket se ky fakt nuk ka pezmatuar asnjë prej grave që vijon në kushte të rënda grevën e tyre. I ka bërë më të forta, aq sa të gjitha urojnë që shëndeti mos t'i braktisë deri në ditën e fitores.


***
Vendosi të futet në grevë urie e bindur që prej aty do të dalë me fitore.
Për kërkesat që ka parashtruar opozita, Flora është gati të vetëflijohet, pasi për të, këto 20 vite nuk kanë qenë vitet për t'i harruar të jetës së saj.

Ndaj ka braktisur familjen, (ajo është personi i vetëm që kujdeset në një shtëpi prej 6 anëtarësh) e bindur se vetëflijimi është rruga e vetme për të ndryshuar këtë vend.


"20 vitet më të bukura të jetës sime më kanë kaluar në mjerim, varfëri dhe pa asnjë shpresë për të nesërmen. Unë nuk dua që fëmijët e mi të kenë të njëjtin fat, ndaj dhe nuk e kam menduar dy herë kur krerët e partisë që unë besoj se do t'i ofrojnë një të ardhme më të mirë të këtij vendi vendosën të ndërmarrin këtë hap", - thotë Flora Hasanaj.
Gruaja 45 vjeç është nënë e dy fëmijëve dhe për këtë vendim ka miratimin e familjes së saj. Flora të tregon, tejet e kënaqur, mesazhet e së bijës. Ajo jo vetëm e përkëdhel dhe i jep kurajë, por i thotë me plotë gojën sa krenare ndihet për të. Nuk është vetëm ajo dhe 8 gra apo 110 burra që prej katër ditësh tashmë kanë nisur luftën e tyre, jo vetëm kundër urisë. Ata kanë përkrahjen e familjarëve të tyre, e qindra e qindra njerëzve që jo vetëm i bëjnë të ndihen më krenar, por edhe të vlerësuar për sakrificën e tyre.

Ndaj duket se jo vetëm Flora Hasanaj, por edhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë grevë urie, luten në zë që shëndeti mos t'i braktisë deri në ditën e fundit.

Shekulli