Tuesday, May 11, 2010

Të meritosh emrin qytetar !

Shqiptarët rizbuluan demokracinë. Atë demokraci që stërgjyshërit e tyre kishin krijuar mijëvjeçarë më parë. Ajo sot është ende e brishtë dhe delikate. Ushqehet si një fëmijë që nuk ka dhëmbë dhe mbahet në krahët e disa prindërve joligjorë të ligjëruar.

Shqiptarët sot duken të ndarë në 3 grupime:

- Një grupim mendon se ka ardhur koha që demokracia jonë delikate të tentojë të ngrihet dhe të ecë me këmbët e veta.

- Një grupim tjetër që mendon se demokracia jonë duhet lënë të rritet edhe më shumë për të provuar pjekurinë e saj, duke evituar kështu ndonjë rrëzim të mundshëm.

- Gjithashtu ekziston një tjetër grupim që nuk e di ç'është demokracia, ç'duhet bërë me të dhe që mbi të gjitha as që i intereson fare të merret me të. Kjo pjesë e quan veten jashtë politikës dhe mendon që politika nuk ka asnjë ndikim në jetët e tyre...


Dy grupimet e para janë plotësisht të bindura rreth bindjes së tyre dhe në vetvete ndjejnë apo vethipnotizohen se kanë plotësisht të drejtë. Dhe po ti dëgjosh të dyja palët, ato, të dyja kanë të drejtë rreth kauzës së tyre. Por e drejta nuk është pronë e askujt dhe sigurisht qëndron mbi palët.

A mundet ta garantojmë demokracinë tonë pa e testuar?

E drejta prodhon zgjidhje dhe jo krizë. Demokracia nuk është mbërritje, por rruga që duhet të ndjekim.

Qeveria, e majtë, e djathtë apo e qendrës, çfarëdo qoftë, është qeveria e të gjithë shqiptarëve. E shqiptarëve të majtë, të djathtë, apo çfarëdo qofshin ata qytetarë. Qeveria është e të gjithëve dhe kjo nuk do të thotë që çdo kritikë drejtuar një keqfunksionimi të saj, në dëm të qytetarëve, duhet të shikohet detyrimisht si reagim me prapavijë politike. Kjo mendësi krijon sëmundje në shoqëri, krijon ndarje.

Nuk është qytetare dhe njëkohësisht aspak normale, të gjykosh partinë politike që simpatizon, me të njëjtën logjikë siç gjykohet psh. ekipi i preferuar i futbollit. Kur ekipi ynë i preferuar humbet një ndeshje, gabon në teknikë dhe taktikë, ne përsëri i qëndrojmë besnikë, madje edhe mundohemi të justifikojmë gabimet e tij.

Jo të nderuar qytetarë.
Jeta jonë nuk është një lojë dhe humbjet e ekipit tonë partiak nuk janë thjeshtë humbje pikësh në tabelë e renditje, por këto gabime rëndojnë drejtëpërdrejtë me pasoja reale në jetën tonë. Reflektohen menjëherë në të ardhmen dhe zhvillimin tonë të përbashkët.

Nuk mund të mbyllim një sy, një vesh apo edhe vetë mendjen përballë një gabimi, vetëm për faktin se këtë gabim e kreu partia për të cilën militojmë, partia të cilën simpatizojmë. Kjo dashuri fanatike kalb frutin e vet.

Duhet të ndjehemi qytetarë. Jemi të destinuar të jemi të tillë. Reagimi ynë kundrejt një padrejtësie, një gabimi, një papërgjegjshmërie, duhet të jetë si ndaj një fëmije të cilit ia duam të mirën. Fëmijën e ndëshkojmë kur gabon, që të rritet i shëndetshëm, i pastër, i përgjegjshëm. Fëmijën tonë, jemi ne të parët që e këshillojmë, që e kritikojmë, që e edukojmë, pikërisht sepse e duam më shumë dhe duam për të, më të mirën e mundshme.

Militantë partiakë fanatikë pa elasticitet qytetarie, krijojnë parti politike të përkëdhelura e tekanjoze, aspak serioze dhe të denja për të drejtuar një qytetërim përpara.


Jemi ne qytetarët gjykatësit më të mirë, prandaj mos lejoni të shndërroheni në vegla antidemokratike, të cilat i shërbejnë drejtëpërdrejtë infeksionit të përhapet. Largojini nga mendja idetë boshe se ju nuk keni asnjë peshë, se opinioni juaj nuk ka asnjë vlerë, se politika është e ndyrë dhe është më e denjë të qëndroni si spektator indiferent. Eshtë pikërisht kjo indiferencë që mbulon qindra e mijëra padrejtësi ndaj qytetarëve. Eshtë pikërisht kjo indiferencë, që tenton të shfaqet si bindje e sprovuar që me mosveprimin e saj, vulos në dëm të vetes. Edhe nëse ajo politikë (e cila përkthehet në motorrin e zhvillimit të vendit) është aq e ndyrë, pikërisht kjo është arsyeja themelore përse nuk duhet të qëndrojmë indiferentë. E ndoshta është aq e ndyrë, pikërisht nga mospërfillja jonë.

Ka ardhur koha që shqiptarët të mos shohin vetë blu e rozë, por në spektrin e tyre të shtojnë më tepër ngjyrat KUQ E ZI.

Shikoni arsimin shqiptar, shikoni drejtësinë shqiptare dhe thuajeni nëse kështu ndjeheheni krenarë. Me një arsim të shenjtë dhe një familje të shëndetshme shoqëria jonë do të ecë përpara.

Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Ballsh, situata me helmimin, sot dynden nxënës në spital

Ballshi ndodhet edhe sot ne gjendje alarmi me rastet e helmimit qe u shfaqen dje ne mbremje tek mbi 100 persona. Paraditen e sotme kane qene rreth 200 nxenes qe i jane drejtuar spitalit rajonal te qytetit me te njejtat simptoma si mbremjen e se henes.


Sot paradite spitali i Ballshit ka perjetuar një dyndje masive. Rastet ishin përgjithësisht nxënës të shkollave.

Shume raste jane derguar ne Fier pasi paraqitet e paperballueshme situata ne spitalin rajonal te Ballshit me fluksin e pacienteve qe shfaqen ne dyert e dhomave te spitalit cdo minute. Vleresohet se 50 nxenes nga cdo shkolle e qytetit rezultojne te helmuar. Si pasoje ne te gjitha shkollat eshte nderprere mesimi.

Mbreme 102 persona iu drejtuan spitalit

Mbrëmjen e së hënës, 102 persona në qytetin e Ballshit u shtruan në spital. Dyshohet që shkak për këtë shtrim masiv, të jetë bërë helmimi nga uji i pijshëm. Shtrimi i tyre në një hark të shkurtër kohor, vetëm 2 ditë alarmoi edhe Ministrinë e Shëndetësisë e Institutin e Shëndetit Publik. Duke qënë se numri i personave që kërkonin hospitalizim ka qënë i lartë, disa prej tyre janë dërguar edhe drejt spitalit të Fierit. ”Kishin diarre, të vjella, temperaturë të ulët e dridhje trupi", pohojne burime nga reparti i Urgjencës.

Mësohet gjithashtu, se të gjithë personat e shtruar në spital jetojnë në qytetin e Ballshit.
Ministria e Shëndetësisë me të marrë vesh lajmin aspak të zakontë, ka ngritur menjëherë dy grupe hetimore, të cilët u nisën mbrëmjen e së hënës drejt Ballshit, për të vërejtur situatën e krijuar atje nga afër.

Në grupin e ngritur nga MSH, ndodhet edhe Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, i cili deklaron për News 24 se është ende herët të flitet për helmim të këtyre banorëve, ndërkohë që thekson se “MSH ka dhënë urdhër për të ndërprerë furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, pacientët vijnë në spital, marrin trajtim dhe largohen, ndërsa shton se “është dhënë urdhër për ndërprerjen e ujit të pijshëm në qytetin e Ballshit, deri në zbardhjen e shkaqeve të plota.”

Ndërkaq, Drejtoria e Policisë së Qarkut, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, kanë ngritur 2 grupe hetimore dhe po hetojnë ngjarjen.

Ballkanweb

Masakër në Elbasan, 19 vjeçari vret gjimnazisten në klasë, pastaj veten

Një ngjarje shokuese ka ndodhur sot paradite në qytetin e Elbasanit, kur dy të rinj mbeten të vrarë. Një 19 vjeçar ka hyrë në shkollën e mesme "Mahir Domi" dhe ka qëlluar për vdekje një nxënëse të vitit të katërt. Më pas është larguar me shpejtësi dhe i ndjekur nga forcat e policisë ai i ka drejtuar armën vetes, duke mbetur i vdekur në vend.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 09:15 në pushimin mes orëve të mësimit, në korridorin e shkollës.
Endri Llambraj nga qyteti i Vlorës, 19 vjeç ka hyrë me pistoletë në brez në ambientet e shkollës së mesme "Mahir Domi" të qytetit të Elbasanit dhe ka vrarë nxënësen Gerta Baja, 19 vjeç.

Ai e ka thirrur vajzën në korridor për t'u sqaruar dhe pas një bisede pak minuteshe e ka qëlluar me pistoletë në kokë. Më pas djali ka ikur me vrap në drejtim të daljes së qytetit dhe ka arritur të shkojë deri tek unaza e qytetit, pranë shinave të trenit ku është rrethuar nga policia e cila po e ndiqte.

Ai ka qëlluar një herë në drejtim të policisë, por plumbat nuk i kanë kapur efektivat, dhe më pas ka vrarë veten.

Nga të dhënat e para mësohet se mes dy të rinjve ka pasur një lidhje, por më pas janë ndarë. Kjo me sa duket ka ngjallur edhe irritimin e djalit nga Vlora i cili ka udhëtuar me armë në brez drejt Elbasanit për të ekzekutuar ish-të dashurën.

Shekulli

Minatorët bllokojnë rrugën para TVSH ndërhyn policia

TIRANE- Minatorët protestuan sot paradite para godinës së Televizionit Publik Shqiptar. Ato kërkojnë statusin e minatorit, dhe plotësimin e kërkesave të tyre por protestojnë dhe kundër mënyrës së paraqitjes së lajmeve dhe programeve nga i vetmi Tv publik në vend.


Minatorët kanë protestuar para një kordoni policor i cili ishte vendosur pak metra larg godinës së TVSH.“

Më pas me pankarta në duar, dhe disa të ulur në asfalt minatorët kanë bllokuar rrugën që të con drejt godinës së TVSH. Protestuesit nuk kanë pranuar të lirojnë rrugën duke e mbajtur të bllokuar për gati 20 minuta. Është dashur ndërhyrja e policisë, e cila ka lëvizur me forcë minatorët nga rruga, dhe kjo ka degjeneruar në konfrontime mes minatorëve dhe policisë.

Në këtë situatë një minatorit i ka rënë gjendje të fikti.

"Ne kërkojmë të drejtat tona. Gjakun e mohuar” tha kryetari i sindikatës së minatorëve, duke iu drejtuar me megafon protestuesve. Ai akuzoi kryeministrin Berisha për rrënim të vendit dhe u shpreh i vendosur se minatorët do të protestojë jo në përkrahje të opozitës por për të kërkuar të drejtat e tyre. “ Askush nuk mund ta bllokojnë protestën tonë sepse liria nuk vritet” –tha Xibri duke informuar se dhe në Pogradec minatorët janë bashkuar me këtë protestë.

Minatorët kërkojnë statusin e tyre, rrogën e 13-të, ligjërim të pensionit dhe të vendoset minimumi jetik 28 mijë lekë. Më pas minatorët kanë zhvendosur grevën para kryeminsitrisë ku ndodhen dhe cadrat e ngritura të grevistëve të opozitës.

Balkanweb

Më 10 maj, protesta ‘Për drejtësi’ në Shkup

Nën moton “Për drejtësi”, më 10 maj në Shkup pritet të mbahet një protestë mbarë popullore, nën organizim të Këshillit të Organizatave Shqiptare.


Koordinatori i këtij Këshillit Ibrahim Koça, deklaroi se gjendja e rënduar politike në Maqedoni, si rezultat i vendimeve gjyqësore dhe vendimeve qeveritare që reflektojnë padrejtësi dhe diskriminim të hapur shtetëror ndaj një pjesë të popullatës, është shkak për marrjen e një iniciative të tillë. Ky këshill, ngërthen më vete, mbi 40 organizata nga mbarë vendi.
“Këshilli i organizatave shqiptare vendosi që të organizoj një protestë gjithë popullore në Shkup me datën 10 maj, nën moton ‘Për drejtësi'.
Qëllimi i organizimit të protestës është që të kërkohet:

- Ndërprerja e menjëhershme e proceseve të montuara gjyqësore dhe lirimi i personave të dënuar në procese të tilla si në rastet e Sopotit, Brodecit dhe Rastet e Hagës.
- Ndërprerja e menjëhershme e politikave diskriminuese në baza etnike dhe fetare, në ekonomi, arsim dhe kulturë siç bëhet me projektin Shkupi 2014, me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, me ndarjen e buxhetit si dhe me përdorimin e simboleve kombëtare”, deklaroi Ibrahim Koça, koordinator i Këshillit Organizativ.

Këshilli i Organizatave Shqiptare fton të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre, që t’iu bashkëngjiten në këtë protestë më 10 maj. Nga këshilli njoftojnë se nuk kanë realizuar takime me subjektet politike, por shprehen të hapur për bisedime.
“Jo, ne deri tani nuk kemi realizuar takime me subjektet politike, por ky Këshill është i hapur për çdo organizatë, çdo asociacion qytetar që e ndjen veten pjesë të këtij qëllimi”. Nga partia politike shqiptare në pushtet, BDI-ja pranon se situata është rezultat i moszgjidhjes së emrit, si dhe politika nacionaliste do të marrë fund shpejt pasi nuk ka përkrahjen e ndërkombëtarëve”, theksoi Koça.

Qëndrimi i BDI-së erdhi në formë të shkruar: “Ajo që ka rëndësi është se kjo politikë nacionaliste nuk ka asnjë mbështetje nga BE e SHBA dhe se jetëgjatësia e saj është megjithatë e shkurtër dhe BDI-ja do ta përballojë. Dhe nuk ka dilemë se politika e tillë do të përfundoj në çastin kur do të zgjidhet emri, ndërsa presioni për ta zgjidhur atë është shumë i madh dhe kjo duket se do të ndodh më së voni deri në fund të vitit”.

Ndërkohë organizatorët e protestës nuk deshën të publikojnë detaje rreth përmbajtjes dhe formës së protestës, por deklaruan se në prag të 10 majit do të mbajnë edhe një takim me gazetarët, ku do të shpalosin hapat e protestës në fjalë.

Alsat

Për më tepër informacion, kjo është faqja e organizuesve të protestës. (S.I) http://www.facebook.com/group.php?gid=117047901655466&ref=search&sid=1547282996.1789850617..1