Saturday, May 15, 2010

Fati

Arbëreshi i parë iku nga pushtuesi turk
Shqiptari i dytë nga diktatura staliniste

I treti nga “barazia” titiste
I katërti nga demokracia shqiptare
I pesti nga diktatura serbe
I gjashti nga demokracia kosovare
I shtati stërvitet për t´i braktisur pampersdemokracitë tona
T´i bashkëngjitet arbëreshit të parë, shqiptarit të dytë, të tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë!

Për gjashtë ditë Zoti krijoi universin
Të shtatën pushoi
Për gjashtë ditë vendi gate zbrazet
Edhe të shtatën shqiptari me strajcë në dorë!


* Në librin “Me shqiptarët e Turqisë”, Fatmir Selimi. studiuesi shqiptar nga Kosova, pas dhjetë vjetëve kërkime në Turqi, konstaton se atje jetojnë 10-15 milion shqiptarë...
Lufta e Kosovës dëshmoi se ata nuk ndjehen më shqiptarë...

Sikur Turqia të na kishte dashur më pak, do t´ishim mbi 15 milion shqiptarë në Ballkan: Lufta e Kosovës nuk do të kishte ndodhur kurrë dhe shteti Shqiptar, do t´ishte ndoshta më i madhi në Ballkan...


Naser Aliu

Paloka për protestën: Dje pamë shfaqjen e trupës teatrale ambulante

Deputeti i PD-së, Edi Paloka ka ironizuar protesën e djeshme të PS-së, duke quajtur atë shfaqje teatrale ambulante. Ndërkohë I ka bërë thirrje PS-së t'I zhvendosë çadrat në trotuarë në mënyrë që të zhbllokohet trafiku.


Në fjalën e tij tha: "Dje pamë shfaqjen më të fundit të trupës teatrale ambulante. Mesa duket në programin e fundit teatror ka vendosur të luajë filma me heroizma partizane, në disa udhëkryqe të Tiranës dhe kryesisht në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit". Shokët e njësitit gueril të spitalit Infektiv na paskan habitur edhe mjekët me gjendjen e tyre perfektë shëndetësore, jo shpirtërore", kështu u shpreh Paloka për grevistët socialistë.

Ndërsa shtoi se "do ta kishim vlerësuar këtë shfaqje në të gjithë komponentët e saj nëse nuk do kishte penguar seriozisht qytetarët e Tiranës për të kryer punët e tyre të përditshme. Si politikan por edhe si qytetar i Tiranës, në mënyrë që të vazhdojmë të shikojë shfaqjen e përgatitur me kujdes, do t'i ofroj një kompromis çunave të bllokut që kërkojnë zyrat e babit, të zhvendosin çadrat në trotuar dhe të mos pengojnë qytetarët.

Partia Demokratike ka akuzuar sërish sot kreun e PS-së Edi Rama, për bllokim të shërbimit shëndetësor në cadrat e grevistëve, duke përsëritur se në këtë mënyrë shkelen të drejtat të Konventës së Gjenevës.


"Sot u bënë plot 13 ditë që Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruci, Ilir Xhelil Gjoni, Dashnor Myslym Peza bllokojnë shërbimin zyrtar shëndetësor duke e trajtuar kampin e vendosur në bulevardin e kombit si një bodrum apo shpellë ku mund të hyjnë vetëm të besuarit e kumbarës. Ky akt i bllokimit të shërbimit zyrtar shëndetësor në cadrat e burgut Rama - Ruci është një dhunim flagrant i të drejtave ndërkombëtare, i Konventës së Gjenevës dhe Vendimeve të Strasburgut mbi trajtimin e të burgosurve, robërve dhe grevistëve të urisë", - tha Mëhilli.


Shekulli

Injorantët me diploma

Të flasësh mbi fenomenin e universiteteve private tashmë është kthyer në sportin e preferuar të çdo biznes-akademiku që synon legjitimimin e statusit të tij duke konservuar të vërtetat e kulluara nëpërmjet pohimit dhe ripohimit të realitetit si të tillë.

Në këtë drejtim roli i biznes-akademikut është qartësisht i kuptueshëm, pasi pohimi i së vërtetës aktuale shënon saktësisht krijimin e identitetit të studentit të universitetit privat, gjë që është një rrjedhojë logjike e ekzistencës së akademikut biznesmen. Deri këtu çdo gjë është në vendin e vet. Por në momentin që krijohet pohimi i vetë studentit të universitetit privat si pohim për veten e tij, këtu racionalja rrudhet për t’u katapultuar edhe një herë në zonën ku absurditeti është në shtëpinë e tij. Figura e studentit si shtresa sociale më progresiste e fundit të viteve ‘60 gjatë protestave të studentëve në perëndim, ka krijuar shëmbëlltyrën e saj në Shqipërinë e shekullit XXI. Kur trajtohen problemet në lidhje me përgatitjen intelektuale të studentit shqiptar kryesisht faji i vihet mbizotërimit të universiteteve private të dekadës së fundit. Në këtë shkrim do të trajtohet çështja se si këto universitete nuk janë shkaktare, por janë pasoja të mjerimit intelektual të studentit shqiptar, gjë që siç do të argumentohet në vijim, prodhon një student privat brenda një institucioni me mision publik. Dimensioni i parë që evidenton këtë pikëpamje shfaqet në rrafshin ekonomik.


Në momentin që individi derdh kuotën e tij prej 2000 eurosh (a më shumë) në një universitet privat, ai bëhet automatikisht student i këtij universiteti. Pikërisht në këtë moment na shfaqen dy çështje thelbësore: së pari, pas derdhjes së shumës përkatëse, paratë e paguara si një mjet këmbimi, studenti i ka shkëmbyer me dijen që do t’i servirin për konsum. Së dyti, që në momentin e derdhjes së shumës, studenti do të marrë një vlerë fillestare të cilën pas përfundimit të studimeve dhe daljes në tregun e punës do të kërkojë ta barazojë dhe më pas ta tejkalojë në varësi të vlerës së këmbimit të diplomës së tij. Nga këtu dalim në përfundimin se meqë studenti pas derdhjes së parave konsumon dijen që i serviret, atëherë sikurse pagesa e tij përbën vlerën e tij fillestare (të cilën që nga këtu do të emërtohet jo rastësisht si “vlera e prodhimit”), po kështu dija që i serviret atij përcakton vlerën e tij të këmbimit në treg, dije kjo e cila funksionon vetëm në varësi të vlerës së prodhimit të studentit.
Nga ana tjetër sa më i lartë të jetë hendeku mes vlerës së prodhimit të një studenti dhe vlerës së këmbimit te tij në treg, aq më e lartë është vlera e atij studenti, por që mundësia është e lartë që tregu të mos i japë studentit një vlerë këmbimi dhe si rezultat ai mbetet i papunë rrjedhimisht në pamundësi për ta barazuar vlerën e tij të prodhimit. Për paralelizëm mjafton të përfytyrojmë një biznes në të cilin që të nxirret fitim duhet investuar paraprakisht një kapital fillestar, vlera e të cilit do të kompensohet vetëm pas disa vitesh, por që mundësia e falimentimit është tepër e lartë. Kjo është situata e studentit të sotëm në universitetet private.
Pra nuk është thjesht çështja se universitetet janë shndërruar në biznese, por që studentët janë pikërisht ata që e bëjnë të mundur fitimin e këtyre bizneseve nëpërmjet shndërrimit të qenies së tyre në biznese të gjalla.
Në këtë drejtim studenti dhe biznes-akademiku duke u shndërruar në një gjë të vetme i japin fund dialektikës së tyre individuale. Pra është e qartë se përbrendësimi që i bën universiteti si pohues i të vërtetave të kulluara studentit si mohues të këtyre të vërtetave është saktësisht origjina e këtij problemi. Rrjedhimisht në këto kushte nuk mund të flitet më për universitetin e studentëve por vetëm për studentë universitarë, domethënë studentë që i përshtaten mjedisit ku vegjetojnë (ashtu sikurse bëjnë gjallesat shtazore).

Kriza e studentit shqiptar nuk buron së jashtmi (si p.sh nga sistemi arsimor) por ajo është një krizë e brendshme si rezultat i shpërbërjes së identitetit të tij nga esenca fillestare (dija).
Po t’i hedhim një sy autorëve më në zë të politikave identitare si Hobsbaum apo Barth mësojmë se identiteti në fakt nuk është një e dhënë e përjetshme por ai krijohet, ashtu si gjithçka tjetër. Formimi i një identiteti vjen si rezultat i kundërvënies së tij subjektive ndaj të vërtetave dominuese. Kësisoj identiteti është në vetvete një mohim. Një mohim ndaj rrethanave të jashtme në mënyrë të tillë që t’ia përshtasë vetes këto rrethana. Sipas këtij këndvështrimi biznes-studenti shqiptar jo vetëm që nuk do të ishte një mohim ndaj të vërtetave dominuese por realisht ai do të ishte një mohim i vetvetes. “Unë dua vetëm një mesatare të lartë” do të thoshte dikush, “në fund të fundit mua tregu këtë më kërkon”. Po t’i referohemi iluminizmit gjerman, ky lloj vullneti do të ishte saktësisht vullneti i skllavit. Në bazë të kësaj logjike studenti nuk duhet kurrsesi t’i përshtatet tregut (këtij të jashtmi që shkakton tjetërsimin e identitetit studentor) por përkundrazi ai duhet që kërkesat e tregut t’ia përshtasë vetes. Kjo do të ishte me pak fjalë vullneti i njeriut të lirë i evokuar aq fuqishëm nga studentët e 68’-ës në perëndim të cilët sollën një emancipim aq të rëndësishëm në art, kulturë, filozofi, të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha të grupeve të marxhinalizuara të shoqërisë. Një ndër faktorët kryesorë që e tjetërson studentin nga esenca e tij (dija) është instrumentalizimi i notës. Nëpërmjet këtij instrumentalizimi dija nuk është më e studentit, dija i përket tregut sepse realisht janë sipërmarrësit që caktojnë kuotën e dijes të kërkuar ndaj studentëve që duan të punësojnë dhe në këtë pikë dëshira e vetme e studentëve kufizohet vetëm e vetëm tek përshtatja ndaj tregut. Duan t’i përshtaten tregut në mënyrë të tillë që nota që morën të shkëmbehet sa më shtrenjtë në treg. Kjo situatë favorizohet edhe më tej nga paaftësia e studentëve për t’u bashkuar ashtu sikurse në të shkuarën, në të njëjtin grup social. Dyzimi që u është bërë identitetit të tyre social ka ndikuar që studentët të mos jenë më NJE në promovimin e të drejtave të tyre si një prej grupeve të marxhinalizuara të shoqërisë. Dhe këtu vijmë në dimensionin e dytë që është ai social. Duhet thënë se së bashku me mbizotërimin e universiteteve private është formuar gjithashtu një grup i ri social brenda grupit te studentëve, bëhet fjalë për grupin e nouveaux riches ku përfshihen të gjithë ata që vendin e punës e kanë siguruar paraprakisht falë sistemit të tarafeve, por që kanë nevojë për një copë letre për ta justifikuar këtë vend pune. Këtu bëjnë pjesë edhe ajo kategori që nuk kanë nevojë për dijen për të përcaktuar vlerën e tyre të këmbimit por përkundrazi në rastin e tyre është vlera e këmbimit (fakti që bëjnë pjesë në një familje të pushtetshme në vend) në varësi të së cilës përcaktohet dija e tyre.
Fakt është se pjesa më e madhe e këtyre nouveaux riches sot gjenden në universitetet private dhe këta luajnë një rol të rëndësishëm në përçarjen e kategorisë sociale të studentëve si NJE. Tanimë grupet e marxhinalizuara të studentëve së bashku me elitën nouveaux riches mjerisht identifikohen si i njëjti grup social. Emancipimi nën këtë kontekst mund të vijë vetëm si rezultat i refuzimit të këtij identiteti nga ana e atyre që e duan dijen dhe jo vlerën e saj të këmbimit, e atyre që e duan dijen si qëllim në vetvete dhe jo si mjet, e atyre që e mohojnë këtë status-quo dhe jo atyre që e pohojnë atë, atyre që guxojnë të ëndërrojnë dhe jo atyre që vegjetojnë.

Por për të arritur këtë duhet synuar procesi i pamundësisë së identifikimit duke u mbështetur në silogjizmin: “a i përkasim ne grupit të studentëve të Shqipërisë apo jo, dhe çfarë rrjedh nga kjo?”
Sepse studenti nuk ka si të mos jetë NJE, përndryshe ai nuk do të ishte më student. Çdo lëvizje progresiste e viteve 60’-70’ të shekullit të kaluar ka ardhur pikërisht si rezultat i bashkimit të studentëve në NJE. Studenti nuk është notë, regjistër, provim, diplomë, biznes. Studenti është universitet. Universiteti është pasojë e ekzistencës së studentit dhe jo e kundërta, rrjedhimisht duhen ndërtuar studentë dhe jo universitete. Faktet kanë treguar se sa më shumë shtohet sasia e këtyre të fundit, aq më shumë shtohet zbehja e cilësisë së tyre. Duhet prodhuar dije dhe jo diploma. Duhet prodhuar vatër mendimi dhe jo fole’ injorance. Lëvizjet studentore të shekullit të kaluar na mësojnë se kjo mund të arrihet vetëm falë vullnetit për të refuzuar grupimin në mënyrë të tillë që t’ia përshtasin vetes rrethanat e jashtme, dhe jo t’i përshtatet vetja rrethanave të jashtme. Sikurse shkruan Jacques Ranciere, nuk duhet të jenë dijet dominuese që formojnë një student, përkundrazi dijet dominuese formojnë një student mohues sepse dija dominuese pasi i distribuohet studentit ajo filtrohet nga mendja e tij duke e ndryshuar krejtësisht formën e saj të mëparshme, kështu që është studenti që formon dijen dhe jo vice versa. Është e dukshme pra se cilësia e universiteteve shqiptare nuk është shkak i prodhimit të këtyre injorantëve me diploma, por është saktësisht mungesa e vullnetit për të refuzuar ajo që e bën ekzistencën e këtyre injorantëve faktor vendimtar në cilësinë e dobët të universiteteve shqiptare. Dhe kjo katastrofë intelektuale nuk rregullohet nga tregu, përkundrazi rizgjimi i dijes dhe mendimit kritik është ai që duhet t’ia përshtasë tregun vetes. Rizgjimi i studentëve si një grup i bashkuar është shpëtimi i vetëm për dijen dhe mendimin në universitetet tona. Përndryshe tregu do të gllabërojë edhe ato pak gjëra që i ka lënë pa gllabëruar studentit shqiptar.

Kësaj shëmbëlltyre që më tepër sesa shpresën e së ardhmes, mbart në vete apatinë e së shkuarës të cilën na e sjell dhe na e risjell vazhdimisht thjesht dhe vetëm falë prezencës së tij si një send frymor, vegël e dëshirës se si të tjerët vendosin ta vënë në përdorim.

Lulzim Hoxha, T. Observer

Friday, May 14, 2010

"Kur erdhën për mua, s'kish mbetur më askush të më mbronte"

Shumë shqiptarë të mirë sot heshtin.

Heshtin, sepse janë neveritur nga politika e këtyre 20 viteve. Heshtin edhe sepse mendojnë që mos i hapin vetes telashe, që të mos prishin atë pak terezi që kanë krijuar. Heshtin edhe pse ndoshta nuk janë fare votues, ndaj thonë "unë nuk kam votuar, ç'më duhet kjo puna e votës...".


Të heshtim apo të mos heshtim?
Përgjigjen e shkëlqyer kësaj pyetjeje që i mundon shumë jo vetëm shqiptarët e ka dhënë në mënyrë të përsosur Nobelisti i famshëm Çifut, Elie Wiesel, në Romanin e tij të famshëm "Nata". Zoti e bekoftë!

"Në Gjermani ata erdhën fillimisht për komunistët dhe unë nuk fola. Nuk fola, sepse unë vetë nuk isha komunist. Atëherë ata erdhën për çifutët e unë përsëri nuk fola. Nuk fola, sepse unë vetë nuk isha çifut.

Më vonë, ata erdhën për sindikalistët dhe unë përsëri nuk fola. Nuk fola, sepse unë vetë nuk isha sindikalist.

Pastaj, ata erdhën për katolikët dhe unë përsëri nuk u ndjeva. Unë nuk fola, sepse unë vetë isha protestant...

Më në fund ata erdhën për mua dhe atëherë nuk kishte mbetur askush të fliste...", thotë Prifti Martin Niemoller, duke folur për diktaturën naziste në Gjermani.


A nuk ndodhi kështu edhe me diktaturën komuniste në Shqipëri... Unë nuk fola.

Ti nuk fole. Ai nuk foli. Ne nuk folëm. Ju nuk folët.... Ata nuk folën! E filloi me bashkëpunëtorët e fashizmit ne nuk folëm. Ne heshtëm, sepse ne nuk ishim bashkëpunëtorë të fashizmit!
Ata erdhën për bashkëpunëtorët e anglo-amerikanëve dhe ne përsëri heshtëm.

Heshtëm, sepse vetë nuk ishim bashkëpunëtoret e anglo-amerikanëve! Më vonë ata erdhën për agjentët e jugosllavëve, ruseve, kinezëve, të dreqit e të birit... Ne nuk folëm, sepse vetë nuk ishim agjentë të tyre!

Atëherë ata erdhën për pirftërinjtë, hoxhallarët, dervishët, popetë... Ne e qepem, bile edhe u bashkuam me ta, duke ngritur zërin e dorën edhe kundër Zotit! Më në fund ata erdhën për gjeneralët e luftës, për ministrat deri edhe për kryeministrin... Ne nuk folëm. Nuk folëm, sepse vete nuk ishim as gjeneralë, as ministra, as kryeministër.
Kujdes sot!


Alban, student Nju Jork, G. Shekulli

Sot opozita kalon në masa ekstreme, bllokon në orën 17:00 të gjitha rrugët e vendit

Rama, thirrje qytetarëve: Të gjithë në shesh sot për ti dhënë fund kësaj qeverie.

Kur greva e urisë ka hyrë në ditën e 14 opozita ka vendosur të përshkallëzojë protestën e saj. Pas protestave një orëshe në qytetet kryesore të vendi duke bllokuar akset kryesore të qarkullimit mësohet nga drejtuesit e opozitës se sot do të jetë protesta më e madhe.

Në orën 5 opozita ka organizuar gjithë mbështetësit e saj që të dalin në rrugët kryesore për të bllokuar të gjithë rrugët e vendit.

Ndërsa kryesocialisti, Edi Rama gjatë protestës së djeshme të opozitës përsëriti deklaratën se opozita nuk do të ndalet së protestuari nën dritaren e kryeministrit, si edhe në gjithë Shqipërinë. Më tej kreu i PS, i ka dhënë një përgjigje edhe deklaratës së kryeministrit Berisha për protestën e opozitës. Ai theksoi se askujt nuk duhet t’i shkojë në mendje se opozitarët do të lodhen dhe do të dorëzohen, përkundrazi ata do e vazhdojnë deri në fund betejën e tyre. “Flet Berisha për grevën e urisë dhe thotë se do të respektojë të drejtën tonë për të protestuar. Për këtë nuk e pyet kush zotërinë tënde. Protestën do e bëjmë pa u ndaluar në dritaret e zyrës tënde derisa të fitojmë të drejtën elementare të transparencës. Kjo është e drejta që duhet të respektojë Berisha. Është koha të hapim një rrugë të re, të bëjmë transparencë që rruga e re të hapet, që të gjithë bashkë të kuptojmë se kështu nuk vazhdohet më, dhe se për të vazhduar kemi nevojë për rregulla të reja, t’i nënshtrohemi kushtetutës dhe ligjeve. Kemi nevojë që ligjet t’i kthejmë nga letra që i tregojmë Evropës për sa progres kemi bërë me reformat për detyrim nga i pari tek i fundit. Jemi të vendosur për të çuar përpara këtë betejë. Askush të mos i shkojë në mendje se mund të lodhemi, dorëzohemi. Jemi këtu në betejë, nuk duam pushtetin në tavolinë,por duam që në tavolinë të bëhet transparenca që kurrë më pushteti të mos burojë nga fuqia e vetvetes që të mos lejë popullin të mos zgjedhë, por populli të zgjedh më fuqinë e votës së tij që do e qeverisë. Jemi të vetëdijshëm se nëse çlirohet vota, çlirohen të drejtat, mundësitë dhe energjitë e gjithsecilit”, u shpreh Rama.




Apeli ndaj policisë
Kryetari i PS, në fjalimin e tij në protestën e opozitës, i ka bërë një apel policisë së shtetit që të mos ngrejë dorë ndaj deputetëve dhe mbështetësve të opozitës. Duke iu referuar përplasjeve të dy ditëve më parë në qytetin e Korçës, Rama ka paralajmëruar drejtuesit e policisë se pushtete të tilla që vijnë duke grabitur votën nuk e kanë jetën e gjatë. “Të gjithë, pa përjashtim të gjithë ata që sot marrin rrogën e shtetit për t’i shërbyer qytetarëve duke garantuar ligjin, duhet ta fusin mirë në mendje se historia e ka treguar se pushtete të tilla janë pushtete që bien shumë më shpejtë”, ka deklaruar Rama. Kreu opozitar, ka hedhur kritika të ashpra ndaj ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha për këtë reagim të dhunshëm të forcave të rendit. “Kemi parë disa komunikata për të bërë presion mbi protestuesit e opozitës. Turp. Ky është një pushtet në kërkim, ka grabitur votat për të vazhduar të grabisë Shqipërinë. Po rrënon ekonominë drejt një pike ku ekonomia mund të rrënojë sërish Shqipërinë”, vijoi ai. Lideri i opozitës ka akuzuar qeverinë edhe për afera korruptive, të cilat sipas tij janë konkretizuar me shitjen e hotel “Dajtit” tek Banka e Shqipërisë. “Ky është një pushtet në kërkim, që po rrënon ekonominë. Sot e morëm vesh të gjithë që për të hedhur ca para në arkën e shtetit, qeveria shet hotel “Dajtin” tek BSH. Ose BSH i bleu qeverisë hotelin”, ka nënvizuar Rama.


Mirënjohje për grevistët
Rama ftoi të gjithë shqiptarët t’i bashkohen protestës së sotme në mbështetje të grevistëve që janë ngujuar prej 2 javësh në çadrat e ngritura në bulevard. “Turp për ata që kanë guxuar dhe guxojnë të hedhin fjalë mbi këta njerëz që dëshmojnë se në Shqipëri është e mundur një betejë për liri, për liri pa të cilat qeveria në këtë vend do të mbetet një sundim për ta mbajtur popullin të gjunjëzuar me bukën e qeverisë”, u shpreh Rama ndërsa theksoi se ka ardhur koha për të hapur rrugë të reja për Shqipërinë. Ai theksoi se opozita ndodhet në protesë dhe grevë urie që Shqipëria e kohës së re të jetë Shqipëri që punon, dhe jo një Shqipëri ku qeveria i mban me bukë shërbëtorët e vet.

Ngjela: 14 Maji, dita kur do të shporrim tiranin me fitore
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela sërish ka përdorur një gjuhë tepër të ashpër në fjalimin e mbajtur gjatë protestës së djeshme të opozitës. Ai paralajmëroi se në protestën e sotme të opozitës, ku mbushen ekzaktësisht dy javë nga fillimi i grevës së urisë, se në protestën e madhe të 14 majit, do të rrëzojnë këtë qeveri. “Grevistët që shkuan në spital, janë të plagosurit tanë. 1 milionë njerëz e kanë të qartë se nuk mund të durojnë më një tiran që u ka dhunuar zgjedhjet dhe i ka varfëruar në ekstrem. Data 14 maj do jetë dita që do shporrim tiranin me fitore. Kjo është një betejë e cila në rast se nuk fitohet nga ne nuk ka më të ardhme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Data 14 maj do të jetë shenja kryesore për t’i thënë të gjithëve se shqiptarët do hyjnë në Europë me dinjitet”, u shpreh Ngjela. Më tej, ai sqaroi se cilat janë edhe arsyet e vërteta të kësaj greve, duke pohuar se nuk po kërkohet as marrja e pushtetit dhe as pavarësia e Shqipërisë, se ne e kemi fituar atë, por po kërkohet liria e popullit shqiptar dhe dinjiteti i tij. Më tej, Ngjela ka shtuar se nëse kjo betejë nuk fitohet nga opozita, nuk ka më të ardhme për shqiptarët. “Të jemi dinjitozë përballë lirisë dhe nesër do t’i japim orët e fundit kryeministrit dhe kësaj qeverie. Do t’i hapë apo jo kutitë, kjo do varet nga forca jonë”, bëri me dije ndër të tjera Ngjela. Kreu i PLD, në fjalimin e tij pranë çadrave të grevës së urisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë duke u bërë thirrje kompozitorëve të rinj shqiptarë të fillojnë kompozimin e këngës së re të lirisë të cilën Elsa Lila do ta këndojë në këtë shesh. Në protestën e djeshme deputeti i PS, Xhemal Qefalia i bëri thirrje policisë të mos i shërbejë pushtetit por t’i shërbejë shtetit dhe të mos i arrestojë padrejtësisht mbështetësit e opozitës. Protesta vijoi më tej me fjalime të grevistëve nga ambientet e çadrave, të cilët u shprehën të bindur për të rezistuar në shërbim të kauzës për transparencë. Deputeti grevist i Lushnjës, Fatos Tushe pasi ka falënderuar mbështetësit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deklaroi se, ndodhen në grevën e urisë për të ardhmen e fëmijëve, për transparencën e votës së lirë. Ndërsa deputeti i Durrësit, Gazmir Bizhga u shpreh se, kjo është gërmadha e fundit e komunizmit që na ka mbetur në Shqipëri. “Dhe duhet shembur njëherë e më parë. Për dashurinë e atdheut, të fëmijëve tanë, të demokracisë duhet ta shembim këtë gërmadhë që ka zënë diellin. Do të qëndrojmë në grevë, deri në garantimin e transparencës, prandaj ftoj popullin që t’i mbështesë deri në orën 6”, u shpreh ai.

Dokle: Nuk tërhiqemi nga protestat dhe greva
Deputeti socialist, Namik Dokle nisi fjalimin e protestës së djeshme të opozitës, duke nënvizuar se opozita nuk tërhiqet deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të saj. “I themi Berishës të mos e gënjejë mendja se do të tërhiqemi nga kjo luftë demokratike, nga kjo e drejtë e jona. Nuk tërhiqemi sepse kemi të drejtë, sepse beteja jonë është për të gjithë Shqipërinë. Nuk tërhiqemi, jemi të gjithë në radhë, deputetë, anëtarë të PS, simpatizantë e qytetarë të thjeshtë që kërkojnë ti bashkohen grevistëve tanë ”, u shpreh Dokle. Deputeti socialist nënvizoi se protestat do të vazhdojnë të jenë paqësore. “Ne nuk përdorim dhunë por kemi qëndresën, arma jonë e fuqishme është paqja, qetësia dhe rezistenca e shokëve dhe shoqeve tona”, theksoi ai.

Braçe: PS do i shkojë deri në fund kauzës së saj
Deputeti socialist, Erjon Braçe u shpreh se sot bëhen dy javë grevë urie nga faza e nisjes së protestave të reja për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve. Në fjalën e tij gjatë protestës së djeshme ai ka shtuar se PS do t’i shkojë deri në fund kauzës së saj.Duke akuzuar kryeministrin se nuk do zgjidhjen e krizës, Brace deklaroi se vendi është i zhytur në korrupsion. “Sali Berisha nuk do zgjidhje, ja kanë ndaluar të gjejë zgjidhje. Fuqia e tij është korrupsioni, i cili nuk lejon zgjidhjen e krizës në vend. Janë abuzuesit e përditshëm me paratë tuaja. Janë klientët e partisë në pushtet që kanë fituar gjithçka”, tha Braçe. Në serinë e akuzave të tij, Brace theksoi se arka e shtetit është bosh dhe se po merren borxhe të reja për të rritur me 4 qindarka rrogat. “Saliu nuk bën punën e shtetit si kryeministër por zagarin e bllokut. Arka e shtetit është bosh. Qeveria po merr borxhe të reja për të shtuar rrogat dhe pensionet, vetëm me 4 qindarka”, tha deputeti Braçe.

Hysi: Jemi në këtë protestë për mirëqenie
Deputetja socialiste e qarkut të Tiranës, Vasilika Hysi në ditën e 13 të grevës së urisë dhe të protestës së opozitës, ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë ta mposhtin frikën e pushtetit sipas saj dhe të dalin të gjithë në protestë më 14 Maj. Sipas saj, protesta bëhet për mirëqenie, për integrim dhe si mbështetje për grevistët. “Ky pushtet nuk e kupton se ne jemi në këtë protestë, për mirëqenie, për integrim për të mirën e gjithë shqiptarëve, prandaj në mbështetje të grevistëve të bashkohemi të gjithë për të treguar forcën e karakterit”, deklaroi Hysi.

Dule: Aksioni politik synon transparencën e plotë të votës
Ndërkaq kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule iu kundërpërgjigj peticioneve të artistëve dhe intelektualëve të cilët kanë akuzuar opozitën për pengimin e rrugës europiane të vendit përmes grevës së urisë. “Na thonë se ne, kolegët tanë të nderuar që janë në grevën e urisë, na akuzojnë se mbyllim rrugën në integrimin drejt Europës. Ku ishin këta akademikë, krijues që nuk e ngritën zërin kur nuk na u dha e drejta për të lëvizur pa viza”, u shpreh Dule. Aleati i socialistëve nënvizoi arsyet e grevës së opozitës duke theksuar se aksioni politik nuk synon ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve por transparencën e plotë të votës së çdo shqiptari.


Gjinushi: Presidenti të mbrojë Kushtetutën
Ashtu sikurse nuk ka munguar pothuajse në asnjë protestë të opozitës, edhe ditën e djeshme kryetari i PSD, Skënder Gjinushi ka mbajtur fjalimin e tij të radhës. Ai gjatë fjalës së tij e vuri theksin tek protesta e sotme, duke thënë se, protesta është shtrirë në të gjithë Shqipërinë, dhe se e gjithë Shqipëria do jetë sot përballë kryeministrisë për të shpallur fitoren e kauzës opozitare. “Sot festojmë festën e fitores kundër Berishës. Është koha të kuptojë njëherë e mirë që s’mund të luajë më me durimin e tuja, duhet ta pranonte që në 2006 falimentin e tij”, u shpreh ai. Gjinushi ndër të tjera i bëri thirrje presidentit të mbrojë Kushtetutën e vendit.




Blerina Gjevori, G. Sot