Wednesday, May 19, 2010

Intelektualë të përçarë

Babëzia kolektive për ta fituar pushtetin është diçka aq e zakonshme,sa është e zakonshme orvatja për ta mbajtur atë sa më gjatë.

Historia është e lodhur nga shkulmet e saj. Por është diçka e rrallë një marrëdhënie e tillë më pushtetin, si kjo në Shqipëri, ku njerëzit bëjnë të pamundurën edhe në kurriz të moralit të tyre,edhe duke shpërdoruar lirinë e të tjerëve,për të qenë me çdo kusht përjetësisht në pushtet. Kjo shpjegon egërsinë zgjedhore në vend dhe vërteton diçka kuptimplote: Shkallën makabre të korrupsionit në Shqipëri, ndërkohë që politikanët apo drejtuesit e shtetit, pasi vijnë në pushtet, përveç sundimtarë, janë edhe njerëzit më të pasur në vend.

Kjo gjë shpjegon gjithashtu ashpërsinë e skajshme të betejave elektorale si askund tjetër dhe arsyen se përse edhe kur ndodhin skandale spektakolare në Shqipëri, lakmia e pashtershme për lavdi është kaq ekstreme, sa askush, asnjëherë nuk jep dorëheqjen.

Prandaj kryeministri i vendit duket i shqetësuar si një skifter mbi qiellin e frikshëm të një realiteti të ri ku mbase po afron një shtrëngatë, për të qenë gati përballë rreziqeve të reja që kërcënojnë edhe lavdinë e tij të përjetshme edhe historinë e shpurës servile e besnike, që e shoqëron pas. Dikush tha se kryeministri është cinik sepse është e qartë mungesa e ndjeshmërisë së tij përballë vuajtjeve fizike të njerëzve në grevën vullnetare të urisë që zhvillohet në Tiranë.. Përkundrazi!
E kotë ti kërkosh ndjeshmëri edhe keqardhje pushtetit për vuajtjen, ndërsa vuajtja jote e ngujimit është kërcënim për atë...
Prandaj disa deputetë socialistë, kërkojnë edhe guxojnë shumë sot kur ankohen për cinizmin dhe shpirtkazmërinë e pushtetit dhe shpresojnë që ai të ketë vrasje ndërgjegje.. Sepse, pushteti nuk mund të ketë ndjeshmëri. Përkundrazi, mbase ironia është ti kërkosh keqardhje kryeministrit më të pandjeshëm në botë, të rrijë pa gjumë për dhimbjet e atyre që kanë zgjedhur të vuajnë për ti sjellë atij vuajtjen e humbjes së lavdisë.. Sepse rreziku i humbjes është gjithashtu një vuajtje kaq e madhe, ndonëse tjetërlloj...
Është njëlloj si ti kërkosh korbit pendëlagur në mes të stuhisë, të kujdeset për zogjte e thëllëzave në fole, me të cilët ushqehet vetë edhe në paqe.. Korb,leri të qetë,janë fatkeqë...

Por ndërkohë, tjetër gjë është cinike në këtë histori, që shkon realisht tej e më tej, deri në kufijtë e sarkazmës: Lufta e pandershme që pushtetit bën për të krijuar dhe fituar përshtypje. Si pjesë e kësaj lufte, firmat në mbështetjet ndaj qeverisë të disa njerëzve publikë, që për fat të keq vërtetojnë shkallën e ulët të civilizimit të elitës sonë, përbëjnë një sarkazëm të hidhur.
Të marrësh pjesë ndërsa je një misionar i shpirtit dhe i krijimit e të kthehesh në patericë të pushtetit, ndërsa shpirt-thjeshtët kanë duartrokitur sinqerisht për ty nëpër skena, të shndërrohesh në një velë përkrah mbretërisë, në lundrimin drejt falimentimit të lirisë, drejt shpresave të paqena, të përkrahësh pushtetin e errët me talentin tënd të natyrshëm dhe të shesësh bindjen që ke për të përfituar lëmoshë, ndërsa publiku të këqyr, të ndjek,të gjykon,të shpenzosh kësisoj energjinë e krijimit për të qënë servil i shkatërrimit, të tërhiqesh,të pranosh, të ndihmosh,atë që ndodhet në majë, vetëm sepse është në majë, ndërsa duhet të kesh një mision, ndershmërinë, të ndëshkosh lirinë që dikush kërkon ta fitojë sërish, me emrin që ke dhe që e ke nga liria e të tjerëve dhe besimi i të tjerëve për ty…, të gjitha këto nuk janë shkak për të shkaktuar vetëm keqardhje, dhe vetëm mëshirë, por arsye e fortë për një mallkim intelektual, që përbën shkatërrimin më të madh që mund ti bëhet me një kontribut këtij vendi...
Të shesësh emrin e fituar me paanësi për të joshur pushtetin e njëanshëm, që duarve i varen jargë servilash, të pështysh vetë veprën tënde, të krijuar për drejtësi, për liri dhe transparencë, të injorosh kështu të vetmin autoritet që ke, talentin tënd, në shërbim të mohimit, në shërbim të një lakmie gabim dhe një kauze gabim, kundër një kauze tjetër, është njëlloj si ti biesh kambanës që paralajmëron trokitjen e të ardhmes që nuk do të vijë as për ty, as për askënd, asnjëherë…

Firmat e njerëzve publikë kanë shpallur këto ditë mediokritetin masiv me vendimin e turpshëm për tu bërë palë me pushtetin, kur atij i kërkohet llogari pikërisht për lirinë.

Ky është një sinjal i zi për shqiptarët.
Politika i ka shtyrë ata në polet e një urrejtje që vështirë të korrigjohet tek ne, njëlloj si vështirë po shpagohet diktatura... Si njësi matëse e urrejtjes së ndërsjellë, pasioni i pamposhtur për të bërë karrierë është zëvendësuar me një shkulm naiv për të ndarë dhe për të bërë karshillëk midis njerëzve që krijojnë, shpikin dhe përfaqësojnë..
Elsa Lila përballë Çiljetës. Diana Çuli përballë Rajmonda Bulkut. Gratë demokrate përballë grave të grevës. Të rinjtë demokratë përballë politikanëve shumë të rinj deputetë të Partisë Socialiste, që shfaqen çdo ditë në ekrane. Shefat kundër edhe përballë shefave. Aktorë të respektuar në një përballje të turpshme me historinë e tyre, dhe në përballje me aktorë të tjerë të njohur, për të zhgënjyer edhe pemët e pyllit. Shkrimtarë që përdhosin fuqinë e mendimit, përballë të tjerëve,që shpesh rezultojnë edhe idiotë, pasi duken të kenë gati armët të qëllojnë shqiponjën për të shpëtuar krimbin në sqepin e saj...

Kështu që barrikadat janë ngrehur, beteja vazhdon, kampet janë përballë, dhimbjet gjithashtu. Pushteti bën presionin e turpshëm të rrogave jetike, që quhet kërcënim me bukën e fëmijëve, për të krijuar imazh, për të krijuar përshtypje, për të bërë karshillëk me mitingje mbështetëse... Pushteti kërcënon fëmijët në shkolla, që këta të shkojnë në mitingje, për të fryrë mitingjet, por edhe mësuesit dhe administratën e vrazhdë.

Sarkazma nuk është vetëm tek ky dhunim i pështirë lirie, për shkak të kërcënimit shtetëror. Sarkazma e thellë dhe rreziku civil fillon pikërisht tek morali i shtetit, tek perceptimi bajraktar i drejtuesve të tij, tek aftësia e tyre për të kuptuar padrejtësinë barbare që i bëjnë këtij vendi, duke e udhëhequr atë me injorancë të plotë, duke e përçarë ekstremisht atë dhe duke kultivuar urrejtje mes njerëzve.

Shqiptarët udhëhiqen nga perceptime naivësh të veshur rrezikshëm me pushtet, bindjet e të cilëve janë shndërruar në delire, kurse qëllimet që kanë janë shndërruar edhe ato në bindje se pushteti është diçka që përjetësisht ju takon atyre, me çdo kusht dhe me çdo çmim. Prandaj të kërcënosh intelektualët e këtij vendi me pushim nga puna, nëse ata nuk janë me ty, të përdorësh artistët dhe të detyrosh fëmijët e tyre të dalin në rrugë edhe ata, të bëjnë anti-protestë, ti kërcënosh edhe ata në të ardhmen e tyre, duke shkelur mbi kundërshtitë e tyre, mbi pasionet dhe dëshirën e tyre, që të duan të sfidojnë çdo pengesë, të gjitha këto nuk janë thjesht arrogancë,as mediokritet, as inferioritet, por tregojnë se një rrezik potencial vjen rrotull shqiptarëve dhe rritet përditë.

Artan Mullaj, T. Observer

Tuesday, May 18, 2010

Pashko Vasa: Grekët morën fenë dhe perënditë e tyre nga Pellazgët

Pellazgët, që zbritën të parët nga deti në stere, në tokat e Greqisë së sotme, kishin sjellë me vete dhe kultin e një feje fare primitive.


Historianët e lashtë, i pari Herodoti, njoftojnë se pellazgët u bënin perëndive lloj-lloj flijimesh, porse nuk e kishin zakon t’u vinin emra të posaçëm; ata nuk kishin hyjni të materializuara, idhuj të bërë nga dora e njeriut; adhuronin natyrën me dukuritë e saj mirëbërëse.
Prandaj teogonia e tyre që më së fundi u përqafua e ndofta u përsos nga grekët, nuk ishte veçse fryt i vrojtimeve të lëvizjeve fizike të natyrës, të vazhdimësisë së kohës, të marrëdhënies së elementeve; me një fjalë ajo nuk ishte veçse një seri rrjedhimesh logjike ose më mirë, një shpjegim fare primitiv i sistemit të botës, pemët e para të punës mendore të njerëzve në lëmin e filozofisë.

Khaos-i, Χάος që është zbrazëtia e patrajtshmja, shqyesja, rrjedh nga fjalët pellazgjike hahao, unë ha dhe has, haos, ngrënës ushqyes, ose nga fjalët haap, haapsi, haopsi, e hapura, e zbrazëta. Këto fjalë kanë edhe sot të njëjtin kuptim në gjuhën shqipe.

Nga Khaosi ka lindur Ereba, Έρεβος. Kjo fjalë ka si rrënjë erh, errem, erhëni ose erhësi, terr, të errata, errësira. Në shqip "u err" ka kuptimin u bë natë; erret bëhet natë, errësirë; errëni; vend i errët, plot errësirë. Ereba është selia e errësirave të përjetshme. Gea, Γεα, Γη, është toka. Në shqip toka quhet dhe.

Uranos, Ουρανός. Kjo fjalë me diagramë shqiptohet oras-os. Mirëpo vran, vrant, i vrant, në gjuhën shqipe kanë kuptimin; me re, të vrenjturit. Po t’i shtohet fjalës vran pjesa greke os, kemi vranos, është emri me anën e të cilit pellazgët dhe pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë shqiptarët, tregojnë qiellin si selinë e reve: të vrenjturit.

Bashkimi i Geas me Uranosin, d.m.th. i dheut me qiellin ka dhënë Rea dhe Kronos.

Rea në gjuhën shqipe do të thotë: re, qiell.

Kronos, Κρoνος, rrjedh nga fjala shqipe Kohë. Në disa vende të Shqipërisë K-ja ndryshohet në R dhe atje ku do të shqiptohet kohë shqiptohet rohë. Kohn dhe rohn do të thotë koha; shtoni pjesëzën greke os dhe do të kemi pikërisht Kronos.

Nga Rea lindi Zevsi, Zeusi, (Jupiter) Zaa, Zëë, në gjuhën shqipe do të thotë zë-zëri.
Por Rea nuk mund të pillte veçze me anë të shkreptinës, e cila nxirrte një tingull, një zë: rrufeja dhe bubullima, pikërisht Zaa-ni, Zëë-ri i pellazgëve.

Dimë se Jupiteri i shfaqte orakuj e tij në Dononë pikërisht me anë të një zhurme, të një zëri, Zëëri ishte perëndia e pellazgëve. Ka vende në Shqipëri ku edhe sot e kësaj dite thonë: Zëë! Lirona sot së keq! (Zë, Perëndi! Çlirona sot nga e keqja!). Fjalët Zaa, Zëë janë shndërruar më vonë në Zaan, Zaon, dhe Zoot, fjalë që sot ka kuptimin Perëndi-Zoti dhe njerëzia betohen për Zonë, për Zotin.

Zeusi me qeleshe, plis (?)
Zevsi bashkohet me Metis-in, Μήτις, zgjuarësinë, mendimin. Fjala Ment në gjuhën shqipe ka kuptim zgjuarsi, mendim. Grekët i kanë hequr n kësaj fjale dhe duke i shtuar pjesëzën e tyre – is kanë sajuar Metis. Mirëpo nga ky bashkim, pikërisht Zevsi Jupiteri lind Athenane Αθήνα (Minerva); por kjo lindje bëhet në kokën e Jupiterit, në selinë e zgjuarsisë, dhe jep Athenanë ose Athenën (Minervën)
Grekët nuk ruanin asnjë kujtim nga gjuha pellazgjike, kurrë nuk kanë mundur t’i japin një kuptim racional fjalës Athena; ata u kufizuan në hipoteza të thjeshta në të kundërtën gjuha shqipe na jep një shpjegim shumë të qartë e shumë bindës. Thanë dhe thënë në gjuhën shqipe kanë kuptimin e foljes them. E thana dhe e thëna është të folurit; Athena pra është fjala e perëndisë, po ajo fjalë që e gjejmë në të gjitha fetë të vjetrat dhe modernet, të folurit e Zotit të pellazgëve, që ka dalë nga Zeusi- forca, fuqia, dhe nga Metis- zgjuarsia e mendja.

Hera, Ήρα, Junona e grekëve është ajri: erë, era në gjuhën shqipe kanë kuptimin; ajër, erë.

Nemese, Νεμεόιζ. Në gjuhën shqipe nëmë, nëmës, kanë kuptimin e mallkimit të një gjëje që ndjell të keqen, që shkakton vuajtje dhe prodhon fatkeqësi. Besojmë se atributet e Nemeses përfshihen në kuptimin e fjalëve shqipe nëmë, nëmës. (Bjeshkët e namuna, të mallkuara - shënim i S.I)

Erinët, Εριυυύες. Kjo rrjedh nga err, errni, i errët errësirë, ose nga rrënëe, rrënime, rrënoja, shkatërrim.

Muze, Μούσα. Në gjuhën shqipe mësoj dhe musoi do të thotë nxë,mësoj për vete, dhe mësoj të tjerët. Musoise është ajo që mëson, që frymëzon dije, shkencë.

Theti, Θέτις. Dihet se Therni është një hyjni detare, në gjuhën shqipe kemi fjalën det.

Afërdita, Αφροδίτη. Venera është perëndesha e dashurisë, e bukurisë, po ashtu si e Yllit të Mëngjesit; Afërditë në gjuhën shqipe do të thotë, që ndodhet ndaj të gdhiri, Ylli i mëngjesit.

Delos, Δήλος. Idhull që i kushtohet diellit. Në gjuhën shqipe kemi fjalën diell, duke i shtuar pjesëzën greke os kemi dielos.

Këtu po ndalemi për të mos lodhur vëmëndjen e lexuesit, meqënëse jemi të bindur që këta shëmbuj janë më se të mjaftueshëm për të përforcuar pohimin tonë, dhe për të konfirmuar në mënyrë përfundimtare të drejtën e lashtë që kanë kombësia dhe gjuha shqipe mbi gjithë gjuhët e kombësitë e tjera që njihen në Evropë.

Marrë nga libri: "E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët" i autorit Pashko Vasa

Burimi: http://eltonvarfishqip.blogspot.com/

Monday, May 17, 2010

“Panoptikon”: Shkaku’ i Revolucioneve

Kur ndërkohë elitat politike në Shqipëri, respektivisht, “P.S.”, “P.D”, “L.S.I” dhe “partiza” të tjetra politike, vazhdojnë me prepotencë të trumpetojnë politikat e tyre pro-europiane, përkatësisht, gjoja lëvizjen e lirë të popullatës, e cila do të thotë, në njërën anë, (sipas tru-shpëlarëve të krijimit të B.E.), demokraci dhe rrjedhimisht globalizëm, në anën tjetër, në Greqi, situata është tejet e zymtë: Domostratat janë bërë pjesë e jetës së qyteteve Grekë dhe tashmë, vdekjet pasojnë gjymtimin e sistemit politikë Britanik, me “shkëndijë-vënës” Montesuieu-në.

“Gjoja lëvizjen e lirë”, ka të bëj me atë që tashmë politikat europiane, duke patur si shtet pilotues Amerikën, kanë instaluar në zemër të qyteteve të tyre “madhështore”, sisteme observimi, që monitorojnë të gjitha lëvizjet e qytetarëve të tyre. Natyrisht, asnjë politikanë sot, as në Amerikë, me të shumë priturin Obama, si “Mesia” dhe shpëtimtar i globit nga të këqiat, as në Europë, nuk pranojnë se “demokracia parlamentare” tashmë ka dështuar keqas; dhe kjo, nga vetë fakti se, qytetarët Amerikanë, Britanikë, Italianë, Grekë, Japonez apo edhe më tej, njeriun nuk e përgatiti dot të operoj me ndërgjegjjen e tij, por tani i kanë vendosur një, në shprehjen Foucault-iane, “panoptikon”.

Pra, njeriu i demokracisë parlamentare, tashmë, observohet nga të gjitha anët: Lëvizja e tij dhe natyrisht fjala e tij përgjohen, përmes sistemeve global përgjues. Këto sisteme, tashmë të vendosur në shtete si Britania e Madhe, të ashtuquajtur ESELON; kamera shifrare 24 orëshe që vëzhgojnë qytetin; pasaporta me sinjal satelitor; chip-a elktromagnetik dhe të tjera teknologji do të pasojnë, përgjojnë të ashtuquajturit “terrorrista”, dhe bashkë me ta, shantazhojnë qeveri dhe kompani shumë-kombëshe, gjithnjë nëse ato bien ndesh me interesat e tyre gjoja gjeo-politike.

Ky sistem, tashmë anti-historikë dhe anti-njerëzor, proklamohet pothuajse nga të gjitha partitë globale, dhe proklamata e tyre është: Drejtë një panoptokoni global.
Panoptikon, një fjalë Greke kjo, që do të thotë “gjithëpamës”, është strategjia militante e NATO-s (ushtrisë sonë globale!), e cila ka si pikënisje, Osirin Egjiptian, i cili është i vendosur pothuajse në të gjitha emblemat dhe gdhëndjet historike, nga njeriu i lashtë dhe dogmatik, me të vetmen arsye, se njeriu i lashtë “besonte” te një sy gjithëpamës, besim i cili i ishte përforcuar/imponuar nga priftërinjtë e parë Egjiptian dhe më vonë nga Mbretërit epokal. Ky ishte koncepti i parë i shoqërisë së antikitetit, dhe ne sot, post-modernistët, jetojmë të njëjtin paradoks: Paradoksin e të qënit të vëzhguar gjatë gjithë jetës sonë, nga sy biblik...dhe gjoja mbrojtës; dhe në praktikë, praktikojmë, demokracinë parlamentare, e cila praktikon — për t’a menaxhuar të gjithë këtë sistem, monetarizmin.

Monetarizmi është një politikë e sendërtuar nga Mbretërit, me të vetmin qëllim, që të manipulojnë popullin, punëtorin, njeriun e mirë dhe djersë-shumë, dhe vetë mbretërit, të jetojnë në pallatet e tyre të derdhur në ar.
Ky fenomen, që herë-pas-here, është pasuar sa te priftërinjtë aq edhe tek mbretërit, sot, në demokracinë parlamentare, menaxhohet edhe nga një klikë tjetër: Nga klika e pará-menaxhuesve ose meqënse jetojmë anglosaksonizmin, le t’a quajmë sipas tyre, “money-managers”.

Pra, nuk është se vuajmë nga politikat dhe idetë specifikisht, sepse në praktikë asnjë popull indigjen apo jo, s’ka vuajtur botën e ideve, por në zemër të shoqërive tona, janë trashëguar institucionet më manipuluese dhe më psikozë-larëse, që ka parë njerëzimi deri më sot, dhe kurrë nuk do të imagjinohësh kjo “frakturë” nga një njeri që operon me ndërgjegjje të pastër.
Rrjedhimisht, në zemër të qyteteve tona, gatuhen politika të reja monetare, dhe shumë nga ne, flemë të qetë mbrëmjeve, pranë familjeve tona. Kjo qetësi e shurdhët dhe oksimorone, sot njerëzimin e ka çuar në një kastrofë të re globale: Katastrofa e ndërgjegjjes absolute njerëzore.
Kjo kafshë perverte, dhe monstruoze, në zemër të saj, vazhdon të mbaj gjithë ndërgjegjjen globale “peng”, duke ia shpëlar mëndjen me manipulime sistemike dhe duke goditur vetë zemrën e qënies: Virtytin.

Ndonëse virtyti është komponenti bazë, që njeriun e veçon nga qëniet e tjera, ai tashmë, është sakatuar keqas, dhe është zëvendësuar me virtytin e manipulimit. Ky virtyt, është instaluar në qendër të arsimit, kulturës dhe rrjedhimisht të ndërgjegjjes së njeriut. Këtë virtyt, manipulues, e gjithë shoqëria civile, e ka shpalosur në të gjithë ngrehinën e saj, dhe tashmë, manipulimi mendor është bërë pjesë e gjithë ndërgjegjjes globale. Kjo sëmundje e keqe, kjo mortajë e njeriut tokë, nuk është si rrjedhojë e natyrës së tij, por si rrjedhojë e disa psikozave të sëmura, që duan të mbretërojnë në mbretërinë parásë, dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi të mundshme kundrejtë virtyt-plotit. Sot, virtyt-plotit, i thonë se është de-modé, ndërsa atij manupuluesit, i thonë, se është në modë. Pa manipulim, asnjëri s’jeton dot në një sistem manipulues. Ky është sistemi i mëmës tokë: Manipulo të manipulojmë.

Ky sistem, sot, rivendikohet nga B.E. me politikanët tanë, të cilët nuk është se e duan si sistem, sepse fundja bie ndesh me ndërgjgjjen njerëzore, por është sistemi që u ofron atyre siguri mortaje, nga ku, mund të manipulojnë, bashkë me paraardhësit e tyre: Priftërinjtë dhe Mbretërit.

Kjo mbretëri, e instaluar, për mos t’u zhdukur kurrë nga mëma tokë, vazhdon të bie ndesh me ndërgjegjjen e njeriut autonom; prandaj edhe shohim revolucione të herë-pas-hershme.
Revolucione të ndërgjegjjes kemi patur dhe do t’kemi gjatë gjithë kohës në planetin tokë.
Revolucion s’është asgjë tjetër se sa “zemërimi” i punëtorit dhe s’kamësit kundrejtë borgjezisë, e cila, ashtu sikurse në të kaluarën, edhe sot, posedon artin e monetarizmit.
B. E. sot, ka sendërtuar këtë art manipulues në zemër të Europës dhe tashmë ky pseudo-art kërkon sendërtim në një sipërfaqe gjeografike shumë të madhe; dhe me një popullsi tejet të pamundur për t’u menaxhuar nga një Bankë Europiane dhe institucione globale.

E megjithatë, Greqia rrezikon luftë civile, luftë e cila do të zhvillohet midis policisë militante që mbron kusarët e pasurisë së punëtorit dhe njeriut të shtypur që tashmë i quajnë politikanët dhe “speciet” e tyre gazetarë, si “anarkistë” dhe “anti-pushtetar”.
Të “gëzohesh”, për një fat të tillë, që gjen bashkë-qytetarët tanë në Greqi, të cilët janë manipuluar dhe do të (!) manipulohen vazhdimisht nga elita e tyre, do të ishte marrëzi, sepse, sot virtytploti në Shqipëri manipulohet nga të gjitha partitë, të cilat “mbështesin varësinë e shtetit tonë të pavarur”, nga institucione globale.

A thua se s’ka mënyrë tjetër për t’u realizuar B.E. apo globalizmi?
Natyrisht që ka, por politikanët tanë janë “tru-shpëlarë” nga mbretëria e parásë, dhe duan medoemos, të mbretërojnë të gjithë, në këtë botë virtytë-humbur dhe panoptikoniane!

Prandaj, pas rënies së Greqisë, e cila nuk i shmanget dot daljes nga B.E., e kanë rradhën edhe shtete të tjerë: Dhe kjo do të ndodh, pikërisht, sepse bie ndesh me ndërgjegjjen fjala “sistem”.
Koncepti sistem, është anti-ndërgjegjje, pra anti-human, prandaj revolucionet kurrë nuk kanë për të mbaruar në se ne, nuk heqim sistemin nga sistemi, dhe të themelojmë përfundimisht, Ndërgjegjjen...

Një rrugë ndërgjegjje-plotë propozon Fronetikë Manifesto...

Bëhu pjesë e këtij projekti global...



Ylli Përmeti

Economist: 'Ndalimi i ferexhes - një ide e keqe'

Shumë e vlerësuan si skandal deklaratën e disa viteve më parë të politikanit labursit britanik, Xhek Strоu, lidhur me ferexhen. "Nuk ndihem rehat kur takohem e bisedoj me dikë, që nuk mund t'i shoh fytyrën", tha atë botë Strou.

Sot, disa qeveri evropiane po shkojnë më larg se deklarata e zotit Strou. Belgjika e Franca planifikojnë tа ndalojnë përdorimin e ferexhes apo veshjeve të tjera islamike që mbulojnë dhe fytyrën.


Armiqësia e evropianëve ndaj ferexhes dhe veshjeve të ngjashme është e kuptueshme. Nuk bëhet fjalë thjesht se gruas i hiqet e drejta të tregojë bukurinë e saj, por kjo veshje fyen sekularizmin, që i ka rrënjët e thella në traditën evropiane. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kulturën franceze. Përhapja e ferеxhes dhe veshjeve të së njëjtës natyrë vjen në kohën kur një version i islamit ekstremist po njeh rritje, e madje ka goditur edhe shoqëritë ku jetojmë.

Në kohën kur këto shoqëri janë më të kërcënuara, ferexhja e bën më të vështirë për policinë t'i identifikojë rreziqet e sigurisë.

Nga ana tjetër, në dallim nga shamia e kokës, ferexhja dhe veshjet e ngjashme shihen si kufizuese të lirisë së femrave dhe simbolizojnë ato që shumë evropianë i shohin si shtypje që feja islame u bën femrave.

Por, të njëjtat vlera, të cilat evropianët i shohin se kërcënohen nga ferexheja, kërkojnë që të mos ndalohet përdorimi i këtyre veshjeve.

Tri arsyet që sillen kundër veshjeve të tilla islamike, nuk qëndrojnë. Sa i përket sigurisë, grave që mbajnë këto lloj veshjesh, mund t'u kërkohet të tregojnë fytyrën.

Sa i përket barazisë gjinore, ajo mbrohet më mirë me ligje më të forta kundër dhunës në familje sesa me ndalimin e ferexhes dhe veshjeve të tjera.

Sa i përket mbrojtjes së sekularizmit, ndonëse evropianët mund të mos duan të shohin në rrugë parakalimin e feve, toleranca që perëndimorët pretendojnë të mbrojnë, kërkon që të respketohet kjo dëshirë e të tjerëve.

Qeveritë evropiane kanë të drejtë t'i kufizojnë veshjet islamike ku mbulohet dhe fytyra në vende si shkolla apo gjykata. Por, evropianët duhet ta kuptojnë se ndalimi i ferexhes dhe veshjeve të ngjashme cenon liritë individuale.

Mbi të gjithë, francezët duhet ta dinë këtë. Nëse do të frazonim Volterin, do të thoshim: "Nuk e miratoj veshjen tënde, por do ta mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për t'u veshur sipas bindjes".

Shekulli

Fatura e energjisë në Shqipëri merr 27% të buxhetit të një familjeje

Çmimi i energjisë, 50% më i lartë se në të gjithë rajonin.

Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri është 50 për qind më i shtrenjtë se mesatarja e zonave të rajonit. Fatura e dritave u kushton shqiptarëve 27 për qind të të ardhurave bruto të një familje.

Në Shqipëri, një kilovat orë energji kushton 13 lekë ndërsa në Kosovë, e cila e importon pothuajse të gjithë energjinë nga vendi ynë një kilovat orë energji kushton 0.0033 cent ose 0. 33 lekë. Në Maqedoni, një kilovat energji kushton 6.7 lekë ose 64 për qind më lirë se në vendin tonë. Fatura e energjisë që paguajnë familjet shqiptare është pothuajse e barabartë me atë që paguan një familje në Angli edhe pse kjo e fundit ka të ardhurat për frymë mbi dhjetë herë më të larta se një familje shqiptare.


Faturat
Shqiptarët paguajnë faturën më të shtrenjtë për energji elektrike se gjithë vendet me ekonomi të ngjashme. Kështu, fatura e energjisë në vendin tonë është 64 për qind më e shtrenjtë se në Maqedoni. Çmimi mestar i energjisë elektrike në Maqedoni është 6.7 lekë për kilovat orë. Në Shqipëri një kilovat orë energji elektrike kushton 13 lekë. Çmimi i energjisë elektrike që paguhet nga familjet shqiptare është jo vetëm më i larti në të gjithë rajonin, por edhe shpenzimet për energjinë në Shqipëri zënë peshën me të madhe në krahasim me të ardhurat mujore. Nëse do të krahasohet me Maqedoninë paga mesatare neto për një punonjës maqedonas është 20240 dinarë dhe fatura e energjisë për konsumin sipas një fature është sa 15 për qind e pagës mesatare të një punonjësi. Ndërkohë që e njëjta sasi konsumi për një familje shqiptare zë 27 për qind të pagës bruto. Nëse do të llogariteshin edhe taksat e pagës që në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon fatura e energjisë do zinte mbi 30 për qind të pagës. Tarifat e energjisë në vendin tonë janë disa herë më të larta se vendet me standarde më të larta jetese jo vetëm në rajon por edhe në krahasim me vendet më të zhvilluara të botës.


Rritja e çmimit
Nga 1 janari çmimi i energjisë elektrike është rritur me 13 për qind. Enti Rregullator, vendosi rritjen e çmimit të energjisë për të tre operatorët në treg, prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen. Enti vendosi që çmimi me të cilin KESH tregton energjinë e prodhuar, të rritet nga 1.61 lekë për kilovat në 2.03 lekë për kilovat. Rritja është me 0.42 lekë, ose 25.5 për qind. Enti vendosi që edhe OST, për transmetimin e energjisë elektrike të përfitojë nga 0.5 lekë për kilovat, 0.6 lekë për kilovat. Pra 0.1 lek për kilovat, ose 20 për qind. Ndërkohë që tarifa mesatare e energjisë që tregtohet nga OSSH, është rritur nga 8.45 në 9,53 lekë/kilovat. Rritja është 1.08 lekë për kilovat ose 13 për qind. KESH dhe OST ja shesin energjinë OSSH, e cila e faturon te konsumatorët. Nga vendimi i djeshëm i Entit Rregullator, nga 1.01 lekë që i është bërë çmimit mesatar të energjisë, 0.52 lekë do shkojnë në favor të KESH dhe OST. Pra, gati gjysma e çmimit të miratuar dje nga ERE, shkon për të përmbushur kërkesat e kompanive që administrohen nga qeveria. Duket, pak kontradiktore, por janë kompanitë shtetërore që kanë diktuar rritjen e çmim


Faturat
Si të mos mjaftonte çmimi i lartë që familjet shqiptare duhet të paguajnë për një kilovat orë energji të shpenzuar në tre muajt e parë të viti janë regjistruar abuzime në shifra të lartë kryesisht ndaj abonentëve familjar. Madje operatori i shpërndarjes së energjisë ka kërkuar një tjetër rritje të energjisë pasi pretendon se kostoja e shpërndarjes është e lartë për shkak të rrjetit të amortizuar. Në fillim të vitit ankesat kanë arritur nga 50 deri në 70 raste në ditë. Këto raste në pjesën më të madhe të tyre kanë të bëjnë me problemin e mbifaturimit të energjisë elektrike pasi kjo shkelje jo vetëm që nuk reduktohet nga OSSH por sa vjen edhe thellohet. Qytetarët që kërkojnë zgjidhjen e problemit me mbifaturimit e energjisë elektrike deklaronin se nuk mund të gjenin as zyrën për të bërë ankesat e faturave.

Eksportet e energjisë, shifra rekord
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare parashikon të fitojë nga shitja e energjisë për vitin 2010 rreth 5 herë më shumë se një vit më parë. Burime nga KESH bëjnë të ditur se për këtë vit fitimi nga eksporti do të shkojë deri në 100 milionë euro, ndërkohë që në vitin 2009 të ardhurat rezultonin në 22 milionë euro. Sipas të njëjtave burime mësohet se gjatë këtij vitit janë arritur rekordet e prodhimit dhe të eksportimit të energjisë. Ndërkohë parashikohet se parashikohet që brenda 2 ditësh të rinis reshjet masive dhe si rrjedhojë do të ketë rritje të niveleve ujore në hidrocentrale. Aktualisht nivelet ujore janë në pikat maksimale dhe rikthimi i reshjeve do të sjellë detyrimisht nevojën për shkarkim të ujit nga hidrocentralet. Vitin e kaluar, KESH ka pasur të ardhura prej rreth 7.8 miliardë lekësh (rreth 57 milionë euro), gjë që do të thotë se këtë vit, korporata nën pronësi publike mund të shijojë dyfishim të xhiros vjetore. Energjia elektrike po eksportohet përkundrejt çmimit mesatar prej 40 eurosh për MWh, por Shqipëria duket se gjatë këtij viti do të importojë drita përkundrejt çmimit prej 50 eurosh për MWh. Megjithatë, e rëndësishme është që pjesa dërrmuese e kostos së energjisë së importuar, do të mbulohet nga eksportet. Pavarësisht eksporteve të stërmëdha, sipas Stojkut, situata energjetike e vendit mbetet në kushte optimale

Fatura për 300 kilovat
ISHTE

300 kv/orë x 7 lek
2100 lekë
TVSH 20 për qind
2520 lekë në muaj
BËHET
300 kv/orë x 7.7 lekë
2310 lekë
TVSH 20 për qind
2720 lekë në muaj
NDRYSHIMI
250 lekë më shumë

Fatura për 400 kilovat
ISHTE

300 kv/orë x 7 lekë
2100 lekë
100 kv/orë x 12 lekë
1200 lekë
Në total 3300 lekë
TVSH 20 për qind
3960 lekë në muaj
BËHET
300 kv/orë x 7.7 lekë
2310 lekë
100 kv/orë x 13.5 lekë
1350 lekë
Në total 3600 lekë
TVSH 20 për qind
4392 lekë në muaj
NDRYSHIMI
432 lekë më shumë

Çmimi i energjisë
Kosova 0.33 lekë për kilovat orë
Maqedonia 6.7 lekë për kilovat orë
Gjermania 0.55 lekë për kilovat orë


G. Sot