Thursday, February 25, 2010

Neo-otomanizmi dhe Shqipëria

Gjashtë javë më parë, një revistë vendosi të botojë në shqip fjalimin e ministrit të jashtëm turk Ahmet Davutoglu, me titullin "Një Ballkan otoman në shekullin e 21", mbajtur në Sarajevë në ditët e para të vitit 2010.

Në këtë fjalim me sens të theksuar sfidues ndaj asaj që është sot imagjinata e përgjithshme e ballkanasve për Lindjen dhe Perëndimin, të shkuarën dhe të ardhmen e rajonit dhe për thelbin e zhvillimeve brenda dhe rreth gadishullit tonë, gjendej teza se për Ballkanin e shkuara osmane nuk është një pengesë dhe peshë historike, por një vlerë që duhet rigjallëruar. Kjo qasje në esencë provokative dhe e pazakontë, ka shtyrë studuesin dhe botuesin e njohur Piro Misha, që të përgatisë artikullin e meposhtëm.


Në fund të vitit që shkoi, me rastin e ceremonisë së hapjes së konferencës "Trashëgimia osmane dhe bashkësitë muslimane në Ballkan sot', ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, mbajti në Sarajevë një fjalim që ngjalli jo pak debate. Debatet kësaj here s'kishin të bënin me çështje të tilla të nxehta të politikës ndërkombëtare siç janë lufta në Irak, qëndrimi ndaj Iranit, Sirisë, Hamasit apo dhe Sudanit, ku tashmë pozicionet e Ankarasë ndryshojnë dukshëm nga ato të Perëndimit. Ato kësaj here kishin të bënin me atë që mjaft analistë e kanë quajtur frymëzimi 'neo-otoman' apo neo-imperial (sipas revistës së njohur amerikane 'Forbes') i politikës së jashtme turke. Sepse për herë të parë në Sarajevë ministri i jashtëm turk konfirmoi dyshimin që, ç'është e vërteta, kish kohë që qarkullonte, se ambicja e Turqisë për t'u bërë fuqi globale nënkupton krijimin e një zone të ndikimit (apo të hegjemonisë) turk, e cila nis në Afganistanin e largët e përfundon në brigjet e Adriatikut. Pra, pikërisht në territoret ku dikur sundonin osmanët.

Duke qënë në Sarajevë, kuptohet që në qëndër të fjalës së ministrit të jashtëm turk ishte para së gjithash Ballkan. Ftesa që Davutoglu i dërgoi qw aty rajonit ishte krejt e qartë: Ballkani, sipas tij, sot s'është veçse një periferi e shpërfillur e Europës, viktimë e konkurencës botërore. Ndërkohë që i ka të gjitha mundësitë të bëhet një qëndër e vërtetë e politikës botërore, nëse vendos të kthehet sërish në rolin e vet të natyrshëm si një qëndër strategjike e Afro-Euro-Azisë, siç paskesh qënë gjatë shekujve të sundimit osman që, gjithnjë sipas Davutoglusë, përbëjnë 'epokën e artë të Ballkanit.' Pra, sipas Davutoglusë, e ardhmja e rajonit është në të shkuarën e tij. "The Ottoman era in the Balkans is a success story. Now it needs to come back...Now is the time for reunification." kumtoi ai.

Sigurisht që do ishte e udhës të diskutonim gjatë për variantin Davutoglu të historisë, por le të mjaftohemi duke thënë se, së paku ndër qarqet akademike të rajonit, zor se mund të gjesh ndokënd që të ndajë të njëjtin mendim me të. Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se fjala e ministrit të jashtëm turk në Sarajevë s'kish të bënte thjesht me Ballkanin. Sepse, në fakt, rajoni ynë s'është veçse një pjesë e vogël e strategjisë së re gjeopolitike turke. Ambicja turke është e madhe: 'Janë 23 vende, - shpalli Davutoglu, - që janë të afërmit tanë dhe presin diçka prej nesh. . .. Në sytë e tyre, Turqia është qendra. ...E thënë shkurt, historia jonë është e njëjta, fati ynë është i njëjti dhe e ardhmja jonë do të jetë e njëjta. Ashtu si në shekullin XVI, ku ndodhi ngritja e Ballkanit Otoman në qendrën e politikës botërore, ne do ta bëjmë Ballkanin, Kaukazin dhe Lindjen e Mesme, bashkë me Turqinë, qendrën e politikës botërore në të ardhmen. Ky është objektivi i politikës së jashtme turke dhe ne do ta realizojmë këtë. Ne do të riintegrojmë rajonin e Ballkanit, Lindjes së Mesme dhe Kaukazit ...".

Teksa lexon fjalën e Davutoglusë në Sarajevë të bie në sy dhe një fakt tjetër. Në të Bashkimi Europian s'përmendet as edhe një herë të vetme, ndonëse bëhet fjalë për një rajon që thuajse në tërësinë e tij është pjesë apo aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Arsyen e kësaj heshtjeje s'është e vështirë ta marrësh me mend: Në vizionin e ri gjeopolitik turk prania e shtuar europiane në Ballkan përbën një konkurencë të padëshiruar. Një gjë të tillë Davutoglu e lë të kuptohet dhe në një editorial që ka shkruar për të përditshmen e Beogradit, 'Politika', të titulluar 'Turqia dhe Serbia, dy vendet kyç të Ballkanit", ku ankohej se, si rezultat i zgjerimit të BE-së në rajon, dinamika e politikës turke në Ballkan gjatë dekadës së fundit qe ngadalësuar.

Në të njëjtin shkrim më tërhoqi vëmëndjen dhe një tjetër pasazh. "Edhe sot, - shkruante Davutoglu, - kultura e Ballkanit përbën një element të rëndësishëm të kulturës turke në sajë të atyre miliona turqve që emigruan që aty, kur Perandoria osmane nisi gradualisht tërheqjen nga Ballkani."

Përse e ka fjalën?
Për atë që njeh historinë e Ballkanit s'është fakt i panjohur se bashkë me ushtritë dhe administratën osmane, që aty u larguan apo u dëbuan dhe mjaft turq etnikë. Por njëkohësisht di dhe se s'bëhet fjalë kurrsesi për miliona. Ata mund të bëhen miliona vetëm nëse konsiderohen turq dhe ata dhjetra e qindra mijëra shqiptarë (boshnjakë etj) që u dëbuan nga trojet e veta në Greqi e Jugosllavi. Dhe ç'është e vërteta, asokohe ata vërtet u konsideruan të tillë dhe jo vetëm nga grekët e serbët, por së pari nga vetë qeveria turke. S'duhet harruar se deri në fund të sundimit të tyre, osmanët s'pranuan se ekzistonte një komb shqiptar, duke këmbëngulur se shqiptarët e besimit musliman ishin thjesht turq, ndërsa ata ortodoksë grekë. Shqiptarët ishin të vetmit në Ballkan të cilëve s'iu lejua të përdornin gjuhën e tyre amtare, as atëhere kur kjo e drejtë iu dha gjithë popujve të tjerë. Dhe se ç'pasoja të rënda solli një politike e tillë (në akord të plotë me nacionalistët fqinjë) tashmë dihet. Siç dihet dhe se ky qëndrim turk në thelb s'ndryshoi as pas krijimit të republikës turke, gjë që e dëshmon dhe traktati greko-turk i Lozanës i vitit 1923, për shkëmbimin e popullësisë, një nen i veçantë i të cilit i konsideronte turq gjithë muslimanët që banonin në Greqi, duke ligjëruar kësisoj dëbimin e parë masiv të popullsisë çame.

Marrëveshje të ngjashme që shërbyen për të ligjëruar dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre, Turqia lidhi dhe me Jugosllavinë, madje deri vonë në kohën e Titos. Në ndonjë rast ajo i përdori këto marrëveshje dhe për të nxjerrë përfitime të tjera, siç qe zëvëndësimi i gjuhës shqipe me turqishten në Kosovë. Po ashtu, s'duhet harruar se qindra mijëra muhaxhirët shqiptarë apo boshnjakë që s'dinin asnjë fjalë turqisht, me të mbërritur në Turqi i nënshtroheshin një politike intensive asimilimi, në zbatim të një prej parimeve bazë mbi të cilët ngrihej (dhe vazhdon të ngrihet) shteti turk: në Turqi ka vetëm turq. Por, ç'është më e rëndësishmja, këta njerëz, për të cilët në Beograd z.Davutoglu thotë se janë turq, ndërsa në Tiranë a Sarajevë i quan shqiptarë e boshnjakë, sot janë njimend qytetarë turq, të cilëve s'u ka mbetur veçse një kujtim i zbehtë i prejardhjes së gjyshërve apo stërgjyshërve të tyre, të ardhur kohë më parë nga Kosova, Maqedonia, Sanxhaku e gjetkë.

U zgjata disi në këtë pikë jo pa arsye. Tashmë kuptohet se përmendja vend e pavend e të ashtuquajturve shqiptarë të Turqisë s'është e rastit. Në fakt në Sarajevë, Davutoglu e bëri të qartë se legjitimiteti i pretendimeve gjeopolitike turke ndaj një sërë zonash të Ballkanit e gjetkë, mbështetej dhe në faktin se aktualisht në Turqi banokan më shumë shqiptarë, bosnjakë, çeçenë e abkazë, sesa në vetë vendet e tyre respektive. Kohët e fundit këtë pretendim e gjen të përmendet gjithnjë e më shpesh dhe në shtypin ndërkombëtar. Vetiu kur dëgjon deklarime të tilla, të vijnë në majë të gjuhës disa pyetje. P.sh: Nga vallë e kanë një informacion të tillë, pra që në Turqi qënkeshin 5 milion shqiptarë, kur dihet që aty s'është bërë asnjëherë ndonjë census i kësaj natyre?! Po, mirë, derisa pranohet se paska kaq shumë shqiptarë, a kanë ata vallë mundësi të ushtrojnë ndonjë prej të drejtave që universalisht u njihen pakicave?

Në dhjetor të vitit që shkoi, presidenti turk, Abdullah Gul, e çoi dhe më tej këtë spekullim kur, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, në një ceremoni të organizuar në shkollën turke Turgut Ozal, deklaroi: "Me lejoni të them, të gjithë ne së bashku jemi pjesë e një kombi të madh."

Të ç'kombi?
Sepse, sipas çdo përkufizimi të pranuar botërisht të konceptit komb (nation), shqiptarë e turq s'mund të jenë i njëjti komb, veç në rast se konceptin modern të kombit e zëvëndësojmë me atë të miletit të kohës së osmanëve, kur banorët e Perandorisë ndaheshin jo në bazë të etnisë, por sipas përkatësisë fetare, duke i futur shqiptarët e besimit musliman në të njëjtin milet me turqit, çeçenët, arabët etj, ndërsa ata të besimit ortodoks, në miletin rom, së bashku me grekët, serbët, bullgarët e kështu me radhë.

Sidoqoftë, të gjitha këto sa u thanë, duke përfshirë dhe vetë fjalën e Davutoglusë, në fund të fundit, do merreshin si një retorikë patëkeq, sikur prej disa vitesh qarqe të caktuara turke të mos punonin në terren sipas të njëjtës logjikë.

Në ju kujtohet, i pari shqetësimin për këtë e ngriti Arbër Xhaferi që para tre vjetësh. Në shtator 2007, në shkrimin 'Pasojat e akraballëkut', ai tërhiqte vëmëndjen për faktin se segmente të caktuara të shoqërisë apo shtetit turk, nën petkun e veprimtarive fetare, po organizonin e financonin manifestime, qëllimi i vërtetë i të cilave dukej se ishte të tregonin se shqiptarët janë pjesë e pashkëputur e qytetërimit osman. Si ilustrim ai përmendte një ngjarje të ndodhur në Librazhd, 'ku autoritetet fetare të kësaj ane, së bashku me segmente të caktuara turke, organizuan synetimin kolektiv të mëse 200 fëmijëve shqiptarë, sipas traditës turke. Kamara e Top Channel-it, - vazhdonte Xhaferi, - na ofroi pamje nga kjo ngjarje bizarre ku fëmijë të veshur me rroba prej sateni të bardhë, me kapuçë në trajtë të fesit ku shkruhej 'Mashallah', valëvitnin herë flamuj të shtetit turk dhe herë ato shqiptarë....Ç'është e vërteta, - vazhdonte ai, - ngjarje të tilla politiko-fetare s'janë aksidentale....Kohë më parë në muajin e Ramazanit, struktura të tilla organizonin iftare kolektive në sheshet e qyteteve që dikur ishin të sunduara nga Perandoria Osmane. Këto projekte që kontrabandohen nëpërmes petkut fetar krijojnë një varg problemesh brenda për brenda komunitetit shqiptar, por dhe në raportet shtetërore e kombëtare të shqiptarëve në kontekstin europian." paralajmëronte ai, duke shtruar pyetjen: "Ç'do ndodhte sikur dhe grekët apo serbët të bënin të njëjtën gjë. Pra të organizonin dhe ata ceremoni të tilla për të pagëzuar fëmijtë ortodoksë shqiptarë duke u vënë të valëvisnin në duar flamuj grek apo serb?"

Mund të sillen mjaft shembuj të tjerë të ngjashëm. A ju kujtohen polemikat në Tetovë kur festimi i iftarit në qëndër të qytetit u shfrytëzua për të glorifikuar Perandorinë Osmane? Shumëkush vjet në Tiranë u habit kur Bashkia e Stambollit e shfrytëzoi festimin e iftarit për ta mbushur sheshin Skënderbej plot me flamuj turq. Sivjet e njëjta gjë u përsërit në Shkodër. Dhe, për çudi, askush s'u kujtua se flamuri turk është thjesht flamuri kombëtar i një shteti tjetër që s'ka asnjë arsye përse të përdoret në një veprimtari me karakter fetar të organizuar në Shqipëri.

Të gjitha këto gjer dje mendoheshin si nisma qarqesh të caktuara. Fjala që ministri i jashtëm turk mbajti në Sarajevë u jep atyre një tjetër domethënie.

Në fakt, s'është e vështirë të dallosh se gjithë ngrehina gjeopolitike e Ahmet Davutoglusë mbështetet kryesisht në dy elementë politiko-kulturor: te feja islame dhe tek historia, ose më konkretisht, e ashtuquajtura trashëgimi osmane. Të dy këta elementë përdoren për të krijuar atë lidhje të shkurtër, trashëgimi osmane- fe Islame- Turqi, që do bënte të mundur suksesin e strategjisë së re turke. Janë të njëjtët elementë ku fokusohet veprimtaria e qarqeve që përmend Arbër Xhaferi.
Perandoria Osmane

Ç'është e vërteta, po ashtu s'është shumë e vështirë që pas fasadës fjalëshumë të disa prej të ashtuquajturve debate për historinë apo identitetin e shqiptarit të viteve të fundit, të dallosh se ajo që është në të vërtetë në lojë s'është e shkuara por e ardhmja jonë. Duke këmbëngulur për një rivlerësim tërësor të vendit që zë trashëgimia e periudhës osmane dhe, për pasojë, komponenti kryesor që lidhet me të, feja islame, në vetidentifikimin kolektiv, në kulturën dhe, më në përgjithësi, në qenien shqiptar, ajo që kërkohet të arrihet s'është as më shumë e as më pak, por një ripërkufizim i vetpërcaktimin historik të shqiptarëve dhe rrjedhimisht, i vendit të tyre në botën moderne. Sigurisht, vetë projekti 'Europë', për shkak të popullaritetit të madh që ka, rallë herë ndodh të sulmohet ballazi. Këtë e bëjnë vetëm ca grupe krejt të margjinalizuara e pa ndonjë ndikim real në shoqëri. Por ideja e hedhur herë pas here për një Shqipëri as Lindje e as Perëndim, sipas të cilës për shkak të historisë si dhe të besimit të supozuar musliman të pjesës më të madhe të shqiptarëve, pozicioni ynë gjeopolitik më i natyrshëm do të ishte ai i një ure lidhëse, me rolin e ndërmjetësit të përhershëm mes Azisë dhe Europës, Lindjes dhe Perëndimit, të djeshmes e së ardhmes, s'është larg vizionit të Davutolgusë. Duhet shtuar se ky lloj ligjërimi më së shumti paraqitet nën një petk nacionalist, ku një vend të rëndësishëm e zë amplifikimi i stereotipave dhe dyshimeve ekzistuese ndaj fqinjëve tanë të krishterë, si armiqtë tanë historikë, nga kërcënimi i të cilëve na paska mbrojtur historikisht pikërisht Turqia dhe besimi ynë musliman.

'Ka ardhur koha të mos injorohet identiteti aktual i shqiptarëve, - revoltohet shkrimtari dhe ish-politikani kosovar Milazim Krasniqi, një ndër zëdhësit kryesorë të atyre që mund të përkufizohen sot si neo-otomanistët shqiptarë, duke u ankuar se: 'fëmijët tanë ende mësojnë se armiqtë historikë të shqiptarëve dalin si aleatë të shqiptarëve dhe aleatët e vërtetë të shqiptarëve, ende paraqiten si armiq...Krahas identitetit kastriotik, - shton ai,- dhe prodhimit të tij në historinë dhe kulturën kombëtare, duhet të pranohet dhe ajo shtresë e identitetit kulturor me prejardhje otomane, e cila në fakt u bë tharmi i ideologjisë kombëtare të shqiptarëve.'

Të kuptohemi, kur flas për trashëgiminë osmane, s'e kam aspak fjalën tek nevoja e një rishqyrtimi kritik e serioz të kësaj pjese të trashëgimisë sonë historike, si pjesë e rileximit të mbarë historisë, duke iu shmangur skematizimit me frymëzim romantik nacionalist që ka karakterizuar përgjithësisht deri më sot trajtimin e kësaj periudhe. Kjo, sigurisht, është diçka që duhet bërë, sa më shpejt e sa më mirë. Fjala është tek përpjekjet që po bëhen për të rehabilituar e riaktualizuar trashëgiminë (e nostalgjinë) e Perandorisë Osmane, të cilat në të vërtetë, s'kanë asnjë lidhje me interesat akademikë, pavarësisht se jo rrallë mundohet të paraqitet nën një petk të tillë. Në këtë kontekst, është mirë të sqarohet, për të mos krijuar ekuivoke, se s'ka asnjë dyshim se bashkëjetesa jonë e gjatë në gjirin e Perandorisë Otomane ka ndikuar në të gjitha fushat e jetës sonë, në mendësitë, shprehitë e deri tek mënyra e sjelljes dhe e jetesës. Trashëgimia osmane është pjesë përbërëse e gjithë trashëgimisë historike e kulturore të popujve të Ballkanit të sotëm, pavarësisht se ky ndikim diku vërehet më shumë e diku më pak në varësi nga një sërë faktorësh, por para së gjithash nga kohëzgjatja e këtij sundimi e koha që ka kaluar që nga ndarja me Perandorinë Osmane. Por, s'është ky problemi. Pyetja që shtrohet pasi ke lexuar tekstin e Davutoglusë është kjo: A përbën ndikimi i kësaj të shkuare një realitet të tillë social e kulturor sa të përbëjë një arsye serioze për të riparë gjithë përfytyrimet që kemi për veten, apo për shoqërinë në të cilën jetojmë, e për pasojë, dhe vetë idenë që kemi për vendin tonë në botë e në histori?

Në të vërtetë, ndonëse trashëgimia osmane vazhdon të jetë e pranishme, ndikimi i saj ka kohë që është në një proces të vazhdueshëm bjerrjeje, i cili nis që atëherë kur nisi të merrte fund sundimi osman dhe gjithë popujt e gadishullit i drejtuan sytë drejt Europës, duke parë oksidentalizimin si të vetmen mundësi për të dalë nga prapambetja e thellë e trashëguar. Fakti është që duke nisur nga fundi i shek. XIX e fillimi i atij të XX, në gjithë rajonin tonë kemi një ndërprerje drastike të ndikimit aktiv të kësaj trashëgimie pothuajse në të gjitha sferat e jetës, për t'ia lënë vendin një sërë ndikimesh të reja, kryesisht nga Europa, ndikimi i së cilës gjatë shekullit të XX pa asnjë ngurrim mund të thuhet se bëhet dominues. E gjithë kjo sa thamë, vlen padyshim dhe për ne. Madje, dhe për vetë turqit, të cilët, siç dihet, e ngritën republikën e tyre moderne nën udhëheqjen e Ataturkut, pikërisht duke iu kundërvënë me ashpërsi trashëgimisë politike, sociale e kulturore të Perandorisë, e cila shihej si një pengesë në rrugën e zhvillimit dhe europianizimit të vendit.

Është fjala pra, për një proces kompleks, i cili nis me përpjekjet për emancipim kombëtar të shekullit të XIX e përfundon me integrimin e vendeve ballkanike në BE e NATO. Dhe këtu më lejoni të shtoj se arsyeja pse për elitat shqiptare europianodashëse integrimi në BE e në NATO ka një rëndësi të tillë historike, lidhet jo vetëm me motive që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik apo sigurinë, por edhe sepse ky integrim e bën faktikisht të pakthyeshëm udhëtimin tonë drejt Europës, duke shmangur kësisoj njëherë e mirë frikën e shkarjes sërish drejt së shkuarës. Ndaj dhe çdo hap më tej në këtë rrugë, është një hap më larg ndikimit të trashëgimisë osmane, njëlloj siç po i largohemi përvit e më shumë ndikimit që vazhdon të ketë periudha, gjithsesi mjaft më e shkurtër, e Enver Hoxhës. Pikërisht vetëdija se shpejt procesi ynë i europianizimit do mbërrijë në pikën e tij të pakthyeshmërisë, shpjegon reagimin e shtuar të Milazimëve me shokë.

Dhe le ta mbyllim duke kujtuar atë që shkruan studjuesja Maria Todorova: "Trashëgimitë nuk janë të përhershme, - shkruan ajo, - e aq më pak parësore, ...me gjithë ndikimin e tyre të tejzgjatur dhe të thellë, ato janë fenomene historike me terminum post quem dhe ante quem të tyren. Çdo fetishizim i karakteristikave të tyre sipas vijash ndarëse të palëvizshme e të pandryshueshme të qytetërimeve mund të jetë, natyrisht, objekt propagande ideologjike ose i një praktike të sipërfaqshme të shkencave politike, por nuk mund të jetë legjitim si hipotezë pune për historinë."

* * *

Sigurisht që pasi u thanë të gjitha këto, të lind vetiu pyetja: a ka arsye për t'u shqetësuar? A ka diçka të vërtetë në atë që shkruante një lexues në rubrikën e komenteve që shoqëronin botimin në gazetën Shekulli të shkrimit të fundit të Arbër Xhaferit, 'Sfida Osmane', që merrej pikërisht me fjalën e Sarajevës të Davutoglusë: 'Edhe një here Turqia po përpiqet të na ndajë nga Europa. Kësaj here kërkon të minojë gjithë procesin e integrimit të Shqipërisë në Europë dhe të na kthejë në 'vathën osmane' dhe pjesë të planeve të saj ndoshta për një 'betejë' tjetër me Europën për Ballkanin. Shqiptarët e rrëzuan komunizmin për një Shqipëri europiane dhe jo 'osmane'."

A ekziston vërtet një rrezik i tillë?
Në shikim të parë mund të thuhet jo, përderisa pjesa dërrmuese e shqiptarëve tashmë e ka bërë zgjedhjen e saj. Ndaj dhe çdo propozim që na shmang nga rruga europiane s'do të ishte realist dhe as i pranueshëm. Natyrisht që do duhej që liderët tanë politikë t'ua bënin atyre të qartë e pa asnjë ambiguitet zyrtarëve turq se Shqipëria e vlerëson mjaft zhvillimin e marrëdhënieve me një vend mik si Turqia, por se kjo miqësi s'mund të bazohet në teza si ato të Davutoglusë, pra as në nostagjinë osmane e as në solidaritetin fetar! Po ashtu, ata duhet të bëjnë të qartë se kësaj miqësie tashmë të konsoliduar s'i shërbejnë veprimet e disa qarqeve të caktuara, aq më tepër kur dihet se shqiptarët janë tepër të ndjeshëm kur dyshojnë se dikush përpiqet ta përdorë fenë për qëllime të tjera me pasoja përçarëse. Shpresoj që nëse s'e kanë bërë, do ta bëjnë në rastin më të parë. Sidoqoftë, më lejoni të bëj një parantezë për shijen jo të mirë që të lë ndonjë zyrtar i shtetit shqiptar, kur nxiton t'i mbajë ison tezave të Davutoglusë. Njërin syresh duket e kish rrëmbyer aq shumë entuziazmi, sa duke shkruar me pseudonim, e quante strategjinë e re gjeopolitike turke si gjeniale, ndërsa vetë arkitektin e saj, z.Davutoglu, një personalitet të jashtëzakonshëm, i kalibrit të një Kisingeri! Natyrisht që çdo qytetar i lirë ka të drejtë të shprehw mendimin e vet, por kur bëhet fjalë për një zyrtar, s'ka si të mos shtrohet pyetja: a përputhet kjo me politikën zyrtare të shtetit apo të dikasterit që përfaqëson? Një tjetër zyrtar edhe më i lartë në rang, doli në televizon dhe pas një tirade të gjatë për miqësinë tradicionale shqiptaro-turke, nisi të fliste për një ndwr mitet e hedhur jo pa sukses vitet e fundit në qarkullim, si pjesë e ofensivës së sipërpërmendur propagandistike: për të ashtuquajturin rol të privilegjuar që paskeshin patur shqiptarët në Perandori. Dhe teksa po e dëgjoja, padashje më erdhën ndërmend ajo që shkruante Faik Konica që në vitin 1903, duke iu kundërvënë propagandës së disa qarqeve turkoshake të kohës kundër lëvizjes sonë kombëtare. "Çuditem si u perhap ky gomarllëk (se shqiptarët komandojnë në Perandorinë Turke), - shkruante ai tek 'Albania'- Shqiptarët janë një e katërmbëdhjeta pjesë e Turqisë (llogariten dy milion). Në Turqi ka 80 vilajete. Vetëm Abedin pasha është vali shqiptar sot pwr sot. Mutasarifë nga 250 që qeverisin Turqinë, ka vetëm 7 shqiptarë...Gjeneralë në 3-4 qind, janë nja dhjetë shqiptarë. Në diplomaci përveç një kryeshkronjtor. Gjithë vendet e mira janë për turq, për grekër e armenë... Mua nuk më vjen keq fare, për kundrë më pëlqen t'i dëbojë Sulltani të gjithë shqiptarët pak nga pakë, se atëherë do të zënë të mësojnë ment...Pse nuk njohin se në ka shume shqiptarë në punë të qeverisë, janë për vëndet e ulta, zaptien, çaushë etj, vende ku s'mundin të "zotërojnë" një mbretëri?...."

Natyrisht që Turqia është një vend i madh që mund të aspirojë fare mirë për t'u bërë një fuqi globale, duke ndërmarrë për këtë qëllim dhe nismat e duhura politike, propagandistike etj. Nga ana tjetër, shqiptarët i kanë të gjitha arsyet ta shohin me simpati rritjen të pranisë politike e ekonomike turke në rajon, si dhe në vendin tonë ku, siç dihet, vitet e fundit vwrehet një rritje e ndjeshme e kësaj pranie, sidomos në ekonomi. Vlen të përmendet gjithashtu, rrjeti i gjërë i institucioneve arsimore turke në Shqipëri, me mbi 7.000 frekuentues (3860 aktualisht dhe 3260 që janë diplomuar) dhe 612 mësues e staf administrativ. Institucionet arsimore turke sot mbulojnë në Shqipëri thuajse gjithë ciklin arsimor, që nga kopshti deri tek universiteti, duke qënë padyshim dhe një faktor i rëndësishëm i promovimit të gjuhës dhe të kulturës turke. Ndër të tjera, kjo shpjegohet dhe me reputacionin e mirë që ato përgjithësisht gëzojnë, si për cilësinë, ashtu dhe për displinën që ofrojnë. Por, këtu ka dhe një por.... Që ka të bëjë me trasparencën. Sepse mendoj se do të ishte normale që opinioni publik shqiptar të ishte më mirë i informuar për "Lëvizjen Gulen", që ka në pronësi këto shkolla, ç'përfaqëson ajo, e pse jo, edhe për polemikat që ka pasur herë pas here në Turqi për të dhe themeluesin e drejtuesin e kësaj lëvizjeje, Fetullah Gulen. Sepse vërtet shumëkush, jo vetëm në Turqi, por dhe në botë, e vlerëson lart kontributin që kjo lëvizje jep për të promovuar tolerancën, dialogun mes feve dhe qytetwrimeve, si përfaqësuese e një islami të moderuar, që i kundërvihet rrymave radikale. Por, po aq e vërtetë është se ka të tjerë që e shohin atë me dyshim, si një lëvizje në thelb politike, që ka si objektiv të krijojë një elitë të aftë për të realizuar islamizimin e shtetit e shoqërisë turke. Si është e vërteta? Këtë unë s'di ta them. Por në Ballkan sa më shumë transparencë, s'bën asnjëherë keq.
Lutës në shtëpitë e arnautëve. (Shqiptarë në Turqi)

Si përfundim: S'ka dyshim se teza si ato të Davutoglusë përbëjnë një sfidë, e cila bëhet edhe më e madhe, nëse vërtet pas tyre qëndron një shtet i fuqishëm, siç është Turqia. Por është një sfidë e cila mund të përballohet, pa dëmtuar aspak marrëdhëniet mjaft të mira që kemi me Turqinë, përsa kohë që udhëheqësit tanë do ta kenë të qartë se cili është vërtet interesi ynë kombëtar dhe do të jenë zëdhënws të pjesës dërrmuese të shqiptarëve, që mendojnë njëlloj si Kadareje, se '...ky Perëndim ashtu siç është, problematik, arrogant, më shumë mospranues se pranues, ky Perëndim që ashtu si demokracia, ashtu si vetë liria nuk qënkish aq i bukur e as aq i përsosur siç e kishim përfytyruar në kohën e fatkeqësisë sonë, ky Perëndim mbetet zgjedhja jonë e vetme."


Pirro Misha, Shekulli

Kur flasim për shqipen

Autori i "Shqipes totalitare" vepra që së fundi për kontributin në mendimin kombëtar, fitoi çmimin "Gjergj Fishta", vazhdon të ngrejë shqetësimin për shqipen publike dhe çështjet e saj më kyçe.

Ardian Vehbiu pohon se përdorimi dhe mirëmbajtja e saj nuk mund t'iu besohet emocioneve politike, entuziazmit romantik për lashtësinë dhe krenarisë provinciale të koleksionistëve.

Si diskutohet për gjuhën shqipe në kuvendet publike mbarëshqiptare? Çfarë i intereson publikut të dijë dhe si ndërlidhet kjo me qëmtimet dhe interesat e specialistëve të fushës? Ç'trajta po merr debati për gjuhën në moshën e Internetit dhe të prurjeve gjerësisht anonime në debatin vetë?

1. Shqipja gjuhë e lashtë

Asnjë diskutim i mirëfilltë për shqipen nuk do të respektohej nga publiku i gjerë, nëse nuk do t'i kushtonte vëmendje historisë së gjuhës.
Ende bij të Rilindjes, ne shqiptarët jo vetëm e respektojmë lashtësinë, por vetvetiu e duam të lashtë gjithçka që respektojmë.

Megjithatë, mosha e një gjuhe nuk matet dot në mënyrë kalendarike, ndryshe nga dokumentet, të cilat datohen; dhe shqipja jonë është po aq "plakë" sa edhe çdo gjuhë tjetër indo-europiane.

Për gjuhëtarët, historianët dhe antropologët historia e shqipes është burim i çmuar njohurish për marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera dhe evoluimin e strukturave të saj; por edhe për historinë e hershme të vetë shqiptarëve dhe të parëve të tyre, arbërve e më tej në të shkuarën, sidomos po të kihet parasysh se shqipja dokumentohet me shkrim relativisht vonë.

Përndryshe, lashtësia e shqipes dhe fytyra e saj legjendare në parahistori, si tema të nxehta të debatit publik, janë shkëputur tashmë nga tryezat akademike, për të kërcyer drejt hapësirave irracionale të mitit, ku qarkullojnë ngazëllyeshëm sot e kësaj dite.

2. Shqipja e pastër

Opinioni mbarëshqiptar e ka ruajtur ndjeshmërinë ndaj fjalëve të huaja në shqipen e ligjërimit publik, sidomos kur këto fjalë janë huazuar së voni ose po sillen në përdorim nga ligjërues individualë të shkujdesur dhe snobë.

Nga ana tjetër, nocionet e pastrimit dhe të pastërtisë së shqipes i kanë rrënjët në filozofinë dhe vizionin kulturor të Rilindjes sonë kombëtare dhe të romantizmit përkatës; por të tejbartura në realitetin e sotëm gjithnjë kërcënojnë t'i imponojnë debatit publik pseudo-probleme.

Opinioni publik vëren, me të drejtë, edhe se përmbytja e leksikut nga fjalë të huaja tradhton një pafuqi ose sëmundje jo aq të shqipes vetë, sesa të institucioneve që merren me mirëmbajtjen e saj.

Megjithatë, nga kaosi i sotëm në normën leksikore nuk dalim dot duke pastruar, fshirë me fshesë ose dëbuar fjalët që s'na pëlqejnë. Në thelb, nocionet mitike të pastërtisë dhe të pastrimit i referohen një modeli arkaik të mirëmbajtjes së gjuhës nëpërmjet dezinfektimit.

Aq më tepër që, sikurse e di çdo kopshtar i mirë, kopshti nuk selitet vetëm duke ia qëruar barërat e këqija; duhet treguar kujdes e vëmendje edhe për perimet vetë.
Prandaj ia vlen të diskutojmë, seriozisht, si mund ta pengojmë këtë vërshim fjalësh të huaja ose si t'ia forcojmë imunitetin shqipes, përballë agresionit që i vjen natyrshëm e detyrimisht nga jashtë; duke mbajtur parasysh se përmbytja nuk mund të ndalet e tëra, por vetëm të mbahet nën kontroll e të kanalizohet me mençuri.

3. Shqipja e pasur

Shqipja mund të jetë vërtet gjuhë e pasur në fjalë, shprehje dhe forma; por pasuria e shqipes sot u përngjan më shumë magazinave pa inventar dhe arkivave të fjetura të një muzeu ku fjalët ruhen të kataloguara shkeleshko.

Prej shekujsh dijetarë të përkushtuar i kanë dhënë kulturës shqiptare lista dhe fjalorë fjalësh e shprehjesh të rralla, të qëmtuara poshtë e lart trojeve shqiptare e të organizuara në stenda po aq baroke e të admirueshme sa ato të entomologëve: flutura, brumbuj e kandrra shumëngjyrëshe kapur lëndinave gjuhësore e ngulur me thumba në kartonet arkivore, për kënaqësinë e vizitorit gjuhëdashës e të rafinuar.

Mirëpo sot shqipes i lypen më shumë fjalë monedha në qarkullim tregu, sesa njësi të çmuara koleksionesh numizmatike; sepse visaret në fjalorët nuk përdoren dot me përfitim, sa kohë që publiku nuk i njeh as i arrin dot në trajtat ekzistuese, as i ndien t'i tringëllijnë në xhep.

Si çdo gjuhë tjetër moderne, shqipja do të pasurohet në ligjërim e sipër - si gjuhë e politikës dhe e shkencës, e sallës së gjyqit dhe e teatrit, e gazetës dhe e poezisë, e tempullit dhe e galerisë së artit, e romanit dhe e Internetit, në një shoqëri plurale dhe të hapur ndaj diversitetit.

Edhe në këtë kontekst, debati publik bën mirë t'i rrijë larg kapardisjes provinciale me "pasurinë" leksikore të shqipes; sepse shqipja që sot flasim e shkruajmë mbetet e varfër për nga shprehësia dhe zhdërvjelltësia, madje artificialisht e varfëruar; dhe kjo nuk ndodh ngaqë po shpërfillen fjalorët e fjalëve të rralla, plaka e të harrueme; por për shkak të lëvrimit asimetrik që i është bërë dhe po i bëhet shqipes publike vetë.

Pasuria e gjuhës nuk ndahet dot nga pasuria e kulturës; dhe kjo e dyta varet prej zotimit tonë kulturor të përgjithshëm, duke filluar që nga mësuesja e klasës së parë fillore, deri në lartësitë e Nobelit të letërsisë.

4. Standardi dhe gegërishtja

Nga të gjitha keqkonceptimet, ky i standardit gjuhësor është më i mbarsuri me konflikt; meqë kërcënon të futë në luftë kulturore veriun me jugun, të majtën me të djathtën, katolikët me ortodoksët; duke u shndërruar në metaforë kobzezë të të gjitha kundërtive të qena e të paqena që e përçajnë sot shoqërinë dhe kulturën shqiptare.

Natyrisht, kultura bashkëkohore shqiptare e kërkon debatin të gjallë për standardin; çështja këtu është nëse ky mund të mbahet larg pseudo-debatit për marrëdhëniet e toskërishten me gegërishten.

Në fakt, problemet e sotme të shqipes publike janë probleme të zhvillimit dhe të modernizimit mbarëshoqëror, të cilat pak lidhen me rrënjët dialektore të standardit, grupet ua/ue dhe paskajoren e flijuar... prandaj edhe nuk mund të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të qëndrueshme veçse brenda standardit vetë.

Për fat të keq, edhe në këtë aspekt shqetësimi publik ka mbetur peng i një vizioni historik-romantik që refuzon të marrë parasysh se, para se të mbështetet në këtë ose në atë dialekt a variant letrar dhe pavarësisht nga mënyra e dhunshme si u imponua gjatë regjimit komunist, standardi ekzistues ngrihet kryesisht mbi ç'kanë të përbashkët dialektet mes tyre.

Nëse disa përdorues sot e kanë të vështirë ta përvetësojnë dhe ta përdorin standardin siç duhet, kjo me siguri varet, para së gjithash, nga statusi i tyre social; sikurse lidhet pastaj edhe me plogëtinë e vetë institucionit të autoritetit dhe të modelit në ligjërimin shqip, në të gjitha fushat.

Përfundime

Shqipja publike, përdorimi i saj dhe mirëmbajtja, sikurse kujdesi për lëvrimin e saj janë çështje tepër kritike për t'iu besuar emocioneve politike, entuziazmit romantik për lashtësinë dhe krenarisë provinciale të koleksionistëve.

Debati publik për gjuhën ndikon drejtpërdrejt në shkallën e integrimit të ndërsjellët midis kësaj dhe kulturës, në një periudhë kur areali shqiptar në Ballkan dhe anembanë botës po komunikon së brendshmi më dendur e më frytshëm se kurrë më parë.

U takon specialistëve të gjuhës dhe intelektualëve publikë të luftojnë për ta mbajtur këtë debat larg pasioneve të diletantëve dhe të fokusuar në çështjet e mirëfillta të përdorimit dhe shëndetit të gjuhës shqipe, veçanërisht të shqipes publike, në rrethanat e sotme sociale dhe kulturore, kur shqiptaria ballafaqohet gjerësisht me sfidat e integrimit në Europë.

Ardian Vehbiu, Shekulli

Etimologjia e emrit Shqipëri, shqiptar, Albania, albanese

Është interesant fakti se si shqipëtarët quajnë vendin dhe veten e tyre, dhe se si ata quhen nga të huajt. Vëndi ku shqiptarët jetojnë sot quhet Shqipëri dhe banorët pikërisht shqiptarë, ndërsa të huajt vendin e quajnë Albania dhe banorët albanesi.

Pa pasur pretendimin për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë çështje, le të përpiqemi të kuptojmë nëpërmjet shkrimeve të disa studjuesve arsyen e këtij ndryshimi në emërtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Në vitin 1847 Vincenzo Dorsa në librin e tij “Su gli albanesi, ricerche e pensieri” jep disa mundësi: “diskutohet midis kritikëve mbi origjinën e emrit”Albania”, sepse nuk gjejmë asnjë gjurmë në shkrimet e autorëve antikë. Ka disa që mbështesin teorinë që ky emër rrjedh nga Albanët, popull i Azisë i cili ndodhej midis detit Kaspik dhe detit të Zi. Këta popuj sipas këtyre autorëve formuan disa koloni në Maqedoni dhe në Epir”.

Por Dorsa nuk është i bindur për këtë teori. Në fakt na jep një tjetër të dhënë: “Palmerio (Graccia antiqua, Libro 1, Cap. 14),na ka lënë të shkruar që Shqipëria (Albania) quhej kështu për shkak të maleve të larta, dhe kur Galët arritën në atë vënd e quajtën Albani sepse kështu quheshin alpet në gjuhën e tyre”.

Duke u bazuar në këtë teori Dorsa shpjegon termin Albania duke e lidhur me natyrën e “atij vëndi”.

Shkrimtari antik Tolomeu na thotë që në Maqedoni ekziston një mal Albanus, popuj Albani, dhe një qytet Albanopolis. Vetë Straboni kujton malin Albia ose Albion. Në këtë pikë Dorsa bën pyetjen përse mos ti japim rëndësi kësaj të dhëne? Një e dhënë e vetmuar por që na flet qartë.

Versioni personal i Dorsës është ky: Në Lazio ekzistonte Alba, qytet i shenjtë, trashgimi i pasardhësve të Eneas. Romakët të cilët erdhën në Maqedoni dhe në Epir, kur panë qytetin e Albës ose të Albanopolis, ju erdhi në mënd qyteti që quhej Alba në atdheun e tyre (në Lazio). Kështu për ta dalluar nga Alba e Lazios e quajtën Alba-nia, domethëne Alba e re (nia - e re ), siç kanë quajtur edhe Roma-nia, Roma e re toka që u bë vëndi i perandorisë së re […]”.

Edhe për emrin shqipëtar Vincenzo Dorsa jep shpjegimin e tij: “Midis tyre quhen Skipëtari. Questo secondo nome na çon tek σχίφος që Eskili shpjegon duke përdorur fjalën ξίφος shpatë, përdorues të shpatës […]”.

Më 1877, në Paris publikohet libri La Grèce avant les Grecs i autorit Louis Beonlew. Beonlew kërkon të shpjegojë fjalën shqiptar me teorinë e Xylander. Fillon analizën e tij duke thënë që fjala shqiptar ngjason me fjalën shqiptoj, por e braktis shpejt këtë teori sepse nuk është shumë e besueshme. Beonlew krahason fjalën shqiptar me shqiponjë. Po të marrim parasysh se shqiponja jeton ashtu si fajkoi në shkëmb, dhe po të konsiderojmë që skifteri quhet edhe petrit atëherë kjo fjalë na shpie tek fjala greke petra d.m.th. shkëmb. Si rrjedhojë, Shqiptarët quhen ashtu si kishte menduar Xylander, banorë të shëmbinjëve, malësorë.

Sami Frashëri në veprën e tij "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhet" (Bukuresht 1899), thotë që ; Prindërit tanë të vjetër u quajtën arbën, fjalë të cilën toskët për shkak të zakonit që kanë për të kthyer "n" në "r" e bënë arbër siç përdoret edhe sot. D.m.th. ata që punojnë arën, që korrin e mbjellin. Këtë fjalë Romakët e kanë kthyen në alban duke quajtur vëndin Albania[…] dhe kombi i tërë ka marrë emrin shqipëtar dhe vëndi ynë emrin Shqipëri, fjalë të bëra prej shqipes zogut të bekuar të Hyjit që faleshin prindërit e vjetër tanë, dhe që e kemi edhe në flamur[…] .

Robert d’Angely në librin e tij “Enigma” thotë që fjala shqiptar në kundërshtim me mendimin e Vaso Pashës i cili e quante këtë fjalë shumë të vjetër dhe e kundërvinte me fjalën albanë, të cilën ai e besonte si një krijim të albanologëve të sotëm, fjala shqiptar pra nuk datohet në realitet më përpara se viti 1375 në Shqipëri; ajo bëhet e njohur dhe e famshme për shkak të një ushtrie të vogël shqiptare (d.m.th. bartëse e shqiponjës, e shqipes), të princit legjendar Gjergj Kastrioti.

Edhe studiozi Aristidh Kola në librin e tij “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve” thotë që emri shqiptar e ka orgjinën e tij nga ushtria e Skëndërbeut që mbante flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare. Kurse për emrat Alban dhe Arbëresh , Arishtidh Kola thotë që nuk ka asnjë diferencë midis tyre dhe që janë e njëjta gjë. Historianët Pollo dhe Puto pohojnë që fjala Alban ka prejardhje historike, ndërsa fjala Arbëresh prejardhje gjeografike. Kola nxjerr në pah edhe një here teorinë që emri Albani është një fjalë antike çeltike.

Natyrisht ky artikull nuk ka pretendimin të jetë i plotë, por mendoj që jep një ide mbi çështjen komplekse të emërtimeve Shqipëria, shqiptar, Albania, albanese.

Elton Varfi

Burimi : http://eltonvarfishqip.blogspot.com/2010/02/etimologjia-e-emrit-shqiperi-shqiptar.html

Gjithashtu do t'iu sugjeroja të merrnit në konsideratë një variant jo më pak të mundshëm e logjik rreth emrit shqiptar, shqipe të arit, të cilin mund ta lexoni këtu---> S.I) http://stopinjorances.blogspot.com/2009/11/komploti-kunder-shqiptareve-fillon-te.html

Tuesday, February 23, 2010

Ç'është zhgënjimi?

Një zarf i bardhë më mbërrin në tryezë. Habitem! Pagat i marrim në bankomat. Të jetë vallë lajmërim për ngritje në detyrë, për orarin e zgjatur të punës...! Të jetë vallë shpërblim nën dorë, për punën në fundjavë! E hap zarfin me kujdes dhe lexoj një shkrim të pjerrët dore :"Me urdhër nga lart, jeni i pushuar nga puna".

Asnjë shpjegim, asnjë sqarim, asnjë motiv, shkurt, pastër, qartë... i flakur në rrugë.

Vështroj kolegët e punës, por vështrimet e tyre tashmë janë kthyer në çast të huaja, të ftohta, armiqësore. Ata duken jashtëzakonisht të zënë me punë, pavarësisht se pak më parë po bënim shaka në "chat-in" e facebook-ut. Ngrihem me rrëmbim dhe pasi marr xhaketën, përplas derën pa u përshëndetur me askënd. Lokali i Shefqetit duket bosh. Zë vend në një cep nga ku nuk duket as porta, as banaku dhe as televizori. Porosis konjak, dopio. Gllënjkat e para më duken musht dhe nuk kam të ngopur. Nxjerr një cigare nga paketa, por nuk gjej çakmakun. Thërras Shefqetin, i cili nuk nguron të ma ndezë, duke mbajtur njërën dorë mbështetur në gjoks dhe pastaj qesh. Ai qesh, ashtu siç nuk e kisha parë kurrë më parë. Dhëmbët e tij të vendosura si një gardh i harruar, duket sikur shkëlqejnë, pavarësisht se ngjyra e tyre është ngjyrë xhelozie. Çakmakun e kisha pasur mbi tavolinë dhe aty nënqesh edhe unë me Shefqetin e nga sikleti që përjetova e rrotullova gotën me eks duke porosita një tjetër. Më pas edhe një tjetër, por nuk e piva deri në fund. Shikoj orën.
E dashura ime duhet të kishte mbaruar punë dhe duhet të ishte duke më pritur në shtëpi e vetme. Duhet të nxitoj. Prej kohësh kthehem shumë nga puna dhe e lë të vetme. Kur e takoj ndjej lodhje dhe duket sikur thjesht po ndajmë qeranë e shtëpisë bashkë. Kapitalizëm i egër, po ia dhurojmë shpirtin djallit.
Nëse në rendin skllavopronar skllevërit ushqimin e kishin falas, ne duket si të jemi kthyer në skllevër pune, që punojmë vetëm për të fituar bukën e gojës.

I lë Shefqetit në tavolinë gjobën dhe një bakshish për zemrën e tij të bardhë e kaq të rrallë. Autobusi me sjell pranë shtëpisë. Ngjis me nxitim shkallët e errëta të pallatit. Ashensorit iu bë disa vite, që është "përkohësisht jashtë shërbimit". Ashtu me dritën e çakmakut ndezur, me ritëm të sinkronizuar, ngjis shkallët. Ora 17:30 dhe i shkreti stomak ka nisur të merret me thashetheme.

Sapo arrij tek dera e shtëpisë, çuditërisht ajo është e hapur dhe drita e koridorit, e ndezur. Shikoj zemrën time, shpirtin tim. Asaj i mungon buzëqeshja, syqeshja, krahët e hapura që më ftojnë në përqafim. Sillet nxitimthi duke hapur sirtarë e duke mbyllur kanate dhe nuk flet. Vetullat e saj janë të vrenjtura. Diku nxjerr një suvenir të Gonxhe Bojaxhiut dhe mundohet ti gjejë vend tek njëra prej valixheve të shtrira barkaz në dyshemenë e mbushur plot me sende të ndryshme. Shtangem dhe nuk po kuptoj se ç'po ndodh. Kuriozitetit tim i vjen në ndihmë fjalët e saj : "Po të le, po ndahemi. Nuk mundem të duroj dot më. Nuk e përballoj dot. Po iki".

Bota më shembet. Në të qindëtat e fraksionit të sekondës më shfaqen tërmete, vullkane, tsuname, uraganë e shkreptima. Nuk mundem ti besoj dot asaj që dëgjova. Mos është vallë një shaka e përkryer edhe pse ajo s'ka qenë kurrë një aktore profesioniste. E kap prej krahu me delikatesë, por ajo kthehet në një hijenë të tërbuar që mbron territorin e saj. Nuk qenka shak, kjo po ndodh vërtetë. Eshtë e kotë të pickohem, nuk po ëndërroj.
Ajo rrëmben valixhet e rënda dhe unë e ndjek nga pas akoma i habitur. I kërkoj shpjegim, por ajo hesht e shfryn njëkohësisht. Duket e vendosur, e bindur, unë i habitur, i dobët, i ç'armatosur. Kërkoj ta shoqëroj, ajo hesht. Kërkoj ta ndihmoj të paktën me valixhet, ajo shpërthen "Më lër të qetë". I përgjërohem të ndalojë, të ulemi diku ta bisedojmë, ta sqarojmë, nuk e kuptoj pse po ndodh, e ajo duket sikur nxiton hapin më shumë. Nuk e ka problem për shiun e furishëm që i lag flokët e krehura. E qielli duket sikur imiton fytyrën time, shiu fsheh lotët e mi të virgjër. Një fëmijë në krahët e një gruaje pyet nënën e tij dhe drejton gishti nga ne. Me siguri skena jonë është qesharake, artistike, skandaloze por nuk më bëhet vonë. Po humbas në të njëjtën ditë trarët më thelbësorë të jetës, trarët ku kam investuar kaq vite, ku ka derdhur kaq djersë.

Femra ime po më lë, nuk mundem ta besoj. Përulem në gjunjë përballë saj dhe u lutem të ndalojë, ta bisedojmë me qetë, më gjatë. Shiu më lag deri tek çorapet. Ajo më kthen kurrizin duke më braktisur si i zoti i shtëpisë qenin e tij të plakur. Pas meje dëgjohen buri të tërbuara që ulërasin në kor dhe fleshe nga dritat e makinave. Ajo mbërrin në stacion dhe në sfond duket autobusi i linjës së unazës që afrohet në ritëm funebër. Autobusi mbulon pamjen e saj. Iu luta Zeusit, Baba Tomorrit, Jezusit, Muhamedit, Budës, natyrës, logjikës e djallit që ajo të pendohej e të mos hipte në atë autobus. Nuk mund të më linte, do ish fatale, për mua, për të, për ne. Ç'do tu thoja prindërve të mi, ç'do tu thoja miqve të mi, çd'o ti thoja vetes.
Autobuzi u largua dhe ajo u duk përsëri aty në trotuar me pikat e shiut që i kërcisnin mbi supe, me valixhet në duar duke buzëqeshur ironikisht. Pasi fërkova mirë sytë, që nuk po u zija besë, u
nisa vetëtimthi me krahët e hapura drejt saj. Ku shkon ashtu, budalla - më thotë, s'kishte vende, po pres autobuzin tjetër ...

Ngjarje e bazuar në një histori të trilluar.

Ç'është për JU zhgënjimi ?

Shkroi dhe përgatiti : Stop Injorancës
http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Drama e vogëlushes Idrizi, mjekët i injektuan gjak me AIDS, edukatoret e përzënë nga kopshti

Ndërsa rritet, një vogelushe 5-vjeçare e infektuar gjatë një transfuzioni gjaku me virusin HIV, po përballet me vështirësitë dhe reagimin e shoqërisë ndaj kësaj sëmundjeje.

Familja Idrizi me banim në Belësh të Elbasanit vazhdon të vuajë pasojat e infektimit të vajzës së vogël me SIDA gjatë një transfuzioni gjaku në 2005-n, atëherë vetëm 8-muajshe. Gabimi mjekesor me vogelushen ka kaluar ne heshtje dhe pa ndeshkim, sic ka ndodhur rendom ne keto vite.

Ndërsa nëna do të dërgojë vajzën e vogël në kopsht, prindërit e tjerë janë frikësuar duke refuzuar që t'i lënë fëmijët me 5-vjeçaren në të njëjtin grup. Kjo ka bërë që prej fillimit të këtij viti shqetësimi të ngrihet disa herë nga prindërit, duke i kërkuar edukatores që të mos pranojë vajzën e vogël në të njëjtin grup me fëmijët e tyre.

Kjo situatë ka acaruar nënën e së miturës,por prindërit e fëmijëve të tjerë thonë se frika e tyre është reale, pasi ata janë të vegjël dhe mund të infektohen duke qenë se nuk kanë mundësi të kujdesen për veten.

Vogelushja (vajze binjake e familjes Idrizi) është infektuar me virusin HIV kur ishte vetëm 8-muajshe. Vajzat binjake kanë shkuar në spital pasi kanë qenë të sëmura me grip, por mjekët u kanë thënë se vogëlushet kanë nevojë për gjak e plazmë pasi janë anemike.

Gjyshi i 5-vjeçares, Agimi, thote per Shekullin se 'mjekët ia kanë helmuar mbesën vetëm se deshën të fitonin 5 mijë lekë të vjetra duke shitur gjak të pakontrolluar'.

Pas gjithë kësaj historie, familja Idrizi ka pritur reagim të strukturave përgjegjëse, por askush sipas tyre nuk është interesuar.

Për këtë rast është njoftuar edhe Drejtoria Arsimore dhe pritet një vendim mbi lejimin ose jo të fëmijës 5-vjeçare në kopsht bashkë me fëmijët e tjerë.

Shekulli