Tuesday, June 29, 2010

Kriza, “Guardian”: Greqia nxjerr në shitje ishujt

ATHINE- E përditshmja angleze “Guardian” zbardh planin e Greqisë për të shlyer borxhet e për të dalë nga kriza. Sipas asaj që shkruhet në artikullin kushtuar Greqisë, shteti helen ka vendosur të nxjerrë në shitje disa nga ishujt e saj më të bukur në mënyrë që të shlyejë borxhet e mëdha ndaj Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.


E përditshmja britanike nënvizon se në planin e shitjes është edhe një pjesë e konsiderueshme e ishullit Mykonos, i cili është një ndër destinacionit kryesore të turistëve të huaj dhe vendas.

Territori i cili është në pronësi të shtetit duket se do ti jepet për shfrytëzim një manjati të huaj që ka planifikuar ndërtimin e një resorti turistik mahnitës.
Territore të tjera që do të nxirren në shitje gjenden në ishullin e Rodit. Sipas gazetës angleze, edhe Roman Abramovich, pronari i skudrës së Chelsit, është i interesuar për të blerë njërin nga ishujt grekë.

Greqia ka në tërësi 6000 ishuj, pjesa më e madhe e të cilave janë shumë të vegjël dhe të pabanuar nga njerëzit. Ndërkohë vetëm 227 ishuj shfrytëzohen për turizëm dhe janë territore të banuara.

Sipas “Guardian” disa ishuj kushtojnë vetëm 2 milionë euro, aq sa kushton një shtëpi në lagjet e qytetit të Londrës.
(e.n/guardian/BalkanWeb)

Sunday, June 27, 2010

Edhe bullgarët duan minoritet në Shqipëri

- Pas Bukureshtit, radha e Sofjes për të përfituar nga censusi. Lideri i VMRO nxit qeverinë.




Pas rumunëve, edhe bullgarët hidhen në ofensivë për të pasur minoritetin e tyre në Shqipëri. Regjistrimi i popullsisë mbi bazën e vetëdeklarimit të përkatësisë etnike dhe fetare, që është përcaktuar të realizohet nga qeveria jonë vitin e ardhshëm ka nxitur më së shumti qarqet nacionaliste të Ballkanit të dokumentojnë pretendimet e tyre për ekzistencën e pakicave në Shqipëri.

Lideri i një partie me prirje nacionaliste që mban emrin VMRO-ja bullgare ka kërkuar dje nga qeveria e Sofjes të lëvizë për të përfituar nga censusi shqiptar.


Thirrja e VMRO-së bullgare

Lideri i Lëvizjes Kombëtare VMRO-ja bullgare, Krasimir Karakaçanov, ka bërë thirrje për një rol më aktiv të institucioneve shtetërore të Bullgarisë në lidhje me bullgarët në Shqipëri.
”Në vitin 2011 në Shqipëri do të realizohet një census dhe roli aktiv është i rëndësishëm në mënyrë që bullgarët në Shqipëri të mund të identifikohen si bullgarë, jo si maqedonas apo shqiptarë”, i tha Krasimir Karakachanov agjencisë së lajmeve bullgare “Focus”.

Sipas tij, puna e shtetit bullgar në lidhje me këtë popullsi është neglizhuar në 20 vitet e shkuara. Ai thotë se ka paradokse, si fakti që bullgarët nga Shqipëria me emra kristianë marrin pasaportë bullgare, ndërsa bullgarët me emra myslimanë nuk mund të pajisen me pasaportë.

“Qëkur Shqipëria njohu shtetin e Maqedonisë, qeveria maqedonase në vitet 1991-1992 u mundua t’i identifikonte këta njerëz si maqedonas, duke u dhënë atyre pasaporta, shtetësi maqedonase, … kështu që ata mund thonë se ekziston një minoritet maqedonas në Shqipëri.Kjo është një politikë me këta njerëz, që i kushton gjithashtu Greqisë, Bulgarisë e kështu me radhë”, tha ai.


Gara maqedono-bullgare

Edhe pse akuzohet nga Karakaçanov për pasivitet, qeveria bullgare nuk ka ndenjur duarkryq gjatë 20 viteve të fundit në lidhje me ata që prej Sofjes konsiderohen bullgarë të Shqipërisë. Që nga fillimi i viteve ’90 Ministria e Arsimit e Bullgarisë jep çdo vit bursa studimi për shtetasit shqiptarë me origjinë sllave që deklarojnë se janë bullgarë. Ky projekt, për vite me radhë i është lënë në dorë pikërisht organizatës VMRO, emri i plotë i së cilës është “Vëtreshna Maokedonska Revolucionna Organizacia” (Organizata e Brendshme Revolucionare, Maqedonase).

Por qeveria e Shkupit, për shkak të afërsisë territoriale me popullsitë që pretendohen prej dy shteteve ka bërë më shumë “rekrutime” ndër sllavët e Shqipërisë, duke ofruar pasaporta, lëvizje të lirë dhe bursa studimi, por edhe duke kryer investime në fshatrat e Gollobordës dhe Liqenasit, ku janë përqendruar më së shumti shqiptarët me origjinë sllave.
Kamber Velaj, G Shqip

Kohëzgjatja 'perfekte' e seksit: 10 minuta

Maratonat seksuale bëhen sflitëse, por edhe të mërzitshme. Për një raport të kënaqshëm mjaftojnë 10 minuta, kohëzgjatja 'perfekte' për pjesën më të madhe të njerëzve.

Kështu thuhet në një studim të kryer nga 50 specialistë, anëtarë të Shoqerisë për Sex Therapy and Research, të publikuar në 'Journal of Sexual Medicine'.

Ekspertët, që dëgjojnë dhe trajtojnë cifte me probleme në shtrat, kanë arritur të kuptojnë se kohëzgjatja normale dhe e pëlqyeshme e marrëdhënies është rreth 10 minuta.

Më saktësisht: Nëse marrëdhënia zgjat nga 3 në shtatë minuta, seksi është i pranueshëm, një ose 2 minuta është shumë pak, ndërsa nëse kalohen 13 minutat raporti zgjat shumë dhe rrezikon të bëhet i mërzitshëm.

Shqip, Ndryshe

Shqipëria, armë falas Irakut dhe Afganistanit

Në 20 shtator të vitit 2006 Shqipëria i ka dhuruar municion luftarak Afganistanit dhe Irakut. Konkretisht bëhet fjalë për 500 mijë copë fishekë të kalibrit 7.62 x 54 mm dhe për 2 mijë copë predha mortaje të kalibrit 82 mm, prodhime kineze të viteve 1965-1972.

“Gazeta Shqiptare” ka mundur dje të sigurojë ekskluzivisht vendimin nr.638 të Këshillit të Ministrave, që për katër vjet me radhë i është mbajtur sekret opinionit publik.

Zbulimi për herë të parë i këtij vendimi ngre shumë pikëpyetje. Qeveria thotë se armatimi jepet si kontribut për ushtrinë kombëtare afgane dhe atë irakene. Por, nuk ekziston asnjë marrëveshje dypalëshe me terma konkretë mes Shqipërisë dhe qeverisë afgane apo irakene, ku të jenë specifikuar procedurat e ndjekura nga momenti i daljes së këtij municioni nga depot e ushtrisë shqiptare deri në momentin e marrjes së tij në dorëzim.

Gazeta shton me tej se se zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar kanë shprehur në mënyrë konstante vullnetin e Shqipërisë për t’i dhuruar armë ushtrisë afgane dhe irakene si kontribut për forcimin e tyre. Por, të gjitha këto deklarata ( disa prej tyre, te publikuara sot ne Gazeta Shqiptare) janë bërë fillimisht në vitin 2007 e mandej pas tragjedisë së Gërdecit që ndodhi në 15 mars 2008.
Asnjë të tillë nuk mund të gjesh gjatë viteve 2005 apo 2006.

BalkanWeb

Pedofilia! Për kë bien kambanat në Vatikan?!

Arka e kishës katolike po boshatiset nga pagesat e vazhdueshme që po bëhen kundrejt familjeve, fëmijët e të cilëve kanë vuajtur abuzimet seksuale të priftërinjve.

Ati ynë (…) mos më ço në tundim, më liro nga e keqja!
Mesa duket kjo frazë biblike nuk është aq bindëse kur e dëgjon nga goja e një prifti të penduar, qoftë edhe pas një tundimi të vetëm pedofilie që ka pasur në të shkuarën e tij. Ndoshta kjo ishte arsyeja që Papa Benedikti pranoi të fliste për herë të parë në historinë e Vatikanit për krimin që një pjesë e kishës po i bën grinjës së besimtarëve. “Kërkojmë faljen e Zotit, premtojmë se do të bëjmë gjithçka për të mos u përsëritur abuzime të tilla. Kisha dënon sjelljet e turpshme të priftërinjve të saj...”. Më shumë sesa i shtrënguar nga rastet në rritje të pedofilisë, Papa Benedikti nuk mund të bënte asgjë më shumë sesa të lutej. Mes fjalëve të tij ai kërkonte falje për priftërinjtë, por nuk foli se si mijërave fëmijëve në botë mund t’u kthehet jeta si më parë.

A mjafton një lutje drejtuar Zotit që ai të fshijë nga e shkuara dhimbjen dhe abuzimet seksuale? Të gjitha rastet duan shpagim.

Shpagimi

Arka e kishës katolike po boshatiset nga pagesat e vazhdueshme që po bëhen kundrejt familjeve, fëmijët e të cilëve kanë vuajtur abuzimet seksuale të priftërinjve katolikë kudo nëpër botë. Që nga rastet e para të shfaqjes së pedofilisë në qarqet kishtare nga ato periferiket drejt metropoleve të mëdha si Nju Jorku apo Bostoni, Vatikani edhe pse ka heshtur, ka tentuar të paguajë ato me miliona dollarë, që kanë shkuar në xhepat e familjeve të fëmijëve të abuzuar seksualisht.

SHBA ka qenë vendi i parë që vendosi të kishte një listë të plotë të priftërinjve pedofilë, rasteve të dhunës seksuale që ata kishin ushtruar ndaj gregjës së besimtarëve, madje dëshmitë e tyre sollën në mënyrë të drejtpërdrejtë shpagim. Vetëm kisha katolike e Los Angeles, pasi kishte verifikuar rastet e abuzimeve seksuale tek të miturit nga vitet 1940 deri në ditët e sotme ka arritur t’u paguajë një dëmshpërblim prej 774 milionë dollarësh të abuzuarve direkt nga priftërinjtë.
Hetimi nxori se ishin 508 viktima seksuale pre e abuzimeve të 113 priftërinjve.
Arqipeshkvia Katolike e Los Angeles regjistron gjithashtu edhe numrin më të madh të rasteve ndaj të abuzuarve, duke u paguar atyre më shumë se 10 milionë për kokë. Shifra e publikuar në mediat amerikane ka ardhur vetëm pas një beteje të gjatë nëpër gjykata. Në Alaskë, por dhe në Amerikë pas shpalljes fajtorë të disa priftërinjve të përfshirë në akte të turpshme, kisha kërkoi që ata të mos ndiqeshin penalisht dhe në këmbim do të paguante 50 milionë dollarë për 110 viktimat. Ndërkaq dioqeza e Chicago-s ka paguar së fundmi 6.6 milionë dollarë ndaj abuzimeve seksuale që u janë shkaktuar 15 të miturve nga 12 priftërinj të akuzuar për pedofili që nga vitet 1960 deri në 1990. Kisha katolike ka refuzuar të paguajë për veprat e turpshme të priftërinjve, duke u kërkuar atyre që mbajnë përgjegjësi morale dhe financiare për abuzimet seksuale. Por, duket se ky “shpagim” financiar i mëkateve të priftërinjve është pranuar vetëm në Amerikë, pas një vendimi të kishës, e cila ka qenë e vetëdijshme për rastet e pedofilisë. Ajo që bie në sy është fakti se pothuajse gjysma e priftërinjve të akuzuar kanë vdekur, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik kishës katolike.

Një nga rastet më të përfolura në Amerikë ka qenë ai i një prifti ndaj të cilit u depozituan rreth 200 akuza për pedofili, por kisha ndërhyri në kohë duke e mbyllur çështjen në këmbim të një shumë prej 52 milionë dollarësh. Prifti Oliver O'Grady, i quajtur ndryshe Hannibal Lecter për 17 vjet kishte abuzuar me 22 të mitur, duke u paguar viktimave një shumë prej 18.7 milionë dollarësh. Ai ka paguar për 10 vjet rresht edhe një shumë tjetër prej 94 mijë dollarësh, ose 788 USD për çdo muaj në llogarinë e dioqezës katolike.


Studimi

SHBA


Një studim i kryer së fundmi në Amerikë tregon se nga vitet 1950-2010 janë akuzuar për pedofili 4.392 priftërinj të çdo rangu kishtar, ose e thënë ndryshe 4 për qind e 110 mijë vetëve që kanë shërbyer në 50 vitet e fundit. Viktimat vetëm në Amerikë, sipas një studimi, rezultojnë të jenë: 5.8 për qind nën 7 vjeç; 16 për qind nga 8 deri 10 vjeç; 50.9 për qind të moshës 11 deri 14 vjeç dhe 27.3 për qind të moshës 15-17 vjeç, ndërsa për sa i takon gjinisë së viktimave, 81 për qind ishin djem dhe 19 për qind ishin vajza. Fëmijët e molestuar janë studiuar nga një grup specialistësh dhe kanë rezultuar se 38.4 për qind e tyre janë abuzuar seksualisht për më pak se një vit, 21.8 për qind nga 1 deri në 2 vjet, 28 për qind nga 2 në 4 vjet dhe 11.8 për qind më gjatë. Në lidhje me frekuencën ose numrin e priftërinjve që kanë abuzuar me fëmijët, studimi ka nxjerrë se 55.7 për qind e priftërinjve kishin një viktimë, 26.9 për qind 2 ose 3, 13.9 për qind 4-9; 3.5 për qind 10 ose më shumë fëmijë. Vendet e abuzimeve, 40.9 për qind në shtëpinë e priftit, 16.3 për qind në kishë dhe 42.8 për qind kudo. Vetëm duke iu referuar shifrave të deklaruara për sigurimin ose dëmshpërblimin e të miturve vetëm në Amerikë për 1400 raste mbi 1 miliard dollarë, ndërsa janë shkarkuar nga puna rreth 800 priftërinj, ndërsa 5 mijë kanë dhënë dorëheqjen.

Lista e pedofilëve

Pas skandalit të sivjetshëm në Austri ku 17 priftërinj kishin abuzuar me 512 të mitur, prania e priftërinjve në shkolla apo institucione të tjera është kthyer në një makth.
Për këtë qëllim në shumë vende është kërkuar që kisha të deklarojë rastet e priftërinjve pedofilë, mes tyre edhe ata që janë penduar.

Kështu në Britaninë e Madhe janë deklaruar 240 priftërinj, në Irlandë 74 raste që kanë abuzuar për 40 vjet me 2500 të mitur. Mendohet se Amerika ka numrin më të madh të rasteve, rreth 4 mijë priftërinj nga 110 mijë, ose 4 për qind e tyre, janë akuzuar për krime seksuale me minorenet.

Një studim në SHBA ka treguar se në rastet e studiuara të pedofilisë me priftërinj, 81 për qind e tyre ishin të mitur ose adoleshentë të seksit mashkull, ndërsa pjesa tjetër e seksit femër. Në Brazil, statistikat flasim për 1.700 priftërinj të akuzuar për pedofili ose 10 për qind e totalit, ndërsa në Spanjë sipas autoriteteve zyrtare të klerit mendohet se rreth 4 për qind e priftërinjve kanë qenë të përfshirë në vepra të turpshme. Për sa i takon kontinentit australian, deri në 2009 janë regjistruar 107 priftërinj pedofilë, por mendohet se shifra mund të jetë më e lartë.

Në total shifrat shpesh edhe të pranuara nga Vatikani arrijnë në gjithë globin në 11 për qind, që është edhe konfirmimi zyrtar i rasteve të priftërinjve pedofilë që shërbejnë apo kanë shërbyer për kishën katolike në të gjithë globin.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shifra zyrtare e deklaruar nga Konferenca Episkopale që nga vitet 1950 deri në ditët e sotme rezultojnë plot 10.667 persona si viktima të abuzimeve seksuale, ndërsa 4.392 priftërinj kanë qenë të përfshirë në këto skandale.

Analistët theksojnë se shifrat janë gjithmonë në rritje, për shkak se një pjesë e rasteve i kanë depozituar akuzat pas disa vitesh. Në listën e rasteve më të përfolura të pedofilisë në kishën katolike është kisha Sant Polten, në Austri, ku vetë Vatikani ndërhyri për të zgjidhur çështjen, madje duke e mbyllur për një periudhë këtë vend të shenjtë, ndërkaq në listën e vendeve që rezultojnë me probleme të theksuara të pedofilisë të shkaktuara nga priftërinjtë janë pikërisht Brazili, Argjentina, Polonia, Meksika, Gjermania dhe Italia.

Debati

Pas deklaratave të Papa Benediktit, ku pranoi përfshirjen e priftërinjve në abuzime të rënda seksuale me të mitur, Vatikani është përballur me një numër të madh kritikash. Me urdhër nga Vatikani janë tërhequr përkohësisht nga shërbimi kishtar rreth 600 priftërinj, me qëllim që të ndryshojnë sjellje, të pranojnë mëkatet e tyre, të rrëfejnë për rastet e pedofilisë dhe gjatë kësaj periudhe ata do t’i nënshtrohen një kursi që synon ndryshimin e sjelljes. Bëhet fjalë për njerëz të rëndësishëm të kishës, të cilët mund të rikthehen sërish në punë, në vende të tjera, duke ruajtur anonimatin dhe të shkuarën e errët. “Një prift i penduar për mëkatet e tij (përfshi këtu edhe pedofilinë), mund të shërbejë sërish, padyshim këtu nuk përfshihen personat që janë shkishëruar”, -ka deklaruar imzot Girotti. Por duket se fjalët ndriçuese që vijnë nga njerëz të rëndësishëm të Vatikanit nuk janë aq të besueshme, pasi rastet e reja vijnë në rritje. Debati është fokusuar së fundmi në këtë pikë, kur kisha katolike ka pranuar që të shërbejnë priftërinj të akuzuar për raste pedofilie, pasi ata kanë kërkuar ndjesë publike. “Ky është një argument absurd.

Vatikani vazhdon të këmbëngulë se aborti dhe homoseksualiteti janë një mëkat i pafalshëm, madje kjo doktrinë detyron drejtues shtetesh të mos i pranojnë këto fenomene, ndërsa për ta pedofilia me njerëzit e kishës nuk është një mëkat”, - thekson një analist italian. Kisha katolike vazhdon të fshehë sekretet, kisha nuk i do skandalet, edhe atëherë kur priftërinjtë e saj janë fajtorë.
Prandaj ngre sytë nga qielli. Zot! Lutem për mëkatet tona, tani edhe derisa vdekja të vijë. Amen!

Olsi Kolami, G. Standart