Sunday, June 27, 2010

Pedofilia! Për kë bien kambanat në Vatikan?!

Arka e kishës katolike po boshatiset nga pagesat e vazhdueshme që po bëhen kundrejt familjeve, fëmijët e të cilëve kanë vuajtur abuzimet seksuale të priftërinjve.

Ati ynë (…) mos më ço në tundim, më liro nga e keqja!
Mesa duket kjo frazë biblike nuk është aq bindëse kur e dëgjon nga goja e një prifti të penduar, qoftë edhe pas një tundimi të vetëm pedofilie që ka pasur në të shkuarën e tij. Ndoshta kjo ishte arsyeja që Papa Benedikti pranoi të fliste për herë të parë në historinë e Vatikanit për krimin që një pjesë e kishës po i bën grinjës së besimtarëve. “Kërkojmë faljen e Zotit, premtojmë se do të bëjmë gjithçka për të mos u përsëritur abuzime të tilla. Kisha dënon sjelljet e turpshme të priftërinjve të saj...”. Më shumë sesa i shtrënguar nga rastet në rritje të pedofilisë, Papa Benedikti nuk mund të bënte asgjë më shumë sesa të lutej. Mes fjalëve të tij ai kërkonte falje për priftërinjtë, por nuk foli se si mijërave fëmijëve në botë mund t’u kthehet jeta si më parë.

A mjafton një lutje drejtuar Zotit që ai të fshijë nga e shkuara dhimbjen dhe abuzimet seksuale? Të gjitha rastet duan shpagim.

Shpagimi

Arka e kishës katolike po boshatiset nga pagesat e vazhdueshme që po bëhen kundrejt familjeve, fëmijët e të cilëve kanë vuajtur abuzimet seksuale të priftërinjve katolikë kudo nëpër botë. Që nga rastet e para të shfaqjes së pedofilisë në qarqet kishtare nga ato periferiket drejt metropoleve të mëdha si Nju Jorku apo Bostoni, Vatikani edhe pse ka heshtur, ka tentuar të paguajë ato me miliona dollarë, që kanë shkuar në xhepat e familjeve të fëmijëve të abuzuar seksualisht.

SHBA ka qenë vendi i parë që vendosi të kishte një listë të plotë të priftërinjve pedofilë, rasteve të dhunës seksuale që ata kishin ushtruar ndaj gregjës së besimtarëve, madje dëshmitë e tyre sollën në mënyrë të drejtpërdrejtë shpagim. Vetëm kisha katolike e Los Angeles, pasi kishte verifikuar rastet e abuzimeve seksuale tek të miturit nga vitet 1940 deri në ditët e sotme ka arritur t’u paguajë një dëmshpërblim prej 774 milionë dollarësh të abuzuarve direkt nga priftërinjtë.
Hetimi nxori se ishin 508 viktima seksuale pre e abuzimeve të 113 priftërinjve.
Arqipeshkvia Katolike e Los Angeles regjistron gjithashtu edhe numrin më të madh të rasteve ndaj të abuzuarve, duke u paguar atyre më shumë se 10 milionë për kokë. Shifra e publikuar në mediat amerikane ka ardhur vetëm pas një beteje të gjatë nëpër gjykata. Në Alaskë, por dhe në Amerikë pas shpalljes fajtorë të disa priftërinjve të përfshirë në akte të turpshme, kisha kërkoi që ata të mos ndiqeshin penalisht dhe në këmbim do të paguante 50 milionë dollarë për 110 viktimat. Ndërkaq dioqeza e Chicago-s ka paguar së fundmi 6.6 milionë dollarë ndaj abuzimeve seksuale që u janë shkaktuar 15 të miturve nga 12 priftërinj të akuzuar për pedofili që nga vitet 1960 deri në 1990. Kisha katolike ka refuzuar të paguajë për veprat e turpshme të priftërinjve, duke u kërkuar atyre që mbajnë përgjegjësi morale dhe financiare për abuzimet seksuale. Por, duket se ky “shpagim” financiar i mëkateve të priftërinjve është pranuar vetëm në Amerikë, pas një vendimi të kishës, e cila ka qenë e vetëdijshme për rastet e pedofilisë. Ajo që bie në sy është fakti se pothuajse gjysma e priftërinjve të akuzuar kanë vdekur, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik kishës katolike.

Një nga rastet më të përfolura në Amerikë ka qenë ai i një prifti ndaj të cilit u depozituan rreth 200 akuza për pedofili, por kisha ndërhyri në kohë duke e mbyllur çështjen në këmbim të një shumë prej 52 milionë dollarësh. Prifti Oliver O'Grady, i quajtur ndryshe Hannibal Lecter për 17 vjet kishte abuzuar me 22 të mitur, duke u paguar viktimave një shumë prej 18.7 milionë dollarësh. Ai ka paguar për 10 vjet rresht edhe një shumë tjetër prej 94 mijë dollarësh, ose 788 USD për çdo muaj në llogarinë e dioqezës katolike.


Studimi

SHBA


Një studim i kryer së fundmi në Amerikë tregon se nga vitet 1950-2010 janë akuzuar për pedofili 4.392 priftërinj të çdo rangu kishtar, ose e thënë ndryshe 4 për qind e 110 mijë vetëve që kanë shërbyer në 50 vitet e fundit. Viktimat vetëm në Amerikë, sipas një studimi, rezultojnë të jenë: 5.8 për qind nën 7 vjeç; 16 për qind nga 8 deri 10 vjeç; 50.9 për qind të moshës 11 deri 14 vjeç dhe 27.3 për qind të moshës 15-17 vjeç, ndërsa për sa i takon gjinisë së viktimave, 81 për qind ishin djem dhe 19 për qind ishin vajza. Fëmijët e molestuar janë studiuar nga një grup specialistësh dhe kanë rezultuar se 38.4 për qind e tyre janë abuzuar seksualisht për më pak se një vit, 21.8 për qind nga 1 deri në 2 vjet, 28 për qind nga 2 në 4 vjet dhe 11.8 për qind më gjatë. Në lidhje me frekuencën ose numrin e priftërinjve që kanë abuzuar me fëmijët, studimi ka nxjerrë se 55.7 për qind e priftërinjve kishin një viktimë, 26.9 për qind 2 ose 3, 13.9 për qind 4-9; 3.5 për qind 10 ose më shumë fëmijë. Vendet e abuzimeve, 40.9 për qind në shtëpinë e priftit, 16.3 për qind në kishë dhe 42.8 për qind kudo. Vetëm duke iu referuar shifrave të deklaruara për sigurimin ose dëmshpërblimin e të miturve vetëm në Amerikë për 1400 raste mbi 1 miliard dollarë, ndërsa janë shkarkuar nga puna rreth 800 priftërinj, ndërsa 5 mijë kanë dhënë dorëheqjen.

Lista e pedofilëve

Pas skandalit të sivjetshëm në Austri ku 17 priftërinj kishin abuzuar me 512 të mitur, prania e priftërinjve në shkolla apo institucione të tjera është kthyer në një makth.
Për këtë qëllim në shumë vende është kërkuar që kisha të deklarojë rastet e priftërinjve pedofilë, mes tyre edhe ata që janë penduar.

Kështu në Britaninë e Madhe janë deklaruar 240 priftërinj, në Irlandë 74 raste që kanë abuzuar për 40 vjet me 2500 të mitur. Mendohet se Amerika ka numrin më të madh të rasteve, rreth 4 mijë priftërinj nga 110 mijë, ose 4 për qind e tyre, janë akuzuar për krime seksuale me minorenet.

Një studim në SHBA ka treguar se në rastet e studiuara të pedofilisë me priftërinj, 81 për qind e tyre ishin të mitur ose adoleshentë të seksit mashkull, ndërsa pjesa tjetër e seksit femër. Në Brazil, statistikat flasim për 1.700 priftërinj të akuzuar për pedofili ose 10 për qind e totalit, ndërsa në Spanjë sipas autoriteteve zyrtare të klerit mendohet se rreth 4 për qind e priftërinjve kanë qenë të përfshirë në vepra të turpshme. Për sa i takon kontinentit australian, deri në 2009 janë regjistruar 107 priftërinj pedofilë, por mendohet se shifra mund të jetë më e lartë.

Në total shifrat shpesh edhe të pranuara nga Vatikani arrijnë në gjithë globin në 11 për qind, që është edhe konfirmimi zyrtar i rasteve të priftërinjve pedofilë që shërbejnë apo kanë shërbyer për kishën katolike në të gjithë globin.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shifra zyrtare e deklaruar nga Konferenca Episkopale që nga vitet 1950 deri në ditët e sotme rezultojnë plot 10.667 persona si viktima të abuzimeve seksuale, ndërsa 4.392 priftërinj kanë qenë të përfshirë në këto skandale.

Analistët theksojnë se shifrat janë gjithmonë në rritje, për shkak se një pjesë e rasteve i kanë depozituar akuzat pas disa vitesh. Në listën e rasteve më të përfolura të pedofilisë në kishën katolike është kisha Sant Polten, në Austri, ku vetë Vatikani ndërhyri për të zgjidhur çështjen, madje duke e mbyllur për një periudhë këtë vend të shenjtë, ndërkaq në listën e vendeve që rezultojnë me probleme të theksuara të pedofilisë të shkaktuara nga priftërinjtë janë pikërisht Brazili, Argjentina, Polonia, Meksika, Gjermania dhe Italia.

Debati

Pas deklaratave të Papa Benediktit, ku pranoi përfshirjen e priftërinjve në abuzime të rënda seksuale me të mitur, Vatikani është përballur me një numër të madh kritikash. Me urdhër nga Vatikani janë tërhequr përkohësisht nga shërbimi kishtar rreth 600 priftërinj, me qëllim që të ndryshojnë sjellje, të pranojnë mëkatet e tyre, të rrëfejnë për rastet e pedofilisë dhe gjatë kësaj periudhe ata do t’i nënshtrohen një kursi që synon ndryshimin e sjelljes. Bëhet fjalë për njerëz të rëndësishëm të kishës, të cilët mund të rikthehen sërish në punë, në vende të tjera, duke ruajtur anonimatin dhe të shkuarën e errët. “Një prift i penduar për mëkatet e tij (përfshi këtu edhe pedofilinë), mund të shërbejë sërish, padyshim këtu nuk përfshihen personat që janë shkishëruar”, -ka deklaruar imzot Girotti. Por duket se fjalët ndriçuese që vijnë nga njerëz të rëndësishëm të Vatikanit nuk janë aq të besueshme, pasi rastet e reja vijnë në rritje. Debati është fokusuar së fundmi në këtë pikë, kur kisha katolike ka pranuar që të shërbejnë priftërinj të akuzuar për raste pedofilie, pasi ata kanë kërkuar ndjesë publike. “Ky është një argument absurd.

Vatikani vazhdon të këmbëngulë se aborti dhe homoseksualiteti janë një mëkat i pafalshëm, madje kjo doktrinë detyron drejtues shtetesh të mos i pranojnë këto fenomene, ndërsa për ta pedofilia me njerëzit e kishës nuk është një mëkat”, - thekson një analist italian. Kisha katolike vazhdon të fshehë sekretet, kisha nuk i do skandalet, edhe atëherë kur priftërinjtë e saj janë fajtorë.
Prandaj ngre sytë nga qielli. Zot! Lutem për mëkatet tona, tani edhe derisa vdekja të vijë. Amen!

Olsi Kolami, G. Standart

No comments: