Tuesday, June 1, 2010

Engjëlli që buzëqesh në tokë

Rrëfim!

Ndodh që jeta të gjithëve na godet në një mënyrë, apo në një tjetër, pa pyetur në je i pasur, i varfër, në je avokat, artist, punëtor e ku di unë se çfarë. Jeta nuk di të zgjedhë!!!
Por goditjen më të vështirë, ku dhimbjen e ndjen më shumë, deri në deje, deri në shpirt, deri në pafundësi... ËSHTË FËMIJA.


Djali im Spiro rritej si të gjithë fëmijët e tjerë, deri në moshën 1 vit e gjysmë. Ishte i bukur, me sytë bojëqielli e buçko. Në krye të vitit e gjatë tij kishte thënë disa herë ma, ba, por pa na u drejtuar neve. Filluam të shqetësoheshim. Megjithëse ndonjë element të pavëmendshëm nga ai e kisha vënë re edhe më parë.

I flisja në emër dhe ai ndonjëherë e kthente kokën e ndonjëherë jo. Shumë mendime filluan të më mbërthejnë kokën dhe më lindi një pyetje që nuk e kisha menduar kurrë më parë:
“Çfarë ka djali im?!”
Kishte ditë që nuk më zinte gjumi. Ngrihesha natën dhe vështroja djalin. Ai flinte i qetë, por ndonjëherë hapte sytë dhe unë i buzëqeshja me sytë e mbushur me lot. Dukej sikur e kuptonte shqetësimin tim. Dhe unë ashtu, fshehur syve të tim shoqi më rridhte ndonjë pikë loti në jastëk derisa më zinte gjumi, me shpresën se nuk ka gjë e do të flasë.

Ditët kalonin e Spiro nuk hante më as supat me mish që unë ia bëja çdo ditë, e as lëngun me fruta që më parë e pëlqente aq shumë. I bëja çdo ditë dhe ai nuk kishte dëshirë as t’i provonte dhe as t’i hante. E vetmja gjë që ai hante ishte buka thatë dhe pinte qumësht. Asgjë tjetër...

Atë pasdite erdhi nëna ime në shtëpi. E vështrova në sy dhe dukej që ishte tepër e shqetësuar. Ndoshta donte të thoshte diçka edhe më përpara, por nguronte se mos më lëndonte.

E di - i thashë - diçka nuk shkon. Ajo mbushi sytë me lot dhe u përqafuam të dyja, duke qarë me ngashërim. Ishte hera e parë në jetën time që qaja me dhimbje kaq të madhe. Tani më shumë se kurrë po e kuptoja se ç’do të thotë “Nënë”. Nënë...që ndjen se fëmija yt nuk flet si fëmijët e tjerë. Fillova të merrja informacionet e para për autizmin nga televizioni apo edhe gazetat. E dëgjoja për herë të parë këtë diagnozë të tmerrshme.

Autizëm???



Më ra si plumb në zemër. O zot! Kjo nuk është e vërtetë, thashë, me zemrën që po më bëhej copë nga hidhërimi.

Djali ishte futur në një botë të errët, bashkë me të edhe ne, që nuk dinim si të dilnim prej andej.
Tani, ndihesha si ajo pulëbardha e plagosur atje, buzë detit, pa dritë, pa diell, pa shpëtim.
Nuk e di pse, por ndjeva nevojën që të shkoja në kishë pasi kishte kohë që nuk shkoja.
Isha vetëm fillikat kur u futa te dera e kishës. Ndjeva një pastërti qiellore, një qetësi të ëmbël që e prisja prej kohësh.

U ula në një stol, diku nga mesi i kishës. Një psherëtimë e thellë më doli nga shpirti. Ngrita kokën lart. Nga mesi i tavanit vinte si kambanore një reze e madhe drite që më përshkonte fytyrën. Pashë ikonat me radhë dhe sytë ia ngula Shën Mërisë. Me duart e bashkuara pa ia shqitur fare sytë iu drejtova:

Shën Mëri pse mua?!
Pse, pse???
Kam një dhimbje kaq të madhe që më rëndon shpirtin e zemrën. Kam tre vjet që pres një fjalë, një shpresë se im bir do të flasë.
Më ndihmo! Jo djalin tim!
Merre zërin tim dhe çoja tim biri!


Një vrull ndjenjash m’u përzien dhe fillova të qaj dhimbshëm, me lot nëne, dashuri dhe sakrifikim Nositi. Nuk e di në ishte vegim, por ndjeva që Shën Mëria qau. Më pas u qetësova dhe vështrova dritën që ishte përhapur në të gjithë kishën. Ndoshta ishte shenjë nga Zoti, por ndjeva në shpirt forcë dhe po kuptoja që zoti isha unë, që forca dhe shpëtimi për tim bir isha unë.

Fillova të merresha me djalin dhe pjesën më të madhe të kohës ia kushtoja atij. Në fillim më refuzonte, nuk donte të bashkëpunonte, nuk më bindej dhe nuk ndiente nevojën për komunikim. Por unë duroja e nuk dorëzohesha derisa i mësova të tregonte pjesët e trupit dhe njerëzit e familjes. Të luanim bashkë të merrte komandat e para. Ishte periudha më e vështirë e gjithë luftës sime që kisha nisur me autizmin. Ishte njëlloj sikur të ngrije një kështjellë pa mjetet e punës, me duar, ku ndieje lodhje fizike dhe sfilitje tmerrësisht shpirtërore. Gjithsesi ai nuk po fliste.

Ishte tre vjeç dhe ne e çuam për ekzaminim në Greqi dhe mjeku e konfirmoi që Spiro kishte një autizëm të lehtë. Të paktën kjo ishte gjysma e së keqes. Kisha fituar një betejë, por më prisnin beteja edhe më të vështira, sepse fjalët e mjekut m’u ngulitën në kujtesë: “Do punë, shumë punë dhe mund të ecë njëlloj me fëmijët e tjerë!” Ky ishte çelësi që hapi një dritare shpresë në jetën e tim biri dhe të gjithëve ne që kishim kaq kohë të trishtuar dhe të mërzitur deri në pafundësi.

E çuam në kopsht dhe mbaj mend që ditët e para e gjeja në korridor, sepse nuk kishte dëshirë të rrinte me fëmijët e tjerë, por edhe shokët nuk e përkrahnin dhe për gati dy muaj ai rrinte vetëm, ndërsa unë ikja duke qarë, e qaja me ngashërim për djalin tim, për dritën e syve të mi, me frikën se çdo të bëhet më tej.

Filluam të impenjoheshim të gjithë e mbi të gjithë, unë. Filloi të vishej vetë, të hante ushqimin që pëlqente, të shkruante, të bënte lidhjen logjike midis fjalës dhe sendit. Sigurisht që ky rezultat erdhi pas një viti. Ai tani është 4 vjeç dhe krahas punës sime e ndjek edhe terapistja Lili, e cila punon me shumë përkushtim dhe unë e falënderoj me gjithë zemër. Tani ai luan me shokët, vizaton, numëron, luan në kompjuter e mbi të gjitha të flasë fjalët e para. Dhe unë për këtë jam e lumtur. Ai po perfeksionohet. Është i ëmbël, i bukur dhe i veçantë. Është një engjëll në tokë. E dua me gjithë forcën e shpirtit. Natyrisht që s’ka nënë të mos dojë fëmijën e saj, por unë e dua më shumë sepse kam vuajtur për të ardhur deri këtu. KJO ËSHTË SFIDA IME!

Dy fjalë tim biri:

“Të kam dhënë jetën dhe do të të jap forcën dhe mbështetjen time për të të bërë të ecësh vetë në jetë. Ti je mrekullia më e madhe që më kam. Mbështetja që të kam dhënë dhe do të të jap është gjëja më me vlerë që kam bërë. Më me vlerë se vetë jeta ime!”


Anila Kruti, G. Shqip

1 comment:

Laura said...

Bravo ishte ver8 e bukur dhe prekese
Me behet qejfi per djalin tend..jam mallengjyer nga kjo histori:) mbi te gjitha duhet te falenderojme zotin per gjithcka tonen..