Tuesday, June 22, 2010

Bernd Fischer: Ku bashkohen dhe ku ndryshojnë politika e Berishës dhe e Nanos me Enver Hoxhën

Historiani i njohur amerikan, Bernd Fischer ka bërë një analizë të jashtëzakonshme për Shqipërinë, duke e nisur nga regjimi i Enver Hoxhës deri në ditët e sotme.

Regjimi i hekurt komunist në Shqipëri mbijetoi deri në vitin 1990, pesë vjet pas vdekjes së diktatorit më të madh të saj, Enver Hoxha. Por, shtegu politik i vendit që atëherë është i mbushur me fantazma të pavarrosura, thotë Bernd Fischer. Gazeta “Tirana Observer” e boton të plotë analizën me yje të profesorit amerikan



Shqipëria dhe trashëgimia e Enver Hoxhës*
Kur Enver Hoxha, diktatori stalinist më jetëgjatë i Shqipërisë u varros me nder nën statujën e realizmit socialist Nëna Shqipëri në varrezat e dëshmorëve në Tiranë, data e vdekjes – 11 prill 1985 – nuk u shënua në varrin e tij. Ramiz Alia, i cili pasonte Hoxhën si Sekretar i Partisë së Punës shqiptare, ishte përgjegjës për këtë fakt; ai argumentoi (me një shpirt që sot do gjente jehonë në Piongiang) se një njeri i tillë s’mund të vdiste kurrë.

Është padyshim fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë teksa vendi ka shënuar 25-vjetorin e vdekjes së Hoxhës – mes debateve dhe reflektimeve në vend të festimeve të detyruara të kohës së tij –të mund të themi që Ramiz Alia kishte të drejtë.

Vërtet aspektet më të shëmtuara të regjimit të Hoxhës dhe regjimit njëpartiak që zgjati deri më 1990-‘91) janë zhdukur me kohë: Duke përfshirë izolimin e shtetit të tij, vrasjet e pafundme politike, burgosjet, kampet e detyruara të punës dhe vështirësitë e internimeve të gjata. Por disa aspekte të udhëheqjes së tij autoritare vazhdojnë të ekzistojnë: Mungesa e interesimit të përgjithshëm të elitës për mirëqenien e popullit dhe për interesat e shtetit, politikat brutale dhe jotolerante dhe mungesa e rregullit të ligjit. Këto kanë bllokuar rrugën drejt synimeve të vetë-deklaruara të Shqipërisë për vendosjen e një demokracie funksionale, një ekonomie tregu të qëndrueshme dhe një integrim Euro-Atlantik.

Lideri i madh

Dyzet vjetët e udhëheqjes së Enver Hoxhës i lanë një trashëgimi të rëndë Shqipërisë post-komuniste. Ka një pikë në favorin e tij:
Që në periudhën e varfërisë së mprehtë që ai trashëgoi në vitin 1944, e diversifikoi ekonominë përmes një programit të stilit të industrializimit sovjetik, rriti standardet e jetesës, reduktoi influencën e faktorëve ndarës (rajonale, fisnore dhe fetare) në shoqërinë shqiptare, mbrojti integritetin territorial dhe pavarësinë e Shqipërisë; dhe bëri përmirësime specifike në sektorë si shëndeti, arsimi dhe të drejtat e femrave. Mund të duket impresionuese për sa kohë që përshkrimi mbetet në sipërfaqe dhe nuk shihen detajet e tjera.
Gjithashtu, është një fakt tjetër i shquar i sundimit të Hoxhës:
Që ndryshe nga diktatorët e tjerë të Evropës lindore dhe qendrore, që me kalimin e kohës u bënë më pak të egër, Hoxha u bë më ekstremist dhe dyshues, dhe më i fiksuar për të përdorur aparatin e sigurimit të qendërzuar në Sigurimin e tmerrshëm për të penetruar në shtëpitë dhe mendjet e shqiptarëve. Qytetarët mbijetonin (përveç rasteve të rralla heroike) më së shumti duke iu dorëzuar konformizmit dhe apatisë, duke përftuar nga paranoja e udhëheqësit gjithë ditës e duke e asimiluar atë.
Partia e Punës shqiptare dhe anëtarët e saj nuk ishin më mirë duke qenë se Hoxha në mënyrë periodike eliminonte shumë prej kolegëve të tij; asnjë regjim komunist nuk ka provuar aq shumë pushkatime. Teksa procesi zhvillohej, pushteti ishte kufizuar në një grup të vogël të bashkuar nga lidhje tradicionale ose familjare dhe bashkëpunimi i tyre në vazhdimin e spastrimeve vrastare. Regjimi krijoi atë që përshkruhej si kolazh fantazish: një vend të tillë që do bënte një surrealist të qante nga gëzimi. Por, nëse ishte fantazi, ishte një fantazi brutale.

Qëndresa e fundit
Vdekja e Enver Hoxhës la një vakum që u mbush nga i mbrojturi i tij, Ramiz Alia. Lideri i ri u përball menjëherë me probleme serioze ekonomike dhe sociale, produkt i një kokteji të rrezikshëm: Mbi-centralizimi i përbërë nga vendimmarrja e papërshtatshme dhe ideologjike dhe papunësia në rritje.
Ramiz Alia, i cili aspironte të ishte një komunist i reformuar, gradualisht lehtësoi aspektet më shtypëse të regjimit dhe këtë e bëri teksa segmentet më të mënjanuar të shoqërisë u bënë më guximtarë. Alia nuk bëri asgjë veçse reagoi duke kallajisur strukturat ndërsa në thelb po përpiqej të ruante sistemin e Hoxhës. Por, ishte shumë vonë. Shqiptarët panë ndryshimet që përfshinë gjithë Evropën lindore; në shtëpi kushtet e përkeqësuara çuan në zhvillimin e një kulture rruge krejtësisht radikale dhe konfrontuese të një karakteri anarkist.

Goditja finale drejt ndryshimit transformues erdhi nga studentët e Shqipërisë, veçanërisht nga ata të universitetit të vetëm në vend, të Tiranës. Ata, ndryshe nga pjesa më e madhe e intelektualëve, ata ishin të prirur të rrezikonin për të shfaqur hapur mospranimin e sistemit. Alia dërgoi Sali Berishën, një prej anëtarëve të parë që mbrojti pluralizmin politik e prandaj synoi të fitonte autoritet mes studentëve, për të shërbyer si ndërmjetës. Berisha e përdori me mjeshtëri këtë rol për të komanduar e më pas drejtuar protestat, të cilat e detyruan Alinë të dorëzonte monopolin e fundit politik të Evropës. Që atëherë, në një mënyrë a tjetër Berisha ka dominuar Shqipërinë.

Presidenti i ri - i vjetër
Sali Berisha, kardiologu i shquar i Shqipërisë, kishte qenë komunist dhe një kandidat për anëtar në Komitetin Qendror të Partisë. Por në kohën që ai u bë president i Shqipërisë në vitin 1992 ai e pa posterin anti-komunist si valë të së ardhmes dhe përdori hakmarrjen ndaj ish-komunistëve për të shpërqendruar popullsinë nga të dhënat e tij personale. Por, të lihej mbrapa Hoxha ishte shumë më e vështirë se ç’ishte parashikuar. Berisha drejtoi një ndryshim të thellë ekonomik dhe social. Ai adoptoi “shok-therapy” të huazuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar: privatizime të shpejta, ndihmë sociale që doli jashtë funksionit dhe biznese margjinale. Rezultati ishte papunësia masive dhe – për dhjetëra mijëra, të cilët vareshin tek ndihma sociale e qeverisë – varfëria ekstreme. Brenda një natë shqiptarët u çliruan nga një prej strukturave sociale më izoluese dhe kufizuese në Evropë me premtimin e lirisë personale dhe komoditeteve. Dhe më e mirëpritura, bashkë me anët pozitive dhe negative ishte lëvizja: Qindra mijëra shqiptarë u larguan jashtë vendit.
Por, në aspekte kyçe, kthetrat e Hoxhës tek pasardhësit e tij qëndruan të forta. Berisha dhe elita tjetër e Tiranës kishin të njëjtin qëndrim autoritar dhe jo tolerant që pengonte kompromisin dhe negociatat e nevojshme që Shqipëria të ecte drejt demokracisë. Partia Demokratike u bë një vegël personale për pushtetin e Berishës teksa refuzoi të lejonte disidentët e brendshëm dhe goditi sfiduesit me gjithçka kishte në dispozicion (edhe dhunë), pa marrë parasysh koston që i shkaktonte demokracisë së Shqipërisë. Fushatat e tij zgjedhore të kujtonin propagandën e epokës komunistë, me Berishën që i quante kundërshtarët “terroristë” dhe një “front i kuq” i ndihmuar nga armiqtë e përhershëm, serbët dhe grekët. Forcat e tij të sigurimit dhe banditët u pozicionuan për të përçarë fushatat e opozitës dhe për të kërcënuar e sulmuar mbështetësit e opozitës, kandidatët e madje dhe shtypin.

Kryeministri i vjetër – i ri

Kombinimi fatal i këtyre politika dhe trajtimi i paaftë i një skandali që kishte të bënte me skemat piramidale të investimit e rrëzuan Sali Berishën në vitin 1997 në atë që mund të quhet kryengritja e parë popullore me armë e suksesshme e Evropës që prej shekullit të 19-të.

Trazirat në rritje u përshkallëzuan në rebelim të plotë, teksa ushtria u shpërbë. Policia sekrete brutale e Berishës nuk mund t’i ndalonte njerëzit të bastisnin rreth një milionë kallashnikovë, bashkë me tanke dhe artileri të ndryshme e madje dhe predhat e famshme kineze. Dhuna që erdhi pas shkaktoi mijëra vdekje dhe detyroi Berishën të jepte dorëheqjen i turpëruar dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Opozita erdhi në fuqi në një proces që ishte një turp demokratik, por komuniteti ndërkombëtar nuk kishte zgjedhje, përveç se të pranonte rezultatin.
Kryeministri i ri, Fatos Nano kishte qenë kryeministri i fundit i regjimit të shkuar.
Ai ishte gjithashtu një krijesë e epokës së Hoxhës dhe i mbyllur në kulturën politike të hakmarrjes dhe autoritarizmit. Në shumë mënyra, ai ishte mishërimi i asaj kulture: Një person i favorizuar nga bashkëshortja e Hoxhës, Nexhmija, ai kishte kundërshtuar pluralizmin real dhe ekonominë e tregut deri në fundin e udhëheqjes një-partiake. Toni i Nanos; si i Berishës dhe i Hoxhës kishte tendencën të ishte dogmatik, konfrontues dhe i fokusuar në arritjen e qëllimeve. Ai mblodhi në rrethin e tij të ngushtë përkrahës së rrugës të ashpër, la mënjanë shumë reformues të dedikuar dhe shtypi diskutimet e brendshme në parti. Nano, ashtu si Berisha, gjithashtu gërreu themelet e idesë së një shërbimi civil të pavarur duke spastruar aparatin e sigurimit, të drejtësisë dhe administratën e shtetit, e thuajse gjithë ambasadorët dhe gjeneralët. Nano, pasi thuajse u përmbys në një grusht shteti të projektuar nga Berisha më pas instaloi një regjim korrupsioni që mund të pasuronte atë dhe të shpërblente mbështetësit e tij. Edhe njëherë tjetër, puna thelbësore në të mirë të njerëzve u injorua. Por, kur qytetarët e neglizhuar patën rastin ta zëvendësojnë, e vetmja zgjedhje ishte Berisha.

Humbja finale
Sali Berisha “i ri”, i cili u kthye në pushtet në vitin 2005 dhe e ka mbajtur atë që atëherë ka hequr dorë nga dhuna dhe ekstremizmi që ka karakterizuar presidencën e tij. Është arritur një farë progresi, por shumë prej mënyrave “Hoxha-iste” vazhdojnë të enden në atmosferë. Pjesa më e madhe e energjisë së Berishës i dedikohet zgjerimit të sundimit të tij nëpërmjet kontrollit të rritur të qeverisë lokale dhe institucioneve administrative të pretenduara të pavarura. Zgjedhjet në Shqipëri vazhdojnë të jenë të rrethuara nga sharjet dhe një shkallë e caktuar dhune duke rezultuar shpesh në rrugë pa krye politike, të cilat shtyjnë punën për reformat aq shumë të nevojshme.
Vërtet, zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 kishin një performancë më të mirë, por ato u gjymtuan nga dhuna para-zgjedhore, politizimi i aspekteve teknike, raportime për intimidim të zgjedhësve dhe parregullsi në numërimin e votave. Shumë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë vazhdojnë të kërkojnë masa urgjente në reformat zgjedhore dhe gjyqësore, rritje të vëmendjes nda korrupsionit qeveritar dhe lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar, si dhe forcimin e ligjit.

Vitet e Enver Hoxhës ishin një histori mbijetese personale dhe elitare, pushteti të pamëshirshëm, shtypje mizore, spastrimi masiv dhe fanatizmi ideologjik. Një çerek shekulli pas vdekjes së tij dhe thuajse dy dekada pas rënies së komunizmit Shqipëria vazhdon të luftojë për të kompletuar tranzicionin demokratik. Përmbushja e tij do ishte mundja e fundit dhe përfundimtare e diktatorit të vjetër.
*Marrë nga “OpenDemokracy”

T. Observer

No comments: