Nga: Jahja Drançolli
Çështja e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Betejën e Fushë-Kosovës ka ngritur polemika, të cilat janë aktuale deri në ditët e sotme. Historianët serbë, të udhëhequr nga politika e ditës, p.sh., e përmendin pak ose anashkalojnë praninë e forcave arbërore në ushtrinë e koalicionit.
Suksesi i madh i turqve në Betejën e Maricës më 1371, zhbëri perandorinë mesjetare bullgare dhe nemanjide. Tashti si forcë në Ballkan, që mund të merret në konsideratë se do t'i pengonte sulmet turke ishin vetëm principatat arbërore dhe principatat serbe (e Vuk Brankoviqit dhe Lazar Grebelanit). Në këto kushte Kosova u bë së shpejti njëra ndër fushëbetejat vendimtare midis koalicionit të krishterë të udhëhequr nga Lazar Grebelani, e cila priste në Fushë-Kosovë (në vendin e bashkimit të dy lumenjve, Llap e Sitnicë), për t'i bërë ballë usntrisë osmane në krye me Sulltan Muratin I. Këtu më 15 qershor (sipas kalendarit të ri më 28 qershor), u zhvillua një betejë e madhe. Për këtë ngjarje janë ruajtur fare pak njoftime relevante të kohës. Këtej, me kalimin e kohës, duke u plotësuar kohë pas kohe ato nga anale, kronika e gjenealogji të mëvonshme, fatkeqësia e Kosovës vishet me të dhëna sa interesante, aq edhe subjektive të mitologjizuara. Pikërisht, është kjo arsyeja që historiografia ende nuk ka mundur ta dallojë Kosovën historike nga Kosova e mitologjizuar dhe legjendare.
Nga burimet historike të njohura deri më sot, numri i të cilave kapin shifrën afro 50-të, mund të provohet se beteja ishte shumë e ashpër dhe pati humbje të mëdha nga të dyja anët. U vra si Lazari, ashtu edhe Murati I. Aty mbeti i vrarë edhe kryezotëriu Theodori II Muzaka. Fitorja ishte e turqve. Çdo gjë tjetër ishte e pa sigurt. Këtej, janë të pasigurta njoftimet për pjesëmarrësit, numri dhe pozicionet e ushtrive ndërluftuese, mënyra e vrasjes së Lazarit dhe Muratit I.130 Lajmet për Betejën e Kosovës patën jehonë të madhe dhe u përhapen shumë shpejtë edhe jashtë Ballkanit. Mirëpo, lajme të këtilla shumë pak deri sot. Ndërsa, nga ana tjetër, dëshmitarët që përjetuan këtë mynxyrë jepnin version të vetë ngjarjes. Pa dyshim se burimi më i vjetër i ruajtur deri tani daton 12 ditë pas ngjarjes. Është fjala për lajme të shënuara në ditarin e murgut rus Injaci, të cilin atëbotë, duke shkuar në peligrinazh, ngjarja e zuri në territorin osman. Një lajm tjetër vjen nga Venediku dhe mban datën 23 korrik 1389. Nga konteksti i një letre, të cilën një misionar venedikas ishte dashur t´i dërgonte trashëgimtarit të Muratit I, mund të vërehet se gjashtë javë pas betejës, ngjarjet që pasuan nuk ishin të favorshme për osmanët. Disa ditë më pas, Tvrtkoja I, mbret i Bosnjës, Serbisë dhe Bregdetit, sipas dy letrave të adresuara në Trogir (l.VIII.1389 )dhe Firence (tetor 1389), Betejën e Kosovës e paraqet si ngadhënjim të vet.
Disa lajme pak më te vonshme njoftojnë se në Betejën e Kosovës patën humbje të dy palët ndërluftuese. Një epilog të këtillë e ndeshim në një kujtim për princ Lazarin, të shkruar para vitit 1402. Konstatim identik ndeshim edhe në "Analet e Raguzës" të shkruara nga një anonim nga gjysma e dytë e shek. XV. Nëse mbahen në mend të gjitha këto njoftime që u zune në gojë më lartë, të cilat dolën pak kohë pas betejë, mund të konkludohet se fitorja ishte ne anen e të krishterëve ose fitorja nuk i takonte asnjërës palë. Mirëpo, gjendja reale ishte krejtësisht tjetër. P. sh. trashëgimtarët e princ Lazarit kishin hyrë nën vasalitetin turk. Ndërkaq, disa principata dhe despotë të Ballkanit, në vargun e tyre edhe arbrit, qëndruan edhe më tej deri në gjysmën e dytë të shek. XV.
Lidhur me pozicionin dhe përbërjen e forcave nuk kemi dëshmi të drejtpërdrejta nga ndonjë pjesëmarrës. Dy letra, me sa duket, të shkruara nga Bajaziti I, nga ndonjë studiues trajtohen si falsifikim i dokumenteve. Sipas kronistëve turq, ushtria e koalicionit u rreshtua në fushën e luftimit, duke pasur në qendër Lazarin, djathtas Vuk Brankoviqin dhe majtas, kryezotin boshnjak Vlatko Vukoviq dhe kryezotin arbëror Dhimitër Jonima. Vëç kësaj disa kronistë turq i shohin arbërorët të rreshtuar si pjesëtarë në dy krahët e ushtrive. Forcat e arbërore të Kosovës, sipas gjitha gjasave janë pozicionuar në krahun e djathtë të forcave të krishtera. Arbrit kishin mbushur gjithashtu edhe radhët e shigjetarëve të forcave të koalicionit, të cilët ishin të parët që filluan betejën nën komandën e Gjergjit II Balsha. Në anën tjetër, përball ishte rreshtuar ushtria turke, të cilën e komandonte Murati I në qendër; trupat a e tij evropiane ndodheshin në anën e djathtë, të udhëhequr nga biri i tij më i vogël Bajaziti; ndërkaq biri i tij i madh Jakupi, në anën e majtë.
Rrjedha e luftës mund të rindërtohet vetëm sipas njoftimeve që dalin nga shekujt e mëvonshëm. Versionin më të plotë për këtë çështje e ofron kronisti turk Neshri, sipas të cilit të krishterët korrën sukses në luftë në anën e majtë të ushtrisë osmane, më pas u zhvillua një përleshje shumë e ashpër në qendër, dhe së fundi Bajaziti, i cili qëndronte në anë anën e djathtë," kur pa që punët shkonin keq dhe se për pak ushtria islame mund të shkatërrohej, u lëshua mbi armikun si vetëtimë" duke shkaktuar shpartallimin e komandës së forcave të krishtera dhe tërheqjen e tyre.
Njoftimet turke, të cilat me të drejtë konsiderohen si më të pasura se njoftimet serbe e bizantine, veçojnë dy qëndrime kryesore rreth pjesëmarrësve në betejë: në një grup përmendën pjesëmarrësit në mënyrë të papërcaktuar, duke thënë se krahas ushtrisë së Lazarit morën pjesë edhe shqiptarët, boshnjakët, vllehtë, çekët, hungarezët, polakët dhe frëngjitë; ndërkaq grupi tjetër midis pjesëmarresve në beteje përcakton drejtpëdrejt, si më kryesor, serbët, shqiptarët dhe boshnjakët, duke i dalluar këta nga forcat e tjera ndihmëse.
Në një kronikë që doli në Firence, ndoshta 17-vjet pas betejës, vënët në dukje prania e trupave "greke dhe të krishtera" në anën turke. Aty mes tjerash konstatohet se: "Murati ngadhënjeu në saje të angazhimit të 5.000 harkëtarëve të krishterë, të cilët ai i kishte marrë me pagë në mesin e grekëve dhe gjenovasve, si dhe të shumë kalorësve të tjerë". Pjesëmarrja e të krishterëve në ushtritë turke shihet sipas njoftimeve të shum-ta, jo vetëm në betejën e Kosovës, por edhe në inkursionet të tjera në Ballkan gjatë shekujve XIV-XV.
Një çështje shumë interesante që lidhet me këtë ngjarje është pjesëmarrja e shqiptarëve në Betejën e Fushë-Kosovës. Çështja në fjalë ka ngritur polemika, të cilat janë aktuale deri në ditët e sorme. Historianët serbë, të udhëhequr nga politika e ditës, p.sh., e përmendin pak ose anashkalojnë praninë e forcave arberore në ushtrinë e koalicionit. Nëse i referohemi njoftimeve burimore të kategorive të ndryshme, pjesemarJa e shqiptarëve në Betejën e Kosovës është e pakontestueshme. Është e pakontestueshme edhe nga rezultatet e ndonjë studiuesi serioz serb. Që këtej, në këtë ngjarje morën pjesë kryezoti i Arbërisë dhe i Zetës Gjergji II Balsha, zotërimet e të cilit shtriheshin edhe në Kosovë; Dhimitër Jonima, kryezoti i treves midis Lezhës dhe Rrëshenit. Kronikat osmane e quajnë Dimitri biri Jundit ose Levendoglu dhe e konsiderojnë për njërin ndër pjesëmarrësit kryesor të koalicionit; sundimtari i dhespotatit të Beratit, Theodorin Muzaka, i cili me vete kishte një ushtri të madhe arbërore dhe zotërinj të tjerë të Arbrit, në mesin e të cilëve ishte edhe Gjon ose Gjergj Kastrioti (babai ose gjyshi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut), si dhe zotërinjtë feudal arbërorë të Himarës dhe Epirit.
Ndonjë nga studiuesit, duke fiksuar pjesëmarrjen e kryezotërirrjve arbërorë, që u përmendën më lartë, aludojnë në arber që jetonin në kufirin hipotetik të Arbrit mesjetar, përkatësisht në trevën midis Tivarit-Prizrenit në Veri, dhe Vlorës-Ohrit në Jug. Këtu, duhet veçuar, sidomos prirjet instrumentalizuese të ndonjë historiografie ballkanike. Aludimet e tilla nuk kanë mbështetje shkencore, aq më parë kur dihet dhe është pranuar përgjithësisht vazhdimësia ilire-arbërorë edhe në trevën e Kosovës dhe pjesët e skajshme të saj, si dhe argumenti që pas zhbërjes së Perandorisë Nemanjide (1371), pjesa më e madhe e Kosovës i rikthehet kryezotërinjve arbërorë. Mirëpo, distanca e shkurtër kohore midis Betejës së Maricës (1371) dhe Betejës së Kosovës (1389), kohë e zhbërjes së formacioneve politike nemanjide, dhe ngritjes së forcës politike shqiptare në Kosovë, bëri që treva në fjalë të mbetet prapëseprapë edhe një kohë jashtë kuadrit të konceptit të Arbërisë. Në fakt, disa pena të kohës, si Filip de Meziër, spikatë shtrirjen e konceptit të Arbërisë edhe në trevën e Kosovës. Pikërisht, ishte F.Meziër i pari, i cili në veprën e tij të shkruar në tetor 1389 pohonte se beteja u zhvillua në pjesët e Arbërisë:"[...] po në këtë vit [Murati] pësoi disfatë të madhe në pjesët e Arbërisë; ndërkaq ai dhe i biri së bashku me disa udhëheqës eminent turq, u flijuan në fushën e betejës". Njoftime interesante të kësaj natyre, sjellin edhe "Analet e Forlit", të cilat vendin e fushëbetejës e vendosin në trevën e Durrësit. Analet në fjalë i hartoi në vitin 1482 një autor anonim. Këto ofrojnë, përveç ngjarjeve që dalin nga historia italiane, edhe ekspeditën e sulltan Muratit I në qershor të vitit 1389. Sipas tyre turqit shkatërruan rrethet e Durrësit që atëbotë ishte qendër e kryezotit Karl Topia. Është e qartë se këto anale, inkursionin e Muratit në qershor të vitit 1389 e vendosin në një pjesë të Arbërisë. Kjo e dhënë burimore është e shkurtër dhe e përkthyer lirishte do të thotë kështu:" Në vitin e njëjtë është fjala për vitin 1389-J.D., muaji qershor, te Durrësi, Murati, mbret i turqve, i plaçkiti viset e Greqisë dhe të Dalmacisë, i shkretoi të gjitha, kështu që zhvilloheshin luftëra të tmerrshme kundër të krishterëve; por kundër "turqve ishin përbetuar disa nga besimtarë të Rashës, mbreti i Hungarisë, princi Lazar dhe zotëri Ivani me kryqtarët, kështu që u vra vetë Murati, por si njëra ushtri ashtu edhe tjetra mbetën megjithatë në betejat në masakrën më të madhe".
Koncepti Arbëri në kontekst me Betejën e Kosovës zuri vend edhe në një kronikë hebraike. Sipas saj në betejë morën pjesë:" dhe disa princër nga Arbëria...]". Krahas apelativave: Arbëria, Rasia, Sclavonia, që përdoreshin për trevën ku u zhvillua Beteja e Kosovës, shpesh ndeshim edhe konceptet, Dardania dhe Mysia, koncepte që gjatë antikitetit përfshinin tërë trevën e Kosovës dhe pjesët e skajshme të saj, ku gjatë mesjetës jetonin pasardhës të popullsisë së vjetër të ilirëve dardanë. Të tilla njoftime i ndeshim te humanisti arbëror, Martin Segoni, i cili si novobërdas dhe ipeshkëv i Ulqinit e shikonte nga afër realitetin historik. Më pastaj, te Marin Beçikemi, një humanist tjetër arbëror. Apelative identike ofron edhe humanisti i Raguzës Aloysius Cerva Tubero, i cili Lazarin e quan për mbret të Dardanisë. Përkatësi dardane sipas këtij humanisti, ka edhe heroi i betejës Milosh Kopiliqi. Në këtë aspekt edhe Tubero, sikur edhe disa humanistë të tjerë të kohës kishte parasysh shqiptarët e Kosovës, pasardhësit e dardanëve të antikitetit. Më i drejtpërdrejtë rreth identifikimit të Dardanisë me Arbërinë është një kronikë greke, në të cilën pohohet i pjesëmarrja e shqiptarëve të Kosovës në betejë:" [...] luftëtarët nga dardanët 1 e Arbërisë". Vargu i njoftimeve të i këtilla është bukur i gjatë. Këtej, kjo lënë vend që të kuptohet drejtë karakteri arbëror i Kosovës edhe në kohën kur u zhvillua beteja, aq më parë kur dihet se, koncepti gjeografik parimisht nuk e përjashton konceptin etnik. Meqë, çështja e pjesëmarrjes së arbërve të Kosovës në betejë është çështje që diskutohet, roli tyre në mynxyrën e Kosovës vetiu riaktualizon edhe përkatësinë etnike të Milosh Kopiliqit. Pikerisht, fatosi kosovar ishte ai, i cili ngriti Betejën e Kosovës në ngjarje të madhe, e cila gjeti vend të merituar edhe në letërsinë evropiane të shek. XV-XVII. Pjesëmarrjen e arbërve të Kosovës në betejë e dëshmojnë edhe një varg të heronjve shqiptarë që dalin nga këngët epike serbe, malaziase, boshnjake, kroate, bullgare, si, p.sh. Ivan Kosançiqi, Musa Arbanasi, ban Strahiniqi (Gjergj Balsha-J.D), Lek Dukagjini (fundi i shek.XIV), djaloshi dukagjinas, Lutë Bogdani (një paraardhës i Pjetër Bogdanit-J.D), e ndonjë tjetër. Është gjë e ditur se historia e mirëfilltë nuk mund të ndërtohet sipas njoftimeve të traditës popullore. Mirëpo, me rastin e Betejës së Kosovës për të cilën ngjarje mungojnë burimet, eposi popullor, si dhe tradita plotësojnë ndonjëherë boshllëqet burimore. Në këtë aspekt një këngë popullore autoktone e Kosovës dëshmon pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në këte betejë. Kjo këngë është një poemë me një lëndë origjinale, me tipare dalluese nga ato të këngëve epike serbe për këtë ngjarje. Në te nuk i këndohet princ Lazarit por Milosh Kopiliqit, heroit kryesor të betejës. Rezultatet shkencore rreth varianteve të ndryshme të këngës në fjalë, ofrojnë njoftime të qarta se, personat nga të cilët ato i mblodhën këngët, të gjithë janë nga Kosova. Këtej, mund të përfundohet se, kënga lindi në Kosovë, meqë popullsia e saj mori pjesë në Betejën e Kosovës. Vargjet e fundit të këngës epike shqiptare, flasin edhe për mërgatën e një pjese të popullsisë shqiptare nga Kosova pas mynxyrës së Kosovës. Drejtimet e mërgimtarëve morën kahe të ndryshme. Burimet e kohës që dalin nga zyra e Raguzës, provojnë se, të tillë u vendosën edhe në Raguzë. Këtej, që në vitin 1390 në këtë qytet jetonin pjesëtarë të familjes Kopiliqi.
Nuk janë ruajtur informacione të sigurta as për numrin e përgjithshëm të forcave ushtarake. Në këtë aspekt, sipas Neshriut ushtria e Lazarit ishte jashtëzakonisht e madhe. Më pastaj, shton se, në këtë ushtri " kishte tamam 500 princa të famshëm dhe 500.000 ushtarë. Një ushtri të tillë prej kalorësish e këmbësorësh nuk kishte parë askush". Ndërkaq, Oruçi (shek. XV), një kronist i hershëm turk, shkruan se ushtria e Muratit kishte 60.000 ushtarë. Që të dy kronistët në fjalë ofrojnë shifra të ekzagjeruar. Është e njohur se, derisa kronikat osmane, për ta arsyetuar fitoren e madhe japin shifra fantastike për numrin e ushtrive kundërshtare, në anë tjetër, burimet tregimtare serbe, gjithashtu i paraqesin forcat osmane me numër të stërmadhuar. Të kësaj natyre janë edhe rezultatet e historiografisë së vjetër. Historianët ushtarak të sotëm, ndërkaq i kanë kundërshtuar përpjesëtimet e të dyja anëve, duke i zvogëluar shifrat. Sipas tyre del se: Murati I ka pasur rreth 27-30.000 ushtarë, kurse Aleanca e krishterë kishte 15-20.000 ushtarë. Kur mbahen në mend kushtet demografike, struktura sociale e popullsisë, potenciali ekonomik dhe formacionet politike të anëve ndërluftuese, ky vlerësim lidhur me numrin e përgjithshëm të ushtrive është pranuar përgjithësisht nga historiografia e sotme.
No comments:
Post a Comment