Tuesday, June 22, 2010

Për "agimët" e vjetër, të një sistemi të ri

Një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës ka rikthyer debatin mbi raportet hipokrite të qeverisë shqiptare me median, sa i përket strategjisë së ndëshkimit dhe frikësimit të medias kritike. Agim Bendo, ka kërkuar një gjobë prej 400 mijë euro nga gazetarët e emisionit "Fiks Fare", si dëmshpërblim për ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango, tashmë zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare, për shkak të shqetësimeve që i kanë krijuar këtij zyrtari me publikimin e skandalit të keqpërdorimit të pozicionit zyrtar për ngacmime seksuale.

Nuk dua të bie në grackën e interpretimit të vendimit nga gjykatësi, as në arsyetimet formale ligjore për përgjimet e paligjshme nga ana e medias.
Problemi i parë që është shqetësues në këtë sjellje të Gjykatësit, është motivimi politik. Gjykatësi, me një të kaluar aspak të lavdishme të keqpërdorimit politik nga të gjitha regjimet, ka marrë atë vendim, pasi ka parë trendin e përfitimeve që kanë individë, të cilët ngrenë dorën kundër medias kritike me qeverinë e Sali Berishës.


Ai e ka parë denoncimin e Ministrit jo si rast për të ndihmuar ministrin Pango, pasi atë e ka ndihmuar Sali Berisha, duke e rikthyer si zyrtar të lartë të qeverisë, por si rast për të dëshmuar përkushtimin e tij proqeveritar, për t'i dhënë një sinjal kryeministrit Berisha dhe të "tijve" se ai është gati për të shërbyer dhe natyrisht për tu shpërblyer. Ka ende vende bosh në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, dhe z.Bendo duket se është ndjerë gjykatës me fat, që i ka ardhë një çështje e tillë në dorë, për të treguar se meriton të shpërblehet nga qeveria Berisha.

Problem i dytë është deinkurajimi i gazetarisë kritike dhe sidomos asaj investigative në raport me qeverinë.Po të vësh re me kujdes arsyetimin e gjykatësit, shihet qartë se porosia e vetme e shtetit në këtë rast, është që gazetaria të mos guxojë të bëjë asnjë hap para institucioneve hetimore të shtetit për të hetuar zyrtarët e lart. Arsyetimi për shembull se përgjimi është i paligjshëm është gjëja më qesharake që mund të thuhet për provën më të mirë që ka siguruar ndonjëherë gazetaria investigative në këtë vend.

Përgjimi i gazetarëve të "Fiks Fare" mund të jetë i paligjshëm në aspektin juridik për t'u përdorur si provë në gjykatë dhe për tu burgosur Ylli Pango, por jo për të denoncuar Ylli Pangon. Nëse gazetarët amerikanë që denoncuan Wotergejt, do të kishin marrë leje nga drejtësia amerikane për atë që bënin, do ishin ata në burg dhe Niksoni President. Prova e siguruar nga gazetarët, në rastin Pango, nuk ka të bëjë fare me jetën private të zotit Pango as me shtëpinë e tij. Ajo është një provë që merr jetë nga zyra e shtetit shqiptar, ku zoti Pango në cilësinë e Ministrit lë takim pune me një femër dhe përfundon në shtëpi të tij.


Do të ishte e turpshme për median që të toleronte një rast të tillë flagrant, pa e përgjuar dhe pa e publikuar, pasi në këtë rast interesi publik, që zoti Pango po shkelte me të dy këmbët, dominon mbi interesin privat, apo mizanskenat gjysmë erotike të tij pranë oxhakut apo rrotull mbërtheckave. Me këtë akt, gjykatësi që përpiqet t'i hyjë me çdo kusht në zemër pushtetit, do t'i tregojë gazetarëve shqiptarë se ata nuk kanë asnjë të drejt tjetër, veçse të jenë përçues të lajmeve që u ofron atyre pushteti, duke dënuar në bllok çdo gazetar apo redaksi që kërkon të bëjë një hap përtej murit që varros të vërtetat e hidhura në këtë vend.


Dhe së fundmi ky vendim bëhet shqetësues kur bashkohet me problemet e tjera sistematike, me të cilat po ndeshet gazetaria kritike në Shqipëri.
Kryeministri Berisha po përdor të gjitha mekanizmat shtetërore, dhe sidomos disa kamikazë të tij në sistemin tatimor për të vendosur nën kontroll median kritike, herë duke e gjobitur atë dhe duke mbyllur disa redaksi gazetash, herë duke kapur pronarë në biznese dhe duke i detyruar ata të mbyllin gojët kritike në ekranet e tyre.


Fakti që u godit, emisioni më popullor dhe më kritik në vend, dhe çfarë është më e keqja, një nga publikimet e tij më profesionale, është një sinjal që e tejkalon përkushtimin personal të Sali Berishës kundër medias. Tani në Shqipëri, Berisha ia ka arritur të ndërtojë një sistem ndëshkimi, i cili funksionon vetiu, qoftë dhe më mënyrë vullnetare kundër medias kritike. Tani Sali Berisha ju siguroj se as ka për ta marrë në telefon Agim Bendon për ta falënderuar, dhe as ka për të dhënë porosi për Agim Shehun, të nisë tatimet në ndonjë media tjetër. Tani të gjithë "agimët" e tij, e dinë vetë se ç'duhet të bëjnë.

Berisha ka dhënë garanci se kush i shërben atij, duke mbyllur gazeta, duke rrahur gazetarë, duke gjobitur redaksi, shpërblehet, dhe e frikshme është se mekanizmi ka nisur të funksionojë, njësoj se për anën tjetër të medaljes. Kush përdoret prej tij si letër higjienike për nevoja të pushtetit, i ka dyert e hapura të fitoj tender publik nga lekët e qytetarëve shqiptarë, tenderë rrugësh, koncesione, fshatra turistikë, të ndërhyj si sekserë në çdo punë të qeverisë me biznesin dhe të vendosë nën urdhra administratën e tij.

Duke prodhuar këtë sistem, Sali Berisha ka larë duart nga përgjegjësia e tij personale për këtë gjunjëzim të medias. Përballë këtij sistemi që ai ka arritur të ndërtoj media shqiptare është tashmë e shpartalluar dhe personalitetet e saj janë thuajse të zbythur nga ky pushtet. Ata po heshtin rast pas rasti, po heshtin për atë që u ndodh kolegëve të tyre, mediave ku ata nuk punojnë sot, duke bërë që të bien një nga një garancitë për lirinë e medias në këtë vend, dhe tashmë të jemi në momentin, ku thuajse asnjë zë kritik nuk ka mbetur pa u ndëshkuar dhe asnjë shërbëtor nuk ka mbetur pa u shpërblyer.

Por nëse për "rebelet" dhe "shërbëtorët" ka një çmim, qoftë ky ndëshkim apo shpërblim, një dënim më i madh në formën e heshtjes ka për të mbetur për atë pjesë të medias, që mendon se nuk ka punë as me ata që ndëshkohen as me ata që shpërblehen. Ata janë në të vërtetë alibia më e madhe e këtij represioni mbi median kritike në vend, alibia që po bën këtë pushtet të ndjehet triumfues mbi një media të gjunjëzuar.


Bashkë me ta po heshtin gati të gjunjëzuar për ndonjë projekt thërrimesh me qeverinë, zyra e OSBE, apo OJQ që financohen për lirinë e medias në Shqipëri. Nuk është se na janë dashur ndonjëherë, por për të justifikuar misionin e shpallur të tyre, duhet të respektojnë vetveten dhe të flasin për këtë që ndodh.

Duke e mbyllur këto pak rreshta solidariteti për kolegun tim Filip Cakuli dhe gazetarët e emisionit "Fiks fare", do të doja t'i drejtohesha Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të jetë i vëmendshëm së paku sa të jetë ai ende në atë detyrë, që të mos bëjë gjeste inkurajimi dhe ai ndaj stereotipit të këtij gjyqtari që në të vërtetë është një klonim i çdo shërbëtori të pushtetit të sotëm, që kërkon të japë prova devotshmërie për t'i shërbyer pushtetit kundër medias.

Shpresoj që emri i këtij gjyqtari të mos jetë në listat e atyre që mund të dekretohen për Gjykatë Kushtetuese apo Gjykatë të Lartë, së paku për të mos e çuar deri në fund modelin e shpërblimit për ata që përdoren si kamikazë mbi lirinë e medias në këtë vend. E di që kjo që kërkoj nuk përfshihet në kriteret formale që Presidenti dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë kanë vendosur për të konkurruar, por mendoj se ky është një kryekriter, për të kuptuar nëse do të çojmë në majat e drejtësisë njerëz të gatshëm për të gjykuar, apo gjyqtarë të gatshëm për të shërbyer.

Mero Baze, Shekulli

No comments: