Qyteti bregdetar i Durrësit tashmë është në përgatitjet e tij të fundit për të pritur pushuesit e shumtë të sezonit turistik veror, si një qytet që ka ngarkesën më të madhe të turistëve.
Dielli, rëra janë ndër të parat "thirrje", por gjithsesi nuk mbeten më pas ushqimi i detit e më tej mundësia për të shijuar vende të ndryshme. Ashtu si çdo vit, nuk do të "zbarkohet" vetëm në zonën e Shkëmbit të Kavajës, por edhe në Currila, në plazhin e Shën Pjetrit e në zona të tjera, që ofrojnë më tepër kënaqësi të natyrës në këtë fillimsezoni.
Përgatitjet
Në prag të fillimit me kapacitet të plotë të sezonit turistik veror, ka nisur procesi i plugimit dhe dezinfektimit e rërës që pritet t'i mundësojë plazhit kushte maksimale pastërtie. Sipërfaqja e plazhit që i nënshtrohet këtij plugimi arrin në 10 ha. Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, thotë për "Shekulli"-n se në këtë fazë po punohet intensivisht në plazhin e Durrësit me qëllim që sezoni turistik të shkojë sa më mirë. Ai u shpreh se po punohet për t'i paraprirë të gjitha problemeve të mundshme. Mësohet se në këtë sezon pushuesit do të kenë mundësinë e një plazhi publik më tepër, duke e çuar në katër numrin e tyre: "Turizmi është një nga përparësitë e bashkisë. Po punojmë me intensitet për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë turistët vendas dhe të huaj që do të vizitojnë Durrësin gjatë këtij sezoni",- u shpreh kryebashkiaku. Edhe këtë vit Durrësi pritet të shënojë një numër rekord pushuesish. Përveç turizmit të banjave diellore, Durrësi ofron turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet.
Turizmi i kroçierave
Këtë fillim muaji në Durrës ka nisur sezoni i turizmit të krocierave. Bashkë me përurimin zyrtar të stinës së nxehtë, qyteti bregdetar ka nisur të vizitohet nga turistë të shumtë evropianë, shumica e të cilëve skandinavë, gjermanë, anglezë dhe francezë. Vetëm gjatë një dite, në kalatën numër katër të Portit detar janë ankoruar njëherazi dy anije kroçiere të quajtura "Spirit of Oceans" dhe "Arion". Nga këto dy anije luksoze zbarkuan në Durrës për një vizitë 12-orëshe afro 500 turistë. Shumica e tyre u ndal në qytet dhe sitet e tij arkeologjike, por nga ana e këtyre turistëve nuk munguan as vizitat e shkurtra në Krujë dhe Tiranë. Që të dyja këto anije ishin duke ndjekur lundrimin nga ishujt e Kroacisë drejt arkipelagut grek. Durrësi është një ndalesë natyrale në Adriatik mes Kroacisë dhe Greqisë. Në krahasim me vitet e shkuara, gjatë këtij sezoni ka një dyfishim të turizmit të kroçierave në Durrës, aq sa për përballimin e situatës Autoriteti portual ka vënë në dispozicion kalatat perëndimore të tij. Ky numër do të ketë një rritje të pritshme progresive gjatë stinës së verës. Krahas tyre është i pranishëm edhe turizmi elitar me jahte.
Çmimet në restorante
Çmimet në plazhin e Durrësit variojnë. Gjithsesi këtë vit, të paktën për muajin maj dhe qershor, rezulton që të ketë një ulje të çmimeve krahasuar me një vit më parë për disa përbërës të kuzhinës bregdetare. Kështu një pjatë me merluc të freskët, barbun etj kushton 350 lekë krahasuar me 400 lekë që ishin vjet, teksa për kocën e levrekun qëndron i njëjti çmim. Një ulje jo e paktë vërehet edhe në çmimet e karkalecave të detit ku pjata shkon në 500 lekë. Zakonisht këto janë çmimet e lokaleve të zakonshme, por ka edhe lokale me prodhime deti ku mund të konsumosh peshk të freskët me çmime më të ulëta për shkak se pronarët kanë anije dhe e gjuajnë vetë peshkun duke siguruar edhe klientë më të shumtë. Durrësi ka dhe një potencial të madh të flotës së peshkimit që është një ndër furnizueset e tregut me peshk të freskët. Në bankinat e portit ndodhen rreth 140 peshkarexha, gjysma e të cilave kur është kohë e mirë dalin rregullisht për gjueti dhe nga kjo Durrësi është një ndër qytetet e privilegjuara për prodhime deti të freskëta, duke pasur si rezervë edhe prodhimet e lagunave dhe të rezervateve në bregdet që janë një furnizues i përditshëm, por me peshk më pak cilësor se peshku i thellësive. Në këtë treg gjithsecili mund të kënaqë shijet e veta me llojin dhe çmimin që dëshiron.
Kafenetë, larmia e çmimeve
Në plazh ka kafene që tregtojnë kafe nga 40 lekë. Por fare pranë këtij lokali gjen një tjetër me çmime 60-70 lekë apo 100-130 lekë. Kjo kategori çmimesh varion nga menaxhimi i pronarëve ose nga shërbimi i ofruar. Një shishe birrë varion nga 100 - 250 lekë, por edhe birrat normale që më parë kanë pasur çmime 100 lekë kanë pësuar një rritje prej 20 lekësh në shumë prej lokaleve. Po kështu edhe pijet e vendit: konjak, fërnet që më parë tregtoheshin me 50 lekë, tashmë kanë filluar të kenë një rritje nga 10-20 lekë, ndërkohë që pijet e tjetra variojnë sipas cilësisë por kryesisht kanë një çmim 200-250 lekë.
Paketat turistike ditore
Në Këshillin e Qarkut të Durrësit është programuar një paketë turistike ditore në të cilën nëpërmjet agjencive dhe operatorëve turistike një vizitori do t'i mundësohet një vizitë në të gjithë qarkun duke filluar nga qyteti i Durrësit në atë të Krujës dhe në zonën më veriore të komunës së Ishmit në të cilën ndodhet edhe kepi i Rodonit me vlera të mëdha natyrore historike. Për këtë, sipas kryetarit të këshillit të qarkut, Seit Kërtusha, po punohet për zhvillimin e një konference rajonale për çështjet e turizmit, me qëllim që të kemi një kohezion dhe një bashkëpunim midis komunave dhe bashkive, që ofrojnë shërbime turistike. Synimi është përgatitja e paketave turistike ditore dhe javore me operatorë turistikë me qëllim që turisti që mbërrin në Durrës, të shkojë edhe në Krujë të shikojë edhe turizmin balnear, arkeologjik dhe historik, me qëllim që vitin tjetër të kthehet sërish për pushime. Gjithashtu, Kërtusha u shpreh se përqendrimi i forcave për të mbajtur sa më pastër bregdetin në të gjithë linjën gjatësore të tij prej 62 kilometrash do të bëjë që edhe plazhet e rralla me një natyrë të egër, por edhe mjaft të bukur të zonës së Durrësit, të bëhen më shumë të frekuentuara sesa tani. Zona e thellë e Ishmit afron edhe një lloj turizmi të kërkuar nga shtetet evropiane: agroturizmin dhe prodhimet bujqësore bio.
Gjuetia në zonën e Currilave
Një ndër zonat më pak të frekuentuara, por që fsheh vlera të mëdha për banorët dhe turistët është edhe plazhi i Currilave. Ai ka vlera jo thjesht për pastërtinë e ujërave dhe funddetin e mbushur me përthyerje relieve, si dhe mure antike brenda basenit të gjirit ku po ngrihet një port jahtesh, por edhe për gjuetinë me mjete të thjeshta që mund të bëhet, kryesisht për oktapode, si dhe peshq të llojeve të ndryshëm që preferojnë guvat e shumta të gurëve të nënujshëm. Por krahas peshkimit të thjeshtë turistik, Currilat të ofrojnë edhe një reliev arkeologjik të rrallë. Pikërisht këtu kanë filluar për herë të parë në vendin tonë kërkimet nënujore arkeologjike, 143 vjet më parë, nga arkeologu Leon Hezej. Këtu në afërsi cekëtira e njohur edhe si cekëtira e Talbotit është realisht një muze i vërtetë nënujor ku janë zbuluar objekte të rralla të cilat kanë qenë transportuar edhe nga anijet e mbytura në lashtësi.
Transporti në qytet dhe në plazh
Transporti, ashtu si edhe një vit më parë, është thuajse i zgjidhur në rastet kur pushuesit nuk zotërojnë një automjet. Kështu, një taksi Durrës-Plepa kushton 500 lekë, ndërsa Durrës-Shkozet rreth 300-400 lekë. Po ky çmim për lëvizjet brenda qytetit është rreth 300 lekë. Shërbimin e taksive mund ta kesh në çdo orë të ditës e të natës. Mjafton që të përdorësh telefonat e shoqërive, të cilat janë të afishuara kudo. Po kështu në dispozicion në çdo 3 minuta është edhe një autobus që bën linjën Durrës-Plepa e kthim me një kosto prej 30 lekësh. Ky shërbim urban është në funksion prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Këtë vit janë futur në qarkullim edhe rreth 6 autobuzë të sapoblerë nga Bashkia, si dhe është hapur një linjë urbane në unazën e re që kalon nga zona e ish-kënetës, e populluar tashmë nga rreth 40 mijë banorë. Nga Durrësi ka edhe linja të shumta autobusësh për në të gjitha rrethet e vendit, ndërsa pika e nisjes së tyre është tek stacioni i trenit. Për një vizitor që do të shohë Tiranën dhe Kavajën, mund të udhëtojë me furgonë ose me autobusë në çdo kohë me një biletë prej 100 lekësh. Për pasagjerët e trenave, me gjithë problemet e sotme që përballon hekurudha, gjatë verës do të vihen trena shtesë për linjat e Tiranës, Elbasanit.
Parkime me mesazh në qytet
Për të disiplinuar lëvizjen e mjeteve në qytetin e Durrësit, Bashkia ka bërë një organizim të ri të metodës së parkimit. Ajo e ka klasifikuar territorin në tre zona dhe respektivisht ka bërë edhe normimin e kapaciteteve të tyre duke i ndarë në zonën A me kapacitet 1762 automjete, në zonën B me 1636 automjete dhe C me 1934 automjete. Gjithsej, normon parkimin në qytet të rreth 5332 mjeteve. Tarifat jane të normuara sipas zonave dhe kohëzgjatjes së parkimit. Një leje parkimi javore për turistët për zonën A është 2000 lekë, në zonën B 1500 lekë dhe në zonen C ku parkimi është edhe pa limit 1000 lekë. Sipas organizatorëve kjo bëhet që të zgjidhet problemi i trafikut dhe i mbipopullimit në zonën e qendrës. Çmimet e parkimit dhe kufizimet kohore të tre zonave janë bërë duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të zonave me parkim në rrugë. Ndër të tjera, ky sistem do të ulë koston e mirëmbajtjes dhe riskun e vjedhjes. Në këtë standard hyn edhe parkimi SMS, i cili do të jetë i lehtë në përdorim. Mësohet se përdoruesi duhet të dërgojë një mesazh në forme teksti me kodin e zonës së parkimit dhe targën e makinës me një kod të veçantë të shkurter. Sistemi llogarit në mënyrë automatike kohëzgjatjen e parkimit dhe faturën që duhet paguar.
Plazhi i qytetit të Durrësit ofron kushtet më optimale për të kaluar pushimet 15-ditore ose më gjatë. Sipas të dhënave statistikore, në Durrës janë ligjërisht rreth 100 hotele që afrojnë një shërbim me 3000 shtretër. Ky numër mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumë biznese nuk i raportojnë faktikisht kapacitetet e tyre për t'iu shmangur detyrimeve tatimore. Statistikat flasin se në Durrës, duke përfshirë edhe bizneset familjare ku shtëpitë ofrohen për turistët, çdo natë gjatë pikut të verës flenë rreth 20 000 pushues. Në fundjavë pushuesit ditorë arrijnë rreth 150 000 - 200 000 vetë. Çmimet e banesave të dhëna me qira variojnë sipas hapësirës që kanë në rreth 15 - 20 euro në natë. Ndërsa një dhomë në hotel varion nga 25-50 euro, gjithsesi ka hotele me çmime edhe më të larta, kjo në funksion të komoditetit si dhe të afërsisë nga bregu i detit. Hoteleritë janë të lehta për t'u gjetur sapo një turist hyn në qytet. Në dispozicion të turistëve janë shumë shoferë taksish të cilët bëjnë njëkohësisht edhe agjentin e shumë hotelerive, pasi bashkëpunojnë me pronarët për t'iu siguruar klientë. Ose punohet përmes agjencive turistike që kanë informacione të plota rreth hotelerive apo banesave që lihen me qira për pushuesit. Afërsia e qytetit bregdetar me aeroportin e bën atë edhe më të dëshiruar për turistët. Ky qytet këtë vit po përgatitet që të presë rreth 1,2 milionë turistë.
Vlerat e Durrësit për turizmin
Sipas statistikave, vitin e kaluar në Durrës pushuan rrethi 1 milion turistë, ndërkohë që pritet që këtë vit ky numër të jetë në rritje. Bregdeti durrsak është i karakterizuar nga një bukuri plot variacione. Plazhet ranore dhe ato shkëmbore janë të alternuara dhe kushdo mund të zgjedhe sipas dëshirës. Këto brigje dhe gjire të shumta të mbrojtura nga era i kanë dhënë Durrësit një pozitë gjeografike mjaft të lakmueshme që është shfrytëzuar që nga lashtësia duke e shndërruar Durrësin në kryeurën ballkanike për vendet e perëndimit evropian. Arkeologu Evans duke pasur parasysh këtë pozicion të këtij qyteti të veçantë nga ana tregtare në antikitet ka shkruar se Durrësi ka luajtur ndaj bregut italian një rol të rëndësishëm ashtu si "Nju Jorku i sotëm ndaj Liverpulit", duke qenë një nga "ambiciet e Evropës Latine", "nxitje e përhershme e botës perëndimore".
Shekulli
No comments:
Post a Comment