Wednesday, June 9, 2010

Skandal në Slloveni, u refuzua nga mjekët, vdes shqiptari

Në Slloveni po vazhdojnë debatet lidhur me vdekjen e Ferid Saitit nga rajoni i Tetovës, i cili ishte refuzuar nga mjekët për kontroll mjekësor në Lubjanë, për shkak të mungesës së sigurimit shëndetësor.

Bukëpjekësi 48 vjeçar nga rajoni i Tetovës ndërroi jetë të shtunën, dy orë pasi që nuk ishte pranuar nga Spitali i Lubjanës, për shkak se nuk kishte 20 euro për kryerjen e kontrollit mjekësor.

Ministri i Shëndetësisë, Andrej Marushiç ka shprehur keqardhje për rastin, duke urdhëruar kontroll të detajuar të procedurave mjekësore lidhur me pacientin e vdekur nga Maqedonia.

Ai ka nënvizuar se doktorët fillimisht duhet të kontrollonin pacientin dhe më pas ti bënin me dije për pagesën. "Institucionet shëndetësore duhet të veprojnë në atë mënyrë që fillimisht të kontrollojnë pacientin dhe më pas të ballafaqohen dhe të kujdesen për pagesën.

Se a bëhet fjalë për raste emergjente, për këtë vendos mjeku dhe jo pacienti", ka theksuar ministri Marushiç, i cili ka nënvizuar se do të pres të gjitha rezultatet e hetimit, para se të ndërmarrë masa konkrete.

Policia sllovene po heton se a ka hapësirë për ngritjen e kallëzimeve penale për mjekët, inspektoratin e punës, për shkak se kjo e fundit duhet të mbante llogari për funksionimin e furrës së bukës, ku punonte bukëpjekësi i ndjerë.

Ky rast ka tronditur opinionin slloven, i cili edhe përkundër faktit se bëhet fjalë për shtetas të huaj, janë ngritur masat kritike kundër institucioneve dhe përkujdesjes së tyre.


Bota Sot Online

No comments: