Tuesday, June 29, 2010

E vërteta për Betejën e Kosovës, të vitit 1389

Është e njohur nga historiografia objektive mbështetur në dokumentet relevante arkivore, në Betejën e Kosovës, që ishte zhvilluar në Kosovë- Arbëri, midis forcave të koalicionit të krishterë ballkanik kundër Perandorisë Otomane (turqve osmanlinj), bartës të luftimeve kishin qenë arbrit (shqiptarët), nën udhëheqjen e princave dhe bujarëve shqiptarë, të cilëve u ishte bashkuar edhe Princi (Knjazi) Llazar Hrebljenoviq ( me origjinë nga Kotorri) që kishte ardhur nga Serbia - Krushevci në Kosovë
Prof. Dr. Nuri Bashota

Kjo në fakt na tregon fare qartë se Beteja e Kosovës nuk ishte një luftë midis serbëve dhe turqve, por një luftë midis Aleancës së krishterë ballkanike kundër invadimit të Perandorisë Osmane më 1389. Po kështu, kjo betejë midis Aleancës së krishterë dhe invaduesve turq ishte zhvilluar më 1389 në Kosovën shqiptare, si pjesë integrale e Arbërisë nën sundimin e Ballshajve arbëror dhe jo në Serbi, siç përpiqet ta identifikojë në mënyrë të pasaktë e tendencioze historiografia serbe bashkë me Kishën e tyre Ortodokse.

Beteja e Arbërisë
Si është e njohur nga historiografia objektive mbështetur në dokumentet relevante arkivore, në Betejën e Kosovës, që ishte zhvilluar në Kosovë- Arbëri, midis forcave të koalicionit të krishterë ballkanik kundër Perandorisë Otomane (turqve osmanlinj), bartës të luftimeve kishin qenë arbrit (shqiptarët), nën udhëheqjen e princave dhe bujarëve shqiptarë, të cilëve u ishte bashkuar edhe Princi (Knjazi) Llazar Hrebljenoviq ( me origjinë nga Kotorri) që kishte ardhur nga Serbia - Krushevci në Kosovë, i cili, për shkak të kalorësve rëndë e të veshur në mburoja të hekurta, ishte vënë në krye të forcave të Aleancës së krishterë, në luftë kundër ushtrisë turke të prirë nga Sulltan Murati i Parë.

Aleanca e krishterë

Njëherësh, në Betejën e Kosovës, më 1389, në të cilën morën pjesë shqiptarët bashkë me serbët, boshnjakët, bullgarët dhe luftëtarët e tjerë të Aleancës së krishterë ballkanike, krahas vrasjes së Sulltan Muratit të I-rë dhe likuidimit të Princit serb, Llazar Hrebljenoviq, u martirizuan edhe shumë princa dhe feudal të njohur shqiptarë, ashtu që kjo disfatë shënoi fillimin e humbjes së pavarësisë të principatave shqiptare

Mirëpo, pas Betejës së Kosovës (1389), serbët nuk iu bashkuan shqiptarëve në luftë kundër pushtuesit otoman për çlirimin e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor, por ia mbathen duke ikur andej prej nga edhe kishin ardhur në Kosovë. Këtë na e vërteton fakti se despotët serb - Brankoviqët dhe Lazareviqët, nuk vazhduan luftën bashkë me shqiptarët dhe popujt e tjerë të robëruar ballkanikë kundër pushtuesit otoman, por si vasalë turq ikën përtej Danubit, pra andej prej nga edhe kishin ardhur si amalgam sllavoavar, duke e bartur edhe kryeqytetin e tyre si Brandkoviqët në Gollubovac të Smederevës, ndërsa Llazareviqët në Singidunum (Beograd) .

Olivera në harem
Njëherësh, vajza e Knjaz Llazarit - Olivera hyri në Haremin e Sulltan Bajazidit, duke u bërë gruaja e Padishahut, ndërsa dy djemtë e tij - Stefani dhe Vuku, si vasalë të Sulltan Bajazidit, morën pjesë në Betejën e Nikopoljes më 1379, ku edhe e shpëtuan Sullatn Bajazidin nga një sulm vdekjeprurës të ushtrive krishtere.
Jo vetëm që serbët nuk iu bashkuan shqiptarëve dhe popujve të tjerë të robëruar të Ballkanit, në luftën e tyre çlirimtare kundër pushtuesve otomanë, por despotët serbë, si vasalë të turqve, bashkë me Kishën e tyre Ortodokse (Patriarkalen e Pejës të themeluar nga Makarie Sokulloviq, vëllait të Vezirit të Madh turk - Mehmet Pash Sokulles, edhe me lejen e Sulltan Sulejmanit), fituan privilegje duke u solidarizuar me Perandorinë Otomane. Kjo shihet nga vetë fakti se Perandoria Osmane kishte bartur pothuaj tërë pushtetin civil të ish-shtetit mesjetar serb në Patriarkalen e Pejës, duke vënë nën juridiksionin e saj të gjitha vendet krishtere të Ballkanit Perëndimor që gjendeshin nën sundimin e turqve. Njëherësh, si thekson historiani i mirënjohur Franc Babinger, "Despoti Gjuragj Brankoviq si vasal turk, për të treguar besnikërinë e vet ndaj Perandorisë Osmane, më 4 shtator të vitit 1435, ia dha vajzën e vetë - Maren 16 vjeçare, për grua Sulltan Muratit të Dytë, duke e bërë kështu dhëndër dhe lidhi miqësi me Padishahun".

Vasalët serbë në përkrahje të Perandorisë

Ndërsa serbët, nën udhëheqjen e despotëve të tyre si vasalë turq, përkrahen Perandorinë Osmane pas Betejës së Kosovës (1389) edhe ikën përtej Danubit, përkundrazi shqiptarët, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dhe princave e feudalëve të njohur shqiptarë, vazhduan luftën e tyre edhe 523 vite pas Betejës së Kosovës kundër pushtuesve osmanë.

Parashtrohet pyetja se athua qarqet ultranacionaliste serbomëdha e dinë, apo nuk duan të dinë faktin notar se shqiptarët ishin ata që në luftëra të vazhdueshme 523 vjet pas Betejës së Kosovës bënë përpjekje për çlirimin e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare nga sundimi Osman. Kjo aq më parë, kur kihet parasysh fakti se shqiptarët gjatë këtyre përpjekjeve, kundër sundimit turk kishin arritur që jo vetëm të ruanin qenien e tyre kombëtare nga asimilimi dhe zhdukja nga pushtuesit osmane dhe sllave, por me bashkimin e principatave autonome dhe të fiseve shqiptare me krijimin e Besëlidhjes Shqiptare në Kuvendin e Lezhës , më 2 mars 1444, nën udhëheqjen e heroit tonë kombëtar - Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, kishin arritur që në vitin 1450 edhe të formonin Shtetin e Pavarur Shqiptar. Prandaj, Besëlidhja Shqiptare e Lezhës shënon njëherësh edhe zanafillën e formimit të kombit shqiptar, duke mundësuar kështu edhe formimin e Shtetit të Pavarur Shqiptar, sipas parimit të njohur: "një komb, një shtet, një gjuhë dhe një flamur" ,që ishte dhe mbeti cak strategjik të të gjithë shqiptarëve, gjithnjë deri në ditët tona.

Vilajetet shqiptare
Po kështu, kombi shqiptar në luftë të vazhdueshme kishte arritur që në hapësirën etnike shqiptare të krijonte dy vilajete të fuqishme autonome shqiptare, si dy shtet brenda Perandorisë Osmane: Vilajetin e Shkodrës nën dinastinë e Bushatlinjve (1775-1831) dhe Vilajetin e Janinës nën sundimin e Ali Pash Tepelenës, të cilët luftonin për çlirimin definitive të Arbërisë (Arutllukut) nga sundimi Osman dhe krijimin e Shtetit të Pavarur Shqiptar. Në vend që serbo-malazezët të përkrahnin përpjekjet e shqiptarëve nën udhëheqjen e Kara Mahmut Pash Bushatliut për krijimin e Konfederatës Ilirike të pavarur nga Perandoria Osmane , pas fitores që kishte arritur ky sundimtar shqiptar kundër ushtrive turke në Kosovë, në gusht të vitit 1785, serbo- malazezët, sipas porosisë së Metropolitit Petar I-rë , me ndihmën edhe të marinarëve rus të flotës së Carit rus Petrit të Madh, që ishin ankoruar në gjirin e Kotorrit, e vranë pabesisht në pritë Karamahmut Pash Bushatliun deri sa me suitën e tij kthehej nga Kuvendi i Podgoricës midis krerëve shqiptarë dhe të atyre sllavë nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina për krijimin e Konfederatës Ilirike që të luftonin bashkërisht për dëbimin e pushtuesve osmanë nga Ballkani Perëndimor dhe formimin e shteteve të tyre të pavarura.

Koka si trofe

Jo vetëm që e vranë tradhtisht në pritë Karamahmut Pash Bushatliun, por edhe ia prenë kokën, të cilën më vonë e balsamosen dhe e futen në qelq që ende e ruajnë me përkushtim si "trofe" në sallonin e Pallatit të Knjaz Nikolla Petroviqit në Cetine.
Me këtë akt pabesie, serbo-malazezët të nxitur nga Metropoliti i Kishës Ortodokse Serbe dhe Cari rus "Petar Veliki", e pamundësuan krijimin e Konfederatës Ilirike, si një Aleancë të përbashkët antiosmane që do të luftonte për çlirimin definitiv të Ballkanit Perëndimor nga sundimi shekullor Osman.

Prizreni, kryeqytet i Vilajetit të Kosovës
Prandaj, Perandoria Turke, duke parë rrezikun që i kanosej nga përpjekjet që bënin shqiptarët për pavarësimin e Vilajetit të Shkodrës e të Janinës si dhe të popujve të tjerë të Ballkanit për t'u çliruar definitivisht nga sundimi osman, me reformat e Tanzimatit të vitit 1839, për të sunduar më lehtë shqiptarët, më 1864 Perandoria Turke aprovoi Ligjin për formimin e 4 vilajeteve në Shqipëri, sipas të cilit erdhi deri të copëtimi i territorit shqiptar (Arnautllukut) në këto 4 vilajete: Vilajeti i Shkodrës, Vilajeti i Manastirit dhe Vilajeti i Janinës, të cilat u formuan më 1864, ndërsa më 1868 erdhi deri të formimi i Vilajetit të Kosovës me kryeqytet Prizrenin, që u bart në Prishtinë dhe më 1888 në Shkup, kur edhe u krijuan kufijtë e Kosovës, të cilët kohë pas kohe edhe ishin tkurrur me aneksimin e pjesëve të territorit të Kosovës nga Serbia dhe shtetet e tjera ortodokse fqinje grabitqare.

No comments: