Kryeministri Berisha vetëm me një vendim të qeverisë që drejton, i ka dhuruar një mal të tërë mikut të njohur të familjes së tij, për biznesin fitimprurës të çimentos. Sikur të mos mjaftonin disa vendime të dhëna prej vitit 2006, për ndërtimin e disa fabrikave të çimentos në zonës ndërmjet Krujës dhe Lezhës, pra në zonën me përparësi turistike të vendit, një tjetër urdhër i kryeministrit ka vendosur që zona e njohur si kurora e pyjeve të Krujës të shndërrohet në kantier .
Bëhet fjalë për një investim të biznesmenit Bashkim Ulaj, i njohur si mik i ngushte i Familjes Berisha. Vendimi eshte marrë nëpërmjet një VKM-je të miratuar pak ditë më parë. Sipas vendimit të qeverisë, mbi 300 ha sipërfaqe e pyllëzuar ka kaluar për llogari të shoqërisë "Gener 2", për biznesin e një fabrike tjetër për prodhimin e çimentos në zonën e Krujës. Kështu pas miratimit në parlament të kësaj VKM-je pritet të nisë puna për shpyllëzimin e një sipërfaqeje prej rreth 312 ha pyjesh në malin e Krastës.
Kruja si ferr
Udhëtimi për në qytetin e krenarisë kombëtare, Krujë, përngjan me rrathët e ferrit të Dantes. Eskavatorë që i janë qepur malit a thua se rrafshimi i tij është beteja më e madhe e ekzistencës së tyre ndërsa guvat e gelqereve janë mbijetesa e vetme e vendasve. Vetëm me kaq sa sheh, situata është e frikshme. Dhe nëse vijohet me këto ritme mund të betohesh pa frikë se per pak kohë , Krasta nën thepat e së cilës gëlojnë legjendat e Skëndërbeut, nuk do të jetë veçse një zgavër e frikshme.
Në krye të kësaj ushtrie eskavatorësh, makinash dhe guvash është qeveria. Brenda pak vitesh, marrëveshjet e nënshkruara prej kryeministrit S.Berisha kanë prishur paqen në malin e Krastës.
VKM-ja e fundit e miratuar pak ditë më parë për llogari të kompanisë "GENER 2" jo vetëm që rrafshon krejtësisht sipërfaqe të tëra pyjesh, por shkatërron një nga zonat arkeologjike më të vjetra në vend.
Asnjë nga specialistët e ministrive përkatëse, ajo e Mjedisit dhe e Bujqësisë nuk ka pasur asnjë kontestim për shpyllëzimet për llogari të kompanisë në fjale. Ministria e Mjedisit nuk ka bërë asnjë vërejtje për rrafshimin e një mali të tërë, ndërsa specialistët e Institutit të Monumenteve as që e kanë shkruar një rrjesht për shkatërrimin barbar të zonës arkeologjike, më e vjetra në vend, rrafshimin e Albanopolisit.
Në bazë të marrëveshjeve të nënshkruar ndërmjet qeverisë shqiptare dhe shoqërisë "GENER 2" shumë shpejt pritet në nisë puna për ndërtimin e fabrikës që gjendet vetëm 1.5 km nga qendra arkeologjike e Albanopolisit (Zgërdhesh).
Ndërsa karriera e argjilës është parashikuar të ngrihet në një ndër vendet më piktoreske, pikërisht ndërmjet dhe në kontakt me dy rezervuarët: të Bajcungës dhe të Verjonit në Fushë-Krujë, duke shkaktuar një masakër mjedisore. Ky është projekti i kompanisë ndërkohë që për t'i hapur udhë ndërtimit të fabrikës së çimentos, kryeministri firmosi zhdukjen e sipërfaqeve të tëra me pyje në zonën ndërmjet Fushë -Krujës dhe qytetit historik të Krujës.
Fushë-Kruja e kthyer në gropë çimentoje
Shndërrimin e qytezës së Fushë-Krujës në një gropë të frikshme çimentoje, kryeministri i vendit Sali Berisha e ka trumbetuar si një sukses të qeverisë së tij në thithjen e investitorëve të huaj dhe vendas. Të paktën këtë ka deklaruar gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me shoqerinë "Gener 2" për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Krastë-Krujë, investim me vlere 200 milionë euro. Po kështu për këtë vit, qeveria ka miratuar edhe tre kontrata të tjera me vlerë mbi 200 milionë dollarë për ndërtimin e fabrikave të prodhimit të çimentos në zonën e Fushë-Krujës. "Shqipëria, do të shndërrohet në një prodhues të rëndësishëm të çimentos në Ballkan"- ka deklaruar kryeministri. Një tjetër investim në këtë fushë është edhe ndërtimi nga kompania italiane "Fassa" i një tjetër fabrike të madhe për prodhimin e çimentos në Lezhë, investim me vlere 250 milionë euro. Duke konsideruar se varg-kodrat nga Fushë-Kruja tek Ura e Mesit përbëjnë lëndën e parë të cilësisë më të lartë për prodhimin e çimentos.
Kryeministri ka deklaruar se një sërë kompanish të medha kanë vendosur projektet e tyre për ndërtimin e fabrikave të tilla në këtë zonë.
Shekulli
Shikoni se kush natyrë do të shkaterrohet për tu kthyer në një gropë helmatisjeje gëlqereje Stop Injorancës
---- http://www.youtube.com/watch?v=kA7taaFQL4o
http://www.youtube.com/watch?v=Grwm2M_WTpU&feature=watch_response
No comments:
Post a Comment