Thursday, June 17, 2010

Vasil Bollano shpallet i pafajshëm, Apeli rrëzoi vendimin për dënimin

VLORË- Shpallet i pafajshëm kryetari i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Apelit të Vlorës, e cila ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, që e dënoi Bollanon me 6 muaj burg, 5 milionë lekë gjobë si dhe i hoqi për 3 vjet të drejtën e funksioneve publike.


Trupi gjykues nën drejtimin e relatores Iliba Bezati ka marrë vendimin e pafajësisë, duke ju referuar faktit se nuk është provuar fakti se kreu i bashkisë së Himarës të ketë konsumuar elemente të veprës penale, duke mbyllur njëkohësisht edhe "çështjen Bollano", aq shumë të përfolur vitet e fundit.

Bollano u akuzua se hoqi tabelat shqip në rrugën Qeparo-Llogara dhe vendimi për fajësinë në shkallën e Parë u mor nga gjykatësi Shkëlzen Selimi.

Sipas vendimit të Gjykatës për 3 vjet, Bollano nuk do të mundte të ushtronte asnjë funksion administrativ që deri më tani ja ka lejuar funksioni i tij si kryebashkiak i Himarës, por ndërsa vijoji çështjen në shkallën tjetër të gjyqësorit, në Apel, Bollano vijon të ushtrojë të njëjtat funksione. Sipas vendimit të sotëm të Apelit të Vlorës, të gjitha vendimet e shkallës së parë bien poshtë.

Shkak për hetimin dhe më pas gjykimin në Gjykatën e rrethit të Vlorës është bërë një urdhër, që është lëshuar prej kryetarit të Bashkisë, Vasil Bollano në muajin tetor të vitit 2007 për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në aksin rrugor Qeparo-Llogara, gjë që, sipas Prokurorisë, ka sjellë një dëm prej rreth 2.1 milionë lekësh.

Këto tabela ishin vendosur në kuadrin e një projekti për zhvillimin e turizmit i shtrirë përgjatë gjithë bregdetit nga Vlora në Sarandë, i financuar nga Ministria e Transportit, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve.

Gjatë fazës së hetimit, Bollano ka pranuar se ka dhënë një urdhër për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, por ai ka pretenduar se për vendosjen e tyre nuk ishte marrë leje nga bashkia.

Shekulli

No comments: