Wednesday, June 16, 2010

Greqi, emigrantët shqiptarë aplikojnë për nënshtetësi greke

ATHINE-Në gjithë Greqinë kanë filluar aplikimet për marrjen e nështetësisë greke nga fëmijët e emigrantëve, ku shumica e të cilëve janë shqiptarë. Ndërkohë që kanë filluar edhe regjistrimet në listat zgjedhore, ku emigrantët pritet të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin lokal, këtë vjeshtë, madje dhe te kandidohen per tu zgjedhur.

Seksioni në shqip i BBC bën të ditur sot se për mënyrën se si funksionojnë strukturat shtetërore në Greqi, fakti i zbatimit shumë të shpejtë të ligjit për pjesëmarrjen politike të emigrantëve, që hyri në fuqi para një muaji, përbën një befasi të këndshme.

Ligji parashikon procedura të thjeshtëzuara për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijtë e emigrantëve që kanë lindur në Greqi, apo që kanë kryer 6 vjet mësime në sistemin arsimor grek.

Sekretari i shtetit për politikën e emigracionit në ministrinë e brendshme, zoti Andreas Takis, thotë se ka një numër të konsiderueshëm, shumica e të cilëve shqiptarë, që po shkojnë të bëjnë aplikimin për nënshtetësinë, apo ndodhen në fazën e plotësimit të dokumentacionit.

“Kanë filluar të aplikojnë jo vetëm fëmijë që kanë lindur këtu, por edhe brezi i parë i fëmijve që erdhën në Greqi me prindërit, tani janë të moshës 25-28 vjeç dhe i përmbushin kushtet për marrjen e nënshtetësisë. Por kryesisht janë ata që i afrohen moshës së maturisë (18 vjeç) apo e kanë arritur atë dhe që objektivisht kanë ankthin më të madh për të ardhmen e tyre”.

Sekretari i Politikës së Emigracionit, shprehet optimist se procedura do të avancojë pa probleme. Ai shton se është bërë gjithë parapërgatitja e nevojshme njerëzore dhe logjistike, si dhe është rënë dakord me ministritë e tjera që implikohen në këtë proces, për të përshpejtuar dhënien e dokumentacionit të nevojshëm.

Sipas BBC, një tjetër risi, që shkaktoi disktuime të shumta dhe debate të ashpra parlamentare, është ajo që u mundëson emigrantëve pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, ku ata jo vetëm do të votojnë, por kanë të drejtë edhe të kandidojnë për anëtarë të këshillave komunale. Në të vërtetë, këtë drejtë emigrantët nuk e kanë masivisht, por vetëm ata që janë pajisur me leje afatgjata dhe që përllogariten në rreth 260 mijë vetë. Gjysma e tyre janë emigrantë me origjinë greke, por shtetësi të një vendi tjetër, homogjenë siç quhen këtu. Gjithsesi, ky ishte një vendim shumë i rëndësishëm politik i qeverisë Papandreu, por edhe përmbushje e një angazhimi paralektoral, që kryeministri i sotëm e kishte shpallur në prag të zgjedhjeve të tetorit të kaluar që e sollën në pushtet.
Për sekretarin e politikës së emigracionit, Andreas Takis, sanksionimi i të drejtës së votës, ishte një ndërhyrje e rëndësishme.

“Ky vendim, me gjithë reagimet që ishin të pritshme, është një akt ligjor që e nderon Kushtetutën dhe sanksionimin për të drejtën e pjesëmarrjes politike që sanksionohet në të. Tashmë kjo pjesëmarrje nuk përcaktohet mbi bazën e nocioneve abstrakte të gjakut apo të dheut apo ku ta di unë. Por përcaktohet me realitetin e jetesës së përbashkët dhe interesave të përbashkëta midis vendasve dhe emigrantëve, të shtrira në kohë.

Në këtë sens, besoj se është një ndërhyrje totale, e cila jo thjesht fillon, por përfundon një cikël. Përfundon moshën e trazuar adoleshente të shtetit grek dhe e vendos atë në një periudhë të re, ku demokracia, pjesëmarrja politike e gjithë komponentëve të jetës shoqërore, është themeli i bashkëjetesës tonë, i vendimeve tona të përbashkëta”, thotë sekretari për politikën e emigracionit, i cili për një kohë të gjatë ka punuar si ndihmës i Avokatit të Popullit dhe është marrë kryesisht me problemet e emigrantëve.

Sipas zyrtarit të lartë grek, dhënia e të drejtës së votës emigrantëve, do të thotë që ata tash e tutje të kenë zë dhe prezencë.
“Mendoj se emigrantët që fitojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje, për herë të parë do të kenë zë, prezencë, do të na shohin ne grekëve në sy, në kushte të barabarta. Dhe do të jenë një auditor i cili jo vetëm dëgjon autoritetet lokale, por edhe i vlerëson, i gjykon dhe ndikon me votën e tij në zgjedhjen e tyre”.

Ministria e Brendshme ka filluar një fushatë sensibilizimi për t’i nxitur emigrantët që të shkojnë të regjistrohen në listat zgjedhore pranë bashkive të vendbanimit, madje, ministri i brendshëm nënshkroi një vendim që e zgjat afatin e regjistrimit edhe dy muaj të tjerë, deri më 31 gusht.

Ndërkaq, BBC ka komunikuar me emigrantë shqiptarë në zona të ndryshme të Greqisë, të cilët thonë se do të kandidojnë me formacione të ndryshme politike, për anëtarë të këshillave komunale, në zgjedhjet që do të zhvillohen më 14 nëntor.

Në bashki si Athina, apo në disa ishuj, emigrantët shqiptarë, përbëjnë një komunitet numerikisht të konsiderueshëm. “Dhe, nëse ligji i kufizon ata që të kandidojnë për kryetarë bashkie, me siguri duke votuar aty do të luajnë rol përcaktues në zgjedhjen e autoriteteve lokale”, citon BBC.

(d.b/BalkanWeb)

No comments: