Djali jem, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota.Tiranë - Shtypshkronja “Dielli” - 1934
Parathënie e botimit të parë
E gjeta të vlefshme përkthimin e këtyre rreshtave mbasi këto përmbajnë gjykimin e një të huaji mbi Shqipërinë, i cili e formoi këtë vetgjykim duke qenë vetë në kontakt me Shqiptarët e duke shikuar me sytë e vet çdo gjë që ka shkruar. Përveç kësaj, ky shkrimtar është i një shteti të cilit nuk i intersonte ose i interesonte shumë pak gjendja politike e Shqipërisë e për këtë çdo fjalë që shkruan ky njeri është e sigurtë se e shkruan siç ia ndien ndërgjegjeja e vet e jo pse ashtu ia lyp pozita diplomatike. Për shembull, në Kreun IV tek nënartikulli “Europa përkrah sundimin turk” do të shikoni se San Xhuljano, Ministër i Jashtëm i Italisë, nga pozita e tij diplomatike shkruan të kundërtën e asaj që ndjen në shpirtin e tij. Por që shkrimtari i jonë shkruan ashtu si e ndien, do ta vini re po të këndoni me kujdes Kreun III “Rënia e Qeverisë së Vidit”. Aty do të formoni një vetgjykim se sjelljet e tij në këtë mënyrë proshqiptare ndoshta u bënë shkak që ai të shtrëngohesh me dhënë dorëheqjen nga pozita e tij në Europë.
Xhorxh Fred Uilliams më 1914 ishte Ministri i Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi dhe vëzhgues i Komisionit Ndërkombëtar në Durrës, komision i cili do të udhëhiqte dhe do të bashkëpunonte me qeverinë e Vidit. (shikoni një karikaturë të vitit 1913 prej tij http://www.facebook.com/Nd
Por zoti Uilliams duke e pa të pamundur bashkëpunimin në mes tyre dhe duke e pa se punët po shkonin mbrapsht pse marrëveshja e Londrës e kishte mbjellë shumë ters farën, e ma tepër pse marrëveshja e Londrës caktonte një princ kurse Vidi erdhi me titullin mbret, mbas shumë mundimesh për marrëveshje sa me kryengritësit e Shqipërisë së mesme, sa me ata të Jugut, u bind se këto punë ishin të kota dhe vendosi të marrë një masë të fundit. Shkoi në Shqipërinë e Jugut ku pruri në marrëveshje “epirotët” kryengritës me vlonjatët që të bashkoheshin e të shpallnin pavarësinë e tyre, gjithmonë me qëllim që sapo të zhdukej qeveria e Vidit e cila doemos nuk kishte jetë të gjatë, t’i bashkonte kësaj pavarësie edhe pjesën e sipërme të Shqipërisë. Mirëpo, posa muarën vesh këtë gjë diplomatët e Europës me të shpejtë dërguan në Vlorë dy luftanije që përmbanin anëtarë të komisionit të Durrësit, të cilët nën hijen e topave të fuqive të mëdha të Europës e ndaluan këtë bashkim që ky zotni me shumë mund e bëri.
Atëhere zoti Uillliams u bind krejtësisht që veprat e fuqive të mëdha me marrëveshjen e Londrës nuk patën për qëllim ta bëjnë këtë shtet të lirë, por të gjejnë shkaqë se si me e shtypur ma tepër, e duke patur në dorë këtë dhe tjera fakte ky vendosi me e lënë këtë skenë mëkatesh, por njëherit me ngritur perden e me paraqitur komedinë tragjike dhe shpirtin e zi të diplomacisë Europiane. I dhanë rastin Shqipërisë në Mbledhjen e Londrës për ta provuar nëse Shqiptarët janë të zotët apo jo përsa paradëshirojnë. Por me mënyrën që ata i kishin hartuar planet e tyre mund t’i hidhnin hi syve të gjithë botës duke e bërë me e quajtur të zezën të bardhë, e prandaj Shqipëria lëkundej atë kohë në djepin e fatit herë mbi dhe, herë jasht gropës së zezë të tmerrshme e të helmatisur. Gjindej ky djep pikërsisht mbi gropën e pafund, kur përfaqësuesit kryesorë të diplomacisë Europiane, të mbuluar me maska fytyrë-njeriu, kishin vu tehët e bajonetave të tyre mbi litarët që varesh ky djep për t’i pre e për ta lëshuar fatin e Shqipërisë në këtë gropë vdekjeje që të mos mund të ngrihesh kurrë.
Për të qenë korrekt ndaj pikpamjes njerëzore, këta zotërinj kishin filluar me përhapë fjalën se ua dhamë provën e lirisë Shqiptarëve por nuk po janë të zotët me e mbajtur dhe për fakt tregonin me gisht kryengritjet e brendshme, shkaktarët e të cilave ishin ata vetë. Pikërisht në këtë kohë të duhur e të rrezikshme për Shqipërinë, zoti Uilliams heq maskat që iu japin pamje njerëzore këtyre diplomatëve dhe nxjerr në shesh fytyrat e tyre të lyera me gjak të pafajshëm e ia tregon me gisht botës duke deklaruar se të fshehtat e kësaj diplomacie janë shkaku i kaq gjakderdhjeve dhe deklaron pafajsinë dhe vujtjet e Shqiptarëve e mundimet e tyre për liri. Ai shpreh hapur se Shqiptarët nuk janë të egër e të rrezikshem, siç e thonë diplomatët Europës, porse Shqiptarët jane fisnike, janë trima, janë të ndershëm, jane liridashes dhe kanë mikpritjen më të madhe në botë. Këto deklarata zoti Uilliams ia bëri më tepër popullit të vet Amerikan duke iu lutur që të ndërhyje sa më parë për t’i ndihmuar ketij populli në të drejtat trashëgimore që kërkon dhe në varfërinë e tij, shkakun e së cilës ia ngarkon fuqive të mëdha të Europës.
Përkthyesi Shaban Balla Tiranë, 20 Mars 1934
Parathënie e botimit të dytë
Kur m’u tregua ky libër i vockël e lexova menjëherë dhe pa vonesë, e rishtypa dhe e redaktova duke ruajtur përkthimin origjinal. Libri është shkruar para 90 vjetësh, përkthyer e botuar në Shqip para 70 vjetësh dhe ribotohet për herë të dytë tani. Falenderoj me këtë rast përkthyesin Shaban Balla që e kaloi në Shqip veprën e respektuar të Xhorxh Fred Uilliamsit dhe dajën tim Qazim Kuqashin që kishte ruajtur një botim të tillë 70 vjeçar.
Së pari botimi apo ribotimi i një libri të tillë është një gjë shumë e mirë, sepse shpreh respektin për një njeri shpirtmadh e shpirtdrejtë si Xhorxh Fred Uilliamsi, për edukimin e shkollimin e tij dhe respektin për vlerat që përcjell pena e tij. Nga ana tjetër, është për të ardhur keq që ajo histori e dhimshme e Shqipërisë e fillimit të Shekullit XX, në vend që të ishte për arshivë, vazhdon poshtërsisht të nëpërkëmbet edhe në kohën e tanishme. Libri pohon thënien popullore se të huajt, akoma më shumë armiqtë, kur gjejnë shesh bëjnë përshesh. Libri tregon sa tragjike kanë qenë (dhëmsurisht edhe janë) ndaj shqiptarëve përçarjet e shkaktuara nga armiqtë. I vetquajturi mbret Princ Vidi qëndroi në Shqipëri në periudhën 7 Mars – 3 Shtator 1914. Siç edhe shkruan Xhorxh Fred Uilliamsi, nga ajo rrëmujë mizore e Luftës I Botërore shqiptarët vetëm e pësonin. Pena e Xhorxh Fred Uilliamsit përcjell rëndësinë e vlerave njerzore që duhet të kenë udhëheqësit që organizojnë, drejtojnë apo udhëheqin shtetet. Vetëm njerëzit me mirësjellje, me shpirtmadhësi, fisnikërisht të respektuar, të palodhur në punë, me vullnet dhe trimëri janë ato që kanë shkaktuar dhe udhëhequr përparimin e popujve.
Xhorxh Fred Uilliams (1852-1932) lindi në Dedham të Masaçusetsit. U arsimua në degën e ligjeve në Masaçusets më 1872 dhe pas studimeve të tjera u bë avokat. Gjatë viteve 1880-1887 kreu redaktime të botimeve të rëndësishme ligjore në vitet. Më 1889, ishte anëtar i legjislaturës së Masaçusetsit dhe gjatë viteve 1891-1993 ishte anëtar demokrat i Kongresit Amerikan. Gjate viteve 1913-1914 ishte Ambasador i SHBA në Greqi dhe Mal të Zi.
Saimir Lolja Tiranë, 19 Tetor 2004
SH Q I P T A R Ë T - T O K A DH E B A N O R Ë T
Tokë e Shiqipërisë lemë të hedh sytë e mij,
Mbi ty, O nanë e mjerë e njerëzve primitivë.
- Bajroni tek “Udhëtimi i Çajlld Heroldit”
“Bah! Shikoni këto barbarë!" ka thirrur çdo tiran që ka shtyrë në fatkeqësi viktimën e vet, kur më në fund e ka pa të pamundshme me e bërë skllav.
Ngjarja e dhimshme e Shqipërisë nuk i është treguar popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë zhdukur në vendin e vet të Bajronit dhe të shteteve të mëdha, të cilët kanë vendosur të zhdukin nga faqja e dheut këtë popull heroik. Në sallat e errta të diplomacisë Europiane për shekuj me radhë ka qenë mbyllur e munduar fati i Shqipërisë. Edhe tani, me lot ndër sy dhe krejt e dobësuar nga robërija dhe padrejtësia e shekujve, ajo po nxjerr përpara duart thatanike për të kërkuar drejtësi dhe liri; por akoma më kot. Po, shpërblimi i mëkateve është vdekja dhe kujdesi i drejtë i Perëndisë nxjerr përpara faktin se gjendja e keqe e sotme e Europës rrjedh drejtpërsëdrejti po nga ajo politikë që e përdori për Shqipërinë. Megjithëse ka shumë për të thënë, dal përpara ta them unë këtë ndodhi, të përshkruaj tokën, origjinën, gjuhën, zakonet dhe historinë e këtij populli, intrigat e Europës për ta mbajte këtë popull skllav të Turqisë, mundimet dhe kërkesat e drejta të tij për liri dhe pavarësi, dhe më në fund se si Amerika mund ta ndihmojë duke i prirë këtij populli në të drejtat e veta.
Toka e Shqiptarëve
Valona ishte një pjesë e vogël e kësaj toke prej së cilës ata që shkelën Shqipërinë krijuan emrin Albania në shekullin XI. Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri dhe i popullit Shqiptar që domethënë toka dhe bijt e Shqipes. Shqipëria, në mes të Malit të Zi dhe të Austrisë kah Veriu, le Serbinë kah Lindja dhe Greqinë kah Jugu, dhe shtrihet 390km përgjate bregut Lindor të Adriatikut. Ajo është shumë afër bregut Italian ku qytetet dhe portet prej Brindisi deri në Venedik duket sikur duan me thënë se janë kryenaltë me përparimin dhe lumturinë e tyre përpara anës tjetër të shkretë të detit të fqinjës së vet. Si në Jug ashtu edhe në Veri të Shqipërisë ka porte të bukur dhe liqenj të mëdhenj e të mrekullueshëm. Buza e Drinit dhe liqeni i Shkodrës, të cilët janë tani pothuaj të pavozitshëm, duhet që nëpërmjet tyre t’u zhvillonte një tregti e madhe e përgjithme. Katër porte të tjerë përgjatë bregut Shqiptar janë pa mole dhe pa farë përmirësimi. Lumenjt janë të mbushur e të pavozitshëm, ndërsa pyje të mëdhenj po kalben në balta e moçale. Fusha të mëdha e pjellore shërbejnë vetëm si një kullote e dobët për tufat e dhenve të një race shumë të dobët; i vetmi plug është parmenda e drunjtë e Romës së lashtë. Minierat e punuara prej Romakëve dhe Venecianëve janë zhdukur nga pamja dhe s’dihet fare ku janë. Përveç rrugës Egnatia, një tregues i pushtimit Romak, s’ka rrugë dhe fuqi të mëdha ujrash shkojnë kot, sepse s’ka asnjë central elektrik. Nuk ka bankë dhe ka shumë pak të holla; nuk ka një zyrë postare të vendit veç atyre të të huajve. Ka shumë pak gazeta dhe libra; shumë rrallë lëviz ndonjë lloj maqine dhe madje s’ka as qeveri të vendit.
Ministri i Punëve të Jashtme të Italise, i shquari San Xhuljano, bëri një përshkrim se si mbërriti nga bregu i detit deri në Shkoder, qyteti kryesor, hypur mbi kalë, nëpër fusha, moçale, ferrishte e baltra, mbi një rrugë të verbët, ndërsa gjatë rrugës së tij në njërin krah kalonte i bukuri lumë pengues dhe i pavozitshem, i cili me pak shpenzime mund të bëhet që të kalojnë nëpër të prej qytetit deri në det vaporë prej më se tre mijë tonelatash. E pamundur! Në zemër të Europës të ndodhet një shkretirë kësi soji, por qe një fakt. Në të vërtetë kjo rrjedh nga se ky vend ka mundësira përparimi më të mëdha se çdo shtet tjeter i Ballkanit por që Europa e ka pa të arësyeshme me e bërë këtë vend të mjerë e të shkretë. Ky vend zë pozitën gjeografike më të mire në Europe; ai është çelsi i tregtisë së Ballkanit dhe porta e kalimit për në Lindje. Me gjithë këtë, sot nuk ka asnjë udhë hekuri që t’i përshkojë Ballkanet prej Adriatiku në atë mënyrë që kjo të jetë një vijim i linjës Austriake.
Faksimili i origjinalit të librit“Shqiptarët“
Kur Princ Vidi dhe përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha e bënë Durrësin kryeqytet të Mbretërisë, ata sot zunë një vend të keq, një katund të qelbët, porse Durrësin nën emrin Epidamus siç quhej në kohët e vjetra Ciceroni dy mije vjet përpara e përshkroi si një vend të bukur, të madh e të lulëzuar. Në atë kohë ishte një qendër e madhe tregtie, por sot sikurse edhe fqinji i tij Tivari në Veri, qëndrojnë si njëmendore e mëkatit të shkatërrimit turk. Në tokën e Epirit ku sot 600’000 frymë rrojnë mjerisht, nën Pax Romana rronin 4’000’000 në lumturi. Do të shohim më vonë se jo natyra por arti i zi e zbriti këtë vend nga lumturia e hershme në gjendjen e dhimshme e të mjeruar të sotme. Kjo u qeth e u shkurtua në traktatin e Berlinit, në ndarjen e Ballkanit dhe në marrëveshjen e Londrës, saqë askush s’mund të dije sot sipërfaqen dhe popullsinë e saj. Mund të jetë e madhe sa shtetet Konektikat dhe Masaçuset bashkë dhe popullata mund të çmohet nga 500’000 në 1’500’000, por mesatarisht mund të jetë 750’000 shpirt. Shkodra ka 40’000 banorë dhe me pak përjashtime ky vend përbëhet prej katundesh.
Origjina e Shqiptarëve
Mbrapa në kohët parahistorike, para se poetët e Homerit të këndonin për perënditë e tyre dhe heronjtë e përrallave, përpara se të shkruhej gjuha greke, rronte një popull i qujtur Pellazg. Herodoti (484-425 p.e.s.) iu vesh Pellazgëve historinë e cila këto i përmend shumë më parë se sa qytetërimin e grekërve; punimi i ashpër që mbulon anët e Panteonit në Athine akoma quhet Pellazgjik. Këta ndërtuan mure të mëdhenj që quhen ciklopike dhe për të cilët Prof. Pokok thotë që qenë ndërtuar shumë më përpara se të egzistonin grekërit e Homerit. Prej kësaj race të fortë parahistorike mbetën vetëm Shqiptarët. Vetëm në kohë të vona u shkoqit se Pellazgët qenë Ilirianët e vjetër, e para degë Indo-Europiane, perandoria e të cilëve shtrihesh që nga Azia e Vogël deri në Adriatik dhe nga Veriu deri në Danub. Nga studimet e shkrimtarëve të rinj, si Prof. Maks Myller dhe Prof. Pot, në gjuhën Shqipe u bë e qëndrueshme kjo origjine. Këto Ilirianë, që rrojnë akoma në Shqipëri si Toskë, u shpërndanë edhe në Itali dhe njihen si Toskë, Toskanë, Etruskë.
Është e kotë të kërkohet për perënditë e Greqisë në etimologjinë e gjuhës së saj. Në gjuhën Shqipe këto janë shumë të qarta dhe domethëniet e tyre shumë të drejta. Për shembull, Kaos është hapsi, hapësira; Erebus, biri i Kaosit, është er-het-os, me e bërë të errët; Uranos është I-Vran-os, domethënë zana e reve, vranët; Zeus, Zaa, Zee, Zoot-Zot, zë rrufe; Athena është E thëna, me thënë fjalën; Nemesis, nemës, domethënë nam, thirrje e djallit; Muse, Mosois, është mësuesi; Afërdita domethënë afër ditës, agimi. Kur do të jetë studiuar mirë gjuha Shqipe dhe kur do të jenë zhvarrosur gojëdhanat e saj, atëhere shumë nga veprat e Homerit do të rishkohen dhe ca nga ato do të jetë nevoja edhe të korigjohen. Herodoti nuk e pati ditë që emrat e heronjve të veprës së Homerit ishin fare qartë në gjuhen Pellazgjike. E deri edhe emri i vet i Homerit mund të gjurmohet në gjuhën Shqipe: I mirë, dhe në formën Imiros do të thotë poezia e mirë.
Flamuri kombëtar
Në gjuhën Shqipe është Agamemnon, Ai-ge-mendon, ai që mendon; Ajaks, ai gjaksi, gjakderdhës; Priamos, Bir-i-amës, biri i amës e me kuptim ironik Biri i tokës, i vendit; Akili, i qiellit, një i zbritur nga qielli; Odiseu, i udhës, udhëtari, aji që shëtit; Ithaka, i thak, idhnak; Droilos, Droili(os), ai që druhet, frigac. Shumë të tjera mund t’i shtohen kësaj liste. Nuk është çudi në se njerëzit që kanë studiuar gjuhën Shqipe të thonë se kjo është gjuha origjnale e Homerit dhe që grekërit e morën nga poetët Pellazgjike të shumtën e këngëve të trimërive dhe ato heroike. Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka Shqiptare do të hapi thesarin e historisë Pellzagjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera provojnë që Shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshëve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njifej në malet e Thesalisë, Shkodra, qyteti kryesor i Shqipërisë, qe pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja qe gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese Romake.
Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedistit, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit Europian. Nuk është për çudi që otomanët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën Shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë.
Vendasit e Shqipërisë
Nuk janë turq sikurse shumë e mendojnë; përpara kanë qenë të gjithë të krishterë, por gjatë shekujsh pjesa më e madhe është kthyer në besimin mohamedan. Shumë prej malsorëve janë katolikë, ndërsa në Shqipërinë e Jugut pothuajse kisha greke është krejtësisht e pranueshme përveç mohamedanëve. Gjuha shqipe është aq e dallueshme nga gjuhët tjera të Europës sikurse është gjuha Kelte dhe Baske. Ata s’kanë literaturë veçse pak libra të priftërinjve katolikë; as alfabet të qëndrueshëm nuk kanë akoma. Në shkollat e pakta turqit nuk kanë lejuar që të mësohet gjuha e tyre dhe nuk janë shumë ata që dijnë me shkruajtur e me lexuar. Historia e Shqipërisë është një shënim i gjatë shkeljesh, plaçkitjesh dhe gjakderdhjesh. Këngët e tyre tregojnë, theksojnë, vetëm lufta e trimërira. Të gjitha shkeljet e Europës mizore e kanë përshirë këtë vend me zjarrm e shpatë.
Mbasi vdiq heroi Gjergj Kastrioti që mbajti larg nga Shqipëria për 24 vjet ushtritë e sulltanit duke i zhdukur nga faqja e dheut njërën mbas tjetrës, otomanët mundën ta pushtojnë Shqipërinë dhe e mbajtën nën zgjedhë për më se 450 vjet. Përveç popullit të fushave, të cilët i ka vrarë më shumë zgjedha e robërisë, përgjithësisht Shqiptarët janë trima e luftetarë të fortë. Malësori nuk del kurrë prej shtëpisë së tij i pa armatosur, e deri bariu mban tufën e vet i armatosur deri në dhëmbë.
Lufta ka qenë i vetmi besim i tyre; biles ata thonë: aty ku është shpata aty është besimi.
Djali rritet pa farë edukate ose disipline përveç se përdorimit të armëve. Në ushtrinë turke ai mësoi se si me vjedhë e me grabitë; në shtëpinë dhe vendin e vet zyrtarët dhe tagrambledhësit e pengonin në kursimet, punimet dhe industritë. I rritur në një atmosferë dhune dhe vjedhje, edhe urija shpesh here e ka shtërnguar të fitojë rrojtjen e tij si të mundet, qofte edhe prej armikut që i ka shkelë në votër. Nuk duhet shikuar për çudi pse vjedhja që i bënin turqve quhesh patriotizëm i lartë. Pa dyshim këta malësorë janë të egër dhe të pamëshirshëm në mësymje ose në mbrojtje. Që këta kanë edhe zakone të këqija s’ka nevojë për vërtetim, porse janë rritur në një atmosferë pesimiste.
Një popull fisnik
Ky popull është shembulli më i madh i të mbajturit të moralit dhe meritave të trashëguara, për fisnikërinë dhe për kapacitetin e tij që, megjithëse për shekuj me rradhë ka qenë nën ndikimin tiranik dhe zhvleftësues, e mban prap kryet lart, nuk i ka humbur shpresat e veta dhe gjithnjë thotë se jam Shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrmit. Dhe për këtë ky meriton të gradohet me një listë të gjatë virtytesh të pastërta e shembullore. San Xhiljano thotë se Shqiptarët janë egoista të radhës së parë. Sigurisht ata nuk janë një racë që shtrohen dhe kërrusen nga frika. Trimërija e tyre s’ka kufi; ata e përballojnë vdekjen dhe fatkeqsinë e tyre pa u trembur. Fjala e besës për ta është shumë më e shenjtë se sa bëmat e mëdha të popujve të qytetëruar dhe mikpritja e tyre vijon deri sa mos t’u mbetet më kurrgjë. Virtytet e grave të tyre janë të trashëguara dhe vdekja është dënimi i zakonshëm dhe i shpejtë në rast tradhëtie ose imoraliteti. Ndjeshmëria e tyre në çnderime dhe fëmijë është shumë më i madh se sa në rrena e shpifje dhe këto raste mbarojnë gjithmonë në gjakmarrje.
Në asnjë vend tjetër të botës nuk është ma e sigurte gruaja nga fyerjet se sa në Shqipëri; ai qe vret një grua bie nga vlefta dhe e humb emrin e famën. Bajroni e nderon në këtë mënyrë besnikërinë e Shqiptarëve nga përvoja vetjake që pati prane tyre:
T’ashpër janë djemtë e Shqipërisë,
e me gjithë këtë nuk u mungojnë virtytet,
të ishin ato virtyte më të pjekur;
Ku është armiku që ua ka pa shpinën e shtegun ta lirojnë?
Fortesat e shtëpitë e tyre nuk janë më të sigurta kurrë,
sa ata vetë në kohëra turbullimi e në rast nevoje;
Sa e rëndë është mërija e tyre,
por kur ta falin, miqësia është fare e sigurtë;
Kur mirënjohja ose fisnikëria me derdh gjakun i thërret,
të patrembur shkojnë përpara kudo që t’i çojë udhëheqësi i vet.
Kaq tepër e admironte Bajroni këtë popull saqë Shelli e thërriste atë me emrin përkëdhelës ALBI. Malësori dallohet nga qytetari. Veshja përgjithësisht është si veshja kombëtare e Greqisë. Fustanella, një fustan i bardhë që mbërrin deri ke gjuri, çorape të bardha mbulojne puplat e këmbëve, këpuce me maja të kthyeme e me tufa mbi ta, rrypi i mesit i mbushur me armë, xhamadani me mëngë të lëshuara mbrapa dhe qeleshe. (Xhorxh Fred Uilliams ka vizituar vetëm bregun e jugor të Shqipërisë, prandaj përshkruan kostumin popullor jugor Shqiptar – shën. përkth.). Ky popull rron në formën prindërore, domethënë plaku i shtëpisë nderohet dhe shquhet përmbi të tjerët dhe të gjithë e dëgjojnë. Vajzat nderojnë dhe ndigjojnë nanën. Iu mbarohet më parë çdo dëshirë prindëve e pastaj të tjerëve.
Tek ky popull nderimi për moshën është një tipar i veçantë. Janë shumë zemër mirë për njëri tjetrin, ndihmojnë shoqi shoqin në rast rreziku apo nevoje, kanë respekt për eprorët e tyre dhe e mbajnë besën me drejtësi e me ndërgjegje të pastër. Në mes të tyre flasin një gjuhë të zbukuruar, përdorin shprehje të pastra dhe të prishurit e gojës shpaguhet pa vonesë e ngadonjëherë shumë rëndë. As me qeshje nuk përdoret gjuhë përdhosëse.
Mikpritja është në kulmin e saj në Shqipëri. Një sulm po t’i bëhet mikut në çdo mënyrë qoftë, është një çnderim i madh për të zotin e shtëpisë e për gjithë fisin e tij. Ai që grabit ose vjedh mikun, sipas zakonit të vendit dënohet shumë rëndë, ose me vdekje ose nxirret jashtë fisit.
Burrat janë të gjatë, Gegët në Veri janë më të gjatë se Toskët në Jug; gjithashtu më të fortë dhe më të rreptë. Një shkrimtar e përshkruan lëvizjen e malësorëve të Veriut si të dhive të egra që i ngjiten majave e shkëmbinjëve më të mprehtë dhe zbresin pa pikë frike nga këto vende, që kur i sheh thua se asgjë e gjalle s’mund të shpëtoje nga ato.
Besa është tradita më e shenjtë;
kur njëri ka besën e një personi të mirë të njërit fis, çnderimi më i madh e pret thyesin e saj prej personit të atij fisi. Besa e Shqiptarit jo vetëm që mbahet dhe mbrohet me vullnetin më të mirë, por Shqiptari po të jetë nevoja jep edhe jetën për të mbajtur besën e dhënë. Një udhëtar nën fjalën e besës është nën mbrojtje të shenjtë.
Zakone gjakmarrje
Gjakmarrja është një traditë e Shqiptarëve, por e rregulluar mbas ca ligjeve dhe zakoneve të vendit që caktojnë kur, kush dhe si është e drejtë një gjakmarrje. Në këto raste qeveria nuk përzihet, edhe në qoftë se ndërhyn do të ndjekë zakonin e vendit më tepër se ligjin. Ky “lex talionis”, rregull që jep të drejtë që të shpaguhet një dëm i ndërsjelltë ose si i thonë, një sy për një sy e kokë për kokë, jo vetëm që hyri nëpër ligje gjatë shekujve, por edhe nëpër besime. Gjykohej se shpirti i të vrarit nuk ka qetësi deri sa të vritet gjaksori. Në Shqipëri familjes ose trashëgimtarve nuk u mbetet gjakmarrja vetëm për vrasje, por edhe për çeshtje nderi grash. Gjaqet shpesh herë shtrihen deri në bajraqe, fise, dhe shpagime gjaqesh shumë herë kanë kapërcyer katunde e krahina. Ligjet turke në këtë vend nuk jepnin ndonjë farë drejtësie; madje i nxitnin këto zakone pasi ato shkaktonin përçarje, grindje dhe armiqsira të mbrendshme ndërmejt Shqiptarëve, gjëra që i lehtesojnin barrën Turqisë për të zbatuar më tepër tiraninë dhe robërinë. Me ardhjen në fuqi të ligjit të krimeve, ky zakon ndoshta do to zhduket me kohë sikurse në rastin e Malit të Zi.
Gratë Shqiptare
Ndërsa, si dhe në shtetet tjera të Ballkanit, gruaja bën të gjitha punët, si në fushë ashtu edhe në shtëpi, ajo shikohet më me respekt dhe zë një pozitë më të lartë se gruaja e Lindjes.
Një grua mund të shëtisi prej një ane të Shqipërisë në tjetrën pa farë dyshimi, bile edhe një burrë që mund të ndodhet me të, nga shkaku i gruas është i sigurtë. Në qoftë se një vajzë e fejuar le të fejuarin e vet, ajo e ngarkon familjen e saj me një gjak të cilin e ka të drejtë i fejuari i saj. Përveç atyre të qytetit, nusja nuk merr pajë nga ati i saj, përkundrazi dhëndri i paguan një shumë të hollash të atit të vajzës; për gratë e veja paguhet gjysma. Ndër gratë Shqiptare dashuria dhe bukuria nuk luajnë një rol me rëndësi. Ç’ka ia shton rëndësinë gruas pranë burrit është të pjellurit; dukë shtuar femijët, shtohet edhe pozita. Nuk egzistojnë gjëkundi gra më të virtytshme se në Shqipëri.
Brez i fuqishëm
Gjaku i Shqiptarëve është gjak burrërie. Shqiptari i ka dhënë Turqisë gjeneralët dhe ministrat më të mirë. Vëllezërit e tyre në Itali, Toskanët, vunë themelet e vertetë të madhështisë së Romës. Pesë perandorë të Romës qenë bij malësorësh Ilirianë; ata e forcuan racën Italiane. Në grykat dhe në malet e Atikës gjuha Shqipe është në përdorim edhe sot. Në përpjekjet e Greqisë për liri, Shqiptarët lanë emra fame. Ata trazohen me të tjerët, por në trazim nuk bashkohen, domethënë nuk i përziejnë gjakun dhe zakonet e tyre. Të ruajturit e gjuhës dhe të zakoneve të veta nën thembrën dhe tiraninë e shekujve tregon mundësitë e një race të fortë e të pamundëshme. Do të shohim se si Europa e përdori këtë çelës të Ballkaneve për të mbajtur mbyllur dyert e mëshirës e të dritës mbi një popull, i cili tani po lutet për pavarësi e liri.
Ngatërresat e fuqive të mëdha
Djali im, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota.
Uksensherna, kryeministër i Suedisë, 1612
Shqipëria, një vend kaq i vogël e i prapambetur, pa kurrfarë qytetërimi, pse luan një rol kaq të madh në politikën e Europës? Është e nevojshme që t’i pergjigjem këtu kësaj pyetje, përgjigjia e së cilës trajton përmbajtjen e ndërlikuar të diplomacisë Europiane. Përgjigjia e shkurtër është se situata gjeografike e Shqipërisë paraqet probleme politike edhe më të gjëra se ato të parashtruara prej shteteve të tjerë të Ballkanit. Gjendja e Shqipërisë është një faktor kryesor i problemit të Lindjes, mbasi kjo është udha natyrale e kalimit prej Adriatikut në Lindje. Përveç kësaj është edhe pikërisht vendi për daljen e tregtisë së Ballkanit dhe së fundi ajo ka në dorë komandën e hyrjes në Aariatik në ngushticën e Otrantos. Portet e saja, me portin në detin Egje të Selanikut dhe të Bosforit, janë çelsat e dyerve të Europës Lindore për në detin Mesdhe. Për të marrë në dorë këta çelsa diplomacia e Europës ka punuar për dy shekuj rresht.
Përjashtimi i Rusisë nga deti Mesdhe
Përmbi të gjitha del e dukshme figura e Rusisë, qëllimi kryesoer politik i së cilës ka qenë me patur kalim të lirë në detin Mesdhe. Për këtë qëllim ajo e pa të arsyeshme shkatërrimin e Turqisë. Në vitin 1711, Pjetri i Madh thirri në ndihmë shtetet sllave të Serbisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës, Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi për t’u bashkuar me të në një luftë fetare e racore për të liruar të krishterët ortodoksë dhe gjithë popujt që flasin gjuhën sllave nga zgjedha otomane. Që prej asaj kohe, Rusia dhe Turqia kanë qenë në një ndeshje të përhershme dhe Rusia është bërë mbrojtësja dhe ndihmësja e shteteve sllave. Këto kondita iu paraqitën parlamentit prej Sir Eduard Greit (Ministër i Jashtëm i Britanisë), parlament i cili ishte vendi i zakonoshem i diplomacisë Europiane në të kaluarën. Është për t’u shënuar se shtetet që emëroi Cari i Madh, bashkë me Hungarinë dhe Poloninë, formonin një rreth të fortë popujsh sllave kundrejt Austrisë Gjermane. Ëndrra për t’i bashkuar këta popuj në një perandori sllave qe një lumturi për Rusinë dhe Serbinë, por një tmerr për popujt Gjermane dhe për të gjithë Europën Perendimore. Nga frika e kësaj fantazme të një perandorie sllave, fuqitë e Europës kanë ndenjur të bashkuara për të mos e lënë Rusinë e as aleatët e saj sllave me zënë vend ose me krijuar ndonjë kalim për në detin Mesdhe.
Por fakti kryesor që i takon Shqipërisë është se fuqitë Enropiane e përkrahën sundimin turk në Europë dhe e mbrojtën atë kundra Rusisë për të vetmen arsye se zhdukja e Turqisë nga Adriatiku deri në Stamboll do të shkaktonte ndarjen e këtyre vendeve fqinjëve të tjerë, dhe në këtë menyre do të hapej çeshtja e madhe e sllavëve për të dalë në detin Mesdhe. Lufta Krimesë u bë prej Anglisë dhe Francës për të mbrojtur Turqinë kundra Rusisë dhe përfundoi me traktatin e Parisit në të cilin pavarësia e Turqisë u garantua dhe u sigurua. Ajo u pranua që të marrë pjesë në marreveshjet e fuqive Europiane, kurse popujt e krishterë të Lindjes u lanë nën mëshirën e dobët të Sulltanit. Ishte përpara kësaj lufte kur Car Nikolla parashtroi që perandoria turke të mos njihej nga ana e Rusisë dhe Anglisë, por kjo e fundit nuk e pranoi këtë kërkesë.
Traktati i Berlinit
Në vitin 1878, Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në dyert e Stambollit. Traktati i Shën Stefanit u bë në mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin mjeshtërisht Rusia për të mirën dhe përdorimin e vet krijoi një shtet të madh Bullgar, që nga ana Jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke përfshirë edhe portin e Selanikut. Kjo shkaktoi mbledhjen e shpejtë të fuqive Europiane të cilat bënë traktatin e Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin e shtetit Bullgar të projektuar dhe vuri në heshtje kërkesat e Rusisë për të pasë një port në detin Mesdhe. Serbia, Rumania dhe Mali i Zi u shpallën shtete të pavarura. Një hartë e kohës së fundit do të tregoje se traktati e la një copë të Ballkanit akoma nën sundimin turk, e cila shtrihej prej Adriatikut deri në Stamboll dhe përmblidhte Bosforin, Selanikun, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Shtetet sllave të Bosnjes dhe Hercegovinës në Adriatik iu dhane Austrisë. Qe një këmbëngulje e vendosur për Europën që të mos lejonte shtet sllav të kishte një dalje në detin Mesdhe. Skllavëria dhe robëria e të shkretës Shqipëri nuk u bisedua; kjo ishte viktima e parimit të kësaj diplomacie të Europës.
Kongresi i Berlinit - Qershor 1878
Kërkesat e Serbisë në Adriatik
Lufta Ballkanike më 1912 nuk u prit me sy të mirë nga fuqitë Europiane. Historia e saj është e njohur por nuk është kuptuar krejtësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se dy gjërat më me rëndësi të kësaj lufte ishin marrja e portit të Selanikut dhe të porteve të Shqipërisë. Këta ishin vend-daljet natyrale të tregtisë së Ballkanit dhe vend-shkarkimet e hekuradhave të ardhshme. Edhe Austria priste me padurim ndonjë rast për të shtirë në dorë portin e Selanikut, por shteti serb kërkonte mbi gjithë të tjerat një port për lëvizjen tregtare të tij. Ajo ishte e mbyllur dhe e izoluar larg detit dhe në qoftë se shkeljes së tokave të huaja i jepte të drejtë, Serbia pa turp mund të kërkojë një vend-dalje në det. Grindja e shteteve të Ballkanit në mes tyre u bë shkak që gjashtë fuqitë e mëdha të Europës të marrin në dorë frenat dukë ndërhyrë që t’i pushonin këto grindje.
Austria dhe Italia rivale
Në këtë kohë duhet përmendur edhe një fazë tjetër trazimesh në Shqipëri. Austria dhe Italia urdhërojnë ose komandojnë detin Adriatik përveç ballit të Shqipërisë. Këta dy shtete kanë pritur me padurim vite me rradhë rastet për të shtirë në dorë portet e këtij vendi. Ata kanë shpenzuar të holla duke mbajtur në Shqipëri agjentë dhe shkolla për të shtuar ndikimin e tyre mbi këtë popull. Të dy këto kanë pritur ditën kur “i sëmuri i Lindjes” do t’u varrosej në anën tjetër të detit Egje. Mbi dy pika Austria dhe Italia qenë posaçërsisht në marrëveshje: e para, që asnjëra prej tyre të mos sundonte Shqipërinë dhe e dyta që asnjë fuqi tjetër të mos vendosej në Adriatik. Nga pikpamja diplomatike e përgjithshme, kjo nuk qe një gjë shume e pa arsyeshme. Pse, po të kish nën sundimin e vet Austria Shqipërinë, ajo do të gjendej vetëm 74 km larg bregut Italian në mës të Vlorës dhe Otrantos. Dhe, po të bëhej Italia sunduese e Shqipërisë, do ta kthente Adriatikun në një gji të Italisë duke e bërë “il mare nostra”, sikurse italianëve u pëlqen ta thonë. Në anën tjeter, çdo fuqi detare me zotërimin e Shqipërisë do të ishte një kërcënim e kanosje për të dyja, Austrinë dhe Italinë.
Perandoria sllave
Plani për një perandori sllave ushqehesh më tepër prej Serbisë nën emrin e krijuar “Serbia e Madhe”. Edhe Mali i Zi është bashkuar me këtë plan; që të dy duke qenë nën kujdesin e Rusisë, mbrojtëses së tyre të betuar. Me një perandori të tillë, provincat sllave, Bosnja, Hercegovina dhe Dalmacia, më lejen ose hapjen e Austrisë, do të bënin të mundur daljen e Malit të Zi dhe të Serbisë në Adriatik. Shumë u zemëruan këto shtete kur më 1908 Austro-Hungaria zgjeroi sundimin e vet mbi Bosnjen dhe Hercegovinën dhe i bëri kryekëput të vetat. Kur të gjashtë fuqitë e mëdha e patën mbaruar Konferencën e Londrës mbi ndarjen Ballkanike, ato ndoqën po ata parimet e vjetra për të mos lejuar shtetet sllave me takuar detin Mesdhe. Turqia pothuaj se qe terhequr nga Ballkani dhe një problem i madh gjendej mbi tryezën e fuqive Europiane. Këto e zhvilluan këtë duke i dhënë portin e Selanikut Greqisë dhe duke krijuar shtetin e pavarur të Shqipqrisë. Në këtë mënyrë varroseshin shpresat e Serbisë, e cila në këtë kohe është çuar në këmbe dhe ka shkelur Shqipërinë ndërsa Mali i Zi ka pushtuar Shkodrën.
Shqipëria dhe lufta botërore
Në këtë plan veprimesh Austria dhe Italia ishin pa kundërshtim fuqitë lëvizëse dhe princi trashëgimtar Franz Ferdinandi i Austro-Hungarisë shikohej si kujdestar i parimit të tyre. Serbia mjaft e zemëruar që prej vitit 1908, tani u tërbua dhe pa dyshim demonstratat e saja kundër Austro-Hungarisë qenë të rrepta dhe kërcëuese për hakmarrje. Qellimi i gjallë i Europës për të përjashtuar Rusinë dhe aleatët e saj nga deti Mesdhe shihet edhe nga fakti se kur Austro-Hungaria mori Bosnjen dhe Hercegovinën për pak qe duke u shkaktuar një luftë Europiane dhe vepra e krijimit të shtetit të pavarur Shqiptar sigurisht qe duke ndezur një ndeshje të përgjithshme. Mëria e madhe kundra Austro-Hungarisë natyrisht iu drejtua princit trashëgimtar dhe vrasja e tij në Sarajevë keqësoi pa masë marrëdhëniet midis Austro-Hungarisë dhe Serbisë. Mbas kësaj, ngjarjet rrodhën shumë shpejt. Austro-Hungaria i diktoi ultimatum Serbisë dhe me kundërshtimin e tij i shpalli luftë. Rusia qiti zërin se kjo ishte puna e saj dhe brenda pak diteve pesë prej fuqive të mëdha u gjendën në ndeshje të vazhdueshme. Po të kish përmbushur Europa dëshirat e Serbisë për një skelë në Shqipëri, kjo klimë e tmerrshme nuk do të vinte. Zotërimi ose sundimi mbi Shqipëri qe pa dyshim shkaku që u shkaktua kjo luftë që po përfshin kontinentin e Europës. Kjo është historia e diplomacisë Europiane në Ballkan, me gjithë se shumë shkurt është përshkruar. Prandaj përshtatet posaçërisht titulli "Ngatërresat e Fuqive të Mëdha".
Shqipëria etnike
Faji i diplomacisë Europiane
Në qoftë se me të vërtetë bashkimi sllav është një kanosje për qytetërimin Perendimor, sigurisht historia e diplomacisë përkundrazi ndryshon kur Rusia të ketë siguruar aleatë të fuqishëm në Perëndim për shkatërrimin e Gjermanisë, pengesën më të madhe të triumfit të saj. Por në qoftë se ky bashkim është vetëm një përrallë e shpikur ose një arsyetim jo i vërtetë, atëhere diplomacia Europiane duhet të quhet fajtore ndaj krimit që bën duke mbajtur Ballkanet nën zgjedhën e dobët të Turqisë. Në njërën anë prej këtyre dy çengelave, që janë përgjigjia e këtij problemi, duhet të varet kjo lloj diplomacie. Edhe në qoftë e vërtetë se kanosja sllave qe një pretendim dhe që shtetet e mëdha deshën vetëm me gjetur shkak për të mbajtur Rusinë larg nga deti Mesdhe, vuajtjet dhe fatkeqësirat e Shqipërisë varen mbi dyart e tyre sepse Shqipëria vuajti vetëm prej fajit të tyre. Me të vërtetë me sa pak mëshirë qeveriset bota! Po to kish prishur Europa një shekull më parë sundimin otoman në Europë, patjetër faqja e qytetërimit tonë do të ishte ndryshe. Shtetet e Ballkanit do të kishin tashmë një shekull vjetërsi në lirinë e tyre dhe mundet që në rrugën e paqes do të ishin më të përparuar në pasuri, në edukatë, në tregti dhe industri. Përkundrejt të sotmes që janë të varfër e të shkatërruar prej luftash të vijueshme, të cilat janë shkaktuar vetëm e vetëm pse kërkonin të liroheshin nga zgjedha. Shqipëria tani do të mund të ishte një shtet i lulëzuar e i përparuar. Ndoshta kur diplomacia e zezë, që ka rrënjët në shekujt e errët e që bën çdo shtet të shihet me tjetrin me një armiqësi të madhe, të jetë zhdukur dhe ndonjë mënyrë simpatie njerzore dhe vllazërore të përdoret, atëhere do të kujtojme faktin që suksesi i një populli nuk është nevoja të bëhet me humbjen e një tjetri. Atëhere sllavet, gjermanët, anglezet, turqit dhe Shqiptaret mund të përfitojnë shumë më mirë nga përparimi, lulëzimi dhe lumturia e njëri-tjetrit.
Diplomacia e shastisur e Europës
Ndërkaq Shqipëria, viktima kryesore e kësaj diplomacie, mbetet e lodhur, e kërrusur dhe e zhytur në gjak sepse, edhe mbas lirimit të shteteve tjera të Ballkanit nga zgjedha, kjo u la akoma nën Turqi. Bashkë me Shqipërinë mbeti nën zgjedhë edhe Maqedonia. Po të kishte mbetur ndopak simpati njerëzore në politikën e Europës dhe ndonjë ndjenjë për të shpaguar mëkatet që ka bërë gjatë shekujve, këto fuqi do t’u kishin dhënë rastin Shqiptarëve për të formuar një qeveri dhe për të zbatuar nje statut të vetin. Edhe një dhenzë e truve të kalit do të kishte menduar që një popull trim dhe luftëtar si ky nuk do të pranonte një zgjedhë tiranie të re në vendin e së parës. Por diplomacia e shastisur vendosi të zbatojë forcën dhe tiraninë për të sunduar këtë popull; por ky vendim doemos do të binte poshtë sikurse u pa. Shtetet e Europës kanë bërtitur dhe kanë shpallur se Shqiptarët janë popull i pabindur, i egër e barbar. Por në anën tjetër deshën të krijojnë mbi ta një qeveri pa pyetur dëshirat e tyre, pa iu siguruar ndonjë farë lirie ose të drejta trashëgimore dhe biles pa asnjë këmbë ushtari për të vënë në zbatim programin e tyre: sollën vetëm disa oficerë, kurse ushtarë jo. Por, po të ishin të vërteta deklaratat e tyre, ata do të kishin sjellur fuqi të madhe të armatosur për të perkulur Shqiptarët; por këto të bërtitura ishin vetëm për të justifikuar sjelljet e tyre. Ata prenë copa me rëndësi nga toka Shqiptare dhe ia dhanë fqinjëve në Veri, në Jugë dhe në Lindje, duke shkaktuar kështu ngatërresa dhe luftëra të përditshme në mes të këtyre shteteve. Copën që mbeti nga gërshëra e tyre e quajtën shteti i pavarur i Shqipërisë. Gabimin më të madh të planeve të tyre do ta përshkruaj në kreun që vijon.
Shqipëria është bërë lëmi i ndikimeve të shumëllojshme qe e tërheqin në drejtime të ndryshme. S’ka vullnet, s’ka program e as autoritet të njohur në këtë tokë. Propaganda, intriga dhe shpifjet e fshehin të vërtetën.
Këtë e raporton Dr. Dillone nga Durrësi.
Kur gjashtë fuqitë e mëdha hartuan një plan qeverimi për Shqipërinë, vepra e tyre tregoi një pazotësi të çuditshme, sepse ai qe një plan që i nuk përshtatesh një shteti si ky. Marrëveshja e Londrës përmbante nenet:
(1) Një principatë autonome, sovrane, me të drejtë trashëgimi të fronit nga të paslindurit dhe nën sigurimin e gjashtë fuqive të mëdha.
(4) Kontrollimi i administratave qytetare dhe i financave i jepet një komisioni ndërkombëtar të përbërë prej delegatësh të gjashtë fuqive të mëdha dhe një delegati të Shqipërisë.
(7) Emërimi i princit, formimi i një qeverie kombëtare përfundimtare, funksionet e autoriteve të vendit që ndodhen si dhe qetësija e popullit i lihen në dorë komisionit në fjalë.
(Cool Sigurimi i popullit dhe rregulli do të bëhet prej një organizate xhandarmërie e policie ndërkombëtare, që do të jetë në dorë të oficerëve të huaj të cilët do të kenë në dorë komandën vepruese dhe eprore të policisë e të xhandarmërisë, dhe të gjithë elementëve të nevojshëm për të siguruar qetësinë e popullit.
I lutem lexuesit me i studiuar këto pika që të formojë një vetgjykim se si mund të formohet një shtet mbi një plan si ky? Tre funksionet e një shteti janë: egzekutimi, legjislatura dhe administrimi i gjyqit. Shihet se dy të fundit nuk janë përmendur veçse si një lloj autoriteti i lënë komisionit ndërkombëtar për të formuar një qeveri kombëtare me autoritet. Funksioni egzekutiv natyrisht përfshin një kryetar egzekutues që do të ketë kontrollimin e administratave qytetare dhe të sigurimit të popullit. Marrëveshja (e Londrës) përmban një princ, por ia dha komisionit ndërkombëtar kontrollimin e administratave qytetare dhe të financave. Dhe në njërën anë e vendos sigurimin e popullit nën komisionin ndërkombetar, kurse në anën tjetër thotë: “komanda vepruese dhe eprore për të mbajtur qetësinë e popullit i jepet një organizatë ndërkombtare të kryesuar prej oficerësh të huaj”. Se çfar fuqirash i mbeten princit nuk kuptohet, kurse administratat, financat dhe sigurimi i popullit iu dhanë duarve të tjera. Sipas vendimit të marrëveshjes (së Londrës), princi do të zgjidhesh pa pyetur dëshirat e popullit dhe funksionet e autoriteteve të vendit e sigurimi i popullit u hoqën nga duart e popullit. Nuk qe vënë përpara ndonjë statut në bazë të cilit të qeverisej ky popull dhe asnjë premtim nuk i qe bërë për një liri të plotë ose për të ushtruar të drejtat tradicionale. Këtu qe vetëm një sundim tiranik dhe një despotizëm të deklaruar me urgjencë. Me sa gjykohet, kjo qe një anarki për të shkaktuar kryengritje. Po të mos ngrihesh populli Shqiptar në formën e quajtur rebelizëm, për Shqiptarët nuk do të besohej mjaft dhe do të thuhej se këta nuk kanë ide mbi lirinë që kërkojnë. Nga kjo marrëveshje e Londrës doli një ngatarresë sa nuk bëhesh më e madhe dhe më e keqe. Fuqitë e mëdha pastaj vijuan programin e tyre duke zgjedhur për antarë të komisionit gjashtë persona me pozita konsujsh. Pa e fyer këtë pozitë diplomatike, kjo vepër qe një punë e keqe sepse lëshimi i një shteti në duar të tilla nuk qe në duar të njerëzve me përvoje diplomatike. Sigurisht, që formimi i një shteti nuk u vendos në duar të përshtatshme tregohet nga fruti i veprës së tyre.
Lexo të plotë --->www.syri3.com/pdf_fajl
No comments:
Post a Comment