Monday, June 14, 2010

Velipojë, Golem, Vlorë, Sarandë, verë 2010!

Velipoja, bëhet gati për fluksin e pushuesve


Nisja e sezonit turistik ka ofruar pushuesit e parë pranë bregdetit të Velipojës.

Ashtu si vitin e kaluar, pushuesit nga Kosova janë më “besnikët” e këtyre ditëve të para të qershorit. Një pushues nga Kosova, Zenel Shkodra, duke folur për gazetën shprehet se “ky është viti i dytë radhazi që vijmë të pushojmë në Velipojë. Mbetëm mjaft të kënaqur vitin e kaluar, prandaj u kthyem sërish. Këtu rëra dhe uji i detit janë shumë të pastra, çmimet të arsyeshme si për fjetjen, ashtu edhe për ushqimet. Vitet e mëparshme kemi shkuar në Ulqin, por vendosëm të ndryshojmë dhe të vijmë në Velipojë, sepse është më afër dhe çmimet janë më të leverdishme”.

Ndërkohë, pronarët e hoteleve shprehen se në krahasim me një vit më parë, vihet re një shtim i numrit të kërkesave për dhoma. Sipas tyre, kjo vjen për faktin se çmimet janë tepër konkurruese për tregun. Ato variojnë nga 25-50 mijë lekë për një qëndrim prej 15 ditësh. Ndërkohë në dhoma garantohet ujë, drita dhe ajër i kondicionuar. Ndërsa lokalet dhe dyqanet e shërbimit duket se ende kanë punë për të përfunduar përgatitjet për fluksin e pushuesve që pritet të nisë muajin tjetër.

Ndërkaq, drejtuesit e Komunës Velipojë garantojnë se këtë verë, të gjithë pushuesve që do të zgjedhin plazhin e Velipojës, do t’u garantohet furnizim 24 orë me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, mbajtje e rendit dhe qetësisë publike, shërbim 24-orësh për urgjencat shëndetësore.

Ndërkohë premtojnë se janë drejt përfundimit investimet që janë ndërmarrë për infrastrukturën, në mënyrë që plazhi i Velipojës të bëhet gjithnjë e më i kërkuar për pushuesit nga të gjitha trojet shqiptare. Velipoja i ngjason një bregdeti të virgjër, ende të pazbuluar nga guidat turistike. Rëra e pastër dhe uji i pastër i japin kësaj zone jo vetëm vlera të rralla turistike, por dhe kurative.

Vitin e kaluar plazhi i Velipojës u shpall plazhi më i pastër nga Ministria e Mjedisit, e ndoshta kjo është një nga arsyet që nga viti në vit ky bregdet po shndërrohet në një nga vendet më të lakmuara për të pushuar. Drejtues të Komunës Velipojë duke folur për gazetën shprehen se shumë shpejt do të ndërmerren një sërë investimesh të cilat do nisin të vihen në zbatim.

Të tilla janë: rruga e Baksit, ura e Rrjollit, shëtitorja në qendër të Velipojës, do të krijohen hapësira të gjelbra. “Të gjitha këto investime do të bëhen në funksion të krijimit të një zone turistike bashkëkohore dhe afrimin e sa më shumë pushuesve”, thonë drejtuesit e komunës.



Golem, pushuesit të pakënaqur nga papastërtia

Pushuesit kërkojnë më shumë investime në infrastrukturën rrugore dhe pastërti në zonën turistike të Golemit, ndërsa pushteti vendor deklaron se po punohet për zhvillimin në vazhdimësi të zonës.

Infrastruktura rrugore dhe niveli i pastërtisë në plazhe mbeten dy nga shqetësimet kryesore të pushuesve në bregdetin shqiptar, ndërsa çmimet që ofrojnë operatorët turistikë nuk janë të ndryshme nga ato të sezonit të kaluar.

Pushues nga Kosova dhe Maqedonia, që janë kthyer në frekuentues të rregullt të plazhit të Golemit, kanë zbarkuar këto ditë për pushimet e radhës buzë Adriatikut. Ata shprehen me rezerva për pastërtinë në këtë zonë turistike, si dhe infrastrukturën rrugore, ndërsa për të tjerët gjendja e plazhit është përmirësuar.

Qëndrimet janë të ndryshme, ndërsa plazhi ofron dukshëm më shumë pastërti. Ndonëse fundjava ka hyrë shumë e nxehtë, numri i pushuesve në plazh nuk ka qenë i lartë. Kryesisht janë pushues të moshave të ndryshme, dhe familjarë mes tyre, që vijnë nga vendet fqinje për pushime disaditore. “Çmimet janë të arsyeshme për dikë që vjen të pushojë në këtë fillim sezoni, por pastërtia dhe rrugët lënë shumë për të dëshiruar”, shprehen katër shokë që kanë ardhur nga Prishtina në Golem.

E ndërsa rëra duket e pastruar, me përjashtim të një brezi leshteriku që ka pushtuar vijën ujore, ata sqarojnë se në ambientet përreth hoteleve dhe moteleve ka shumë mbeturina urbane që nuk hiqen në kohë dhe mund të kthehen në vatra infeksioni. Një tjetër pushues nga Shkupi, që ka ardhur së bashku me familjen, thotë i kënaqur se po shijon pushimet dhe qetësinë e këtij fillimsezoni.

Ndërkaq, rrugët që të nxjerrin në plazh dhe ato mes blloqeve të godinave të akomodimit janë të paasfaltuara dhe krijojnë shqetësim për pushuesit këmbësorë, por dhe ata me makina. Lidhur me këto shqetësime, kryetari i Komunës Golem, Agron Agalliu, tha dje se sezoni turistik sapo ka nisur dhe aktiviteti i 30 punonjësve të ndërmarrjes së shërbimit komunal do të vijë në rritje. Ndërkaq, për sa i përket gjendjes së rrugëve, ai thotë se janë dy arsyet që ndikojnë në mosmarrjen e investimeve.

Studimi urbanistik i të gjithë kësaj zone turistike në zhvillim pret të shqyrtohet dhe miratohet në KRRTRSH, ndërsa investimi që po kryhet për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, pengon investimet në rrugë. Investime që mund të rrezikohen prej tyre, duke i kthyer në fonde të shkuara dëm. Kryekomunari Agalliu thotë se shtrirja e rrjetit do t’i kishte nxjerrë të padobishme investimet në rrugë.

Janë 5 milionë euro të akorduara nga Banka Gjermane për Zhvillim që po përdoren për zgjidhjen e një prej problemeve më gangrenë të kësaj pjese të zonës bregdetare, ku rrjeti i kanaleve të ujërave të zeza mungon dhe qindra godina shumëkatëshe dhe objekte të tjera funksionojnë me gropa septike, mbetjet e të cilave shpesh përfundojnë në det. Ndërtimi i kanalizimeve kryesore dhe dytësore synon të lidhë çdo pallat e shtëpi me rrjetin, ndërkohë që parashikohet dhe ndërtimi i disa puseve për thithjen dhe shtyrjen e ujërave drejt impiantit të pastrimit të ujërave të zeza në Karpen.


Vlorë, ndotet zona e Ujit të Ftohtë

Ndotet nga inertet bregdeti i Vlorës. Prej dy ditësh, mjetet e tonazhit të rëndë të disa firmave private kanë shkarkuar mbeturina të ngurta në plazhet publike të Vlorës.

Mbrëmjen e së shtunës, në zonën e Ujit të Ftohtë, dhe pikërisht në afërsi të Jonufrës, është formuar një pirg gjigand me mbetje inerte, që janë nxjerrë nga hapja e themeleve të një ndërtese që po ngrihet në afërsi të Ujit të Ftohtë.

Nuk ka mjaftuar vetëm zona e Pyllit të Sodës, që tashmë është kthyer në një varrezë gjigante të mbeturinave të gjithfarëllojshme, por papërgjegjshmëria e firmave po ndot dhe zonën e Ujit të Ftohtë, një nga më të frekuentuarat prej pushuesve. Ndërkohë, në breg uji i detit ka marrë ngjyrë të kuqe nga hapja e gropës mbi të cilën do hidhen themelet e ndërtesës.

Ajo është rrethuar me një gardh, ku shkruhet “Pronë private”. Sipas një banori të zonës, disa makina të tonazhit të rëndë kanë shkarkuar dhera gjatë gjithë natës, jo vetëm në det, por dhe në zonën e fshatit, e cila ndodhet mbi këtë territor.

“Tashmë kjo zonë është pushtuar nga dherat dhe nuk mund të quhet më ‘gjiri i kaltër’, siç njihej për shkak të kaltërsisë së ujit dhe rërës e pastër. Kjo zonë tani është ndotur dhe plazhi është mbushur me mbeturina inerte”, thotë një banor i zonës për “Shqip”. Fenomene të tilla kanë ndodhur dhe vite të shkuara përgjatë bregdetit të Radhimës, ku herë pas here “mbinin” pirgje mbeturinash, ndërkohë që pronarët e lokaleve zgjeronin hapësirat në det, duke krijuar mini-mole.

Megjithëse këta persona të papërgjegjshëm shkatërronin çdo ditë vijën bregdetare, nuk u mor asnjëherë ndonjë masë nga policia bashkiake apo institucionet e tjera shtetërore që mund ta ndalnin shkatërrimin e bregdetit.

Saranda, “sulmohet” nga toka dhe deti

Fundjava ka shtuar ndjeshëm numrin e turistëve të huaj në, ndërkohë që nuk kanë qenë të pakët të ardhurit nga qytete të tjera apo nga shteti fqinj, që e kanë zgjedhur Sarandën për të pushuar.

Mëngjesin e së shtunës, kalatën e portit të qytetit të turizmit e ka prekur sërish trageti “Rena 2”, në bordin e së cilës ishin 150 turistë. Turistët e huaj kanë qenë kryesisht: gjermanë, francezë dhe anglezë.

Ndërkohë, një fluks tjetër hyrjesh në Sarandë e në asetet turistike të saj është regjistruar nga pikat kufitare tokësore. Në 6 ka arritur numri i autobusëve me turistë të ardhur për fundjavë në Sarandë nga qytetet e Igumenicës dhe Janinës. Sezoni veror nga java në javë po u afrohet tureve të plota turistike.

Këtë e kupton edhe nga prania e trajlerëve ose “shtëpive”-automjete, numri i të cilave është shtuar dukshëm për këtë fundjavë, kryesisht me targa gjermane.

Shqip

No comments: